Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 January 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030

25 January 2026 at 16:48

TIRANË, 25 janar/ATSh/ Përfshirja e futsallit si disiplinë zyrtare në Lojërat Mesdhetare, duke nisur me edicionin që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030, po vlerësohet si një nga zhvillimet më të rëndësishme për këtë sport në Kosovë.

Figura kyçe të futsallit vendor e shohin këtë vendim si hap të madh drejt afirmimit ndërkombëtar, njohjes institucionale dhe rritjes së mbështetjes për një sport që, sipas tyre, ka pasur rezultate dhe traditë, por jo gjithmonë vëmendjen e merituar.

Drejtori i një prej klubeve më të mira të futsallit në Kosovë, FC Mabetex Prishtina, Fatos Dili, thekson se përfshirja e futsallit në Lojërat Mesdhetare përbën një moment kthese për këtë sport në Kosovë.

“Mendoj që do të jetë një promovim shumë i mirë i futsallit të Kosovës duke ditur që kemi qenë të anashkaluar për shumë kohë meditikisht, pasi përvoja dhe sukseset nuk na kanë munguar. Mirëpo mendoj që ky do të jetë një hap i madh i promovimit të futsallit të Kosovës dhe dëshmi e asaj që kemi folur ndër vite, jo vetëm unë por edhe kolegët e mi më herët që vetëm e kanë themeluar dhe e kanë mbajtur gjallë futsallin për vite, që ky sport është sport kombëtar në Kosovë dhe duhet të trajtohet më mirë dhe të ketë përkrahje institucionale sa më shumë”, theksoi Dili.

Nga ana tjetër, koordinatori i FFK-së për futsall, Getar Hyseni, shpreh bindjen se Kosova do të paraqitet në mënyrë dinjitoze në Lojërat Mesdhetare 2030. Ai nënvizon nevojën për bashkëpunim më konkret ndërmjet strukturave organizative të Lojërave dhe Federatës, duke bërë të ditur se ende mungojnë disa hapa praktikë.

“Futsalli për 2030 në Lojërat Mesdhetare, besoj që do të paraqitet denjësisht. Mirëpo pritet një bashkëpunim më konkret nga grupi punues i Lojërave Mesdhetare dhe federatës, sepse ende nuk kemi diçka konkrete në këtë drejtim. Ne në vitin e fundit kemi garuar në nivelin “Main Round” që është një arritje historike me kombëtaren e Kosovës, ku kanë debutuar për gjashtë ndeshje 11 lojtarë të rinj, të cilët sigurisht do të jenë në moshën optimale për të garuar në Lojërat Mesdhetare. Kështu që ne jemi të gatshëm për Lojërat Mesdhetare, jemi duke punuar dhe për themelimin e ligës së vajzave, e cila do të jetë edhe kombëtarja e vajzave në Lojërat Mesdhetare”, bëri të ditur Hyseni në një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Ndërsa, gjyqtarja e futsallit, Tina Kallaba, e konsideron përfshirjen në Lojërat Mesdhetare si një mundësi të rrallë për ta prezantuar futsallin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. Sipas saj, kjo ngjarje krijon një pasqyrë reale të nivelit dhe cilësisë që ofron futsalli vendor.

“Unë mendoj që hap dyer shumë të mëdha për futsallin, sepse është një ngjarje shumë, shumë e rëndësishme edhe mendoj që ka me qenë një pasqyrë e mirë për futsallin e Kosovës… Është ngjarja shumë e rëndësishme që t’i tregojmë botës që edhe ne jemi këtu në mesin e gjithë shteteve të Evropës dhe të botës, që të tregojmë cilësi dhe kualitet të lartë”, deklaroi Kallaba.

Ish-lojtari i futsallit, Skender Sadiku, e cilëson lajmin si një “megalajm” për të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë në ndërtimin e futsallit në Kosovë. Ai rikujton se futsalli ka një histori të lidhur ngushtë me shtetndërtimin e Kosovës, duke nisur zyrtarisht në vitin 2008.

“Është lajm shum, shumë i mirë. Pas një lajmi të themi, megalajm, që jemi organizator të Lojërave Mesdhetare, ky është një lajm po ashtu, posaçërisht për njerëz që kanë qenë të involvuar në futsall. Rastisë që futsalli zyrtarisht është luajtur një kohë të gjatë në Kosovë, por zyrtarisht ka filluar në 2008-ën, me vitin e pavarësisë së Kosovës. Edhe futsalli në Kosovë e ka moshën e Republikës së Kosovës, po edhe vitin e themelimit… në shkurt është shpallur pavarësia, kurse në nëntor ka filluar kampionati zyrtar i futsallit në Kosovë. Kam pasur fatin që të jem në ekipin e themelimit të futsallit. Futsalli ka marrë kahjen e vet, kemi referë me stemë ndërkombëtare, kemi ekipe që marrin pjesë në kampionatet e organizuara nga FIFA dhe UEFA, kualifikime për kampionate botërore, kampionate evropiane, Champion League luan kampioni i Kosovës dhe kësaj game iu plotësua mendoj edhe pjesëmarrja në Lojërat Mesdhetare”, deklaroi Sadiku.

Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje shumë-sportëshe ndërkombëtare që mbahet çdo katër vjet dhe bashkon sportistë nga vendet rreth Detit Mesdhe. Për herë të parë në historinë e saj, edicioni i 21-të i Lojërave Mesdhetare do të zhvillohet në Prishtinë, Kosovë, nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030, me pjesëmarrjen e rreth 3 500 atletëve nga 26 vende dhe garë në mbi 30 sporte të ndryshme.

/Kosovapress/

The post Hap historik për futsallin, mirëpritet përfshirja në Lojërat Mesdhetare 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Barazim në limite në sfidën Teuta–Vora

25 January 2026 at 16:27

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Ndeshja e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit mes Teutës dhe Vorës përfundoi në barazim 1-1, duke u dhënë të dyja skuadrave nga një pikë, e cila u sigurua në sekondat e fundit të lojës.

