Central i ri fotovoltaik me fuqi 49,96 MW në Finiq
TIRANË, 19 dhjetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 49,96 MW në njësinë administrative Mesopotam, Bistricë, bashkia Finiq, projekt i cili do të realizohet nga kompania shqiptare “GREENSOL”, sh.p.k.
Sipas vendimit, ndërtimi dhe pajisja me leje do të përfundojnë brenda 36 muajve, ndërsa impianti do të operojë për 49 vjet.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore do të kryejnë mbikëqyrje të rregullt çdo tre muaj për të monitoruar ecurinë, cilësinë dhe përputhshmërinë me projektin.
Kompania “GREENSOL” do të raportojë periodikisht progresin e ndërtimit, do të respektojë të gjitha lejet mjedisore dhe do të sigurojë një kontratë investimi prej të paktën 5% të vlerës totale.
Përveç kësaj, 2% e energjisë së prodhuar do t’i jepet Ministrisë së Energjisë falas ose do të konvertohet në vlerë monetare për buxhetin e shtetit, ndërsa një pjesë e prodhimit mund t’i shitet furnizuesit publik sipas legjislacionit.
/r.e/a.f/
The post Central i ri fotovoltaik me fuqi 49,96 MW në Finiq appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.