FIFA hap akreditimet për mediet për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub
TIRANË, 23 janar/ATSH/ FIFA ka njoftuar zyrtarisht se procesi i akreditimit të mediave për FIFA World Cup 2026 do të menaxhohet ekskluzivisht përmes platformës online FIFA Media Hub.
Në njoftim thuhet se interesi i medieve pritet të jetë shumë i lartë, duke tejkaluar ndjeshëm numrin e akreditimeve të disponueshme. Për këtë arsye, procesi do të jetë transparent dhe i drejtë për përzgjedhjen.
Sipas FSHF-së, aplikimet për akreditim filluan në fillim të janarit 2026, ndërsa afati i fundit për aplikim është 28 shkurt 2026. Nga fundi i shkurtit, FIFA do të nisë konfirmimet e akreditimeve dhe informacionet shtesë për mediet e përzgjedhura. Gazetarët dhe fotografët që duan të aplikojnë duhet të kenë një llogari të miratuar në FIFA Media Hub dhe një kod unik kontrolli të lëshuar nga federata kombëtare përkatëse, ndërkohë që pajisja me kod nuk garanton miratimin e akreditimit, pasi FIFA rezervon të drejtën e verifikimit dhe refuzimit të aplikimeve.
FSHF bën me dije se çdo federatë anëtare do të ketë një kuotë të caktuar akreditimesh, e cila bazohet në pjesëmarrjen në edicionet e mëparshme të Kupës së Botës dhe në statusin e kualifikimit të ekipit kombëtar për këtë edicion. Federatat inkurajohen të bashkëpunojnë me shoqatat kombëtare të gazetarëve për një shpërndarje të drejtë të kuotave. Kategoritë e mediave që mund të aplikojnë përfshijnë shtypin e shkruar (print dhe digital), fotografët, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dhe fotografisë, gazetarët freelance, mediat radio-televizive pa të drejta transmetimi dhe partnerët mediatikë të FIFA-s.
Procesi i aplikimit për bileta për ndeshjet e fazës së grupeve do të nisë pas hapjes së akreditimeve dhe do të kryhet vetëm përmes FIFA Media Hub. Çdo përfaqësues i akredituar mund të aplikojë për maksimum një ndeshje në ditë, në varësi të disponueshmërisë. Pas konfirmimit të akreditimit, FIFA do të ofrojë udhëzime të detajuara për procedurat e vizave, ndërsa federatat inkurajohen të shpërndajnë kuotat sa më herët për të mundësuar organizimin e udhëtimit. Për menaxhimin e kuotave, çdo federatë duhet të caktojë zyrtarisht personat përgjegjës dhe t’i njoftojë FIFA-n, ndërkohë që llogaritë e përdorura janë individuale dhe nuk lejohet ndarja e aksesit.
/e.i/j.p/
The post FIFA hap akreditimet për mediet për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.