Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Steven Spielberg fiton Grammy-n e parë me dokumentarin “Music by John Williams”

2 February 2026 at 00:09

Los Anxhelos, 2 shkurt /ATSH/ – Regjisori i njohur amerikan Steven Spielberg ka fituar Grammy-n e tij të parë, si producent i dokumentarit “Music by John Williams”, i cili u vlerësua me çmimin “Best Music Film” në ceremoninë e sivjetme të çmimeve Grammy.

Me këtë fitore, Spielberg i afrohet statusit prestigjioz EGOT, duke qenë tashmë vetëm një Tony Award larg arritjes së plotë që përfshin çmimet Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony.

Në një deklaratë pas marrjes së çmimit, Spielberg falënderoi votuesit e Grammy-ve dhe ekipin e realizimit, duke theksuar rëndësinë e këtij vlerësimi për të dhe bashkëpunëtorët e tij. Ai nënvizoi se ky çmim është veçanërisht domethënës, pasi konfirmon ndikimin e jashtëzakonshëm që kompozitori legjendar John Williams ka pasur në kulturë dhe muzikë për më shumë se pesë dekada.

“Ndikimi i John Williams në kulturë dhe muzikë është i pamatshëm dhe trashëgimia e tij artistike është e pakrahasueshme,” u shpreh Spielberg, duke shtuar se është krenar që është pjesë e këtij dokumentari.

Dokumentari “Music by John Williams”, me regji nga Laurent Bouzereau, i kushtohet jetës dhe karrierës së kompozitorit të njohur për kolonat zanore të disa prej filmave më ikonë të historisë së kinemasë.

The post Steven Spielberg fiton Grammy-n e parë me dokumentarin “Music by John Williams” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 1 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vllaznia fiton dhe kryeson e vetme kampionatin, Tirana mund Egnatian

TIRANË, 1 shkurt /ATSH/ Kategoria Superiore mbylli pasditen e së dielës Javën e 22-të me dy ndeshjet e fundit, ku Vllaznia dhe Tirana dolën triumfuese në transfertat respektive.

Në stadiumin “Niko Dovana”, Vllaznia fitoi 1-0 ndaj Teutës, duke vijuar momentin pozitiv dhe duke kryesuar tashmë e vetme renditjen me 42 pikë, tre më shumë se Egnatia dhe AF Elbasani. Shkodranët gjetën rrugën e rrjetës që në pjesën e parë dhe më pas administruan avantazhin deri në fund të takimit.

Në “Egnatia Arena”, Tirana arriti një sukses të rëndësishëm 1-0 përballë kampionëve në fuqi të Egnatias. Një fitore me peshë për bardheblutë, që vazhdojnë serinë pozitive dhe ngjiten në vendin e nëntë me 20 pikë, po aq sa Bylisi i vendit të tetë.

Takimet e së shtunës u mbyllën me barazime. Përballja mes Vorës dhe Flamurtarit përfundoi 0-0, në një ndeshje të luftuar dhe të balancuar. Barazim 2-2 u regjistrua edhe në “Arena e Demave” mes Partizanit dhe AF Elbasanit, në një sfidë me ritëm të lartë dhe gola nga të dyja skuadrat.

Pa gola u mbyll edhe takimi mes Dinamo City dhe Bylisit në stadiumin “Air Albania”, ku të dyja ekipet ndanë nga një pikë pas një përballjeje të fortë.

Abissnet Superiore Java 22
1 nga 2

The post Vllaznia fiton dhe kryeson e vetme kampionatin, Tirana mund Egnatian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

UKRAINË – Rusia sulmon maternitetin në Zaporizhia, të paktën nëntë të plagosur

1 February 2026 at 19:22

KIEV, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Të paktën nëntë persona u plagosën pasi dronët rusë goditën një maternitet në qytetin jugor të Zaporizhias, thanë sot zyrtarët.

Guvernatori ushtarak Ivan Federov tha se në sulmin fillestar ishin plagosur gjashtë persona, përfshirë dy gra që kishin qenë në spital për një ekzaminim.

“Në sulmin e dytë, u plagosën dy gra dhe një fëmijë 4-vjeçar”, tha ai.

Federov publikoi foto të ndërtesës së rrënuar në Telegram, të cilat tregonin dritare të thyera dhe dhoma spitalore të rrënuara.

Më herët, zyrtarët thanë se një burrë dhe një grua ishin vrarë në sulmet me dron rusë gjatë natës në Dnipro.

Forcat Ajrore Ukrainase raportuan një total prej 90 sulmesh me dron rusë gjatë natës në të gjithë vendin.

Sulmet vijnë mes negociatave të vazhdueshme për t’i dhënë fund luftimeve gati katër-vjeçare.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha sot se bisedimet tripalëshe të paqes midis Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së do të zhvilloheshin të mërkurën dhe të enjten në Abu Dabi.

Negociatat e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit rifilluan në Abu Dhabi një javë më parë pas një ndërprerjeje të gjatë. Ato u mbajtën pas dyerve të mbyllura dhe u ndërmjetësuan nga SHBA-ja përmes kryenegociatorit të tyre Steve Witkoff.

Përpara bisedimeve të planifikuara dypalëshe të dielën, Rusia kishte rënë dakord me një kërkesë të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të ndaluar përkohësisht sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pasi sulmet në centrale shkaktuan ndërprerje masive të energjisë elektrike.

“Armëpushimi i kufizuar duhej të zgjaste deri sot”, sipas Kremlinit. //a.i/

 

The post UKRAINË – Rusia sulmon maternitetin në Zaporizhia, të paktën nëntë të plagosur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kozeli: Rrëshqitja e dherave në Dragostunjë për shkak të reshjeve të fundit

1 February 2026 at 19:05

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli u shpreh sot, se rënia e masivit të dherave në fshatin Dragostunjë, ka ardhur si pasojë e fenomeneve natyrore.

Kozeli tha se rrëshqitja ka ndodhur në kilometrin e tretë në dalje të Librazhdit, rreth orës 10.15 minuta.

“Ka ndodhur një rrëshqitje  e gurit masiv në shpatin e malit. Situata vjen për shkak të reshjeve të denduara që kemi javë të tëra që i raportojmë. Ka pasur një mbingopje të shaptit me ujë, gjë që shkaktuar edhe rëshqitje”, tha Kozeli.

Sipas drejtorit të ARRSh-së, situata ka ndodhur vetëm për shkak të fenomenit natyror të reshjeve të shiut, dhe jo për shkak të punimeve që po kryhen në zonë.

“Ka gatishmëri nga ana e kontraktorit të mirëmbajtjes së këtij aksi, që ka sjellë në dispozicion të githa mjetet”, vijoi ai.

Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve që kanë pritur për disa orë, për mbarëvajtjen e qarkullimit.

Aksi rrugor Elbasan – Qafë Thanë, tashmë është zhbllokuar pas rrëshqitjes të masivit të dherave, që pengoi qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.

/e.i/j.p/

The post Kozeli: Rrëshqitja e dherave në Dragostunjë për shkak të reshjeve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH: Hapet aksi Elbasan–Qafë Thanë për qarkullimin e mjeteve

1 February 2026 at 18:45

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi pasditen e sotme se aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është hapur për qarkullimin e mjeteve pas bllokimit që zgjati disa orë për shkak të rrëshqitjes së masivit të dherave nga shpatet në trupin e rrugës.

Bllokimi ndodhi në segmentin Librazhd-Prrenjas, rreth 3 km larg Librazhdit, në fshatin Dragostunjë, ku si rezultat i reshjeve të dendura u shkëput masiv dherash dhe shkëmbinjsh nga shpati i sipërm i hekurudhës duke bllokuar totalisht hekurudhën dhe rrugën poshtë saj.

Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve që kanë pritur për disa orë, për mbarëvajtjen e qarkullimit.

Më herët, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, bëri me dije se kompania kontraktore e mirëmbajtjes së aksit rrugor Librazhd-Qafë Thanë dhe ARRSh u angazhuan për zhbollikimin e rrugës.

Sipas MIE-s, menjëherë kontraktorët janë angazhuar me 6 eskavatorë, 2 fadroma dhe punonjës për hapjen e rrugës sa më shpejt që të jetë e mundur.

Prej disa orësh, aksi rrugor Elbasan – Qafë Thanë u bllokua pas rrëshqitjes të masivit të dherave, që pengoi qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.

/e.i/j.p/

The post ARRSH: Hapet aksi Elbasan–Qafë Thanë për qarkullimin e mjeteve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për “Jerusalem Post”: Antisemitizmi kërcënon të gjithë njerëzimin

1 February 2026 at 18:06

JERUZALEM, 1 shkurt /ATSH/- Në Jeruzalem javën e kaluar, kryeministri Edi Rama i zgjodhi fjalët e tij me kujdes dhe i zgjodhi ato sipas traditës hebraike, sipas “The Jerusalem Post”.

“Talmudi mëson se kushdo që shpëton një jetë të vetme, është sikur të ketë shpëtuar të gjithë botën”, tha Rama në konferencën ndërkombëtare për antisemitizmin “Generation Truth” të organizuar nga Ministria e Çështjeve të Diasporës dhe Luftës Kundër Antisemitizmit e Izraelit.

Takimi, i mbajtur në Jeruzalem për të dytin vit radhazi, që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, mblodhi udhëheqës ndërkombëtarë dhe figura të komunitetit hebraik në Izrael, për të diskutuar rritjen globale të antisemitizmit.

“Antisemitizmi nuk është thjesht një urrejtje ndaj hebrenjve, por një sulm ndaj arkitekturës morale të vetë njerëzimit”, tha Rama.

“Bëhet fjalë për njerëzimin. Historia tregon se fillon me hebrenjtë, por nuk mbaron me hebrenjtë”, tha kryeministri Rama për “The Jerusalem Post”.

Paralajmërimi i Ramës, i cili është pjesërisht instinkt historik, pjesërisht gjykim politik, qëndron në fokus të marrëdhënies së tij me Izraelin.

Pikëpamja e Ramës për Jeruzalemin nuk është pikëpamja mesatare diplomatike, por vjen nga një botë ku ai u rrit duke u mësuar të urrente shtetin hebre.

Jeruzalemi diskutohet pas Perdes së Hekurt

Historia personale e Ramës fillon në një Shqipëri komuniste të izoluar nga bota, ku paranoja ishte politikë shtetërore dhe ku pak miq gjendeshin në të dyja anët e Perdes së Hekurt.

“Që kur isha fëmijë, isha i fiksuar pas Jeruzalemit”, th ai.

“Ne jetonim në një vend krejtësisht të izoluar dhe na mësuan se duhej të përgatiteshim për “luftën e madhe”, sepse “ata” do të vinin për ne. “Ata” ishin imperialistët amerikanë, socialimperialistët sovjetikë dhe sionistët izraelitë”, shtoi Rama.

“Jeruzalemi vinte nëpërmjet dy kanaleve. Njëri ishte versioni i miratuar nga shteti, ai i nxënësve të shkollës që lexonin gazetën e Partisë Komuniste në mëngjes, me raporte rreth “sa keq ushtria sioniste vret, plagos ose zhvendos palestinezët”, tha kryeministri Rama.

“Kanali tjetër ishte më privat dhe shumë më i ndaluar nën regjimin e Enver Hoxhës”, shtoi ai.

“Kanali tjetër i lidhjes sime ishte Bibla e gjyshes sime, e cila ishte një katolike shumë e zjarrtë”, tha Rama.

“Bibla në atë kohë ishte e ndaluar, por ajo kishte një Bibël të vërtetë, dhe kështu edhe nëna ime”, shtoi ai.

“Pas rënies së komunizmit, nuk mund të vija në Izrael sepse nuk kishte udhëtime ajrore ose detare”, kujtoi ai.

“Por fillova të mësoja shumë më tepër rreth historisë së Jeruzalemit, dhe më në fund arrita të vija, dhe dashuria vetëm rritej që atëherë”, tha Rama.

Ishte pas Luftës së Ftohtë që marrëdhëniet moderne midis Izraelit dhe Shqipërisë u rindërtuan.

Marrëdhëniet u vendosën menjëherë pas themelimit të Izraelit, u ndërprenë për disa dekada dhe u rivendosën në fillim të viteve 1990.

Ambasadat u krijuan, më vonë si në Tel Aviv ashtu edhe në Tiranë, dhe bashkëpunimi u zgjerua në ekonomi, kulturë, bujqësi, kibernetikë dhe turizëm.

Në konferencën e Jeruzalemit, ai u rikthye te historia e kohës së luftës që është bërë karta morale e Shqipërisë: kodi i nderit i njohur si “Besa” dhe strehimi i hebrenjve gjatë Holokaustit.

“Kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Evropë që nuk dorëzoi asnjë hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebraike u rrit gjatë luftës”, tha Rama, ndërsa i tha pjesëmarrësve se Shqipëria i kishte dhënë mbi 3,700 emra, Qendrës Botërore të Përkujtimit të Holokaustit “Yad Vashem” – të hebrenjve të shpëtuar gjatë Holokaustit.

