Reading view

30 vjet më pas/ Paqja e pamundur mes muslimanëve dhe serbëve në Srebrenicë

“Mirë se vini në Las Vegas-in e Bosnjës, ne tërheqim të paktën po aq vëmendje sa qyteti amerikan”. Të mërkurën më 9 korrik, kryetari i komunës së Srebrenicës, Milos Vuçiç, përdor një formë të çuditshme humori, dy ditë para ditës përkujtimore të 11 korrikut, që do të shënojnë tridhjetëvjetorin e gjenocidit që ndodhi më 1995 në qytetin e tij.

Ky serb i Bosnjës, njëherazi edhe kushër i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk do të marrë pjesë në ceremonitë e planifikuara për të nderuar më shumë se 8 000 boshnjakë myslimanë të vrarë brenda pak ditëve nga forcat e gjeneralit serb Ratko Mlladiç, në atë që konsiderohet si masakra më e rëndë e civilëve e kryer në Europë që prej përfundimir të Luftës së Dytë Botëror

 “Nuk jam ftuar dhe nuk shoh arsye pse duhet të shkoj, ndërkohë që zëvendësi im [një boshnjak] nuk vjen këtu tek ne,” shpjegon ky zyrtar 37-vjeçar gjatë një kundër-ceremonie të vogël që organizon në një lagje me shumicë serbe. E dekoruar me flamuj dhe e shoqëruar me himnin kombëtar po serb, ceremonia i kushtohet vetëm viktimave serbe të kësaj lufte, që në total mori rreth 100 000 jetë njerëzish midis viteve 1992 dhe 199

 “Serbët janë vrarë në mënyra shumë më të tmerrshme se boshnjakët, për shembull me prerje kokash, siç ndodh në disa vende myslimane, por a keni lexuar ndonjëherë për masakrat ndaj tyre në shtypin ndërkombëtar?”, indinjohet z. Vuçiç, duke kritikuar atë që ai e quan “dy standarde” të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, i cili në vitin 2021 e dënoi përfundimisht Mlladiçin për gjenoci

 Anti miting

Nuk ka rëndësi se serbët e vrarë, të cilët u përkujtuan të mërkurën nga dhjetëra bashkëkombas të mbledhur rreth kryetarit të Srebrenicës nuk kanë vdekur pikërisht në të njëjtën dat

Nuk ka rëndësi as se që komandanti lokal i forcave boshnjake, të cilin ata e akuzojnë për përgjegjësi në vdekjet e tyre, është shpallur sistematikisht i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare dhe ajo boshnjake. Qëllimi kryesor i tyre është të organizohet një anti miting në prag të 11 korrikut, datë që këtë vit pritet të tërheqë dhjetëra mijëra njerë

Shumë zyrtarë të lartë evropianë, si presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa apo ministri francez për çështjet evropiane, Benjamin Haddad, priten të marrin pjesë në këtë bashki në lindje të Bosnjë

 Edhe pse shumë ndërtesa të kësaj qyteze mbeten thellësisht të shenjuara nga lufta dhe vrimat e plumbave në mure nuk janë zhdukur ende, drama reale vijon të zhvillohet  jo tek fasadat por tek mendjet e 13 000 serbëve dhe boshnjakëve që vijojnë të jetojnë në këtë mjedis të shkatërruar. Ata nuk ia dalin të çlirohen nga konfliktet e kujtesë

 Ashtu si në pjesën tjetër të Bosnjës madje deri në Beogradin e Serbisë fqinje, shumica e serbëve ende refuzojnë të pranojnë natyrën gjenocidale të masakrave dhe vazhdojnë ta trajtojnë Ratko Mlladiçin si her

 “Një krim i tmerrshëm ka ndodhur, por nuk bëhet fjalë për gjenocid,” përsëriti gjatë një tjetër tubimi

ëmbajtur të  shtunën më 5 korrik, Milorad Dodik, presidenti i Republika Srpska – një nga dy njësitë përbërëse të Bosnjës, ende e ndarë midis boshnjakëve myslimanë, kroatëve katolikë dhe serbëve ortodoks. Dodik– vijon të luajë rolin e njeriut të fortë të serbëve të Bosnjës që prej pesëmbëdhjetë vitesh. Ky nacionalist pro-rus shpesh e ndez zjarrin e konfliktit duke refuzuar të njohë vendimet e drejtësisë ndërkombëtare ose duke kërcënuar me shkëputje nga institucionet e brishta qendrore të Bosnjës

 Që nga viti 2016, kur për herë të parëbashkiaa e Srebrenicës u fitua nga një serb – pas rënies së numrit të banorëve boshnjakë – ajo është rreshtuar me qëndrimet e Dodikut. Kështu, para çdo 11 korriku, bashkia ngjit postera vetëmnpr përkujti tët serëvee ose vendos fotografi të viktimave serbe buzë rrugës që të çon në memorialin e Potoçarit, aty ku janë varrosur 8 000 burra boshnjakë që ishin ndarë nga gratë dhe fëmijët e tyre përpara se të masakroheshi

 “Serbët gjithmonë bëjnë paralelizëm mes viktimave të tyre dhe atyre të boshnjakëve, por realiteti është që viktimat serbe ishin kryesisht ushtarë, ndërsa boshnjakët ishin kryesisht civilë. Ky rreth vicioz nuk të çon askund,” thotë me zemërim Muhamad Avdiç, një boshnjak që në vitin 2008 vendosi të kthehet për të jetuar në vendlindjen e tij.Sot kjo zonëa është vetëm hija e qytetit të fëmijërisë së tij, por ai shpreson që një ditë të gjejë gjurmët e babait të zhdukur gjatë luftë

“Fqinjët e mi serbë e dinë çfarë ka ndodhur, por ata i besojnë më shumë Milorad Dodikut dhe Aleksandar Vçcçcit se sa asaj që kanë parë me sytë e tyre; i besojnë më shumë gënjeshtrës ssaetsë vërtetës”, tha me keqardhje Hasan Hasanoviç, drejtori i memorialit të Srebrenicës, gjatë një konference të organizuar në qershor në Berlin nga fondacioni gjerman Heinrich-Böl.

Paqja nuk do të vijë kurrë

 Edhe pse serbët dhe boshnjakët mund të jetojnë sërish pranë njëri-tjetrit pa u përplasur, dallimet shfaqen menjëherë sa herë që flitet për kujtesën e luftës.

“Kur shkoj të pi kafe me miqtë e mi serbë, shumë qajnë si unë për shkak të luftës, por të tjerë nuk duan të shfaqen në të njëjtin lokal nga frika se çfarë mund të thonë njerëzit,” shpjegon Musan Durakoviç, një boshnjak i plagosur gjatë luftës dhe që është kthyer për të jetuar në Srebrenicë disa vite më parë. Ai e pranon se shenjat nacionaliste serbe që mbushin peizazhin e Republikës Srpska, si muralet në lavdi të Ratko Mlladiçit, “i shkaktojnë dhimbje”, por zgjedh të fokusohet “te ata serbë normalë që i pranojnë se ndihen keq, edhe pse nuk guxojnë ta thonë publikisht.

“Pajtimi nuk mund të vijë nga poshtë; ata që janë në pushtet duhet të marrin vendimin për të përballuar të kaluarën,” përsërit edhe z. Hasanoviç, i bindur se shumë serbë janë peng i udhëheqësve të tyre nacionalistë.

Edhe pse nuk e quan Ratko Mlladiçin një kriminel lufte, vetë kryetari i Srebrenicës, Milos Vuçiç, pëlqen ta paraqesë veten si një pengesë ndaj tendencave më ekstreme nacionaliste.