Edhe pse skuadra nga Durrësi ishte favorite në letër, Vora e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe arriti të kalojë në epërsi në minutën e 25-të përmes Irgi Kasallas. Skuadra bregdetare reagoi mirë, duke krijuar disa raste shënimi, por pa arritur të gjejë golin e barazimit në pjesën e parë.

Pjesa e dytë nisi sërish me vendasit në sulm, ndërsa në minutën e 85-të Tabaku u ndëshkua me karton të kuq, pasi u penalizua për herë të dytë me karton të verdhë, duke lënë Vorën me dhjetë lojtarë.

Skuadra mike rezistoi me dhjetë lojtarë deri në minutën e 102-të, pas një shtese tejet të gjatë, por në sekondat e fundit pësoi golin e barazimit. Për Teutën shënoi Xhoel Maçolli, duke i dhënë mundësi vendasve të shmangnin humbjen.

Ky barazim e largon Teutën nga objektivi “Final 4”, ndërsa Vora nuk arrin të zgjerojë distancën nga zona e “ftohtë” në fund të tabelës.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

-Elbasani dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak

The post Barazim në limite në sfidën Teuta–Vora appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjinari destinacioni i preferuar dimëror i vizitorëve

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Fshati turistik i Gjinarit, 22 km larg Elbasanit ofron në këto ditë dimri peizazhe mahnitëse, të mbuluara nga dëbora dhe qetësia karakteristike e zonave malore.

I njohur për bukurinë natyrore, pyjet e dendura dhe freskinë e ajrit malor, Gjinari po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga pikat më të preferuara të turizmit në qarkun e Elbasanit, veçanërisht gjatë fundjavave dhe sezonit dimëror.

Kryeministri Edi Rama në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur” ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Gjinari, që këto ditë fund janari po preferohet nga vizitorët të tërhequr nga bukuria e natyrës dhe aktivitetet në ajër të pastër.

Pamjet e publikuara nga Rama ofrojnë një panoramë mbresëlënëse të Gjinarit turistik, ku bie në sy edhe një kolonë mjetesh të të njëjtit tip, të cilat kanë zhvilluar një guidë turistike mes natyrës së mbuluar nga dëbora, duke përshkuar rrugët malore dhe shtigjet piktoreske të zonës.

Rrugët malore, pyjet e bardha dhe ajri i pastër dimëror kanë krijuar një atmosferë magjike, duke e kthyer këtë udhëtim në një eksperiencë të veçantë për pjesëmarrësit.

Kjo panoramë tregon edhe një herë bukurinë natyrore dhe potencialin turistik që ofron zona malore e Elbasan, veçanërisht gjatë sezonit dimëror, ku Gjinari mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për guida turistike, aktivitete në grup dhe dashamirës të natyrës, ndërsa me dëborën e parë të sezonit zona ka qenë e mbushur plot me vizitorë.

1 nga 3

/k.s/a.f/

The post Gjinari destinacioni i preferuar dimëror i vizitorëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič

25 January 2026 at 16:13

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Tirana fitoi 1-0 ndaj Flamurtarit në stadiumin “Selman Stermasi” dhe rindezi betejën për mbijetesë. Ndeshja e vlefshme për javën e 21-të të Superligës dhuroi emocione për sportdashësit.

Bardheblutë arritën të marrin një tripikësh të rëndësishëm ndaj një rivali të drejtpërdrejtë për mbijetesë si Flamurtari. Sfida u vendos nga goli i Patrik Myslovič në minutën e 77-të. Trekuartisti sllovak bashkëpunoi mirë me Xhixhën gjatë një inkursioni në zonën e kuqezinjve mysafirë, nga ku dhe goditi me të djathtën e tij, duke dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga portieri i Flamurtarit.

Pas këtij momenti, kuqezinjtë nga Vlora ushtruan presion ndaj portës së Tiranës, por bardheblutë e menaxhuan mirë ndeshjen, duke mos lënë hapësira në prapavijë dhe duke ruajtur portën e paprekur.

Ky tripikësh e ngjit Tiranën në kuotën e 17 pikëve, një më pak se Flamurtari i vendit të parafundit dhe dy më pak se Bylisi, duke rihapur betejën mes tre skuadrave për mbijetesë.

Kjo fitore vjen në një moment të trishtë për bardheblutë, pasi një ditë më parë vajza 10-vjeçare e futbollistit të kryeqytetasve, Freddy Alvarez, humbi jetën tragjikisht pas një incidenti në banesë.

Pak para nisjes së sfidës, futbollistët e të dyja skuadrave u mblodhën në mesin e fushës për t’i dhënë lamtumirën e fundit Irinës, vajzës së futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, e cila u nda tragjikisht nga jeta pa mbushur ende 10 vjeç.

Gjatë minutës së heshtjes, tifozët u panë në lot, dukshëm të prekur nga humbja e vogëlushes, e cila prej tre javësh banonte në kryeqytet, pasi i ati, mesfushori i bardhebluve, ishte bashkuar vetëm këtë janar me KF Tiranën.

Ultrasit e bardhebluve, “Tirona Fanatics”, kishin përgatitur edhe një banderolë në nderim të saj, ndërsa futbollistët dhe stafet e të dyja skuadrave u drejtuan drejt tribunave dhe me lule në duar nderuan kujtimin e saj.

Irina Alvarez Esquivel, vogëlushja që do të mbushte 10 vjeç në qershor të këtij viti, dyshohet se u rrëzua nga krevati dykatësh dhe pësoi lëndime të rënda, të cilat rezultuan fatale.

Ndeshja mes KF Tiranës dhe Flamurtarit ishte e programuar për të shtunën, por pas dakordësisë mes klubeve u shty me 24 orë.

