TIRANË, 20 dhjetor/ATSH/ Klubi Sportiv Teuta e konsideron një skandal hyrjen e tifozëve në fushë gjatë sfidës së luajtur mbrëmjen e të premtes mes Flamurtarit dhe skuadrës durrsakë, e cila u ndërpre për rreth 30 minuta.
Gjatë zhvillimit të ndeshjes, që mbylli ditën e parë të javës së 17-të të Superligës, në minutën e 69’, pas një përplasjeje mes një lojtari të Flamurtarit dhe një lojtari të Teutës, në fushë hynë tifozët e tribunës përballë, të cilët goditën lojtarët “miq”.
Gjyqtari ndaloi lojën, duke e rifilluar pas largimit të tifozëve nga stadiumi. Në një reagim për mediat, Teuta publikoi edhe pamje nga incidenti dhe kërkoi masa të ashpra nga FSHF.
“Një ngjarje e paprecedentë dhune u regjistrua në Vlorë, në ndeshjen Flamurtari–Teuta, ku futbollistët e ekipit tonë u dhunuan barbarisht nga lojtarët kundërshtarë dhe tifozët vlonjatë. KF Teuta kërkon të informojë publikun për dhunën që ndodhi në stadiumin e Flamurtarit, ku Muço Boçi dhe Mario Beshiraj u goditën me grusht nga lojtarët e Flamurtarit dhe më pas nga tifozët që mësynë fushën në minutën e 69-të”, thuhet në njoftim.
“Ky episod tronditi lojtarët, të cilët kaluan në një gjendje shoku psikologjik, por çuditërisht delegati i ndeshjes, Armando Mandro, kërkoi që loja të vazhdonte dhe i kërkoi policisë të boshatiste tribunën përballë (C). KF Teuta insistoi se ekipi nuk mund të vazhdonte ndeshjen, pasi ishte në gjendje të rënduar psikologjike, por delegati vendosi që ndeshja duhej të vazhdonte, pa u marrë parasysh dhuna e paprecedentë në fushë”, vijon njoftimi.
KF Teuta nënvizoi se ndeshja u kthye në “ferr” dhe lojtarët nuk ishin të gatshëm për të luajtur futboll.
“KF Teuta disponon edhe një video tjetër ku tifozët e Flamurtarit nuk u larguan nga stadiumi, por shkuan në tribunën pas porte. KF Teuta kërkon nga FSHF-ja që të merren masat për këtë ngjarje të rëndë dhe të zbardhet dinamika e saj. Urojmë që skena të tilla të mos përsëriten, pasi njollosin futbollin shqiptar”, thuhet në njoftim.
Sfida mes Flamurtarit dhe Teutës, që u luajt dje në stadiumin e Vlorës, përfundoi në barazim 2-2. Ndeshja ofroi emocione deri në sekondat e fundit. Ndeshja u ndërpre kur rezultati ishte 1-0 në favor të Teutës, ndërsa pas rifillimit vlonjatët përmbysën rezultatin, por pa arritur të marrin tri pikë, pasi Teuta barazoi gjithçka në sekondat e fundit.
/e.i/a.f/r.e/
The post Teuta: Lojtarët tanë u dhunuan nga tifozët dhe lojtarët e Flamurtarit, ndeshja nuk duhej vijuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.