“Unë përpiqem të shikoj nga e ardhmja, duke respektuar të kaluarën,” thotë ai duke shtuar:

“Nëse arrij t’i bëj serbët dhe boshnjakët të punojnë së bashku këtu, kjo mund të jetë një shembull për gjithë vendin”. Kryetari i bashkisë, pretendon se kjo mjnd të ndodhë duke u mbështetur tek një rilindje ekonomike, por ajo ngjan thuajse e pamundur në këtë cep të Bosnjës, të braktisur nga banorët për mungesë perspektive.

Mjafton të dëgjosh priftin ortodoks Srdjan Laloviç për të rikujtuar të njëjtat fjalë që kanë shërbyer si justifikim ideologjik për Ratko Mlladiçin dhe ish-udhëheqësin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, për të eliminuar ose dëbuar boshnjakët nga territoret me shumicë serb

“Ne nuk kemi nevojë për Bosnjën, myslimanët ishin të gjithë serbë para se të konvertoheshin nga osmanët,” deklaron ai, duke treguar me krenari një mural të ri në kishën e tij të dedikuar viktimave serbe të luftërave të shekullit XX. “Ne jemi një popull i vetëm dhe mund të gjenim një gjuhë të përbashkët nëse Perëndimi nuk do të ndërhynte në punët tona,” shton ai, duke fajësuar – ashtu si shumë nacionalistë serbë – një përgjegjësi të supozuar të NATO-s për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.

Në kodrat që rrethojnë Srebrenicën, Luka Babic, abati i një manastiri ortodoks, pret vizitorët në një shtëpi të kuqe që duket si kishë ortodokse, të cilën po e ndërton në mënyrë të paligjshme përballë njërës prej varrezave të viktimave boshnjake. Ky murg me mjekër të gjatë ka një pamje luftarake me jelekun ushtarak të mbuluar me simbole ruse dhe të forcave paramilitare serbe që kanë kryer shumë krime lufte gjatë viteve 1990.

Sipas tij, paqja me boshnjakët nuk do të vijë kurrë.

“Është një luftë shekullore mes nesh,” shpjegon ai ndërmjet dy gotash rakie. I mbrojtur dukshëm nga autoritetet lokale serbe, ai shton provokimet duke vendosur varre ortodokse pranë seksioneve myslimane të varrezave.

Të premten më 11 korrik, ai ka planifikuar të “festojë çlirimin e Srebrenicës” që nga lartësia e shtëpisë-kishë që po ndërton pa leje.

Jean Baptiste Chastanu, Le Monde, përshtati T. Çela Lapsi.al

The post 30 vjet më pas/ Paqja e pamundur mes muslimanëve dhe serbëve në Srebrenicë appeared first on Lapsi.al.

  •  

VIDEO e Ramës në Theth/ Ajo që dje ishte zhvillim, sot u kthye në krim!

“Mirë se ke ardhë! E mirë se të ka pru Zoti! Bukë e kripë e zemën!” është urimi që priti kryeministrin Edi Rama në Theth, një vit më parë. Me zërin e shtruar dhe kokën ulur, vajza e veshur me kostumin tradicional të zonës së Alpeve i zgjat tabakanë ku është një bukë e gatuar nga duart e grave të fshatit.

Edi Rama, që sapo ka zbritur nga GMC e zezë për një takim me banorët thyen një copë nga buka, e ngjyen në kripë dhe e shijon i kënaqur nga pritja me motive folklori. Në sfond duken gjithsesi badigardët e shumtë që e shoqërojnë. Gotën e rakisë ia shërben një burrë, por Rama e refuzon kategorikisht. Në sfond oshëtin mirëseardhja tradicionale e burrave me njërën dorë në vesh që paralajmëron lëvizjet e një grupi valltarësh, që nisin kërcejnë nën tingujt e çiftelive.

Filmimet më lart tregon mikpritjen që treguan malsorët e Thethit për kryeministrin Edi Rama në një takim të një viti më parë, në qershor 2024. Ramën e pritën si një burrë që kishte mbajtur fjalën e dhënë.

Një muaj më parë, kur kishte vizituar Thethin për t’u folur për “Paketën e Maleve”, Rama kishte premtuar certifikata pronësie për shumë familje, që shteti nuk ua njihte pronën, problem që kishte paralizuar investimet dhe që frenonte turizmin. (VIDEO KETU)

Gjithçka dukej se po bëhej realitet një muaj më pas, kur kryeministri u kthye me çertifikatat e pronësisë në dorë për gati 200 familje. Rama i shpërndau personalisht dokumentat, duke i bindur malsorët se ishte njeri i fjalës.

“Siç ju dhashë fjalën herën e shkuar në fund të muajit, ne do të riktheheshim dhe ja ku jemi sot këtu” u tha banorëve, të cilëve u foli për investimet e ardhshme, për turistët që do të shtohen dhe për mundësinë që kishin fëmijët e tyre të ktheheshin nga emigracioni i rëndë i Gjermanisë, Francës, Britanisë etj.

“Paketa e re e mbështetjes për investimet në këto male, do t’i hapë rrugë të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar pa pushim dhe që kanë kursyer e kursejnë që kursimet e tyre t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa patur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa patur as nevojë të kalojnë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë të shpërndarë lart e poshtë” u shpreh kryeministri.

Në takimin e dytë, pasi i bindi se ishte burrë i fjalës, u tregua akoma më i pakursyer me premtimet për zgjidhjen e problemit të pronave. Fali gjobat për ndërtimet pa leje, por edhe i justifikoi duke thënë se “nuk janë tipikisht ndërtime të bëra abuzivisht për t’ju shmangur ligjit. Janë ndërtime të bëra nga nevoja, ndërkohë që në kushtet e pamundësisë ligjore, njerëzit kanë vazhduar t’i bëjnë”.

Ndërsa fliste me priftin e zonës, të cilit i dorëzoi titullin e pronësisë mbi truallin e kishës, kryeministri u shpreh:

“Janë rreth 150 bujtina sot dhe të gjitha do të bëhen dhe jo vetëm që do të bëhen të gjitha, por do të lulëzojnë më shumë e më shumë dhe unë po ju them që për disa vite, këtu do të jetë destinacion, jo vetëm europian, jo vetëm me shumë turistë, por do të jetë një destinacion ku do të duhet të paguajnë shumë për të fjetur një natë. Do të jetë destiancion i klasit më të lartë, ai që na duhet për turistët”.

Në vitin që pasoi i la banorët të përkundeshin nën ëndrrat e zhvillimit masiv të turizmit, faljes së gjobave dhe justifikimit të ndërtimeve pa leje. Disa e zhvilluan pronën, të tjerë që panë se si u falën gjobat, i investuan paratë e tyre në bujtina të tjera. Të tjerë, përfituan nga një rrjet korrupsioni të rrënjosur në polici dhe tek inspektorët e bashkisë për të shtuar investimet dhe për të ndërtuar objekte të reja.

Megjithatë, zgjedhjet e 11 majit ikën shpejt. Rama përfitoi 83 mandate deputetësh dhe tashmë në fjalor ka termat e ligjit, ndërsa mesazhet i dërgon përmes policisë, fadromave të IKMT apo forcave speciale.

Një foto nga qendra e Thethit pranë Kullës së Ngujimit që tregonte disa shtëpiza të ngritura mbi beton paralajmëroi nisjen e një aksioni për shembjen e objekteve pa leje në fshat.


“Kjo është fusha e mrekullueshme e Thethit, ku një kriminel – që as nuk ka kurajon të shfaqet ndërkohë që IKMT po zbaton ligjin – ka hedhur betonin e dynjasë për të ndërtuar “fshatin e tij turistik” pa asnjë leje, një krim i shumëfishtë” e quajti Rama që nisi edhe një debat me prokuroren e Shkodrës Elsa Gjeli, e cila nuk kishte pranuar të niste procedim penal për këto ndërtime.