Ndeshjet e javës
Bylis-Egnatia 2-2
Vllaznia-Pratizani 1-0
Teuta-Vora 1-1
Tirana-Flamurtari 0-0
Elbasani-Dinamo City në 17:00

Klasifikimi: Vllaznia dhe Egnatia 39 pikë, AF Elbasani 35, Dinamoi City 33, Teuta 27, Partizani 26, Vora 24, Bylisi 19, Flamurtari 18 dhe Tirana 17

-Elbasani dhe Dinamo City kanë një ndeshje më pak

The post Tirana mund Flamurtarin, vendos goli i Myslovič appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BRUKSEL – Hyjnë në fuqi masat për kufizimet e lëvizjes së diplomatëve rusë në BE

25 January 2026 at 15:49

BRUKSEL, 25 janar /ATSH-DPA/ – Masat që kufizojnë lirinë e lëvizjes për diplomatët rusë në Bashkimin Evropian hynë sot në fuqi për t’u mbrojtur nga spiunazhi dhe dezinformimi.

Kur udhëtojnë nëpër zonën Schengen përtej vendit të tyre pritës, diplomatët dhe zyrtarët konsullorë rusë si dhe stafi dhe anëtarët e familjes së tyre, tani do të duhet të njoftojnë vendin e tyre të destinacionit dhe çdo vend tranziti të paktën 24 orë para udhëtimit.

Shtetet anëtare gjithashtu mund të futin një kërkesë autorizimi për hyrje ose tranzit në mënyrë që të jenë në gjendje të ndalojnë udhëtimin në raste dyshimi.

Udhëtimi brenda vendit pritës nuk ka nevojë të regjistrohet.
Masa u miratua zyrtarisht në tetor si pjesë e një pakete sanksionesh kundër Rusisë dhe u botua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

BE tha se masat po zbatohen me arsyetimin se disa nga individët në fjalë po marrin pjesë në operacione sekrete për Moskën, përfshirë spiunazhin dhe përhapjen e dezinformatave rreth luftës për të shtrembëruar opinionin publik.

Sipas zyrtarëve të BE-së, shkeljet e kërkesave mund të ndëshkohen me tërheqjen e akreditimit diplomatik.

Deri tani, diplomatëve rusë në përgjithësi u është lejuar të udhëtojnë lirisht nëpër BE.
Vendet lindore të BE-së e kanë kritikuar këtë privilegj për vite me radhë, por shtetet e tjera anëtare kanë pasur frikë se kufizimet e udhëtimit mund të shkaktojnë kundërmasa për diplomatët evropianë në Rusi./ /Ad.Ab./

The post BRUKSEL – Hyjnë në fuqi masat për kufizimet e lëvizjes së diplomatëve rusë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kampionati i Shahut në Elbasan, nismë që edukon dhe formon fëmijët

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kampionati i Përvitshëm i Shahut për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Elbasan tashmë është kthyer në traditë dhe që synon të nxisë zhvillimin intelektual dhe kulturën sportive te fëmijët.

Ky kampionat u zhvillua në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (QKF) në Elbasan, ku fitues të këtij edicioni u shpallën Erdet Alla nga shkolla “Sule Harri” dhe Arsa Çekani nga shkolla “Jorgji Dilo”, të cilët u dalluan për përqendrimin, strategjinë dhe aftësitë e tyre logjike.

Organizatorët i uruan kampionët për suksesin dhe i inkurajuan të vijojnë rrugën e sportit të mendjes.

Këtë vit, kursi i shahut është përfshirë si pjesë e rregullt e kurseve që QKF ofron, pas kërkesave të shumta nga nxënësit dhe prindërit. Pjesëmarrja e lartë në kampionat dëshmon interesin gjithnjë e në rritje të fëmijëve për aktivitete që zhvillojnë mendimin kritik, përqendrimin dhe disiplinën.

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Elbasan ofron një sërë kursesh artistike, kulturore dhe sportive, me qëllim edukimin, argëtimin cilësor dhe largimin e fëmijëve nga përdorimi i tepruar i mjeteve teknologjike. Kjo qendër përbën një shembull pozitiv të investimit në formimin e brezit të ri, duke krijuar hapësira ku talenti dhe vlerat edukative kultivohen çdo ditë.

/k.s/a.f/

The post Kampionati i Shahut në Elbasan, nismë që edukon dhe formon fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme

25 January 2026 at 15:44

PRISHTINË, 25 janar/ATSh/ Mes fosileve miliona vjeçare, veshjeve tradicionale dhe historisë së nxjerrë nga nëntoka e Trepçës, Muzeu i Mitrovicës vazhdon të tregojë rrëfimin e qytetit ndër dekada.

I themeluar në vitin 1952, si muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ky institucion sot funksionon pa një shtëpi të përhershme, por me një aktivitet të gjallë kulturor që e mban historinë, identitetin dhe komunitetin në lëvizje.

Drejtoresha e Muzeu të Mitrovicës, Nora Prekazi-Hoti, ka thënë për KosovaPress, se Muzeu i Mitrovicës konsiderohet muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, pas Muzeut Kombëtar.

Sipas Prekazi-Hoti, hapja e këtij institucioni ka qenë e domosdoshme për shkak të rolit të veçantë gjeografik dhe politik të Mitrovicës, si dhe pranisë së kompleksit të madh industrial të Trepça.

Prekazi tha se pavarësisht zhvillimit dhe aktivitetit të vazhdueshëm, Muzeu i Mitrovicës ende nuk ka një seli të përhershme.

Ajo sqaroi se muzeu fillimisht ka funksionuar në objektin komunal të Mitrovicës së asaj kohe, më pas është zhvendosur në hamamin e qytetit, ku ka operuar nga vitet ’60 deri në vitin 2009.

Prekazi- Hoti tha se ky vit ka qenë ndër më dinamikët për Muzeun e Mitrovicës, me gjashtë ekspozita të realizuara brenda tij.

Rrugëtimi kishte nisur më 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, me një ekspozitë kushtuar trashëgimisë arkitekturore të Trepçës, ku kishte vazhduar me ekspozitën “Një jetë në gajtan”, Muzeu i Mitrovicës çoi para publikut japonez rrëfimin e veshjeve tradicionale dhe punës artizanale, duke përfaqësuar Kosovën si shtet.

