Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”/ Rruga e Mëndafshit sjell ide nga Italia në Shqipëri

By: Rovena
4 February 2026 at 22:45

Rruga e Mëndafshit ka qenë gjithmonë më shumë sesa një rrugë tregtie. Ajo ishte një hapësirë lëvizjeje për ide, filozofi dhe mënyra të reja të të jetuarit, që nga Azia drejt Italisë e më tej, deri në brigjet e Shqipërisë. Në këtë rrjedhë shekullore, njerëzit kanë qenë gjithmonë bartësit më të rëndësishëm të kësaj trashëgimie të padukshme.

Emisioni i sotëm lindi pikërisht si vazhdim modern i Rrugës së Mëndafshit, i mishëruar në historinë e një çifti italo-shqiptar. Udhëtimi i tyre në Azi nuk ishte thjesht një përvojë gjeografike, por një proces transformimi personal. Aty ata u përballën me filozofi që vënë në qendër ekuilibrin, kohën e ngadaltë, respektin për natyrën dhe për komunitetin – vlera që shpesh humbasin në ritmin perëndimor të jetës.

Pas kthimit të tyre në Itali dhe Shqipëri, ky projekt bëhet forma konkrete për të ndarë atë përvojë. Ai shndërrohet në një hapësirë kulturore dhe krijuese ku Lindja dhe Perëndimi takohen përmes rrëfimit personal, artit, dialogut dhe praktikave të përditshme. Ashtu si dikur mëndafshi kalonte nga duart e tregtarëve në qytete të ndryshme, sot idetë kalojnë nga përvoja e këtij çifti tek komunitetet lokale, duke krijuar ura të reja kuptimi mes kulturave.

Shqipëria, me historinë e saj si vend kalimtar dhe mikpritës, bëhet terreni ideal për këtë projekt. Këtu, përmes historisë së çiftit, Rruga e Mëndafshit merr një dimension intim dhe bashkëkohor: një projekt që nuk synon të importojë kultura, por të krijojë dialog, reflektim dhe bashkëjetesë. Në këtë mënyrë, projekti nuk është thjesht një homazh ndaj së kaluarës, por një akt i gjallë që dëshmon se udhëtimi i ideve vazhdon edhe sot – përmes njerëzve që zgjedhin ta jetojnë dhe ta ndajnë atë rrugë.

Çifti italo-shqiptar, udhëtimi si filozofi jete!/ Nga përvoja personale në hapësirë dialogu kulturor

By: Rovena
4 February 2026 at 22:29

Të nderuar teleshikues të ABC News, në emisionin e sotëm ju sjellim një histori të veçantë: historinë e një çifti italo-shqiptar, të cilët deri tani jua kemi prezantuar veç e veç, jo rastësisht, për të kuptuar më mirë interpretimin e eksperiencave të tyre për të njëjtën praktikë.

Sot jemi me Sonila Qesarakun dhe Fabian, bashkëshortë në jetë dhe në mision.

Ata nuk jetojnë më në Azi, por kanë zgjedhur të përqafojnë dhe të sjellin në Itali dhe në Shqipëri një filozofi që vjen nga kulturat aziatike, përmes asaj rruge të famshme të Mëndafshit, që nuk ka sjellë vetëm mallra, por edhe ide, praktika dhe filozofi jetese.

Një nga këto filozofi e ushtrojnë sot Sonila dhe Fabian në Torino dhe në Tiranë.

Artur Nura : Sonila, si mund ta prezantojmë këtë filozofi që ju tashmë e ushtroni në Shqipëri dhe në Itali?

Sonila Qesaraku :  Nëpërmjet disa mjeteve dhe teknikave, disa prej të cilave i kemi mësuar në Azi — si për shembull terapia me tinguj me mësues tibetanë — ne ndihmojmë personat që ta sjellin trupin në harmoni dhe në ekuilibër. Sipas mjekësisë kineze, trupi dhe mendja janë gjithmonë të lidhura. Harmonia përfshin ekuilibrin trup-mendje-shpirt. Ne nuk i shohim këto të ndara.Nëse ka diçka që nuk shkon në trup, shpesh lidhet me një mendim limitues, me një emocion të papërpunuar, me një traumë, ose me faktin që shpirti nuk po bën atë që vërtet dëshiron.

Pra e shohim individin në çdo nivel. Kur diçka nuk shkon në jetën tonë, do të thotë që kemi dalë nga ekuilibri.

Artur Nura : Si quhet kjo në mënyrë më precize?

Sonila Qesaraku :  Ne aktivizojmë vetëshërimin në trupin e personit. E ndihmojmë që, me burimet e veta të brendshme, të rikthehet në ekuilibër.

Ne flasim shumë në terma energjie.

Kur kam filluar të interesohem për këto praktika, kam pyetur një mjek se si e perceptonte ai këtë koncept.

Ai më tha: “Qeliza vetë është energji. Qeliza nuk mund të ekzistojë pa energji.”

Artur Nura : Këtë filozofi e mësuat gjatë udhëtimeve në Azi apo e kishit nisur më herët?

Sonila Qesaraku :  Ne e kishim nisur në Itali me disa teknika. Kishim marrë pjesë në disa trajnime që na pëlqyen shumë dhe donim t’i thellonim.

Disa i kishim mësuar, por donim t’i perfeksiononim dhe sidomos të mësonim në vendet ku këto praktika kanë lindur, me mësues, mentorë dhe trajnerë vendas.

Kjo ishte një nga shtyllat kryesore të udhëtimit tonë në Azi.

Artur Nura : Kjo filozofi u mirëprit më shumë në Itali apo në Shqipëri?

Sonila Qesaraku : Në Itali ishte më e njohur, sepse për meditimin dhe këto praktika flitet prej kohësh. Njerëzit janë më të familjarizuar me konceptin e përgjegjësisë personale për mendimet dhe emocionet dhe me ndikimin që ato kanë në shëndet.

Por, për surprizën tonë, në Shqipëri u mirëprit shumë, me kuriozitet të madh dhe me përqafim të menjëhershëm.

Artur Nura : Si reagoi familja juaj kur vendosët të ndiqnit këtë filozofi, fillimisht në Itali e më pas edhe në Shqipëri?

Fabio Ive : Në fillim u habitën pak, sepse janë mësuar me punën klasike në kompani.

Por na mbështetën, sepse e kuptuan që ishte diçka që ne donim ta bënim me zemër për të ndihmuar njerëzit.

Artur Nura :Tani ju mbështesin vetëm, apo marrin pjesë edhe në aktivitetet tuaja?

Fabio Ive : Po, absolutisht. Si familja ime, ashtu edhe familja e Sonilës marrin pjesë në aktivitetet tona, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.

Artur Nura: Tani të mbështesin, por a vijnë edhe për seanca?

Fabio Ive: Absolutisht, si familja ime ashtu edhe familja e Sonilës marrin pjesë në eventet tona. Pra, në Itali dhe gjithashtu në Shqipëri, meqenëse përmende Sonilën.

Artur Nura: A eshte e perpahur kjo kulture ne Itali?

