Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryeministri Rama, i cili ndodhet në Jeruzalem, Izrael me rastin e pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, u takua sot me Kryeministrin Benjamin Netanyahu, me të cilin zhvilloi një takim kokë më kokë, që u pasua nga takimi mes dy delegacioneve.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu deklaroi se bota dhe njerëzimi duhet të dijë faktin që Shqipëria, ishte i vetmi vend evropian që gjatë Holokaustit strehoi një popullsi hebreje brenda shoqërisë së saj.

Gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Netanyahu tha se “Kryeministri Rama është një mik i madh i popullit hebre,  mik i madh i shtetit hebre dhe mund të them një mik i madh i imi”.

“Ai përfaqëson shpirtin e vërtetë të Shqipërisë. Ndoshta, njerëzit nuk e dinë, bota duhet ta dijë që Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që gjatë holokaustit pati një popullsi hebreje brenda Shqipërisë që u rrit dhe nuk u mpak. U rrit sepse myslimanët shqiptarë në frymën e moderimit, tolerancës, në frymën e dinjitetit njerëzor mbrojtën qindra hebrenj që jetonin në Shqipëri dhe po kështu mikpritën shumë të tjerë”, tha Netanyahu.

“Ky është shpirti që ju përfaqësoni, kjo është ajo histori, që bota duhet ta njohë. Kjo është histori që frymëzon filma. Njerëzit duhet të njohin rolin e jashtëzakonshëm, rolin moral që Shqipëria luajti gjatë orëve më të errëta të historisë njerëzore”, tha Kryeministri izraelit.

Sipas Netanyhut, kjo është fryma që Shqipëria vazhdon ta ushqejë edhe sot.

“Ju qëndroni me kurajë kundër atyre që duan t’ju zmbrapsin, ju qëndruat krah Izraelit kur u sulmuam nga barbarët. Busulla juaj morale nuk u lëkund dhe kjo është diçka që ne e vlerësojmë thellësisht dhe që ju shënjon si udhëheqës të jashtëzakonshëm të popullit tuaj dhe atyre segmenteve të njerëzimit që duan që e vërteta të mbrohet dhe të mbrohen vlerat morale që bashkëndajmë”, theksoi ai.

Kryeministri izraelit, deklaroi se mes dy vendeve po ndërtohen marrëdhënie të shkëlqyera.

“Numri i turistëve izraelitë që kanë shkuar në Shqipëri është rritur me 800%, ndoshta një mijë përqind dhe së shpejti do të bëhen shumë më tepër. Mund t’ju them gjithë izraelitëve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm me njerëz të mrekullueshëm kështu që shkoni atje. Kemi kompani me investues izraelit, të cilët dinë që ka një mundësi të madhe ekonomike në Shqipëri, ka një orientim drejt tregut të lirë dhe që ka gjëra që mund të zhvillohen së bashku me shqiptarët”, tha Netanyahu.

Kryeministri i Izraelit theksoi se ditën e nesërme, në prani edhe të Kryeministrit Edi Rama do të çelet Dhoma e Tregtisë në Jeruzalem, diçka që sipas Netanyhut do të çojë përpara lidhjet ekonomike mes dy vendeve.

Në fund të fjalës së tij, Kryeministri izraelit tha se ka një mirëkuptim të përbashkët që shkon përtej interesave, por në ndjesën më të thellë të simpatisë njerëzore.

“Njohim që ka një themel afërsie e vëllazërimi mes dy popujve tanë dhe një bazë vëllazërimi mes të dyve ne”, përfundoi Netanyahu.

/e.i/

The post Netanyahu: Shqipëria vend i mrekullueshëm për t’u vizituar, hapim Dhomën e Tregtisë në Jeruzalem appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vengu: Mjeti i parë ajror zjarrfikës brenda vitit, rigjenerojmë flotat nëpër bashki

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu nënvizoi sot, se Mbrojtja Civile ka buxhetin më të lartë të të gjitha viteve, ndërkohë që ka mbështetjen edhe të Forcave të Armatosura dhe mjeteve ajrore zjarrfikëse.

Në një konferencë për shtyp me gazetarët, ku të pranishëm ishin edhe Arben Kingji, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Haki Çako, drejtor i AKMC-së dhe Dorian Tola, drejtor i Agjencisë për Industrinë e Mbrojtjes, Vengu tha se po jetohet në një kohë ku emergjencat janë një realitet i përditshëm, dhe jo sezonal.

“E kemi parë në mbarë rajonin e Mesdheut dhe Shqipëria nuk përbën përjashtim, ndaj kemi edhe një reagim buxhetor domethënës. Kemi buxhetin më të lartë të gjithë këtyre viteve, sikundër edhe Forcën e Armatosur që e mbështet përmes rritjes së kapaciteteve me mjete ajrore zjarrfikëse”, tha Vengu.

“Kemi finalizimin e kontratës dhe synojmë që mjeti i parë të na vijë brenda këtij viti, ndërkohë që formojmë edhe personelin përkatës. Rinovim i flotës kombëtare të Emergjencave Civile, falë industrisë. Kemi fazën e parë përpara fundit të këtij gjashtë mujori dhe në gjashtë mujorin e dytë të këtij viti, fazën e dytë të prodhimit të mjeteve që do të rigjenerojnë të gjitha flotat nëpër bashki dhe në Emergjencat Civile”, tha Vengu.

Sipas ministrit Vengu, do të jenë dy baza të reja rajonale për Mbrojtjen Civile, të cilat ndërtojnë hierarkinë e reagimit.