Drejtoresha e muzeut bëri të ditur se Muzeu i Mitrovicës, përveç ekspozitave, zhvillon çdo muaj edhe programe edukative të vazhdueshme, të cilat i dedikohen si ekspozitave të përhershme, ashtu edhe punës së përgjithshme të institucionit.

Nora Prekazi-Hoti përshkroi Muzeun e Mitrovicës si një thesar të gjallë të historisë dhe kulturës, ku fosilet, artefaktet arkeologjike dhe veshjet tradicionale rrëfejnë rrugëtimin e qytetit ndër shekuj.

Çdo koleksion, nga koha neolitike e deri te elementët e jetesës tradicionale, i jep muzeut një jetë të veçantë dhe një lidhje të prekshme me të kaluarën.

Që nga viti 2018, Muzeu i Mitrovicës ka hapur dyer drejt gjithëpërfshirjes, duke u bërë pjesë e Rrjetit Ballkanik të Muzeve dhe duke sjellë ekspozitat e tij tek komunitetet më të ndjeshme.

Drejtoresha Prekazi shpjegoi se ideja e muzeut është që vizitat të mos kufizohen vetëm një herë, por të jenë të vazhdueshme. Aktivitetet dhe ekspozitat e ndryshme gjatë gjithë vitit, së bashku me mbulimin nga mediat, e bëjnë muzeun të gjallë dhe tërheqës.

Muzeu i Mitrovicës qëndron si një urë mes kohërave, ku secili objekt dhe çdo ekspozitë flet me zë të vetin. Ai nuk është vetëm një hapësirë e së shkuarës, por një skenë ku historia dhe kultura bashkëjetojnë me kreativitetin dhe dijeninë e brezave të rinj.

Përmes aktiviteteve, programeve edukative dhe ekspozitave që udhëtojnë edhe përtej kufijve, muzeu transformohet në një vend ku kujtesa e qytetit, pasuria materiale dhe identiteti i komunitetit shpërthejnë në një rrëfim të gjallë dhe të paharrueshëm për çdo vizitor.

/KosovaPress/

The post Muzeu i dytë më i vjetër në Kosovë, ende pa seli të përhershme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS -Jo zemra, jo truri; dhëmbët zbulojnë sekretin e jetëgjatësisë

25 January 2026 at 15:36

TOKIO, 25 janar /ATSH/ – Shëndeti i dhëmbëve mund të jetë më shumë se një buzëqeshje e bukur, ai duket se ndikon drejtpërdrejt në jetëgjatësi. Studime të fundit japoneze tregojnë se mungesa e dhëmbëve, kariesi i patrajtuar dhe dobësia orale, lidhen me rrezik më të lartë vdekjeje, sidomos tek të moshuarit, sipas “The Sun”.

Dobësia orale përkufizohet nga të paktën tre nga këto simptoma, më pak se 20 dhëmbë, vështirësi në përtypje ose gëlltitje, gojë e thatë, ose probleme në të folur.

Një studim gjashtëvjeçar me rreth 11 mijë persona mbi 65 vjeç tregoi se ata me dobësi orale kishin jetëgjatësi më të shkurtër të shëndetshme dhe 34 % rrezik më të lartë vdekjeje krahasuar me të tjerët.

Edhe faza e ndërmjetme, kur shfaqet vetëm një ose dy simptoma, lidhet me përkeqësim të shëndetit dhe rritje të rrezikut. Studiuesit japonezë paralajmërojnë se kjo nuk ka lidhje vetëm me faktorë ekonomikë ose sëmundje ekzistuese, dobësia orale vetë është tregues i rrezikut.

Vizitat te dentisti kanë efekt të dukshëm në jetëgjatësi. Personat që kishin bërë një vizitë dentare brenda gjashtë muajve jetonin rreth një vit më shumë në shëndet të mirë, edhe nëse tashmë kishin shenja të dobësisë orale. Ata që nuk vizitonin dentistin kishin 25% rrezik më të lartë vdekjeje.

Një studim tjetër me 200 mijë persona mbi 75 vjeç zbuloi se dhëmbët e mbushur (të trajtuar) lidhen me mbijetesë më të gjatë. Personat me 21 ose më shumë dhëmbë të shëndetshëm ose të mbushur kishin rrezikun më të ulët të vdekjes, ndërsa burrat pa dhëmbë kishin 74% rrezik më të lartë, dhe gratë 69% më të lartë.

Ky efekt lidhet me aksesin në kujdes dentar: dhëmbët e trajtuar tregojnë se individi ka marrë kujdes të rregullt, duke parandaluar inflamacionin kronik dhe problemet ushqimore që ndikojnë në shëndetin e përgjithshëm. /Ad.Ab./

The post FOKUS -Jo zemra, jo truri; dhëmbët zbulojnë sekretin e jetëgjatësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Gazi lotsjellës i skaduar ndaj protestuesve do të denoncohet në institucionet ndërkombëtare

25 January 2026 at 15:27

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot në një konferencë se protesta e mbrëmshme u dominua nga të rinjtë, teksa dënoi sjelljen e Policisë së Shtetit ndaj protestuesve

“Protesta pati një risi jashtëzakonisht të rëndësishme dhe themelore. Ajo u dominua nga rinia, nga të rinjtë dhe adoleshentët.”, tha Berisha.

Kreu i PD u shpreh se ky është një ogur i bardhë për shqiptarët.

“Një shpresë e vërtetë, se do jenë të rinjtë dhe gjenerata e tyre, ata të cilët do të përmbysin, do të largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale”, tha Berisha.

Dje policia, vijoi ai, “përdori dhunë të egër ndaj protestuesve. Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s’mund të përdoret kurrë ndaj protestave”.

“Gazi lotsjellës ishte i skaduar prej tre vitesh. Dhe ai pas skadimit është e njohur se transformohet në helme të tjera, të cilat japin dëmtime të rënda sistemeve, por mund të shkaktojnë dhe humbjen e pamjeve. U përdorën topat e ujit dhe mjete të tjera.  U goditën me shkopi protestues paqësorë dhe u arrestuan, u ndaluan brutalisht në akte të që cilësohen në krime kundër njerëzimit”, vijoi Berisha.

