TIRANË, 7 janar /ATSH/ Kryetari i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia u shpreh sot se raporti i fundit i KLSH-së ka konstatuar shkelje të rënda në sistemin shëndetësor në vend.
Në një deklaratë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Spahia tha se “raportet e KLSH-së, auditimet e brendshme dhe raportet ndërkombëtare prej vitesh faktojnë se sistemi shëndetësor është ndër sektorët ku vidhet më shumë nga kjo mazhorancë e korruptuar”.
“Raporti i fundit mbi Fondin e Sigurimeve Shëndetësore nxjerr në pah shkelje flagrante financiare, manipulime kontrolli dhe mungesë të listës së barnave, rimbursime të pajustifikuara, mungesë barnash jetike për pacientët dhe moszbatim kontratash që kanë prodhuar miliona lekë dëm ekonomik”, tha Spahia.
Sipas Spahisë, bëhet fjalë për diferenca të pajustifikuara financiare, për barna të skaduara që kanë qarkulluar, për farmaci pa barna alternative apo cilësore për tejkalim buxheti, për miliona lekë penalitet që duhet të ishin aplikuar po nuk janë aplikuar kurrë.
“Të gjitha këto janë të dokumentuara nuk janë thashetheme, akuza politike, por janë fakte zyrtare. Raporti ngre alarmin se në depot farmaceutike të spitaleve si QSUT, Elbasan, Durrës, Shkodër e Korçë nga auditimi për një numër barnash mungon dokumentimi i datës së skadencës. Vetëm në QSUT për 26 barna vetëm për 14 prej tyre janë alternativë e vetme dhe 12 prej tyre alternativë e parë. Situatë e ngjashme edhe në spitalet rajonale, ku mbi 31 barna të marra së bashku si alternativë e vetme nuk ka pasur disponibilitet”, vijoi Spahia.
Spahia nënvizoi se “ky është korrupsion, klientelizëm dhe kapje e shtetit. Kjo është arsyeja pse shqiptarët sot përballen me spitale të rrënuara, mungesë mjekësh dhe barna të skaduara dhe me shpenzime të papërballueshme për kurimin e tyre”.
“Shqiptarët paguajnë mbi 60% para nga xhepi për kurimin e tyre. Realiteti nuk mund të sfumohet me propagandë. Kjo qeveri prej 13 vitesh nuk ka pasur qëllim reformimin e sistemit shëndetësor, por vetëm vjedhje. Ne kërkojmë, nisjen e menjëhershme nga SPAK të hetimeve si dhe nga prokuroria për të gjitha shkeljet, falsifikimet dhe dëmet e konstatuara në këtë raport. Këto janë vepra penale! Ne kërkojmë shkarkimin dhe ndjekjen penale të FSDKSH dhe atyre që kanë mbyllur sytë përpara skadencave dhe inventarëve”, tha Spahia.
Një auditim i fundit i Kontrolli i Lartë i Shtetit hedh dritë mbi gjendjen reale të shërbimit psiko-social në arsimin parauniversitar, duke evidentuar një kontrast të fortë mes rritjes së stafit dhe pabarazive të thella territoriale e strukturore në aksesin e nxënësve ndaj këtij shërbimi thelbësor. Sipas gjetjeve të auditimit, në vitin shkollor 2023–2024 numri […]
KLSH ka zbarkuar këtë të hënë, në Pyllin e Sodës, ku prej javësh janë ngritur shqetësime serioze lidhur me prerjen e pemëve dhe ndërhyrje të dyshimta në territor. Sipas raportimeve, situata është denoncuar nga qytetarët të cilët janë shprehur se po priten pemë pa kriter dhe po bëhen ndërhyrje të dyshimta në këtë zonë. Sipas […]
Nevojat për kanalizime në kryeqytet, janë në rritje të vazhdueshme teksa investimet reale në rrjet mbeten larg asaj që kërkohet.
Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), nënvizon se nga 7 miliardë lekë apo rreth 70 milionë euro investime kapitale të kryera në një dekadë nga Ujësjellës Kanalizime Tiranë, afërsisht 1/7 e kësaj shumë kanë shkuar për kanalizime.
“Fondet e destinuara për përmirësimin e rrjetit të kanalizimeve të qytetit të Tiranës kulmojnë si masë relative (në%) në vitin 2015, ku pesha specifike e këtyre fondeve zinte 58% të investimeve vjetore gjithsej dhe me trend rënës, derisa në vitin 2022 shënohet përqindja më e ulët e investimeve të realizuara për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve, me vetëm 2,1% të totalit të fondeve gjithsej të shpenzuara për investimet e UKT. Për gjithë periudhën 2015-2024 investimet gjithsej të UKT sh.a. janë 7,038 milionë lekë dhe ato për sistemin e kanalizimeve vetëm sa 13.2% e tyre, ose 927 milionë lekë”, thuhet në auditim.
KLSH konstaton se nga viti në vit nuk ka pasur një harmonizim të vlerave që investohen, duke u luhatur në disa raste nga 2 për qind deri në 58 për qind, por për një pjesë të mirë të viteve ato ishin në vlera modeste.