“Pra, jo vetëm bashkitë dhe Forcat e Armatosura, por do kemi një nivel të ndërmjetëm që do jenë më pranë rrezikut. Do jetë një në Bushat për të mbuluar gjithë pellgun, Shëngjin, Velipojë, nën  Shkodër, Lezhë dhe një bazë në Krane për të mbuluar jugun e vendit që përbën zonë me rrezikshmëri të lartë sa i përket zjarreve”, tha Vengu.

/e.i/j.p/

The post Vengu: Mjeti i parë ajror zjarrfikës brenda vitit, rigjenerojmë flotat nëpër bashki appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sadushi: Besimi i qytetarit tek shteti nis në sallën e gjyqit

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi  u shpreh sot, se drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje dhe e denjë në raport me qytetarin.

Në deklaratën e bërë këtë të hënë, gjatë ceremonisë së hapjes së vitit të ri gjyqësor, Sadushi tha se “drejtësia nuk është vetëm vendimmarrje”.

“Ajo është edhe standard dhe orientim për sistemin dhe shoqërinë. Prandaj, kjo sallë nuk i përket vetëm këtij institucioni. Në thelb ajo u përket qytetarëve, çdo individi që hyn këtu me shpresën se do të dëgjohet dhe do të trajtohet me dinjitet, barazi dhe paanësi”, tha Sadushi.

“Kjo ditë nuk shënon vetëm nisjen e vitit gjyqësor, por themelimin e një tradite institucionale, që i jep drejtësisë një moment të përvitshëm reflektimi dhe përgjegjësie publike. Për këtë arsye, kjo ceremoni ka rëndësi të veçantë. Është një moment kur sistemi i drejtësisë shpreh me maturi dhe vetëdije publike rolin e tij, në shërbim të qytetarit dhe të shtetit të së drejtës, jo me retorikë, por me standard dhe përgjegjësi”, vijoi ai.

Kreu i Gjykatës së Lartë, theksoi se “drejtësia duhet të jetë e pavarur në vendimmarrje, e përgjegjshme në standarde dhe e denjë në raport me qytetarin”.

“Këto nuk janë fjalë për t’u thënë një herë në vit, por janë parime që duhen respektuar çdo ditë, në mënyrën se si e ushtrojmë drejtësinë. Ato janë busulla, me të cilën qytetarët matin drejtësinë dhe njëkohësisht drejtësia duhet ta masë veten. Prania sot këtu e Presidentit të Republikës, drejtuesve të institucioneve kushtetuese, ambasadorëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, si edhe e gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve, përçon një mesazh të rëndësishëm se drejtësia nuk është çështje e një institucioni të vetëm apo e një pushteti të vetëm. Ajo është një shtyllë e shtetit të së drejtës dhe përgjegjësinë për të duhet ta mbajmë të gjithë”, tha Sadushi.

“Në një shtet demokratik, ndarja dhe balanca e pushteteve nuk është thjesht parim abstrakt, por një mekanizëm sigurie për liritë dhe të drejtat, ku drejtësia ka një rol të pazëvendësueshëm, që të garantojë paanësinë dhe mbrojtjen efektive të të drejtave. Vlera e këtij mekanizmi kuptohet më qartë pikërisht në përvojën e përditshme të qytetarit me drejtësinë”, cilësoi ai.

“Besimi i qytetarit tek shteti, rrallë nis me deklarata. Zakonisht nis në sallën e gjyqit, kur një person sjell një konflikt dhe pret të dëgjohet me paanësi, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Në këtë kuptim, gjykatat jo vetëm zbatojnë ligjin, por tregojnë nëse të drejtat mbrohen, nëse abuzimet korrigjohen dhe nëse ligjshmëria është më shumë se një aspiratë. Për shumicën e qytetarëve, drejtësia është kontakti më i drejtpërdrejtë me shtetin. Aty besimi forcohet ose dobësohet. Kjo varet, mbi të gjitha, nga profesionalizmi, etika dhe standardi i punës së përditshme në drejtësi”, shtoi Sadushi.

Ai theksoi se “kur flasim për pavarësinë, duhet ta kuptojmë drejt se ajo nuk është privilegj, por garancia që qytetari të ketë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë, i mbrojtur nga presionet dhe ndikimet”.

“Pavarësia kërkon integritet, kurajo, profesionalizëm dhe etikë, që e bëjnë gjyqtarin të lirë në vendimmarrje dhe të fortë në arsyetim. Megjithatë, pavarësia kërkon edhe kapacitet institucional. Drejtësia duhet të jetë e arritshme për qytetarin, brenda një kohe të arsyeshme dhe me dinjitet. Kur sistemi mbingarkohet dhe qytetari nuk arrin dot në kohë te drejtësia, pavarësia zbehet në efektin e saj më thelbësor, mbrojtjen reale të të drejtave”, tha Sadushi.

Kreu i Gjykatës së Lartë, shtoi se nëse pavarësia është kushti që drejtësia të jetë e paanshme, përgjegjësia është kushti që ajo të jetë e besueshme.

