Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 19 January 2026Main stream

Qazim Laçi shënon me “Rizespor” në Turqi

19 January 2026 at 20:26

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Mesfushori i kombëtares shqiptare, Qazim Laçi ka shënuar gol me fanellën e Rizesporit në kampionatin turk.

30-vjeçari ka shënuar nga pika e bardhë e penalltisë golin e vetëm të skuadrës së tij në humbjen 3-1 në transfertë përballë Goztepes.

Ky është goli i tretë sezonal që Laçi shënon në kampionatin turk.

Pavarësisht përpjekjeve të Laçit, skuadra e tij nuk arriti të shmangë humbjen në transfertë.

Paraqitjet pozitive të Laçit janë një lajm i mirë edhe për Silvinjon në kuadër të ndeshjeve të marsit të Kombëtares për play-offin e Botërorit 2026.

/gj.m/j.p/

The post Qazim Laçi shënon me “Rizespor” në Turqi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Partizani rikthehet te fitorja, Contreras “vulos” suksesin 2-1 ndaj Teutës

19 January 2026 at 19:28

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Partizani vendosi t’i japë fund serisë së tre humbjeve radhazi në kampionat, duke triumfuar 2-1 ndaj Teutës në javën e 20-të të Kategorisë Superiore, në stadiumin “Arena e Demave”.

Kryeqytetasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 32-të, me golin e shënuar nga Rrok Toma, duke mbyllur pjesën e parë në epërsi.

Në pjesën e dytë, Teuta reagoi dhe gjeti barazimin në minutën e 80-të me golin e Jazxhit, duke rihapur ndeshjen. Por Partizani nuk u dorëzua. Në minutën e 93-të, pas një sulmi të shpejtë nga e majta, Xhuliano Skuka asistoi për Contreras, i cili shënoi golin e fitores për “demat e kuq”.

Fitorja e ngjit Partizanin në vendin e pestë me 26 pikë, të barabarta me Teutën, e cila zbriti në vendin e gjashtë.

/gj.m/j.p/

The post Partizani rikthehet te fitorja, Contreras “vulos” suksesin 2-1 ndaj Teutës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Transformimi i AQSHF, Rama: Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton

19 January 2026 at 19:27

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama vuri në dukje sot rëndësinë e transformimit të Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit duke e cilësuar investim thelbësor për kujtesën dhe identitetin kulturor të vendit.

“Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton”, shkroi Rama në rrjetet sociale, teksa theksoi se ruajtja dhe digjitalizimi i trashëgimisë filmike është një mision kombëtar.

Procesi i transformimit përfshin modernizimin e infrastrukturës dhe godinës së Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit përmban një pasuri të çmuar të kinematografisë shqiptare, me filma artistikë, dokumentarë dhe kronika që pasqyrojnë dekada të jetës shoqërore, kulturore dhe politike të vendit.

/gj.m/j.p/

The post Transformimi i AQSHF, Rama: Një arkivë që ndriçon është një komb që kujton appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana dhe Vora ndajnë pikët, barazim 1-1 në Superiore

19 January 2026 at 18:45

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Tirana dhe Vora u ndalën në një barazim 1-1 në përballjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore, pas një ndeshjeje të luftuar dhe me emocione deri në minutat e fundit.

Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i lartë dhe raste në të dyja portat, por pa gola.

Në fraksionin e dytë, Tirana hyri më e vendosur dhe gjeti avantazhin në minutën e 51-të me Ndong, i cili finalizoi saktë një aksion të shpejtë të bardhebluve.

Vora reagoi në fundin e ndeshjes dhe arriti të barazojë në minutën e 81-të me Adeloye, që përfitoi nga një top i mbetur në zonë për ta dërguar në rrjetë.

Në minutat e fundit, Tirana ishte shumë pranë golit të fitores, por fati nuk ishte në anën e saj: Myslovic goditi shtyllën, ndërsa Ernest u ndal nga traversa, duke lënë rezultatin të pandryshuar.

Me këtë barazim, Tirana mbetet në vendin e fundit të renditjes me 14 pikë, duke vijuar momentin e vështirë në kampionat. Nga ana tjetër, Vora merr një pikë të rëndësishme dhe pozicionohet në vendin e gjashtë me 23 pikë, duke ruajtur qetësinë në mesin e tabelës.

/gj.m/j.p/

The post Tirana dhe Vora ndajnë pikët, barazim 1-1 në Superiore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuvendi nis punimet në sesionin e dytë të legjislaturës, PD bllokon foltoren

19 January 2026 at 18:10

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kuvendi nisi sot punimet për sesionin e dytë të Legjislaturës XI.