Fabio Ive: Po, po, absolutisht. Por ekziston kjo, siç tha me të drejtë Sonila, që meditimi është një kulturë shumë e përhapur atje; për fat të mirë, mund të themi se kohët e fundit është përhapur edhe në Shqipëri.

Artur Nura : Sonila, në një vend si Shqipëria me një kulturë tolerance fetare, si është raporti yt personal me besimin?

Sonila Qesaraku : Nga familja jam Bektashie, por babai im ka qenë pilot ushtarak dhe, siç dihet, në ushtri zakonisht mbizotëronte ateizmi.

Jam rritur pa një praktikë fetare.

Më vonë, rrugëtimi im më ndihmoi të rindërtoj marrëdhënien me atë që ne e quajmë Zot — që për dikë mund të jetë fusha kuantike, për dikë energjia universale.

Diçka më e madhe se ne.

Në jetën e përditshme shohim sinkronicitete, siç thoshte Jung. Edhe takimi im me Fabian ishte një sinkronicitet.

Nëse atë ditë nuk do të isha vonuar në punë, ndoshta sot, pas 18 vitesh, nuk do të ishim bashkë.

Artur Nura : Keni 18 vite bashkë. Fëmijë, keni në plan?

Përgjigje Fabio Ive: Kur Zoti ta ketë thënë.

Ky është një çift jo si të gjithë të tjerët. Një çift që zgjodhi një rrugë jete të veçantë dhe sot po sjell rezultatet e kësaj rruge si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri.

 

Kryeministri vizitë zyrtare në Vatikan, do të pritet në audiencë nga Papa Leoni XIV

By: lindita
4 February 2026 at 14:30

Kryeministri Rama është nisur për një vizitë zyrtare në Vatikan, ku do të pritet në audiencë nga Papa Leoni XIV. Kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja e tij znj.Linda Rama dhe delegacioni. Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij. Pritja do t’i paraprijë…

Source

Historia e Hamid: Një tregim mbi vdekjen dhe rrëshqitjen e Europës drejt kampeve offshore për emigrantët

3 February 2026 at 08:31

Një fytyrë e njohur në periferinë e Torinos, Hamid Badoui dukej një kandidat i pamundur për t’u shndërruar në pamjen tragjike të eksperimentit më ambicioz të Italisë për ndalimin e emigrantëve jashtë kufijve të saj. Një endacak dhe ish-shitës frutash në treg, me origjinë marokene – i cili kishte jetuar në Itali për rreth 15 […]

The post Historia e Hamid: Një tregim mbi vdekjen dhe rrëshqitjen e Europës drejt kampeve offshore për emigrantët appeared first on Reporter.al.

“Fontana di Trevi” në Romë bëhet me biletë, ja sa € do të paguajnë turistët

By: Brisi
2 February 2026 at 08:45

Duke filluar nga ora 9:00 e mëngjesit sipas orës lokale, autoritetet e Romës do të fusin në fuqi një biletë prej dy eurosh për turistët që dëshirojnë të vizitojnë dhe të admirojnë nga afër Shatërvanin historik të Trevit, një nga monumentet më të njohura të kryeqytetit italian. Sipas mediave të huaja, bileta do të jetë […]

The post “Fontana di Trevi” në Romë bëhet me biletë, ja sa € do të paguajnë turistët appeared first on BoldNews.al.

Integrimi në BE, Pirdeni merr pjesë në Dialogun Politik në Romë

30 January 2026 at 19:58

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni mori pjesë në Dialogun Politik në Romë, mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Në njoftimin për shtyp thuhet se dialogu shërbeu si një platformë për diskutime të thelluara mbi sfidat e procesit të negociatave, me fokus të veçantë në fushat e shtetit të së drejtës.

Ministrja Pirdeni theksoi angazhimin e pandërprerë të Shqipërisë për të ruajtur ritmin e procesit të negociatave dhe për t’i qëndruar besnikë zotimit për mbylljen e negociatave në nivel teknik brenda vitit 2027.

/e.i/r.e/a.f/

The post Integrimi në BE, Pirdeni merr pjesë në Dialogun Politik në Romë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diaspora shqiptare në Itali: Komuniteti bashkëkohor dhe trashëgimia historike Arbëreshe

By: Rovena
28 January 2026 at 22:58

Agjencia Kombëtare e Diasporës përfaqëson një shtyllë themelore të politikës shtetërore shqiptare për diasporën, duke mishëruar vizionin e një marrëdhënieje të re, të strukturuar dhe afatgjatë midis shtetit shqiptar dhe bashkëkombësve të tij jashtë kufijve. Në një realitet global ku diaspora është kthyer në aktor politik, ekonomik dhe kulturor me ndikim të drejtpërdrejtë, roli i AKD-së shkon përtej funksionit administrativ, duke u konsoliduar si instrument strategjik i diplomacisë publike, i identitetit kombëtar dhe i zhvillimit të qëndrueshëm.

Në raport me diasporën globale, Agjencia Kombëtare e Diasporës synon forcimin e përfaqësimit institucional dhe ndërtimin e mekanizmave të përfshirjes aktive të diasporës në proceset zhvillimore, shoqërore dhe kulturore të Shqipërisë. Ruajtja e gjuhës shqipe, trashëgimisë kulturore dhe ndjenjës së përkatësisë kombëtare mbeten në thelb të politikave të saj, duke e pozicionuar diasporën si pjesë përbërëse dhe të pandashme të kombit shqiptar, pavarësisht distancës gjeografike.

Një vëmendje strategjike i kushtohet diasporës shqiptare në Itali, e cila përfaqëson komunitetin më të madh shqiptar në Bashkimin Evropian, me mbi 550 mijë persona. Ky komunitet bashkëkohor, i formuar kryesisht gjatë dekadave të fundit, përbën një faktor të rëndësishëm shoqëror dhe ekonomik në shoqërinë italiane, me një prani të konsoliduar në tregun e punës, sipërmarrje, arsim, kulturë dhe jetën publike.

Paralelisht me këtë realitet bashkëkohor, marrëdhënia e Shqipërisë me Italinë mbart një dimension unik dhe historik përmes diasporës arbëreshe, e cila prej më shumë se pesë shekujsh ruan gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin shqiptar në territorin italian. Komunitetet arbëreshe përbëjnë një dëshmi të gjallë të vazhdimësisë historike të kombit shqiptar dhe një urë të natyrshme kulturore mes dy vendeve.

Agjencia Kombëtare e Diasporës e konsideron diasporën arbëreshe jo vetëm si trashëgimi historike, por si partner strategjik në politikat e ruajtjes së identitetit kombëtar, promovimit të gjuhës shqipe dhe diplomacisë kulturore. Mbështetja e trashëgimisë arbëreshe, e arsimit në gjuhën shqipe/arbëreshe dhe e institucioneve kulturore përkatëse përbën një prioritet të veçantë në kuadër të politikave shtetërore për diasporën.

Në këtë kuadër, AKD synon të ndërtojë një qasje gjithëpërfshirëse ndaj diasporës shqiptare në Itali, duke krijuar sinergji midis komunitetit bashkëkohor shqiptar dhe diasporës historike arbëreshe. Kjo qasje synon forcimin e ndërgjegjes kombëtare, shkëmbimin ndërbrezor të dijes dhe përvojës, si dhe ndërtimin e një platforme të përbashkët bashkëpunimi kulturor, arsimor dhe institucional.

