Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Main stream

Veliaj depoziton kallëzim penal për falsifikim dokumentesh gjyqësore

TIRANË, 20 janar /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Ky kallëzim lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emrin e Erion Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.

Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Durrës, ku Veliaj ndodhet i paraburgosur.

“Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë IEVP Durrës. Në kallëzim thuhet se mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë”, theksohet në njoftimin për shtyp të Veliajt.

Sipas Veliajt, ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar realisht humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.

Në kallëzim kërkohet regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal, ekspertim grafik i nënshkrimit, hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.

Një kopje e kallëzimit penal i është depozituar gjithashtu Gjykatës së Lartë, si provë se afatet procedurale për ushtrimin e rekursit nuk kanë filluar kurrë ligjërisht, për shkak të mungesës së një njoftimi të vlefshëm.

/k.s/r.e/a.f/

The post Veliaj depoziton kallëzim penal për falsifikim dokumentesh gjyqësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Shefi i shërbimit të Reanimacionit në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Krenar Lilaj deklaroi sot se ndërprerja e energjisë elektrike mbrëmjen e kaluar në Godinën A2 të QSUNT nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve.

Në një deklaratë për mediet, Lilaj theksoi se “pacientët që kanë qenë të shtruar në reanimacionin kirurgjikal, vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”.

“Momenti më delikat është trajtimi i të sëmurëve që kanë nevojë për asistencën respiratore. Këto pacientë, në kushte të ndërprerjes së energjisë elektrike janë me pajisje back up që siguron funksionimin e tyre të potë më energji të akumuluar që janë të inkorporuar në këto aparate. Trajtim i i këtyre të sëmurëve vazhdoi normalisht, pasi këta të sëmurë e marrin mjekimin nëpërmjet aparateve që janë me back up”.

“Ndërprerja e energjisë elektrike zgjati disa minuta. Nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte, për të shmangur mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit apo në njësinë e terapisë intensive të godinës ngjitur. Zhvendosja u bë vetëm 20 metra më larg, duke siguruar vazhdimin e trajtimit edhe në kushtet e reja të reanimacionit tjetër. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 prej të cilëve ishin në respiracion të drejtuar, domethënë që frymëmarrja e tyre sigurohej nëpërmjet aparateve respiratore”, theksoi Lilaj.

Lilaj vuri në dukje se “ne kemi mjetet që transporti i tyre të realizohet më respiratorë portativë, pa u cenuar shërbimi. Transporti ishte i shkurtër. Trajtim i të sëmurëve, i cili u krye të mënyrë të kontrolluar, vazhdoi në reanimacionin e kardiologjisë për rreth 30 minuta. Në 20:18 ikën dritat dhe në 20:43 filluam transportin e të sëmurëve, teksa rreth orës 21:10 përfundoi transporti i të sëmurëve. Pas disa minutash u rikthye energjia elektrike dhe pasi morëm siguri, pacientët u rikthyen përsëri në njësinë e terapisë intensive”.

“Pasi morëm njoftimin për rikthimin e energjisë pacientët rikthehen në orën 22:00 në mënyrë të kontrolluar, pa komplikacione. E them me përgjegjësi të plotë, nga pikëpamja funksionale, ndërprerja e energjisë, nuk ka cenuar aspak trajtimin e pacientëve. Ata që kanë qenë në reanimacionin kirurgjikal vazhduan ta merrnin trajtimin aty pa vështirësi dhe nuk ka komplikacion të situatës për sa i përket këtyre pacientëve”, nënvizoi Lilaj.

I pyetur nga gazetarët nëse është normale ndërprerja e energjisë elektrike, Lilaj tha se “si të them që është normale ndërprerja e energjisë elektrike në njësinë e terapisë intensive?!  Detyra ime është të mbroj jetën e të sëmurëve. Në çfarëdolloj situate ne jemi të gatshëm për të mbrojtur jetën. Kjo pyetje nuk më përket mua”.

Pyetjes për humbjen e jetës të një të sëmuri të dënuar, Lilaj iu përgjigj se “i sëmuri po trajtohej në njësinë e terapisë intensive kirurgjikale. Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën që është shtruar, të dielën pasdite. Ka pasur ceroza hepatike dhe ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht, i sëmuri është ndarë nga jeta në orën 04:18 minuta të mëngjesit”.

Më tej Lilaj tha se “vendimi që morëm ne për transferimin e pacientëve në reanimacionin kardiologjik, ishte për të shmangur rënien e njëkohshme të këtyre pajisjeve, gjë që do të shkaktonte probleme në transportin e pacientëve. Them me siguri që aparatet e reja sigurojnë energji për 5-6 orë. Incidente të tilla kemi pasur rëndom shumë vite më parë. Një ngjarje e ngjashme ndodhi dhe përpara 1-2 vitesh, e cila u kalua me sukses nga ana jonë, ashtu si dhe mbrëmjen e kaluar”.

/k.s/r.e/a.f/

The post Lilaj: Jeta e pacientëve nuk u cenua nga ndërprerja e energjisë në QSUT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhuka: 12 nisma ligjore për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka prezantoi sot paketën prej 12 nismash ligjore, të cilat i ka në shqyrtim Kuvendi i Shqipërisë.

“Këto nisma lidhen me forcimin e shtetit të së drejtës, sundimin e ligjit, luftën kundër krimit dhe krimit të organizuar, zbatimin më të mirë të reformës në drejtësi dhe në fund dhe jo për nga rëndësia, mbrojtjen nga diskriminimi, mbështetjen për familjen, gratë, për të miturit etj., ndryshe, të drejtat e njeriut dhe drejtësia shoqërore. Duke provuar që vendi e ka vullnetin social politik dhe aftësinë institucionale për t’i mbrojtur shtetasit e vet, për t’i ofruar shërbime më të mira të standardit europian gjithnjë e më të krahasueshme me ato të qytetarëve të një vendi anëtar të BE-së”, theksoi Dhuka, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogun, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Sipas saj, kjo paketë prej 12 nismash ligjore të rëndësishme ka në përmbajtjen e saj 6 projektligje, të cilat i janë propozuar Kuvendit nga Këshilli i Ministrave dhe 6 projektligje të cilat janë iniciuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Kryenegociatorja Dhuka vuri në dukje se “e veçanta e kësaj pakete është se ajo garanton progres në lidhje me standardin europian dhe praktikën më të mirë të vendeve anëtare në 3 grupe çështjesh të rëndësishme. Së pari, në luftën krimit dhe krimit të organizuar; së dyti, në lidhje me barazinë dhe drejtësinë sociale, mbrojtjen e familjes, të nënës dhe të të miturve; së treti, në masat për parandalimin e korrupsionit”.