Fill pas këtij rasti, nisi aksioni masiv i IKMT. Në kulmin e sezonit veror, fadromat, të shoqëruara nga forcat e policisë mësynë në fshat për të shembur rreth 80 apo 90 bujtina dhe investime turistike të ndërtuara pa leje.

Këtë mëngjes forcat e FNSH u afruan në fshat për të vëzhguar nga larg, në pritje të një urdhëri.

Banorët bllokuan urën lidhëze në hyrje të fshatit për t’i penguar fadromat, duke u përplasur me policinë.

Thonë se janë gati të shkojnë deri në vetëflijim, për të mos lejuar shembjen e objekteve dhe ngulmojnë se ndërtimet i kanë prej druri dhe me çati metalike, siç u ishte kërkuar nga autoritetet.

Por drejtuesi i aksionit të IKMT, një prej funksionarëve më të vjetër aty, Fatmir Meta u tha gazetarëve se urdhri është për prishjen e 70 apo 80 objekteve pa leje. “Absolutisht, objektet pa leje. Do prishen objekte pa leje, rreth 70 ose 80 objekte pa leje. Ne nuk e interpretojme ligjin, ne e zbatojmë ligjin. E kemi bërë njoftimin paraprak me ditë të tëra na është premtuar që do t’i çmontojmë. Është e treta ditë që vijmë te zotëria dhe urdhëro. Janë ndërtime të reja. Nuk jam i qartë për ndërtimet kur janë ngritur. Po bëhet një batërdi, një vend një mrekulli duke ndërtuar kioska në vend ta mbrojmë këtë zonë, këtë mrekulli të zotit, në vend ta mbrojmë, të ndërtojmë me kritere dhe vetë banorët duhet të jenë për ta mbrojtur jo për ta bastarduar”.

Por banorët e shohin ndryshe situatën. Së pari, ata nuk e kuptojnë se përse shteti po i kërkon të shembin investimet e tyre në kulmin e sezonit, kur disa turistë janë detyruar të anulojnë pushimet, ndërsa të tjerë vëzhgojnë të habitur që dhjetëra policë rrethojnë bujtinat e Thethit sit ë ishin skena krimi.

“Ne donim të bëjmë një thirrje për një zgjidhje të përbashkët. Por në jo në mes të sezonit të bëni një masakër” u tha një prej protestuesve policëve që kërkonin të hynin në fshat. Ndërkohë në protestën e filmuar nga dhjetëra kamera, një protestues tjetër u shpreh: “Ky ka drejtë se i jep urdhër ai tjetri, por edhe ne kemi të drejtë të mbrojmë pasurinë tone! Se pasha zotin kam kja mbramë kur kam pa atë shembjen e bujtinave aty!”

“Hapni rrugën thotë që të më shembin shtëpinë, u shpreh një tjetër,- Po ku të rri unë kur të na shembni shtëpinë? Unë në rrugë do rri, në shi. Edhe tani në shi jam. Ju po na shtyni me dhunë. Po na prishni shtëpiat tona”.

Ndërsa shohin fadromat dhe policët u kanë rrethuar shtëpitë, të tjerët kujtojnë se ishin të njëjtët policë dhe inspektorë që merrnin ryshfet kur këto bujtina u ngritën pa leje nga shteti.

Njëri prej tyre, akuzoi direkt në sy drejtuesin e policisë gjatë protestës dhe për pasojë, policët tentuan ta arrestojnë, por pa sukses.

“Ku është Benet Beci? Ku është Edi Rama që e ka rrejt tan miletin? Ku e ke ligjin? Ligjin e keni ju! Ju keni marr lekt për me ba kto ndërtesa! Ju! Ju jeni hajdutat! Ju jeni hajdutat! Sot vini e ua shembni! Ti i pari! (Polici: Paraqitu në prokurori!) Ti i pari që vjen këtu e ua shemb! Ti zbaton ligjin? Ti zbaton leshin! Ke marrë lekt! Ke marr lekt e ke lënë me ndërtue!

Ndërkohë një tjetër protestues i moshuar kujtoi shprehjen e Edi Ramës për ata që hanë mollë e dardha pas shpinës së tij, duke thënë se për të paguar ryshfet disa nga banorët kishin marrë edhe kredi në bankë.

“Kanë kërku ofertë dhe ia kemi dhanë vetëm me pshtue. Me djersën tonë. Kanë hangër dardhat, të paktën bishtat me ia çue Edi Ramës. Tanë janë me pagesë. Kush 5 milion, e kush… Merri në bankë e paguej policinë dhe bashkisë. Pse nuk vjen Benet Beci tash? Ai me policinë e bashkisë kanë marrë kafet. Kafet te dera” u shpreh një banor i irritur i Thethit.

Të tjerë po ashtu kujtuan se si kryeministri Edi Rama u kishte premtuar se mund t’i investonin paratë e tyre dhe t’i kthenin fëmijët e tyre nga jashtë për të jetuar në Theth.

“Kur erdhi Edi Rama këtu në Theth, zoti kryeministër I Shqipërisë tha hapur të gjithë ndërtoni në pronat tuaja. Tani nga doli kjo ide? Rinia u kthye nga jashtë. Unë s’kam dalë asnjëherë jam banor i përhershëm. Unë flakën do t’ia ve. Më mirë të më marrin shpirtin se të bëjnë ato që kanë bë. Kam qa si fëmia dje që u shemb shtëpia e njërit që është i mytur në borxh. E di se ju keni detyrën e shtetit, ju japin urdhra, po edhe ne do mbrojmë pasurinë e djersën tone” u shpreh një prej tyre.

“Ne kemi rënë në hall. Edi Rama ka qenë këtu dhe na ka rrah shpatullat, në mënyrë të veçantë rinisë. Na ka thënë thirrini edhe të rinjtë, fëmijët tuaj të investojnë. Te “Paketa e Maleve”, po ku të vijnë? Një turiste nga Ukraina më tha: Ne kështu po na e bëjnë rusët, po jo shqiptarët t’ia bëjnë shqiptarëve” u shpreh një tjetër.

Ajo që po ndodh në Theth sot përmbledh pak a shumë Shqipërinë e sotme: një vend ku të drejtat e individit nuk varen nga gjykatat, por nga humori i pushtetarit, ku investimet dhe fatet e një komuniteti nuk varen nga ligji dhe institucionet, por nga kapriçiot e kryeministrit, premtimet e të cilit vlejnë sa për një cikël elektoral.

Nëse në 2024 Rama premtoi t’ua shtonte bujtinat, t’i jepte hov turizmit në Theth dhe ta shndërronte fshatin në një mrekulli turistike, në 2025 ai ua rrëzon bujtinat, ua prish investimin me fadroma dhe nuk u lë asgjë zgjidhje tjetër veç emigracionit. Ndaj më shumë se me ligjin duket sikur banorët e Thethit po përballen me pabesinë e njeriut që sot e quan krim, atë që dje ua quante zhvillim./Lapsi.al

The post VIDEO e Ramës në Theth/ Ajo që dje ishte zhvillim, sot u kthye në krim! appeared first on Lapsi.al.

  •  

Vdekja e ministrit, një paralajmërim i kobshëm për elitën e Rusisë

Ditën e hënë nga Moska erdhi një lajm tronditës. Roman Starovoit, ministri i saposhkarkuar i transportit të Putinit, kishte vrarë veten. Gjithkush që di diçka për Rusinë, se si politikanët rusë dhe vdekja kanë jo rrallë një fat të lidhur, nuk do të habitej për ngjarjen. Prandaj pikëpyetjet vluan menjëherë. BBC shkroi për ngjarjen, duke u përpjekur të hedhë dritë mbi simbolikën që ka kjo vetëvrasje e njeriut të kabinetit të Putin.

