Rama për vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë
TIRANË, 27 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare pune në Jeruzalem, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, një ngjarje ndërkombëtare për adresimin e sfidave globale në luftën kundër antisemitizmit.
Rama ka ndarë në rrjetet sociale foto nga takimet e zhvilluara duke shkruar se: “Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë”.
Kryeministri, i cili në këtë vizitë shoqërohej edhe nga bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe një delegacion zyrtar, u prit nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të cilët mbajtën edhe një konferencë të përbashkët për mediet.
Në konferencën e përbashkët për mediet, Rama deklaroi sot Shqipëria vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet, përfshi planin e paqes për Gazën të presidentit Trump dhe do të luajë rolin e saj brenda forcës ndërkombëtare për stabilizimin e Gazës.
Kryeministri Rama iu adresua Knessetit, Parlamentit të Izraelit në sesionin special si i ftuar nderi, me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në nisje të seancës së posaçme përshëndetën Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu, Kryetari i Knessetit Amir Ohana dhe Lideri i Opozitës Yair Lapid.
Rama nënvizoi se Shqipëria duhet të përdoret si busull orientimi dhe shembull bashkëjetese fetare dhe bëri me dije se në Vlorës, do të hapet një muze për të kujtuar veprat që populli shqiptar ka bërë për të shpëtuar hebrenjtë nga torturat e nazistëve.
Gjithashtu, kryeministri Rama u drejtoi një mesazh të gjithë qytetarëve të Shtetit të Izraelit si edhe banorëve palestinezë që “t’i japin vënies së paqes një shans, t’i japin një shans dhënies fund të akteve të armiqësisë, t’i japin një jete tjetër një shans, një jete të re”.
“I bekuar qoftë kujtimi i atyre që u flijuan! Le të mbetet si busull, guximi i atyre që refuzuan të binden. Le të lulëzojë Shteti i Izraelit dhe të jetë i sigurt përjetësisht. Le të jenë palestinezët të lirë dhe të jetojnë me dinjitet në shtetin e tyre. Dhe le të mbeten dy kombet tona të vogla, por të mëdha në shpirt, të lidhura përjetë, jo vetëm nga historia, por edhe nga përkushtimi i përbashkët për ta mbajtur njerëzimin njerëzor”, përfundoi Rama fjalën në Parlamentin izraelit.
Në ditën e fundit të vizitës zyrtare në Jeruzalem, kryeministri Rama do të mbajë një fjalë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.
The post Rama për vizitën në Izrael: Shqipëria u vendos në piedestalin e respektit më të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.