Më tej Dhuka u shpreh se “së bashku me dy kolegët e mi ne do t’i prezantojmë më me hollësi këto nisma të rëndësishme të transformimit europian. Kjo paketë në zemrën e saj ka një numër përafrimesh me ligjin europian të ligjit shqiptar, duke filluar nga shtatë direktiva në ndryshimet e Kodit Penal, në dy direktiva në projektligjin “Për mbrojtjen nga dhuna”, apo në rregulloren e përafruar plotësisht në projektligjin “Për importin dhe eksportin e armëve”, që garanton parandalimin e trafikut të armëve në Shqipëri”.

“Kjo paketë sjell një numër risish. Për herë të parë përmes kësaj pakete Shqipëria do të dekriminalizojë plotësisht veprën penale të shpifjes ndaj gazetarëve, duke rritur mbrojtjen ndaj gazetarëve në misionin e tyre të rëndësishëm për fjalën e lirë dhe për lirinë e shprehjes në Shqipëri, duke u garantuar në të njëjtën kohë një mbrojtje të re nga kanosja për shkak të detyrës”, tha Dhuka.

“Një numër vendesh të BE e kanë ende të kriminalizuar shpifjen, përfshirë edhe gazetarët për shkak se ekzistojnë edhe sfida të mëdha në lidhje me dezinformimin për shkak të epokës digjitale në të cilën jetojmë. Por Shqipëria mendon se realizimi i këtij ndryshimi është një investim i rëndësishëm në demokraci dhe lirinë e shprehjes dhe në forcimin e rolit të madh që kanë gazetarët në këtë drejtim”, theksoi Dhuka.

Kryenegociatorja Dhuka u shpreh se “një risi tjetër e rëndësishme është që pas shumë vitesh Shqipëria më në fund do të ketë një ligj që rregullon aktivitetin e lobimit, për të rregulluar me kujdes ndërhyrjet në vendimmarrjen publike”.

Sipas saj, pas 31 vitesh, Shqipëria do të ketë një ligj të ri për donacionet dhe sponsorizimin.

“Ligji ekzistues për sponsorizimin është i vitit 1994. Me ligjin e ri afrojmë praktikën pranë praktikës dhe standardit europian. Njëherësh do të krijohet një regjistër për lobimin, ku gazetarët, qytetarët, të interesuarit kanë informacion dhe njëkohësisht një regjistër për sponsorizimin dhe donacionet si përpjekje e jona për të rritur dimensionet e nismës “Shqipëria transparente” – që ministrja për antikorrupsionin e ka prezantuar edhe më herët – dhe për të treguar se nisma është e gjallë dhe përmirësime të vazhduara i bëhen përpjekjes sonë për transparencë”, tha Dhuka.

Dhuka shprehu falënderime për gazetarët pasi sipas saj një sondazh ka treguar se 70% e qytetarëve shqiptarë janë të informuar për çështjet e negociatave me BE, në sajë të detyrës së gazetarëve.

/k.s/r.e/a.f/

The post Dhuka: 12 nisma ligjore për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dhuka: Kushtet për mbylljen e negociatave duhet të plotësohen deri në fund të 2027-ës

TIRANË, 20 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka deklaroi sot se në vitin 2027 Shqipëria duhet t’i ketë plotësuar të gjitha kushtet për mbylljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Adea Pirdenin, ministre Shteti për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe Toni Gogun, ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, lidhur me fazën e re të negociatave me Bashkimin Europian dhe angazhimin politik e qytetar për t’ia dalë mbanë, Dhuka tha se “në këtë bashkëbisedim do t’i informojmë qytetarët shqiptarë mbi çfarë pret Shqipëria në 2026 sa i përket aspiratës europiane, negociatave dhe përgatitjes për anëtarësim në BE”.

“Në 2025-ën Shqipëria i çeli negociatat për 33 kapituj. Në 17 nëntor çelëm negociatat për 5-së kapitujt e fundit. Viti 2026 është veçanërisht i rëndësishëm dhe një gur kilometrik në rrugën e vendit drejt anëtarësimit në BE. Në 2026 Shqipëria do të kalojë, dhe po punon intensivisht për këtë, për t’u futur në fazën e mbylljes së negociatave për anëtarësim me një numër të mirë fushash nga këto 33 kapituj dhe me aspiratën e madhe që në vitin 2027 t’i kemi arritur të gjitha përgatitjet ose siç njihet në gjuhën e negociatave, kushtet për mbylljen e negociatave”, nënvizoi Dhuka.

Kryenegociatorja Dhuka theksoi se “kjo është një punë jashtëzakonisht komplekse, por edhe shumë pozitive sa i përket transformimit europian të vendit që nga shteti, ekonomia, shërbimet për qytetarët, heqja e barrierave midis Shqipërisë dhe BE-së siç bëmë gjatë 2025 ku Shqipëria u fut në zonën e pagesave euro, e njohur si SEPA, që na mundësoi të bëjmë veprime bankare nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së me tarifa shumë të reduktuara dhe në një kohë të shkurtër”.

Midis çeljes së negociatave dhe mbylljes, vijoi Dhuka, Shqipëria duhet të japë një test aftësie si në pikëpamje të vullnetit politik për reforma europiane, ashtu edhe të aftësisë së institucioneve të veta, aftësisë teknike dhe zbatuese të standardit europian praktikisht në shërbime dhe jetën e qytetarëve.

“Për këtë Shqipëria duhet të përgatitet me një numër reformash dhe përmirësimesh që ka në zemër standardin europian që buron si nga ligji europian i njohur si acquis i BE-së, ashtu edhe nga praktikat më të mira të vendeve anëtare apo udhëzimet e gjykatave europiane. Ky test aftësie në gjuhën e negociatave njihet si përmbushja e kushteve të ndërmjetme, atij progresi që qëndron midis çeljes së negociatave dhe mbylljes së tyre”, tha Dhuka.

Dhuka u shpreh se “fusha në të cilën Shqipëria duhet të japë këtë test aftësie në zemër të të cilit është edhe aftësia e institucioneve, por edhe vullneti politik i të gjitha forcave politike në Shqipëri është shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit”.

/k.s/r.e/

The post Dhuka: Kushtet për mbylljen e negociatave duhet të plotësohen deri në fund të 2027-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 19 January 2026Main stream

Berisha: Projekti Smart City, survejim të paligjshëm qytetarëve

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi sot të paligjshëm projektin Smart City teksa theksoi se “ky projekt përbën asgjësimin e plotë të privatësisë së qytetarëve”.