Miliona përdorues të Apple paralajmërohen të ndalojnë përdorimin e Chrome

28 January 2026 at 12:35


Përdoruesit e Apple që mbështeten në Google Chrome për të shfletuar uebin mund të duhet të rishqyrtojnë opsionet e tyre, pasi Apple dhe Google lëshuan paralajmërime serioze që mund të ndikojnë në miliona pajisje.

Google njoftoi se duke filluar nga versioni 151, Chrome nuk do të mbështesë më macOS 12 Monterey ose më herët, transmeton Telegrafi.

"Do t'ju duhet të siguroheni që pajisja juaj po përdor macOS 13 ose më vonë për të vazhduar të merrni versione të ardhshme të Chrome", tha kompania në faqen e saj të ndihmës.

Ndërkohë, Apple thotë se gjurmimi agresiv i të dhënave të Chrome dhe integrimi i inteligjencës artificiale, mund të rrisin rreziqet për privatësinë e përdoruesit.

Përdoruesit e pajisjeve të vjetruara të Apple mund të duhet së shpejti të zgjedhin midis përmirësimit të pajisjeve të tyre ose braktisjes së plotë të Chrome.

Chrome mbetet një nga aplikacionet më të përdorura në macOS, por mbështetja e tij e vazhdueshme varet nga përdoruesit që përdorin sisteme operative më të reja.

Ndërsa Chrome do të vazhdojë teknikisht të funksionojë në sisteme të pambështetura, ai nuk do të përditësohet më për dobësitë, të cilat do t'i ekspozonin përdoruesit ndaj kërcënimeve të sigurisë.

Apple gjithashtu ka sulmuar Chrome për atë që e përshkruan si praktika pushtuese të mbledhjes së të dhënave, veçanërisht me ringjalljen e "gjurmëve digjitale të gishtërinjve".

Gjurmë gishtash digjitale është një teknikë gjurmimi që mbledh pika të shumta të dhënash nga pajisja e një përdoruesi - siç janë specifikimet e harduerit, cilësimet e shfletuesit dhe fontet e instaluara - për të gjeneruar një profil unik që faqet e internetit mund ta përdorin për të ndjekur përdoruesit në të gjithë internetin.

Ndryshe nga "cookies", gjurmë gishtash nuk mund të zbulohet ose fshihet lehtë nga përdoruesit. Apple e ka shënuar këtë praktikë si veçanërisht invazive, duke vënë në dukje se Safari e kundërshton atë duke maskuar detajet e pajisjes për t'i bërë përdoruesit më pak të identifikueshëm individualisht.

"Parandalimi Inteligjent i Gjurmimit përdor inteligjencën në pajisje për të ndihmuar në parandalimin e atyre gjurmuesve nga të mësuarit se kush jeni dhe çfarë ju intereson", thotë Apple në faqen e saj të internetit.

Në vitin 2019, Google e ndaloi praktikën, duke vënë në dukje se me gjurmë gishtash, "ndryshe nga "cookies", përdoruesit nuk mund ta pastrojnë gjurmën e tyre të gishtave dhe për këtë arsye nuk mund të kontrollojnë se si mblidhet informacioni i tyre.

Megjithatë, Google nuk e ndalon më gjurmën e gishtave në Chrome dhe vetë kompania ka pranuar kërcënimet e lidhura, duke thënë se përgjigja e saj përfshin një qasje "mbrojtjeje të shtresuar" për të zvogëluar dëmin e mundshëm. /Telegrafi/

Shkodër-Romë-Boston: Rozita Fishta, violinistja që gjeti zërin e shpirtit në Amerikë

23 January 2026 at 12:25

Në lidhje për ABC e Mëngjesit nga Bostoni, vjen historia e bukur e Rozita Fishtës, violinistes që jeton mes klasikes dhe modernes. Që në moshën 5-vjeçare, violina u bë pjesë e jetës së saj, duke e udhëhequr nga Shkodra drejt skenave botërore. Pas studimeve në shkollën e muzikës dhe aktiviteteve në teatrin “Migjeni”, 18-vjeçare fitoi bursë të plotë në Santa Cecilia në Romë.

Në Itali performoi me orkestrën legjendare nën drejtimin e Antonio Pappano, para se të zhvendosej në SHBA në vitin 2013. Fillimet në Boston ishin të vështira: puna si ndihmëse në restorant, barriera gjuhës dhe një rrugë e gjatë për të ndërtuar emrin.

Sot, Rozita pasi ka qenë koncertmaistre në New England Philharmonic dhe Kendall Square Orchestra, dhe ka performuar në skena prestigjioze si Wang Theater, Agganis Arena dhe MGM, interpreton solo në violinë elektronike.

Në skenë ndërthur pop, rock, jazz, EDM e latino, ndërsa si soliste gjen dialogun më intim me veten. Ka ndarë skenën me emra të mëdhenj si Ledisi, Q-Tip, Gilberto Santa Rosa, dhe së fundmi bashkëpunon me MC Kreshën, Alban Skenderaj apo Ledri Vulen.

Në shpirt mbetet edhe poete, piktore dhe nënë krenare. Pinjolle e familjes Fishta, ajo mban gjallë trashëgiminë e fjalës dhe tingullit. Në shtëpinë e saj ruhen ende karriget ku dikur rrinte poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta, i cili paraardhësit e Rozitës i konsideronte si familjen e tij.

Rozita tha gjatë intervistës se nëse do të duhej të rizgjidhte, prapë do të shkonte tek violina, pavarërisht sakrificave që i është dashur të bëjë… Një jetë ku muzika nuk është thjesht profesion, por frymëmarrje.

Porto Cannone, bashkia që ruan gjallë identitetin arbëresh përmes kulturës dhe traditës

By: Rovena
21 January 2026 at 22:40

Në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” në ABC News, këshilltarja për kulturën e Bashkisë së Porto Cannone, Valentina Flocco, ka prezantuar nga afër angazhimin institucional dhe shpirtëror të kësaj bashkie për ruajtjen dhe promovimin e identitetit arbëresh. Përmes një rrëfimi personal dhe institucional, ajo ka folur për aktivitetet kulturore të zhvilluara ndër vite, bashkëpunimet artistike me Shqipërinë, eventet muzikore e letrare, si dhe për vlerat historike e fetare që mbeten shtylla të komunitetit arbëresh. Në fokus të bisedës kanë qenë edhe muralet e reja artistike, traditat shekullore si gara e qerreve në nder të Zojës së Kostandinopojës, si dhe roli i kulturës dhe besimit në ruajtjen e identitetit dhe kujtesës kolektive të arbëreshëve të Porto Cannone.

“Gjuha dhe tradita ruhet”/ Skënderbeu në muralet e Campomarinos, simbol i identitetit arbëresh

By: Rovena
21 January 2026 at 22:30

Një pasqyrë e gjallë e trashëgimisë arbëreshe dhe lidhjes së saj me identitetin shqiptar u soll në emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” në ABC Neës, përmes një interviste me Marco Altobellon, president i Institucionit të Kulturës të Bashkisë së Campomarinos.