“Gjatë Holokaustit, zyrtarët nazistë erdhën në Shqipëri me dy kërkesa: listat e hebrenjve dhe listat e arit”, tha Rama në konferencë.

Ai tha se përgjigjja u dha përmes autoriteteve të Shqipërisë dhe më pas u përforcua nga katër udhëheqësit fetarë të vendit – figurat që vetë nazistët i trajtuan si arbitra moralë dhe u përpoqën t’i angazhonin për të zgjidhur ato “dy çështje”.

“Por, përgjigjja e Shqipërisë nuk u përkul dhe nuk bëri pazar. Ishte e thjeshtë dhe përfundimtare: “Mund t’ua merrni arin, nuk mund t’i merrni hebrenjtë tanë. Ari ishte i tyre për ta marrë, hebrenjtë ishin tanët për t’i mbrojtur. Dhe kjo nuk është një legjendë, është një fakt”, theksoi Rama.

“Antisemitizmi po rishfaqet sërish hapur dhe pa turp, shpesh i maskuar si kritikë politike, ankth kulturor, ose edhe më keq, superioritet moral”, shtoi ai.

“Urrejtja nuk fillon me dhunë. Fillon me gjuhë. Fillon me indiferencë. Fillon me justifikime”, tha Rama.

“Sapo të fillosh të tolerosh antisemitizmin, në fakt po hap një vrimë në strukturën që i mban shoqëritë të qëndrueshme”, këmbënguli Rama.

“Është si të hapësh një vrimë, pastaj ajo bëhet gjithnjë e më e madhe me kalimin e kohës. Ose si të kesh një ndërtesë pa dritare ose dyer për mbrojtje”, shtoi ai.

Rama iu drejtua gjithashtu 7 tetorit dhe luftës dyvjeçare që pasoi, duke iu referuar perceptimit se Izraeli kishte dështuar në “luftën e PR” në Perëndim.

“Terrorizmi nuk është një perspektivë. Është thjesht një krim kundër njerëzimit. Masakra e 7 tetorit nuk ishte rezistencë. Ishte një vrasje masive”, tha ai.

Ai i pranoi vuajtjet palestineze në Gaza si “reale” dhe “vërtet zemërthyese”, por tha se detyrimet morale në Perëndim e kishin ngatërruar të vërtetën për disa njerëz.

“Ne jetojmë në kohë të vështira të së vërtetës, sepse tani opinionet po trajtohen si fakte dhe faktet po trajtohen si opinione”, tha ai.

“Është një rrëmujë. Më shumë se kaq, bazuar në besnikëri, njerëzit zgjedhin opinione se “kjo është e drejtë” dhe pastaj e konsiderojnë atë si fakt”, tha Rama.

“Është një çmenduri të turbullosh vijat morale ose të legjitimosh terrorin në emër të proporcionalitetit. Paqja nuk do të thotë dhe nuk mund të nënkuptojë neutralitet ndaj terrorit”, tha kryeministri Rama.

Gjatë intervistës, Rama argumentoi se marrëdhënia e Shqipërisë me Izraelin nuk kufizohet vetëm në historinë ceremoniale.

“Izraelitët, mund ta ndiejnë atë në terren, veçanërisht në një kohë kur hebrenjtë janë përballur me armiqësi në pjesë të Evropës”, tha ai.

“Nuk kishte asnjë tubim, nuk kishte asnjë shenjë në asnjë formë antisemitizmi ndaj numrit shumë të gjerë të turistëve hebrenj që vijnë në Shqipëri”, tha ai, duke e krahasuar atë me vendet e tjera të afërta – ku tha se turistët hebrenj kishin vuajtur për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Megjithatë, pati momente më të lehta gjatë vizitës së tij. Kryetari i Knesset-it, Amir Ohana, i dhuroi Ramës një palë këpucë të dizenjuara me porosi të stampuara me flamurin shqiptar si shenjë vlerësimi.

Gjithashtu, kryeministri Rama pati takime për të çuar përpara Dhomën e Tregtisë së Shqipërisë në Izrael dhe një konferencë për shtyp së bashku me kryeministrin Benjamin Netanyahu.

Rama mori gjithashtu një duartrokitje në këmbë kur doli në podiumin e Knesset-it ndërsa do iu drejtohej ligjvënësve izraelitë.

Rama e shpjegoi këtë afërsi në terma më të thjeshtë.

“Mendoj se është normale të jesh mik me Izraelin, por është një nder të konsiderohesh një mik kaq i ngushtë i Izraelit”, tha Rama.

I pyetur se çfarë do të ndodhte më pas midis dy vendeve, Rama tha: “Shpresoj se do të kemi shumë gjëra të tjera të mira”.

Për Izraelin, vizita e Ramës ishte më shumë sesa thjesht një gjest diplomatik midis vendeve miqësore.

Jeruzalemi ka një aleat të vërtetë te kryeministri shqiptar, i cili mund të qëndrojë në skenë në kryeqytetin e përjetshëm të Izraelit dhe të citojë Talmudin.

Por për Ramën, përgjigjja është e qartë dhe kthehet te ideja e tij thelbësore e njerëzimit – se “nëse i lini të fillojnë me hebrenjtë, së shpejti do të vijnë për ju”. //a.i/

The post Rama për “Jerusalem Post”: Antisemitizmi kërcënon të gjithë njerëzimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MIE: 6 ekskavatorë dhe 2 fadroma të angazhuara për hapjen e rrugës Librazhd-Qafë Thanë

1 February 2026 at 18:04

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës bëri me dije se kompania kontraktore e mirëmbajtjes së aksit rrugor Librazhd-Qafë Thanë dhe ARRSh janë angazhuar për zhbollikimin e pjesës së bllokuar në fshatin Dragostunjë.

Në një njoftim për mediet, MIE informon se në segmentin Librazhd-Përrenjas, rreth 3 km larg Librazhdit, në fshatin Dragostunjë, si rezultat i rreshjeve të dendura është shkëputur një masiv dherash dhe shkëmbinjsh nga shpati i sipërm i hekurudhës duke bllokuar totalisht hekurudhën dhe rrugën poshtë saj.

Sipas MIE-s, menjëherë kontraktorët janë angazhuar me 6 ekskavatorë, 2 fadroma dhe punonjës për hapjen e rrugës sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Arsyet e kësaj situate lidhen me reshjet e dendura te javëve të fundit dhe erozionin e theksuar të shpatit mbi rrugë”, thuhet në njoftim.

MIE informon se paralelisht me pastrimin e materialit të rënë po bëhet edhe çmontimi i masivit që ka lëvizur dhe që është i paqëndrueshëm, duke shmangur një rrezik të mundshëm për rënie të mëtejshme.