“Pavarësia pa përgjegjësi rrezikon të perceptohet nga qytetari si distancë nga nevojat e tij ose si mungesë llogaridhënieje. Përgjegjësia nuk është ndërhyrje në vendimmarrje. Ajo është cilësi e vendimmarrjes, seriozitet në punë, respekt në sallën e gjykimit, disiplinë profesionale dhe kujdes për kohën e arsyeshme. Mbi të gjitha, përgjegjësia kërkon arsyetim të qartë, sepse arsyetimi është ura më e forte, që lidh gjykatën me qytetarin. Qytetari mund të mos pajtohet me vendimin, por nuk duhet të mbetet pa e kuptuar atë”, tha ai, ndërsa shtoi se mbështetja ndaj gjyqësorit është detyrim kushtetues, jo zgjedhje, as trajtim i privilegjuar.

“Në këtë kuadër, Gjykata e Lartë ka një rol të veçantë që të kontribuojë në koherencën dhe parashikueshmërinë e interpretimit të ligjit dhe të shërbejë si model i standardit të arsyetimit. Nëse ky rol ushtrohet me qëndrueshmëri, besimi i publikut forcohet gradualisht dhe siguria juridike bëhet më e prekshme”, tha Sadushi.

/e.i/j.p/

The post Sadushi: Besimi i qytetarit tek shteti nis në sallën e gjyqit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Binaj: Rritje larg pritshmërive e fondit të pagave nga vetëdeklarimet, vijojmë formalizimin në sektorin e ndërtimit

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj deklaroi sot, se krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, ka një rritje të moderuar të fondit të pagave me rreth 9%.

Deklarata e Binajt erdhi gjatë konferencës për shtyp me gazetarët, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Financave, Petrit Malaj.

Binaj tha se” lufta ndaj informalitetit në funksion të rritjes së pensioneve mbetet një nga prioritetet kryesore të Administratës Tatimore edhe gjatë vitit 2026, së bashku me disa prioritete të tjera që janë zbatimi i Paketës Fiskale, Paqja Fiskale, rimbursimi i DIVA-s për individët, rimbursimi i TVSH-së për fermerët dhe harmonizimi i legjislacionit me BE-në në lidhje me kapitullin 16, Tatimet”.

“Aksioni ndaj informalitetit në ndërtim filloi me disa takime informuese me Dhomat e Tregtisë gjatë muajve nëntor, dhjetor 2025. Më tej, Tatimet publikuan pagat indikative në sektorin e ndërtimit që afektonin rreth 120 mijë punonjës dhe ftoi rreth 14 mijë biznese të përfshira në këtë sektor që të reflektonin pagat reale deri në 15 janar 2026”, tha ai.

“Nga vetëdeklarimet e bëra për pagat në 20 janar 2026 rezultoi një rritje e moderuar e fondit të pagave prej 9% krahasuar me shtatorin 2025. Kjo është larg pritshmërive tona, prandaj aksioni për formalizimin e pagave në sektorin e ndërtimit do të vazhdojë”, tha Binaj.

Binaj theksoi se faza e parë sapo ka filluar dhe ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave të shitjes në agjencitë imobiliare, por edhe formalizmin e tyre.

“Nga aksioni i strukturave të hetimit dhe kontrolli në terren u morën databazat reale të shitjes nga agjencitë kryesore imobiliare, të cilat do të përdoren për të rivlerësuar të gjithë ato ndërtues që nuk deklarojnë pagat reale të punonjësve. Faza e dytë do të fokusohet te nënkontraktorët, të cilët nuk kanë reflektuar në lidhje me pagat dhe ndaj tyre do të bëhen rivlerësime reale të shitjes. Do të investigohen paratë e dyshimta dhe do të raportohen te Drejtoria e Pastrimit të Parave për veprime të mëtejshme”, tha Binaj, ndërsa theksoi se faza e tretë do të fokusohet te ndërtuesit.

Sipas tij, drejtoria e riskut do të identifikojë ata ndërtues që nuk kanë reflektuar në dy fazat e para dhe do kontrollohen duke përdorur informacionet e marra.

Binaj shtoi se “informimi i bizneseve do të jetë intensiv për t’i edukuar ata drejt vetëkorrigjimit”.

“Qëllimi i Administratës Tatimore është edukimi i bizneseve drejt formalizimit të pagave, jo penalizimi i tyre. Aksioni është planifikuar të përfundojë në 23 maj 2026. Përveç ndërtimit në fokus do të jetë edhe turizmi dhe siguria ushqimore për të cilat po përgatiten plane operacionale specifike”, tha ai.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, informoi se risi për vitin 2026 do të jetë trajtimi i infomacioneve që vijnë nga palët e treta në kuadër të shkëmbimit të informacionit për të dhënat bankare në 80 vende të botës.

“Të dhënat bankare të shtetasve shqiptarë në vendet e huaja do të kontrollohen për burimin e të ardhurave nga strukturat tona të specializuara. Ne do të përdorim të gjithë fuqinë që na jep ligji për të dekurajuar evazionin me kontributet për pensionet”, tha ai.

“Aksioni kundër informalitetit në ndërtim ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme, kërkohet angazhimi i bizneseve, qytetarë që mund të na japin informacion të vlefshëm duke denoncuar fenomenin e mosdeklarimit të pagave në kanalet zyrtare të Tatimeve”, përfundoi Binaj.

/e.i/j.p/

The post Binaj: Rritje larg pritshmërive e fondit të pagave nga vetëdeklarimet, vijojmë formalizimin në sektorin e ndërtimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra Multifunksionale në Cërrik, model i integrimit të shërbimeve sociale


TIRANË, 26 janar/ATSH/ Qendra Multifunksionale në Cërrik përfaqëson një model bashkëkohor të integrimit të shërbimeve sociale, duke u kthyer në një pikë referimi për mbështetjen e komunitetit lokal.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala gjatë vizitës në këtë qendër theksoi se përmes mekanizmit të Fondit Social do të financohen shërbimet lëvizëse për qytetarët në nevojë, në njësitë administrative Cërrik, Gostimë, Mollas, Shalës dhe Klos.

