Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore për Altin Ndocin, i cili u arratis në mënyrë spektakolare më 13 janar, nga spitali rajonal i Durrësit. Sipas dosjes hetimore, evidentohen një sërë shkeljesh të kryera nga Institucioni i Paraburgimit në Durrës ndaj këtij të burgosuri, duke nisur nga daljet e tij që nuk janë pasqyruar […]
Genci Sadiku dhe Vasil Palo janë 2 viktimat e aksidentit tragjik në Rumani ku humbën jetën 7 persona dhe 3 të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Video që po bën xhiron e mediave tregon momentin kur një furgon me tifozë të ekipit grek PAOK të Selanikut ,të cilët udhëtonin drejt Francës për të ndjekur ndeshjen […]
NATO pret vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve për sulmin e Banjskës dhe atyre që organizuan sulmet ndaj ushtarëve të KFOR në pranverën e vitit 2023. Deklaratat u bënë nga sekretari i përgjithshëm i aleancës Mark Rutte gjatë fjalës së tij në komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, duke i kujtuar presidentit serb premtimet […]
Presidenti nigerian Bola Ahmed Tinubu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Turqi, pësoi një incident gjatë ceremonisë së pritjes në Pallatin Presidencial në Ankara, ku u prit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Ngjarja ndodhi gjatë ceremonisë së mirëseardhjes, në momentin kur presidenti Tinubu po përshëndeste trupat. Pak çaste më vonë, ai humbi […]
Një incident raportohet të ketë ndodhur teksa po mbahej masa e sigurisë për 19 personat e arrestuar pas protestës së opozitës para kryeministrisë më 24 janar. Incidenti ndodhi brenda hollit të gjykatës së Tiranës, ku një person kërcënoi me jetë avokatët që mbrojtën protestuesit. Ai u është drejtuar me fjalët ‘kriminele që meritojnë ta kenë […]
Pas Nestle, kompani të mëdha të industrisë së qumështit, si Danone, Lactalis dhe Vitagermine, kanë nisur tërheqjen nga tregu të qumështit pluhur për foshnja, si pasojë e dyshimeve për kontaminim me cereulide, një toksinë e dëmshme, që shkakton të vjella dhe diarre zakonisht 30 minuta pas konsumimit. Kontaminimi dyshohet se ka nisur në fillim të […]
Dita juaj e dasmës nuk është thjesht një festë, është një vendim i marrë me dashuri dhe siguri. Për çiftet që janë të fejuar ose në procesin e planifikimit të dasmës së tyre, astrologjia mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme në zgjedhjen e një date që është vërtet “e shkruar në yje” për të ardhmen […]
Në kryeqytet, në zonën e njohur si “Qytet Studenti”, ku ndër vite strehohet numri më i madh i studentëve, po punohet çdo ditë për ngritjen e kampusit të Kolegjit Europian, një kolegj elitar i cili shtrihet në vetëm 3 qytete në botë: në Bruges të Brukselit, Natolin të Polonisë dhe që nga viti 2024, aktiviteti […]
Problemet me përmbytjet dhe kanalet e bllokuara vijojnë të mbeten një shqetësim serioz për banorët e zonës së Shkozetit në Durrës. Pas reshjeve të shiut, shumë rrugë përmbyten, ndërsa ujërat e ndotura depërtojnë në oborre e banesa, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e komunitetit. Së fundmi, 140 qytetarë kanë firmosur një peticion, përmes të cilit […]
SPAK ka dërguar për gjykim grupin prej 10 personash për trafikun e kokainës nga Amerika Latine në Shqipëri. Hetimi për trafikun e kokainës nisi pas informacioneve të marra mbi laboratorin e drogës në Frakull të Fierit, ku pranë banesës së ish-funksioniarit vendor Viktor Çervanaku, u zbuluan nga Policia një sasi e madhe droge e llojit […]
TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla deklaroi sot në Kuvend se në protestën e fundit të opozitës kishte edhe “një grup zjarri” me fytyra të mbuluara, të cilët kishin ardhur me një axhendë të qartë.
Duke replikuar në Kuvend me deputetin e Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkajn, Balla u ndal sërish te protesta e dhunshme e opozitës.
Balla theksoi se aktet e dhunës nuk erdhën nga protestuesit, anëtarë apo militantë të Partisë Demokratike që kishin dalë në protestë, por nga një “grup zjarri”.
“Ata kishin ardhur me një agjendë të qartë dhe ishin pozicionuar në mënyrë të koordinuar”, tha Balla.
Sipas tij, mediet kishin evidentuar pozicionimin e këtij grupi që përpara nisjes së protestës.