Ndërsa, ARRSH kërkon mirëkuptimin e të gjithë përdorueseve të mjeteve për vonesat e shkaktuar nga kjo ndërhyrje e domosdoshme për zhbllokimin e rrugës.

Prej tri orësh, aksi rrugor Librazhd – Qafë Thanë ishte i bllokuar për shkak të rrëshqitjes të masivit të dherave, duke penguar qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.

/e.i/j.p/

The post MIE: 6 ekskavatorë dhe 2 fadroma të angazhuara për hapjen e rrugës Librazhd-Qafë Thanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndahet nga jeta gazetarja Rezarta Reçi

1 February 2026 at 17:33

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit të gjirit, gazetarja e njohur Rezarta Reçi ka ndërruar jetë sot, në moshën 64-vjeçare.

Reçi e nisi rrugëtimin në media përpara 30 viteve, duke u angazhuar si autore dhe prezantuese në disa formate televizive.

Gazetarja Reçi spikati me emisionin “Arratia e Peshkut të Kuq” në News24, ku intervistoi personalitete të ndryshme dhe solli për publikun histori me qasje sociale dhe njerëzore.

Reçi ka botuar edhe dy libra, me titujt “Kolonë Zanore” dhe “Zhbërja”.

Gazetarja Reçi, e ka përcjellë publikisht në daljet mediatike, betejën e saj të gjatë me kancerin e gjirit, duke shërbyer si shembull kuraje për shumë gra dhe vajza të tjera.

/e.i/j.p/

The post Ndahet nga jeta gazetarja Rezarta Reçi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ANALIZË – Aftësia e NATO-s për të penguar Rusinë goditet nga konfliktet e brendshme transatlantike

1 February 2026 at 17:19

BRUKSEL, 1 shkurt /ATSH/- Aleatët evropianë dhe Kanadaja po shpenzojnë miliarda dollarë për të ndihmuar Ukrainën dhe janë zotuar të rrisin ndjeshëm buxhetet e tyre për të mbrojtur territoret e tyre, sipas AP.

Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, besueshmëria e NATO-s si një forcë e bashkuar nën udhëheqjen e SHBA-së ka marrë një goditje të madhe gjatë vitit të kaluar, ndërsa besimi brenda organizatës ushtarake prej 32 vendesh është shpërbërë.

Përçarja ka qenë më e dukshme për shkak të kërcënimeve të përsëritura të presidentit të SHBA-së Donald Trump për të pushtuar Groenlandën, një territor gjysmëautonom i aleatit të NATO-s, Danimarkës.

Kohët e fundit, deklaratat përçmuese të Trump për trupat e aleatëve të tij të NATO-s në Afganistan shkaktuan një protestë tjetër.

Ndërsa tensioni në Groenlandë është qetësuar për momentin, grindjet e brendshme kanë dëmtuar aftësinë e aleancës më të madhe të sigurisë në botë për të penguar kundërshtarët, sipas analistëve.

“Episodi ka rëndësi sepse kaloi një vijë që nuk mund të anashkalohet”, tha Sophia Besch nga Fondacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare (CEIP) në një raport mbi krizën e Groenlandës.

“Edhe pa forcë ose sanksione, kjo shkelje e dobëson aleancën në një mënyrë të qëndrueshme”, thanë analistët.

Tensionet nuk kanë kaluar pa u vënë re në Rusi, kërcënimi më i madh i NATO-s.

Çdo pengesë ndaj Rusisë mbështetet në sigurimin që presidenti Vladimir Putin të jetë i bindur se NATO do të hakmerret nëse ai zgjeron luftën e tij përtej Ukrainës. Tani për tani, kjo nuk duket të jetë e vërtetë.

“Është një trazirë e madhe për Evropën dhe ne po e vëzhgojmë atë”, vuri në dukje ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov javën e kaluar.

“Kupë e mbushur”

Të kritikuar nga udhëheqësit amerikanë për dekada të tëra për shpenzimet e ulëta të mbrojtjes dhe të sulmuar vazhdimisht nga Trump, aleatët evropianë dhe Kanadaja ranë dakord në korrik të përmirësonin ndjeshëm lojën e tyre dhe të fillonin të investonin 5% të produktit të tyre të brendshëm bruto (PBB) në mbrojtje.

Premtimi kishte për qëllim heqjen e “kamzhikut” nga dora e Trump. Aleatët do të shpenzonin po aq shumë të prodhimit të tyre ekonomik në mbrojtjen thelbësore sa SHBA-ja – rreth 3,5% të PBB-së – deri në vitin 2035, dhe një shpenzim të mëtejshëm prej 1,5% në projekte të lidhura me sigurinë, si përmirësimi i urave, ajrit dhe porteve detare.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte i ka përshëndetur këto premtime si një shenjë të shëndetit të fortë dhe fuqisë ushtarake të NATO-s. Kohët e fundit ai tha se në thelb falë Donald J. Trump, NATO ishte më e fortë se kurrë.

Edhe pse një pjesë e madhe e punës së tij ishte të siguronte që Trump të mos tërhiqej nga NATO, siç presidenti amerikan ka kërcënuar herë pas here, “lajkat” e tij ndaj udhëheqësit të SHBA-së ndonjëherë kanë ngritur shqetësime. Rutte ka refuzuar qëllimisht të flasë për përçarjen mbi Groenlandën.

Neni 5 në rrezik

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut u formua në vitin 1949 për t’iu kundërvënë kërcënimit të sigurisë që paraqiste Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, dhe parandalimi i saj mbështetet nga një prani e fortë e trupave amerikane në Evropë.

Aleanca është ndërtuar mbi premtimin politik se një sulm ndaj një aleati duhet të përballet me një përgjigje nga të gjithë anëtarët – garancia e sigurisë kolektive e sanksionuar në Nenin 5 të rregullores së saj.

Ajo mbështetet në besimin se territoret e të gjithë 32 aleatëve duhet të mbeten të paprekshme. Planet e Trump për Groenlandën sulmojnë pikërisht këtë parim, edhe pse Neni 5 nuk zbatohet në mosmarrëveshjet e brendshme pasi mund të aktivizohet vetëm unanimisht.

“Në vend që të forcojnë aleancat tona, kërcënimet kundër Groenlandës dhe NATO-s po dëmtojnë interesat e vetë Amerikës”, thanë dy senatore amerikane, demokratja Jeanne Shaheen dhe republikanja Lisa Murkowski, në një artikull të “New York Times”.

“Sugjerimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kapnin ose detyronin aleatët të shisnin territor nuk projektojnë forcë. Ato sinjalizojnë paparashikueshmëri, dobësojnë frenimin dhe u japin kundërshtarëve tanë pikërisht atë që duan: provë se aleancat demokratike janë të brishta dhe të pabesueshme”, thanë ata.

Edhe para se Trump të përshkallëzonte kërcënimet e tij për të marrë kontrollin e Groenlandës, aleatët e tij evropianë nuk ishin kurrë plotësisht të bindur se ai do t’i mbronte ata nëse do të sulmoheshin.

Trump ka thënë se nuk beson se aleatët do ta ndihmonin, dhe kohët e fundit ai shkaktoi më shumë zemërim kur vuri në pikëpyetje rolin e trupave evropiane dhe kanadeze që luftuan dhe vdiqën përkrah amerikanëve në Afganistan. Presidenti më vonë e ndryshoi pjesërisht qëndrimin e tij.

Në dëshminë para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, hodhi poshtë kritikat se Trump kishte minuar aleancën.

“Sa më të fortë të jenë partnerët tanë në NATO, aq më shumë fleksibilitet do të kenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar interesat tona në pjesë të ndryshme të botës”, tha ai.

“Kjo nuk është një braktisje e NATO-s. Ky është një realitet i shekullit XXI dhe një botë që po ndryshon tani”, shtoi ai.

Një Rusi që nuk dekurajohet lehtë

Pavarësisht diskutimeve të NATO-s për rritjen e shpenzimeve, Moska duket e palëkundur. Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha këtë javë se ishte e qartë se Rusia do të mbetej një kërcënim i madh për sigurinë për një kohë të gjatë.

“Ne po i kundërvihemi sulmeve kibernetike, sabotimit kundër infrastrukturës së rëndësishme, ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit të informacionit, frikësimit ushtarak, kërcënimeve territoriale dhe ndërhyrjeve politike”, tha Kallas të mërkurën.

Zyrtarët në të gjithë Evropën kanë raportuar akte sabotimi dhe fluturime misterioze me dronë mbi aeroporte dhe baza ushtarake. Identifikimi i fajtorëve është i vështirë dhe Rusia e ka mohuar përgjegjësinë.

Në një fjalim në fund të vitit, Rutte paralajmëroi se Evropa ishte në rrezik të afërt.

“Rusia e ka rikthyer luftën në Evropë dhe ne duhet të jemi të përgatitur për shkallën e luftës që duruan gjyshërit ose stërgjyshërit tanë”, tha ai.

Ndërkohë, në Rusi, Lavrov tha se mosmarrëveshja për Groenlandën paralajmëroi një krizë të thellë për NATO-n.

Dyshime për trupat amerikane
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, do të takohet me homologët e tij në NATO më 12 shkurt. Një vit më parë, ai i trembi aleatët duke paralajmëruar se prioritetet e sigurisë së Amerikës ishin diku tjetër dhe se Evropa duhej të kujdesej për veten tani.

Siguria në rajonin e Arktikut, ku ndodhet Groenlanda, do të jetë në krye të axhendës. Nuk është e qartë nëse Hegseth do të njoftojë një tërheqje të re të trupave amerikane në Evropë, të cilat janë thelbësore për parandalimin e NATO-s.

Mungesa e qartësisë në lidhje me këtë ka nxitur gjithashtu dyshime në lidhje me angazhimin e SHBA-së ndaj aleatëve të saj. Në tetor, NATO mësoi se deri në 1500 trupa amerikane do të tërhiqeshin nga një zonë që kufizohet me Ukrainën, duke zemëruar aleatin Rumaninë.

Një raport nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë paralajmëroi javën e kaluar se, megjithëse trupat amerikane nuk kishin gjasa të zhdukeshin brenda natës, dyshimet në lidhje me angazhimin e SHBA-së ndaj sigurisë evropiane tregonin se “struktura e parandalimit bëhej më e lëkundshme”.

“Evropa po detyrohet të përballet me një realitet më të ashpër”, thanë, Veronica Anghel dhe Giuseppe Spatafora. //a.i/

 

The post ANALIZË – Aftësia e NATO-s për të penguar Rusinë goditet nga konfliktet e brendshme transatlantike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manchester United mposht Fulham 3-2 dhe rikthehet në zonën Champions

1 February 2026 at 17:11

MANCHESTER, 1 shkurt, /ATSH/ – Manchester United u rikthye në katërshen e parë të Premier League, duke zgjatur serinë pa humbje të trajnerit të përkohshëm Michael Carrick me një fitore dramatike 3-2 ndaj Fulham në “Old Trafford”.

United kryesoi me dy gola, por pa të barazohej në minutat e fundit, përpara se zëvendësuesi Benjamin Šeško të shënonte golin e fitores në kohën shtesë, duke siguruar një sukses në stil “Fergie”.

Casemiro hapi rezultatin me kokë në pjesën e parë, ndërsa Matheus Cunha dyfishoi pas pushimit me një realizim spektakolar, duke mbajtur gjallë shpresat e “Djajve të Kuq” për kualifikim në Champions League.

Fulham pati një gol të anuluar, pasi një kontroll i gjatë i VAR-it konstatoi pozicion jashtë loje të Samuel Chukwueze në ndërtimin e aksionit. Skuadra e Marco Silvës u rikthye në fund: Raul Jimenez ngushtoi shifrat nga pika e bardhë në minutën e 85-të, ndërsa Kevin barazoi me një goditje të fuqishme në minutën e parë të shtesës.

Megjithatë, United reagoi menjëherë dhe gjeti golin vendimtar, duke regjistruar tri fitore radhazi për herë të parë që nga tetori. Ndeshja u parapri nga një protestë e rreth 2 mijë tifozëve kundër pronarëve të klubit.

The post Manchester United mposht Fulham 3-2 dhe rikthehet në zonën Champions appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Alcaraz triumfon në “Australian Open” dhe kompleton Career Grand Slam

1 February 2026 at 16:23

MELBOURNE, 1 shkurt / ATSH/ – Carlos Alcaraz fitoi sot finalen e “Australian Open” pas një ndeshjeje emocionuese, duke mposhtur Novak Djokovic me rezultatin 2-6, 6-2, 6-3, 7-5 dhe duke u bërë tenisti më i ri që kompleton një Career Grand Slam.

22-vjeçari spanjoll, numri një i botës, festoi fitoren historike në Rod Laver Arena, ndërsa Djokovic tregoi sportivitet duke e përgëzuar menjëherë pas ndeshjes. Për Alcaraz, kjo ishte hera e parë që triumfon në Melbourne, duke plotësuar koleksionin e titujve në të katër turnetë e mëdhenj.