Ai tha se ky akt do të denoncohet në institucionet ndërkombëtare. “Do ta denoncojmë këtë akt si në institucionet ndërkombëtare, ashtu dhe brenda vendit. Është një shkelje flagrante, flagrante e konventave ndërkombëtare:, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se u agresuan qytetarë që s’kishin lidhje me protestën.

“Fëmijë 10 vjeç tek dilte nga xhamia, 10 vjeçar, Romeo dhe s’kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij. Dhe e morën në mënyrën më të turpshme, më kriminale”, tha Berisha.

“Agresuan, arrestuan qytetarë që nuk ishin fare në protestë. U sollën egërsisht dhe në mënyrë të padenjë ndaj deputetëve. Agresuan disa deputetë, Luçiano Boçin, nënkryetarin e partisë, Xhelal Mziun, Besart Xhaferrin”, tha Berisha.

Me tej Berisha tha se protestat nuk do të ndalen. “Pa dyshim që do ketë protesta. Ne jemi në kilometrin e fundit të fitores. Këtu ne të gjithë potencialin tonë, ne jemi mirënjohës pa fund përgjigjes qytetare.

“Një thirrje kam për çdo qytetar kjo nuk është protestë kjo as për një person, as për një parti. Është protestë e ndërgjegjes qytetare, është protestë e ndërgjegjes kombëtare” tha Berisha.

/gj.m/a.f/

The post Berisha: Gazi lotsjellës i skaduar ndaj protestuesve do të denoncohet në institucionet ndërkombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VILNIUS – Zelensky kërkon më shumë municione kundërajrore përballë sulmeve ruse

25 January 2026 at 14:39

VILNIUS, 25 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u bëri thirrje sot aleatëve të tij për më shumë aftësi mbrojtëse ajrore në përgjigje të sulmeve ruse që kanë lënë qindra mijëra banorë të Kievit pa energji elektrike dhe ngrohje në mes të dimrit.
“Vetëm këtë javë, rusët kanë lëshuar më shumë se 1 700 dronë sulmues, më shumë se 1 380 bomba të drejtuara dhe 69 raketa të llojeve të ndryshme”, tha Zelensky me të mbërritur në Vilnius, ku po merr pjesë në përkujtimet e kryengritjes lituaneze të vitit 1863.
“Kjo është arsyeja pse raketat për sistemet e mbrojtjes ajrore janë të nevojshme çdo ditë dhe ne vazhdojmë të punojmë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për të siguruar mbrojtje më të mirë të hapësirës sonë ajrore”, shtoi ai.
Rusia po bombardon pa pushim termocentralet dhe rrjetin elektrik të Ukrainës duke zhytur qindra mijëra ukrainas në errësirë dhe të ftohtë në mes të dimrit dhe duke e shtyrë Zelenskyn të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në sektorin e energjisë.
Situata është veçanërisht e rëndë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, objektivi kryesor i Rusisë, sulmet ajrore të të cilit kanë detyruar gjysmë milioni banorë të evakuohen.
“Aktualisht ka 1 676 ndërtesa të larta apartamentesh në Kiev pa ngrohje pas sulmit armik në qytet më 24 janar”, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.
Ekipet po punojnë pa ndërprerje për të rivendosur ngrohjen dhe energjinë elektrike, por temperaturat e ulëta dhe sulmet ajrore të përsëritura po pengojnë përpjekjet e tyre.
Të shtunën, raundi i parë i negociatave të drejtpërdrejta midis delegacioneve ukrainase, ruse dhe amerikane mbi planin e SHBA-së për të zgjidhur konfliktin, i cili ka marrë qindra mijëra jetë që nga viti 2022, përfundoi në Abu Dabi pa ndonjë përparim të dukshëm. /Ad.Ab./

The post VILNIUS – Zelensky kërkon më shumë municione kundërajrore përballë sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Teatri “Skampa” i Elbasanit çel sezonit artistik me Galanë e Operetës Rumune

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Një mbrëmje e jashtëzakonshme muzike, elegance dhe kulturë evropiane solli Galanë e Operetës Rumune në skenën e Teatrit “Skampa”, duke shënuar hapjen zyrtare të sezonit artistik në qytet.

Në këtë event festiv u zhvillua një performancë unike nga artistë të Teatrit Kombëtar të Operetës dhe Muzikalit “Ion Dacian” i Bukureshtit, të shoqëruar me këngëtaren e dashur për publikun, Eli Fara, e cila solli interpretime të fuqishme me gjurmë arumune dhe shpirt shqiptari.

Programi përfshiu arie, duete dhe vepra të njohura që sollën emocione të thella dhe duartrokitje të gjata nga publiku i pranishëm.

Ky aktivitet jo vetëm që shënoi një fillim dinjitoz për sezonin e ri artistik, por edhe forcoi marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Rumanisë, një nismë e rëndësishme për bashkëpunime të mëtejshme artistike mes dy vendeve tona.

Ndër të ftuarit e nderit ishte edhe dirigjenti i njohur Zhani Ciko.

Ky event u prit me entuziazëm nga qytetarët, duke shënuar nisjen e një sezoni plot art, kulturë dhe emocione në Teatrin “Skampa”.

 

/k.s/a.f/

 

The post Teatri “Skampa” i Elbasanit çel sezonit artistik me Galanë e Operetës Rumune appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SINTEZË – Zemërim nga Franca në Australi, pas komenteve të Trump mbi Afganistanin

25 January 2026 at 14:09

PARIS, 25 janar /ATSH-AFP/ – Australia iu bashkua zemërimit të shkaktuar nga komentet e Donald Trump, kur tha se aleatët e NATO-s kishin mbetur “shumë larg vijave të frontit” në Afganistan, duke bërë që presidenti amerikan të tërhiqej pjesërisht nga komentet e tij.