Në një konferencë për shtyp, Berisha tha se “ky projekt synon survejimin e plotë të lëvizjeve të çdo qytetari. Në qoftë se një vit më parë u vendosën në të gjitha kompanitë e telefonave aparaturat e regjistrimit të plotë të internetit dhe telefonave të celularëve me pretekstin e ndërprerjes së TikTokut, tani me Smart City, Edi Rama kompleton survejimin më të paligjshëm dhe më total të qytetarëve shqiptarë, të çdo lëvizje të tyre”.

“Ky projekt vendos qytetarët shqiptarë në kontroll të plotë, automjetet dhe lëvizjet e tyre.
Dhe në këtë aspekt, aq sa të dhënat e një individi janë private, ato bëhen shtetërore.
Aq sa të dhënat e një shoqërie janë shtetërore, ato eksportohen në duart e kujtdo”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se “tani çdo organizatë kriminale nuk ka më nevojë përveçse të fusë kthetrat në kamera dhe të marrë vesh se ku e ka gjahun e vet për ta marrë peng, për ta vrarë, për ta ekzekutuar, etj”.

/k.s/a.f/

The post Berisha: Projekti Smart City, survejim të paligjshëm qytetarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ministria e Jashtme në kontakt me Spanjën nëse ka shqiptarë të prekur nga aksidenti hekurudhor

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë informoi sot se po ndjek me shqetësim të thellë aksidentin tragjik hekurudhor të ndodhur në Spanjën jugore, ku dy trena me shpejtësi të lartë u përplasën pranë qytetit Adamuz, në provincën e Kordobës.

Në një njoftim për shtyp MEPJ shpreh ngushëllimet më të thella për viktimat dhe solidaritetin me familjet e tyre, si dhe me popullin dhe autoritetet spanjolle, ndërsa të plagosurve i uron shërim sa më të shpejtë.
MEPJ sqaron se “në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Madrid  është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle dhe po ndjek situatën për të verifikuar nëse ka shtetas shqiptarë të prekur”.
Sipas MEPJ, strukturat përkatëse janë në gatishmëri për të ofruar asistencën e nevojshme.
“Për çdo informacion, emergjencë ose ndihmë, qytetarët mund të kontaktojnë në:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Madrid embassy.madrid@mfa.gov.al
me numër telefoni +34 606 37 68 30″, theksoi MEPJ.

Një tren, i cili ishte nisur dje nga Malaga në orën 18:40 me destinacion stacionin Puerta de Atocha të Madridit, me 317 pasagjerë, nxori nga shinat tre vagonët e tij të fundit duke u përplasur me një tjetër tren Renfe që shkonte në Huelva, i cili gjithashtu doli nga shinat. Përplasje fatale e trenave të shpejtësisë së lartë në Spanjë ka shkaktuar sipas raportimeve 39 viktima dhe 73 të plagosur ku  24 prej tyre janë në gjendje të rëndë, nga të cilët katër janë të mitur.

/k.s/a.f/

The post Ministria e Jashtme në kontakt me Spanjën nëse ka shqiptarë të prekur nga aksidenti hekurudhor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Linda Rama: Liria e panegociueshme, mbetet një vlerë e shenjtë

TIRANË, 19 janar/ATSH/ Liria është e panegociueshme, por ajo nuk mund të ekzistojë pa themelin e fortë të përgjegjësisë.

Ky është mesazhi që përcolli bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, Linda Rama, e ftuar në emisionin “Aromë gruaje” në RTSH. Ajo u shpreh se hyrja në godinën e RTSH-së nuk është thjesht një intervistë e radhës, por një udhëtim pas në kohë.

Ajo kujtoi daljen e saj të fundit në këtë ekran në vitin 1995, një periudhë tranzicioni të vrullshëm për Shqipërinë.

“Unë futem në RTSH pas 3 dekadash. Kam qenë në vitin 1995 për të shpjeguar skemën  e privatizimit masiv që drejtohej nga unë me gazetarin e ekonomisë dhe ishim live. Kjo godinë është e mbushur me emocione. Prezenca e RTSH-së në jetën time është shumë e hershme për shkak të xhaxhait tim Hasan Basha, pjesë e teknikëve të parë të televizionit. Isha e emocionuar kur shkela”, u shpreh Linda Rama në nisje të intervistës.

Ekspertja Rama vijoi se “liria e vërtetë, ajo e mendimit dhe e fjalës. Fitohet vetëm kur individi respekton kodet e shoqërisë – qofshin ato të punës, familjes apo ligjit. Lirinë nuk e negocioj me asgjë mund të mos e shikoj tek vetja ime, por nuk resht së thëni atë që dua, mendoj e ëndërroj”.

“E shoh këtë te vajza ime dhe jam e lumtur”, tha Linda Rama, duke nënvizuar se liria e të menduarit dhe të folurit mbetet një vlerë e shenjtë në familjen e tyre.

“Babai më ushqeu që e vogël që liria është e panegociueshme. Ai kishte intuitë për të kuptuar vullnetin tim të fortë për të qenë një njeri i mirë dhe se unë nuk do abuzoja me lirinë”, rrëfeu Linda duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë besim.

Më tej, Linda Rama bëri një ndarje të qartë mes filozofisë, që kërkon kohë dhe jep ligjshmëri, dhe politikës, që është arti i të përditshmes dhe veprimit.

“Dinamika e politikës është tjetër nga ajo filozofike. Aq i larmishëm sa është realiteti, aq të larmishme janë edhe vendimmarrjet apo mënyrat që politika gjen për t’iu përgjigjur nevojave. Filozofia ka kohën e vet dhe sfidat e veta. Duhet ta vendosim në pamundësi politikën kur filozofia mendon se ka shmangie nga ligjësitë që koha i ka provuar. Dhe ky është roli i filozofëve”, tha Linda Rama duke shtuar se filozofët janë shumë ndriçues.

“Është si puna ime një filozof unë jam me një politikan vendimmarrës, por unë nuk marr dot vendime në vend të tij, mendoj se disa gjëra mund t’i bëja ndryshe, por nuk kam gjë në dorë. Është kollaj të kritikosh nga jashtë”, tha Linda Rama.

Më tej Linda Rama tha se “jeta pranë Edit kryeministër dhe politikan më ka mësuar gradualisht se vërtet nuk i di të gjitha, kjo është shumë e rëndësishme. Një njeri duhet t’i japë mundësi vetes të mendojë që të mos e çojë diskutimin deri në ekstrem, gjykimin deri në ekstrem se ke nevojë të dëgjosh edhe tjetrin Pastaj diskutimi mund të bëhet më cilësor, më realist dhe më i dobishëm. Thjesht e kam mësuar: ti nuk i di të gjitha. Tani e kam bërë timen. Gjykimi i padrejtë është ngarkesë negative“.