“Për rrjedhojë, këto investime të rrjetit të kanalizimit që për periudhën 2015-2024 arrijnë në 926,6 milionë lekë, vlerësohet që kanë dhënë një ndikim të lehtë e të pa ndjeshëm në zvogëlimin e humbjeve të ujit dhe zgjerimin e mbulueshmërisë me shërbime të ujit dhe zvogëlimin e shkarkimit të ujërave të ndotur në lumenjtë e kryeqytetit.
Pamjaftueshmëria dhe mungesa e burimeve të nevojshme financiare për infrastrukturën e kanalizimeve. Nivelet e investimeve në sektorin e furnizimit me ujë, kanalizimeve dhe përpunimit të ujërave të ndotura në qytetin e Tiranë janë dukshëm më të ulëta se sa nevojat, kjo sidomos në kushtet që infrastruktura e kanalizimeve është e vjetër, e dëmtuar dhe herë-herë joefikase”, nënvizon auditimi.
Raporti ndalet në faktin që ndryshimet demografike të lidhura me migrimin e popullsisë drejtë kryeqytetit, pas ndryshimit të regjimit në vitin 1991 dhe rritja e ndjeshme pasuese e kërkesës për shërbimet e largimit të ujërave të zeza, kanë ndikuar në situatën e infrastrukturës së kanalizimeve, e cila në shumicën e rasteve funksionon me kapacitetin maksimal.
“Edhe pse vitet e fundit investimet kanë ardhur në rritje, ato nuk janë më të orientuara dhe të baras-peshuara në furnizimin me ujë dhe infrastrukturën e kanalizimeve, dhe se ato asnjëherë nuk kanë qenë të mjaftueshme për të plotësuar nevojat për investime kapitale”, thuhet në raport./ MONITOR
Tirana është kryeqytet ku jetojnë 800 mijë banorë dhe nuk ka asnjë impiant të trajtimit të ujërave të ndotura. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ndalet tek lumi i Lanës konstaton se ujërat e ndotura vijojnë të derdhen në këtë lumë dhe tek ai i Tiranës. KLSH argumenton se procesi i trajtimit […]
Sondazhet dëshmojnë se ekziston një mendim i gjerë për rolin aktiv që kanë në procese zgjedhore grupet informale dhe kriminale. Zgjedhjet nuk shihen më vetëm si garë për vota dhe emra kandidatësh, por edhe garë influencash të jashtme, sponsorizimesh, financimesh dhe ndikimesh informale. Raporti i fundit i OSBE/ODIHR ishte i qartë në kritikat, adresimet dhe […]
Çështja e pronës ka qenë një nga temat më të përfolura në tre dekadat e fundit në Shqipëri dhe mbetet ende një problem i pazgjidhur, qoftë ky regjistrimi, apo grabitja e një prone deri në konflikte të mëtejshme për të njëjtin subjekt. Pjesë e këtij trendi është edhe Ibrahim Metaliaj, një 88-vjeçar nga Dragobia e […]
Vila qeveritare “Nr. 5”, njohur edhe si “Villa Number Red” (shkurt “No. Red”), u rindërtua përmes një serie procedurash të mbyllura, kontratash konfidenciale dhe vendimmarrjesh të paqarta për publikun.
Me rreth 6 milionë euro fonde publike të shpenzuara për projektim, zbatim dhe mbikëqyrje, rindërtimi i saj u zhvillua pa një garë të hapur dhe pa transparencë mbi autorësinë reale arkitekturore dhe artistike.
Të dhënat e analizuara nga Citizens.al tregojnë se të gjitha kontratat u dhanë përmes negocimit pa shpallje paraprake, ndërsa ofertat fituese ishin thuajse në kufirin maksimal të fondeve limit.
Ky kombinim – procedura të mbyllura, afate të nxituara dhe mungesë dokumentimi – ngre dyshime serioze për favorizime dhe abuzime me paratë publike.
Sinjalizimi i Citizens.al për këto çështje ka bërë që Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) të shprehet pozitivisht për përfshirjen e saj në planin auditues të vitit 2026.
Projektuesi: “Atelier 4”, kontratë me 98.5% e fondit limit
Rezidencat shtetërore menaxhohen nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ).
Për projektimin e rindërtimit të vilës “No. Red”, DSHQ zgjodhi dhe lidhi kontratë me studion “Atelier 4”, përmes negocimit pa shpallje paraprake.
Kontrata u nënshkrua më 17 nëntor 2022, me një vlerë 3.9 milionë lekë – 98.5% e fondit limit prej 3,952,500 lekësh.
Studio, (e drejtuar kryesisht nga Alban Efthimi), kishte vetëm 45 ditë kohë për dorëzimin e projektit.
Zbatuesi: “Ad-Star”, kontratë sa 99% e fondit limit
Katër muaj pas nënshkrimit të kontratës për projektimin, më 15 mars 2023, DSHQ zhvilloi procedurën e zbatimit të punimeve, duke vepruar sërish me negocim të mbyllur.