Gjatë bisedës me gazetarin Artur Nura, Altobello foli për misionin e institucionit në promovimin kulturor dhe turistik të qytetit, vlerësimin e rrënjëve arbëreshe, si edhe për pasurinë historiko-kulturore që përfaqësojnë Pallati Norante, Biblioteka “Kodra” dhe Borgo i Pikturuar i Campomarinos, me muralet kushtuar Valljes arbëreshe, Skënderbeut dhe Shën Kristinës, shenjta mbrojtëse e qytetit.

Artur Nura: Me çfarë merret institucioni juaj?

Marco Altobello: Institucioni ynë merret me promovimin kulturor dhe turistik të qytetit dhe, në veçanti, me vlerësimin e rrënjëve tona arbëreshe dhe shqiptare, pasi Campomarino është një nga komunat më të mëdha në Itali me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: Ndodhemi në një sallë që ka një emër të veçantë, apo jo?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Pallatin Norante, që është selia e Bibliotekës “Kodra”. Biblioteka i është kushtuar Ibrahim Korrës dhe kjo sallë, e dedikuar atij, quhet Salla Kodra. Ajo është gjithashtu selia e sportelit gjuhësor arbëresh dhe strehon disa vepra origjinale të Korrës, të dhuruara nga vetë artisti në vitin 2002, gjatë vizitës së tij në Campomarino. Vepra të tjera janë dhuruar nga Liliana Corfioti, nxënëse e Korrës. Këto janë vepra që pasurojnë trashëgiminë tonë historiko-kulturore dhe, mbi të gjitha, forcojnë lidhjen e komunitetit tonë me rrënjët arbëreshe.

Artur Nura: A ka vepra origjinale këtu në sallë?

Marco Altobello: Po, kemi dy vepra origjinale: një skulpturë të Korrës dhe një pikturë, gjithashtu të Korrës. Të dyja veprat i referohen totemit. Korra zakonisht pikturonte ose skaliste këtë simbol, i cili sipas tij përfaqëson paqen dhe vëllazërimin mes popujve. Për ne kjo ka një domethënie të veçantë, sepse komuniteti ynë ka pritur shqiptarët dhe arbëreshët, dhe vlera si mikpritja, paqja dhe vëllazërimi janë thelbësore për Campomarino-n.

Artur Nura: E ndaj plotësisht këtë mendim. Faleminderit shumë.

Marco Altobello: Faleminderit juve. Punë të mbarë.

Artur Nura: Muralët e Borgos së Pikturuar të Campomarinos paraqesin traditën arbëreshe, ndër to Vallja, Skënderbeu dhe Shën Kristina.

Zëvendëskryetar bashkie, çfarë përfaqëson kjo shesh?

Marco Altobello: Ky është Sheshi Largo Santa Maria, nga ku fillojnë lagjet tona të pikturuara dhe afresket murale. Pas meje ndodhet Kisha Nënë, për të cilën folëm edhe më parë, dhe nën të gjendet kripta, të cilën do t’ju çojmë ta vizitoni. Prej këtu nisin të gjitha muralet që shoqërojnë hyrjen në borgun e vjetër të Campomarinos.

Artur Nura: Tani i japim fjalën presidentit të Institucionit të Kulturës.

Zoti Altobello, a mund t’u shpjegoni shikuesve të ABC Neës simbolikën e këtyre muraleve?

Marco Altobello: Po, ndodhemi në Borgon e Pikturuar të Campomarinos, ku janë realizuar rreth tridhjetë murale të kushtuara traditës arbëreshe. Ky mural në veçanti paraqet Valljen, një valle tipike arbëreshe, e njohur në italisht si “ballo tondo”. Është një valle me veshje tradicionale, ku gratë arbëreshe formojnë një lloj rrethi dhe ndërrohen gjatë kërcimit. Është një traditë që ne e ruajmë ende sot.

Artur Nura: Ndër muralet është edhe ai kushtuar Skënderbeut, apo jo?

Marco Altobello: Po, Skënderbeu është një figurë shumë e rëndësishme si për shqiptarët ashtu edhe për arbëreshët. Ai udhëhoqi arbëreshët në ikjen nga osmanët, të cilët më pas mbërritën në brigjet tona, veçanërisht në shekullin XV. Në atë periudhë, Campomarino u godit nga një tërmet i fortë që e shpopulloi vendbanimin dhe më pas u ripopullua nga shqiptarët e udhëhequr nga Skënderbeu.

Artur Nura: Po murali që shohim në fund, çfarë paraqet?

Marco Altobello: Murali në fund paraqet Shën Kristinën, shenjtën mbrojtëse të Campomarinos. Të gjitha muralet e tjera të Borgos së Pikturuar kanë tematikë arbëreshe dhe rikujtojnë rrënjët dhe traditat tona.

 

“Pesë shekuj shqip, pa shtet dhe pa zë”/ Në Campomarino atje ku ruhet bashkëjetesa arbëreshe

By: Rovena
21 January 2026 at 22:19

Në Campomarino të Molises, një qytet me rrënjë të thella arbëreshe dhe identitet të fortë kulturor, gjuha, tradita dhe kujtesa historike shqiptare vijojnë të mbahen gjallë prej më shumë se pesë shekujsh.

I ftuar në emisionin “Të gjitha Rrugët të Çojnë në Romë”, nënkryetari i bashkisë Michele De Giglio rrëfen për bashkëjetesën harmonike mes komunitetit italian dhe atij arbëresh, rolin e institucioneve lokale në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe përpjekjet për ta kthyer Campomarinon në një qendër turistike dhe kulturore të rëndësishme.

Nga biblioteka “Ibrahim Kodra” dhe enoteka e parë komunale e Molises, deri te Pallati Norante dhe “borgu i pikturuar”, Campomarino shfaqet si një shembull i gjallë i një identiteti që ka mbijetuar pa shtet, por jo pa zë.

Artur Nura: Pse keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë pikërisht në këtë vend?
Michele De Giglio: Sepse ky është qendra e kulturës së Campomarinos.

Artur Nura: Ndodhemi në bibliotekën e Campomarinos, e cila mban edhe emrin e Ibrahim Kodrës?
Michele De Giglio: Po, biblioteka e Campomarinos i është kushtuar edhe Ibrahim Kodrës dhe kemi një sallë të dedikuar posaçërisht për të.

Artur Nura: Pra, nuk është një vend i zgjedhur rastësisht.
Michele De Giglio: Jo, aspak. Është një vend i lidhur me kulturën, veçanërisht atë verë-bujqësore.

Artur Nura: Campomarino është një qytet i lidhur me verën?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet me rreth 8.000 banorë, me një thirrje të fortë turistike dhe tradita të rëndësishme në verë dhe vaj ulliri.

Artur Nura: Ideja për këtë laborator vere është e juaja?
Michele De Giglio: Po, kjo është enoteka e parë komunale në rajonin e Molises.

Artur Nura: Kur ka lindur ky projekt?
Michele De Giglio: Projekti ka lindur në vitin 2019.

