Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një konferencë për media ka folur për zhvillimet e fundit politike dhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke theksuar se ato mund të sjellin kosto të mëdha dhe të mos ofrojnë zgjidhje.
Kurti bëri të ditur se sot ishte planifikuar të mbahej edhe një seancë e Kuvendit për miratimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare, por sipas tij kjo nuk u bë e mundur.
“Në orën 14:00 ishte planifikuar edhe një seancë për marrëveshjet ndërkombëtare, e cila na u pamundësua. Marrëveshje me BERZH-in, me Bankën Evropiane për Investime, marrëveshja për Fondin Saudit për Zhvillim – pra 121 milionë euro në vlerë që dedikohen për projekte të rëndësishme jetike, e me rastin e shpërndarjes së Kuvendit pamundësohen këto”, ka deklaruar ai.
Ai foli edhe për zgjedhjet e reja duke thënë se kjo mund të marrë shumë kohë dhe të mos sjellë ndryshime reale në rezultat.
“Tash po shohim edhe zell për zgjedhje të reja e të përsëritura. Do të na marrin shumë kohë dhe nuk e shoh se si këto zgjedhje do të jenë zgjidhje. Nuk mund të presim zgjedhje të reja në këto fushata të përsëritura. Unë do të them se do t’i marr së paku 80 deputetë. Nuk besoj që zgjedhjet e reja do të jenë një zgjidhje e re”, ka thënë Kurti, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, mbajtja e zgjedhjeve të reja do të kishte edhe kosto financiare për shtetin.
“Së paku zgjedhjet do të kushtojnë edhe 10 milionë euro për ta përsëritur rezultatin”, është shprehur ai.
Ndërkaq, Kurti theksoi se sipas tij alternativa më e mirë është që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/
Ndërkaq, sot pas shpalljes së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani u mbajt një takim konsultativ për zgjedhjet e reja me liderët e partive politike.
Në atë takim nuk ishte i pranishëm kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i cili në të njëjtën ndërtesë po merrte pjesë në ekspozitën me rastin e shënimit të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ndërkaq, ai u pyet nga mediat për dekretin e presidentes, ndërsa u përgjigj se do të ketë një adresim sot pasdite. /Telegrafi/
Avokati Faton Fetahu ka vlerësuar se është fakt i pakontestueshëm se ka dështuar zgjedhja e Presidentit brenda afatit prej më së voni 30 ditëve para përfundimit të mandatit të Presidentes aktuale.
Fetahu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se po ashtu është fakt i pakontestueshëm se afati 60-ditor për zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit, sipas nenit 82 (3), ka filluar të rrjedhë nga data 5 janar dhe ka përfunduar dje, më 5 mars 2026.
“Presidenti nuk është zgjedhur dhe, për pasojë, në mënyrë automatike vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Prandaj, dekreti i Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, si rezultat i dështimit për ta zgjedhur Presidentin sipas afateve të mësipërme, është plotësisht kushtetues. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh nga shpallja e tyre”, ka shkruar Fetahu. /Telegrafi/
Për nder të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz u bënë homazhe nga një numër i madh qytetarësh nga të gjitha trevat shqiptare.
Ata vendosën lule dhe u përkulën me respekt pranë varreve të familjes Jashari, duke nderuar flijimin e tyre për lirinë e Kosovës.
Përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta në komunën e Klinës, Shkelzen Gashi, tha se në një ditë kaq të rëndësishme duhet të lihen anash inatet politike dhe të gjithë së bashku të nderojnë të rënët për liri.
“Sidomos kjo është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët. Duhet t’i lëmë anash të gjitha inatet dhe të bashkohemi në këtë vend, ku para 28 vitesh ka ndodhur një masakër e paparë. Sa herë vijmë këtu për vizitë kemi emocione shumë të forta. Të gjithë shqiptarët duhet t’i kenë, sepse është një ditë e madhe, flijimi i të gjithë familjes Jashari”, tha ai.
Ndërsa, një qytetar tjetër nga Llausha, Demir Batalli, tha se në ditë të tilla të mëdha duhet të bëhemi të gjithë bashkë.
