TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Muajt e dimrit shoqërohen jo vetëm me temperatura të ulëta, por edhe me një rritje të ndjeshme të stresit dhe ankthit tek një pjesë e qytetarëve. Mungesa e dritës natyrale, izolimi social, ritmi i ngadaltë i jetës ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor.
Në një intervistë për ATSh-në, Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) shpjegon se gjatë dimrit vërehet një shtim i konsultave për ankth, çrregullime të gjumit dhe lodhje emocionale.
“Në kulturat perëndimore ky fenomen njihet si “winter blues” ose “depresioni dimëror”, ku individët përjetojnë humor të ulët, lodhje mendore, apati, shpërqendrim, probleme me gjumin dhe oreksin, etj. Arsyet e kësaj gjendje lidhen me klimën e ftohtë dhe ditët e shkurtra apo dhe mungesa e diellit në shumicën e ditëve gjatë sezonit të dimrit. Ekziston një lidhje, edhe pse jo e drejtpërdrejtë (shkak-pasojё) midis gjendjes së humorit dhe klimës, pra, mungesa e diellit dhe ndikimi që ka në gjendjen tonë të përgjithshme. Gjatë dimrit, trupi është i ekspozuar ndaj virozave dhe mungesës së rrezeve të diellit (vitamina D), kjo çon edhe në rënie të sistemit imunitar. Gjithashtu, kontaktet sociale bëhen me të rralla në këtë periudhë se në verë, si dhe aktiviteti fizik është i kufizuar, çka mund të çojë në një gjendje apatie, lodhjeje dhe humor të ulët”, thotë Meksi.
Meksi shton se ka disa faktorë psikologjikë, socialë dhe ekonomikë që i bëjnë disa individë më të cenueshëm ndaj këtij efekti dimëror, siç mund të jenë problemet ekzistuese të shëndetit mendor, kryesisht probleme me humorin (depresion, çrregullimi bipolar) dhe ankthit (ankth i përgjithësuar, sulme të panikut, çrregullimi obsesiv kompulsiv (OCD), etj.), por edhe individët me probleme të abuzimit me substancat si alkooli, drogat dhe individët me probleme të përshtatjes.
“Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (APA), gjatë stinës së dimrit individët përjetojnë simptomat si ndjenjë trishtimi, humbje interesi ose kënaqësie në aktivitetet që zakonisht pëlqehen, ndryshime në oreks, ndryshim në gjumë, humbje energjie ose ndjenjë më e lodhur pavarësisht një sasie të mirë gjumi, ngadalësim i të menduarit, përqendrimit ose vendimmarrjes, rritje e aktiviteteve si ecja, shtrëngimi i duarve ose pamundësia për t’u ulur, ose ngadalësim i lëvizjeve ose të folurit, ndjenjë e pashpresë, pa vlerë ose faji, si edhe mendime për vdekje ose vetëvrasje”, pohon Meksi, duke nënvizuar se shëndeti mendor nuk është një gjendje statike, por dinamike.
“Për ata të cilët janë duke hasur vështirësi në përmbushjen e detyrave të përditshme, që kanë probleme me gjumin, humorin dhe shqetësimet trupore apo psikoemocionale, të drejtohen pranë mjekut të familjes në qendrat socio-shëndetësore në zonat e tyre të banimit. Tashmë, pranë qendrave shëndetësore primare janë atashuar stafet psiko-sociale të cilat ofrojnë vlerësime dhe referim për trajtim të specializuar të shëndetit mendor. Këta profesionistë janë të pajisur me njohuri dhe mjetet për të bërë ndërhyrje dhe për të vlerësuar ndihmën që iu duhet”, thekson ajo.
Dimri, sipas Meksit, i kufizon individët në kryerjen e aktiviteteve në ambiente të hapura dhe në natyrë, por kurrsesi nuk ndikon në marrëdhëniet dhe jetën sociale të individëve.
“Të ndenjurit vetëm nuk është domosdoshmërisht shenjë e vetmisë apo tërheqjes sociale. Ka individë të cilët nuk ndihen të vetmuar pasi e kanë kohën të zënë duke bërë gjërat që iu pëlqejnë dhe që i bëjnë të ndihen mirë me veten. Por, dimri kufizon kryerjen e aktiviteteve në ambiente të hapura dhe në natyrë, por kurrsesi nuk ndikon në marrëdhëniet dhe jetën sociale të individëve. Izolimi apo tërheqja sociale ndaj aktiviteteve dhe kontakteve/ marrëdhënieve që më parë i kryenim me dëshirë, ndodh si pasojë e ndjenjës së pasigurisë, ankthit dhe problematikave të tjera që lidhen me shëndetin tonë mendor”, shton ajo.
Meksi ndan njëherësh edhe disa këshilla praktike për qytetarët dhe mënyrën se si duhet të veprohet për ta përballuar emocionalisht dimrin.
Ajo thekson se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në mendime, gjendjen emocionale dhe sjelljen e tyre.
“Duhet të komunikoni me miq dhe familjarë për vështirësitë që po kaloni dhe me punëdhënësin nëse kjo po ndikon në performancën tuaj në punë dhe të kërkoni zgjidhje për problemet që po hasni. Kujdesi ndaj vetes është i rëndësishëm, ndaj drejtojuni një specialisti të shëndetit mendor në rast nevoje. Takimet konsultuese me një profesionist ndihmojnë që të parandalojmë përkeqësimin e gjendjes dhe të adresojmë në mënyrën e duhur problemet e shëndetit tonë mendor”, thotë Meksi.
Sipas saj, e rëndësishme është që të ruhet edhe rutina e përditshme, aktiviteti fizik dhe orët e plota të gjumit.
“Angazhimi në punë, kujdesi për higjienën e shtëpisë dhe vetes, gatimi i vakteve të shëndetshme në vend që t’i blini të gatshme, shpenzimi i kohës me veten në mënyrë cilësore dhe reduktimi i ndërveprimit në rrjetet sociale dhe botën virtuale janë disa prej angazhimeve që ndihmojnë në reduktimin e gjendjes së rënduar emocionale”, thekson ajo.
“Gjithashtu, aktiviteti fizik i lehtë dhe i moderuar (të paktën 20 minuta ecje çdo ditë ose 60-90 minuta fizkulturë 3 herë në javë); 6-7 orë gjumë me orare fikse (fjetje-zgjim); pushimi, reduktimi dhe shmangia e produkteve të duhanit, alkoolit dhe drogave; mbajtja e një ditari ku të shënoni mendimet që keni; meditimi dhe kontakti me familjarët dhe miq, janë të tjerë faktorë pozitivë që ndikojnë në përmirësimin e gjendjes. Nëse gjendja juaj nuk përmirësohet, duhet ndërhyrja tek specialisti i shëndetit mendor”, përfundoi Meksi.
Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor pranë ISHP, foto: Andrin Hoxha
/e.i/j.p/r.e/
The post Meksi për ATSh: Dimri rrit stresin dhe ankthin, kujdes me sinjalet që jep trupi dhe mendja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.