Balla tha se ata fillimisht mbanin tabela, por më pas hapën palltot dhe nxorën një arsenal mjetesh që ai i cilësoi si armë.
Sipas tij, “këto mjete duhet të konsiderohen armë dhe se përdorimi i tyre duhet të sanksionohet dhe rregullohet me ligj, duke e bërë të papranueshëm përdorimin e tyre në mjedise publike ku ndodhen shumë qytetarë”.
E si çdo të hënë, në emisionin “Rudina” kemi astrologen Meri Shehu, e cila na jep nga një vlerësim se si do të rrjedhë java jonë bazuar në shenjën e horoskopit. Kjo javë është e mbizotëruar nga “Ujori”, udhëhiqet nga “Urani”. Kemi pesë planetë në ujor, e kjo padyshim simbolizon ardhjen e gjërave të mëdha. […]
Big Brother ka anuluar televotimin për 10 banorët në nominim. Në një njoftim zyrtar, nga Vëllai i Madh, bëhet me dije se dy zarfe të zinj kanë mbërritur në shtëpinë më të ndjekur në vend. Në njoftim theksohet se Vëllai i Madh ka marrë masa, të cilat do të zbulohen në spektaklin e sotëm. Deri më […]
Nga Gazeta ‘SI’ – Për herë të parë qeveria paratë e destinuara për të rritur ekonominë vendos që një pjesë t’i përdorë me me pak vlerë, por t’i çojë për pensione. Ekonomikisht dhe politikisht ky është një menaxhim dëmi. Pensionet janë konsum buxheti ndërsa investimet janë rritje vlere.
Janë rreth 30 miliardë lekë, ose rreth 4% të buxhetit të vitit 2025, që rialokohen nga institucionet që nuk i kanë përdorur tek ato që kanë nevojë më urgjente. Në seancën e sotme parlamentare, ministri i Financave prezantoi destinacionin e këtyre fondeve: 15 miliardë lekë për pensionistët, 2 miliardë për fermerët, 1.8 miliardë për Shëndetësinë, 1.3 miliardë për Ministrinë e Mbrojtjes, ndër të tjera.
Rialokimi nuk është fenomen i ri, por rihap një debat të vjetër: moskryerjen e shpenzimeve e planifikuara të institucioneve.
Një institucioni që i dalin para tepër, do të thotë se ka mungesë planfikimi dhe menaxhimi të këtyre fondeve. Shpesh mospërdorimi i parave vjen dhe si pasojë e vonesave admnistrative dhe mungesës së produktivitetit.
Nga ana tjetër, dërgimi i fondeve drejt sektorëve që kanë “nevojë”, tregon po ashtu një mungesë parashikimi për nevojat sektoriale që në fazën fillestare të hartimit të buxhetit.
Rialokimet e shpeshta të buxhetit bien ndesh dhe me disiplinën fiskale që kërkon BE-ja dhe institucionet e tjera ndëkombëtare.
Veprimtaria e rialokimit, nuk garanton asnjë përmbushje të detyrimeve, por është thjesht një lëvizje që rregullon statistikat e qeverisë, për të ruajturën balancën fiskale. Shpesh rialokimi shihet me rezerva dhe nga ekspertët e fushës, që e cilësojnë si një proces jotransparent dhe joeficient që e kthejnë buxhetin në një “mjet politik”.
Ndryshimet e shpeshta të buxhetit, që shumë herë kanë krijuar dhe dëme financiare, janë bërë subjekt auditimi i KLSH-së, e cila kërkon rishikim tërësor të modelit të menaxhimit financiar publik, që të jetë sa më realist.
Paralelisht, qeveria po mban stok dhe një pjesë të madhe të parave dedikuar investimeve kapitale, duke rezultuar kështu me një suficit buxhetor në shifra rekord.
Të dhënat deri në muajin nëntor 2025, tregojnë se qeveria ka kryer vetëm 65.1% të planit për investime kapitale, përkthyer në rreth 85 mld lekë të munguara për ekonominë (totali i planifikuar 161 mld). Për të njëjtën periudhë, suficiti raportohet 49 mld lekë.
Për njohës të fushës, krijimi i suficitit tregon mungesë të kapaciteteve menaxhuese dhe tregues se barra fiskale është më madhe se sa fuqia absorbuese e ekonomisë për kapitale publike.
Poltikisht me lëvizjen e fundit, qeveria i ka vënë një maskë keqmenaxhimit duke krijuar iluzionin e kujdesit social, sepse të kalosh paratë e investimeve për pensione, nuk do të thotë që e ke zgjidhur problemin.
TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i bëri sot thirrje Partisë Demokratike të distancohet nga aktet e dhunës në protesta.