Seanca ka nisur me përplasje teksa deputetët e Partisë Demokratike, menjëherë pas përfundimit të Himnit Kombëtar, kanë bllokuar foltoren e Kuvendit.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit edhe pse nuk iu dha fjala, akuzoi mazhorancën dhe qeverinë Rama për kapje të institucioneve.

Ndërsa kreu i Kuvendit Niko Peleshi mbante fjalën e hapjes së sesionit të ri, deputetët e PD-së u grumbulluan rreth Berishës në foltore.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi drejtoi akuza ndaj mazhorancës, teksa  Peleshi mbante fjalën.

Opozita nuk ka pranuar që të ulen në karriget e tyre dhe të vijojë seanca.

Peleshi me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PS Taulant Balla ka hedhur në votim pikat e rendit të ditës, duke mbyllur seancën.

Seanca pati rend dite procedurial, ku u përfshinë miratimi i procesverbalit të seancës së mëparshme dhe njoftime, sipas parashikimeve të Rregullores së Kuvendit.

Konferenca e kryetarëve miratoi sot më herët projektprogramin dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit, si dhe projektkalendarin e ushtrimit të kontrollit parlamentar, në përputhje me Rregulloren.

Seanca e parë e sesionit të ri parlamentar, foto: Andrin Hoxha, Florian Abazaj
1 nga 23

/gj.m/j.p/

The post Kuvendi nis punimet në sesionin e dytë të legjislaturës, PD bllokon foltoren appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla fton opozitën në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale: Kuvendi, jo peng i bojkotit

19 January 2026 at 18:08

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Taulant Balla, u ka bërë thirrje deputetëve të Partisë Demokratike që nëse deri javën e ardhshme nuk paraqiten në komisionet për reformën zgjedhore dhe territoriale, mazhoranca do t’i bëjë ndryshimet pa PD-në.

Në deklaratën e tij, Balla theksoi se, mazhoranca ka vullnetin për bashkëpunim, por nuk do të lejojë bllokimin e proceseve të rëndësishme për vendin.

“Nëse deri javën e ardhshme nuk vini për reformën zgjedhore dhe territoriale, do t’i bëjmë ndryshimet pa ju. Ne ju ftojmë, por Kuvendi nuk mund të mbetet peng i bojkotit”, u shpreh Balla.

Balla përmendi edhe ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump për kryeministrin Edi Rama për t’u përfshirë në një organizëm të ri ndërkombëtar, të cilin e cilësoi si një rol të rëndësishëm dhe të pazakontë për vendin.

“Shqipëria sapo është ftuar të marrë një rol të paimagjinueshëm pak vite më parë. Ftesa e Presidentit Trump, i cili ka ftuar personalisht Kryeministrin Edi Rama dhe përmes tij Republikën e Shqipërisë, është një moment që duhet vlerësuar maksimalisht”, deklaroi Balla.

Sipas tij, Shqipëria është përzgjedhur jo vetëm për shkak të anëtarësimit në NATO, por edhe për shkak të marrëdhënies së besimit mes Kryeministrit Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Duke iu referuar qëndrimeve të opozitës për këtë çështje, Balla i cilësoi ato kontradiktore, duke theksuar se kritikat kanë ndryshuar vazhdimisht pas publikimit të ftesës.

Në fund të fjalës së tij, Balla përmendi edhe kalendarin zgjedhor, duke theksuar se zgjedhjet e ardhshme vendore pritet të zhvillohen mes datave 15 prill – 15 maj 2027, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme mes 15 prill – 15 maj 2029, çka sipas tij e bën të domosdoshme përmbylljen në kohë të reformave zgjedhore dhe territoriale.

/gj.m/j.p/

The post Balla fton opozitën në komisionet e reformës zgjedhore dhe territoriale: Kuvendi, jo peng i bojkotit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike

19 January 2026 at 16:55

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Moldavi, u prit sot në një takim nga Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Takimet kokë më kokë dhe më pas ai në praninë e delegacioneve përkatëse, u fokusuan në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, sigurinë rajonale, situatën e ndërlikuar gjeopolitike dhe unitetin evropian përballë këtyre sfidave.

“Shqipëria mbështet popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike, të begatë dhe evropiane, në një kontekst gjeopolitik dhe sigurie mjaft sfidues të shënuar nga agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe kërcënimet e sigurisë që burojnë prej tij”, u shpreh Presidenti Begaj.