Djokovic, 38 vjeç, mbetet në kuotën e 24 titujve Grand Slam, në barazim me Margaret Court, dhe la të hapur mundësinë që kjo të ketë qenë paraqitja e tij e fundit në Australian Open.

Alcaraz është vetëm lojtari i nëntë në historinë e tenisit që fiton të katër Grand Slam-et dhe i pari që e arrin këtë pas Djokovic në vitin 2016. Së bashku me Jannik Sinner, ai ka dominuar turnetë madhorë në dy sezonet e fundit, duke fituar shumicën e titujve.

Në ceremoninë e mbylljes, Djokovic vlerësoi arritjen e rivalit të tij të ri, duke e cilësuar punën e Alcaraz si “historike dhe legjendare”.

The post Alcaraz triumfon në “Australian Open” dhe kompleton Career Grand Slam appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Orkestra Simfonike e RTSH- sjell koncertin “Meditim” në nder të Ferdinand Dedës

1 February 2026 at 16:08

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ Orkestra Simfonike e RTSH-së do të sjellë një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit të shquar shqiptar, Ferdinand Deda, një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së kultivuar shqiptare.

Mbrëmja koncertore, e titulluar “Meditim”, do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, hapësirë që mban emrin e tij dhe ku krijimtaria e kompozitorit rikthehet simbolikisht aty ku kujtesa artistike vijon të jetojë dhe të rezonojë përmes tingujve.

Nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, Orkestra Simfonike e RTSH-së, me soliste Merita Rexha Tershana në piano, do t’i ofrojë publikut një udhëtim në universin krijues të Ferdinand Dedës, duke sjellë vepra që pasqyrojnë ndjeshmërinë, finesën dhe identitetin e tij muzikor.

Koncerti përbën një homazh për kontributin e vyer të Dedës në zhvillimin e muzikës simfonike dhe edukimin artistik në Shqipëri, si dhe një vlerësim për trashëgiminë e tij që vijon të frymëzojë breza muzikantësh dhe artdashësish.

Mbrëmja “Meditim” synon jo vetëm të nderojë figurën e kompozitorit, por edhe të riafirmojë rolin e RTSH-së si një institucion që ruan, promovon dhe përcjell vlerat më të mira të kulturës dhe muzikës shqiptare.

The post Orkestra Simfonike e RTSH- sjell koncertin “Meditim” në nder të Ferdinand Dedës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama publikon fotoalbumin e javës

1 February 2026 at 15:56

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot fotoalbumin me momentet kryesore të aktiviteteve të tij gjatë javës.

Gjatë kësaj jave, kreu i qeverisë zhvilloi vizitë pune në Izrael, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Në këtë vizitë, kryeministri u shoqërua edhe bashkëshortja e tij, Linda Rama dhe delegacioni zyrtar.

Ndalesa e parë e Kryeministrit Rama ishte në Nova Site, një vend simbolik i kthyer në hapësirë reflektimi pas ngjarjeve tragjike nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023. Më pas, Rama u prit në takim nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.

Gjithashtu, Rama gjatë vizitës së tij në Izrael u prit nga kryetari i Knessetit (Parlamentit të Izraelit) Amir Ohana në Knesset Plaza me një ceremoni të posaçme si dhe iu adresuar parlamentit.

Kreu i Qeverisë, mori pjesën në aktivitetin e organizuar nga AIDA, ku u prezantua platforma “Export ON”, e cila do të merret me matjen e indikatorëve të punës së përditshme të kompanive eksportuese dhe çdo vit do të publikojë raportin e vet mbi lëvizjen e volumit eksportues.

Gjatë javës, Kryeministri Rama mbajti fjalën e tij edhe në aktivitetin e organizuar për përzgjedhjen e kompanive arkitekturore fituese me projektet e Shtëpisë së Fëmijëve dhe Kompleksit të Inspektorateve Shtetërore.

Njëherësh, Rama mori pjesë në ekspozitën “Spaces in Dialogue” e çelur në COD (Qendra për Hapje dhe Dialog), një ekspozitë që sjell në vëmendje hapësirat, arkitekturën, kujtesën dhe përjetimin njerëzor.

Kreu i Ekzekutivit, mori pjesë edhe në një dëgjesë publike me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026. Rama u shpreh se fermerët duhet të orientohen drejt mundësive të pashfrytëzuara të financimit.

/e.i/j.p/

The post Rama publikon fotoalbumin e javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ukraina mbetet në terr pas ndërprerjeve masive të energjisë

1 February 2026 at 15:21

KIEV, 1 shkurt /ATSH/- Pavarësisht premtimeve për një armëpushim energjetik, Ukraina është zgjuar në një makth të vërtetë blackout-i që ka paralizuar kryeqytetin dhe qytete të tjera të mëdha, sipas “Kyiv Independent”.

Ajo që duhej të ishte një ditë e qetë, pas dakordësisë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe homologut të tij amerikan, Donald Trump, u kthye në një kaos total që në orët e para të mëngjesit – kur Kievi mbeti pa energji elektrike, pa semaforë dhe me metronë e bllokuar.

Situata u rëndua më tej kur u ndalën sistemet e ngrohjes qendrore në temperatura që shënojnë minus 15 gradë Celsius, ndërsa mungesa e ujit dhe energjisë përfshiu me shpejtësi qyetetes si, Kharkivi, Zhytomyri dhe Odesa.

Efekti zinxhir preku madje edhe Moldavinë e Rumaninë, duke nxjerrë jashtë funksionit sistemet kompjuterike në pikat kufitare.

Edhe pse gjatë natës Rusia lëshoi rreth 85 dronë pa goditur drejtpërdrejt rrjetin, autoritetet ukrainase sqaruan se bëhej fjalë për një defekt të rëndë teknik që kishte shkaktuar shkëputjen e linjave me vendet fqinje.

Inxhinierët vendas theksojnë se katër vite bombardime të vazhdueshme i kanë dobësuar aq shumë centralet dhe rrjetin e shpërndarjes, saqë kolapse të tilla janë tashmë të pashmangshme.

Ndërkohë që defektet u riparuan gjatë mbrëmjes, frika mbetet e madhe pasi në mesnatë përfundon afati i armëpushimit të premtuar dhe bombardimet mund të rifillojnë, ndërsa Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike paralajmëroi për rreziqe në centralet e dëmtuara nga lufta.

Në planin diplomatik, vëmendja është kthyer nga Abu Dabi, ku pritet të rinisin takimet direkte mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës për të diskutuar procesin e paqes.

