Trafik i rënduar në rrugën e Dajtit
TIRANË, 11 janar/ATSH/ Reshjet e borës të orëve të fundit kanë qenë një arsye më shumë që qytetarët t’i drejtohen Parkut Kombëtar të Dajtit për një aventurë mes natyrës dhe borës.
Por, e gjithë situatë ka sjellë trafik të rënduar dhe vështirësi në qarkullimin e automjeteve në aksin që lidh Tiranën me Dajtin.
Fluksi i lartë i qytetarëve që kanë zgjedhur Dajtin për të shijuar dëborën, ka krijuar radhë të gjata automjetesh dhe lëvizje të ngadaltë në këtë zonë.
Më herët, drejtuesja e komanduar e bashkisë Tiranë, Anuela Ristani u shpreh se aksi rrugor Qafë Priskë – Shëngjergj, i cili ishte i mbuluar nga bora, është pastruar dhe është trajtuar me kripë për të mundësuar qarkullimin e automjeteve.
Megjithatë, për shkak të temperaturave të ulëta dhe mundësisë së ngricave, u është bërë thirrje drejtuesve të mjeteve të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore, të ulin shpejtësinë gjatë lëvizjes dhe të sigurohen që automjetet të jenë të pajisura me zinxhirë dëbore për gomat, me qëllim shmangien e aksidenteve.
/e.i/j.p/
The post Trafik i rënduar në rrugën e Dajtit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.