“Duhet të gjithë të bëhemi bashkë si vëllazni, si për kryetarin, ashtu edhe për të gjithë. Sa më shumë të vonohemi, aq më keq është për Kosovën. Duhet të jemi një zë, me mirëkuptim e jo duke bërë hajgare. Kështu mendoj unë me mendjen time: qoftë fitoi Vjosa apo Konjufca, për ne është njësoj”, tha ai.
Ndërkaq, gjatë ditës së 6 marsit homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” bënë edhe krerët e shtetit: presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti i shoqëruar nga deputetë të tjerë të Vetëvendosjes, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Bedri Hamza së bashku me disa deputetë të kësaj partie, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj si dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku me deputetë të tjerë të kësaj partie dhe shumë të tjerë nga jeta politike.
Epopeja e UÇK-së përkujtohet çdo vit në Prekaz si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke rikujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit. /Kp/
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka thënë se sot është certifikuar anëtarja e re e Këshillit Prokurorisë së Kosovës (KPK) nga radhët e prokurorive themelore, për ta sjellë Këshillin në 6 nga gjithsej 7 anëtarë sa duhet të ketë KPK.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se ky hap është rezultat i ndryshimeve reformuese ligjore.
“Megjithatë, një super lajm sot, reforma në Këshillin Prokurorial të Kosovës drejt zbatimit të plotë. Sot është certifikuar anëtarja e re e KPK-së nga radhët e prokurorive themelore, për ta sjellë Këshillin në 6 nga gjithsej 7 anëtarë sa duhet të ketë KPK. Ky hap është rezultat i ndryshimeve reformuese ligjore, konkretisht Ligjit Nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, dhe pjesë e procesit të zbatimit të reformës në Këshillin Prokurorial të Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.
Tutje Gërvalla ka shkruar se ditë më parë Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurat për ta zgjedhur edhe anëtarin/en e mbetur jo prokuror/e, në mënyrë që e tëra të kompletohet në përputhje me synimet e reformës.
“Ky veprim funksionalizon tutje punën në KPK. Padyshim se ky është një zhvillim pozitiv që tregon se reforma po zbatohet, me qëllim të forcimit të integritetit, llogaridhënies dhe profesionalizmit në tërë sistemin prokurorial”, ka shkruar ndër të tjera Gërvalla. /Telegrafi/
Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur pas takimit konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, lidhur me zhvillimet politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.
Haradinaj bëri të ditur se në këtë takim janë diskutuar disa data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, ndërsa si opsione janë përmendur 5, 12 dhe 19 prilli megjithëse sipas tij mund të ketë edhe data të tjera në varësi të zhvillimeve.
“Sapo përfundoi takimi dhe rrjedhimisht presidentja ka vepruar në bazë të kompetencave që i ka, me dekretin për shpërndarjen e Kuvendit”, tha Haradinaj.
Ai komentoi edhe mungesën në takim të kryetarit të Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti.
“Mospjesëmarrja e LVV-së, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në këtë takim. Mosardhja e tyre sot, qoftë edhe me mendime të kundërta për t’i ballafaquar dhe për t’i paraqitur në këtë takim që është më i larti i mundshëm i partive politike me presidenten e vendit për një temë kaq të ndjeshme, është një lloj thyerje për vendin dhe institucionet”, u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke e cilësuar si një veprim të panevojshëm.
“Mendoj që adresimi në Kushtetuese është një fyerje në vetvete me procesin. Ata e kanë ditur afatin 30-ditor dhe kanë bërë hajgare edhe me thirrjen e seancës dje. Në çfarëdo situate duhet ta ruajmë nderin. Askush nuk ia ka fajin LVV-së për sjelljen e tyre”, tha Haradinaj.
Sa i përket datës së zgjedhjeve, ai theksoi se partia që ai drejton nuk ka ndonjë preferencë të veçantë.
“Datat mund të jenë opsionet 5, 12 dhe 19 prill. Mund të ketë edhe ndonjë datë tjetër për shkak të zhvillimeve, por ne nuk kemi ndonjë datë të preferuar. Ne e respektojmë cilëndo datë nga këto data”, deklaroi Haradinaj. /Telegrafi/
Ka nisur takimi konsultativ mes presidentes së vendit, Vjosa Osmani, dhe liderëve të disa prej partive politike parlamentare lidhur me procesin e zgjedhjeve të reja në Kosovë.
