Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 December 2025Agjencia Telegrafike Shqiptare

VILNIUS – Lituania blen raketa suedeze për mbrojtje ajrore

31 December 2025 at 22:47

VILNIUS, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ –  Lituania planifikon të blejë sisteme portative të mbrojtjes ajrore “RBS 70 NG” me vlerë mbi 320 milionë euro (375 milionë dollarë), për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Sipas deklaratave të ministrisë dhe kompanisë suedeze “Saab”, me të cilën është nënshkruar kontrata, marrëveshja, së bashku me kontrata të mëparshme, garanton furnizim të vazhdueshëm të Forcave të Armatosura të Lituanisë me këtë armatim për periudhën 2026–2032.

“Forcimi i mbrojtjes ajrore është një nga prioritetet tona kryesore”, deklaroi ministri i Mbrojtjes, Robertas Kaunas.

Lituania tashmë disponon sisteme “RBS 70”, një sistem i mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër veprimi, i cili lejon goditje efektive të objektivave ajrore si ditën ashtu edhe natën.

Sipas ministrisë, ky sistem u zgjodh për shkak të mirëmbajtjes së lehtë, lëvizshmërisë së lartë dhe avantazheve të tjera teknike.

Qeveria kishte njoftuar para Krishtlindjeve se planifikonte të blinte gjithashtu municione antitank dhe granatahedhës njëpërdorimësh, po ashtu nga kompania “Saab”.

Lituania, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë, aleate të Rusisë, e sheh luftën e Kremlinit në Ukrainë si një kërcënim të drejtpërdrejtë.

Që nga nisja e pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022, Vilniusi dhe kryeqytetet e tjera baltike kanë rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre mbrojtëse.

Lituania pritet të shpenzojë vitin e ardhshëm 5,38% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post VILNIUS – Lituania blen raketa suedeze për mbrojtje ajrore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Ukraina sulmon me dronë terminalin e naftës në veri të Moskës

31 December 2025 at 22:02

KIEV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Dronë ukrainas kanë goditur dhe i kanë vënë flakën një depoje të madhe karburanti në rajonin Yaroslavl në verilindje të Moskës, thanë sot zyrtarët e shërbimit sekret në Kiev.

”Terminali ‘Temp’ në qytetin e Rybinskut është pjesë e rezervave strategjike të Rusisë dhe sulmi kishte në shënjestër asetet thelbësore për pushtimin e Ukrainës nga Moska”, tha shërbimi sekret SBU.

“SBU vazhdon të prishë zinxhirët e furnizimit të produkteve ruse të naftës si jashtë vendit ashtu edhe për trupat që sulmojnë Ukrainën me saktësi kirurgjikale”, citoi agjencia e lajmeve Ukrinform një zyrtar të paidentifikuar.

Agjencia publikoi një video që tregonte një zjarr të madh pas shtëpive të mbuluara me borë, megjithëse vendndodhja e saktë nuk mund të identifikohej.

Nuk pati asnjë koment nga pala ruse mbi raportin ukrainas. Yaroslavl ndodhet rreth 280 kilometra në verilindje të Moskës dhe më shumë se 800 kilometra nga Ukraina.

Dronët ukrainas sulmuan gjithashtu sot objektiva të tjerë brenda Rusisë.

”Në rajonin jugor të Krasnodarit, një zjarr shpërtheu në rafinerinë e naftës në portin Tuapse të Detit të Zi, sipas stafit operativ lokal. Zjarri u shua”, thanë zyrtarët./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Ukraina sulmon me dronë terminalin e naftës në veri të Moskës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA i jep licencë të përkohshme kompanisë serbe të naftës NIS, të kontrolluar nga Rusia

31 December 2025 at 21:33

UASHINGTON, 31 dhjetor /ATSH-AFP/ – Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë një licencë të përkohshme kompanisë serbe të naftës NIS, e kontrolluar nga kompanitë ruse dhe subjekt i sanksioneve të SHBA-së, duke i lejuar asaj të rifillojë prodhimin deri më 23 janar, njoftoi sot ministrja serbe e Energjisë, Dubravka Djedoviç Handanoviç.

“NIS ka marrë një licencë nga OFAC (Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja të Thesarit të SHBA-së) e cila i lejon asaj të vazhdojë operacionet deri më 23 janar. Kjo do të thotë që rafineria e Pançevos do të jetë në gjendje të rifillojë operacionet pas 36 ditësh”, deklaroi ministrja serbe në Instagram.

Pas nëntë muajsh shtyrjesh të njëpasnjëshme, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj NIS më 9 tetor.

NIS është 56% në pronësi të kompanive ruse ”Gazprom Neft” dhe ”Intelligence”.

Rafineria e saj në Pançevo, pranë Beogradit, e cila furnizon afërsisht 80% të tregut serb, u detyrua të ndalonte prodhimin në fillim të dhjetorit./  a.jor.

The post FOKUS – SHBA i jep licencë të përkohshme kompanisë serbe të naftës NIS, të kontrolluar nga Rusia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Fermerët protestues në takim mbarëkombëtar

31 December 2025 at 20:55

ATHINË, 31 dhjetor /ATSH-ANA/ – Një takim mbarëkombëtar i fermerëve të sektorit parësor do të mbahet të dielën, më 4 janar, në orën 12:00, në Malgara, për të vendosur hapat e radhës të mobilizimeve të tyre.

Lajmin e bëri të ditur Kostas Rouzios, përfaqësues i një shoqate fermerësh në Selanik.

Takimi do të zhvillohet në ambientet e Qendrës Kulturore të Malgaras.