Përballë kësaj krize të re, e cila shpërtheu pikërisht kur tensionet mbi Groenlandën dukeshin se po lehtësoheshin, Trump dukej se miratoi një ton pajtues duke lavdëruar rolin e ushtarëve britanikë, pasi foli me kryeministrin Keir Starmer, i cili i kishte denoncuar komentet si “fyese”.

“Ushtarët e mëdhenj dhe SHUMË të guximshëm të Mbretërisë së Bashkuar do të qëndrojnë gjithmonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Në Afganistan, 457 vdiqën, shumë u plagosën rëndë dhe ata ishin ndër luftëtarët më të mëdhenj. Është një lidhje shumë e fortë për t’u thyer ndonjëherë”, deklaroi Donald Trump në platformën e tij Truth Social.

Në një intervistë të enjten me ”Fox News”, presidenti amerikan sulmoi vendet e tjera anëtare të NATO-s gjatë konfliktit 20-vjeçar në Afganistan, duke pretenduar se aleatët kishin “qëndruar shumë larg vijave të frontit” dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk kishin pasur kurrë nevojë për to”.

Mbretëria e Bashkuar pësoi numrin e dytë më të lartë të viktimave në Afganistan pas Shteteve të Bashkuara (2 400 vdekje).

Ndërsa kërkoi falje për rolin e ushtarëve britanikë, Donald Trump nuk tha asgjë për përfshirjen e ushtarëve nga vendet e tjera.

Pas vendeve evropiane, Australia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, por mori pjesë në koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të për të dëbuar Al-Kaedën nga fortesat e saj afgane pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, gjithashtu i denoncoi këto vërejtje si “krejtësisht të papranueshme”.

Kryeministri Anthony Albanese vlerësoi “guximin” e gati 40 000 trupave australiane të vendosura gjatë dy dekadave (2001-2021).

“Ata ishin sigurisht në vijën e parë për të mbrojtur, së bashku me aleatët tanë të tjerë, demokracinë dhe lirinë, si dhe për të mbrojtur interesat tona kombëtare”, theksoi ai.

Franca, Danimarka, Italia dhe Polonia gjithashtu shprehën zemërimin e tyre.

“Këto deklarata të papranueshme nuk kërkojnë koment. Kreu i Shtetit dëshiron t’u ofrojë ngushëllim familjeve të ushtarëve të rënë dhe të përsërisë mirënjohjen dhe kujtimin me respekt të kombit”, tha një burim pranë presidentit francez Emmanuel Macron.

Franca pati 89 vdekje në Afganistan midis viteve 2001 dhe 2014.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu “habinë” e saj dhe kërkoi “respekt” pas deklaratave të zotit Trump, me të cilin ajo konsiderohet aleate.

Kryeministri polak Donald Tusk kujtoi pjesëmarrjen në një ceremoni lamtumire në vitin 2011 për pesë ushtarë polakë të vrarë në aksion në Afganistan.

“Oficerët amerikanë që më shoqëruan më thanë se Amerika nuk do t’i harronte kurrë heronjtë polakë. Ndoshta do t’ia kujtojnë këtë presidentit Trump”, shkroi ai në X.

Në Danimarkë, kryeministrja Mette Frederiksen e konsideroi “të padurueshme që presidenti amerikan po vë në pikëpyetje angazhimin e ushtarëve aleatë në Afganistan”.

Shoqata Daneze e Veteranëve tha se ishte “pa fjalë” në përgjigje të vërejtjeve të Donald Trump.

Ajo po bën thirrje për një marshim të heshtur të shtunën, më 31 janar, në Kopenhagë për të protestuar kundër këtyre sulmeve.

Grindja e parë midis dy vendeve erdhi nga komentet e bëra nga zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i cili, gjatë një vizite në bazën amerikane në Pituffik në Grenlandë në mars 2025, e quajti Danimarkën një “aleat të keq”.

“Kemi kaluar nga vërejtjet ofenduese në ato të pahijshme. Dhe tani ndiejmë se është një tradhti. Kjo nuk është vetëm e pavërtetë, por është padyshim diçka ndaj së cilës duhet të reagojmë shumë, shumë me vendosmëri”, tha zëvendëspresidenti i shoqatës, Soren Knudsen.

Knudsen shërbeu në Afganistanin jugor në vitin 2006 dhe ishte zëvendëskomandant i një misioni të NATO-s në vitin 2012, i përbërë kryesisht nga trupa amerikane.

Sipas forcave të armatosura daneze, 44 ushtarë danezë kanë vdekur në Afganistan, 37 u vranë në aksion dhe shtatë të tjerë vdiqën nga sëmundje, aksidente ose lëndime të tjera./  a.jor.

The post SINTEZË – Zemërim nga Franca në Australi, pas komenteve të Trump mbi Afganistanin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ramadani shkëlqen ndaj Lazios dhe shpallet “Njeriu i Ndeshjes”

25 January 2026 at 14:06

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Mesfushori Ylber Ramadani u shpall “Njeriu i Ndeshjes” në sfidën e javës së 22-të të Serie A mes Leçes dhe Lazios, e luajtur mbrëmjen e djeshme në Puglia, ku verdhekuqtë barazuan 0-0 me kryeqytetasit.

“Maratonomaku” i mesfushës së Leçes arriti të realizojë 89% pasa të sakta, ose 39 nga 44 në total. Ndërkohë, triumfoi në të gjitha interceptimet, tetë nga tetë në të cilat u përfshi, dhe rikuperoi topin në dhjetë raste nga 17 duele në total.

Futbollisti ka bërë një sezon të mirë dhe është ndër ata që ka mbuluar më shumë kilometra në elitën e futbollit italian. Me performancën e tij, mesfushori kuqezi arriti edhe të siguronte rinovimin e kontratës me klubin nga Puglia.

/a.f/

The post Ramadani shkëlqen ndaj Lazios dhe shpallet “Njeriu i Ndeshjes” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vizitorë nga e gjithë bota zbulojnë pasuritë natyrore e kulturore të Shqipërisë në Panairin e Madridit

25 January 2026 at 13:55

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot përshtypjet e vizitorëve të huaj për stendën e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR në Madrid, ku vizitorë nga Spanja, Kina, Porto Rico, Maroku, Italia dhe vende të tjera të botës po zbulojnë pasuritë natyrore dhe kulturore të vendit tonë.