Ky zhvillim vjen pas bisedimeve përgatitore në Majemi mes përfaqësuesve rusë dhe amerikanë, të cilët u shprehën optimistë për hapat e parë dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Megjithatë, presidenti Volodymyr Zelensky mbetet i prerë në qëndrimin e tij, duke insistuar se Ukraina nuk duhet të lihet mënjanë në këto bisedime.

Sipas tij, asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet pa një takim kokë më kokë mes tij dhe Putinit, duke kërkuar kontroll të plotë mbi fatin e negociatave. //a.i/

The post FOKUS – Ukraina mbetet në terr pas ndërprerjeve masive të energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mijëra jetë të shpëtuara përmes ndërhyrjeve në Kardiologjinë e QSUNT

1 February 2026 at 14:35

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Shërbimi i Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza”, gjatë vitit të kaluar ka shpëtuar mijëra jetë përmes ndërhyrjeve jetike.

Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje shifrat e referuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Prej muajit janar deri në dhjetor 2025 në Shërbimin e Kardiologjisë janë kryer 599 implantime aparaturash kardiake (pacemaker, CRT-D, CRT-P, defibrilatorë intrakardiakë të implantueshëm) si dhe 143 angioplastika të planifikuara me stent.

Gjithashtu, Kryeministri Rama informon se janë kryer 2,941 procedura PCI dhe koronarografi, nga të cilat 1,366 urgjenca, ndërhyrje në momentet më kritike për jetën.

Kreu i Qeverisë, falënderon çdo mjek, infermier dhe profesionist shëndetësor që qëndron çdo ditë në vijën e parë të kujdesit.

Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

/e.i/j.p/

The post Rama: Mijëra jetë të shpëtuara përmes ndërhyrjeve në Kardiologjinë e QSUNT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve

1 February 2026 at 14:30

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, përshëndeti vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor për miratimin e 41 vendeve vakante për ndihmës ligjorë në gjykatat e shkallës së parë dhe të apelit.

Lamallai theksoi se ky është një hap konkret që i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të dhënies së drejtësisë.

Sipas ministrit Lamallarit, ky vendim i shërben drejtpërdrejt uljes së stokut të dosjeve dhe përshpejtimit të procesit të dhënies së drejtësisë, një nga problematikat më të ndjeshme me të cilat përballet sot sistemi gjyqësor në vend.

“E shtrova nevojën e kësaj ndërhyrjeje edhe në takimin e së hënës për nisjen e vitit të ri gjyqësor. Shtimi i kapaciteteve dhe forcimi i burimeve njerëzore në sistemin tonë të drejtësisë nuk është thjesht një masë administrative, por një zgjedhje politike në funksion të qytetarëve, për një drejtësi më efikase, më të shpejtë dhe më të besueshme. Sigurisht edhe me standarde të panegociueshme demokratike njësoj si në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Lamallari.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas analizimit të situatës së sistemit gjyqësor dhe mundësive që ka Shkolla e Magjistraturës, miratoi numrin prej 10 kandidatë për magjistratë, profili gjyqtar dhe 6 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Apelit dhe 35 kandidatë për ndihmës ligjorë në Gjykatat e Shkallës së Parë që do të pranohen në programin e formimit fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2026-2027.

/m.q/j.p/

The post Lamallari: Miratimi i 41 vendeve vakante nga KLGJ, hap pozitiv për uljen e stokut të dosjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

METEO – SHBA-ja pritet të goditet nga cikloni “bombë”

1 February 2026 at 16:23

UASHINGTON, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Ndërsa Bregu Lindor i SHBA-së është ende duke u rikuperuar nga stuhia vdekjeprurëse dimërore fundjavën e kaluar, disa shtete në juglindje të vendit tashmë po përgatiten për një tjetër stuhi të fuqishme.

“Një sistem i presionit të ulët atmosferik, pranë bregdetit pritet të kthehet në një “ciklon bombë” – një stuhi dimërore që po intensifikohet në mënyrë shpërthyese”, tha sot Shërbimi Kombëtar i Motit.

Priten reshje të dendura dëbore dhe erëra me forcë uragani. Karolina e Jugut dhe ajo e Veriut, një pjesë e Xhorxhias dhe Virxhinias kanë të ngjarë të preken veçanërisht nga stuhia.

Sipas raporteve të medias amerikane, meteorologët presin valë stuhie, valë të rrezikshme dhe dëmtime të mundshme të ndërtesave në rajonet bregdetare të Karolinës së Veriut.

Lokalisht, reshjet e dëborës mund të arrijnë nivele që normalisht do të shiheshin gjatë një viti të tërë.

Pas stuhisë, ajri i ftohtë arktik po përfshin sërish jugun. Deri sot në mëngjes, temperaturat do të shënojnë nën zero gradë Celcius, në disa pjesë të Floridës së Jugut.

“Këto nivele temperaturash u matën për herë të fundit në fund të viteve 1980”, sipas shërbimit të motit.

Autoritetet po paralajmërojnë për temperatura të ftohta për shkak të erës – duke rritur rrezikun e hipotermisë dhe ngrirjes.

Stuhia e re vjen pas të ftohtit ekstrem dhe reshjeve të dendura të borës, fundjavën e kaluar, të cilat, sipas raportimeve të medias, shkaktuan vdekjen e të paktën 85 personave në disa shtete të SHBA-së.

Qindra mijëra familje në shumë vende janë ende pa energji elektrike. Disa shtete kanë shpallur ose zgjatur gjendjen e jashtëzakonshme dhe i kanë bërë thirrje popullsisë të shmangë udhëtimet dhe të përgatitet për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike. //a.i/

The post METEO – SHBA-ja pritet të goditet nga cikloni “bombë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Beci: Shkodra, “yll i ri në ngjitje” në turizmin e qirave afatshkurtra

1 February 2026 at 14:20

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Shkodra po shfaqet si një destinacion në rritje për turistët dhe bizneset e qirave afatshkurtra.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, teksa ndau të dhënat e një raporti të publikuar nga revista “Monitor”, theksoi se këto të dhëna tregojnë një rrugëtim të qartë drejt suksesit për qytetin.

“Shkodra, “yll i ri në ngjitje”, kështu e ka titulluar Revista Monitor seksionin për Shkodrën në analizën e të dhënave të Airbnb mbi apartamentet me qira afatshkurtër.

“Një numër turistësh në rritje, të ardhura të kënaqshme dhe një dyfishim i njësive të disponueshme brenda vetëm një viti. Paralelisht rritja e numrit të bizneseve aktive e bën panoramën edhe më inkurajuese për ekonominë lokale në Shkodër”, shkruan Beci duke iu referuar shifrave të publikuara nga revista.