Linda Rama u shpreh se “kam parë filozofë që kanë hyrë në politikë, por që janë zhveshur si filozofë. Ata pranojnë deformimin për hir të politikës. Personalisht nuk e justifikoj këtë qasje as për një të mirë të madhe”.

Gjatë kësaj interviste, Linda Rama prekur edhe një nga temat më të ndjeshme të ekzistencës njerëzore: humbjen e njerëzve të dashur dhe mënyrën se si ata vazhdojnë të jenë pjesë e jetës sonë.

“Një njeri i madh është produkt i një babai dhe nëne të madhe”, tha ajo, duke theksuar se prindërit vazhdojnë të jetojnë përmes pasqyrimit te fëmijët e tyre.

Rama rrëfeu mbi raportin e ngushtë që kishte ndërtuar me vjehrrën e saj, të ndjerën Aneta Rama, nënën e Edi Ramës duke theksuar se raporti mes tyre ka qenë i veçantë dhe intensiv në dimensione të ndryshme.

“Me mamanë e Edit gjithkush tjetër bëhej i tepërt kur ishim ne të dyja. Koha dhe momenti ishte për ne të dyja”, tha ajo, duke shtuar se largimi i saj ishte një dhimbje e madhe, pas së cilës u desh të përcaktohej një rutinë e re jetësore.

“Kishim një raport intensiv; një kohë e jetuar me biseda, mendime, emocione dhe kujdes. Kur isha me mamanë e Edit, ndonëse ajo i donte të gjithë, çdokush tjetër bëhej i tepërt. Ai moment dhe ajo kohë ishin vetëm për ne të dyja. Kur e humbet një njeri të tillë, dhimbja është e madhe. E them këtë për herë të parë. Ishte dhimbje e madhe largimi i një njeriu, pas të cilit do të duhej të vendosej një rutinë e re. Ishte një humbje e madhe edhe për Edin. Dhimbja fillimisht e zëvendëson mungesën, por më pas nis e ndihet mungesa. Mua më mungon mamaja e Edit në mënyrë të pazëvendësueshme, por përpiqem ta sjell në përditshmërinë time në çdo lloj forme”, tha ajo.

Duke u ndalur tek shoqëria civile Linda Rama tha se “ka nevojë për aleat, pushteti është i fuqishëm është shoqëri civile në nevojë. Ajo është ndjeshmëri e shtuar për kauza të përgjithshme. Kurse pushteti është i veshur nga egoja. Shoqëria civile nuk i ka këto ego, ajo është një zile që duhet ta dëgjojë pushteti. Ata mund të bashkëjetojnë duke u dëgjuar njëri me tjetrin”.

“Nuk mund ta them këtë për median. Media, si pushtet, nuk është e zhveshur nga egoja. Media e ka raportin me të vërtetën. Por janë edhe përgjegjësitë, si kodi në raport me ligjin, mjedisin, lirinë; dhe nëse ti i ke plotësuar këto, liria ka kuptim”, tha Linda Rama.

/k.s/ /a.g/

The post Linda Rama: Liria e panegociueshme, mbetet një vlerë e shenjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Gonxhja: Rritje e të ardhurave nga turizmi, ta përkthejmë me menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve tona

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja deklaroi sot se viti 2025 falë punës, bashkëpunimit dhe politikave të mirëqeverisjes u mbyll me rekorde tejet pozitive në fushën e turizmit.

Gjatë takimit me kryetarët e bashkive, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministri Gonxhja paraqiti  shifrat më të përditësuara të vitit 2025, duke sjellë një panoramë të qartë mbi ecurinë e turizmit dhe mbi trendet që e kanë ndikuar dhe karakterizuar këtë periudhë”.

“Sipas të dhënave, numri i vizitorëve të huaj në vitin 2025 ka arritur në 12,466,038, duke reflektuar një rritje prej rreth 6.6%, ose +769,960 vizitorë të huaj më shumë se gjatë vitit 2024. Kjo rritje është një tregues shumë rezultativ për sektorin dhe për ekonominë e vendit në tërësi”, informoi ministri Gonxhja.

Në të njëjtën kohë, sipas tij, është e rëndësishme të theksohet se rritja e këtyre shifrave i vendos përpara një përgjegjësie edhe më të madhe: për të garantuar jo vetëm vazhdimësinë, por mbi të gjitha për të siguruar që kjo rritje të përkthehet në të ardhura reale nga turistë që konsumojnë më shumë, që frekuentojnë ekonomi formale dhe shërbime cilësore, me standarde më të larta, organizim më të mirë dhe me menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve tona, për t’u rikthyer e për të ndjerë tërheqje më të fortë nga eksperienca e vizitës në Shqipëri

Gonxhja bëri të ditur se për 9-mujorin 2025 hynë 4.4 miliardë euro nga turizmi, 14,5% rritje e të ardhurave në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Më tej, Gonxhja u ndal tek plazhet publike, ku theksoi se “gjatë 2025 kishte rritje të konsiderueshme të plazheve publike me 17.4% krahasuar me 2024, ku plazhet publike janë shtuar me mbi 1.1 milionë metër”.

Duke u ndalur tek fluturimet, Gonxhja tha se “Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka shënuar një rritje të ndjeshme të flukseve turistike, me 3,589,137 vizitorë të huaj të regjistruar, ndërsa në periudhën janar–shtator2025 janë përpunuar mbi 9 milionë pasagjerë, duke konfirmuar një trend rritës gjatë gjithë vitit dhe muaj kulmorë me mbi 1 milion pasagjerë në muaj”.

Sipas tij, ky zhvillim mbështetet edhe nga operimi i 30 linjave ajrore në TIA dhe zgjerimi i rrjetit të fluturimeve me 70–80 destinacione direkte në 20 shtete, ku tregjet kryesore mbeten Italia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Benelux, Europa Qendrore dhe ajo Nordike.

“Po ashtu, zhvillime të rëndësishme priten me Ryanair, e cila do të hapë bazë në Tiranë nga prilli 2026 me 3 avionë të bazuar dhe 10 linja të reja, duke çuar në rreth 33 linja totale, ndërkohë që Wizz Air vijon të mbetet operatori kryesor me zgjerim të vazhdueshëm të frekuencave. Një hap historik është edhe njoftimi i linjës direkte Tiranë–Toronto, si linja e parë direkte transoqeanike, e planifikuar për sezonin veror 2026, që do të sjellë diversifikim tregjesh dhe turizëm me vlerë të lartë”, tha Gonxhja.