Qendra Multifunksionale në Cërrik, krahas mbështetjes në ambientet e qendrës, ofron edhe shërbime lëvizëse, për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonës.

Gjithashtu, qendra ka zgjeruar veprimtarinë edhe përmes shërbimeve lëvizëse, duke iu afruar drejtpërdrejt banorëve që kanë më shumë nevojë për ndihmë.

Kjo qendër, ofron jo vetëm asistencë konkrete, por kontribuon edhe në fuqizimin social, informimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve. Ajo shërben si një hapësirë bashkëpunimi dhe solidariteti, ku mbështetja nuk mbetet brenda institucionit, por shtrihet në çdo cep të zonës.

/e.i/j.p/

The post Qendra Multifunksionale në Cërrik, model i integrimit të shërbimeve sociale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Maja e Hekurave në Tropojë, e bukur dhe sfiduese

TIRANË, 26 janar/ATSH/ E vendosur në zemër të Alpeve Shqiptare, Maja e Hekurave në Tropojë është një nga destinacionet më mbresëlënëse për dashamirësit e turizmit malor dhe ata të aventurës, por edhe nga më sfidueset.

E mbuluar nga dëbora këtë janar, Maja e Hekurave ka një pamje spektakolare, duke ofruar një përvojë unike për alpinistët, por edhe për adhuruesit e maleve që shohin pamjet e përcjella prej tyre.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga Maja e Hekurave ku kanë kapur majën një grup alpinistësh e ku njeriu nuk mund të mos mendojë se si ia kanë dalë deri atje lart.

Flamuri shqiptar nuk mund të mungonte as në Majën e Hekurave si për çdo arritje tjetër ku simboli kombëtar tregon krenarinë.

Maja e Hekurave ndodhet në Alpet Shqiptare në rrethin e Tropojës, me lartësi 2561 metra dhe shtrihet në lartësitë e luginës së Valbonës.

Cirqet e shumta akullnajore, që shtrihen gati në të gjitha anët i kanë dhënë majës një formë të mprehtë piramidale.

Zona përreth ruan ende natyrën e paprekur, biodiversitetin e pasur dhe traditat karakteristike të Tropojës. Vizitorët kanë mundësi të kombinojnë aventurën alpine me ecje në shtigje malore, eksplorim të faunës e florës dhe njohje me kulturën dhe traditën shqiptare.

/e.i/j.p/

The post Maja e Hekurave në Tropojë, e bukur dhe sfiduese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla, takim me anëtarin e Këshillit Koordinues të Diasporës

TIRANË, 24 janar/ATSh/ Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik për Diasporën, Taulant Balla, priti në mjediset e Kuvendit Besmir Rrjollin, anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe një zë aktiv i komunitetit shqiptar në Milano.

Gjatë takimit u diskutua mbi përgatitjet për Samitin e Diasporës, që do të mbahet më 14–15 prill, si dhe mbi nevojën për forcimin e marrëdhënieve me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Në fokus të bisedës ishin çështjet që lidhen me ruajtjen dhe mësimin e gjuhës shqipe, promovimin e kulturës kombëtare dhe rritjen e përfshirjes së diasporës në zhvillimin e Shqipërisë.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimit institucional për të thelluar dialogun me diasporën dhe për të forcuar bashkëpunimin me komunitetet shqiptare jashtë kufijve të vendit.

/e.i/j.p/

The post Balla, takim me anëtarin e Këshillit Koordinues të Diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambasada e ShBA në Tiranë këshillon qytetarët amerikanë: Shmangni protestën e pasdites

TIRANË, 24 janar/ATSh/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një mesazhi këshilloi qytetarët amerikanë lidhurr me protestën e thirrur nga opozita, që mbahet sot pasdite para Kryeministrisë.

Në njoftimin e ambasadës njoftohen qytetarët amerikanë se protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej”.

Ambasada e ShBA-ve në Tiranë thekson se pritet të ketë prani të shtuar të policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut. Gjithashtu, Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës.

Sipas njoftimit, personeli i ambasadës së ShBA-së është këshilluar të shmangë protestën.

“Ndiqni mediet lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt”, nënvizohet në njoftim.

Ambasada e ShBA-ve, në mesazhin zyrtar udhëzon shtetasit amerikanë në Tiranë që të shmangin zonat e protestave.

Ambasada bën thirrje për vigjilencë dhe dhënie përparësie ndaj sigurisë së gjithsecilit.

Njëherësh, ambasada e ShBA-ve këshillon shtetasit amerikanë që të shmangin këtë ngjarje, të jenë të vetëdijshëm për rrethanat e tyre, të kufizojnë shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në ambiente publike, të ndjekin mediat lokale, të kenë një plan emergjence ose strategji daljeje, si dhe të mbajnë një profil të ulët.

/e.i/j.p/

The post Ambasada e ShBA në Tiranë këshillon qytetarët amerikanë: Shmangni protestën e pasdites appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Homazhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit në Vlorë

TIRANË, 24 janar/ATSh/ Në përkujtim të 107-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, sot u zhvilluan në Vlorë, homazhe në varrin e tij monumental.