Çfarë është negocimi pa shpallje paraprake? Procedura me nivelin më të ulët të transparencës. (Kliko mbi tekst)
Kjo procedurë lejon lidhjen e kontratave pa garë dhe pa thirrje paraprake. Kompanitë ftohen direkt nga kontraktori. Ajo lejohet në raste të veçanta, përfshirë urgjencat e paparashikueshme dhe të pashkaktuar nga autoriteti kontraktor. Ligji kërkon që përdorimi i kësaj procedure të shoqërohet me një arsyetim të dokumentuar, që duhet të jetë i verifikueshëm.
Kompania “Ad-Star”, (sipërmarrje e Alfred Çomës), u shpall fituese më 3 prill dhe u kontraktua 15 ditë më vonë. Ajo ofroi 494.7 milionë lekë, që përbënte 99% të fondit limit prej 499,696,978 lekësh.
Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Afati i punimeve u caktua vetëm 6 muaj. Por vila u hap dy vite më pas në qershor 2025. Një pritje me ftesa private u organizua nga Kryeministri në kuadër të festivalit të arkitekturës “Bread & Heart”.
DSHQ nuk dha informacion se kur përfunduan punimet apo se kur e mori ndërtesën në dorëzim.
Mbikëqyrja e punimeve: “Dricons”, kontratë me 95% të fondit
Në të njëjtën datë me tenderin e ndërtimit, pra 15 mars 2023, u zhvillua edhe tenderi për mbikëqyrjen e punimeve. Sërish DSHQ veproi me procedurë të mbyllur.
Fituesi, kompania “Dricons” (sipërmarrje e Vladimir Topit), u kontraktua më 18 prill 2023. Dricons ofroi 5.6 milionë lekë, sa 95% e fondit maksimal prej 5,901,353.33 lekësh.
Rreth dy muaj më vonë, në qershor 2023, Topi u arrestua nga SPAK. Ai u akuzua se kishte korruptuar Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë.
Dyshohej se kishte përfituar favorizim në tenderët për mbikëqyrjen e punimeve në disa qendra shëndetësore në Tiranë dhe Durrës.
Deri në gusht 2023, “Dricons” ndryshoi pronar dy herë me vlera simbolike prej 100 mijë lekë (1,000 euro). Në vitin 2024 kompania kaloi në emër të bashkëshortes së Topit, sërish për të njëjtën shumë.
Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Atë vit Topi u dënua me një vit burg. Rasti i tij thellon dyshimet mbi mungesën e kontrollit në kontratat publike. Veçanërisht për objekte të rëndësisë së veçantë si rezidenca qeveritare në fjalë: “Vila Number Red”.
Në prokurimet e mbyllura, pa njoftime paraprake institucionet zgjedhin vetë kompanitë që do të ftojnë në tenderë. Kjo praktikë është kritikuar shpesh nga KLSH. Ajo konsiderohet e cenueshme ndaj abuzimeve dhe favorizimeve.
Sipas ligjit 162/2020 “Për Prokurimet Publike”, tenderët e mbyllur aplikohen vetëm kur tenderët e hapur kanë dështuar. Ato lejohen kur ka emergjencë, rrezik sigurie, mungesë konkurrence ose arsye të veçanta teknike.
Sidoqoftë, kërkohen argumentime të dokumentuara për arsyet pse shmanget tenderimi i hapur.
Në rastin e vilës “No. Red”, rindërtimi i saj nuk përbënte ndonjë emergjencë. Pavarësisht kërkesave të përsëritura të Citizens.al, institucionet nuk zbuluan dokumentim që e justifikoi shmangien e tenderit të hapur, përkundrazi. DSHQ, tha se ka proceduar sipas ligjit 36/2020 “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”. Pra, jo sipas ligjit të zakonshëm.
Citizens.al pati komunikim të zgjatur me DSHQ. U kërkua arsyetimi i procedurës së mbyllur dhe kopje e kontratave me palët e përfshira. Por DSHQ këmbënguli, edhe pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit, se ato ishin “konfidenciale”.
Gjatë hapjes së Vilës Nr. 5, njohur si No. Red/Instagram.
DSHQ argumentoi se vila “No. Red”, përmban elementë që lidhen me informacione sekrete. Kjo duke qenë se shërben për qëllime shtetërore. Për këtë, ajo tha se procedurat dhe kontratat nuk mund as të deklasifikohen pasi cenohet siguria.
Por, faktet tregojnë se vila u përdor për aktivitete civile pa asnjë lidhje me sigurinë kombëtare. Aty u pritën arkitektët e festivalit “Bread & Heart” dhe u shpallën thirrjet e Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH) për projektin Parku i Besimit.
Për ligjin 36/2020 ka pasur kritika se mund të keqpërdorej për prokurime jo-detyrimisht ushtarake, në varësi të interpretimeve. Ky ishte dhe argumenti që përdori ish-Presidenti Ilir Meta kur e ktheu për rishqyrtim në maj 2020.
Citizens.al vendosi në dijeni KLSH-në për këtë situatë, institucioni u përgjigj se planifikon të kontrollojë procedurat e ndjekura nga DSHQ gjatë vitit 2026. Kjo drejtori rezulton të mos jetë kontrolluar më parë për prokurime të tilla.
Një dhuratë, shumë pikëpyetje…
Pavarësisht se DSHQ kontraktoi zyrtarisht studion “Atelier 4” për projektimin e rindërtimit të Vilës Nr. 5, projekti i është atribuuar gjerësisht online studios ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura (link; link; link).