Ndërkohë, fermerët vazhdojnë të qëndrojnë në bllokadat në Thesalinë perëndimore, ndërsa në rrjetin rrugor kombëtar janë vendosur devijime të qarkullimit për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve gjatë festave.

Policia greke publikoi një njoftim lidhur me bllokadat e fermerëve, duke informuar për devijimet e trafikut dhe duke sugjeruar rrugë alternative për qytetarët që udhëtojnë në aksin Athinë–Selanik. Gjithashtu, Policia ka publikuar edhe një video nga autostrada Athinë–Lamia, ku shfaqet bllokada e fermerëve në zonën e Kastro-Beotisë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Fermerët protestues në takim mbarëkombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rizbulim i rrallë në Tajlandë i një maceje kokësheshtë, e konsideruar e zhdukur

31 December 2025 at 20:24

BANGKOK, 31 dhjetor /ATSH-AFP/ – Një mace me kokë të sheshtë, një specie shumë e rrallë felini e konsideruar si “ndoshta e zhdukur” në Tajlandë, është filmuar nga kamera-kurth në një sanktuar të jetës së egër në jug të vendit, gati tri dekada pas shikimit të fundit.

Lajmi u bë i ditur të  nga autoritetet e zonave të mbrojtura dhe nga organizata joqeveritare për ruajtjen e felinëve, “Panthera”.

Macet me kokë të sheshtë, që kanë madhësinë e një maceje shtëpiake, renditen ndër felinët e egër më të rrallë dhe më të rrezikuar në botë.

Kjo specie, e përhapur në Azinë Juglindore, kërcënohet seriozisht nga humbja e habitatit natyror.

Sipas Departamentit tajlandez të Parqeve Kombëtare, Jetës së Egër dhe Bimësisë, si dhe organizatës “Panthera”, një studim ekologjik i nisur në vitin 2024 ka regjistruar 29 vëzhgime përmes kamerave-kurth.

“Ky rizbulim është njëkohësisht emocionues dhe shqetësues”, tha Kaset Sutasha, veteriner dhe studiues në Universitetin Kasetsart, duke theksuar se fragmentimi i habitatit e ka bërë këtë specie gjithnjë e më të “izoluar”.

Ende nuk është e mundur të përcaktohet numri i saktë i individëve, pasi kjo specie nuk ka shenja dalluese të qarta, gjë që e vështirëson numërimin.

”Megjithatë, vëzhgimet sugjerojnë një përqendrim relativisht të lartë të maceve me kokë të sheshtë”, deklaroi Rattapan Pattanarangsan, përgjegjës i programit të ruajtjes në Panthera.

Pamjet tregojnë një femër me kotelen e saj – një shenjë e rrallë dhe inkurajuese për këtë specie, e cila zakonisht lind vetëm një kotele në çdo herë.

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), në mbarë botën kanë mbetur rreth 2 500 mace me kokë të sheshtë.

Në Tajlandë, kjo specie ishte klasifikuar si e zhdukur./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

The post Rizbulim i rrallë në Tajlandë i një maceje kokësheshtë, e konsideruar e zhdukur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky: Shpresë dhe besim në fitore për Vitin e Ri

31 December 2025 at 20:03

KIEV, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi besimin e tij për paqen në Ukrainë, në mesazhin e tij të Vitit të Ri.

”Viti i kaluar u karakterizua nga besnikëria dhe vendosmëria, parimet dhe puna e përditshme e ukrainasve”, tha ai në Facebook dhe X.

“Ky vit ishte i mundur falë mbrojtësve tanë”, tha ai, duke falënderuar ata që luftuan jo vetëm në emër të Ukrainës, por për të gjithë ata që vlerësojnë lirinë dhe dinjitetin.

”Ukrainasit po ecnin përpara së bashku me atë që na mban të bashkuar: përvoja dhe kujtesa, gjuha jonë amtare, shpresa dhe besimi”, tha Zelensky në postimet, të shoqëruara me një fotografi të tij duke qëndruar së bashku me gruan e tij Olena para një peme të dekoruar.

“Ne besojmë në paqe, do të luftojmë për të dhe do të punojmë për të”, tha ai.

Toni i fjalimit ishte në kontrast me atë të presidentit rus Vladimir Putin, i cili shprehu besim në fitoren në luftën e Ukrainës në mesazhin e tij të Vitit të Ri.

“I përgëzoj luftëtarët dhe komandantët tanë për fillimin e Vitit të Ri! Ne besojmë tek ata dhe në fitoren tonë”, tha Putin./  a.jor.

The post KIEV – Zelensky: Shpresë dhe besim në fitore për Vitin e Ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama uron Vitin e Ri 2026: Pa ndalim drejt Shqipërisë në BE në 2030-ën

31 December 2025 at 19:54

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot qytetarëve me mesazhin e fundvitit, duke reflektuar mbi arritjet e Shqipërisë gjatë vitit që po mbyllet dhe përgjatë dekadës së fundit.

Në fjalën e tij drejtuar bashkëqytetarëve kudo ku ndodhen, Rama theksoi transformimin e vendit në shumë sektorë kyç, nga integrimi europian dhe infrastruktura, te digjitalizimi, energjia dhe turizmi, ndërsa nënvizoi se e ardhmja e Shqipërisë është më e sigurt dhe më premtuese se kurrë më parë.

Mesazhi i Kryeministrit Edi Rama për Vitin e Ri 2026 

Të dashur bashkëqytetarë e bashkëqytetare, kudo ku jeni,

Ja edhe një vit tjetër mbërriti tek dera për të dalë, duke e lënë Shqipërinë më lart, se në ditën kur hyri.

