Paradoksi me fishekzjarret: Shqipëria nyje piroteknike e rajonit
Shqipëria e ka të kufizuar me ligj shitjen dhe shpërthimin e fishekzjarreve. Megjithatë, sasi të mëdha hyjnë dhe dalin çdo vit nga vendi dhe përdorimi i tyre është i rregullt thuajse çdo mesnatë.
Të dhënat doganore, raportet dhe përgjigjiet zyrtare ndaj Citizens.al tregojnë për një paradoks: një sektor formal i mbyllur për qytetarët, por me qarkullim të gjerë tregtar.
Paralelisht një rrjet tregu në të zezë, që gjen hapësirë në rrjetet sociale, teksa përdorimi i tyre dyshohet se devijon edhe në aktivitetin kriminal.
Një treg i ndaluar për qytetarët, por në volume aktive
Në vitin 2018 qeveria kufizoi tregtimin dhe përdorimin e fishekzjarreve. Prej asaj kohe, ato lejohen vetëm për subjekte të licencuara dhe për aktivitete të kontrolluara publike në periudha të caktuara të vitit.
Megjithatë, statistikat doganore për periudhën 2020-2025 tregojnë se dhjetëra tonelata fishekzjarre janë importuar çdo vit, kryesisht nga Kina dhe shpesh përmes shtetesh tranzite nga Bashkimi Europian si Sllovenia, Bullgaria, Italia apo dhe Greqia.

Në total gjatë kësaj periudhe janë importuar rreth 485 tonë, duke kulmuar me vitin 2024 (195 tonë). Një volum relativisht i lartë për një vend ku përdorimi privat është i kufizuar.
Kjo krijon një mospërputhje thelbësore mes masave rregullatore dhe realitetit tregtar. Kush e përdor këtë sasi dhe ku përfundojnë ato?
Gjatë gjithë periudhës 2020-2025 Shqipëria eksportoi 5 herë më shumë fishekzjarre sesa importoi (totali 2,440 tonë), fakt që sugjeron përdorimin e stoqeve ose rolin e vendit tonë si pikë prodhimi, grumbullimi dhe ri-shpërndarjeje.
Ky profil duket se po e shndërron Shqipërinë në një nyje të rëndësishme, ku mallra të ndaluara për përdorim privat qarkullojnë në volume të mëdha, duke rritur rrezikun e kontrabandës dhe humbjes së kontrollit institucional.
Kina rezulton burimi dominues i fishekzjarreve që hyjnë në Shqipëri, ndërsa Bullgaria (688 tonë), Çekia (511 tonë), Rumania (348 tonë), Polonia (335 tonë) dhe Kosova (90 tonë) janë destinacionet kryesore të eksporteve. Vlen të theksohet se për dy vite, destinacion eksporti ka qenë dhe Bjellorusia (140 tonë).

Asokohe Bjellorusia ishte nën sanksione të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut dhe rolin e saj në konfliktin Rusi-Ukrainë. Sanksionet ndalonin eksportet e mallrave që mund të kontribuonin në zgjerimin e represionit të regjimit të Lukashenkos dhe kapacitetet e industrisë ushtarake.
Shqipëria ndoqi në përputhje sanksionet në fjalë, megjithatë sikurse tregojnë të dhënat doganore, eksportet drejt një vendi që ishte subjekt i sanksioneve për individë dhe disa kategori mallrash ngre pikëpyetje për shmangien e këtyre kufizimeve, apo ri-interpretim të masave.
Kjo çështje kërkon verifikim më të thellë të kontratave, destinacionit final, dhe nëse ngarkesat u përdorën realisht për qëllime të tjera.
Pak kompani, shumë përgjegjësi
Importet dhe eksportet e fishekzjarreve në Shqipëri realizohen nga një numër i kufizuar kompanish të licencuara.

Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE), i cili kontrollon transferimet e mallrave ushtarake, lëndëve plasëse dhe artikujve piroteknikë, tha për Citizens.al se aktualisht në Shqipëri ka vetëm katër kompani “të licensuara për import-eksport fishekzjarresh”.
Shqyrtimi i deklarimeve tregtare nga Citizens.al tregoi se dy prej katër kompanive u themeluan në vitin 2022 teksa njëra prej tyre (Panda-T-AL) nuk ka depozituar asnjë bilanc vjetor.
Nga viti 2018, kur u vendos kufizimi i tregtimit dhe përdorimit të fishekzjarrëve, sektori ka pasur vetëm rritje fitimesh.
Në vitin 2018 dy kompanitë që operonin në këtë treg (Arpi dhe Arpiko Trade) deklaronin rreth 36,500 euro fitime totale. Ndërkohë, në vitin 2024 fitimi ishte 2,740 herë më i lartë (rreth 1 milion euro).
Në total në 6 vite nga kufizimi i përdorimit të fishekzjarreve (2018-2024) kompanitë që merren me tregtimin e tyre kanë fituar rreth 3 milionë euro.
Sigurisht këto kompani merren edhe me veprimtari të tjera, por kjo shifër është tregues domethënës se me fishekzjarret “punët po ecin mirë”.
Përqendrimi i tregut e bën teorikisht më të lehtë kontrollin, ashtu si e bën edhe më të rrezikshëm devijimin, nëse një hallkë e zinxhirit – prodhimi, magazinimi, transporti apo shpërndarja – del jashtë mbikëqyrjes së autoriteteve.
Deri më sot nuk ka një analizë apo raport publik mbi humbjet e mundshme gjatë magazinimit, sasitë e asgjësuara, apo diferencat mes importeve dhe eksporteve.
Nga festat publike te rreziku i grupeve kriminale
Festa me fishekzjarre e mbrëmjes së fundvitit në Shqipëri tregoi edhe njëherë se sa i pakontrolluar është tregu.
Teksa autoritetet deklarojnë dhe ndjekin me bujë aksione sporadike policore të kapjes së disa dyqaneve dhe tregtarëve të dorës së dytë, ato shiten lirshëm online dhe në rrjetet sociale – një faqe e reklamon aktivitetin madje si “Fishekjzarre taxi”.
Në mungesë të një rregullatori të fortë për tregun, çdo produkt që del jashtë kontrollit institucional është potencialisht i paligjshëm dhe rrezik për t’u devijuar në përdorim nga grupet kriminale.
Praktika e nxjerrjes së pluhurit piroteknik nga fishekzjarret për ndërtimin e bombave artizanale është e njohur në vende të tjera europiane. Rastet e atentateve me eksplozivë të tillë në vendet e Evropës Perëndimore janë kthyer në një shqetësim permanent.
Ndërkohë, kombinimi i volumeve të larta të import-eksportit, ndalimit të përdorimit privat dhe kontrollit të fragmentuar, krijon një terren të favorshëm në Shqipëri për grupet kriminale që kërkojnë lëndë plasëse të lehta për t’u siguruar dhe të vështira për t’u gjurmuar.

Faktet tregojnë se autoritetet nuk janë në lartësinë e duhur për ta parandaluar prirjen. Përgjigjjet e Prokurorisë së Përgjithshme për Citizens.al tregojnë se organet ligjzbatuese fokusohen kryesisht te pasojat penale, jo te zinxhiri i furnizimit.
Hetimet nisin dhe statistikat mbahen pasi shpërthimet ndodhin, ndërsa nuk ka një databazë të centralizuar që lidh apo ngre dyshime për: fishekzjarret me lëndët plasëse të përdorura në atentate.
Ekspertimi teknik kryhet nga Laboratori Qendror i Kriminalistikës, Sektori i Balistikës, si dhe në Njësinë Speciale Antieksplozivë të Repartit RENEA, por pa një profilizim sistematik kimik, që të gjurmojë origjinën tregtare të materialit të përdorur në bomba artizanale.
Rasti i fishekzjarreve në Shqipëri tregon se ndalimi ligjor, pa transparencë dhe gjurmueshmëri, nuk është i mjaftueshëm. Pa auditim të plotë të zinxhirit tregtar dhe pa lidhje të drejtpërdrejtë mes doganave, licencimit dhe hetimit, tregu formal rrezikon të bjerë në dorën e krimit të organizuar.
Fishekzjarret janë të ndaluara për qytetarët, por jo të pakapshme për krimin. Të dhënat tregojnë qartë për një ekonomi piroteknike aktive, të ligjshme në letra, por me boshllëqe reale kontrolli.
Pyetja që mbetet është, jo nëse ndalimi ekziston, por sa i aftë është shteti shqiptar ta garantojë që një mall i ndaluar si fishekzjarret, të mos kthehet në armë të rëndomtë për krimin.
Lexo gjithashtu:
- “Pa rregulla, pa kufij”, një dokumentar për gjurmët shqiptare në zinxhirin global të kokainës
- Peticion kundër fishekzjarrëve: Qytetarët kërkojnë masa për prishjen e qetësisë publike
- Zjarri te ish-Uzina Dinamo shkrumbon rreth 50 biznese
The post Paradoksi me fishekzjarret: Shqipëria nyje piroteknike e rajonit appeared first on Citizens.al.