Gjatë fjalës në Kuvend, Balla theksoi se Policia e Shtetit meriton respekt për detyrën që ka bërë për të mbrojtur institucionet.
“Thirrja ime për deputetët e PD-së është të mbështesin punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit, të distancohet nga çdo lloj forme dhune kundër institucioneve. Protestuesit e dhunshëm kishin marrë urdhra për të goditur institucionet”, tha Balla.
Balla theksoi se kushdo që ushtroi dhunë duhet të përballet me drejtësinë.
“Nuk ka parti politike që i merr në mbrojtje. Ti dhe kushdo tjetër që i ushqen ata me para për të goditur institucionet duhet të mbani përgjegjësi”, iu drejtua Balla kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi. /j.p/
TIRANË, 27 janar/ATSH/ Në Durrës po vijon puna për lirimin e hapësirave të bankinave të kanaleve kulluese të zëna nga ndërtimet pa leje përgjatë segmentit Ura e Dajlanit – Plazh.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo ndërhyrje, ku po punohet për prishjen e lavazheve dhe të objekteve të tjera që pengojnë zgjerimin e kanalit të ujërave të larta.
Në kuadër të masave për normalizimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet, në zonën e Urës së Dajlanit po kryhen ndërhyrje për zgjerimin e kanalit të ujërave të larta, i cili shërben për grumbullimin dhe shkarkimin e ujërave që vijnë nga zona e Shkozetit dhe Plazhit me qëllim rritjen e kapaciteteve kulluese.
Paralelisht, po punohet edhe për pastrimin e kanalit nga mbetjet dhe materialet inerte, të grumbulluara si pasojë e prurjeve të mëdha të ujërave të shkaktuara nga reshjet.
TIRANË, 27 janar/ATSH-Maela Marini/ Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe kërkoi sot në Kuvend që 15 miliardë lekë të mbetura pa shpenzuar nga buxhetit 2025 të shkojnë për dëmshpërblimin e bujqve nga përmbytjet.
Gjatë diskutimit në Kuvend të Aktit Normativ për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, Braçe u shpreh se dëmet nga përmbytjet për bujqit janë të mëdha.
“Paratë që shkojnë për pensionistët bëjnë mirë që shkojnë atje. Nëse nga 30 miliardë lekë që është deficiti i parealizuar, 15 miliardë lekë do të shkojnë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë për pensionet, unë propozoj që 15 të tjera të shkojnë për të shlyer bujqit. Është një ekonomi e tërë e dëmtuar që nuk mund të vazhdojë më tutje pa para. Për 1 dynym janë 12.5 milionë lekë dëm, mendojeni vetë se sa toka dhe serra janë përmbytur”, tha Braçe.
Në këtë drejtim, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla sqaroi se qeveria qendrore dhe ajo vendore po bëjnë vlerësimin në territor të këtyre dëmeve.
“Jam plotësisht dakord me shqetësimet që ngrihen për t’iu gjetur pranë banorëve, bujqve të prekur nga përmbytjet apo ngricat. Për sa i përket aktit normativ, nuk mund të ndryshohet dot. Sot ose miratohet ose rrëzohet. Amendamente mbi aktin nuk bëjmë dot”, tha Balla. /j.p/
Ministri i Mbrojtjes në Norvegji, po shikon hartën e tij të preferuar dhe po tregon botën, nga pikëpamja e Arktikut.
Tore Sandvik vë gishtin tek gadishulli Kola i Rusisë, shtëpi e arsenalit më të madh bërthamor në botë, që gjendet brenda qarkut të Arktikut, fiks në kufi të Norvegjisë.
Udhëtimi më i shkurtër nga Kola drejt SHBA-së, kalon patjetër mbi Arktik, tregon ai.
“Një raketë balistike mund të udhëtojë me një shpejtësi prej 7 km në sekond dhe i duhen vetëm 18 minuta të arrijë në SHBA”, tha ai. “Kjo është mbrojtje e atdheut- për Londrën, për Uashingtonin, për Parisin, Berlinin, të gjithë aleancën”.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur gjatë vitit të kaluar një fokus agresiv dhe herë-herë të sikletshëm mbi Groenlandën, përmes përpjekjeve të tij të forta për të marrë nën kontroll ishullin Arktik danez.
Por duke u dakordësuar javën e kaluar mbi një “kornizë” marrëveshjeje për ishullin më të madh në botë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump ka zhvendosur fokusin brenda aleancës drejt sigurisë Arktike, një çështje që vendet nordike kanë kërkuar prej dekadash.