Artur Nura: Si lindi ideja e enotekës?
Michele De Giglio: Patëm idenë e krijimit të një enoteke brenda bibliotekës komunale, duke shfrytëzuar ambientet ngjitur.

Artur Nura: A mund të na tregoni historinë e projektit?
Michele De Giglio: Projekti lindi disa vite më parë, me synimin për të krijuar një vitrinë të vogël të produkteve tipike të Campomarinos.

Artur Nura: Çfarë produktesh ekspozohen këtu?
Michele De Giglio: Vera e kantinave ekskluzivisht campomarinese dhe gjithashtu vaji i ullirit, sepse ne jemi qyteti i verës dhe i vajit.

Artur Nura: A prodhohen të gjitha këto vera këtu?
Michele De Giglio: Po, janë vetëm produkte të Campomarinos, pra produkte italiane.

Artur Nura: A ndihet prania arbëreshe në këto produkte?
Michele De Giglio: Po, në Campomarino ndihet gjithmonë prania arbëreshe. Jemi me origjinë shqiptare dhe ka shumë sipërmarrës me origjinë shqiptare këtu.

Artur Nura: A jeni arbëresh?
Michele De Giglio: Jo, unë jam italian.

Artur Nura: Si janë marrëdhëniet me komunitetin arbëresh?
Michele De Giglio: Janë shumë të mira, ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera.

Artur Nura: Sa për qind e punonjësve të bashkisë janë arbëreshë?
Michele De Giglio: Nuk di një përqindje të saktë, por ka ende disa punonjës me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?
Michele De Giglio: Po, vetëm një herë.

Artur Nura: Dhe pse nuk jeni kthyer më?
Michele De Giglio: Do të kthehemi së shpejti, në varësi të angazhimeve familjare, institucionale dhe të punës.

Artur Nura: A keni më shumë punë gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, Campomarino është një qytet turistik. Në dimër jemi rreth 8.000 banorë, ndërsa në verë arrijmë deri në 100.000 turistë.

Artur Nura: Sipas jush, a është e drejtë përvoja e sporteleve dygjuhëshe?
Michele De Giglio: Është shumë e drejtë, sepse ndihmon në ruajtjen e origjinës së qytetit tonë. Është e rëndësishme që të rinjtë të mos humbasin traditën arbëreshe të Campomarinos.

Artur Nura: Doja t’ju pyesja edhe për këtë pallat historik.
Michele De Giglio: Ky është Pallati Norante.

Artur Nura: A mund të bëjmë një xhiro?
Michele De Giglio: Sigurisht, do t’ju shpjegoj shkurtimisht.

Artur Nura: Çfarë gjejmë këtu?
Michele De Giglio: Këtu kemi një institucion turistik-kulturor që na ndihmon në promovimin e turizmit.

Artur Nura: Çfarë përfaqësojnë këto piktura?
Michele De Giglio: Janë piktura të dhuruara nga zonja Corfiati dhe artistë të tjerë, që paraqesin elemente të kulturës arbëreshe dhe të qytetit.

Artur Nura: Tani jemi në Sallën Kodra?
Michele De Giglio: Po, kjo është Salla Kodra, kushtuar Ibrahim Kodrës.

Artur Nura: A e keni njohur personalisht?
Michele De Giglio: Jo, për fat të keq nuk pata këtë nder.

Artur Nura: A janë këto vepra të tijat?
Michele De Giglio: Po, disa piktura janë dhuruar prej tij. Ka edhe flamurin shqiptar, të cilin e respektojmë shumë.

Artur Nura: A përdoret kjo sallë edhe gjatë verës?
Michele De Giglio: Po, falë institucioneve turistiko-kulturore organizojmë vizita të udhëzuara.

Artur Nura: Çfarë u ofroni turistëve?
Michele De Giglio: Përveç plazheve dhe bregdetit të bukur, organizojmë vizita falas në “borgun e pikturuar”, me afreske dhe murale, të shoqëruara nga guidat tona.

Artur Nura: A ka edhe vende të tjera të rëndësishme për t’u vizituar?
Michele De Giglio: Sigurisht. Pak metra më tutje ndodhet kisha amë, e cila ka brenda një kriptë historike që do t’jua tregoj.

Artur Nura: Atëherë, të shkojmë ta shohim.
Michele De Giglio: Po, të shkojmë.

 

Proda pret kreun e Policisë së Romës: Bashkë për të luftuar krimin e organizuar

20 January 2026 at 14:19

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Mesditën e sotme, Kuestori i Romës, drejtori i policisë së kryeqytetit italian, Roberto Massucci, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, zhvilloi një vizitë kortezie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u prit nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe drejtues të lartë të institucionit.

Gjatë takimit, kuestori Massucci vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes dy policive.

Nga ana e tij, Proda e siguroi Kuestorin e Romës se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht me partnerët italianë dhe ata ndërkombëtarë.

Ai theksoi se bashkëpunimi me Policinë italiane përbën një shembull shumë të mirë, përmes shkëmbimit të informacionit, krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, si dhe realizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu eksperienca mbi menaxhimin e situatave të ndryshme, u vlerësua roli dhe mbështetja e ambasadës italiane në Tiranë, si dhe u dakordësua forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve, përfshirë zgjerimin e bashkëpunimit edhe me Kuesturën e Romës.

1 nga 3

/m.q/r.e/a.f/

The post Proda pret kreun e Policisë së Romës: Bashkë për të luftuar krimin e organizuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

ROME – Meloni: Rritja e tarifave nga Trump ishte një gabim, po punojmë për të shmangur një përshkallëzim

18 January 2026 at 15:54

ROME, 18 janar /ATSH-ANSA/ – Parashikimi i një rritjeje të tarifave kundër atyre kombeve që kanë zgjedhur të kontribuojnë në sigurinë e Groenlandës është një gabim dhe unë nuk pajtohem me të, deklaroi kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

”Fola me presidentin Donald Trump. Kishte një problem mirëkuptimi dhe komunikimi në lidhje me iniciativën nga disa vende të BE-së, e cila nuk duhet interpretuar si anti-amerikane, shtoi Meloni.

”Ne duhet të rifillojmë dialogun dhe të shmangim një përshkallëzim”, shtoi ajo.

“Mendoj se Italia mund të luajë një rol udhëheqës; ne jemi të gatshëm të bëjmë paqen tonë në ndërtimin e planit të paqes”, tha kryeministrja, duke folur me gazetarët në Seul në takimin e Bordit të Gazës.

“Pas kthimit tim, do të thërras një takim për të shqyrtuar masën. Nuk e di nëse do të jetë gati deri të martën, por ne po punojmë për të”, shtoi ajo kur u pyet për dekretin e ri të sigurisë. /os/

The post ROME – Meloni: Rritja e tarifave nga Trump ishte një gabim, po punojmë për të shmangur një përshkallëzim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

I riu po kryente manovra me fadromë, zbardhet identiteti i viktimës në Palasë/ EMRAT

By: Ela
17 January 2026 at 16:50

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur ditën e sotme në Palasë të Vlorës. Mësohet se viktima është 45-vjeçari Kreshnik Haska, i cili u godit me mjetin fadromë, drejtuar nga 26 vjeçari, Elidon Pashaj. Pashaj mësohet se ka kryer manovra me mjetin fadrom gjatë punë brenda kantierit, duke shkaktuar humbjen e jetës së […]

The post I riu po kryente manovra me fadromë, zbardhet identiteti i viktimës në Palasë/ EMRAT appeared first on BoldNews.al.

