TIRANË, 13 janar/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u shpreh sot se ky institucion qëndron në këmbë përballë sfidave të shumta ndër vite.
Në aktivitetin e organizuar në Hotel International, me rastin e 113-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, ku të pranishëm ishin edhe drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, kreu i BKH-së, Joni Keta, e të tjerë përfaqësues të lartë, Proda tha se 13 janari është një ditë historike dhe jetike për vendin tonë sepse pa rend nuk ka liri dhe pa siguri nuk ka të ardhme.
“Kjo e vërtetë e thjeshtë ka udhëhequr misionin e Policisë së Shtetit që nga dita kur plaku i mençur, kryeministri i saj kohe Ismail Qemali vendosi krijimin e Policisë së Shtetit, e cila përgjatë rrugëtimit të saj ka qenë gur themeli i rendit, i ligjit, stabilitetit shoqëror por edhe simbol i bashkimit kombëtar”, tha Proda.
Proda tha se Policia shqiptare ka ecur krah për krah me historinë e vendit, ka përballuar sfida të mëdha, dhe momente vendimtare por duke ruajtur me fanatizëm misionin e mbrojtjes së jetës, pronës dhe sigurisë së qytetarëve.
“Misioni i saj është simbol sakrifice, guximi dhe përkushtimi ku çdo uniformë flet për një detyrë, çdo emblemë për një frymë dhe çdo veprim për një premtim të patundur ndaj shoqërisë. Gjatë 113 viteve, 231 punonjës të policisë ranë dëshmorë pasi dhanë gjithçka duke vendosur jetën e tyre mbi çdo rrezik për të mbrojtur qytetarët dhe ligjit. Në këtë rrugëtim 113-vjeçar kanë kontribuuar gjenerata të tëra dhe sot gjejmë rastin të shprehim mirënjohjen për veteranët e policisë, ata janë thesari i përvojës dhe burim frymëzimi i profesionalizmit për brezat e rinj”, tha Proda.
Sipas Prodës, viti 2025 tregoi fuqinë dhe vendosmërinë e Policisë në operacione të suksesshme kundër grupeve kriminale, luftë të pandërprerë ndaj kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, zbardhje të ngjarjeve kriminale, ulje të kriminalitetit, përballim të suksesshëm të sezonit turistik dhe të aktiviteteve me famë ndërkombëtare, si dhe zhvillim të Akademisë së Sigurisë si një qendër moderne dhe konkurruese për të rinjtë.
“Të gjitha këto janë dëshmi se Policia e Shtetit nuk stepet, nuk thyhet dhe nuk ndalon kurrë. Ajo zhvillohet, trajnohet dhe punon çdo ditë më mirë, për qytetarin dhe ligjin. Përpos kësaj, organizata jonë nuk është perfekte, ashtu si dhe ne nuk jemi të tillë. Të gjithë ne jemi në sfidë të përditshme, sfidë me veten, sfidë me standardet, sfidë me pritshmëritë, për të mësuar nga gabimet dhe për t’u përmirësuar”, vijoi ai.
Proda nënvizoi se çdo operacion, çdo mision dhe çdo angazhim është provë se ligji nuk është thjesht një normë, por një realitet i prekshëm për qytetarët.
“Rezultatet e vitit të kaluar tregojnë se bashkëpunimi dhe koordinimi me partnerët kombëtarë dhe ndërkombëtarë janë baza e suksesit tonë. Policia e Shtetit është tashmë një partner i besueshëm dhe i barabartë, e angazhuar në skuadra hetimore dhe operacione të përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe krimeve globale, në funksion të rritjes së sigurisë kombëtare, rajonale dhe më gjerë”, tha Proda.
Drejtuesi i Policisë së Shtetit shtoi se profesionalizmi dhe besueshmëria e Policisë së Shtetit, përgjatë vitit 2025, u vlerësuan me çmime dhe tituj nga partnerët ndërkombëtarë.
“Ne jemi ajo që bëjmë dhe jo ajo që flitet për ne, nëpërmjet sulmeve dhe përbaltjes së padrejtë ndaj kontributit të mijëra burrave dhe grave, djemve dhe vajzave që sakrifikojnë çdo ditë për të mirën e përgjithshme”, përfundoi Proda.
/e.i/j.p/
The post 113-vjetori i themelimit, Proda: Policia, tashmë partner i besueshëm i angazhuar në skuadra hetimore ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.