Sa i përket vizitorëve në sitet kulturore, Gonxhja tha se “1,523,587 vizitorë vizituan sitet e trashëgimisë kulturore si muze, kala, parqe arkeologjike”.

“Këto shifra kaq pozitive janë një arritje e rëndësishme dhe një tregues i qartë i besimit në rritje ndaj Shqipërisë si destinacion turistik, çka paralelisht ngre imazhin tonë ndërkombëtarisht, ndihmon perceptimin globalisht. Njëkohësisht, rekordet janë edhe një sinjal shumë i fortë se turizmi sot kërkon më shumë kapacitet menaxhues, profesionistë, edukim të tregut të punës, optimizim, sinergji dhe bashkëveprim”, tha Gonxhja.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Rritje e të ardhurave nga turizmi, ta përkthejmë me menaxhim të qëndrueshëm të destinacioneve tona appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Flotë mjetesh për pastrimin e kanaleve kulluese, 20 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët për sfidat e bashkive u ndal tek niveli i rezistencës së infrastrukturës mbrojtëse si kanalet e kullimit,  argjinaturat dhe hidrovoret duke theksuar se “nga Emiratet e Bashkuara është siguruar një fond prej 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural”.

Në fjalën e tij, Rama theksoi se “niveli i rezistencës së infrastrukturës është rritur në mënyrë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon që ka pika ku rezistenca është më e dobët dhe për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturë mbrojtëse dhe nga ana tjetër për të adresuar të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore”.

“Një nga gjërat që ka propozuar ministri Demo dhe ka gjetur mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të çmuar të Emirateve të Bashkuara prej 20 milionë euro në mbështetje të zhvillimit rural të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe të funksionojnë sipas nevojave të bashkive”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë përmendi si eksperiencë pozitive, projektin pilot të Fondit të Zhvillimit në qarkun e Dibrës ku është krijuar një shoqëri e përbashkët dhe ku është vënë në funksion një flotë e dedikuar qoftë për pastrimin e kanaleve kulluese qoftë për mirëmbajtjen e infrastrukturës rurale dhe shtrimin e rrugëve të bardha.

“Ka funksionuar më së miri dhe tani është koha që me këtë fond ne ta rrisim kapacitetin dhe të krijojmë një logjistikë që të jetë në dispozicion të bashkive sipas qarqeve”, vijoi Rama.

Kjo flotë, vijoi Kreu i Ekzekutivit, mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka një situatë emergjence dhe në këtë mënyrë bashkitë do të ndjehen më të gatshme për ta përballuar emergjencën.

“Në ditët e punës normale do të jetë një forcë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar e mirëmbajtur sipas nevojës për të adresuar edhe problemin e argjinaturave”, tha Rama.

Kryeministri Rama informoi se “është ministri Demo që do ta çojë përpara këtë projekt duke bashkëpunuar ngushtësisht me FSHZH dhe duke bërë një shpërndarje racionale të këtyre mjeteve që të jenë të stacionuara në të gjitha qarqet sipas nevojave dhe në kohën e emergjencave të mund të rialokohen aty ku është fronti më i vështirë”.

/k.s/j.p/

The post Rama: Flotë mjetesh për pastrimin e kanaleve kulluese, 20 milionë euro nga Emiratet e Bashkuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nis censi ndërkombëtar i shpendëve ujorë dimërues në 34 vendnumërime

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Specialistët e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin kanë nisur sot punën për censin Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërues.

Për realizimin e censit janë angazhuar 102 specialistë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si dhe 17 ekspertë të fushës, të cilët po marrin pjesë në monitorimin e shpendëve ujorë në 34 vendnumërime në të gjithë territorin e vendit.

Shqipëria i bashkohet edhe këtë vit këtij monitorimi ndërkombëtar, i cili zhvillohet më 17-18 janar, me qëllim mbledhjen dhe raportimin e të dhënave të sakta mbi popullatat e shpendëve ujorë dhe gjendjen e ekosistemeve ujore.

Të dhënat e mbledhura gjatë censusit shërbejnë si bazë shkencore për hartimin e politikave të mbrojtjes së natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të zonave ujore dhe ligatinore në vend.

Censi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë është një ndër proceset më cilësore për monitorimin e shpendëve. Ai paraqet informacion zyrtar thelbësor, i cili kontribuon në mbrojtjen dhe konservimin e shpendëve ujor dhe të habitateve ligatinore ku ata jetojnë.

Sot, censi realizohet në Shqipëri përgjatë 34 zonave, të cilat jo të gjitha janë pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura. Procesi i zgjedhjes së tyre realizohet nëpërmjet monitorimit dhe studimit të zonave dhe nënzonave, ku ka prezencë të ndjeshme të shpendëve.

Vitin e kaluar gjatë censit u numëruan 61 specie të shpendëve të ujit, me një numër të përgjithshëm prej 112 516 individësh. Censi 2025 regjistroi përafërsisht 13 mijë shpendë uji më shumë krahasuar me Censin 2024. Si edhe 5 specie më shumë të identifikuara.

Shqipëria i është bashkuar Censit Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit që në vitin 1993, ku fillimisht ky cens u zhvillua në habitatet bregdetare dhe liqenin e Shkodrës. Në nivel ndërkombëtar censi ka filluar që në vitin 1967.

/k.s/j.p/

The post Nis censi ndërkombëtar i shpendëve ujorë dimërues në 34 vendnumërime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Loris Qose, fitues i medaljes së artë në “Neo Science Olympiad” në SHBA

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Loris Qose, nxënës i shkollës “7 Marsi” në Cërrik fitoi vendin e parë në  matematikë në olimpiadën “Neo Science Olympiad” organizuar në Orlando të SHBA dhe i vendit të tretë në lëndën e kimisë.

Kryeministri Edi Rama duke sjellë në vëmendje këtë arritje të djaloshit shqiptar, u shpreh në rrjetet sociale se “talenti, pasioni dhe puna e Lorisit, bashkë me përkushtimin e mësuese Flutura Hoxholli, u shpërblyen me dy medalje që na bëjnë të gjithëve krenarë për nxënësit tanë”.

Rama theksoi se “në të gjithë vendin në shkollat vijojnë olimpiadat e matematikës, fizikës, kimisë, biologjisë, e plot të tjera ku dalin në pah talente si Lorisi”.

