FOKUS – Nielsen: Greolanda nuk mund të merret ”brenda një nate” siç ndodhi në Venezuelë
NUUK, 5 janar /ATSH-AA/ – Grenlanda nuk ndodhet në një situatë ku mund të ndodhë një “marrje brenda natës”, tha sot kryeministri Jens-Frederik Nielsen, duke refuzuar krahasimet me Venezuelën dhe duke bërë thirrje për komunikim të drejtpërdrejtë në vend të shkëmbimeve nëpërmjet mediave.
“Vendi ynë nuk është i duhuri për t’u krahasuar me Venezuelën. Ne kemi një vend demokratik. Ka qenë i tillë për shumë, shumë vite”, tha Nielsen në një konferencë për shtyp.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve pas deklaratave të fundit amerikane, Nielsen theksoi se nuk ka nevojë për panik.
“Situata nuk është e tillë që Shtetet e Bashkuara të mund të marrin kontrollin e Grenlandës. Nuk është kjo situata. Prandaj nuk duhet të bëjmë panik. Duhet të rikthejmë bashkëpunimin e mirë që kemi pasur”, tha ai.
Nielsen tha se Grenlanda ndodhet në një situatë të veçantë dhe njohu shqetësimin e publikut. “Mund ta kuptoj plotësisht që popullsia i drejtohet qeverisë dhe është e shqetësuar”, shtoi ai.
Ai gjithashtu refuzoi spekulimet mbi skenarë ushtarakë duke thënë: “Së pari, dua të them se nuk e mendoj si të përshtatshme të flitet për operacione ushtarake të mundshme apo potenciale në këtë vend”.
“Dua të përsëris se nuk ndodhemi në një situatë ku mendojmë se mund të ketë një marrje të vendit brenda natës”, shtoi ai.
Kryeministri tha se qeveria do të forcojë tonin e saj nëse diskutimet do të vazhdojnë në formën aktuale, pasi “nuk jemi të kënaqur me situatën ku ndodhemi”.
Duke kritikuar komunikimin indirekt, Nielsen tha se dialogu nuk duhet të zhvillohet nëpërmjet mediave. “Mjaft më me komunikimin që zhvillohet nëpërmjet mediave dhe kanaleve të ndryshme të tërthorta. Kjo nuk është respektuese”, tha ai.
Duke bërë thirrje për unitet, Nielsen bëri apel për bashkim brenda Grenlandës dhe me vendet aleate.
“Duhet të tregojmë se qëndrojmë së bashku në shoqëri. Vendet me të cilat jemi aleatë, duhet gjithashtu të tregojmë unitetin tonë”, tha ai, duke shtuar se qeveria e Grenlandës ka bërë “gjithçka që mund të bëjmë”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për të marrë kontrollin e Grenlandës, një territor me vetëqeverisje brenda Danimarkës, dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.
Një ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë që çoi në kapjen e presidentit Nicolas Maduro, Trump të dielën rifilloi thirrjet për një marrjen e kontrollit të Grenlandës për shkak të interesave të sigurisë të SHBA-së.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë thirrje Trump të “ndalojë kërcënimet”.
Disa vende evropiane, si dhe BE-ja, kanë shprehur mbështetje të fortë për Danimarkën dhe Grenlandën, duke refuzuar çdo sugjerim se e ardhmja e ishullit mund të vendoset nga fuqitë e jashtme dhe duke theksuar respektin për sovranitetin dhe integritetin territorial. /os/
The post FOKUS – Nielsen: Greolanda nuk mund të merret ”brenda një nate” siç ndodhi në Venezuelë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.