Krerët e dy shteteve rikonfirmuan angazhimin e përbashkët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Edhe në konferencën për gazetarët, Presidenti Begaj dhe Presidentja Sandu konfirmuan angazhimin për bashkëpunim në përmbushjen sa më shpejtë të agjendës evropiane, me synimin anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes progresit të bazuar në meritë dhe reforma.

Presidenti Begaj theksoi se “Shqipëria beson se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga instrumentet më efektive për garantimin e sigurisë, stabilitetit, begatisë dhe paqes së qëndrueshme në Evropë. Shqipëria shpreh mbështetjen e plotë për anëtarësimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian”.

Ndërkohë, Presidenti Begaj shprehu mbështetje ndaj Presidentes Sandu për politikat proevropiane në drejtimin e shtetit.

Presidenti Begaj vlerësoi qëndrimin e Moldavisë përballë ndikimeve keqdashëse, presioneve dhe fushatave dezinformuese, si dhe angazhimin e palëkundur për ndërtimin e një shteti demokratik, pjesë integrale të familjes evropiane.

Në këtë frymë, ai theksoi se Shqipëria synon thellimin e bashkëpunimit duke shfrytëzuar mekanizmat e krijuar në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për Integrimin Evropian të nënshkruar së fundmi.

“Shqipëria qëndron pranë Moldavisë si mike, si partnere dhe si aspirante e përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Së bashku, ne kontribuojmë për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe të bashkuar, të ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, lirisë dhe përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen tonë”, u shpreh Presidenti Begaj.

Kreu i Shtetit theksoi, gjithashtu, angazhimin për thellim të marrëdhënieve në fushat ku ka potencial për bashkëpunim më të thelluar në fusha të tjera me interes të ndërsjellë.

Midis dy vendeve ekziston marrëveshja për tregtinë e lirë, si dhe ajo për mbrojtjen e investimeve dhe shmangien e taksimit të dyfishtë. Sipas Presidentit Begaj kjo është një bazë e mirë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik.

Një vëmendje të veçantë Presidenti Begaj i kushtoi gjatë kësaj vizite Kosovës. Presidenti vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Moldavia në lidhje me aplikimin e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe kontributin me trupa në misionin e KFOR-it.

“Në këtë frymë të bashkëpunimit, Shqipëria shpreson se Moldavia, kur ta gjykojë të arsyeshme, do të rishqyrtojë edhe çështjen e njohjes së Kosovës. Ne i dimë problemet e brendshme që ekzistojnë, të lidhura me Transnistrian, por gjithsesi, është një çështje që ne mendojmë se do të sillte paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe besim te demokracia”, deklaroi Presidenti Begaj.

Në agjendën e sotme të Presidentit ishin edhe takimi me një përfaqësi nga Parlamenti i Moldavisë, drejtuar nga kryetari Igor Grosu, me të cilët u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes institucioneve të dy shteteve si edhe me përfaqësues të diasporës shqiptare në Moldavi.

/gj.m/j.p/

The post Begaj pritet nga Sandu: Mbështesim popullin moldav në ndërtimin e një të ardhmeje demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në

19 January 2026 at 16:47

TIRANË, 19 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj deklaratës së rrjetit “Safe Journalists”, duke e cilësuar atë si një keqkuptim të shtrembëruar të qëndrimit të tij mbi Transmetuesin Publik Shqiptar (RTSH).

Rrjeti “Safe Journalists” ngriti shqetësimin në lidhje me deklaratat publike të Kryeministrit Rama sa i takon transmetuesit televiziv publik RTSH duke reaguar se “lidhja e financimit ose ekzistencës së RTSH me miratimin politik minon pavarësinë e tij dhe paraqet rreziqe për lirinë e medias”.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama u shpreh se po krijohet “një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë”, duke iu referuar reagimeve që, sipas tij, nuk pasqyrojnë thelbin e deklaratave të bëra prej tij.

“Po bëhet një model për të ardhur keq i kësaj epoke të re të përtacisë së shfrenuar ndaj dëgjimit të asaj që të tjerët realisht thonë, që të përballemi me deklarata si ajo e bashkëngjitura, të cilat pasqyrojnë një keqkuptim thellësisht të shtrembëruar të qëndrimit tim lidhur me Transmetuesin Publik Shqiptar”, shkroi Rama.

Kryeministri ftoi autorët e deklaratës së “Safe Journalists” që ta lexojnë ose dëgjojnë me kujdes fjalimin e tij dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar mesazhin real.