Loris Qose, nxënës i klasës së 9-të në shkollën “7 Marsi” Cërrik i talentuar në shkencat e natyrës, me arritje të rëndësishme, sidomos në lëndën e Matematikës përfaqësoi denjësisht shkollën “7 Marsi”, ZVAP Cërrik, DRAP Korçë, pjesëmarrës dhe fitues në olimpiadën botërore të Neo Science Olympiad, organizuar në Orlando të SHBA -së.

Me mbështetjen e shkollës, ZVAP Cërrik dhe në veçanti të mësueses Flutura Hoxholli u bë e mundur kjo arritje e rëndësishme për Lorisin dhe për gjithë komunitetin arsimdashës të Cërrikut.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Loris Qose, fitues i medaljes së artë në “Neo Science Olympiad” në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Turizmi i qëndrueshëm, kultura dhe sporti në fokus të prioriteteve 2026

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të strukturave në varësi të MTKS-së ku diskutuan për  prioritetet strategjike për 2026.

Gjatë takimit fokus të veçantë iu kushtua objektivave dhe ndërtimit të politikave sektoriale të qëndrueshme 2026-2030.

Gjatë fjalës së tij, Gonxhja theksoi se zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm, përmirësimi i menaxhimit të sezonit turistik veror, frekuentimi gjithëvjetor i destinacioneve tona, rritja e cilësisë së shërbimeve të mikpritjes dhe strukturave të akomodimit, si dhe garantimi i një eksperience konkurruese dhe cilësore për vizitorët, promovimi digjital dhe formalizimi, janë ndër prioritetet kryesore të kësaj fushe jetike për ekonominë shqiptare.

Po ashtu, në portofolin e kulturës vëmendja u përqendrua te mbështetja e artistëve dhe profesionistëve të kulturës, pasurimi i kalendarit kulturor, ndjekja e ecurisë së kantiereve kulturore, proceset e rijetëzimit, konservimit dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore,   risitë ligjore e reformimi institucional, si dhe fuqizimi i industrisë dhe ekonomisë kreative.

Sipas ministrit Gonxhja, sporti mbetet një prioritet i rëndësishëm.

“Zhvillimi i sportit elitar dhe sjellja e eventeve sportive ndërkombëtare në Shqipëri, si instrument për promovimin e vendit, rritjen e turizmit sportiv dhe forcimin e imazhit ndërkombëtar janë ndër prioritet kryesore në këtë fushë”, tha Gonxhja.

Ministri Gonxhja u shpreh se “koordinimi i skuadrës së re të MTKS, ndjekja prioritare e vizionit të qeverisë, ecuria ndërinstitucionale, mes ndarjes së qartë të përgjegjësive e afateve, garanton angazhim e ritëm maksimal për zbatim cilësor të synimeve, mirëqeverisjes, rritjes së vlerës ekonomike dhe forcimit të misionit për identitet kulturor, rini aktive e zhvillim”.

Për këtë vit MTKS ka një buxhet prej 7.4 mld lekë, ku kultura ka pjesën më të madhe  me 4.95 mld lekë, turizmi 919 milionë lekë dhe sporti  834.6 milionë lekë.

Ky buxhet paraqet një vizion të qartë për forcimin e turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe rritjen e kapaciteteve krijuese e sportive në vend.

/k.s/j.p/

The post Gonxhja: Turizmi i qëndrueshëm, kultura dhe sporti në fokus të prioriteteve 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Rreth 800 studentë pjesëmarrës në kampionatin universitar të volejbollit për meshkuj

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, u zhvillua ceremonia hapëse e kampionatit universitar në volejboll, organizuar nga Federata Shqiptare e Sportit Universitar (FSHSU).

Në aktivitet u mblodhën qindra studentë nga universitete të ndryshme të vendit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se në kampionat marrin pjesë 30 universitete nga e gjithë Shqipëria, me rreth 800 studentë pjesëmarrës, të angazhuar në ekipet respektive.

Sipas tij, kjo garë promovon talentin e studentëve, fair-play dhe bashkëpunimin ndëruniversitar.

Ndeshjet hapëse u karakterizuan nga garë e fortë, respekt dhe pasion për sportin.

Ky kampionat synon promovimin e jetesës aktive tek të rinjtë, forcimin e marrëdhënieve ndëruniversitare dhe fuqizimin e sportit si një komponent i rëndësishëm i edukimit universitar.


/k.s/

 

The post Gonxhja: Rreth 800 studentë pjesëmarrës në kampionatin universitar të volejbollit për meshkuj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushi: Komisioni i Edukimit, i gatshëm të mbështesë hartimin e ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar të Partisë Socialiste foli mbi punën që ky komision do të kryejë këtë sesion parlamentar.

Në fjalën e saj, Kushi informoi se për sesionin e ardhshëm parlamentar janë dy projektligje të përfshira në programin e punës së komisionit, pr/ligji “Për të drejtat e autorit”, i cili vjen me nismë deputeti dhe është depozituar në Kuvend që më 11 nëntor 2025 dhe pr/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë për shumë fusha, mes të cilave përfshihet edhe arsimi e inovacioni.

Kushi u shpreh se “komisioni do të shqyrtojë si komision për dhënie mendimi pikërisht për këto fusha që lidhen me përgjegjësinë e tij”.

Kushi informoi gjithashtu se “me kërkesë të komisionit është dakordësuar një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit për çështje që lidhen me reformën kurrikulare, reformë e ndërmarrë Ministria e Arsimit për rishikim e kurrikulës dhe teksteve shkollore në arsimin parauniversitar”.

Sipas saj, kjo është një seancë që është kërkuar nga opozita.

Kushi u ndal edhe tek rishikimi i ligjit për arsimin e lartë.

“Ditën e djeshme kemi ndjekur me shumë interes takimin e kryeministrit ku është theksuar nevoja për rishikimin e ligjit “Për arsimin e lartë. Prej vitit 2015 kur është hartuar ky pr/ligj kanë kaluar mbi 10 vite besoj është koha e mjaftueshme që jo vetëm të reflektojmë ato problematika që janë hasur gjatë zbatimit të tij, por të reflektojmë edhe zhvillimet e reja që lidhen me politika si ndërkombëtarizimi, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale”.

Kushi tha se “komisioni është i gatshëm të jetë mbështetje për hartimin e këtij ligji për këto ndryshime që në faza të para në mbështetje të ministrisë apo grupit të punës që do të ngrihet për këtë qëllim”.

Gjithashtu Kushi informoi lidhur edhe me punën që ky komision ka bërë në sesionin e kaluar parlamentar.