Për të nderuar kujtimin dhe veprën e Ismail Qemalit, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu, deputeti Ardit Bido, prefektja e qarkut Evis Allushi, kryetarja e Bashkisë Bruna Mersini dhe personalitete të tjera morën pjesë në këtë ceremoni përkujtimore.

Ministri i Mbrojtjes, Vengu u shpreh se duke përkujtuar veprën këmbëngulëse të Ismail Qemalit, ripërtërijmë paktin shekullor të Vlorës për pavarësinë, dinjitetin dhe përgjegjësinë tonë për ta çuar Shqipërinë përpara.

Ismail bej Vlora, ishte arkitekti i shtetit shqiptar, me një vizion shtetformues dhe guxim politik, ai i dha Shqipërisë pavarësinë dhe hodhi themelet e para të shtetit shqiptar.

Ismail Qemali ishte pasardhës i njërës prej familjeve më të mëdha të Shqipërisë së Jugut. Lindi në Vlorë, në vitin 1844, biri i Mahmut Nedim beut.

Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhia. Ismail Qemali është varrosur dy herë. Herën e parë në shkurt të vitit 1919 në Kaninë, vendin e lindjes dhe të paraardhësve të tij, dhe herën e dytë më 28 Nëntor në Vlorë, viti 1932.

/e.i/j.p/

The post Homazhe pranë varrit monumental të Ismail Qemalit në Vlorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme

TIRANË, 24 janar/ATSh/ Ambasada Gjermane në Tiranë do të vijojë mbështetjen financiare për bizneset e vogla në Shqipëri si mbështetje në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Ambasada Gjermane njoftoi sot se se prej më shumë se 10 vjetësh vazhdon mbështetja për zhvillimin dhe rritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri.

Sipas ambasadës, një pjesë shumë e rëndësishme është mbështetja përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW për Fondacionin Shqiptar të Garancive për Zhvillim (ADGF) me më shumë se 40 milion €, i cili gjatë dekadës së parë të ekzistencës së tij ka siguruar mbi 33,000 kredi për sipërmarrësit.

Ambasada gjermane thekson se kjo ka mundësuar “injeksione financiare” për bizneset, të cilat ndoshta nuk do të ishin realizuar duke nxitur kështu inovacion, rritje, përmirësim të konkurrencës dhe veçanërisht një transformim në zonat rurale dhe një përkushtim më të madh ndaj mbrojtjes së mjedisit.

“Jemi të lumtur që BE, si bashkëthemeluese e ADGF, do të angazhohet edhe më shumë në të ardhmen, duke u mundësuar edhe shumë biznese të tjera të përfitojnë garanci kredie”, thuhet në postimin e ambasadës gjermane në rrjetet sociale.

Sipas njoftimit, mbështetja shkon në përgatitjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme për kërkesat e tregut të brendshëm të BE-së.

/e.i/j.p/

The post Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim në mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sala: Gati protokollet e reja të onkologjisë, rritje e kapaciteteve në 7 spitale rajonale

TIRANË, 24 janar/ATSh/  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, gjatë vizitës në Spitalin Rajonal  të Elbasanit bëri me dije se ka nisur puna për rritjen e kapaciteteve të shërbimit të kimioterapisë në 7 rajone të vendit, bazuar në modelin e ndërtuar në fundmi në Shërbimin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Në bisedë me stafin e këtij shërbimi në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ministrja Sala tha se është bërë vlerësimi i nevojave për infrastrukturë, menaxhim dhe staf mjekësor në 7 punktet respektive në 7 rajone, ndërsa njoftoi fillimin e bashkëpunimit me Institutin prestigjoz të Tumoreve në Milano.

“Në bashkëpunim me këtë institut kemi përfunduar  protokollet e së shpejti do ua dërgojmë ato”, nënvizoi ministrja Sala.

Në funksion të modernizimit të pajisjeve në Shërbimin Onkologjik në Shqipëri, ditën e hënë ajo do të udhëtojë drejt Vjenës, ku në axhendë është parashikuar edhe takimi në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), për të vijuar më pas me takimin  zyrtar me drejtues të Institutit të Tumoreve të Milanos për bashkëpunimin e mëtejshëm në fushën e onkologjisë.

Spitali Rajonal i Elbasanit, ka kryer 600 procedura kimioterapie gjatë vitit 2025, ndërsa do të nisë puna për projektin e rehabilitimit të Shërbimit të Patologjisë, ku do të përfshihet edhe kimioterapia, që sipas drejtoreshës, Zheni Gjergji do t’u vijë në ndihmë banorëve të 7 bashkive të qarkut e do të lehtësoje fluksin në QSUNT.

Gjatë vizitës në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ministrja Sala inspektoi punimet për ndërtimin e dy godinave të reja të Spitalit Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan, çka do të rrisë kapacitetet për t’iu përgjigjur nevojave në të gjithë rajonin.

Nga vizita e ministres Sala në Spitalin Rajonal të Elbasanit
1 nga 14

/e.i/j.p/

The post Sala: Gati protokollet e reja të onkologjisë, rritje e kapaciteteve në 7 spitale rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndeshja Tirana–Flamurtari shtyhet, Duka mesazh familjes së futbollistit Alvarez

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar shtyrjen e ndeshjes Tirana –Flamurtari, pas ngjarjes tragjike që preku lojtarin e KF Tiranës, Freddy Alvarez.

FSHF në një njoftim i shpreh ngushëllimet më të sinqerta lojtari të KF Tiranës, Freddy Alvarez, dhe familjes së tij, pas ndarjes tragjike nga jeta të vajzës së tij.