“I ftoj autorët e kësaj deklarate keqorientuese ta lexojnë ose ta dëgjojnë me kujdes fjalimin tim dhe të bëjnë një përpjekje të sinqertë për të kuptuar thelbin. Vërejtjet e mia nuk kanë të bëjnë absolutisht aspak me “lidhjen e financimit apo të ekzistencës së RTSH-së me miratimin politik”. Çdo interpretim i tillë është thjesht i pasaktë dhe keqorientues. Mbrojtja e informacionit nis me mos përhapjen e dezinformimit”, shkroi Rama.

/gj.m/j.p/

The post Rama reagon ndaj “Safe Journalists”: Keqkuptim thellësisht i shtrembëruar i qëndrimit tim për RTSH-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës

17 January 2026 at 19:55

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Partia “Shqipëria Bëhet” zhvilloi sot një protestë në sheshin para Kryeministrisë, ku kryetari i saj, Adriatik Lapaj, iu drejtua qytetarëve dhe aktivistëve me thirrjen për vijimin e qëndresës kundër qeverisë.

Në fjalën e tij, Lapaj theksoi se protesta është pjesë e një angazhimi disa-javor të qytetarëve, duke nënvizuar se qëndresa do të vazhdojë deri në ndryshimin e situatës politike në vend.

Ai deklaroi se, sipas tij, qeverisja aktuale nuk ka sjellë përmirësime reale për qytetarët, pavarësisht fondeve të mëdha të administruara ndër vite.

Lapaj u shpreh kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, janë përdorur fondet publike gjatë 12 viteve të fundit, duke ngritur pikëpyetje mbi investimet në shëndetësi, paga dhe shërbime publike.

Ai theksoi se qytetarët përballen me vështirësi ekonomike, mungesë shërbimesh dhe emigrim të lartë, ndërsa kërkoi llogaridhënie për përdorimin e buxhetit të shtetit.

Kryetari i “Shqipëria Bëhet” deklaroi gjithashtu se protestuesit nuk janë zmbrapsur nga kushtet e vështira atmosferike apo ndërhyrjet e forcave të rendit, duke e cilësuar këtë angazhim si një betejë për demokratizimin e vendit.

Protesta u zhvillua pa incidente dhe u shoqërua me thirrje për ndryshim politik dhe rritje të përgjegjshmërisë institucionale.

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka paralajmëruar vijimin e aksioneve të saj publike në ditët në vijim.

Në fund të protestë pati dhe përplasje me policinë, kur protestuesit ju afruan gardhit të vendosur nga unifirmat blu për ruajtjen e godinës në Këshillit të Ministrave dhe hodhën miell ndaj policëve.

/gj.m/a.f/

The post Protestë e “Shqipëria bëhet” te Kryeministria, Lapaj: Nuk ndalemi deri në largimin e Ramës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Shqipëria mbështet angazhimin global për sigurinë ujore

17 January 2026 at 19:51

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë sot në Konferencën e Ministrave të Bujqësisë, të zhvilluar në kuadër të Forumit Global për Bujqësinë dhe Ushqimin (GFFA) 2026, me pjesëmarrjen e 61 ministrave të bujqësisë dhe 14 përfaqësuesve të lartë të organizatave ndërkombëtare.

Konferenca u fokusua në dialogun agro-politik mbi temën e këtij viti “Uji. Korrjet. E ardhmja jonë.”, duke vënë theksin në rëndësinë e sigurisë ujore për garantimin e sigurisë ushqimore dhe zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor.

Gjatë punimeve të konferencës u miratua Komunikata Përfundimtare e GFFA 2026, e cila riafirmon mesazhin se pa ujë nuk ka ushqim dhe pa siguri ujore nuk mund të ketë siguri ushqimore.

Ministri Salla theksoi se Shqipëria mbështet plotësisht këtë angazhim dhe qasjen që e sheh bujqësinë si pjesë të zgjidhjes globale, përmes përdorimit të ujitjes inteligjente, zbatimit të praktikave që ruajnë tokën dhe burimet ujore, reduktimit të ndotjes dhe zhvillimit të bioekonomisë blu.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në GFFA 2026 vlerësohet si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në fushën e bujqësisë dhe ushqimit.

/gj.m/a.f/

The post Salla: Shqipëria mbështet angazhimin global për sigurinë ujore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Kryengritje paqësore deri në fitoren e PD

17 January 2026 at 19:25

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Laprakë se “askush nga jashtë nuk do vijë të na i zgjidhë problemet” dhe se “PD të përballet shesheve të Tiranës deri në fitore”.

