Mbi 1.2 milionë persona erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit
TIRANË, 23 dhjetor/ATSH/ Shqipëria edhe gjatë muajit nëntor ka tërhequr vizitorët e huaj, duke konfirmuar pozicionin e saj si një nga destinacionet më të preferuara turistike në rajonin e Ballkanit edhe gjatë stinës së dimrit.
Gjatë muajit nëntor të këtij viti në territorin e Shqipërisë kanë hyrë 1.282.118 shtetas shqiptarë dhe të huaj, duke shënuar një rritje me 1,4 %, krahasuar me nëntorin e një viti më parë.
Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT 1.322.499 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar një rritje me 3,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Në nëntor 2025, numri i shtetasve shqiptarë që kanë hyrë në territorin shqiptar është 652.150, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me Nëntor 2024. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 629.968. Ky numër është rritur me 4,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024”, thuhet në njoftimin e INSTAT.
INSTAT bën të ditur se “në nëntor 2025, 96% e hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri janë nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore zë 86 % të hyrjeve të shtetasve të huaj nga kontinenti Evropian, ndjekur nga Evropa Perëndimore me 5 %, Evropa Qendrore/ Lindore dhe Evropa Veriore secili me 4 %”.
Sipas INSTAT, qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 97 % të rasteve është për qëllime personale.
“Në nëntor 2025, ky tregues ka shënuar një rritje me 4,5 % krahasuar me Nëntor 2024. Hyrjet e shtetasve të huaj për qëllime biznesi dhe profesionale kanë rënë me 3,6 %”, theksohet në njoftimin e INSTAT.
Ndërkohë sa i takon daljeve në muajin nëntor 2025, 677.065 shtetas shqiptarë numërohen të kenë dalë nga territori i Shqipërisë, duke shënuar rritje me 7,5%, krahasuar me Nëntor 2024.
“Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Nëntor 2025 janë 645.434. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky tregues paraqitet pothuajse i pandryshuar, me një rënie shumë të lehtë prej 0,01%”, vlerëson INSTAT.
/k.s/a.f/
The post Mbi 1.2 milionë persona erdhën në Shqipëri gjatë nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