Senatori italian Della Porta: Italianët, të mirëpritur në Shqipëri. Mbështes nismat Meloni–Rama

14 January 2026 at 22:50

Senatori italian i zgjedhur në Molise, Costanzo Della Porta, gjatë një interviste për programin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë!”, theksoi marrëdhëniet e ngushta mes qytetarëve dhe zgjedhësve të tij, duke vizituar shpesh komunat e Molises, përfshirë ato me komunitete arbëreshe.

Della Porta foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës arbëreshe, duke theksuar se kushtetuta italiane mbron pakicat gjuhësore dhe se një marrëveshje ndërmjet qeverive Rama–Meloni mund të forcojë mbrojtjen e tyre. Ai shtoi se, edhe pse gjuha është mirë e ruajtur në Molise, është e nevojshme të merren masa për pakicat në zona të tjera si Sicilia dhe Calabria, duke theksuar se ruajtja e kulturës lokale është pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Artur Nura: Mirëmbrëma.
Costanzo Della Porta: Mirëmbrëma.

Artur Nura: Atëherë, ju jeni?

Jam Costanzo Della Porta, senator i Republikës Italiane, i zgjedhur në Molise.

Artur Nura: Dhe jo rastësisht keni zgjedhur ta bëni këtë intervistë në një shkollë, le të themi, kulinarie me prestigj të madh, apo jo?
Costanzo Della Porta:  Po, ndodhemi në Institutin Hotelier “Federico II di Svevia” në Termoli.

Artur Nura: bukur. A takoheni shpesh me zgjedhësit tuaj? Si funksionon, pra, marrëdhënia juaj me ta?

Costanzo Della Porta : Ne kemi një marrëdhënie shumë të ngushtë me zgjedhësit tanë, me qytetarët, sepse përveç aktiviteteve parlamentare dhe ditëve që jemi në Romë – zakonisht të martën, të mërkurën dhe të enjten – ditët e tjera të javës ia kushtojmë territorit. Pra, takojmë qytetarët tanë. Qarku zgjedhor është shumë i gjerë, sepse përfshin të gjithë Molisen, ndaj duhet të lëvizim mes provincës së Campobassos dhe asaj të Isernias. Duhet kohë për të përshkuar të gjithë territorin dhe është normale që të mos qëndrojmë vetëm në Romë, por edhe këtu, mes njerëzve.

Artur Nura: Por jam informuar se edhe arbëreshët e kësaj zone, katër komuna kryesisht, janë zgjedhës dhe mbështetës tuaj. Është e vërtetë?

Costanzo Della Porta: Po, komunat arbëreshe të Molises janë, ndër të tjera, komuna të Molises së Poshtme, në zonën përreth Termolit: Campomarino, Montecilfone, Portocannone dhe Ururi, të cilat i kemi vizituar disa muaj më parë bashkë me presidentin tuaj Bajram Begaj.

Artur Nura: Bukur.

Ndërkohë, marrëdhëniet italo-shqiptare, për këdo që njeh historinë, nisin që në kohë shumë të largëta, madje edhe antike. Për më tepër, Fratelli d’Italia është tashmë partia e vetme italiane që ka një qendër në Tiranë. Çfarë marrëdhëniesh keni ju personalisht me Shqipërinë?

Costanzo Della Porta: Marrëdhëniet mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare janë shumë të mira: janë marrëdhënie afërsie, miqësie dhe ndarjeje vlerash, sepse populli shqiptar është shumë i lidhur me atë italian. Dua të kujtoj se në momentet e vështira të kombit tuaj, gjatë ndarjes se ssitemeve, Italia ishte vendi i parë që priti qytetarë shqiptarë. Shumë prej tyre kanë mbetur në Itali, punojnë këtu dhe kanë krijuar familjet e tyre. Marrëdhëniet mes nesh dhe popullit shqiptar janë shumë të mira, jo vetëm me shqiptarët që janë transferuar në Itali, por edhe me komunitetet arbëreshe që jetojnë në komunat tona. Kemi një raport shumë të bukur vëllazëror dhe është sikur të ishim një popull i vetëm, pa ndarje mes nesh.

Artur Nura: Me të drejtë. A e keni vizituar ndonjëherë Shqipërinë?

Costanzo Della Porta: Jo, dhe për fajin tim ende jo. Jam ftuar disa herë, por për arsye institucionale nuk kam arritur të shkoj. Kam folur edhe me kolegë të tjerë për këtë. Me siguri këtë vit do të bëj me shumë kënaqësi një vizitë në Shqipëri.

Artur Nura: Eh, e dini që jemi shumë afër. Ka nga ata që e quajnë Shqipërinë rajoni i 21-të; dhe për këtë kam disa rezerva…

Costanzo Della Porta: Është e drejtë, sepse duhet të garantoni autonominë dhe pavarësinë tuaj. Por përtej idesë së “rajonit të 21-të”, Shqipëria është një komb, një shtet shumë pranë Italisë dhe është sikur të ishim një popull i vetëm.

Artur Nura: Ju e dini se sot nuk ka më një emigrim shqiptar drejt Italisë, por përkundrazi, një emigrim italian drejt Shqipërisë.

Costanzo Della Porta: Kjo është diçka pozitive: do të thotë që nuk i keni më problemet e disa dekadave më parë dhe që italianët duan të investojnë në Shqipëri. Besoj se italianët janë shumë të mirëpritur në Shqipëri, pikërisht për shkak të kësaj vëllazërie të madhe mes dy popujve. Mendoj se populli shqiptar i mirëpret italianët më shumë se popujt e tjerë evropianë.

Artur Nura: Me të drejtë. Si do ta vlerësonit titullin e emisionit tim: Të gjitha rrugët të çojnë në Romë? A është ende aktual?

Costanzo Della Porta: Është ende aktual, sepse Roma është Caput Mundi, djepi i krishterimit dhe i qytetërimit. Unë e frekuentoj Romën çdo javë, ndaj për mua rrugët vërtet të çojnë në Romë. Më pëlqen shumë që emisioni juaj quhet kështu, sepse tregon lidhjen mes popullit tuaj dhe kryeqytetit tonë, pra mes jush dhe Italisë. Me të drejtë.

Artur Nura: Roma është padyshim qendër nga pikëpamja historike dhe urbanistike, por e kam zgjedhur këtë titull sepse mendoj se Italia është e rëndësishme. Unë e konsideroj publikisht si një vëlla të madh dhe, kur vëllai i madh nuk është mirë, mendo për motrën e vogël, në këtë rast Shqipërinë…

Costanzo Della Porta: Italianët kanë qenë dhe janë ende një popull shumë solidar. Jemi një popull mikpritës, kemi kaluar vështirësi dhe e dimë çfarë do të thotë të ringrihesh nga hici. E kemi bërë për veten tonë dhe e bëjmë edhe për vëllezërit tanë që kanë qenë më pak fatlumë. Sot, fatmirësisht, ata jetojnë më qetë, por kur ka pasur nevojë, Italia ka qenë gjithmonë e pranishme.