Beci shkruan se “këto të dhëna mund të mos i përshtaten narrativës së ndonjë deputeti të opozitës që flet për “mbyllje masive” biznesesh në Shkodër, por ky nuk është problemi ynë”.

Beci shtoi se faktet janë kokëforta pasi Shkodra sapo e ka nisur rrugëtimin e saj drejt suksesit dhe ka të gjitha arsyet për të besuar se do të shkojë atje ku i takon.

/m.q/j.p/

The post Beci: Shkodra, “yll i ri në ngjitje” në turizmin e qirave afatshkurtra appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit në kulturën shqiptare

1 February 2026 at 14:00

TIRANË, 1 shkurt/ATSH/ U mbajtën sot në mjediset e teatrit “ArtTurbina” në Tiranë homazhet në nderim të aktorit Fitim Makashi i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 82-vjeçare.

Personalite të kinemasë, teatrit e jetës publike sikundër edhe miq e dashamirës të artit nderuan kujtimin e tij dhe trashëgiminë për artin dhe kulturën shqptare.

Në ceremoni, familjarët mes te cilëve djali i aktorit, këngëtari Redon Makashi shprehën falënderimin për të pranishmit.

Duke folur për gazetarët për ndarjen nga jeta të të atit, Redon Makashi u shpreh se prania e miqve dhe të afërmve të babait ia lehtëson sadopak dhimbjen ndërsa tregoi se Fitim Makashi ndihej më mirë në vendin e vet, mes miqve të tij, pavarësisht se shkoi në SHBA për të ndjekur ëndrrën e tij.

“Brezi i tim eti ka qenë një brez që nuk kthehet më. Sinqeriteti i tyre dhe shoqëria e tyre. Ai në shtëpi fliste edhe për miqtë e tij, por edhe për miqtë e tij që kishin shkuar para tij. Babai u shkëput herët nga teatri, sepse ndodhën trazirat dhe në atë periudhë. Si nëna dhe babai u detyruan të iknin në Amerikë për 15 vite. Dhe sa herë i shihja që ktheheshin nga ai vend, ktheheshin gjithmonë e më të plakur. Edhe i thoja që të rrinin në Shqipëri, sepse këtu i kishin shokët e miqtë. Nuk ishte e lehtë jeta jashtë. Gjithsesi sot kur shoh shokët e tij, ma lehtëson pak dhimbjen. Por është dhimbje e pashërueshme”, tha mes të tjerash Makashi.

Aktorja Rajmonda Bulku, pas homazheve e përshkroi Fitim Makashin si një njeri me karakter, luftarak dhe brilant në profesionin e tij.

“Ashtu siç kishte rolet e tij xheneroze, ashtu ishte edhe në jetë. Një Fitim që do ta kujtojmë gjithmonë. Gjithmonë luftoi që në ato ambientet e teatrit të kishte një palestër që aktorit i duhej. Ishte edhe luftarak me heshtjen dhe mençurinë e tij. Pra një njeri i përkushtuar në profesion, një partner i shkëlqyer, shumë xheneroz. Aktor brilant i karaktereve të ngrohta. Fitimi krijonte një karakter që e mbaje mend, nuk e harroje”, tha Bulku.

Ndërsa për aktorin Mehdi Malkaj, Fitim Makashi ishte një njeri në kuptimin e plotë të fjalës.

“Iku një njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ishte njeri”, tha Malkaj.

Fitim Makashi u shua si pasojë e një sëmundjeje të rëndë. Ai vuante nga demenca dhe së fundmi kishte kryer edhe një operacion që i kishte përkeqësuar gjendjen shëndetësore.

Makashi la gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografinë shqiptare, duke interpretuar në filma të njohur që nga vitet ’60 deri në fillim të viteve ’90. Midis filmave ku luajti përfshihen: “Dueli i heshtur” (1967), “Prita” (1968), “Njësiti gueril” (1969), “Ndërgjegja” (1972), “Rugicat që kërkonin diell” (1975), “Në fillim të verës” (1975), “Ilegalët” (1976), “Nga mesi i errësirës” (1978), “Intendenti” (1980), “Gjurmë në kaltërsi” (1981), “Tre njerëz me guna” (1985), “Shpella e piratëve” (1991) dhe “Vdekja e kalit” (1992). Interpretimet e tij u dalluan për karakter të fortë dhe prani të veçantë artistike, duke e bërë pjesë të rëndësishme të brezit që ndërtoi identitetin e kinemasë shqiptare.

Përveç karrierës si aktor, Fitim Makashi kontribuoi si pedagog, duke ndihmuar në formimin e brezave të rinj të artistëve shqiptarë.

Homazhe në nderim të aktorit Fitim Makashi, foto: Florian Abazaj
1 nga 12

The post Homazhe për aktorin Fitim Makashi, nderim njeriut dhe kontributit në kulturën shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIAD – Gjermania dhe Arabia Saudite rrisin bashkëpunimin në fushën e energjisë

1 February 2026 at 14:00

RIAD, 1 shkurt /ATSH-DPA/- Gjermania dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar një deklaratë gjithëpërfshirëse për të intensifikuar bashkëpunimin në energji, gjatë një vizite të ministres gjermane të Ekonomisë, Katherina Reiche sot në Riad.

Reiche dhe ministri saudit i Energjisë Abdulaziz bin Salman nënshkruan gjithashtu 10 dokumente qëllimi për të zgjeruar bashkëpunimin midis kompanive gjermane dhe saudite.

“Marrëveshjet mbulojnë fusha kyçe për të ardhmen”, tha Reiche, duke përmendur energjinë, inteligjencën artificiale, hidrogjenin, krijimin e vlerës industriale dhe inovacionin.

Ajo vuri në dukje një deficit saudit për shkak të rënies së çmimeve të naftës, duke shtuar se Riadi po kërkonte të diversifikonte burimet e tij të të ardhurave.

“Diversifikimi është, gjithashtu një mënyrë për t’u siguruar kundër luhatjeve të çmimeve të naftës, për të vënë nën kontroll papunësinë dhe për t’i dhënë brezit të ri të vendit perspektiva për të ardhmen”, tha ministrja gjermane.

Moratoriumi i Mirëkuptimit i rënë dakord midis dy vendeve mbulon të gjitha fushat e energjisë, si dhe sektorin e kimikateve.

Ai trajton trajtimin e dioksidit të karbonit të gazit serrë, digjitalizimin në sektorin e energjisë dhe krijimin e zinxhirëve të besueshëm të furnizimit.

Bashkëpunimi midis kompanive dhe sektorit privat dhe publik do të forcohet gjithashtu. //a.i/

The post RIAD – Gjermania dhe Arabia Saudite rrisin bashkëpunimin në fushën e energjisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