Turistët polakë zgjedhin të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri
TIRANË, 27 nëntor/ATSH/ Shqipëria vazhdon të mbetet një destinacion tërheqës për turistët polakë, të cilët nuk po vizitojnë vendin tonë vetëm gjatë sezonit veror, por edhe gjatë muajve të tjerë të vitit.
Sipas INSTAT-it, rreth 279 mijë turistë polakë vizituan Shqipërinë gjatë 9 muajve të parë të vitit 2025, duke mbetur një nga grupet më të rëndësishme të vizitorëve të huaj.
Polonia ka qenë vazhdimisht një prej tregjeve kryesore për turizmin shqiptar, duke u renditur ndër 5 vendet kryesore.
Në muajt e verës, prania e polakëve ka qenë gjithashtu e dukshme, duke përfaqësuar 11% të vizitorëve të akomoduar në korrik, 12% në gusht dhe 11% në shtator.
Po ashtu, të dhënat tregojnë se turistët polakë zgjodhën të qëndrojnë për periudha më të gjata, duke e bërë Poloninë një nga tregjet më të rëndësishme europiane për sektorin e akomodimit në Shqipëri.
Përveç vizitave turistike, polakët kanë treguar interes të shtuar edhe për investime në prona në vendin tonë, një tjetër shenjë e forcimit të lidhjeve mes dy vendeve. /j.p/r.e/
The post Turistët polakë zgjedhin të qëndrojnë më gjatë në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.