Në një komunikim zyrtar me Citizens.al, Bofill konfirmoi se ka zhvilluar një koncept-projekt për Vilën 5, të cilin ia ka ofruar pa pagesë Qeverisë Shqiptare, si një iniciativë e vetë studios dhe pa asnjë marrëdhënie kontraktuale apo shpenzim publik.
Studio shpjegoi se ka qenë e pranishme në Shqipëri prej vitit 2021 dhe se u interesua për vilën si një rezidencë qeveritare e papërdorur dhe e lënë e papërfunduar.
Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Sipas saj, koncepti u zhvillua si një propozim krijues dhe iu dorëzua shtetit për përdorim të lirë, në rast se ndërtesa do të rindërtohej në të ardhmen.
Bofill theksoi gjithashtu se ngjyra e kuqe është një element karakteristik i filozofisë së saj arkitekturore, e lidhur me traditën mesdhetare, dhe se përdorimi i saj në këtë vilë ishte “i vetëkuptueshëm” në raport me kontekstin dhe peizazhin.
Megjithatë, studio nuk sqaroi mënyrën konkrete të dorëzimit të konceptit pranë institucioneve shqiptare, nëse ishte në dijeni të faktit që qeveria kontraktoi më pas Atelier 4 për projektimin e të njëjtës godinë, apo nëse ka pasur ndonjë formë komunikimi apo koordinimi mes palëve.
Pyetjet e mëtejshme nga Citizens.al mbi këto çështje mbetën pa përgjigje.
Heshtja e “Atelier 4” dhe paqartësitë mbi rolet zyrtare
Citizens.al iu drejtua në mënyrë të përsëritur studios Atelier 4, si përmes email-eve zyrtare ashtu edhe përmes kontaktit direkt me një prej aksionerëve, Andi Eftimi.
Kërkuam koment për të sqaruar: rolin konkret të Atelier 4 në projekt, nëse autorësia arkitektonike apo konceptuale ishte e saj apo e nënkontraktuar, nëse koncepti i Bofill ishte përdorur, adaptuar apo referuar, dhe nëse DSHQ ishte njoftuar për ndonjë bashkëpunim të mundshëm.
Asnjë nga këto kërkesa të Citizens.al nuk mori përgjigje.
Kjo mungesë transparence lë të hapur pikëpyetje thelbësore mbi përmbajtjen reale të kontratës 3.9 milionë lekëshe për projektimin, mbi procesin e vendimmarrjes arkitekturore dhe mbi ndarjen e përgjegjësive profesionale për një objekt qeveritar të financuar me fonde publike dhe të trajtuar si objekt të sigurisë së veçantë.
Vila Nr. 5 njohur si No. Red/Instagram.
Ngjashëm paqartësi dhe marrëdhënie jashtë kontratave publike hasen edhe në ndërhyrjet artistike në interierin e vilës.
Në brendësi të saj janë menduar shkrime me elementë vizualë, disa prej të cilave u bënë edhe gjatë hapjes zyrtare të saj gjatë festivalit “Bread & Heart” nga arkitektët e ftuar. Por ndërhyrjet artistike duket se u realizuan jashtë kontratave publike të shpallura.
Sipas konfirmimit të marrë nga Destil Creative Hub, qendra u kontraktua nga kompania zbatuese Ad-Star, në një marrëdhënie private, për të kuruar ndërhyrjen artistike dhe për të angazhuar disa artistë, mes tyre Loumaye Hadrien, Ledia Kostandini dhe Lib Shkupolli.
Në rrjet, artistja nga Brukseli, Val Smets, pretendon autorësinë e fragmenteve të Ismail Kadaresë përcjellë artistikisht në muret e katit të parë. Ajo thotë se puna “u komisionua nga Kryeministri” gjatë muajve janar dhe prill 2025 dhe tematika ishte me kërkesë.
Ndryshe, Destil tha për Citizens.al se nuk kishte një tematikë të diktuar dhe se artistët ndërhynë lirshëm në mure, sipas qasjes së tyre personale.
Ky fragment i procesit nxjerr në pah një tjetër zonë gri, ndërthurjen mes fondeve publike, kontratave private dhe autorësisë artistike, pa një dokumentim të qartë institucional mbi rolet, kufijtë dhe përgjegjësitë.
Nuk ka vjedhje dhe as mashtrim me 11 mijë pensione. Raporti i KLSH-së për Institutin e Sigurimeve Shoqërore flet për pagesa të parapaguara dhe diferenca që rikuperohen ligjërisht. ISSH sqaroi për Faktoje se rastet abuzive në Shqipëri janë vetëm dy, jo mijëra siç u keqinformua në media.
Esmeralda Topi
Në fund të muajit nëntor, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbi Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) u bë lajm viral. Portale të ndryshme e interpretuan si “11 mijë pensione të marra pas vdekjes”, duke krijuar përshtypjen e një skandali masiv.
Lajmi u publikua në të njëjtën javë kur Italia u trondit nga një rast mashtrimi me pensionin që buri bujë. Një burrë 56-vjeçar mbante trupin e nënës së tij për tre vite në shtëpi, ndërsa vazhdonte të merrte pensionin e saj, duke përfituar rreth 53 mijë euro në vit.
