Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem
TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Jeruzalem, Izrael me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u takua sot me Kryeministrin Benjamin Netanyahu, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se bota dhe njerëzimi duhet të dijë faktin që Shqipëria, ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit strehoi një popullsi hebreje brenda shoqërisë së saj.
Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Netanyahu tha se “Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre, mik i madh i shtetit hebre dhe mund të them një mik i madh i imi”.
“Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta, njerëzit nuk e dinë, bota duhet ta dijë që Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit dhe nuk u mpak. U rrit sepse myslimanët shqiptarë në frymën e moderimit, tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor mbrojtën qindra hebrenj që jetonin në Shqipëri dhe po kështu mikpritën shumë të tjerë”, tha Netanyahu.
“Ky është shpirti që ju përfaqësoni, kjo është ajo histori, që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore”, tha Kryeministri izraelit.
Sipas Netanyhut, kjo është fryma që Shqipëria vazhdon ta ushqejë edhe sot.
“Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju zmbrapsin, ju qëndruat krah Izraelit kur u sulmuam nga barbarët. Busulla juaj morale nuk u lëkund dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe atyre segmenteve të njerëzimit që duan që e vërteta të mbrohet dhe të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë”, theksoi ai.
Kryeministri izraelit, deklaroi se mes dy vendeve po ndërtohen marrëdhënie të shkëlqyera.
“Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta një mijë përqind dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Mund t’ju them gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm kështu që shkoni atje. Kemi kompani me investues izraelit, të cilët dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët”, tha Netanyahu.
Kryeministri i Izraelit theksoi se ditën e nesërme, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama do të çelet Dhoma e Tregtisë në Jeruzalem, diçka që sipas Netanyhut do të çojë përpara lidhjet ekonomike mes dy vendeve.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri izraelit tha se ka një mirëkuptim të përbashkët që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore.
“Njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi mes dy popujve tanë dhe një bazë vëllazërimi mes të dyve ne”, përfundoi Netanyahu.
/e.i/
The post Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.