“Ishte një fillim dramatik jave në Rusi. Të hënën në mëngjes, presidenti Vladimir Putin shkarkoi ministrin e tij të transportit, Roman Starovoit. Pasdite Starovoit vdiq. Trupi i tij u zbulua në një park në periferi të Moskës me një plagë arme zjarri në kokë. Një pistoletë, thuhet, pranë trupit.

Hetuesit thanë se supozonin që ish-ministri kishte marrë jetën e vet. 

Në tabloidin Moskovsky Komsomolets kishte një ndjesi tronditjeje.

“Vetëvrasja e Roman Starovoit vetëm orë pas urdhrit të presidentit për ta shkarkuar është një rast pothuajse unik në historinë ruse,” deklaroi gazeta.

Kjo sepse duhet të kthehesh më shumë se tridhjetë vjet pas, përpara rënies së Bashkimit Sovjetik, për një shembull të një ministri qeveritar këtu që vetëvritet” – analizon televizioni publik britanik.

BBC kujton vetëm një rast të ngjashëm në historinë moderne të Rusisë.

“Në gusht të vitit 1991, pas dështimit të grushtit të shtetit nga linjat e ashpra komuniste, një nga organizatorët kryesorë të grushtit, ministri i brendshëm sovjetik Boris Pugo, qëlloi veten.” 

Lexo më tej: Putin nuk fal, misteri i aksidentit ajror që eleminoi kreun e Wagner 

BBC thekson se Kremlini nuk ka komentuar gjatë për vdekjen e ministrit Stavoroit, duke sjellë një përgjigje që zëdhënësi Dimitri Peskov i ktheu transmetuesit publik britanik.

“Njerëzit normalë nuk mund të mos tronditen nga kjo. Sigurisht, edhe ne u tronditëm.

Hetimi është ai që duhet të japë përgjigje për të gjitha pyetjet. Derisa ai të vazhdojë, mund të bëhen vetëm spekulime. Por kjo është më tepër për median dhe analistët politikë. Jo për ne.” – citon BBC-Peskovin.

Shkrimi vazhdon me një vështrim mbi reagimin e mediave ruse për ngjarjen. Sigurisht, Ukraina është elefanti në dhomë.

“Shtypi rus ka qenë, vërtet, plot me spekulime. Sot disa gazeta ruse e lidhën atë që ndodhi me Roman Starovoit me ngjarjet në rajonin e Kurskut që kufizohet me Ukrainën. Para se të emërohej ministër transporti në maj të vitit 2024, Starovoit kishte qenë guvernatori rajonal i Kurskut për më shumë se pesë vjet.

Nën drejtimin e tij, dhe me shuma të mëdha parash nga qeveria, guvernatori Starovoit kishte nisur ndërtimin e fortifikimeve mbrojtëse përgjatë kufirit.

Këto nuk ishin aq të forta sa për të ndaluar trupat ukrainase të depërtonin dhe të kapnin territor në rajonin e Kurskut vitin e kaluar.

Që prej asaj kohe, pasardhësi i Starovoit si guvernator, Alexei Smirnov, dhe zëvendësi i tij i mëparshëm Alexei Dedov janë arrestuar dhe akuzuar për mashtrim në shkallë të gjerë në lidhje me ndërtimin e fortifikimeve” – shkruan BBC.

Spekulimi vazhdon: Stavoroit mund të ketë qenë i dyshuari numër një.

“Zoti Starovoit mund të ishte bërë një nga të pandehurit kryesorë në këtë rast,” sugjeroi sot botimi i përditshëm i biznesit Kommersant.

Autoritetet ruse nuk e kanë konfirmuar këtë” – vëren BBC.

Pasi vëren sjelljen e shtypit rus për vdekjen e ministrit, gjiganti britanik hedh një hap përtej raportimit dhe merr përsipër të interpretojë ngjarjen.

Lexo më tej: Profil/ Historia e panjohur e Alexei Navalny, armikut të vdekur të Putin 

BBC ngre pyetjen: Por nëse ishte frika nga ndjekja penale ajo që e shtyu një ish-ministër të merrte jetën e vet, çfarë na tregon kjo për Rusinë e sotme?

Nina Krusheva, profesore e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në New York e ka një shpjegim.

“Pjesa më dramatike e kësaj, me gjithë ri-Stalinizimin që ka ndodhur në Rusi vitet e fundit, është që një zyrtar i lartë qeveritar [vret veten] sepse nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga sistemi” – citon BBC-Krushevën.

“Ai duhet të ketë pasur frikë se do të merrte dhjetëra vite burg nëse do të ishte nën hetim, dhe se familja e tij do të vuante jashtëzakonisht. Prandaj, nuk kishte rrugëdalje. 

Mendova menjëherë për Sergo Ordzhonikidze, një nga ministrat e Stalinit, i cili [vrau veten] në vitin 1937 sepse ndjeu se nuk kishte zgjidhje tjetër. Kur fillon të mendosh për vitin 1937 në ambientin e sotëm, kjo të trondit” – përmbyll profesoresha.

Sipas transmetuesit britanik, ngjarja në televizionin publik rus ka kaluar pothuajse në heshtje. Dhe ka një arsye pse gazetat gëzojnë tjetër liri spekulimi.

“Vdekja e Roman Starovoit mund të ketë bërë tituj në gazetat këtu. Por ky “rast pothuajse unik në historinë ruse” ka marrë mbulim minimal në televizionin shtetëror.

Ndoshta kjo sepse Kremlini e njeh fuqinë e televizionit për të formësuar opinionin publik.

Në Rusi, televizioni është më me ndikim se gazetat. Kështu që, kur bëhet fjalë për televizionin, autoritetet priren të jenë më të kujdesshme dhe të kontrolluara me mesazhet” – analizon transmetuesi britanik.

BBC sjell shembuj të kësaj heshtje, por që bërtasin shumë.

“Buletini kryesor i lajmeve të mbrëmjes të së hënës në kanalin Russia-1 përfshiu një raport katër minutësh për emërimin nga Putini të një ministri të ri të përkohshëm të transportit, Andrei Nikitin.

Nuk u përmend fare që ministri i mëparshëm i transportit ishte shkarkuar. Apo që ai ishte gjetur i vdekur.

Vetëm dyzet minuta më vonë, drejt fundit të buletinit të lajmeve, folësi përmendi shkurtimisht vdekjen e Roman Starovoit.

Lajmësi i kushtoi gjithë 18 sekonda kësaj ngjarjeje, që do të thotë se shumica e rusëve ndoshta nuk do ta shohin këtë ngjarje dramatike të së hënës si një zhvillim të rëndësishëm.” 

E dinë apo jo masat ruse, kjo ka pa rëndësi. Sipas BBC-së, këtë lajm e dinë mirë elitat ruse dhe në mënyrë të padiskutueshme, mesazhi është për to.

“Për elitën politike, është një histori tjetër. Për ministra, guvernatorë dhe zyrtarë të tjerë rusë që kanë kërkuar të bëhen pjesë e sistemit politik, ajo që ndodhi me Starovoit do të shërbejë si paralajmërim.

“Në dallim nga më parë, kur mund të merrje këto punë, të pasuroheshe, të ngriheshe nga niveli rajonal në atë federal, sot, kjo qartazi nuk është një rrugë karriere nëse do të mbetesh gjallë,” thotë Nina Krusheva teksa shton se jo vetëm që nuk ka më ngjitje në karrierë, “por edhe zbritja përfundon me vdekje.” 