Ky rast dramatizoi situatën në Shqipëri, duke keqinterpretuar raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por krahasimi nuk qëndron.
Çfarë thotë raporti i KLSH-së?
Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë ISSH-së gjatë vitit 2024 evidentoi 11,030 raste pagesash pas vdekjes, me një dëm financiar prej 114,8 milionë lekësh. Nga këto, mbi 100 milionë lekë janë rikuperuar, ndërsa rreth 14,7 milionë lekë mbeten ende në proces arkëtimi.
Por raporti i KLSH sqaron diçka thelbësore që mediat e kanë anashkaluar.
“përfshihen të gjitha rastet e tërheqjes pas datës së vdekjes, gjithashtu edhe rastet kur përfituesi i pensionit e ka tërhequr vetë pensionin, por ka ndërruar jetë në po atë muaj. Meqënëse pensioni është një pagesë që merret paradhënie, pjesa pas datës së vdekjes duhet mbajtur nga granti”, shkruhet në raport.
Pra nuk bëhët fjalë për mashtrime nga persona të tjerë apo familjarë, por për pensionistë që kanë marrë pensionin dhe më pas kanë ndërruar jetë.
ISSH: Nuk ka vjedhje
Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, sqaron për Faktoje.al natyrën e këtyre pagesave. Ai theksoi se shifra 11 mijë është keqinterpretuar.
“Ajo që dua të sqaroj është kjo: ato nuk janë pensione të njerëzve që kanë vdekur dhe kanë marrë pensione pasi kanë vdekur, pra i ka tërhequr dikush tjetër. Përgjithësisht këto janë raste kur qytetarët kanë ndërruar jetë pasi kanë marrë pensionin”
Hado shpjegon më tej se pensionet në Shqipëri parapaguhen në fillim të muajit. Për shembull, nëse një pensionist merr pensionin më 1 dhjetor dhe ndërron jetë më 10 dhjetor, ai ka tërhequr pensionin e plotë, por ligjërisht i takon vetëm pjesa deri në datën e vdekjes. Diferenca duhet rikthyer në fondin e sigurimeve shoqërore. Dhe shifra 11 mijë përfaqëson këtë fenomen.
“Në këtë rast nuk ka vjedhje, nuk ka marrje të pensionit të pamerituar, nuk ka shkelje, nuk ka abuzim. Dëmi ka qenë diku tek 37 milionë lekë, janë rikuperuar 29.5 dhe janë për t’u rikuperuar 6.7. Nuk ka dëm ekonomik”, thekson Hado.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, keqinformimi mbi raportin e KLSH-së nuk është vetëm çështje financiare. Ata paralajmërojnë se raportimi i pasaktë dëmton reputacionin dhe krijon konfuzion shoqëror.
“Dëmi së pari për vetë gazetarët: humbasin besimin si burim informacioni dhe analizash serioze; dëmtojnë në mënyrë jo të drejtë reputacionin e institucioneve duke i bërë ato më të dobëta para publikut. E gjithë kjo, me kohë, krijon një çoroditje shoqërore dhe zhvlerësim të së vërtetës”, thekson Selami Xhepa.
2 raste mashtrimi
Instituti i Sigurimeve Shoqërore pranon se ka patur edhe raste abuzive, por ato janë të izoluara dhe nuk bëhët fjalë për mijëra. Përkundrazi, janë vetëm dy raste.
“Edhe Shqipëria nuk bën përjashtim nga këto lloj mashtrimesh sepse ka individë që mund të ndërrojnë jetë dhe familjet nuk i ç’regjisrojnë. Dhe këto raste ne sigurisht i kontrollojmë”, thotë drejtori Astrit Hado, duke shtuar se kryesisht janë raste nëpër rrethe apo fshatra.
“Një në fakt ka dalë nga një emision investigativ që kishte 8-9 vjet që kishte ndërruar jetë nuk ishte deklaruar. Dhe rezultoi që as i biri se kishte marr në fakt, e kishin marrë punonjësit e postës me një administrator”, tregon drejtori i ISSH-së.
“Një rast tjetër që kishim, ishte individ që kishte ndërruar jetë para 10 vjetësh në Spanjë dhe ishte marrë pensioni. Jo nga familjarët, nga dikush tjetër. Rast që e investiguam deri në fund dhe morëm edhe masat e nevojshme”, përfundon Hado.
Por ndonëse të pakta në numër, për ekspertin e ekonomisë Klodian Muço edhe këto raste kërkojnë zgjidhje.
“Duhet gjetur një mekanizëm i kontrollit të vazhdueshëm ndërmjet atyre që përfitojnë pensionin dhe atyre që kontrollojnë. Problematikat ndodhin kur personat që humbasin jetën nuk ç’regjsitrohen dhe familjarët përfitojnë nga kjo situatë, më tepër se koordinim, duhet zgjidhje”, argumenton ai.
Përfundim
11 mijë pagesa pas vdekjes nuk do të thotë 11 mijë vjedhje pensionesh. Bëhet fjalë kryesisht për një mekanizëm teknik të parapagimit të pensionit dhe për raste që korrigjohen ligjërisht. Mashtrimet ekzistojnë, por janë të rralla dhe jo skandal masiv.