Sipas Berishës “ka 3-4 muaj që çdo mesazh që vjen nga superfuqia numër një e botës, nga Shtetet e Bashkuara, është vetëm për kartelet e drogës. Vetëm për kartelet e drogës. Mesazhe të tilla ka marrë Maduro gjersa e çuan atje ku duhet. Merr presidenti i Kolumbisë, merr Rama i Shqipërisë”.

Berisha shton se qeveria është shndërruar në organizatë kriminale.

“Është faktuar se nuk njeh ligj, nuk njeh kushtetutë, nuk njeh normë, nuk njeh moral, nuk njeh standard”, tha Berisha..

“Të gjitha këto janë faktuar tani. Tani e drejta është në anën tonë. Guximi është në anën tonë.  Ne jemi në prag të fitores. Dhe ne një lloj siç përmbysëm një diktaturë në vitin ’90, siç përzumë me vota ata që erdhën me rebelim në vitin ’97, do t’i përzëmë nga pushteti, të hapim rrugën e votës së lirë të qytetarëve, e fitores së opozitës. Kjo protestë që organizojmë ne, është e një rëndësie të jashtëzakonshme.”, theksoi Berisha.

Berisha u shpreh se ka “besim se qytetarët e Tiranës do të jenë në krye të kësaj kryengritje paqësore që do fshijë nga faqja e dheut këtë regjim antishqiptar”.

“Ne do përballemi rrugëve të shesheve të Tiranës gjer në fitoren e Partisë Demokratike”, tha kreu i PD.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Kryengritje paqësore deri në fitoren e PD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra

17 January 2026 at 19:14

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi sot ndaj lajmeve të rreme, te cilat theksoi ai përhapen me shpejtësi alarmante dhe dëmi që shkaktojnë është real.

“Dje në mbledhjen e grupit parlamentar fola edhe për dezinformimin. Besoj se të gjithë biem dakord se duhen krijuar instrumente në duart e qytetarëve për të kuptuar të vërtetat, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtrat me bisht”, thekson Balla në një video-mesazh në rrjetet sociale.

“Gënjeshtra udhëton shpejt, por e vërteta mbërrin gjithmonë”, shprehet Balla teksa shton se, “në një kohë kur lajmet e rreme përhapen me shpejtësi alarmante, dëmi që ato shkaktojnë është real: keqinformim, zemërim dhe humbje besimi”.

Balla nënvizon se, “çdo klikim, çdo shpërndarje pa verifikim i jep forcë gënjeshtrës”.

“Prandaj, të ndalemi, të kontrollojmë burimin dhe të mendojmë kritikisht është një akt përgjegjësie qytetare”, thekson Balla.

Balla reagoi edhe ndaj kreut të PD, Sali Berisha. “Kishte dalë edhe bufi me sorrat me lajme të rreme prej mëngjesit, meqë dhe ai lajmi i mbrëmshëm kishte qenë i rremë”, tha Balla.

“Lajmet e rreme janë një problem shëndetësor i rëndë për shoqërinë dhe demokracinë të cilat duhen kuruar dhe gjetur ilaçe për tu trajtuar”, tha Balla.

Ky reagim vjen pas aludimeve të portaleve që një nga familjarët e tij kishte lidhje me call center-in që u bllokua nga SPAK.

/gj.m/

The post Balla: Instrumente që qytetari të ndajë të vërtetën nga gënjeshtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

17 January 2026 at 18:56

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Bashkia e Lezhës ka përkujtuar sot 558-vjetorin e ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke nderuar figurën e prijësit legjendar të shqiptarëve.

Drejtues të Bashkisë së Lezhës zhvilluan homazhe në varrin e Heroit Kombëtar.

Në një mesazh në rrjetet sociale, Bashkia e Lezhës shpreh respekt dhe mirënjohje për Skënderbeun, i cili me trimëri, mençuri dhe sakrificë mbrojti lirinë, identitetin dhe dinjitetin e kombit shqiptar, duke u shndërruar në simbol të qëndresës dhe unitetit kombëtar.

Sipas Bashkisë, trashëgimia e Gjergj Kastriotit mbetet një burim i përhershëm frymëzimi për brezat, si dhe një thirrje për atdhedashuri, bashkim dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së vendit.

Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Përkujtimi i kësaj date historike vlerësohet si një moment reflektimi dhe nderimi për figurën më përfaqësuese të historisë kombëtare shqiptare.

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/gj.m/a.f/

The post Përkujtohet në Lezhë 558-vjetori i ndarjes nga jeta të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Trump fton Ramën në Bordin e Paqes, Kryeministri: Krenar për Shqipërinë

17 January 2026 at 19:28

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e ka ftuar personalisht për të përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes.

Rama thekson se, Bordi i Paqes është një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej presidentit Trump, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, thekson Rama.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të enjten formimin e një “Bordi të Paqes” për Rripin e Gazës.

Pjesë e Bordit do të jenë edhe ish-kryeministri britanik, Tony Blair, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, i dërguari special për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, ish-i dërguari special i OKB-së, Nickolay Mladenov, miliarderi Marc Rowan, presidenti i Bankës Botërore, Ajay Banga, dhe zëvendëskëshilltari i sigurisë kombëtare të SHBA-së, Robert Gabriel.

/gj.m/a.f/

The post Trump fton Ramën në Bordin e Paqes, Kryeministri: Krenar për Shqipërinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Për 13 vite, fondet publike janë abuzuar në mënyrë të paprecedentë

17 January 2026 at 18:45

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi sot turin e “Foltores” në Laprakë, ku zhvilloi një bashkëbisedim  me qytetarë dhe simpatizantë të PD-së.

Në fjalën e tij, Berisha falënderoi mbështetësit për, angazhimin e vazhdueshëm ndaj Partisë Demokratike, duke theksuar se opozita po hyn në vitin e 13-të të përballjes me qeverinë aktuale.

“Ne hyjmë këtë janar në vitin e 13 të opozitës, në vitin e 13 të përballjes me një regjim në radhë të parë antishqiptar”, tha Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha kritikoi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se politikat e ndjekura gjatë këtyre viteve kanë sjellë pasoja të rënda demografike dhe ekonomike për vendin.

Sipas tij, emigrimi masiv i shqiptarëve është një nga problematikat më serioze, ndërsa theksoi se një numër i madh qytetarësh kanë lënë vendin për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale.

“Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99.000 shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit.  Pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e korrupsionit, duke deklaruar se, sipas tij, gjatë këtyre 13 viteve djersa dhe mundi i shqiptarëve janë përdorur për krijimin e pasurive private nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë.

Berisha e krahasoi këtë qeverisje me periudhën e diktaturës, duke nënvizuar se, niveli i abuzimit me fondet publike ka qenë i paprecedentë.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për, shkatërrimin gradual të vlerave demokratike dhe të funksionimit të shoqërisë së lirë, duke përmendur edhe rolin e mediave, për të cilat u shpreh se një pjesë e tyre, sipas tij, nuk informojnë në mënyrë të paanshme opinionin publik.

“U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik”, tha Berisha.

/gj.m/

The post Berisha: Për 13 vite, fondet publike janë abuzuar në mënyrë të paprecedentë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis transformimi i shëtitores bregdetare të Durrësit me hapësira të reja rekreative dhe gjelbërimi

17 January 2026 at 15:31


TIRANË, 17 janar /ATSH/Në shëtitoren bregdetare të qytetit të Durrësit po vijojnë ndërhyrjet paralelisht me zgjerimin e brezit të ri ranor, me qëllim krijimin e një zone të re rekreative dhe gjelbërimi midis shëtitores dhe pjesës së rërës. Projekti synon transformimin e kësaj hapësire në një ambient multifunksional, ku do të zhvillohen aktivitete të ndryshme kulturore, sportive dhe rekreative për qytetarët dhe pushuesit.

Gjatë inspektimit në terren ishin të pranishëm Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, si dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, të cilët ndoqën nga afër ecurinë e punimeve dhe u njohën me detajet teknike të projektit

“Këtu investimi ka filluar paralelisht, si nga pjesa e fundit tek Kavalishenca, ashtu edhe nga pjesa e fillimit. Janë dy kompani të ndryshme që po punojnë. Mbushja është bërë nga vija e shëtitores rreth 75 metra deri tani. Ka qenë kjo periudha që ne kemi parë dhe materialin me projektuesin, nëse është sipas projektit apo jo”, – u shpreh kryebashkiakja e Durrësit.