Është një kujtesë për rreziqet që burojnë nga të rënit ndesh me sistemin.” – përmbyll BBC.

Përgatiti ©LAPSI.AL 

The post Vdekja e ministrit, një paralajmërim i kobshëm për elitën e Rusisë appeared first on Lapsi.al.

  •  

Zhvatja e pronave në Ksamil, ana e errët e “Maldiveve të Evropës”

Nga Lindita Çela

Në fillim të viteve ’80, Ksamili ishte një nga rezervatet më të mëdha të kafshëve të egra në Shqipëri, i mbushur me derra, çakej dhe kaproj, ndërsa rruga për të shkuar aty kalonte nëpër një tunel të krijuar natyrshëm nga portokallet dhe ullinjtë. Në këtë qytezë, e ndërtuar mbi bazën e punës vullnetare nga e gjithë Shqipëria, jetonin rreth 500 familje, shumica e të cilave nuk kishin banesa fikse, por banonin në kapanonet e ngritura për vullnetarët.

Ishte një parajsë mbi tokën shqiptare, ndaj dhe qeveria e Aleksandër Meksit, duke parë potencialin turistik të zonës, vendosi të mos zbatojë ligjin për ndarjen e tokës për anëtarët e ndërmarrjes bujqësore të fermës së Ksamilit, me arsyetimin se ajo do të përdorej për projekte madhore turistike.

I ndarë në 96 parcela virtuale pa kufij realë në terren, të dhëna dikur nga Mbretëria e Zogut për familje gjirokastrite, Ksamili është kthyer në qytezën ku zor se gjen kënd që nuk është dyerve të gjykatës, qoftë ky pretendent për t’u shpallur pronar, apo dhe i shpallur “investitor strategjik” nga qeveria.

Përgjatë 35 viteve, ajo që dikur quhej “perla e jugut” është zhytur në paligjshmëri, kaos dhe shëmti urbane. Ndërtime të shëmtuara, mungesë uji, rrjet i degraduar kanalizimesh dhe plazhe të zaptuara janë pasojat më të dukshme, ndërsa dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë një histori mafioze që nis me kultet fetare, sekserët e tokave, policët që marrin para për të lejuar ndërtime, drejtorë legalizimesh dhe hipotekash që zhvatin çdo gjë, e gjykata shqiptare që certifikojnë me lehtësi vendime tapish, duke e kthyer Ksamilin në një qytezë ku krimi i organizuar dhe interesat politike kanë lënë vulën e tyre të shëmtisë.

Prona, gjyqet dhe krimi i organizuar

Pas më shumë se 20 vitesh të kaluara mes dyerve të gjykatave dhe zyrave të hipotekave, Lirika Çoçoli përjetoi një ndjesi çlirimi në maj të vitit 2022, kur hodhi firmën për shitjen e rreth 20 hektarëve tokë në Ksamil, një sipërfaqe e konsiderueshme buzë detit, pranë zonës së njohur si “Pema e Thatë” dhe resortit luksoz Arameras.

Për të finalizuar shitjen, ajo kishte arritur të bindte edhe 33 trashëgimtarët e tjerë të Sulo Hysen Çoçolit, një ish-bej i njohur i zonës, të firmosnin dokumentacionin përkatës. Frika se nuk do të arrinin kurrë të gëzonin pronën e të parëve, i bashkoi të gjithë në një qëllim të përbashkët.

Edhe pse trashëgimtarët kishin fituar të drejtën e pronësisë përmes vendimeve gjyqësore, një pjesë e konsiderueshme prej 1320 hektarësh që ata pretendojnë se i përkiste stërgjyshit të tyre, nuk mund të regjistrohej në emrat e tyre për shkak të refuzimit të zyrës lokale të kadastrës në Sarandë.

Dokumentet tregojnë se mes palëve, institucioneve vendore dhe Avokaturës së Shtetit janë zhvilluar dhjetëra padi e kundërpadi, deri në korrik të vitit 2014, kur trashëgimtarët siguruan një titull ekzekutiv për regjistrimin e pronës.

“Prej vitesh nuk ia dolëm ta regjistronim, ndërkohë që prona jonë filloi edhe të zaptohej jo vetëm nga njerëz me pushtet, por dhe nga ndërtime pa leje,” – tha për “shteg.org”, një prej trashëgimtarëve të këtij fisi, Edlira Barbullushi.

Pavarësisht vendimit të Gjykatës së Lartë, autoritetet zvarritën shqyrtimin e çështjes për më shumë se një dekadë, duke pretenduar për mbivendosje pronash.

“Na thoshin se kishte mbivendosje, ndaj nuk mund të regjistrohej prona. Në fund, nuk na mbeti tjetër veçse ta shisnim,” – tregon Lirika Çoçoli.

I vetmi që pranoi të merrte përsipër zgjidhjen e problemit me institucionet shtetërore ishte Klajdi Merkaj, një ndërtues i ri, atëherë i konsideruar i suksesshëm në sektorin e ndërtimit.

Kompania e tij, “Merkaj Invest”, kishte siguruar leje ndërtimi në disa nga zonat më të lakmuara të Tiranës, me projekte me vlera miliona euro.

“Ata morën përsipër që brenda një periudhe të ekzekutonin vendimin e gjykatës, të nxirrnin certifikatat e pasurive për të gjithë trashëgimtarët, ndaj edhe ne nënshkruam kontratën e porosisë duke i përcaktuar mirë kushtet,” – thotë Lirika.

Sipas kontratës së porosisë që trashëgimtarët nënshkruan me kompaninë, Merkaj merrte përsipër ekzekutimin e vendimit gjyqësor, nxjerrjen e certifikatave të pasurisë dhe përfundimin e procesit të regjistrimit brenda gjashtë muajve. Pagesa për tokën u caktua në 45 euro/m².

Megjithatë, sipas dëshmisë së Edlira Barbullushit, vlera reale e përfituar nga shitja ishte sa gjysma e çmimit të dakortësuar.

Pas kontratës, dyert e zyrës së kadastrës në Sarandë, të mbyllura për më shumë se një dekadë, u hapën brenda pak muajsh.

“Duke qenë se nuk e regjistronim dot, nuk kishim zgjidhje tjetër veçse ta shisnim, edhe pse çmimi i dakortësuar në kontratë në të vërtetë përfundoi sa gjysma e tij,” – tregon Barbullushi.

Hetimet e mëvonshme zbuluan se Klajdi Merkaj ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i Franc dhe Hajdar Çopjes, dy vëllezër të njohur në botën e krimit, të akuzuar për vrasje me pagesë, trafik ndërkombëtar droge dhe pastrim parash.

Sipas vendimeve të gjykatës dhe komunikimeve të përgjuara në aplikacionin e enkriptuar Sky ECC, Merkaj identifikohet si personi që menaxhonte vlera të mëdha monetare “cash” për llogari të Franc Gergely (Çopja), duke bërë transferime nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.

Në biseda me Franc Çopjen, Merkaj e informonte rregullisht për ecurinë e projekteve dhe kërkonte shuma të mëdha parash për “të lëvizur punët”.

“Shtetasi Klajdi Merkaj evidentohet si një nga personat e besuar që mban dhe menaxhon vlera monetare të konsiderueshme cash për llogari të shtetasit Franc Gergely,” – thuhet në vendimin e gjykatës.

Klajdi e informonte Çopjen për ecurinë e projekteve dhe i kërkonte shuma të konsiderueshme parash sa herë i dilte nevoja.

“Për të dy vendet jemi konsumuar lart për t’u realizu. Kemi marrë ok,” – i shkruan ai Franc Çopjes, ndërkohë që komunikimet e tyre u bënë pjesë e një dosjeje të zgjeruar të Gjykatës së Posaçme mbi organizatën “Çopja”.