Shkolla të pasigurta është ky konkluzioni që arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një auditimi të kryer nga shtatori 2021 deri në 2024. Monitorimi në gati 4 vite për rolin e oficerëve të sigurisë edhe punën e bërë në institucionet arsimore ka rezultuar një proces jo efektiv, për shkak të mungesës së koordinimit institucional, […]
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje dhe abuzime deri në pagesa të dyfishta në shërbimin e hemodializës, e cila është dhënë me koncesion nga shteti për pacientët me probleme renale në 5 qendra si Shkodër, Vlorë, Lezhë, Elbasan e Korçë. Të pesta qendrat i janë dhënë me koncesion kompanisë Dia Vita në pronësi të […]
Familjarë të Fatmir Xhafajt, pa asnjë lidhje me sektorin e energjisë, blejnë një kompani pa asnjë lloj aktiviteti, që vështirë se mund të quhen biznese aktive. Aplikojnë dhe përfitojnë pa asnjë pengesë për t’u bërë prodhues energjie, në fushën e parqeve fotovoltaike në Fier, që duket se është shndërruar në parkun e korrupsionit për prodhuesit […]
Shpenzimet e universiteteve publike rikthehen sërish në qendër të vëmendjes, ndërsa Qëndresa Qytetare ekspozoi sot vlerën dhe numrin e përgjithshëm të kontratave, prokurimeve dhe tenderëve të institucioneve të arsimit të lartë.
Ekspozita e sotme pranë Rektoratit të Universitetit të Tiranës (UT), e paraqiti panoramën institucionale si një “bunker transparence”, ku mungesa e llogaridhënies duket të jetë shndërruar në normë.
Të dhënat e analizuara nga Qëndresa Qytetare për vitin 2025 tregojnë një model keqmenaxhimi financiar.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) kanë zbuluar qindra mijëra euro abuzime me prokurimet publike, ndërsa universitetet e rretheve shpenzojnë deri në 77% të buxhetit vetëm për paga e honorare, pa investime, pa laboratorë dhe pa kërkim shkencor.
Sipas drejtuesit të organizatës, Rigels Xhemollari, refuzimi i transparencës është bërë standard. Ai tha gjatë hapjes së aktivitetit se Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Mjekësisë nuk kanë pranuar të japin as kontratat e blerjeve të detergjenteve, duke i konsideruar ato “sekrete tregtare”.
“Më falni, si mund të jetë sekret tregtar detergjenti, montimi i dyerve, apo dhe ceremonia e diplomimit të studentëve. Pavarësisht se këtë çështje e kemi fituar edhe në gjykatë këto universitete vijojnë ta shpërdorojnë mundësi për të bërë transparencë,” tha drejtuesi i Qëndresës Qytetare.
Xhemollari theksoi se kjo prirje vjen teksa këtë vit SPAK ka lëshuar 28 masa sigurie ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor, të përfshirë në nëntë procedura të dyshuara për abuzime me rreth 900,000 euro dhe paralelisht, KLSH ka propozuar gjithashtu 35 masa disiplinore për dy universitete të tjera, si dhe Akademinë e Shkencave.
Këto masa, sipas Qëndresës Qytetare, tregojnë dhe njëherë dinamikën dhe përmasën e korrupsionit në universitete.
“Sot shpresa e vetme është që institucionet e drejtësisë, të thellohen në hetime dhe të vazhdojnë edhe me raste të tjera që të kthehen sytë te universitetet për të parë se si shkojnë këto shpenzime, ku shkojnë, a janë të prekshme apo kemi të bëjmë me tenderë të korruptuar,” tha Kolindo Vjerdha, aktivist i Qëndresës.
Në total, tetë universitetet publike shpenzuan këtë vit 103 milion euro, por vetëm 4.2% shkoi për kërkim shkencor.
Shkodra dhe Korça arrijnë nivelin kritik: 77% e buxhetit u përdor vetëm për paga, duke e reduktuar funksionin akademik në minimum.
Një tjetër kontradiktë lidhet me shpenzimet e sigurisë. UT pagoi 1.65 milion euro për roje, Elbasani rreth 1 milion, ndërsa Politekniku 842 mijë euro. Për kontekst, Universiteti i Durrësit shpenzon katër herë më pak, pa pasur asnjë ndryshim në nivelin e sigurisë në kampuse.
“Universiteti është katandisur në një njësi që bën tenderë dhe paguan rroga, pra një lloj institucioni i vdekur, i cili nuk bën ndonjë dallim të madh, ku ta di unë, nga një bashki, komunale e një qyteti dytësor në Shqipëri,” komentoi Ervin Goci, pedagog.
Sipas Qëndresës Qytetare, hendeku mes shpenzimeve dhe shërbimeve të ofruara për studentët është i dukshëm.
UPT deklaroi 70 mijë euro shpenzime vjetore për bojë printerësh. Kjo u konsiderua si shpenzim abuziv për sa kohë studentët si për shembull ata të Arkitekturës paguajnë nga 100 deri në 200 euro në muaj për printime jashtë institucionit.