Zona e ndërhyrjes shtrihet në një gjatësi prej rreth 2.1 kilometrash, nga pika e pistës deri në fund të segmentit të projektuar. Vija e re e bregdetit po ndërtohet sipas projektit të miratuar, duke krijuar pjerrësinë e nevojshme për pjesën e plazhit. Distanca nga shëtitorja deri te vija e re e bregdetit arrin në 100 metra, ndërsa mbushja ranore varion nga 30 deri në 50 metra.

“Jemi në fazën përfundimtare të lidhjes së kontratës për projektin e ri, i cili do të zgjerojë pjesën e shëtitores dhe do të krijojë një sërë facilitetesh dhe shërbimesh publike, kënde lojërash dhe hapësira sportive, duke e kthyer shëtitoren e Durrësit në një nga shëtitoret më të bukura”, – tha Dritan Agolli, drejtor i FSHZH.

Projekti parashikon gjithashtu mbjelljen e një numri të madh pemësh dhe krijimin e një brezi të gjelbër midis shëtitores dhe plazhit, duke rritur ndjeshëm cilësinë e hapësirave publike dhe përvojën e qytetarëve dhe turistëve.

“Tani do të bëhet e jashtëzakonshme. E para, do të ketë një sipërfaqe ranore fantastike. Pastaj, me të gjitha ndërhyrjet e reja dhe me pemët që do të mbillen, do të krijohet një brez i gjelbër shumë i bukur.” – theksoi Kryeministri Rama.

Synimi final i projektit është krijimi i një “ishulli gjelbërimi” mes shëtitores dhe brezit ranor, ku do të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore dhe festive, duke ofruar më shumë hapësirë dhe shërbime për komunitetin dhe vizitorët e qytetit bregdetar.

/gj.m/a.f/

The post Nis transformimi i shëtitores bregdetare të Durrësit me hapësira të reja rekreative dhe gjelbërimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonzato: Bullizmi kibernetik kërcënim në rritje për fëmijët

17 January 2026 at 17:50

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë sot një mesazh kundër bullizmit kibernetik, duke e cilësuar atë si një kërcënim në rritje për fëmijët në Shqipëri dhe në të gjithë Europën.

Në deklaratën e tij, Gonzato theksoi se bullizmi kibernetik ndikon drejtpërdrejt në shëndetin mendor të fëmijëve dhe në ndjenjën e tyre të sigurisë, duke krijuar pasoja serioze në zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.

Sipas ambasadorit të BE-së, mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në hapësirën digjitale nuk mund të mbështetet vetëm te ligjet, por kërkon angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve të shoqërisë.

“Prindërit, shkollat, institucionet dhe shoqëria në tërësi duhet të veprojnë së bashku për të garantuar sigurinë e fëmijëve online”, u shpreh Gonzato.

Ai nënvizoi se politikat më të forta dhe dialogu i hapur janë elementë kyç për parandalimin e bullizmit online dhe për krijimin e një mjedisi digjital më të sigurt për fëmijët, duke theksuar rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe bashkëpunimit në nivel kombëtar dhe europian.

/gj.m/a.f/

The post Gonzato: Bullizmi kibernetik kërcënim në rritje për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Taulant Xhaka rrëfen emocionet me fanellën kuq e zi: Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës

17 January 2026 at 14:58

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Ish-mesfushori i Kombëtares shqiptare të futbollit, Taulant Xhaka ka rrëfyer në një intervistë për rubrikën e re të Federats Shqiptare të Futbollit “Legjendat Flasin”, emocionet dhe marrëdhëniet e tij me fanellën kuqezi.

Ai u ndal tek debutimi historik me fitore ndaj Portugalisë, momentet më të bukura dhe më të vështira me Kombëtaren, si dhe te vlerësimi për ekipin aktual.

“Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës. Është nder dhe besoj se është fanella më e bukur në botë”, shprehet Xhaka, duke theksuar krenarinë që i ka dhënë gjithmonë përfaqësimi i vendit.

Ai rikujton debutimin e tij me Kombëtaren si një ëndërr të bërë realitet, ndërsa ndeshjen kundër Serbisë e cilëson si momentin më të trishtuar.

Për sakrificat personale, ish-mesfushori  thekson se gjithmonë ka dhënë maksimumin, duke shtuar se “kisha vdekur për këtë fanellë”.

Duke folur për Kombëtaren aktuale, Xhaka vlerëson progresin e bërë ndër vite, talentin e lojtarëve të rinj dhe besimin se ekipi ka mentalitetin dhe kualitetin për të përballuar ndeshjet e play-off-it.

Ai veçon Qazim Laçin si lojtar që i kujton veten, si për stilin e lojës ashtu edhe për fanellën me numrin 14.