Rrjeti i Çopjas dhe milionat që lanë Shqipërinë


Nëse dikush do të kërkonte të kuptonte sesi krimi i organizuar në Shqipëri evoluon nga rruga në institucione, nga dhuna në ndërtim, nga errësira në fasadë të ndritshme urbane, mjafton të ndjekë gjurmët e organizatës kriminale “Çopja”. E ngritur nga dy vëllezër nga Elbasani, Franc dhe Hajdar Çopja, kjo organizatë u kthye nga një grup shpërndarësish të thjeshtë kokaine në një rrjet të fuqishëm që operonte në trafik ndërkombëtar droge, vrasje me pagesë dhe pastrim të sofistikuar parash përmes sektorit të ndërtimit dhe financës në Shqipëri.

Rruga e tyre nisi në Itali, aty ku në mesin e viteve 2000, dy vëllezërit nisën të shpërndanin kokainë në lagje periferike. Shpejt, lidhjet me furnitorët u thelluan, rrjeti u zgjerua dhe aktiviteti kaloi kufijtë e Italisë. Në më pak se një dekadë, emri “Çopja” u bë i njohur në qarqet kriminale të Belgjikës, Holandës dhe Britanisë së Madhe, ku organizata shquhej për efikasitetin në trafikimin e kokainës dhe përdorimin e dhunës pa kompromis kundër rivalëve.

Në vitet 2018–2020, organizata akuzohet për të paktën shtatë vrasje dhe dy plagosje, në përpjekje për të eliminuar grupin rival “Alibej”. Por ajo që e veçon këtë organizatë nuk është vetëm brutaliteti, por mënyra se si ajo kërkoi të ngjitej në sipërfaqe, duke “larë” paratë në rrjedhën e sipërmarrjes legale, sidomos përmes ndërtimit në Tiranë.

Në prillin e vitit 2019, grupi u përfshi edhe në një prej krimeve më të bujshme në vend, grabitjen me armë të 4.6 milionë eurove brenda pistës së aeroportit të Rinasit, një akt që, sipas SPAK, u krye nën drejtimin dhe me logjistikën e organizatës Çopja.

Në vitin 2020, Franc Çopja u zhvendos në Dubai, një strehë e preferuar për kriminelët shqiptarë që kërkojnë të shmangin arrestimin apo atentatet. Prej andej, ai nisi të menaxhonte transferimin e miliona eurove nga aktivitetet e paligjshme në ndërtim, blerje pronash dhe investime që nuk do të tërhiqnin vëmendje.

Vetëm gjatë atij viti, ai solli në Shqipëri të paktën 7.5 milionë euro cash, një vit më pas, në 2021, dyshohet se një shumë edhe më e madhe, rreth 15.4 milionë euro, u përdor për blerjen e lingotave të arit.

Paratë përdoreshin, zhvendoseshin, fshiheshin dhe shndërroheshin në investime legale nëpërmjet një rrjeti të ndërlikuar kompanish dhe bashkëpunëtorësh. Kompania “Elba Beton” dyshohet të jetë një nga ndërmjetësit më të rëndësishëm të pastrimit.

E themeluar në vitin 2001 nga Arben Lamçja, një ish i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni dhe një figurë e afërt me Çopjan, kjo kompani u transferua më vonë në emër të Arjan Ormenajt, por Lamçja mbeti kontrolluesi real.

Në komunikimet e siguruara nga prokuroria, ai kërkon miratimin e Franc Çopjas për një investim ndërtimi me vlerë dy milionë euro.

Përveç sektorit të ndërtimit, një tjetër hallkë e rëndësishme e pastrimit të parave ishin pikat e këmbimit valutor. Një nga këto pika, “B.Lika, Çimi & Keni”, ndodhej në zemër të Tiranës, përballë Bankës së Shqipërisë. Prokuroria ka dokumentuar se aty janë mbajtur cash rreth 2.3 milionë euro për llogari të Çopjas.

Në një rast tjetër, një farmacist me emrin Dorjan Dyli ka tërhequr 121 mijë euro nga kjo pikë për të paguar këstin e parë të një apartamenti në një pallat të identifikuar si “me fasadë të kuqe”, përballë Fakultetit Ekonomik.

Pjesa tjetër e shumës, 236 mijë euro në total, është mbuluar me një kredi fiktive të marrë në bankë dhe më pas shlyer me para të pista.

Në korrik 2023, pas hetimesh të gjata dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, organizata “Çopja” u godit në kuadër të operacionit “Gorgon”.

U arrestuan dhjetëra persona në Shqipëri, Kosovë, Belgjikë dhe Holandë. Franc Çopja u arrestua në Dubai dhe u ekstradua në Belgjikë si urdhërues i një vrasjeje që kishte lidhje me prishjen e pazareve të drogës. Lamçja u arrestua në Kosovë dhe u ekstradua, ndërsa Ormenaj është ende në kërkim.

Hetimet zbuluan se organizata kishte filluar të përdorte edhe teknologjinë moderne për të shmangur gjurmët e pasurive.

Përmes përdorimit të kriptovalutave dhe skemave të sofistikuara digjitale, grupi realizonte transferta të fshehta, pagesa të koduara dhe mbante asete të mëdha në kuleta digjitale. Falë bashkëpunimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit me EUROPOL dhe policisë së Belgjikës, Holandës dhe Spanjës, u arrit të gjurmohej dhe sekuestrohej një vlerë mbi 10 milionë dollarë amerikanë në kriptovaluta. Ky ishte sekuestrimi më i madh digjital i bërë ndonjëherë nga autoritetet shqiptare.

Më 28 nëntor 2024, Gjykata e Posaçme miratoi sekuestrimin e aseteve të organizatës, që përfshin 4 llogari bankare me afro 130 mijë euro, 4 vila me truall, një hotel në Tiranë, 14 troje ndërtimi, 4 garazhe, 5 njësi shërbimi, 3 apartamente, njëri prej tyre dublex, dhe një shoqëri tregtare me të gjitha llogaritë përkatëse.

Prokuroria e Posaçme deklaron se vetëm gjatë vitit 2022, organizata ka transferuar rreth 7.5 milionë euro në Shqipëri përmes strukturave financiare të sofistikuara që synonin pastrimin e parave të drogës përmes investimeve në ndërtim.

Prona prej 20 hektarësh në Ksamil, me tu regjistruar nga kadastra shtetërore, u shit me një vlerë prej 18 milionë eurosh.

“Na e zaptonin, nuk kishim mundësi ta mbronim më. E shitëm sepse nuk kishim zgjidhje tjetër,” – u shpreh një prej trashëgimtarëve Çoçoli për “shteg.org”.

Blerësi rezulton të jetë Endri Merkaj, binjaku i Klajdit, i cili mori në pronësi kompaninë “Merkaj 3” sh.p.k., e themeluar në vitin 2013 me aktivitet tregtar në shitjen e gomave. Aktualisht, kompania ka kaluar në sektorin e ndërtimit.

Endri Merkaj nuk iu përgjigj kërkesës së “shteg.org” për koment deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa prona në fjalë nuk figuron në listën e pasurive të sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me vëllezërit Çopja.

“Çështja është në fazë hetimi dhe për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të bëhen publike më shumë informacione,” – deklaroi Prokuroria e Posaçme.

Trashëgimtarët e Sulo Çoçolit nuk janë të vetmit që kanë gjetur “zgjidhje” përmes personave që garantojnë firmosje të dokumenteve në institucionet shtetërore.