Në disa fakultete raportohen blerje kompjuterësh, materialesh laboratorike dhe pajisjesh të cilat, sipas Qëndresës Qytetare, as studentët, as pedagogët nuk i kanë parë ndonjëherë.
Këto modele shpenzimesh sugjerojnë mungesë planifikimi, por edhe dyshime për tenderime klienteliste.
“Ndodhemi të përfshirë në një sistem arsimor, i cili nuk na jep mbrapsht minimalisht dinjitetin e një studenti, për mua problemi qëndron se sa nga këto shpenzime kthehen mbrapsht te studentët?” komentoi Mateo Yskollari, aktivist i Qëndresës.
Pa transparencë dhe pa monitorim të brendshëm, universitetet rrezikojnë të kthehen në struktura që konsumojnë vetëm paga dhe kontrata, pa prodhuar dije, kërkim apo inovacion.
Në këtë pikë, Qëndresa Qytetare kërkoi ribërjen e portalit “U-Transparenca”, rritjen e fondeve për kërkim shkencor dhe forcimin e auditimit të brendshëm.
Xhemollari theksoi se universitetet publike financohen nga taksat e qytetarëve dhe tarifat e studentëve, dhe për rrjedhojë ato nuk mund të funksionojnë me kontrata sekrete, tenderë të dyshimtë dhe vija të prishura llogaridhënieje.
“Çështja nuk është vetëm financiare, por lidhet me cilësinë e dijes, besimin publik dhe të ardhmen e arsimit të lartë në vend,” theksoi Xhemollari.
Borxhi doganor i vendit vijon të zgjerohet vit pas viti, ndërkohë që auditimi më i fundit i realizuar nga KLSH mbi detyrimet e papaguara ka nxjerrë në pah një tablo të rënduar jo vetëm sa i përket vlerës së stokut, por edhe mënyrës së administrimit, rikuperimit dhe monitorimit të tij nga strukturat doganore. Të dhënat […]
Konsumi i ujit të pijshëm të ambalazhuar ka pësuar rritje vit pas viti por cilësia e tij nuk është e garantuar për qytetarët. Të paktën këtë konstaton raporti i fundit i Kontrollit ë Lartë të Shtetit që është ndalur në një auditim specifik për këtë segment. Konkretisht KLSH vlerëson se sistemi i ngritur nuk ka […]
TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) paraqiti sot, në Komisionin Parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, projektbuxhetin për vitin 2026, i cili synon të mbështesë me burime të mjaftueshme rolin auditues të institucionit.
Përfaqësuesja e KLSH-së, Alketa Kalleshi, bëri të ditur sot se projektbuxheti parashikon një fond total prej 885 milionë lekësh, të ndarë në tre zëra kryesorë: paga dhe sigurime, shpenzime për mallra e shërbime, si dhe shpenzime kapitale në vlerën 91,6 milionë lekë.
Sipas Kalleshit, për vitin 2026 KLSH ka kërkuar rritjen e numrit të punonjësve në 253, ose 10 më shumë se organika aktuale. “Kërkesa jonë për shtimin e personelit mbështetet në rritjen e kërkesave nga Kuvendi dhe nevojën për më shumë auditime në fusha me ndjeshmëri të lartë publike, sidomos në kuadër të integrimit evropian”, tha ajo.
Në zërin e mallrave dhe shërbimeve, KLSH ka kërkuar një fond prej 117,3 milionë lekësh, rreth 44,6 milionë lekë më shumë se një vit më parë, për të mbuluar nevojat shtesë që lidhen me auditimet dhe organizimin e një eventi ndërkombëtar në vitin 2026.
Ndërsa për shpenzimet kapitale, institucioni ka kërkuar 91,6 milionë lekë, me një rritje prej 60 milionë lekësh krahasuar me vitin 2025. Kjo shumë do të përdoret për investimin në ndërtimin e një godine të re në ish-parkun e automjeteve të KLSH-së, si dhe për teknologji dhe rehabilitim infrastrukture, me një fond prej 31,6 milionë lekësh.
Në total, krahasuar me buxhetin prej 694 milionë lekësh të vitit 2025, KLSH parashikon një rritje prej 13%, duke e çuar fondin për vitin 2026 në 885 milionë lekë.
Sebi Alla Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, prezantoi në Kuvend raportin e vitit 2024 të institucionit që drejton, duke dhënë shifra si mbi shtimin e auditimeve në institucionet shtetërore, ashtu edhe në referimet në prokurori për raste të shkeljeve të rënda.
Drejtuesi i KLSH-së theksoi se gjatë vitit 2024 janë kryer 159 auditime në të gjitha nivelet e qeverisjes.
“Gjatë 2024, kemi kryer 159 auditime në gjithë nivelet e qeverisjes. Sipas llojit, 45 auditime janë financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 të teknologjisë së informacionit, dhe 13 mbi zbatimin e rekomandimeve. Janë kryer në 205 subjekte, 97 njësi të qeverisjes qendrore, 75 të qeverisjes vendore, 13 institucione të pavarura dhe 20 ende publikë”, tha Shehu.