Artur Nura: Të vijmë te thelbi. Nuk ju pyeta rastësisht për arbëreshët dhe për Shqipërinë. Marrëdhëniet tona janë shumë të pasura dhe, si gazetar që prej 25 vitesh ndjek marrëdhëniet italo-shqiptare për Radio Radicale, kam vërejtur se gjuha Arbereshe, që është identitare për pakicën historike arbëreshe në Itali, rrezikon të zhduket. Sipas disa ekspertëve, si nga këndvështrimi politik ashtu edhe shkencor, nevojitet një marrëveshje e re Rama–Meloni.
A do ta mbështesnit një marrëveshje të tillë?

Costanzo Della Porta: Unë nuk besoj se gjuha arbëreshe, të paktën në Molise, është drejt zhdukjes, sepse në komunat ku flitet, tradita është e rrënjosur mirë. Megjithatë, nëse mund të bëjmë më shumë për të mbrojtur pakicat gjuhësore, duhet ta bëjmë. Nëse do të kishte një marrëveshje të tillë, duke pasur parasysh marrëdhëniet shumë të mira mes Giorgia Melonit dhe kryeministrit Edi Rama, unë do të isha i kënaqur dhe do të votoja me dëshirë një ligj në këtë drejtim.

Artur Nura: Më bëhet shumë qejfi. Sigurisht që është e nevojshme, sepse ndoshta në Molise dhe në disa rajone gjuha është ruajtur, por në zona të tjera arbëreshe situata është më delikate. Kur flitet për një parti në pushtet, nuk mendohet vetëm në nivel lokal, por në mënyrë të përgjithshme.

Costanzo Della Porta: Kushtetuta jonë mbron pakicat gjuhësore kudo në Itali dhe është e drejtë t’i mbrojë edhe atje ku rrezikojnë të zhduken. Nuk është rasti i Molises, por mund të jetë i Sicilisë apo i Kalabrisë, ku ka pakica të tjera. Pakicat gjuhësore janë pjesë përbërëse e kulturës së territorit dhe duhen mbrojtur, sepse këtë e parashikon edhe Kushtetuta jonë.

Artur Nura: Dhe kjo më bën shumë qejf. Ndërkohë ju falënderoj për këtë intervistë. Si gazetar, ua them telespektatorëve të ABC News Albania se do ta ndjek këtë çështje dhe, me senatorin Della Porta do të kthehemi ta diskutojmë në Romë për një nismë të mundshme lidhur me një marrëveshje Rama–Meloni.   / abcnews.al /

Gjithë rrugët të çojnë në Romë/ Apeli i arbëreshëve për Melonin dhe Ramën: Duam veprim, jo vetëm premtime

14 January 2026 at 22:26

Gazetari Artur Nura zhvilloi një intervistë në emisionin “Të gjitha rrugët të çojnë në Romë” me kryetaren e Bashkisë së Ururit, Laura Greco, ku u diskutua për historinë, sfidat dhe të ardhmen e këtij qyteti arbëresh në Itali.

Greco tregoi se godina aktuale e bashkisë ka qenë shtëpia e gjyshërve të saj, e dhuruar më pas për përdorim publik, ku sot funksionon biblioteka “Profesoresha Maria Teresa Marinelli”. Ajo foli gjithashtu për kishën katolike të qytetit, e rindërtuar pas tërmetit të vitit 1962 dhe e rikthyer për besimtarët në vitin 1999.

Një nga problematikat kryesore që u theksua gjatë intervistës ishte shpopullimi.

Sipas Grecos, Ururi ka humbur rreth 1000 banorë në 20 vitet e fundit, kryesisht për shkak të mungesës së vendeve të punës. Bashkia ka ndërmarrë disa iniciativa për të nxitur rikthimin e banorëve dhe ardhjen e të rinjve, përfshirë subvencione për blerjen e shtëpive dhe hapjen e aktiviteteve të reja.

Kryebashkiakja u shpreh e hapur ndaj projekteve që synojnë zhvillimin e turizmit, veçanërisht duke ftuar shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke e parë këtë si një mundësi për gjallërimin ekonomik të zonës.

Në fokus ishte edhe ruajtja e gjuhës dhe identitetit arbëresh. Greco vlerësoi interesin e shtuar të qeverisë shqiptare për këto komunitete dhe theksoi rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës arbëreshe, e cila tashmë është futur si lëndë në shkollën lokale, por rrezikon të zhduket.

Në fund, ajo bëri të ditur se Bashkia e Ururit po përgatit binjakëzimin me Bashkinë e Roskovecit në Shqipëri, një hap që synon forcimin e lidhjeve kulturore dhe institucionale mes dy vendeve.

Intervista e plotë:

Artur Nura: Atëherë mund ta përshëndesim kryetaren e bashkisë së Ururit. Ju jeni kryetarja e bashkisë, apo jo?

Unë jam Laura Greco: , kryetare e bashkisë së Ururit.

Artur Nura: Pra, më kanë thënë që kjo ndërtesë këtu, që është godina e bashkisë së Ururit, ka qenë pronë e familjes suaj?
Laura Greco: Po, kjo është shtëpia e gjyshërve të mi, kjo është shtëpia ku jetonte babai im dhe më pas kemi vendosur, le të themi, tia dhurojmë bashkisë së Ururit për një qëllim fisnik, që e gjithë popullsia të mund të përfitojë prej saj. Sot këtu ndodhet biblioteka e titulluar “Profesoresha Maria Teresa Marinelli” dhe, sigurisht, familja ime është krenare për këtë, sepse është e vetmja ndërtesë e mirëmbajtur, e ruajtur mirë, që i është nënshtruar restaurimit. Pra, familja është vërtet shumë krenare për këtë.

Artur Nura: Ne kemi realizuar pothuajse të gjitha intervistat pikërisht në këtë ndërtesë. Po ajo atje është një kishë, një kishë katolike?
Laura Greco: Po, është një kishë katolike. Është një kishë që iu rikthye publikut në vitin 1999, u rihap, sepse pas tërmetit të vitit ’62, që preku këtë komunë, ishte reduktuar plotësisht në një rrënojë. Më pas, një zonjë nga Ururi dhuroi pasurinë e saj dhe bëri të mundur që kisha të rihapej për publikun, pra për besimtarët.

Artur Nura: A mbahen mesha të rregullta?

Laura Greco: Po, mbahen mesha çdo ditë, me famullitarin tonë aktual, don Michele Di Legge, i cili, për më tepër, ka lindur në një komunë fqinje, gjithashtu me origjinë arbëreshe.

Artur Nura: Ndërkohë që po flasim, na trego edhe për zyrën tënde në bashki, por ndërkohë po kalojmë në një rrugicë shumë, shumë të bukur.