Gjatë rrugëtimit të këtij viti, shumica prej jush, në Shqipëri, Europë, gjetkë nëpër botë, e bekoi përpjekjen e përbashkët të dekadës së fundit, duke i dhënë qeverisë sonë, fuqinë e jashtëzakonshme të 83 mandateve.

Faleminderit edhe njëherë nga unë sot, për atë fuqi me të cilën falë jush, unë dhe të zgjedhurit tuaj do të bëjmë për Shqipërinë, në katër vitet e ardhshme, gjithçka duhet që ta ngremë flamurin tonë kombëtar, në oborrin e Shtëpisë së Bashkimit Europian.

Në një dekadë kemi bërë çfarë nuk imagjinohej kur nisi numërimi i viteve tona në qeverisje.

Kemi bërë realitet një Shqipëri tjetër, ku këtë vit u mblodhën krejt udhëheqësit e Europës Demokratike, nga Parisi në Ankara, dhe nga Kievi në Londër për të diskutuar të nesërmen e kontinentit tonë.

Një Shqipëri tjetër, ku për 18 muaj do të mblidhen të gjithë udhëheqësit e NATO-s, për Samitin vjetor të Aleancës, që plot vende të tjera, të cilat kanë hyrë në NATO, kohë përpara nesh, ende s’e kanë patur privilegjin ta mikpresin.

Një Shqipëri tjetër, e cila ndryshe nga jo shumë vite më parë, nuk ia ul më kokën asnjë shqiptari kur del jashtë kufijve të saj, prej ku tanimë vërshojnë drejt këtij vendi miliona e miliona turistë.

Një Shqiperi tjetër, më e prekshme se kurrë në çdo skaj të saj, me Dibrën e kthyer në zgjatim të Tiranës, falë rrugës së Arbrit; me Vermoshin, Thethin e Valbonën, të kthyera në destinacione turistike, falë kthimit të shtigjeve të vjetra të dhive në akse me standarte europiane; me Shkodrën e rilindur, falë kthimit të shpresës dhe rikthimit të turizmit si burim ekonomie i tharë qysh prej viteve ’30; me Lezhën, Beratin, Korçën, Pogradecin, Gjirokastrën, Përmetin, Tepelenën, Kolonjën, e me radhë, të kthyera në qytete të rilindura e fshatra rrotull tyre, ku vejevijnë njerëz nga Shqipëria e mbarë bota dhe hapen për t’i mikpritur, dyer pas dyersh, e ku numrat e turistëve, kanë arritur në shifra që nuk imagjinoheshin kur nisi kjo dekadë; me luginën e Lumit të Vlorës, të kthyer në një aks panoramik i Shqipërisë tjetër, ku të tjera e të tjera akse të reja, autostradash, rrugësh, tunelesh të hapur në veri e në jug, me standarde europiane e ritëm të pandalur gjatë këtyre viteve, i kanë dhënë kësaj Shqipërie, jo thjesht infrastrukturë më të mirë, po energjinë ripërtëritëse të një vendi në ngjitje.

Të gjithë këtë transformim, që vazhdon e do të vazhdojë pa ndalim, me kantiere të hapura e projekte të reja, drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian, nuk e solli koha siç thonë disa, nuk e sollën as alienët apo bandat siç bërtasin disa të fantaksur të tjerë, po e solli forca jonë qeverisëse, besimi juaj tek ne dhe besimi ynë i përbashkët tek Shqiperia, e solli puna pa orar e mijëra e mijëra njerëzve, e ministrisë, agjencive shtetërore dhe kompanive private, përpjekja e madhe në shumë frontet e betejës për Shqipërinë Europiane, ku të metat, dobësitë, gabimet apo edhe rrëshqitjet ose mëkatet e disave brenda nesh, nuk e zvogëlojnë dot kurrsesi përmasën historike të një transformimi të tillë.

Kjo është një Shqipëri tjetër, edhe falë kthimit të infrastrukturës digjitale nga një dorë kioskash me internet, në një shtyllë qeverisëse me maturitet të lartë, siç e vlerësojnë organizmat më prestigjozë ndërkombëtarë të fushës.

Një Shqipëri që tre vitet e fundit ka ngjitur plot 54 vende, duke u renditur e 14-ta ndër 197 vende të botës për qeverisjen digjitale dhe duke vendosur në dispozicion të qytetarëve, një platformë shërbimesh publike në kohë reale, falas nga çdo cep i globit.

E-Albania u ka kursyer shqiptarëve 620 milione euro dhe 7500 vjet radha nëpër sportele, ose e thënë ndryshe, një radhë të gjatë sa 25 mijë rrotullime rreth tokës.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e cila pas sulmit terrorist kibernetik mbi pikërisht këtë infrastrukturë moderne digjitale, ngriti një nga muret më të fortë të mbrojtjes kibernetike në Europë, ku deri më sot kanë dështuar të gjitha sulmet e vazhdueshme që kanë ardhur e vazhdojnë të vijnë më pas e askush nuk flet për to.

Një Shqipëri tjetër, e shërbyer në këto vite transformimi me dijen dhe përkushtimin e skuadrave të AKSHI-t e të AKCESK-ut, ku vajza e djem të talentuar, e kanë rritur vit pas viti aftësinë e këtij shteti për t’u shërbyer njerëzve dhe vendit, duke e bërë Shqipërinë një histori suksesi edhe ndërkombëtarisht.