Në këtë takim po marrin pjesë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, si dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
Takimi është thirrur nga presidentja për të zhvilluar konsultime me përfaqësuesit e partive politike në lidhje me zhvillimet e fundit politike dhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare.
Në këtë takim nuk po merr pjesë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. /Telegrafi/
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar kërkesën e parashtruar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Kjo kërkesë vjen pasi që një ditë më parë kryetarja e Kuvendit iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar interpretim lidhur me ligjshmërinë e nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit.
Nga Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për Telegrafin kanë bërë të ditur se kërkesa është pranuar zyrtarisht dhe se vendimi do të merret vetëm pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të paraqitura në kërkesë.
“Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe vendosjen e masës së përkohshme, është parashtruar në mënyrë elektronike, më 5 mars 2026. Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës.
Ndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten ndërpreu seancën për zgjedhjen e presidentit të ri për shkak të mungesë së kuorumit.
Në seancë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, shumë më pak se numri i nevojshëm për të arritur kuorumin.
E pas ndërprerjes së seancës për zgjedhjen e presidentit të ri, kryetarja e Kuvendi i Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se i janë drejtuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Sipas saj, përmes kësaj kërkese është kërkuar gjithashtu që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit. /Telegrafi/
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagvci, pyet presidenten e vendit Vjosa Osmani që të thotë me emër e me mbiemër se kush janë njerëzit e papërgjegjshëm dhe nëse janë janë të rrezikshëm për situatën e krijuar.
Nagavci përmes një konference për media ka thënë se është obligim i saj dhe është për keqardhje të dëgjohen këto deklarata.
“Zonja Osmani, e cila aktualisht vazhdon të jetë presidente, ka obligim institucional, kushtetues, personal, të tregojë me emra dhe mbiemra kush janë këta emra të papërgjegjshëm dhe, mbi të gjitha, nëse janë njerëz të rrezikshëm, jo vetëm, sepse duhet ta bëjë të qartë për qytetarët, por edhe është mirë të tregojë nëse ka qenë në njohuri të këtyre planeve çfarë ka ndërmarrë ajo si presidente që t’i pengojë këto plane të rrezikshme. Është obligim i saj dhe është për keqardhje të dëgjohen këto deklarata”, ka thënë Nagavci.
Ndryshe, sot në konferencën e jashtëzakonshme për media, presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur papërgjegjësi që Kuvendi nuk ka arritur ta zgjedhë presidentin e ri, derisa ka thënë se situatën e sollën njerëz “me qëllime të rrezikshme”.
“Askush nuk do duhej të dëshironte një cikël tjetër politik, sidomos në këtë moment kur vendi ka nevojë për stabilitet. Por këtu e sollën vendin njerëz të papërgjegjshëm e me qëllime të rrezikshme”, deklaroi ajo. /Telegrafi/
Në Gjykatën Supreme të mërkurën u mbajt seanca në rastin ku prokurorja Merita Kurtishi-Gaka ka paditur Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) duke kërkuar anulimin e disa dispozitave të Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit.
Sipas paditë së dorëzuar në Gjykatën Supreme, Departamenti për Çështje Administrative, përmes padisë kërkohet anulimi i nenit 5, paragrafi 1 dhe 2, si dhe neni 10, paragrafi 11 dhe 12 të Rregullores së KPK-së NR/05/2025 të datës 3 shtator 2025 për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në fjalën hyrëse, përfaqësuesi i paditëses Kurtishi-Gaka, avokati Driton Muharremi tha se dispozitat për të cilat kërkon të shfuqizohen, janë në kundërshtim me Kushtetutën.
“Në emër të paditëses, paraqesim në mënyrë të përmbledhur objektin e padisë që kërkohet anulimi i dispozitave ligjore. Të njëjtat janë miratuar dhe zbatuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë avokati Muharremi.
Në vazhdim, avokati Muharremi theksoi se Rregullorja në fjalë është në kundërshtim edhe me disa parime.
“Shkelja e parimit të legalitetit, akteve juridike. Mospërputhja e ligjeve. Shkelja e Kushtetutës, barazia dhe pjesëmarrja. Kundërshtimet e standardeve të diskriminimit dhe standardet e administratës publike”,theksoi avokati Muharremi.
