TIRANË, 21 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot ngjarjen e “21 Janarit” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.
Gjatë fjalimit të tij, ku ishin të pranishëm edhe familjarët e katër viktimave: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt, Kryeministri Edi Rama bëri thirrje për drejtësi. Sipas Ramës prej 15 vitesh ende drejtësia për 21 Janarin nuk është vendosur në vend, pavarësisht reformës së bërë në drejtësi.
Kryeministri u shpreh se prokurorët e SPAK ende nuk e kanë çuar në Gjykatës Speciale çështjen e “21 Janarit”, megjithëse ka një vendim më shumë se dy vite më parë nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
“Nuk ka mjaftuar as vendimi rrënqethës i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg më shumë sesa 2 vjet më parë që prokurorët specialë të kësaj Republike t’i kishin kërkuar deri tani Gjykatës Speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërore të “21 Janarit”, ndërkohë që në emër të drejtësisë dhe vetëm të drejtësisë së barabartë për të gjithë dhe të barazisë së secilit përpara ligjit prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë atyre veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetes dhe vetë Presidentit të Republikës, pa llogaritur justifikimin me durim dhe me heshtje nga ana jonë të gabimeve të tyre nganjëherë tejet shqetësuese, si gabime të rritjes të një institucioni të ri dhe jetik për shtetin e së drejtës”, tha Rama.
“Halli është se sa herë vjen kjo ditë tragjike për ju, familjarët e katër dëshmorëve të 21 Janarit dhe për ne miqtë dhe dashamirët tuaj, vijnë mbi kurrizin tonë dhe gurët e mllefit dhe të mërzisë së shumë kujt në këtë vend, që me plot të drejtë ndjehet i tradhtuar në pritjen e vet të pafundme për drejtësi, ndjehet i përdorur në besimin e vet tek drejtësia e re dhe ndjehet i përbuzur që drejtësia për 21 Janarin të vihet në vend. Unë i mirëkuptoj plotësisht dhe nuk e pretendoj mirëkuptimin reciprok prej atyre se ç’nuk komentojnë dhe akuzojnë me gishtin e ngritur në drejtim tonë dhe drejtimin tim posaçërisht, kur vjen fjala për pandëshkueshmërinë që mban peng 21 Janarin. Por u them se ndihem po njësoj i zbrazët në shpirt dhe i dobët në pozitë, kur shoh sesi kaloi dhe një vit tjetër dhe 21 Janari rierdhi përsëri me hijen përqeshëse të padrejtësisë së madhe mbi shpinën e vet”, tha Rama.
Kreu i qeverisë shtoi se “sot burgjet e Shqipërisë mbajnë me taksat e shqiptarëve më shumë të paraburgosur, pra njerëz të dënuar me vendim gjykate, pa gjyq, sesa njerëz të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë dhe një pjesë e madhe e të paraburgosurve janë viktima të karshillëkut të hatashëm të lirive dhe të drejtave të njeriut nga ana e prokurorëve të çdo niveli dhe gjykatësve që shpesh i venë nga mbrapa prokurorit si delja dashit”.
Sipas tij, kjo është “një panoramë e trashtë e një drejtësie të dhunuar, ku 21 Janari është ana tjetër e medaljes, ajo e drejtësisë së vonuar me përgjegjësit kryesorë të tragjedisë që mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë gjatë muajve të fundit, pas thuajse 15 vitesh”.
Rama theksoi se “e kam thënë që në krye të herës se 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn tek ajo kategori krimesh për të cilët historia na mëson, që drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë. Është interesante historia e krimeve shtetërore, sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i pandëshkuar”.
Kreu i qeverisë theksoi se edhe SPAK, si një institucion i krijuar krejtësisht i pavarur, fatkeqësisht nuk ka ngritur ende akuza për 21 Janarin.
“Nga ana tjetër është shumë evidente nga kanalet e asaj historie se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror. Por, ama, edhe me orvatjen për të gjetur ngushëllim tek historia e botës demokratike ndaj krimeve shtetërore, nuk e kam menduar, të them të vërtetën, se Reforma në Drejtësi për të cilën 21 Janari si nevojë prioritare e jona për drejtësi, ka qenë një prej burimeve të energjisë dhe vendosmërisë sonë për ta çuar para atë reformë dhe pastaj strukturat e reja speciale, krejtësisht të pavarura, që u krijuan në kuadrin e reformës në drejtësi, nuk do të ngrinin, e paimagjinueshme për mua, asnjë akuzë të vërtetë për 21 Janarin as pas 15 vitesh nga vrasjet mizore në bulevardin kryesor të Shqipërisë. Fatkeqësisht, për vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston, pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen mes çështjeve të lidhura me abuzimin e pushtetit politik në Shqipëri, për të cilat SPAK merret drejtpërdrejt, ndërkohë që kur i është dashur ka hetuar dhe ka ngritur akuza pa humbur asnjë vit, për çështje të hapura dhe me një letër anonime, apo ka konsumuar kohë dhe energji me vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti me çështje të cilat janë aq të sforcuara, sa mund të shkruhen romane satirike, jo vendime gjyqësore të formës së prerë fajësie”, tha Rama.
Rama theksoi se se ishte Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, “që e çoi kryeçështjen e 21 Janarit në Strasburg dhe e riktheu gurin mbi varrin ku drejtësia e kishte kyçur 21 Janarin, pas një farse të shëmtuar kriminale si gjyqi që medemek u bë lidhur me vrasjet.
Vetëm ashtu dhe falë këmbënguljes së familjeve të viktimave përmes Markut, dosja e krimit më të egër të historisë së demokracisë shqiptare u rivendos me detyrim-përcaktim në tryezën e SPAK, ku Marku dorëzoi dhe një material autentik zërash të regjistruar në vendngjarje nga kanalet e komunikimit të forcave të sigurisë, të cilin prej vitesh e mbante fshehur nga mosbesimi total ndaj institucioneve të drejtësisë, dhe nga droja se ai material “humbte” siç janë humbur plot gjurmë. Ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve”.
Rama shtoi se “Gjykata e Strasburgut i konsideroi si shkelje të Konventës Evropiane qoftë përdorimin e pajustifikuar të forcës vdekjeprurëse, qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e Kryeministrit me forcë vdekjeprurëse, duke kërkuar nga autoritetet të zbardhin ngjarjen. Në rrjedhën e vendimit të Strasburgut, Gjykata e Lartë ka formuluar një nga dokumentet më të plotë dhe më të pakontestueshëm profesionalisht dhe moralisht dhe ka vënë faktikisht në lëvizje hetimet, që kanë rinisur. Ndërkohë që shpresa vdes e fundit, ndërsa nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë dhe kur vdes shpresa”.
Rama shtoi se “nuk e di sa vite do të kërkojë fundi i padrejtësisë mbi këdo që do drejtësia për katër të vrarët për 21 Janarin”, por theksoi se “ulërima e kësaj padrejtësia nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi të madhe do të triumfojë me patjetër”.
/a.f/r.e/
The post Rama: E paimagjinueshme që SPAK ende nuk ka ngritur akuza për 21 Janarin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.