Kjo është një Shqipëri tjetër, e dalë nga errësirat kronike të ikjes së dritave, falë vizionit, projekteve e punës këmbëngulëse të mbështetur nga investime të vazhdueshme, që kanë transformuar krejt panoramën e sektorit, duke rritur kapacitetet prodhuese, diversifikuar burimet e energjisë së rinovueshme, ulur çmimin për konsumatorët familjarë, e duke u ngjitur vit pas viti drejt majës së sovranitetit energjetik, të cilën do ta mbërrijmë brenda këtij mandati për të mos harxhuar më asnjë qindarkë për të importuar energji nga jashtë.

Kjo Shqipëri tjetër, nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë e pikënisjes së kësaj dekade, kur ishim të shpërfillurit e damkosur të Europës.

Ky vit mbyllet për Shqipërinë, jo vetëm me negociatat e anëtarësimit të hapura në çdo kapitull, po edhe me ngjitjen e Shqipërisë në pozicionin e të ashtuquajturit front-runner, pararendës, i procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

As këtë rezultat shembullor, fantastik për emrin e vendit tonë dhe për dinjitetin e kombit tonë, nuk e solli koha, por përkushtimi i ekipit kombëtar të negociatave dhe dija, puna, këmbëngulja e më shumë se 1000 patriotëve publikë në ministritë e në institucionet e pavarura të shtetit shqiptar.

Dekada e fundit ka qenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një kohë me një shpejtësi të re shqiptare, një përpjekje e madhe për të fituar kohën e humbur të një tranzicioni të çartur përplasjesh me muret e prapambetjes, një projekt kombëtar reformash transformuese për të hapur rrugën e të vërtetës sonë si popull europian, që meriton të ulet në sofrën e përbashkët europiane.

Nuk është sot gjëkundi koha për një nga ato fjalimet e mia të gjata. Ky është momenti për mua qe t’ju siguroj se kohën e re të Shqipërisë nuk e kthen dot më mbrapsht askush dhe se më e mira është e gjitha përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët; që t’ju garantoj se viti i ardhshëm e ata pas tij, do të sjellin edhe me shumë frute se sa ka sjellë deri më sot puna transformuese e kësaj dekade dhe që t’ju uroj gëzuar, kudo ku jeni, me këdo që keni pranë, e me shëndet dhe mbarësi në vitin që po hyn në derë.

Gëzuar!

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama uron Vitin e Ri 2026: Pa ndalim drejt Shqipërisë në BE në 2030-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Gjatë 2026-ës intensifikim i kontakteve me diasporën

31 December 2025 at 19:29

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik për diasporën, Taulant Balla ka përcjellë sot një urim me video për shqiptarët kudo që ndodhen, nga sheshi “Skënderbej” në Tiranë, vetëm pak orë para ndërrimit të viteve.

Në mesazhin e tij, Balla uroi Gëzuar Vitin e Ri 2026 për shqiptarët në Shqipëri, në trojet etnike dhe veçanërisht për bashkatdhetarët në diasporë, duke theksuar rolin historik të votës së emigrantëve gjatë vitit 2025.

“U takon vëllezërve e motrave tanë në diasporë një urim i veçantë, edhe për shkak se gjatë vitit 2025 ata patën mundësinë për herë të parë në këto 35 vite demokraci të shprehen me votë për drejtimin që ata duan të ecë Shqipëria. Vota e bashkatdhetarëve në diasporë në vitin 2025 ishte pa dyshim një moment historik për Shqipërinë”, tha ai.

Sipas Ballës, gjatë vitit 2026 do të intensifikohen kontaktet me diasporën, si dhe angazhimet për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

“Ne dimë ta lexojmë shumë mirë votën e tyre dhe padyshim që gjatë vitit 2026 do të vazhdojmë të intensifikojmë kontaktet tona me gjithë shqiptarët që jetojnë në diasporë dhe të sigurojmë që çdo fëmijë shqiptar që lind në diasporë të ketë mundësinë të mësojë gjuhën shqipe”, u shpreh Balla.

Mesazhi u shoqërua me përqafime vëllazërore dhe mirënjohje në prag të Vitit të Ri nga sheshi “Skënderbej”, simboli i unitetit kombëtar.

“Dua që shqiptarëve në Itali, në Greqi, në Gjermani, në Britaninë e Madhe, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, apo kudo gjetkë nëpër botë, t’i uroj: Gëzuar Festat e Fundvitit, me mirënjohjen më të thellë dhe me përqafime vëllazërore nga sheshi i shqiptarëve, sheshi ‘Skënderbej’!”, theksoi Balla.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Balla: Gjatë 2026-ës intensifikim i kontakteve me diasporën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BAGDAD – Iraku merr bazën “Ain al-Asad” pas tërheqjes së koalicionit nën drejtimin amerikan

31 December 2025 at 19:19

BAGDAD, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Iraku njoftoi sot se do të marrë në dorëzim javën e ardhshme një strukturë të rëndësishme ushtarake nga aleanca globale e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, e angazhuar në luftën kundër terroristëve të Shtetit Islamik (IS), një çështje që prej kohësh ka qenë burim polemikash në vend.

Zëvendëskomandanti i Komandës së Përbashkët të Operacioneve të Irakut, gjenerallejtënant Qais al-Muhammadawi, deklaroi se koalicioni anti-IS do t’ia dorëzojë forcave irakiane të sigurisë bazën ushtarake “Ain al-Asad” në Irakun perëndimor.

“Do të ketë marrëveshje dypalëshe mes Bagdadit dhe disa vendeve anëtare të aleancës, përfshirë SHBA-në, Francën dhe Britaninë e Madhe”, shtoi ai.