Ndërsa, përfaqësuesi i ttë paditurës- Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, në fjalën hyrëse theksoi se mbetet pranë përgjigjes në padi dhe vazhdoi duke kundërshtuar edhe propozimin për masën e përkohshme të sigurisë.
“Mbesim në tërësi pranë përgjigjes në padi dhe e kundërshtojmë padinë si të pabazuar. Si dhe kundërshtojmë propozimin për masën e përkohshme të sigurisë. Fillimisht, sa i përket propozimit për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë, paditësja i është referuar nenit 99, paragrafit një dhe dy të Ligjit të Konfliktit Administrativ, për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë. Por, që në fakt ajo lëshohet vetëm për kërkesë për masën e sigurisë sipas paragrafit 1, e që ka të bëjë me masën e sigurisë, në rastet e padisë për anulimin e një akti administrativ, paditësja nuk arrin të argumentojë asnjë bazë sipas paragrafit dy dhe as nuk lëshohet në arsyetimin se përse kërkon masën e sigurisë”, theksoi Istrefi.
Sipas tij, për caktimin e masës së sigurisë, duhet të plotësohen dy kushte kumulative, të cilat paditësja, sipas tij, ka dështuar t’i argumentojë.
“Sipas nenit 100, paragrafi një i LKA-së, që të caktohet masa e sigurisë, në rastin e padisë për anulimin e një akti nënligjor, duhet të plotësohen dy kushte kumulaiive dhe atë 1. Marrja e masës së sigurisë është e domosdoshme për të shmangur një dëm të rëndë të pakthyeshëm të interesave të propozuesit të masës dhe 2. Marrja e masës së sigurisë nuk cenon rëndë interesin juridik dhe publik. Paditësja ka dështuar të argumentojë, të dyja këto kushte komulative të masës së sigursisë”, përfundoi Istrefi.
Ndërsa përfaqësuesi i palës me interes- Elza Bajrami-Kastrati, avokati Kujtim Kërveshi e dorëzoi deklaratën e tij me shkrim, ndërsa gjatë deklarimit tha se ky proces po zvarritet me qëllim.
“Në katër-pesë muajt e fundit jemi dëshmitarë të një procesi me qëllim i zvarritur, këto veprime qëllimkëqia dëshmohen në datën e dorëzimit të kësaj padie”, është shprehur Kërveshi.
Kërveshi tha se paditësja e ka humbur garën për anëtare të KPK-së.
“Paditësja ka humbur garën për anëtarët e KPK-së, më 1 nëntor 2025, pas katër muajsh të sagave të cilat i kemi parë në publik, e të diskutimeve dhe të veprimeve, të cilat para observuesit të pavarur, e sjellin në minimum besimin në organet e drejtësisë siç është KPK-ja. Para një muaji patëm një padi tjetër të paraqitur para jush, parashtrimi i kësaj padie. Por, edhe parashtrimi i padive duhet ta ketë në themel etikën profesionale”, vazhdoi Kerveshi.
Lidhur me diskriminimin, Kërveshi theksoi se procedura është në rregull për të dyja palët.
“Çështja e parë ishte diskriminimi. Si në këtë padi, si në padinë që e kemi dëgjuar para një muaji, cila është kategoria e diskriminuar? Në garë kanë marrë pjesë dy kandidate. Meqenëse gjinia është e njëjtë, cila është baza e diskriminimit? Çështja e dytë, u ngrit barazia e votës, për shkak të kufizimit të votimit në nivel. Si mund të përkthehet kjo juridikisht? Paditësja pasi ka humbur garën pasi ka marrë pjesë pa kundërshtim, në këtë rregullore, mbi këto rregulla të vendosura, pas katër muajsh parashtron padi për procesin që ka humbur garën. Cili është parimi bazë i shkelur në pjesëmarrje? E njëjta procedurë e njëjta rregull, për të dyja palët”, ka përfunduar Kerveshi.
Kryetari i kolegjit, Faton Ademi, pas fjalës hyrëse vazhdoi me procedurën e administrimit të provave. Më pas, u dha fjala përfundimtare nga palët në proceduë.
Avokati Muharremi në fjalën përfundimtare tha se nuk ka asgjë qëllimkeqe siç tha paraprakisht avokati i palës tjetër.