Sipas dokumenteve të siguruara nga “shteg.org” në Ksamil janë me qindra procese gjyqësore të hapura mes trashëgimtarëve të ish-çifligarëve dhe “pronarëve” të rinj që janë shpallur të tillë me dokumente të falsifikuara dhe të legalizuara nga vendime gjykatash apo komisione të kthimit të pronave.

Ka dyshime se mijëra hektarë tokë në Ksamil janë tjetërsuar nëpërmjet falsifikimeve.

Aq e madhe është katrahura, sa ish-kryetari i task-forcës së Qeverisë Rama, Alket Hyseni, deklaroi se shteti duhet të marr detin për të kompensuar “pronarët” e shpallur me vendime gjykatash.

“Ksamili është 1320 hektarë. Për të mbuluar të gjithë ‘pronarët’, na duhen 3 mijë hektarë, pra duhet të hyjmë në det. Tani kanë marrë edhe Parkun e Butrintit,” – deklaroi Hyseni në cilësinë e kryetarit të taks-forcës së kabinetit të parë të qeverisë Rama.

“Pika e vogël” që po fundos Ksamilin

Rreth 33 vjet më parë, Bashkim Dulaj u vendos në kodrën e Manastirit, në hyrje të qytezës së Ksamilit. Asokohe, në këtë zonë të izoluar, shtëpitë e banimit numëroheshin me gishta, ndërsa i vetmi objekt i mbetur ishte një repart i braktisur ushtarak.

Me punë të ndershme dhe kursime nga emigracioni, Dulaj ndërtoi një shtëpi për familjen e tij. Legalizimi i saj u bë bashkë me 500 metra katrorë tokë, ndërsa ai ruan ende çdo dokument dhe pagesë që ka bërë në emër të shtetit për të drejtën e pronësisë. Sot, ai jeton aty me fëmijët dhe familjen.

Lagjja e Manastirit numëron mbi 200 shtëpi, të ndërtuara nga banorë të ardhur kryesisht nga zonat përreth. Pjesa më e madhe e tyre nuk zotëron dokumente pronësie, përveç faturave të legalizimit.

“Ne prisnim të merrnim tapitë e shtëpive, sepse kemi paguar çdo gjë sipas ligjit. Por më pas mësuam se procesi ishte pezulluar me urdhër nga lart,” – thotë Bashkimi.

Pak prej tyre kanë arritur të marrin certifikata pronësie, ndonëse u janë bërë premtime të përsëritura në çdo cikël zgjedhor.

Ndërkohë që banorët kërkonin zgjidhje nga institucionet, qeveria në Tiranë kishte plane të tjera për këtë zonë të lakmuar buzë detit, një nga pjesët më të vlerësuara të bregdetit shqiptar.

Në vitin 2025, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi një projekt zhvillimor me vlerë 28 milionë euro: “Ksamil Seaside Resort & Residential – The Mirrors, Faza I”, i financuar nga shoqëria “Premium Finance Invest”.

Resorti është i parashikuara të zhvillohet në një sipërfaqe prej 139.358 m2 ku do të ndërtohen vileta dy katëshe me një sipërfaqe ndërtimi 32.575 m2.

Dokumentet tregojnë se vendimi u mor në të njëjtën periudhë kur banorët e Manastirit u informuan për pezullimin e procesit të certifikimit të pronave të tyre, ndërsa pronarët i ofruan institucioneve lokale edhe objektet që sipas tyre ishin ndërtuar në mënyrë informale.

Projekti për ndërtimin e resortit është firmosur nga ish-ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro dhe Kryeministri Edi Rama, ndërsa prona që do të ndërtohet resorti figuron të jetë Ilirjana Demiraj Çoçoli, një prej trashëgimtareve të familjes Çoçoli.

Për ironi, ndërkohë që një pjesë e qeverisë mbështeste projektin dhe e konsideronte si zhvillim strategjik turistik, një pjesë tjetër e saj përballej në gjykatë me po të njëjtët trashëgimtarë për pronësinë e tokave në zonë.

Avokatura e Shtetit, bashkë me zyrat lokale, është përfshirë në një proces të gjatë gjyqësor ndaj trashëgimtarëve të Isuf Çoçolit, të cilët pretendojnë pronësinë mbi një sipërfaqe prej 1.320 hektarësh në Ksamil.

Sipas tyre, toka e trashëguar përfshin kufijtë “nga njëra anë deti, nga ana tjetër lumi Vivar, liqeni i Djallanit dhe kullota pranë Manastirit të Shën Gjergjit”.

Proceset gjyqësore janë zhvilluar mbi vendime të Komisionit Vendor të Kthimit të Pronave në Qarkun Vlorë, dhënë në vitet 2006–2007. Avokatura e Shtetit ka kundërshtuar vendimet, duke pretenduar se janë dhënë në shkelje të ligjit dhe cenojnë pronësinë shtetërore.

Sipas dokumenteve të Arkivit Shtetëror, Avokatura ka pretenduar bashkëpronësi të tokave të përfshira dhe ka listuar një sërë ligjesh të shkelura, përfshirë ligjin “Për pronat e paluajtshme të shtetit” dhe ligjin “Për rezervat ujore”.

“Prona ndodhet në një zonë me përparësi për zhvillimin e turizmit dhe përfshin edhe bregun e detit, çka e bën vendimin e komisionit të pavlefshëm,” – thuhet në një nga paditë e Avokaturës.

Gjithsesi, pavarësisht përpjekjeve, Avokatura e Shtetit e ka humbur betejën në Gjykatën e Lartë. Ironikisht, një nga përfitueset kryesore të këtij vendimi është pikërisht Ilirjana Demiraj Çoçoli, trashëgimtare dhe pronare e tokës mbi të cilën do të ndërtohet resorti luksoz në plazhin e Pasqyrave.

Ish-ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, e ka cilësuar ndërtimin e këtij resorti si një “pikë të vogël” të projektit zhvillimor të turizmit në Ksamil. Por për banorët, kjo “pikë” po shndërrohet në fundin e shtëpive të tyre.

Sipas dëshmive, kompania që ka marrë lejen e ndërtimit ka vendosur tabela me planin e projektit pikërisht në zonën ku ndodhen banesat aktuale të banorëve të Manastirit.

Ky veprim ka shkaktuar protesta dhe frikë të përhapur mes familjeve, të cilat, megjithëse nuk janë zyrtarisht të njoftuar për ndonjë vendim për shembje, ndihen të kërcënuar nga çdo zhvillim i mëtejshëm.

“Tabelat janë sinjali i parë se do të humbasim shtëpitë dhe jetën që kemi ndërtuar me mund në këto vite,” – deklaruan ata për “shteg.org”.

Dokumentet tregojnë se, të paktën 19 banesa në Manastir janë evidentuar si ndërtime in-formale për të cilën është kërkuar shembja e banesave nga IKM-të apo mos vijimi i procedurave të legalizimit nga strukturat lokale në Sarandë.

Të gjithë të kërcënuar

Në fillimverën e vitit 2019, Ksamil u vu në qendër të vëmendjes ndërkombëtare kur ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy dhe bashkëshortja e tij Carla Bruni qëndruan në një resort luksoz në zonë, ndërsa Bruni mbajti një koncert në Teatrin Antik të Butrintit me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Muzikës.

Më 22 qershor, Kryeministri Edi Rama publikoi qëndrimin e çiftit presidencial në rrjetet sociale, duke e cilësuar eventin si “foto e ditës” ndërsa pamjet tregonin momente relaksimi mes dy familjeve. Media zbuloi se çifti presidencial francez qëndroi në resortin “Kep Merli” e që nga ajo kohë, personazhe të njohur si vajza e Presidentit të Bashkuara të Amerikës, Ivanka Trump apo edhe Mira Murati janë përfolur se kanë pushuar aty, ndërsa gjiri i Ksamilit është cilësuar nga shumë si një prej më të bukurve në vend, shpesh i krahasuar me “Maldivet Shqiptare”.