”Baza ‘Ain al-Asad’ do të shohë javën e ardhshme një tërheqje të plotë dhe do t’u dorëzohet forcave tona irakiane”, tha al-Muhammadawi në një konferencë për shtyp në Bagdad.

“Kjo është një arritje që lidhet me kapacitetet irakiane, sovranitetin e Irakut, si dhe me mirëkuptimin me SHBA-në dhe vendet e tjera të aleancës për ta shndërruar misionin në memorandume dypalëshe për shkëmbim ekspertize dhe informacioni, si edhe për trajnim”, theksoi ai, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Iraku po shqyrton nënshkrimin e marrëveshjeve të sigurisë me SHBA-në pas tërheqjes së forcave të saj drejt rajonit autonom të Kurdistanit irakian, raportoi sot televizioni saudit al-Hadath, duke cituar burime të paidentifikuara.

Muajt e fundit, milicitë irakiane të afërta me Iranin kanë bërë thirrje të përsëritura për largimin e trupave amerikane nga vendi.

E vendosur në provincën perëndimore al-Anbar, baza “Ain al-Asad” ka qenë disa herë objekt sulmesh nga grupe irakiane të lidhura me Iranin.

Forcat amerikane vazhdojnë të jenë të dislokuara pranë aeroportit të Bagdadit dhe në bazën ajrore të Erbilit, në Kurdistanin irakian. /Ad.Ab./ a.jor.

The post BAGDAD – Iraku merr bazën “Ain al-Asad” pas tërheqjes së koalicionit nën drejtimin amerikan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta

31 December 2025 at 18:51

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar qytetarët për Vitin e Ri 2026. Osmani në një videomesazh thekson se viti që po lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet.

“Viti që po e lëmë pas ka dëshmuar se Kosova ecën përpara kur vepron me vendosmëri, me vlera dhe me unitet. Ka qenë një vit në të cilin kemi forcuar edhe më shumë pozitën ndërkombëtare të vendit tonë, kemi mbrojtur rendin kushtetues e interesin shtetëror, si dhe një vit në të cilin kemi vazhduar punën për t’i forcuar aleancat tona me partnerët tanë strategjikë. Kosova ka treguar se është e pranishme, e dëgjuar dhe e respektuar në tryezat ndërkombëtare, si faktor paqeje, stabiliteti dhe besueshmërie”, thekson Osmani.

Sipas saj, Kosova qëndroi e palëkundur ndaj çdo përpjekjeje destabilizuese, ndërsa brenda vendit vazhdon të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, ku të drejtat e njeriut, barazia dhe dinjiteti janë themeli ynë i përbashkët.

Ajo tha po ashtu se sot, Kosova përmbylli një vit jo të lehtë, por një vit në të cilin zëri i saj u dëgjua fuqishëm dhe qëndrimi ynë në arenën ndërkombëtare ishte parimor dhe i palëkundur. Ishte një vit sfidues, sidomos me vonesat në themelimin e institucioneve, por ishte po ashtu vit që na ka forcuar dhe na ka përgatitur të ecim përpara me më shumë besim dhe me më shumë përgjegjësi.

Në urimin e saj ajo thekso po ashtu se Viti 2026 që po vjen “na gjen me përgjegjësi të reja dhe me synime të qarta”.

“Synimi ynë mbetet një Kosovë akoma më e sigurt, akoma më e drejtë, akoma më e integruar dhe akoma më e zhvilluar. Një Kosovë ku ligji zbatohet njësoj për të gjithë, ku institucionet janë gjithnjë në shërbim të qytetarëve dhe ku çdo i ri dhe e re ka perspektivë për të ndërtuar të ardhmen me dinjitet në vendin e vet”, tha ajo.

Në këtë natë të veçantë, Ajo ka uruar qytetarët për shëndet, paqe dhe begati.

“Le të jetë viti 2026 një vit bashkëpunimi, përgjegjësie dhe suksesi për secilin prej jush dhe për Republikën. Le ta nisim vitin e ri me besim në vete, në njëri-tjetrin dhe në Kosovën tonë. Gëzuar Vitin e Ri 2026 me shëndet e plot momente gëzimi e feste, për ju dhe për Republikën e Kosovës!”, tha ajo.


/KosovaPress//r.e/

The post Urimi i Osmanit për Vitin e Ri: 2026-ta na gjen me përgjegjësi të reja dhe synime të qarta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti flet për kabinetin e ri qeveritar dhe procesin e zgjedhjes së presidentit

31 December 2025 at 18:49

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në përbërjen e qeverisë së re.

Gjatë vizitës së tij në KEK, i pyetur për emrat e ri në qeverinë e re, tha se i nevojitet një konfirmim nga Kryesia e Vetëvendosjes se a do të jenë i njëjtë si në legjislaturën e nëntë.

“Na duhet të presim certifikimin e plotë të rezultateve. Na duhet një mbledhje në Kryesi të Vetëvendosjes, sepse qartazi propozimet tona i kemi pasur për legjislaturën e nëntë tash të dhjetën kur t’i marrim rezultatet nuk ndryshon programi dhe orientimi. Do të jetë përbërja identike nuk mund ta them dot tash. Edhe nëse është e kërkon një rikonfirmim. Nuk besoj që mund të ketë ndryshime të mëdha”,  tha Kurti.

Sa i përket zgjedhjes së presidentit apo presidentes në prill të vitit 2026, Kurti tha se do të takohet në ditët në vijim me presidenten aktuale  Vjosa Osmani që të diskutohen mundësitë, duke theksuar se duhen 80 deputetë të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës.

“Sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit apo presidentes është hapi i tretë. Një herë është konstituimi i Kuvendit, formimi, pastaj vjen dhe ajo. Por para se të bëjmë çfarëdo, besoj se do të kemi një takim me presidenten aktuale Vjosa Osmani dhe do diskutojmë cilat janë shanset dhe mundësitë përpara, sepse na duhet të qëndrojmë 80 veta në sallë. Mund të duket më e lehtë pas rezultatit të 28 dhjetorit”, tha Kurti.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 49.41 për qind dhe pritet t’i ketë 56 deputetë (pa votat e diasporës dhe me kusht).

The post Kurti flet për kabinetin e ri qeveritar dhe procesin e zgjedhjes së presidentit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e SHBA në Kosovë uron Vitin e Ri, liston bashkëpunimet që rritën ekonominë

31 December 2025 at 18:47

PRISHTINË, 31 dhjetor/ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë (SHBA) ka uruar Vitin e Ri 2026 me një mesazh drejtuar qytetarëve në Kosovë, miqve dhe partnerëve, duke veçuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe vlerat e përbashkëta mes dy vendeve mike.

Kjo ambasadë në urimin e saj shprehu  shpresën që viti i ardhshëm të sjellë zhvillim, paqe dhe progres për të gjithë.

“Ndërsa mirëpresim vitin 2026, u dërgojmë urimet tona më të ngrohta të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Kosovë. Urojmë që viti që vjen të sjellë paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët. Gëzuar Vitin e Ri nga të gjithë ne në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë.

Ndërkaq, përmes një videomesazhi të realizuar nga stafi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, u përmend bashkëpunimi i ngushtë i zhvilluar gjatë vitit që po mbyllet, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të sektorit privat në Kosovë. Në këtë kontekst, u theksua edhe roli i kompanive amerikane që kanë investuar në Kosovë.

Micah Savidge, shef i njësitit ekonomik në Ambasadën e Amerikës, theksoi se këto partneritete kanë kontribuar drejtpërdrejt në zgjerimin e mundësive ekonomike.

Ndërsa, Kevin Miles drejtor për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, theksoi progresin e arritur në fushën e sigurisë, duke përmendur bashkëpunimin me institucionet përkatëse të Kosovës.

Ndryshe, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, të hënën ka bërë të ditur se ekonomia e Kosovës pritet ta mbyllë vitin me rritje prej 3,9 për qind.

Këtu mund të ndiqni videomesazhin e plotë të Ambasadës së SHBA-së:


/KosovaPress//r.e/

The post Ambasada e SHBA në Kosovë uron Vitin e Ri, liston bashkëpunimet që rritën ekonominë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli presin 2026-n me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale

31 December 2025 at 19:48

SIDNEJ, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qytete të mëdha aziatike e pritën Vitin e Ri 2026 me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale, ndërsa festimet nisën nga Paqësori Jugor dhe u shtrinë gradualisht në mbarë botën.

Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli ishin ndër qytetet që hynë në vitin e ri, secili me mënyrën e vet të festimit.

Në Pekin u organizua një shfaqje spektakolare dritash, ndërsa daullet shoqëruan pritjen e Vitit të Kalit të Zjarrit.

Në Hong Kong, ndërrimi i viteve u shënua më qetë, pasi fishekzjarrët tradicionalë mbi portin ”Victoria” u anuluan pas një zjarri vdekjeprurës në muajin nëntor.

Ndërkohë, në Singapor qielli mbi ”Marina Bay” u ndriçua nga fishekzjarrët, me horizontin e qytetit që krijoi një pamje mbresëlënëse.

Japoni dhe Koreja e Jugut u përqendruan te ritualet tradicionale të rënies së kambanave, ndërsa në Seul valltarë dhe ceremoni kulturore shënuan ardhjen e vitit 2026.

Në Tajlandë, lumi Chao Phraya në Bangkok ishte në qendër të festimeve në mesnatë.

Në Australi, Sidnej e priti Vitin e Ri me një shfaqje madhështore fishekzjarrësh mbi Urën e Portit dhe Shtëpinë e Operës, por edhe me një moment reflektimi.

Qyteti përkujtoi viktimat e sulmit të fundit në plazhin Bondi, me një minutë heshtjeje dhe mesazhe paqeje e uniteti të ndriçuara mbi urë.

Festimet në vetë plazhin Bondi u anuluan në shenjë respekti.

Ishujt e Paqësorit Jugor ishin të parët që hynë në vitin 2026. Banorët e Kiritimatit e pritën Vitin e Ri në mesnatë sipas orës lokale, të ndjekur pak minuta më vonë nga Ishujt Chatham të Zelandës së Re.

Më pas, Zelanda e Re, Samoa dhe Tonga shënuan ndërrimin e viteve me fishekzjarrë dhe shfaqje dritash.

Në Zelandën e Re, vëmendja u përqendrua te Auckland, ku Kulla Sky Tower u ndriçua nga shfaqje të veçanta, si dhe në kryeqytetin Wellington.

Ndërkohë, Samoa Amerikane, në anën tjetër të Vijës Ndërkombëtare të Datës, pritet të jetë vendi i fundit i banuar në botë që do të hyjë në vitin 2026./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Singapori, Pekini, Tokio dhe Seuli presin 2026-n me kambana, fishekzjarrë dhe ceremoni tradicionale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PARIS – Edhe Franca do të ndalojë mediet sociale për nën 15-vjeçarët

31 December 2025 at 17:49

PARIS, 31 dhjetor /ATSH-AA/ -Franca do të shqyrtojë në janar një projektligj që synon të ndalojë mediet sociale për fëmijët nën 15-vjeç dhe telefonat celularë, raportoi sot “FranceInfo”. 