Në shenjë respekti dhe solidariteti në këtë moment të rëndë, si dhe në dakordësi me KF Tiranën dhe KF Flamurtarin, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ndeshja Tirana–Flamurtari, e programuar të zhvillohej sot në orën 13:30 në stadiumin “Selman Stërmasi”, është shtyrë.

Takimi do të luhet nesër, në të njëjtën orë, 13:30, në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Federata Shqiptare e Futbollit qëndron pranë Freddy Alvarez, familjes së tij dhe KF Tiranës në këtë moment zie.

Ndjërkaq, Presidenti i FShF-së, Armand Duka përcolli mesazh ngushjëllimi duke u shprehur se lajmi tragjik i ndarjes nga jeta të vajzës së vogël të futbollistit të KF Tirana, Freddy Alvarez e ka tronditur pa masë.

“Në këto momente të vështira, fjalët janë të pakta për të lehtësuar dhimbjen e një prindi dhe të një familjeje.Në emrin tim dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Freddy Alvarez-it, familjes së tij dhe klubit të Tiranës. Jemi pranë jush në këtë humbje të pazëvendësueshme. U prehtë në paqe engjëlli i vogël”, tha Duka.

/e.i/j.p/

The post Ndeshja Tirana–Flamurtari shtyhet, Duka mesazh familjes së futbollistit Alvarez appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzikë shqiptare nga Orkestra e Forcave të Armatosura në Paris

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Natyra, kulinaria e pasur, destinacionet turistike dhe kultura shqiptare ishin në qendër të dokumentarit “Destination Francophonie, Albanie”.

Premiera e këtij dokumentari u shfaq në Paris, ku të pranishëm ishin personalitete të kulturës frankofone, ndërsa banda e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura (OSFA) performoi muzikë shqiptare për të pranishmit.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu ndau pamje nga aktiviteti, ndërsa tha se ky dokumentar kushtuar Shqipërisë do të transmetohet në kanalin TV5.

Dokumentari “Destination Francophonie – Albanie” është një program i dedikuar kulturës shqiptare, ku njëherësh theksohet roli dhe prania e gjuhës frënge në vend. Dokumentari sjell një pasqyrë të kulturës, historisë, natyrës dhe traditave shqiptare përmes optikës së këtij emisioni  kulturor.

Në fund të premierës, të pranishmit shprehën vlerësimet e tyre për Shqipërinë, duke e cilësuar një vend me destinacione të jashtëzakonshme, kulturë frankofone të gjerë, peizazhe të mrekullueshme dhe me njerëz të buzëqeshur.

/e.i/j.p/

The post Muzikë shqiptare nga Orkestra e Forcave të Armatosura në Paris appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shtatë profesioniste të reja i bashkohen ekipit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”

TIRANË, 24 janar/ATSH/ Ekipit të mjekëve në Spitalin Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” i janë bashkuar shtatë profesioniste të reja, duke forcuar më tej shërbimet shëndetësore për qytetarët.

Angazhimi i mjekëve të rinj në spitalet publike dhe ato rajonale në vend është një mundësi profesionale, duke u dhënë atyre eksperiencë praktike dhe kontakt të drejtpërdrejtë me problematikat e pacientëve.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot portretet e profesionisteve të reja duke vënë në dukje se ato i janë bashkuar Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” në kryeqytet, për të shërbyer me përkushtim.

Tashmë studentët për katër vite gjatë formimit të tyre marrin 80% të pagës së mjekut specialist dhe 100% ata të cilët kryejnë specializimin në degët prioritare “mjekësi familje” dhe “mjekësi urgjence”.

Me rihapjen në vitin 2015 të programit të specializimeve afatgjata në mjekësi, po zbatohet një model i qëndrueshëm për shpërndarjen e mjekëve në të gjithë vendin, duke forcuar shërbimet shëndetësore edhe në spitalet rajonale e bashkiake.

/e.i/j.p./

The post Shtatë profesioniste të reja i bashkohen ekipit të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Seferi: Programe të detyrueshme rehabilitimi për dhunuesit në familje

TIRANË, 23 janar/ATSh/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Deneda Seferi u shpreh sot se programet e rehabilitimit për dhunën në familje nuk përfshijnë rehabilitimin vetëm të viktimave, por edhe dhunuesit e tyre.

Seferi e bëri këtë deklaratë ditën e sotme, në punimet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku u shqyrtua projektligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Seferi tha se ndryshimet e reja në ligjin për dhunën në familje parashikojnë për herë të parë programe rehabilitimi edhe për dhunuesit.

“Programet e rehabilitimit nuk përfshijnë vetëm viktimat, por edhe dhunuesit, me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës dhe ndryshimin e sjelljeve, dhe modeleve të ndryshme të sjelljes. Një risi e rëndësishme është lidhja e këtyre programeve me vendime gjyqësore, duke parashikuar, pasojë ligjore në rast të mospjesëmarrjes së dhunuesit në programet e urdhëruara. Sa i përket programit të rehabilitimit të dhunuesit, do të jetë e detyrueshme pjesëmarrja në këto programe”, tha ajo.

Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në këto programe do të përfshihen edhe dhunuesit që kanë varësi nga alkooli apo droga.

Gjithashtu, Etleva Sheshi, përfaqësuese e MShMS-së theksoi se përgjegjësi do të kenë si institucionet qendrore, ashtu edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore.