Laura Greco: Po. Kjo është një rrugicë historike për komunitetin tonë, sepse në fillim komuna jonë ishte shumë e vogël. Aq sa quhet “Via Commerciale”, sepse kjo ishte rruga kryesore ku zhvillohej jeta e pothuajse të gjithë banorëve që jetonin në këtë rrugë dhe në rrugën paralele. Këtu ishte jeta: të gjithë jetonin këtu, ishte shumë e populluar dhe të gjitha shtëpitë ishin të banuara.

Artur Nura: Sot i shohim të zbrazëta dhe të mbyllura! Pikërisht, pyetja që më lind është: pse ky qytet kaq i bukur, sipas meje, sipas shijeve të mia, është i bukur, por duket i zbrazët? Ka njerëz apo jo?

Laura Greco: Njerëz ka, edhe pse, siç e dini shumë mirë, kohët e fundit pothuajse të gjitha komunat italiane janë të prekura nga shpopullimi.

Artur Nura: Një problem edhe për ne në Shqipëri.

Laura Greco: Një problem i madh, shumë i madh, aq sa kemi humbur 1000 banorë në vitet e fundit: nga 3500 që ishim 20 vite më parë, sot jemi 2500 persona, sepse të rinjtë largohen nga vendlindja. Problemi kryesor është puna, mungesa e punës: njerëzit studiojnë jashtë dhe më pas qëndrojnë aty ku studiojnë. Ky është problemi kryesor.

Artur Nura: Ajo që ne bëjmë është të përpiqemi të nxisim njerëzit të vijnë këtu. Kemi projekte?

Laura Greco: Sigurisht, por për këto projekte nevojitet kohë, studim dhe fonde. Shteti po na ndihmon në këtë drejtim; kemi shpallur edhe dy thirrje ku jepeshin kontribute për ata që transferonin rezidencën, për ata që blinin një shtëpi në komunën e Ururit dhe për ata që hapnin një aktivitet të ri. Thirrjet patën sukses, diçka ka filluar të lëvizë, diçka po lëviz ende, por unë dua të ndërmarr një veprim që t’i rikthejë në jetë këto shtëpi të braktisura.

Artur Nura: Ndërkohë më vjen një ide: duke qenë se ky është një qytet shumë i bukur, që mbart histori dhe kulturë, është një qytet arbëresh, pra shqiptar, mund të mendojmë një projekt që fton të gjithë shqiptarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të vijnë ta vizitojnë si turistë dhe, pse jo, të gjejmë mënyrën që dikush të qëndrojë këtu?

Laura Greco: Të qëndrojë, ndoshta. Ky është me siguri një projekt shumë i bukur, një nismë që do ta përqafoja menjëherë, sepse unë gjithmonë them që Ururi, nga pikëpamja gjeografike, ka një pozicion optimal: është vetëm 15 minuta nga deti, jetohet mirë, është një vend i vogël, klima është e mirë, është ideale për të jetuar. Ajo që ndoshta mungon është puna. Por nëse vijnë turistët, vjen edhe puna: krijohet një zinxhir ekonomik, pra turizmi sjell patjetër punë dhe njerëzit mund të qëndrojnë në këtë tokë.

Artur Nura: Ky është një shesh historik?

Laura Greco: Po, ky është një shesh historik. Në fillim fshati përfundonte pak më tej dhe këtu zhvillohej e gjithë jeta: kishte treg, njerëzit shëtisnin. Këtu ka ndodhur masakra e famshme e Vardarellëve në shekullin XIX, pra ka ndodhur edhe vrasja e parë shtetërore. Ndoshta kolegu Emiliano do t’jua shpjegojë më mirë, sepse është më i informuar për këtë çështje.

Artur Nura: Ky ishte sheshi historik dhe sot është bosh. Dhe pas sheshit është edhe bashkia juaj, apo jo?

Laura Greco: Po, bashkia jonë, që është zemra e aktivitetit. Bashkia është shtëpia e të gjithëve, jo vetëm e kryetarit, por e të gjithë qytetarëve. Unë të paktën e kuptoj kështu: e hapur për këdo që ka probleme apo nevoja, të cilat ne përpiqemi, sigurisht, t’i zgjidhim.

Artur Nura: Tani le të flasim për përgjegjësinë politike. Sipas jush, sipas përvojës suaj, a ka qenë më i vëmendshëm qeveria italiane apo qeveria shqiptare ndaj jush?

Laura Greco: Qeveria italiane ka një Kushtetutë shumë të mirë, që mbron pakicat gjuhësore. Sigurisht, me ligjet ndoshta ka munguar mbështetja financiare dhe diçka më shumë mund të ishte bërë.

Artur Nura: Kohët e fundit vërej, dhe duhet ta theksoj patjetër, një interes të madh nga ana e qeverisë shqiptare ndaj këtyre komuniteteve. Mund të ndjehet qartë interesi i Shqipërisë për pakicat gjuhësore në Itali.

Laura Greco: Sigurisht që për këtë jam e kënaqur. Shumë është bërë, por shumë mund të bëhet ende. Së fundmi është futur mësimi i gjuhës arbëreshe si lëndë në shkollën tonë. Duhet të kujtojmë se ne ruajmë një gjuhë që është transmetuar vetëm gojarisht. Kjo gjuhë e bukur, që ka rezistuar për më shumë se pesë shekuj, sot rrezikon të zhduket.

Artur Nura: Sipas jush, a do të ishte e drejtë të kishte një marrëveshje mes Ramës dhe Melonit – pasi kanë firmosur tashmë 16 marrëveshje – për të arritur në një të shtatëmbëdhjetë, që parashikon përgjegjësinë për ruajtjen e kësaj gjuhe, edhe me një buxhet, sepse pa para nuk bëhet asgjë?

Laura Greco: Sigurisht që do të ishte e dëshirueshme. Duhet thënë se Giorgia Meloni ka marrëdhënie shumë të ngushta me Shqipërinë dhe një marrëveshje e mëtejshme në këtë drejtim, për mbrojtjen e kësaj gjuhe, këtyre origjinave dhe kësaj identiteti që jeton brenda shtetit italian, do të ishte zgjidhja më e mirë.

Artur Nura: Duhet punuar për t’i bindur ata.

Laura Greco: Po, unë jam shumë e orientuar në këtë drejtim, aq sa si administratë promovojmë të gjitha aktivitetet që lidhen me valorizimin e gjuhës sonë. Më intereson shumë, sepse që fëmijë e kuptoja se kisha diçka më shumë se të tjerët. Mendoj se kjo vjen nga origjina. Me të drejtë.

Artur Nura: Ndërkohë, në Shqipëri vini vetëm për festa apo po realizoni edhe binjakëzime me komuna të tjera?

Laura Greco: Po, po përpiqemi. Së shpejti do të realizojmë binjakëzimin me komunën e Roskovecit. Kam pasur mundësinë të njoh kryetaren e bashkisë kur erdhi Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Është një grua e zonja, një person shumë i vlefshëm, dhe kemi vendosur ta realizojmë këtë binjakëzim. Aq sa do të jenë mysafirët tanë në ditët në vijim, më 20 janar.

Artur Nura: Urime dhe faleminderit për intervistën.
Laura Greco: Faleminderit juve.

Artur Nura: Punë të mbarë.
Laura Greco: Faleminderit.

❌
❌