Këshilli i Shtetit do të shqyrtojë projektligjin më 8 janar me qëllim ndalimin e aksesit në mediat sociale për të rinjtë nën moshën 15-vjeç dhe ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat ​​e mesme duke filluar nga viti i ri shkollor, që do të thotë shtatori 2026.

Sipas burimeve qeveritare, projektligji është hartuar në një mënyrë që siguron se është në përputhje me ligjin evropian, ndryshe nga një përpjekje e mëparshme që dështoi.

Në nëntor, presidenti francez Emmanuel Macron tha se dëshiron ta zgjerojë ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në shkollat ​​e mesme që nga fillimi i vitit shkollor 2026-2027 dhe të vendos një ndalim të medieve sociale për të rinjtë nën 15 ose 16-vjeç.

Ndalimi i telefonave celularë ka qenë tashmë në fuqi nga kopshti deri në shkollën e mesme sipas një ligji të vitit 2018, megjithëse ndonjëherë ka rezultuar i vështirë për t’u zbatuar.

Shumë studime akademike kanë dokumentuar rreziqet për shëndetin mendor të përdorimit të mediave sociale nga të rinjtë si dhe rreziqet e shpërqendrimit nga telefonat celularë tek adoleshentët./  /Ad.Ab./  a.jor.

 

 

 

The post PARIS – Edhe Franca do të ndalojë mediet sociale për nën 15-vjeçarët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ARRSH plan masash për fundvitin, 800 punonjës në terren 24 orë dhe 130 borëpastruese

31 December 2025 at 17:47

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hartuar një plan masash, me qëllim garantimin e qarkullimit të sigurt gjatë ndërrimit të viteve.

Drejtori i përgjithshëm i ARRSH-së, Ami Kozeli bëri me dije se temperaturat do të jenë ndjeshëm të ulëta dhe për këtë arsye janë ndërmarrë masa paraprake, veçanërisht në akset rrugore që rrezikojnë bllokimin nga reshjet e dëborës.

Sipas Kozelit, në terren do të jenë në gatishmëri 130 borëpastruese, 577 mjete të tjera ndihmëse, si dhe rreth 800 punonjës, të cilët do të jenë në gatishmëri 24 orë.

“Po ashtu, janë prokuruar 5300 tonë kripë dhe 1800 tonë granil për siguruar që të gjitha akset të jenë të lira nga dëbora”, tha ai.

Kozeli u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve “që të pajisen me goma dimërore dhe të kenë zinxhirë në makinat e tyre kjo për të siguruar që mos të kenë bllokime të akseve dhe qarkullimi të jetë i vazhdueshëm”.

/m.q/a.f/r.e/

The post ARRSH plan masash për fundvitin, 800 punonjës në terren 24 orë dhe 130 borëpastruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla urim për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare

31 December 2025 at 17:26

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla përcolli një mesazh urimi për qytetarët dhe fermerët shqiptarë me rastin e ndërrimit të viteve, duke vënë theksin te roli i fermerëve në zhvillimin e vendit dhe tek objektivat për vitin e ri.

Në mesazhin e tij, ministri Salla theksoi se ndërrimi i viteve është një moment reflektimi dhe shprese, duke shprehur mirënjohjen për punën, sakrificën dhe kontributin e përditshëm të fermerëve në ndërtimin e një bujqësie më të fortë dhe të një Shqipërie më të zhvilluar. Ai nënvizoi se fermerët shqiptarë janë shtylla e sigurisë ushqimore dhe e ekonomisë rurale, duke mbajtur gjallë tokën, traditën dhe prodhimin vendas edhe në kohë të vështira.

Ministri Salla bëri të ditur se Viti i Ri nis me ambicie të reja për sektorin bujqësor, me më shumë mbështetje për fermerët, më shumë investime, rritje të digjitalizimit dhe zgjerim të mundësive për produktet shqiptare në tregjet vendase dhe ndërkombëtare.

Në përmbyllje të mesazhit, ai uroi që viti i ri të shënojë një hap përpara drejt zhvillimit, bashkëpunimit dhe mirëqenies për çdo familje shqiptare, duke përcjellë urimet për shëndet, paqe dhe mbarësi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e mbylli mesazhin e tij me urimin: Gëzuar Vitin e Ri!

/m.q/a.f/r.e/

The post Salla urim për Vitin e Ri: Mbështetje dhe zhvillim për bujqësinë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Pas nëntë vitesh, Mel Gibson dhe Rosalind Ross nuk janë më bashkë

31 December 2025 at 17:03

LOS ANXHELES, 31 dhjetor /ATSH-ANSA/ – Ylli i Hollivudit, Mel Gibson dhe Rosalind Ross i kanë dhënë fund lidhjes së tyre pas nëntë vitesh së bashku, sipas një deklarate të përbashkët të botuar në ”People”.

”Fituesi i çmimit Oscar, 69 vjeç (ai mbush 70 vjeç më 3 janar 2026), dhe skenaristja, 35 vjeçe, i dhanë fund lidhjes së tyre në heshtje më shumë se një vit më parë”, raporton revista, por do të vazhdojnë ta rrisin së bashku djalin e tyre të vogël, Lars.

“Ndërsa është e trishtueshme të mbyllim këtë kapitull të jetës sonë, ne jemi bekuar me një djalë të mrekullueshëm dhe do të vazhdojmë të jemi prindërit më të mirë që mund të jemi”, thanë Gibson dhe Ross për ”People”.

Çifti u takua përmes miqve të përbashkët në vitin 2014 dhe shpejt filluan të dilnin bashkë.