“Ministria e Mirëqenies Sociale, por njëkohësisht dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, janë të përcaktuara që duhet të marrin masa për të ngritur dhe për të ofruar shërbime dhunuesve që janë përdorues të alkoolit ose të drogërave, ose për dhunues të tjerë, nëpërmjet programeve të ndryshme të  rehabilitimit të cilat janë të vendosura që nga vendimi i gjykatës kur trajtohen një rast dhune”, tha Sheshi, drejtore e Barazisë Gjinore në Ministrin e Shëndetësisë.

Në ndryshimet e parashikuara në këtë ligj, thuhet se do të ketë monitorim të agresorëve me GPS, në mënyrë që të shmanget shkelja e urdhrit të mbrojtjes, teksa do të ketë edhe gjoba deri në 500 mijë lekë për shpërndarjen e fotove intime online dhe ndëshkime të rënda për punëdhënësit që tolerojnë ngacmimet në zyrë.

/e.i/j.p/

The post Seferi: Programe të detyrueshme rehabilitimi për dhunuesit në familje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FIFA hap akreditimet për mediet për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub

TIRANË, 23 janar/ATSH/ FIFA ka njoftuar zyrtarisht se procesi i akreditimit të mediave për FIFA World Cup 2026 do të menaxhohet ekskluzivisht përmes platformës online FIFA Media Hub.

Në njoftim thuhet se interesi i medieve pritet të jetë shumë i lartë, duke tejkaluar ndjeshëm numrin e akreditimeve të disponueshme. Për këtë arsye, procesi do të jetë transparent dhe i drejtë për përzgjedhjen.

Sipas FSHF-së, aplikimet për akreditim filluan në fillim të janarit 2026, ndërsa afati i fundit për aplikim është 28 shkurt 2026. Nga fundi i shkurtit, FIFA do të nisë konfirmimet e akreditimeve dhe informacionet shtesë për mediet e përzgjedhura. Gazetarët dhe fotografët që duan të aplikojnë duhet të kenë një llogari të miratuar në FIFA Media Hub dhe një kod unik kontrolli të lëshuar nga federata kombëtare përkatëse, ndërkohë që pajisja me kod nuk garanton miratimin e akreditimit, pasi FIFA rezervon të drejtën e verifikimit dhe refuzimit të aplikimeve.

FSHF bën me dije se çdo federatë anëtare do të ketë një kuotë të caktuar akreditimesh, e cila bazohet në pjesëmarrjen në edicionet e mëparshme të Kupës së Botës dhe në statusin e kualifikimit të ekipit kombëtar për këtë edicion. Federatat inkurajohen të bashkëpunojnë me shoqatat kombëtare të gazetarëve për një shpërndarje të drejtë të kuotave. Kategoritë e mediave që mund të aplikojnë përfshijnë shtypin e shkruar (print dhe digital), fotografët, agjencitë ndërkombëtare të lajmeve dhe fotografisë, gazetarët freelance, mediat radio-televizive pa të drejta transmetimi dhe partnerët mediatikë të FIFA-s.

Procesi i aplikimit për bileta për ndeshjet e fazës së grupeve do të nisë pas hapjes së akreditimeve dhe do të kryhet vetëm përmes FIFA Media Hub. Çdo përfaqësues i akredituar mund të aplikojë për maksimum një ndeshje në ditë, në varësi të disponueshmërisë. Pas konfirmimit të akreditimit, FIFA do të ofrojë udhëzime të detajuara për procedurat e vizave, ndërsa federatat inkurajohen të shpërndajnë kuotat sa më herët për të mundësuar organizimin e udhëtimit. Për menaxhimin e kuotave, çdo federatë duhet të caktojë zyrtarisht personat përgjegjës dhe t’i njoftojë FIFA-n, ndërkohë që llogaritë e përdorura janë individuale dhe nuk lejohet ndarja e aksesit.

/e.i/j.p/

The post FIFA hap akreditimet për mediet për Kupën e Botës 2026 përmes FIFA Media Hub appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha me të rinjtë e PD-së: Keni shansin të riktheni shpresën e shqiptarëve

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se tarifat e larta të shkollave në arsimin publik në vend, nuk i lejojnë 49% të familjeve që të shkollojnë më shumë se një fëmijë.

Deklarata e Berishës erdhi gjatë “Foltores” që ai zhvilloi pasditen e sotme në selinë e PD-së me të rinjtë e forumit rinor të kësaj partie.

Duke iu drejtuar të rinjve, Berisha tha se ata paguajnë 4-5 herë më shumë se studenti gjerman për universitetin.

“Pse ishte krejt e kundërta para vitit 2013? Kishim një politikë ne, që të rinjtë duhet të shkollohen. E gjetëm vendin me 12 studentë për 1 mijë banorë, arritëm në 52 studentë për 1 mijë banorë”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u tha të rinjve se ata kanë në dorë shansin e madh për të rikthyer edhe një herë shpresën e shqiptarëve ndërsa u ndal edhe tek problematikat e strehimit.

“Tirana në strehim është një nga tre qytetet më të shtrenjta në Evropë”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së në bashkëbisedimin me të rinjtë u ndal edhe tek situata politike, duke e cilësuar luftën kundër diktaturave betejë të komplikuar.

“Por do fitojmë. Në këtë kuadër, në këtë kontekst, unë u bëj thirrje ju të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve”, tha Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se Gjenerata Z po rezulton sot në botë antidoti më i madh i diktaturave.