“Sa i përket fjalës hyrëse të përfaqësuesit të KPK-së, kishte të bënte me masën ndërsa pjesa tjetër kishte të bënte me hartimin e rregullores dhe ligjit, por nuk pat asnjë pretendim që do ta kundër-argumentonte krejt atë që e thash unë. Ndërsa sa i përket përfaqësuesit tjetër, më vjen keq që e çoi narrativën si të ishte personale dhe nuk ka asgjë këtu personale apo qëllimkëqija”, ka thënë Muharremi. /BetimipërDrejtësi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka kryer homazhe sot për nder të 28 vjetorit të shënimit të Epopesë së UÇK-së, në Prekaz.
Hamza përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se
"Sot, në Prekaz, në vendin e shenjtë të sakrificës, nderuam komandantin legjendar Adem Jashari, Hamzën, bacën Shaban dhe të gjithë të rënët e familjes heroike Jashari. Pas homazheve, vizitova edhe bacën Rifat, në shtëpinë që u bë kala e lirisë, ku çdo gur, çdo rrëfim dhe çdo kujtim dëshmon për sakrificën e jashtëzakonshme për atdheun. Në fjalët e tij të qeta dhe në qëndrimin burrëror ndjehet ende pesha e historisë dhe madhështia e një familjeje që e ktheu qëndresën në betim për liri", ka shkruar Hamza.
Siç ka thënë Hamza" "Sakrifica e familjes Jashari mbetet një amanet i përhershëm, që na thërret ta ruajmë dhe forcojmë Kosovën për çdo brez. Lavdi e përjetshme komandantit Adem Jashari dhe gjithë të rënëve të familjes Jashari". /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme do të zhvillojë konsultime me liderët e partive politike për të përcaktuar datën e zgjedhjeve të reja parlamentare.
Siç merr vesh Telegrafi takimi pritet të mbahet në orën 13:00 në presidencën e Kosovës.
Ndryshe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përshëndeti vendimin e presidentes, duke e cilësuar si një veprim në mbrojtje të rendit kushtetues dhe gatishmëri për zgjedhje të reja demokratike.
Nga ana tjetër këshilltari i kryeministrit, Jeton Zulfaj, thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka respektuar Kushtetutën dhe ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, opozita është akuzuar për bojkot të procedurave institucionale, duke vonuar procesin dhe duke penguar zgjedhjen e kreut të shtetit. /Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, raporton KosovaPress.
Para mediave, gjatë homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, kreu i ekzekutivit tha se vendimin e Osmanit nuk e komenton në Prekaz.
Sipas tij, do të ketë mjaftueshëm kohë që për këtë çështje të përgjigjet në Prishtinë.
Lëvizja Vetëvendosje veçse ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media në ora 12:30.
Ndërsa kryeministri Kurti tha se do të ketë edhe aktivitete tjera në kuadër të Epopesë së UÇK-së.
“Sot është dita e dytë e Epopesë së UÇK-së në ora 13:00. E kemi edhe një ekspozitë në hollin e Kuvendit, pastaj në ora 19:00 e kemi akademinë përkujtimore, për të gjitha çështjet e politikës ditore do të mund të flas dhe t’iu përgjigjem nga Prishtina”, ka thënë ai.
Presidentja, Vjosa Osmani sot (e premte) ka njoftuar se ka nxjerrë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, siç tha ajo, pas dështimit të deputetëve për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues. /KP//Telegrafi/
Persona të panjohur kanë grisur një flamur në sheshin “Adem Jashari”, në Mitrovicë.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 02:40.
Tutje thuhet se lidhur me rastin janë duke u marrë njësitë përkatëse policor.
Ndërsa rasti është cilësuar si "Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit".
“Sheshi Adem Jashari, Mitrovicë Jug / 05.03.2026 - 02:40. Është raportuar se nga persona të panjohur është grisur një flamur. Lidhur me rastin janë duke u marrë njësitë përkatëse policore”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një grua (shtetase e Turqisë) është arrestuar pasi që e njëjta ka tentuar të udhëtoj me pasaporta në emër të personave të tjerë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 11:00 në aeroportin “Adem Jashari”.
Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit dokumentet e falsifikuara janë sekuestruar.