Gibson dhe Ross nuk u martuan kurrë, por në vitin 2017 ata patën një djalë, Lars, i cili u lind vetëm disa ditë para se aktori të merrte një nominim për Oscar për Regjisorin më të Mirë për ”Hacksaw Ridge”.

“Çfarë mund të jetë më emocionuese sesa të dëgjosh nominimet ndërsa mban fëmijën tënd të porsalindur?”, tha Gibson në një deklaratë në atë kohë.

Aktori dhe regjisori, i njohur për filma të tillë si “Lethal Weapon”, “Braveheart” (i cili i fitoi dy çmime Oscar) dhe “The Passion of the Christ” (për të cilin aktualisht po xhiron vazhdimin, “The Resurrection of Christ”, që pritet të dalë në kinema të Premten e Madhe në vitin 2027), ka tetë fëmijë të tjerë përveç Larsit.

Shtatë u lindën gjatë martesës së tij me ish-gruan Robyn Moore, dhe një, Lucia, u lind nga pianistja, Oksana Grigorieva./  a.jor.

The post KINEMA – Pas nëntë vitesh, Mel Gibson dhe Rosalind Ross nuk janë më bashkë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Urimi i ambasadës së SHBA për Vitin e Ri: Partneriteti ynë forcohet përmes vlerave të përbashkëta

31 December 2025 at 16:32

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë uroi sot qytetarët për Vitin e Ri.

Përmes një videomesazhi, Ambasada amerikane nënvizoi se “ndërsa viti po i afrohet fundit, duam të festojmë arritjet tona më të mëdha dhe gjithë entuziazmin për atë që do të vijë në vitin 2026!”.

Ambasada e SHBA theksoi se partneriteti mes dy vendeve vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta.

“Nga vizita historike e USS Mount Whitney në brigjet e Shqipërisë, te Shtetet e Bashkuara që do të presin ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare në botë, partneriteti ynë vazhdon të forcohet përmes qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta! Gëzuar Vitin e Ri nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë!”, shkroi Ambasada amerikane.

/m.q/a.f/r.e/

The post Urimi i ambasadës së SHBA për Vitin e Ri: Partneriteti ynë forcohet përmes vlerave të përbashkëta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë

31 December 2025 at 16:30

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Në prag të ndërrimit të viteve, urgjenca kombëtare e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, së bashku me ekipet e urgjencës mjekësore në të gjithë vendin qëndron në vijën e parë të shërbimit, larg tryezave familjare, por pranë çdo qytetari që ka nevojë për ndihmë shëndetësore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala zhvilloi sot një vizitë në QSUNT, prej nga uroi bluzat e bardha për Vitin e Ri.

“Kam ardhur t’ju falënderoj për punën që bëni për mbështetjen që jepni sepse jeni ju këtu në QSUT, por edhe në të gjitha urgjencat e tjera në vend, që ushtroni një profesion fisnik por edhe sakrifikon sepse nuk jeni me familjet tuaja. Bashkëpunoni shumë mirë dhe me shërbimin e urgjencave dhe është një koordinim i mirë, në të gjithë vendin.

“Ju uroj që nata të jetë e qetë faleminderit që jeni në krye të detyrës, sepse kur jeni në një gatishmëri të tillë qytetarët ndihen më të qetë për të kaluar një natë festive siç duhet të jetë dhe ndërrimi i vitit”, tha Sala.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se “me gatishmëri të pandërprerë, 24/7, duke garantuar reagim profesional dhe shërbim të sigurt, gjatë 2025, vetëm në QSUNT janë trajtuar 125 mijë raste, ku ditët e fundit kanë marrë shërbim rreth 300 pacientë në ditë.

Mesazhin e ndau në rrjetet sociale edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan “në prag të ndërrimit të viteve, së bashku me ata që çdo ditë punojnë në shërbim të kujdesit tuaj shëndetësor”.

/m.q/a f/r.e/

The post Ndërrimi i viteve, urgjenca e QSUNT-së në gatishmëri të pandërprerë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha mesazh urimi për Vitin e Ri: 2026-a, viti i shpresës së madhe

31 December 2025 at 19:52

TIRANË, 31 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në vigjilje të ndërrimit të viteve përmes një mesazhi uroi shqiptarët për Vitin e Ri 2026. Gjatë fjalës së tij Berisha, tha se viti që lamë pas ishte një nga më të vështirët për shqiptarët.

“Sonte ne presim vitin e ri 2026! Ndaj dhe unë nga zemra ju uroj, kudo që ndodheni, në votrat familjare, në lokale, në udhëtime, në Shqipëri, në botë, në institucionet e vuajtjes së dënimit, në spitale: Gëzuar vitin e ri 2026! Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese.

“Por, siç është tradita, nuk mund të ndahemi nga ky vit pa hedhur një vështrim drejt tij. Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin. Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë. Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta. Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Evropë.

“Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë. Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare. Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet”, tha Berisha.

Gjatë mesazhit të tij, Berisha tha se “me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

“Do bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë shqiptare, rikthimin e votës së lirë; Për të shpëtuar familjen shqiptare nga një ligj shkatërrimtar për gjininë dhe familjen; Për të shpëtuar Shqipërinë nga rrokullisja e saj e madhe. Pra, këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar. Ndaj dhe unë dua sonte t’ju uroj ju, gëzuar kudo që ndodheni: Një vit të mbarë në lartësinë e shpresave dhe pritshmërive tuaja!”, tha Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Berisha mesazh urimi për Vitin e Ri: 2026-a, viti i shpresës së madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