Përmes punimeve artizanale, aromave dhe shijeve autentike të produkteve dhe pijeve tradicionale, Shqipëria prezantohet si një destinacion turistik që përjetohet me të gjitha shqisat.

Vizitorët shprehën interes të madh për të vizituar vendin tonë dhe për të njohur kulturën, artizanatin, muzikën dhe qytetet historike si Berati.

Një vizitor nga Porto Rico vlerësoi stendën shqiptar si “të mrekullueshëm”, duke theksuar se koktejet dhe produktet tradicionale ishin të shkëlqyera, dhe se kishte vizituar Shqipërinë më parë dhe planifikon të kthehet këtë vit.

Një vizitore nga Kina vlerësoi punën e mjeshtërve me leshin dhe ngjyrat e artizanatit shqiptar, duke e cilësuar tërheqëse dhe motivuese për të vizituar vendin. Ajo vlerësoin gjithashtu mikpritjen, ushqimin dhe pijet tradicionale, duke shprehur dëshirën për një vizitë të afërt në Shqipëri.

Një vizitor nga Maroku ndau emocionet e tij për përputhshmërinë e veshjeve kulturore shqiptare me traditat e Marokut, duke theksuar se stenda shqiptare i kishte rikujtuar kulturën, familjen dhe shtëpinë e tij.

Ai shprehu dëshirën për të vizituar Shqipërinë për herë të parë dhe për të njohur artizanatin dhe traditat vendase.

Një turist italian u shpreh se kishte pasur një përvojë shumë pozitive gjatë turit me motoçikleta off-road në jug dhe qendër të vendit, duke kaluar përmes Vlorës, liqenit të Pogradecit dhe Tiranës, dhe kishte vlerësuar terrenin, bregdetet dhe ushqimin fantastik.

Kryeministri Rama nënvizoi se pjesëmarrja e vizitorëve të huaj në stendën e Shqipërisë tregon interesin e madh ndërkombëtar për turizmin, kulturën dhe traditat e vendit, duke promovuar Shqipërinë si një destinacion autentik dhe tërheqës për turistët nga e gjithë bota.

Pjesëmarrja e Shqipërisë në FITUR 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për promovimin e turizmit shqiptar në tregjet ndërkombëtare, për forcimin e bashkëpunimit me operatorë turistikë dhe për rritjen e numrit të vizitorëve të huaj në vend.

Referuar të dhënave të fundit të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT) 12,466,038 shtetas të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit që lamë pas.

Kjo shifër shënon një rritje vjetore prej 6.6% krahasuar me vitin 2024, duke dëshmuar se trendi rritës i Shqipërisë si destinacion turistik po konsolidohet.

/gj.m/a.f/

 

The post Vizitorë nga e gjithë bota zbulojnë pasuritë natyrore e kulturore të Shqipërisë në Panairin e Madridit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dëmtohet Ismajli, mbrojtësi kuqezi probleme në kavilje

25 January 2026 at 13:53

TIRANË, 25 janar /ATSh/ Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardjan Ismajli, u dëmtua mbrëmjen e djeshme gjatë sfidës së vlefshme për javën e 22-të të Serie A mes Comos dhe Torinos.

Ismajli u zëvendësua nga trajneri i Torinos, Marco Baroni, në minutën e 21-të pas një problemi në kavilje. Në atë moment, Torino ishte duke humbur me rezultatin 2-0, ndërsa ndeshja përfundoi 6-0 në favor të skuadrës së Cerch Fabregas.

Kjo situatë ndodh në një kohë kur Kombëtarja po përgatitet për fazën play-off të Kupës së Botës, dhe trajneri Sylvinho kërkon t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion. Për t’u theksuar, Ismajli pak javë më parë ishte rikthyer nga një lëndim.

/a.f/

 

The post Dëmtohet Ismajli, mbrojtësi kuqezi probleme në kavilje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një perlë mes maleve të Përmetit, Kisha e Shën Mërisë në Leusë

25 January 2026 at 13:53

TIRANË, /25 janar /ATSH/ – Kisha e Shën Mërisë në Leusë, një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë kulturore të Përmetit, mbetet një dëshmi e gjallë e historisë, besimit dhe identitetit shpirtëror të zonës. E ndërtuar në shekuj dhe e ruajtur ndër breza, kjo kishë përfaqëson një nga vlerat më domethënëse të trashëgimisë kulturore dhe fetare të jugut të Shqipërisë.

E njohur për arkitekturën e saj karakteristike dhe ikonografinë e pasur, Kisha e Shën Mërisë në Leusë është jo vetëm një vend kulti, por edhe një pikë referimi për historinë dhe artin mesjetar shqiptar. Muret e saj mbartin gjurmë të mjeshtërisë së ikonografëve dhe ndërtuesve të kohës, duke reflektuar ndikime të rëndësishme të artit bizantin dhe traditës lokale.

Prej vitesh, kjo kishë vizitohet nga besimtarë, studiues dhe turistë vendas e të huaj, të cilët vlerësojnë autenticitetin dhe qetësinë shpirtërore që ofron ky monument. Ajo luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kulturor të komunitetit të Leusës dhe të gjithë krahinës së Përmetit.

Kisha e Shën Mërisë është shpallur monument kulture dhe mbrohet nga institucionet përkatëse, ndërsa vlerat e saj arkitektonike, historike dhe shpirtërore e rendisin ndër asetet më të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare shqiptare, duke kontribuar në promovimin e turizmit kulturor dhe fetar në këtë zonë.

The post Një perlë mes maleve të Përmetit, Kisha e Shën Mërisë në Leusë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërron jetë rumuni në burgun e Shkodrës

25 January 2026 at 13:38

TIRANË, 25 janar/ATSh/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve informon opinionin publik se sot, në Institucionin e Ekzekutimin e Vendimeve Penale në Shkodër, ka ndërruar jetë shtetasi Nicolae Ionnut Erion Deliver, i datëlindjes 23.03.2005, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër.