“Sesionin e kaluar komisioni ka  shqyrtuar dy projektligje, “Për buxhetin 2026″ dhe pr/ligji “Për librin”. Për këto pr/ligje janë zhvilluar në total 5 seanca dëgjimore, ku janë ftuar 39 përfaqësues të institucioneve publike. Sa i takon procesit mbikëqyrës dhe kontrollues në komision janë zhvilluar dy seanca dëgjimore që lidhen me masat e marra për vitin e ri shkollor në arsimin parauniversitar dhe arsimin profesional”, tha Kushi.

/k.s/j.p/

The post Kushi: Komisioni i Edukimit, i gatshëm të mbështesë hartimin e ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ekonomi: Komisioni i Ekonomisë, fokus tek diskutimet cilësore të ligjeve të integrimit

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi tha sot se i gjithë procesi i punës së këtij komisioni do të fokusohet tek integrimi në Bashkimi Europian.

Në fjalën e saj në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ekonomi tha se “ditët në vijim konferenca e kryetarëve do të vendosë për programin e punës, por ama kryefjalë e grupit të punës është integrimi në BE”.

“Edhe gjithë procesi i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat do të fokusohet tek kjo çështje, si do të kalojmë në diskutime të shpejta cilësore dhe me dije të të gjitha atyre ligjeve, që kanë të bëjnë me integrimin në BE”, shtoi ajo.

Ekonomi u shpreh se “për këtë do të mbështetemi padyshim edhe nga strukturat që kemi në Kuvend. Ne kemi Institutin e Kërkimeve Parlamentare, i cili përdoret nga deputetët në  komision, na vjen herë pas here edhe një raport lidhur me hartimin e buxhetit ose me mënyrën se si disa vende shikojnë pr/ligjin për Start Up-et”.

“Është shumë e rëndësishme në këtë proces të bashkëpunojnë me komisionet, kemi një eksperiencë të shkëlqyer bashkëpunimi me Komisionin e Nismave Qytetare, mbikëqyrjen institucionale dhe monitorimit kur bëmë rezolutat. Gjithashtu është shumë e rëndësishme edhe në procese të tjera, për shembull nëse do të vendosim të kemi një vështrim postlegjislativ të një ligji kërkohet një bashkëpunim shumë i ngushtë me Komisionin për Europën dhe Punët e Jashtme”, tha Ekonomi.

Ekonomi informoi lidhur edhe me punën që ky komision ka bërë në sesionin e kaluar parlamentar.

“Në komisionin e Ekonomisë kemi diskutuar për shumë ligje dhe në total numri i ligjeve që kemi diskutuar ka qenë 23, të cilat janë të ndara në projektligje, që ne kemi detyrën kryesore, pra jemi komision përgjegjës dhe në projektligje që janë për dhënie mendimi dhe kanë qenë 9. Gjatë procesit tonë të punës kemi diskutuar edhe amendamente. Kanë qenë rreth 144 amendamente që janë propozuar në Komisionin për Ekonominë, Punësimin ku janë miratuar 94 amendamente, 82 të propozuara nga deputetët de 2 nga shoqëria civile”, tha Ekonomi.

/k.s/j.p/

The post Ekonomi: Komisioni i Ekonomisë, fokus tek diskutimet cilësore të ligjeve të integrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kemi lirinë të negociojmë me BE-në, por jo të diskutojmë ligjet

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar u ndal tek miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE.

Në fjalën e tij, Rama tha se “kemi pasur disa raste që në mënyrë të natyrshme procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo është marrë lehtë si një proces ku ne kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona”.

Ne, tha Rama, nuk e kemi këtë liri që të jemi shumë të qartë.

“Ne kemi lirinë që të negociojmë me Bashkimin Europian, por nuk kemi lirinë që pasi negociojmë të diskutojmë, që do të thotë negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me komisionin i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “në momentin që vjen në parlament duhet miratuar jo diskutuar sepse që t’i hyjmë diskutimit të një ligji të tillë duhet  të ridiskutojmë më parë a duam të hyjmë në BE apo jo”.

Këtu, vijoi Rama, kam një tjetër shembull për të dhënë.

“Me të drejtë disa shokë dhe kolegë bëjnë gabimin që bëja unë deri kur e mësova që nuk duhej bërë. Marrin një draft që vjen nga qeveria pasi është dakordësuar me Komisionin përmes skuadrës negociatore dhe fillojnë i referohen vendeve të tjera të BE-së. Shiko se Franca nuk e ka kështu, Gjermania nuk e ka kështu madje edhe Krocia nuk e ka kështu dhe pse ta bëjmë edhe ne kështu. Këtë gjë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe duke shpresuar që ju e dini që nuk jam lehtësisht i përthyeshëm ju ftoj të jeni të gjithë të pathyeshëm në këtë pikë sepse kur ngrihet kjo pyetje ose ky pretendim se nuk duam ta bëjmë kështu sepse ne duam ta bëjmë si Franca përgjigjja është shumë e thjeshtë: Që ta bëni si Franca duhet të jeni Franca, ju jeni Shqipëria, nuk kemi kërkuar ne që ju të vini të bëheni pjesë e familjes sonë, jeni ju që keni kërkuar dhe ne jemi shumë të lumtur t’ju kemi pjesë të familjes, por për ju kemi kushte dhe kushtet janë këto nëse doni, nëse s’doni mund ta bëni si të doni”, tha Rama.

Tani, sqaroi Rama, kjo nuk ndodh vetëm me Shqipërinë i gjithë procesi i anëtarësimit është një proces që ka sjellë rëndim të  kushteve për atë që ka ardhur më pas.

“Ata që kanë hyrë në fillim në BE nga ish-perandoria komuniste e lindjes e kanë pasur shumë më të lehtë procesin dhe janë bërë anëtarë me shumë më pak kushte. Kanë qenë po ta themi ndryshe shumë më të papërgatitur seç jemi ne sot”, tha Rama.

Kryeministri Rama vuri në dukje se “pastaj kanë ardhur ata që kanë pasur më shumë kushte se sa ata më përpara. Pastaj kanë ardhur ata të tjerët më pas që kanë pasur ku e ku më shumë kushte sesa përpara. Në fund ka ardhur Kroacia që ka pasur më shumë kushte se gjithë të tjerët. Tani jemi ne vendet e Ballkanit Perëndimor që kemi kushte që as Koracia nuk nuk do t’i merrte dot me mend”.