“ANP-së Adem Jashari/ 05.03.2026 - 11:00. Është arrestuar e dyshuara femër shtetas e Turqisë, pasi që njëjta ka tentuar të udhëtoj me pasaporta në emër të personave të tjerë. Me vendim të prokurorit dokumentet e falsifikuara janë sekuestruar dhe e dyshuara pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Brenda 24 orëve janë raportuar tre raste të vdekjeve në Gjilan, Zveçan dhe Prizren.
Sipas raportit një grua është gjetur pa shenja jetë e shtrirë në oborrin e saj.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Ksovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 04.03.2026, në Gjilan.
Tutje thuhet se me vendim të prokurit trupi i pajetë është dërguar në IML.
“Pasi është raportuar se viktima femër ndodhet e shtrirë në oborrin e saj, lidhur me rastin njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin ngjarjes ku është konstatuar vdekja e viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport.
Po ashtu edhe në Zveçan një person është gjetur pa shenja jete.
“Më 05.03.2026 është raportuar se është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion”.
Edhe në Prizren një person është dërguar në spitalin rajonal, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e viktimës.
“Prizren /05.03.2026 - 13:20. Lidhur me rastin viktima mashkull kosovar është dërguar në spitalin rajonal Prizren, ku ekip mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi pajetë është dërguar në IML për Obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një person i maskuar nën kërcënimin e pistoletës ka kryer veprën “grabitje në tentativë”.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 12:48, në Prishtinë.
Tutje bëhet e ditur se i njëjti është larguar në drejtim të panjohur me motoçikletë.
“Është raportuar se një person i dyshuari i maskuar nën kërcënimin e pistoletës ka kryer veprën e lartcekur. I njëjti është larguar në drejtim të panjohur me motoçikletë. Lidhur me rastin nuk ka të lënduar, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Një person ka raportuar se një grua është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohur për vendndodhjen e saj.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur më 03.03.2026 në rrugën “Xhemajl Mustafa”, në Podujevë.
Tutje bëhet e ditur se rasti është nën hetime.
“Është raportuar se viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk ka njohuri për vendndodhjen e saj, rasti nën hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Në pikën kufitare Vërmicë, zyrtarët e doganorë kanë parandaluar një rast të tentimit për futjen e mallrave të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës, duke ndaluar për kontrollë një automjet që hynte në vend.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas pyetjes standarde nga ana e zyrtarit doganor nëse posedonte mallra për deklarim, drejtuesi i automjetit është përgjigjur negativisht.
Tutje thuhet se megjithatë, bazuar në analizën e riskut, automjeti është selektuar për kontroll në vijën e dytë.
“Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar gjithsej 610 produkte të ndryshme kozmetike dhe të kujdesit personal, përfshirë produkte për kujdesin e lëkurës dhe flokëve, maska për fytyrë, si dhe parfume të markave të njohura”, thuhet në njoftim.
Po ashtu siç bëhet e ditur me këtë rast është konstatuar kundërvajtje doganore për mosdeklarim të mallrave, ndërsa ndaj rastit janë ndërmarrë veprimet procedurale në përputhje me legjislacionin doganor në fuqi.
“Dogana e Kosovës rikujton të gjithë udhëtarët dhe operatorët ekonomikë se çdo mall që tejkalon kufijtë e lejuar duhet të deklarohet pranë autoriteteve doganore, në mënyrë që të shmangen shkeljet ligjore dhe pasojat që rrjedhin nga to”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/
Autoriteti i Konkurrencës ka bërë të ditur se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Republikën e Kosovës, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se autoriteti bën të ditur se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim.
“Përmes këtij monitorimi, Autoriteti synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg. Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike.
“Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të reflektojnë drejtimin dhe përmasën e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, duke u bazuar gjithmonë në parimet e transparencës, funksionimit të rregullt të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga çmime të padrejta apo praktika që cenojnë konkurrencën në tregun e karburanteve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se Autoriteti u bën thirrje bizneseve që: të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme, të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë, të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve, veçanërisht në këtë periudhë të zhvillimeve ekonomike dhe gjeopolitike.
Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky proces monitorimi po zhvillohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me MINT-in, ATK-në, Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim të sigurimit të respektimit të plotë të legjislacionit në fuqi, si dhe të vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/