“NATO duhet të rrisë angazhimin e saj në Arktik,” tha Mette Frederiksen, kryeministrja e Danimarkës. “Mbrojtja dhe siguria në Arktik janë çështje që prekin të gjithë aleancën.”
Për pesë vendet nordike, të gjitha shtete arktike, kjo përfaqëson një mundësi për të rikthyer diskutimin gjeopolitik aty ku ata duan: te kërcënimi që vjen nga Rusia.
Pothuajse të gjitha shtetet Arktike, përfshirë Rusinë, kanë reduktuar praninë ushtarake pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, duke mbyllur baza. SHBA-ja ka mbyllur disa baza në Groenlandë dhe Islandë. Por Rusia ka nisur ripërtëritjen ushtarake dhe ekonomike të Arktikut shumë më herët se fuqitë perëndimore, nën udhëheqjen e Presidentit Vladimir Putin që në vitet 2000.
Rusia kontrollon rreth gjysmën e territorit dhe ujërave të Arktikut, duke pasur kështu gjurmën më të madhe ndër tetë vendet me prezencë në rajon, që përfshijnë SHBA-në, Kanadanë dhe pesë vendet nordike. Sot, Moska ka mbi 40 objekte ushtarake përgjatë bregut Arktik, përfshirë baza ushtarake, aeroporte, stacione radar dhe porte.
Arktiku ka një rol kritik në doktrinën bërthamore të Moskës. Aty ndodhet Flota e Veriut e Rusisë, e bazuar në Severomorsk në Gadishullin Kola, e cila operon gjashtë nga 12 nëndetëset bërthamore të vendit, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
“Flota e Veriut, dhe veçanërisht nëndetëset e saj, është një shtyllë e mbrojtjes strategjike të Rusisë. Për shkak të rëndësisë së saj, flota po modernizohet ende,” tha Ondrej Ditrych, analist i lartë për Rusinë pranë Institutit të Bashkimit Europian për Studime të Sigurisë.
Rusia gjithashtu mban një nivel të lartë gatishmërie në vendin e saj të testimit bërthamor në Novaya Zemlya, një arkipelag Arktik ku në tetor të kaluar testoi raketën e saj me energji bërthamore Burevestnik. Po ashtu, ajo po promovon përdorimin e Rrugës Veriore Detare, që kalon mbi veri të Rusisë dhe ofron mundësi për kohë transporti më të shkurtra mes Kinës dhe Europës, megjithëse trafiku aktual është nën pritshmëri.
Vendet nordike fqinjë me Rusinë kanë ndjekur me shqetësim rritjen e aktiviteteve ushtarake, duke bërë thirrje që NATO të angazhohet më shumë, me sukses relativisht të kufizuar, pjesërisht për shkak të kundërshtive nga vende si SHBA-ja.
“Ne e dimë që rusët po kryejnë më shumë aktivitete në veri. Situata e sigurisë është gjithashtu e tillë që kur akulli polar po shkrihet, Kina po ngrihet si një hegjemon rajonal me interesa globale. Ata e kanë vetëshpallur veten si një vend gati-Arktik,” tha Sandvik.
Një zyrtar i lartë nga një vend tjetër nordik shtoi: “Përqendrimi i burimeve ushtarake në lagjen tonë është mjaft i madh.”
Oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s, Admirali Giuseppe Cavo Dragone, i tha Financial Times në tetor se Arktiku është “me interes të madh” për aleancën ushtarake, e cila është e përkushtuar ta mbajë të hapur për navigim të lirë dhe mundësi të reja biznesi, si minierat dhe eksplorimi i naftës dhe gazit.
Disa vende anëtare të NATO-s kanë intensifikuar stërvitjet në kushte Arktike në Norvegji, Finlandë dhe Grenlandë, përfshirë SHBA-në, MB-në dhe Francën. Në mars, rreth 25,000 ushtarë nga e gjithë aleanca – përfshirë 4,000 nga SHBA-ja – do të marrin pjesë në stërvitjen “Cold Response” në veri të Norvegjisë, me qëllim të praktikimit të luftës ajrore, detare dhe tokësore në kushte të rënda dimërore.
Përveç përpjekjes për të rikthyer vëmendjen e SHBA-së tek kërcënimi nga Rusia, vendet nordike shpresojnë që vëmendja e rinovuar mbi sigurinë Arktike t’u lejojë të tregojnë vlerën e tyre për Uashingtonin.
Ka dy segmente detare thelbësore ku NATO dhe Rusia do të garojnë për kontroll në rast konflikti në Arktik: hapësira më e njohur GIUK midis Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar; dhe e ashtuquajtura Bear Gap midis arkipelagut norvegjez Svalbard dhe tokës kryesore të Norvegjisë, duke përfunduar pranë Gadishullit Kola.
