TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audizive, Armela Krasniqi gjatë prezantimit të raportit vjetor të AMA-s për vitin 2024, tha se qëllimi është rregullimi i mëtejshëm i tregut, audio dhe audioviziv në Shqipëri dhe efektiviteti në rolin mbikqyrës të medieve audiovizive në vend.
Krasniqi tha se gjatë vitit 2024, puna e AMA-s ka qenë e përqendruar në përafrimin më shumë me standardet e një rregullatori si një vend anëtar i BE-së, në favor të garantimit të një tregu me tipare edhe më transparente, më plurale, duke ofruar për ndjekësit produkte të shumëllojshme dhe cilësore.
“Me rreth 500 vendime të marra gjatë drejtimit të këtij institicioni, mbi 60% kanë qenë në dakordësi unanime të shprehura nëpërmjet procesit të lirë të votimit”, tha Krasniqi.
“Ndër këto vendime, përfshihen 9 vendime për çelje gare për përdorim të frekuencave, 123 dhënie licencash/autorizimesh apo rinovim të tyre, 11 monitorime fushatash zgjedhore për zgjedhje lokale, apo të përgjthshme apo të pjesshme ne bashki te ndryshme te vendit. Ndër këto rreth 500 vendime, 24 janë akte të ndryshme nënligjore, 9 heqje autorizimi/licence etj. Në morinë e këtyre vendimeve, asnjë prej tyre nuk është pretenduar qoftë nga shoqëria civile, qoftë nga vetë industria apo nga partitë politike, si i marrë me ndikim politik”, vijoi ajo.
“Përafrimi i mëtejshëm i legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Europian. Në kuadër të zbatimit të detyrimeve periodike të përafrimit të legjislacionit të brendshëm me Acquis e BE-së në fushën e medias audiovizive, dhe detyrimeve të ndërmarra nga AMA në kuadër të Planit Kombëtar për Integrimin Europian 2024-2026, në prill të vitit 2024, Autoriteti miratoi me vendim nr. 40, rregulloren “Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të ndryshimeve në strukturën e pronësisë dhe transparencën e të dhënave të lidhura me pronësinë e OSHMA-ve””, tha Krasniqi.
Sipas Krasniqit, në kuadër të zbatimit të detyrimeve periodike të përafrimit të legjislacionit të brendshëm me Acquis e BE-së në fushën e medias audiovizive dhe detyrimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar për Integrimin Europian 2024-2026, në dhjetor 2024, AMA miratoi një tjetër akt nënligjor, “Për kërkesat e posaçme që ofruesit e Platformave të Shpërndarjes së Videove duhet të përmbushin për krijimin e ofrimin e sistemeve transparente, efektive e miqësore në përdorim”.
“Kjo rregullore trajton në mënyrë të posaçme rregullimin ligjor të Platformave të Shpërndarjes së Videove (PSV). Ajo synon gjithashtu të rregullojë kushtet e përgjithshme të ofrimit të përmbajtjeve audiovizive nga përdoruesit në PSV dhe nuk prek shërbimet mbështetëse të transmetimeve audiovizive, me qëllim kryesor ofrimin e programeve për informim, argëtim ose edukim”, tha ajo.
“Nga ky bashkëpunim, për periudhën gusht-dhjetor 2024, bazuar në raportimet e përdoruesve dhe bashkëpunimin e Platformës, u arrit të hiqeshin 286 video me përmbajtje të papërshtatshme, prej të cilave: 20 për akte dhune, 3 video për gjuhë urrejtje për shkak të orientimit seksual, 2 për urrejtje fetare, 31 për pamje veprash penale, 110 për ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës, 107 video për nxitje dhune dhe urrejtje dhe 13 audio për gjuhë që tejkalon standardet morale dhe etike të shoqërisë”, theksoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-së theksoi se rezulton një fenomen shumë shqetësues, pirateria e produkteve audiovizive shqiptare.
Krasniqi tha se “për periudhën gusht-dhjetor 2024 u bllokuan nga platforma TikTok, 1505 video dhe u mbyllën nga vete platforma 193 profile, të raportuara për pirateri. Për të njëjtën periudhë janë shqyrtuar në total nga ekipet e AMA-s, 743 video për përmbajtje të dëmshme dhe 1513 për pirateri”.
“AMA gjatë vitit 2024 ka shqyrtuar kryesisht 241 raste për përputhjen ligjore të përmbajtjeve të transmetuara, duke u fokusuar në aspekte të tilla si: mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme; gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi; barazia gjinore; shkeljet etike në përgjithësi; reklamat dhe komunikimet tregtare; përdorimi i gjuhës shqipe standarde të shkruar dhe të folur; respektimi i sinjalistikës paralajmëruese në fasha kohore të caktuara; tërësia programore të platformës së RTSH-së, në zbatim të kërkesave të Kontratës së Shërbimit, etj”, tha Krasniqi.
Krasniqi nënvizoi se “gjatë punës për mbikqyrjen dhe rregullimin e tregut audio/audioviziv, pas shkeljeve të konstatuara nga OSHMA-të, gjatë vitit 2024, AMA ka vendosur për 48 masa administrative me gjobë dhe 107 “tërheqje vëmendjeje””.
/e.i/j.p/
The post Krasniqi: Përafrojmë AMA-n me standardet e rregullatorit në vendet e BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.