Rekomandime dhe kallëzime penale
Pas auditimit të kryer në institucionet publike, qëndrore dhe lokale, KLSH për vitin 2024 ka dhënë një shifër të lartë rekomandimesh, por edhe opinione në lidhje me gjetjet e ekspertëve pas verifikimeve. “Për këto auditime, janë dhënë 194 opinione, shoqëruar me 4378 rekomandime dhe masa organizative e administrative”, tha Shehu.
Sipas tij, gjatë 2024, kanë bërë 13 kallëzime penale, që përfshijnë rastet kur auditimi ka konstatuar veprime apo mosveprime në shkelje të ligjit. Po ashtu, kanë vënë në dispozicion të Prokurorive edhe 35 materiale për hetime.
Shehu gjatë fjalës së tij konfirmoi se janë në proces auditimi edhe për Bankers Petroleum, rruga Thumanë-Kashar dhe anijet energjetike në Vlorë.
I pyetur se përse vazhdon pagesa për kontratat PPP të Check up Sterilizimit dhe dializës, ku vetë KLSH ka evidentuar pagesa të tepërta për raste që nuk janë kryer, ai tha: “Duke pasur parasysh vëmendjen e cila është drejtuar institucionit nga deputeti Erion Brace për një vëmendje të veçantë të këtyre koncesioneve në tërësi, KLSH pas një analize të këtyre ditëve, ka vendosur kryerjen e veprimeve në mënyrë të veçantë për të plotësuar kërkesat. Për veprimet tona audituese do t’ju vendosim në dijeni.”
Shëndetësia dhe mjedisi
Duke u ndalur në të dhënat kryesore të raportit, Shehu tha se problematika të shumta janë zbuluar në sektorin e shëndetësisë dhe në çështjet mjedisore.
“Në sektorin e shëndetësisë, auditimet evidentuan mangësi në administrimin e pajisjeve edhe personelit mjekësor duke krijuar varësi nga shërbimet e jashtme dhe rritje të kostove. Shpërndarja e tyre nuk është në përputhje me nevojat reale të popullsisë, ndërsa përkujdesja ndaj pacientëve rezulton e pamjaftueshme”, tha Shehu.
Një tjetër pikë e nënvizuar ishte çështja e trajtimit dhe menaxhimit të mbetjeve urbane, por edhe atyre spitalore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në mjedis.
“Në fushën e mjedisit, menaxhimi i mbetjeve urbane dhe spitalore paraqet problematika të ndjeshme, ku mungesa e infrastrukturës së duhur dhe praktikave të sigurta rrezikon shëndetin publik dhe ndikon negativisht në mjedis”, tha kreu i KLSH-së.
TIRANË, 6 nëntor/ATSH/ Kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj deklaroi sot në Kuvend, se zbatimi i plotë i rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit është thelbësor për rritjen e integritetit të administratës dhe të besimit qytetar për përdorimin e fondeve publike.
Gjatë raportimit vjetor në Kuvend të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Xhafaj vlerësoi rritjen e auditimeve në sektorë me risk të lartë fiskalë si prokurimet publike, investimet infrastrukturore, shërbimet publike, si dhe zgjerimin e auditimeve të performancës për mbikëqyrjen e shpenzimeve publike.
Por, sipas tij, mbetet i ulët zbatimi i rekomandimeve të KLSH-së pasi rezulton se vetëm rreth 60% e subjekteve të audituara kanë raportuar për efektshmërinë e rekomandimeve të dhëna.
Xhafaj theksoi se rekomandimet e KLSH-së duhet të synojnë korrigjimin e shkeljeve të shkaktuara dhe shpërblimin e dëmeve të konstatuara, por edhe forcimin e mekanizmave të brendshëm të kontrollit dhe transparencës në administratën publike.
Kjo, sipas tij, “është thelbësore për parandalimin e shkeljeve dhe rritjen e performancës së institucioneve në përdorimin e buxhetit të shtetit”.
Xhafaj nënvizoi se duhet vëmendje edhe lidhur me performancën e KLSH-së. “Janë shqetësuese për KLSH-në pretendimet e ngritura lidhur me afatet që zbatohen për raportet në institucionet e audituara dhe ato që lidhen me dërgimin e raportit përfundimtar te subjekti i audituar”, tha Xhafaj.
Xhafaj kujtoi para deputetëve se KLSH nuk auditon personat apo funksionet por institucionet. Po ashtu ai theksoi se progresraportit të KE-së kërkon forcimin e veprimtarisë së auditit. /j.p/
Deputeti i PS, Fatmir Xhafaj kërcenoi Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi Arben Shehu renditi një sëre shkeljesh e abuzimesh nga mazhoranca socialiste. Pas raportimit, Xhafaj kërcënoi se mazhoranca do të nisë punën për kontrollin e kontrollorit, një shantazh i hapur ndaj një institucioni të pavarur publik. “Raporti i prezantuar tregon një realitet kompleks, një […]
Deputeti socialist Erion Braçe, teksa foli për gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në raportin vjetor të vitit 2024, zbuloi edhe disa nga detajet pikante të shkeljeve apo sjelljes prej të forti të inspektorëve të drejtorive shtetërore, kryesisht në Dogana dhe Tatime. Konkretisht ai solli rastin e një kontrolli të Tatimeve dhe gjobës së […]