Ky shtetas ishte arrestuar më datë 07.10.2024 dhe ishte akomoduar në IEVP Shkodër më datë 10.10.2024, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.

Sipas informacionit paraprak, gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.

/a.f/

The post Ndërron jetë rumuni në burgun e Shkodrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SOFT NEWS – Japonezët u japin lamtumirën dy pandave të vetme që kthehen në Kinë

25 January 2026 at 13:23

TOKIO, 25 janar /ATSH-AFP/ – Shumë admirues po u japin sot lamtumirën dy pandave jashtëzakonisht të njohura në Kopshtin Zoologjik të Tokios, të cilat po përgatiten të kthehen në Kinë duke e privuar arkipelagun nga këto kafshë ikonike për herë të parë në gjysmë shekulli.

Të huazuara si pjesë e programit “diplomacia e pandave” të Kinës, këto kafshë kanë simbolizuar miqësinë midis Pekinit dhe Tokios që nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre diplomatike në vitin 1972.

Megjithatë, ky largim vjen mes tensioneve të larta diplomatike midis dy fuqive fqinje.

Japonia kishte vetëm këto dy panda binjake – Lei Lei dhe Xiao Xiao – në Kopshtin Zoologjik të Tokios në distriktin Ueno.

Vizitorët e kopshtit zoologjik u prekën deri në lot ndërsa shikonin dy pandat duke ngrënë filiza bambuje.

Kthimi i papritur i pandave u njoftua muajin e kaluar pasi kryeministrja konservatore e  Japonisë, Sanae Takaichi, sugjeroi që Tokio mund të ndërmarrë veprime ushtarake në rast të një sulmi ndaj Tajvanit.

Kjo deklaratë provokoi zemërimin e Pekinit, i cili e pretendon ishullin si pjesë të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar pushtimin e tij me forcë.

“Mendoj se të shohësh panda mund të ndihmojë në ndërtimin e urave me Kinën. Kjo është arsyeja pse dua vërtet që ato të kthehen në Japoni”, tha Gen Takahashi, 39 vjeç, një banor i Tokios i cili vizitoi kopshtin zoologjik me gruan e tij dhe vajzën e tyre dyvjeçare.

Qeveria Metropolitane e Tokios, e cila menaxhon kopshtin zoologjik, kishte treguar më parë se dy kafshët ikonike do të ishin në ekspozim publike deri këtë të diel.

Dy pandat do të largohen me avion nga Japonia dy ditë më vonë dhe pritet të mbërrijnë më 28 janar në një strukturë në Kinë ku jeton motra e tyre e madhe, Xiang Xiang.

4 400 fituesit me fat të një lotarie online mundën të admironin me radhë pandat katërvjeçare, ndërsa të tjerë, të mbledhur pranë kopshtit zoologjik, shfaqnin me krenari veshje, çanta dhe lodra prej pelushi me temë pandash.

Mayuko Sumida udhëtoi për disa orë nga rajoni Aichi në Japoninë qendrore me shpresën për t’i parë ato, edhe pse nuk fitoi lotarinë.

“Jam plotësisht e magjepsur. Japonia do të mbetet pa asnjë panda. Është mjaft e trishtueshme”, tha Mayuko./  a.jor.

The post SOFT NEWS – Japonezët u japin lamtumirën dy pandave të vetme që kthehen në Kinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryeministri Rama vizitë në Izrael, fjalim historik në Knesset

25 January 2026 at 12:42

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë një vizitë pune në Jeruzalem, Izrael, më 25–27 janar, me rastin e pjesëmarrjes së tij në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit.

Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga delegacioni shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimimes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.

Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.

Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.

Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.

Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, Amir Ohana.

Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.

Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.

Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.

Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog.

Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Western Wall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit.

/gj.m/a.f/

 

The post Kryeministri Rama vizitë në Izrael, fjalim historik në Knesset appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Sasi e konsiderueshme kokaine sekuestrohet në portin e Patras

25 January 2026 at 12:40

PATRAS, 25 janar /ATSH-ANA/ – Sasi të mëdha kokaine dhe kanabisi u sekuestruan nga oficerët e Autoritetit Qendror Portual të Patras pas një inspektimi të një kamioni, ndërsa dy burra, të moshës 49 dhe 41 vjeç, u arrestuan në lidhje me rastin.

Konkretisht, sipas Rojës Bregdetare, gjatë një inspektimi të një kamioni të drejtuar nga 49-vjeçari, i cili ishte shkarkuar në portin jugor të Patras nga një anije që vinte nga një port italian dhe pas një alarmi nga një qen zbulimi narkotikësh, oficerët zbuluan 20 pako plastike që përmbanin kokainë në kabinën e shoferit, me një peshë totale bruto prej 22 kilogramësh dhe 693 gramë.

Një inspektim i mëvonshëm i zonës së ngarkesës zbuloi 163 pako plastike me kanabis hidroponik të papërpunuar, me një peshë totale prej 133 kilogramësh dhe 669 gramë si dhe 20 pako plastike me kokainë me një peshë totale bruto prej 21 kilogramësh dhe 942 gramë.

Pas hetimeve të mëtejshme, 41-vjeçari u arrestua në zonën e Haidarit në Atikë, ku kishte mbërritur me makinë për të marrë një pjesë të lëndës narkotike.

Një kontroll në shtëpinë e 49-vjeçarit në Chalkoutsi, Atikë, zbuloi një armë zjarri, një thikë gjuetie me teh 25 centimetra, 13 pulla nga kompani të ndryshme greke dhe bullgare dhe një laptop.

Për më tepër, një kontroll në një dyqan në pronësi të 41-vjeçarit në Athinë zbuloi 5 700 euro në para të thata, 285 lira turke, një laptop, një telefon celular, tri karta SIM, një peshore precize dhe një regjistrues CCTV./ a.jor.

The post GREQI – Sasi e konsiderueshme kokaine sekuestrohet në portin e Patras appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