Lufta ndaj kancerit, Sala: Së shpejti, tre akseleratorë linearë dhe aparat i ri për brakiterapinë
TIRANË, 5 shkurt/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala mori pjesë sot në forumin “Kontrolli i kancereve në Shqipëri: Parandalim, Depistim dhe Kujdes ndaj pacientit”, organizuar në kuadër të Ditës Botërore të Kancerit.
Në fjalën e saj, Sala tha se “kanceri është një sfidë e përbashkët e gjithë shoqërisë dhe si i tillë, kërkon një qasje multidimensionale, por të mirëkoordinuar. Po punojmë për ngritjen e një ekosistemi që përfshin disa elemente thelbësore, një ndër to është depistimi e parandalimi, një shembull i mirë këtu është kanceri i qafës së mitrës, ku këtë vit kemi zgjeruar fashën e depistimit nga 40-50 vjeç në 35-55 vjeç, si dhe kemi filluar vaksinimin kundër HPV për vajzat dhe djemtë”, nënvizoi Sala.
Ministrja Sala e vuri theksin edhe tek krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe i Rrjetit Kombëtar të Kancerit.
“Kjo do të sjellë disa risi si ngritjen e një Institucioni Kërkimor-Shkencor sipas modeleve europiane. Gjatë këtyre muajve (jo më larg se dje në INT Milano) kam takuar mjekë shqiptarë të rinj që punojnë në institucione europiane të ekselencës dhe kanë dëshirën për të kontribuar në këtë reformë historike. Madje disa janë bërë pjesë e grupeve të ndryshme të punës dhe së bashku me mjekët shumë të mirë që kemi në Shqipëri po punojmë intensivisht për të çuar përpara këtë projekt të rëndësishëm. Për fat të mirë, aseti ynë kryesor është kapitali njerëzor”, theksoi Sala.
Sipas saj, Rrjeti Kombëtar i Kancerit do të mundësojë ofrimin e shërbimit onkologjik afër pacientit, me të njëjtat protokolle trajtimi si në Tiranë, nëpërmjet një modeli “Hub and Spoke”.
Më tej Sala u ndal te plotësimi i mungesave të barnave onkologjike dhe zgjerimi i listës së barnave të rimbursueshme.
“Nëpërmjet një procesi transparent e rigoroz, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi, kemi arritur të ekonomizojmë koston e barnave, përfshi ato të rimbursueshme. Kjo na mundëson zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme, mbi të gjitha ato onkologjike, duke ruajtur cilësinë e barnave”, shtoi ministrja.
Ministrja Sala foli edhe për përmirësimin e kapaciteteve të trajtimit me radioterapi.
“Kjo ka qenë një problematikë e vazhdueshme e shërbimit onkologjik. Falë një bashkëpunimi të shkëlqyer me Agjencinë Atomike, shumë shpejt do të kemi 3 akseleratorë linearë funksionalë dhe sigurisht po punojmë të sjellim sa më shpejt aparatin e ri modern të brakiterapisë”, tha Sala.
Duke falënderuar të gjithë ata që kanë punuar intensivisht për të vendosur në jetë këtë reformë të rëndësishme në fushën e onkologjisë, Sala u shpreh se “forca lëvizëse e reformave thelbësore është puna në skuadër, me një fokus të qartë: pacienti në qendër”.
/k.s/r.e/a.f/
The post Lufta ndaj kancerit, Sala: Së shpejti, tre akseleratorë linearë dhe aparat i ri për brakiterapinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.