Në fund, mesazhi i tij për tifozët është i qartë: mbështetja e tyre ka qenë dhe mbetet vendimtare.

“Tifozët janë lojtari i 12-të”, shprehet Xhaka, duke i ftuar të jenë pranë ekipit në momentet kyçe.

/gj.m/a.f/

The post Taulant Xhaka rrëfen emocionet me fanellën kuq e zi: Jam fans i Shqipërisë dhe i skuadrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendër multimodale me energji diellore dhe 353 vende parkimi pranë Stacionit të Trenit në Durrës

17 January 2026 at 14:34

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, së bashku me kryetaren e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, kanë vijuar inspektimet e projekteve të rëndësishme urbanistike në qytetin e Durrësit.

Gjatë inspektimit, Rama dhe Sako ndaluan pranë parkimit të ri publik afër Stacionit të Trenit, ku ka përfunduar puna për godinën publike 7-katëshe, një investim i konceptuar si qendër multimodale në shërbim të qytetit dhe komunitetit.

Godina furnizohet me energji diellore dhe ofron 353 vende parkimi për automjetet, si dhe një stacion biçikletash. Krahas funksionit të parkimit, objekti përfshin edhe hapësira të dedikuara për zyra, ambiente për studentë dhe sipërmarrës të rinj në fushën e teknologjisë, si dhe hapësira për zhvillimin e aktiviteteve social-kulturore.

Projekti synon të lehtësojë qarkullimin dhe parkimin në një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, duke krijuar njëkohësisht ambiente funksionale që nxisin inovacionin, aktivitetin rinor dhe jetën komunitare.

Ky investim është pjesë e projekteve të transformimit urban në Durrës, me fokus zhvillimin e infrastrukturës publike, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë.

Kryebashkiakja Sako u shpreh se godina e parkimit është hapur në fund të dhjetorit.

“Këtu akomodohen rreth 353 mjete të parkua plus parkimet e biçikletave. Kemi edhe ambientet e zyrave, të cilat do të shërbejnë si qendër ku kompani të ndryshme inovatore, të rinj, të cilët punojnë me aplikacione, apo me inovacionin mund të akomodohen për të qëndruar këtu, për ta pasur si seli të vetën”, tha Sako.

Kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli tha se, “kjo është qendër multimodale jo thjesht parkim, ku përveç hapësirave të parkimit që janë të automatizuara çdo gjë, janë dhe ambientet për të rinj, për start-upet”.

Kryeministri vizitoi start-upet e ndryshme që operojnë në këtë qendër multimodale si dhe takoi të rinj që zhvillojnë praktikat e punës në këtë qendër.

Parkimi i ri në Durrës
1 nga 5
Parkimi i ri në Durrës

/gj.m/a.f/

The post Qendër multimodale me energji diellore dhe 353 vende parkimi pranë Stacionit të Trenit në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha thirrje diasporës për protesta para ambasadave: Republika është asgjësuar

17 January 2026 at 14:25

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje që diaspora shqiptare të organizojë protesta para ambasadave të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka “asgjësuar Republikën” dhe se po drejton një “narkoshtet”.

Deklaratat Berisha i bëri gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarë dhe përfaqësues të diasporës, ku u diskutua mbi format e protestës kundër qeverisë aktuale.

Në përgjigje të një komenti nga një qytetar i cili kërkoi qartësi mbi qëllimin e protestave duke theksuar vështirësitë e ardhjes nga Greqia në Tiranë, Berisha sugjeroi që opozitarët jashtë vendit të protestojnë para përfaqësive diplomatike shqiptare në kryeqytetet europiane.

“Sugjerimi im për ju dhe për të gjithë opozitarët në diasporë është të organizojnë protesta para ambasadave që përfaqësojnë narkoshtetin shqiptar, në mënyrë që bota të mësojë se ato nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por narkoshtetin e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.

Ai e akuzoi Ramën për shkatërrimin e sistemit të drejtësisë dhe shkeljen e Kushtetutës.

Berisha theksoi se angazhimi i shqiptarëve jashtë vendit është i domosdoshëm.

“Diaspora është e ftuar të organizojë protesta të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit. Republika nuk ekziston më, Edi Rama e ka asgjësuar republikën. Në një vend ku kushtetuta shkelmohet, ku drejtësia bllokohet, Republika është një letër e vdekur”, deklaroi ai.

/a.f/

The post Berisha thirrje diasporës për protesta para ambasadave: Republika është asgjësuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