Sandvik tha se Norvegjia përdor avionë të njohjes P8, satelitë, dronë me distancë të gjatë, nëndetëse dhe fregata për të monitoruar Bear Gap dhe zonat e tjera. “Kjo është mënyra si NATO mendon për mbrojtjen e kësaj zone në kohë krize të nxehtë. Por, mbi të gjitha, e bëjmë për të shmangur përshkallëzimin dhe për të frenuar Rusinë,” shtoi ai.
Një zyrtar i lartë nordik shtoi se SHBA-ja varet nga këto informacione: “Sigurisht që është një rrugë me dy drejtime. Ne kemi njohuri të mirë për situatën se çfarë po bën Rusia në anën e saj. SHBA-ja gjithashtu mund të përdorë hapësirën tonë ajrore për të monitoruar Rusinë.”
Shumica e interesit në Arktik lidhet me monitorimin e asaj që mund të vijë nga ajri ose nën ujë, dhe jo për veprime në tokë. “Është e pamundur të ‘pushtosh’ Groenlandën. Mund të zgjidhje Nuuk-un, por 95 për qind e saj është borë dhe akull, dhe nuk mund ta marrësh atë,” tha një zyrtar danez.
Trump duket se synon veçanërisht Groenlandën për sistemin e tij të propozuar të mbrojtjes nga raketat Golden Dome, që do të përdorte sensorë, satelitë dhe interceptues për të ndaluar projekte të ndryshme që mund të arrijnë SHBA-në.
SHBA-ja menaxhon objektin kryesor ushtarak në ishullin Arktik, bazën hapësinore Pituffik në verilindje të largët, e përdorur për sistemet radar për paralajmërim të hershëm.
Megjithatë, shumë vende nordike shqetësohen se ka një logjikë të pashmangshme në militarizimin e Arktikut, që deri tani ishte një nga pak rajonet me tension të ulët në botë. Ata theksojnë se rajoni është shtëpia e miliona njerëzve, shumë prej të cilëve janë popullsi indigjene, si në Grenlandë.
“Unë shqetësohem që siguria po dominohet në agjendën Arktike, dhe harrojmë se ka çështje të tjera po aq të rëndësishme si ndryshimi i klimës, infrastruktura, të drejtat e popullsisë indigjene,” tha një tjetër zyrtar i lartë nordik. “Nuk ka shumë përfitime nga militarizimi i Arktikut sepse është një zonë shumë e vështirë për aktivitet.”
Aktualisht, po pranohet gjithashtu se lufta e Rusisë në Ukrainë ka ngadalësuar përforcimin e saj ushtarak në Arktik. “Prania aktuale e forcave në bazat ushtarake Arktike ka rënë pasi disa brigada arktike u dërguan në Ukrainë dhe pësuan humbje të rënda,” tha Ditrych.
Por ekziston gjithashtu njohja se Rusia dhe Kina janë të gatshme të luajnë një lojë afatgjatë në një rajon ku shkrirja e akullit mund të ndryshojë kalkulimet ushtarake dhe ekonomike për dekada. “Është një garë në konkurrencë strategjike në Arktik,” tha Sandvik.
Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend aktin e ri normativ për buxhetin 2025, që e lejon të kalojë në fondin e ndihmës ekonomike, çdo para të pashpenzuar nga institucionet, rreth 150 mln euro në total.
Ministri Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar.
“Me këtë akt normativ siguruam mbështetjen e shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve. Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë. Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arrin në vlerën 25.6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro. Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht dhe në vizionin minimalist do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro.
Gjatë fjalës së tij, ministri tha se pritet që rritja ekonomike e 2025-s të jetë 3.9%.
TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, i cili po vijon vizitën në Jerusalem, iu adresua sot Konferencës Ndërkombëtare për Luftën Kundër Antisemitizmit, e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.
Konferencën e përshëndetën edhe presidenti i Izraelit Isaac Herzog, si dhe ministri i Çështjeve të Diasporës, Amichai Çikli.
Më herët, kryeministri Rama theksoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë në luftën kundër antisemitizmit, duke theksuar se ky qëndrim buron nga vlerat më të thella humane dhe historike të popullit shqiptar.
Gjatë periudhës më të errët të historisë evropiane, Shqipëria u shndërrua në një strehë të sigurt për hebrenjtë e përndjekur, duke i mbrojtur ata pa dallim, në frymën e besës dhe solidaritetit njerëzor.
Kryeministri ishte po ashtu i pranishëm në themelimin e Dhomës së Tregtisë Shqiptaro-Izraelite në Jerusalem.