“E përmbysi në Bangladesh e në Nepal regjimin, e përmbysi në Sri Lanka, po i dridh themelet autokratit të Beogradit Vuçiç. Sot, Shqipëria ka një opozitë që qëndron e vendosur në idealet e saj gjer në përmbysjen e kësaj diktature”, cilësoi Berisha.

Ndërkaq, kreu i PD-së e cilësoi të turpshme seancën e djeshme në Gjykatën Kushtetuese ku u mor në shqyrtim kërkesa kundër vendimit të pezullimit të zv.kryeministres Balluku nga GJKKO.

 

Sali Berisha, kreu i PD gjatë Foltores me të rinjtë e FRPD
1 nga 3

/e.i/j.p/

The post Berisha me të rinjtë e PD-së: Keni shansin të riktheni shpresën e shqiptarëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përmirësimi i kuadrit ligjor, Ministria e Drejtësisë memorandum mirëkuptimi me PNUD

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari zhvilloi sot një takim me përfaqësuesen e përhershme të UNDP Albania, Randi Davis.

Lamallari informoi se gjatë takimit u nënshkrua Memorandum Mirëkuptimi për të ripërtërirë partneritetin në përmirësimin e kuadrit ligjor, investimin te profesionistët e fushës së drejtësisë dhe rrjetëzimin e shërbimofruesve, për të rritur ndërgjegjësimin dhe ndikimin real të shërbimeve juridike falas tek ata që kanë më shumë nevojë.

Sipas Lamallarit, ky bashkëpunim është plotësisht në linjë me prioritetet e integrimit evropian, detyrimet ndërkombëtare dhe standardet e të drejtave të njeriut.

“E çmoj të gjithë partneritetin që kemi pasur me UNDP, veçanërisht në fushën e ndihmës ligjore falas dhe besoj se ky memorandum e çon angazhimin në një nivel më të lartë. Mirënjohje gjithashtu ndaj Agjencisë Austriake për Zhvillim për financimin e projektit”, tha Lamallari.

/e.i/j.p/

The post Përmirësimi i kuadrit ligjor, Ministria e Drejtësisë memorandum mirëkuptimi me PNUD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Samiti i Diasporës, moment historik për bashkimin e shqiptarëve kudo në botë

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe njëherësh drejtues politik për Diasporën, Taulant Balla, përshëndeti thirrjen për organizimin e samitit të IV të Diasporës Shqiptare, të cilin e cilësoi si një mundësi reale për të ndarë përvoja dhe ide me bashkatdhetarët shqiptarë në botë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thekson se Shqipëria ndodhet sot në nivelin më të lartë të përfaqësimit dhe dinjitetit të saj në arenën ndërkombëtare në 113 vite shtet, duke u shndërruar në një model stabiliteti dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria sot është anëtare e Bordit të Paqes, vend pritës i Samitit të NATO-s dhe në rrugë të sigurt drejt përmbylljes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda vitit 2027. Kjo është një arritje që i përket të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen”, shprehet Balla.

Ai nënvizon se diaspora shqiptare ka një rol kyç në këto momente historike për vendin, duke e cilësuar Samitin IV si një hapësirë dialogu, bashkëpunimi dhe vizioni mes shqiptarëve në mbarë botën dhe institucioneve në Shqipëri.

“Sipas Ballës, Samiti i Diasporës është një mundësi reale për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe shtetit shqiptar, në funksion të Shqipërisë evropiane dhe të së ardhmes së përbashkët,” thuhet në reagim.

Samiti IV i Diasporës Shqiptare, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama, pritet të mbledhë përfaqësues të komuniteteve shqiptare nga vende të ndryshme të botës, si dhe aktorë institucionalë, ekonomikë dhe shoqërorë nga Shqipëria.

/e.i/j.p/

The post Balla: Samiti i Diasporës, moment historik për bashkimin e shqiptarëve kudo në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët mbushin kinemanë “Republika” në Shkodër, pas rikonstruksionit

TIRANË, 23 janar/ATSH/ Kinema “Republika”, një nga simbolet e Shkodrës po sjell pranë publikut artdashës premiera të prodhimeve më të fundit, duke u kthyer në pol të kulturës në qytet.

Pas rikonstruksionit tërësor të godinës dhe ambienteve të brendshme, kinema “Republika” hapi dyert për qytetarët me premierën e filmit “Avatar: Fire and ASH”, 26 dhjetorin e vitit të kaluar.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale pamje nga qytetarët e shumtë që kanë mbushur sallën e kinemasë “Republika” në Shkodër, tashmë e rilindur.

Për artdashësit, në kinema “Republika” po jepet filmi “Falli 2”, me producent Marjus Dervishin. Në të, interpretojnë disa aktorë të njohur si Behar Merja, Marjana Kondi, Margent Çaushi, Klejdis Shehu, Selma Bakalli dhe Xhoana Karaj.

Publiku ka pasur mundësinë të takohet nga afër me kastin e këtij filmi që shfaqet për herë të parë në kinema “Republika”.

Ndërkohë, investimi në kinema “Republika” ka prekur çdo aspekt të kësaj godine. Ndërhyrja ka përfshirë fasadën e jashtme, duke i dhënë një pamje dinjitoze, si dhe ambientet e brendshme, të cilat janë kompletuar me infrastrukturë, arredim dhe teknologji të kohës për të garantuar cilësinë maksimale të projeksioneve.

Ky transformim e vendos kinema “Republikën” në piedestalin e hapësirave kulturore të qytetit të Shkodrës.

/e.i/j.p/

The post Qytetarët mbushin kinemanë “Republika” në Shkodër, pas rikonstruksionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