/k.s/j.p/

The post Rama: Kemi lirinë të negociojmë me BE-në, por jo të diskutojmë ligjet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëbora shton turistët e aventurës në Theth, Lëpushë e Razmë

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Zonat e mbrojtura malore në qarkun e Shkodrës janë ndër pikat e referimit për turizmin e aventurës dhe natyrës, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj që kërkojnë eksperienca autentike në zemër të maleve.

Këto ditë janari zonat malore tërheqin turistë që shijojnë bukuritë që ato ofrojnë nën petkun e dëborës.

Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura, Agim Dardha tha sot për ATSh-në se “Thethi, Boga, Vermoshi, Lëpusha, Razma janë ndër destinacionet më të rëndësishme të turizmit të aventurës, ku natyra e egër dhe terreni malor krijojnë kushte ideale për përvoja sfiduese dhe autentike”.

“Me rënien e dëborës ditët e fundit këto zona po preferohen nga të pasionuarit pas skive në pistat natyrore dhe ecjes në dëborë”, tha Dardha.

Dardha u bën apel të gjithë vizitorëve vendas e të huaj që të shoqërohen nga guidat vendase kur eksplorojnë shtigjet e ndodhura në Alpe, në mënyrë që shmangen incidentet për shkak të dëborës.

Por edhe gjatë vitit që lamë pas, ky park ishte një ndër më të vizituarit nga turistë vendas e të huaj në 12 muajt e vitit.

Dardha tha se numri i turistëve që vizitojnë zonat e mbrojtura vitet e fundit ka një tendencë rritjeje.

“Vitin e kaluar kemi arritur të kalojmë mbi 1 milion vizitorë në zonat e mbrojtura të qarkut Shkodër si Velipoja, lumi Buna, liqeni i Shkodrës, Parku Kombëtar i Alpeve që përfshin Thethin, Vermoshin, Lëpushën, Razmën dhe Bogën. Ndërkohë që destinacioni më i vizituar është lumi i Shalës”.

“Konkretisht nga janari deri në fund të dhjetorit zonat e mbrojtura të qarkut u vizituan nga 1 298 200 vizitorë, ku 785 820 ishin vendas dhe 512 380 të huaj”, tha Dardha.

Shkodra, me sipërfaqen e madhe të zonave të mbrojtura, përbën një nga potencialet më të rëndësishme të vendit sa i përket turizmit të natyrës, kulturës dhe historisë.

/k.s/j.p/r.e/

The post Dëbora shton turistët e aventurës në Theth, Lëpushë e Razmë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hajdari: Reforma në inspektime mbron biznesin e ndershëm

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Kryeinspektori i përgjithshëm i Inspektoratit Qendror, Shkëlqim Hajdari vlerësoi sot finalizimin e reformës ligjore në fushën e inspektimeve, e cila prek drejtpërdrejt raportin mes shtetit, biznesit dhe ligjit.

Në një postim në rrjetet sociale, Hajdari theksoi se paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit te ndershëm, do të marrë fund.

“Rezultatet e kësaj reforme janë 5 masat e para administrative, të shfuqizuara në komisionin e shqyrtimit të ankesave, bazuar në ligj, objektivitet e transparencë, me përfaqësues në komision nga Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Qendror që ka vendosur gjobën, Ministria e linjës, si dhe përfaqësues nga shoqatat e biznesit.
Tani e tutje kujdes, sepse paligjshmëria, korrupsioni, subjektivizmi dhe barra e padrejtë ndaj biznesit të ndershëm, do të marrë fund”, tha Hajdari.
Hajdari shprehu mirënjohjen për të gjithë stafin e Inspektoratit të Përgjithshëm dhe institucionet e tjera të përfshira në këtë reformë të cilën e cilësoi “të lodhshme, e të vështirë, por vizionare sipas standardeve më të mira të inspektimeve në BE.
1 nga 5

 

/k.s/a.f/r.e/

The post Hajdari: Reforma në inspektime mbron biznesin e ndershëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Bashkia Shijak ka përfunduar procesin e konstatimit dhe vlerësimit të dëmeve në banesat e përmbytura, si pasojë e reshjeve të fundit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i bashkisë Shijak, Elton Arbana, përmes një reagimi publik, ku ai thekson se strukturat përkatëse të bashkisë janë angazhuar që në momentet e para, duke iu gjendur pranë banorëve dhe duke shkuar derë më derë për të evidentuar dhe vlerësuar dëmet.

Sipas të dhënave 43 banesa në të gjitha njësitë administrative të bashkisë Shijak janë konstatuar dhe vlerësuar nga grupet e punës.

Ndërkohë që nesër mbledhja e këshillit bashkiak do të transmetohet drejtpërdrejt, për t’i hapur rrugë procedurave të dëmshpërblimit për qytetarët e prekur.

Kryebashkiaku Arbana tha se “të gjithë qytetarët e dëmtuar do të përfitojnë dëmshpërblim sipas vlerësimeve të kryera”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të sigurojnë pronat e tyre ndaj çdo fatkeqësie natyrore, si tërmete, përmbytje apo zjarre, me qëllim garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së pasurive të tyre.

/k.s/a.f/r.e/

The post Shijak, 43 banesa të dëmtuara nga përmbytjet e reshjeve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Programi i detyrave në shkolla po sjell rezultate konkrete tek nxënësit

TIRANË, 14 janar/ATSh/ Shkollat 9-vjeçare në Berat pas procesit mësimor ofrojnë për nxënësit e fillores programin e kryerjes së detyrave të shtëpisë.

Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale theksoi se ky model po jep rezultate konkrete në përvetësimin më të mirë të dijeve nga ana e nxënësve.

“Në shkollat e Beratit, programi i bërjes së detyrave që në klasë nën vëmendjen e drejtpërdrejtë të mësuesve me qëllimin për të përvetësuar më mirë dijet, për të lehtësuar ngarkesën e prindërve, si edhe për të ndërtuar marrëdhënie më të mira shkollë-prindër-komunitet nën frymën e një bashkëpunimi të frytshëm dhe arsimi gjithëpërfshirës, po vazhdon me sukses duke ndërtuar një shembull pozitiv të kësaj nisme”, tha Rama.

Ky program i ndihmon nxënësit jo vetëm që të bëjnë detyrat e shtëpisë nën kujdesin dhe mbështetjen e mësuesve, por sjell më shumë përparim në dije dhe mbështet aftësitë e tyre shoqërore, fizike dhe intelektuale përmes pjesëmarrjes në aktivitete të ndryshme pas procesit mësimor.

1 nga 5

/k.s/r.e/a.f/

The post Rama: Programi i detyrave në shkolla po sjell rezultate konkrete tek nxënësit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