Pavarësisht luksit që gëzojnë personazhet e famshëm dhe privatësisë që ofron resorti me 63 vila, dokumentet tregojnë një realitet tjetër.

Banorët e Manastirit nuk janë të vetmit që ndihen të “kërcënuar” nga vendimet e gjykatave që njohin dhe u rikthejnë pronat me dokumente të kontestueshme.

Projekti i vlerësuar nga qeveria si “investim strategjik” në turizëm, rezulton të ketë mbivendosje me pronat e rikthyera të trashëgimtarëve të Isuf Çoçolit.

Për këto prona, Avokatura e Shtetit ka ngritur një sërë pikëpyetjesh për ligjshmërinë e akteve, nëpërmjet të cilave ndër vite janë dhënë vendime nga zyrat lokale për kthimin dhe kompensimin e pronave, të cilat më pas janë ligjëruar me vendime gjykate.

Dokumentet tregojnë se gjiri ku është miratuar leja e ndërtimit, në maj të vitit 2005 ishte pronë shtetërore, ndaj kompanisë iu dha statusi “person i stimuluar”.

Ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2009, për “rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat e zhvillimit të turizmit”, i dhanë të drejtë subjekteve që kishin këtë status të kalonin pronësinë dhe të privatizonin truallin me të cilin më herët kishin nënshkruar marrëveshje me shtetin shqiptar. Kjo e drejtë parashikohet edhe në rastin kur mbi truallin zonë e stimuluar ka pronarë të cilët janë njohur si të tillë pas vendimit të dhënies së statusit “person i stimuluar”.

Shoqëria që qëndron pas resortit turistik “Kep Merlit” aplikoi për privatizimin e truallit ku ishte ngritur resorti, ku sipas vendimeve gjyqësore, një sipërfaqe prej 210.469 m² i ishte njohur trashëgimtarëve Çoçoli.

Një vendim qeverisë Rama dhënë më 2015 hapi rrugën privatizimit të pronës duke miratuar edhe shpronësimin e trashëgimtarëve të Isuf Çoçolit për këtë sipërfaqe.

Por, pavarësisht vendimit te qeverisë, procesi u ndërpre papritur. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezulloi procedurën e privatizimit pa dhënë asnjë shpjegim zyrtar.

Në 2021 kur ASHK vijoi me lëshimin e faturës për blerjen e tokës u konstatua se kishte pasaktësi në mënyrën e llogaritjes se çmimit dhe në rilevimin topografik të zonës, pa-saktësi këto të konstatuara edhe nga Drejtoria e Apelimit dhe Bashkëqeverisjes.

Në tetor të 2021 një vendim i dalë nga ky institucion urdhëron ASHK-në të përmirësojë regjistrin kadastral dhe të vijojë procedurat e kalimit të pronësisë, por nuk është ekzekutuar nga kadastra lokale.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) nuk iu përgjigj kërkesave për koment mbi gjetjet e “shteg.org” lidhur me çështjet e regjistrimit të pasurive në Ksamil.

Ndërkohë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, e cila në shtator të vitit 2019 i akordoi kompanisë statusin e investitorit strategjik për realizimin e projektit “Kep Merli Eco Resort”, me një vlerë të parashikuar prej 78 milionë euro dhe një sipërfaqe prej 250 mijë metrash katrorë, sqaroi për “shteg.org” se kompetencat për çështjet e regjistrimin e pasurisë i përkasin ASHK-së, bazuar në legjislacionin në fuqi.

Nga ana tjetër, përfaqësues të shoqërisë zhvilluese deklaruan se statusi i investitorit strategjik ka qenë më shumë formal sesa funksional.

“Procedura e dhënies së statusit të investitorit strategjik nuk ka qenë as efektive dhe as funksionale në praktikë për një projekt të përmasave dhe kompleksitetit të ‘Kep Merli’. Ai është trajtuar më tepër si një formulë teorike në letër sesa si një mekanizëm real dhe i zbatueshëm që ofron përfitime konkrete, mbështetje institucionale apo përshpejtim të proceseve administrative,” – u shpreh kompania për “shteg.org”.

Ligji për investimet strategjike, i miratuar nga Kuvendi në vitin 2015, synonte të nxitë investimet në turizëm dhe sektorë të tjerë të prioritarë për zhvillimin ekonomik.

Çdo investim mbi 5 milionë euro, që krijon të paktën 80 vende pune, përfiton këtë status dhe përfshin mbështetje infrastrukturore nga shteti, si lidhje energjetike, ujësjellës, kanalizime dhe rrugë.

Të dhënat tregojnë se përfitimet më të mëdha nga këto procedura të thjeshtuara dhe të përshpejtuara i kanë marrë një grusht biznesmenësh vendas.

Fillimisht, afati për aplikim për statusin përfundonte në dhjetor 2018, por është shtyrë disa herë.

Në mars 2024, afati u shty sërish deri më 31 dhjetor, mes debateve të forta politike dhe mungesës së kuorumit parlamentar.

Një studim i organizatës “Qëndresa Qytetare” në vitin 2021 tregoi se shumica e investimeve të miratuara ishin vendase, të fokusuara në sektorin e ndërtimit dhe turizmit, ndërsa transparenca dhe përfshirja e komuniteteve lokale ka qenë thuajse inekzistente.

Ekspertë dhe përfaqësues të opozitës e kanë kritikuar ligjin si mjet që lehtëson shpronësimet dhe krijon presion ndaj pronarëve legjitimë, duke favorizuar kompani të lidhura me interesat qeveritare.

Për më tepër, kritikohet fakti që ligji ndërhyn në marrëdhëniet mes pronarëve privatë dhe investitorëve, duke ushtruar presion mbi pronarët për të pranuar marrëveshje, pasi në të kundërtën, shteti mund të ndërhyjë me shpronësime, shpesh për një vlerë më të ulët sesa ajo e tregut.

Një pronë fantazmë në zemër të Ksamilit

Ndërsa banorët e Manastirit përballen me vendime të diskutueshme që u rrezikojnë pronat, një tjetër histori në Ksamil hedh dritë mbi mënyrën se si prona publike është përvetësuar përmes dokumentesh të dyshimta, aktesh noteriale dhe vendimesh gjyqësore të kontestuara.

Në maj të vitit 2006, një shtetas me emrin Rebani Bocai i dha Kryegjyshatës Botërore Bektashiane një shumë prej 2 miliardë lekësh për të blerë një pronë në Ksamil që, sipas pretendimeve të kryegjyshatës, i përkiste asaj. Në kontratën e nënshkruar mes tij dhe Komitetit Bektashian, përfaqësuar nga Baba Besnik Fekushi, thuhet se pagesa u krye jashtë zyrës noteriale. Vetëm tre muaj më vonë, Bocai nënshkroi një kontratë të dytë, kësaj here marrëveshje qiraje për të njëjtën pronë, me vlerë 100 mijë dollarë për një afat 99-vjeçar, që do të paguhej në dy këste.

Bëhej fjalë për një sipërfaqe prej 137 hektarësh kullotë në Ksamil, një tokë dikur e përbashkët mes familjeve të mëdha gjirokastrite dhe institucioneve fetare, siç është “Teqeja e Zallit”. Secili prej tyre kishte një pjesë të caktuar të kësaj pasurie virtuale. Fjala vjen “Teqeja e Zallit” kishte 6/96 dikush tjetër 2/96 e kështu me radhë. Ata merrnin të ardhurat nga administrimi i këtyre kullotave të cilat ende nuk kishin kufij në terren, por vetëm sipërfaqe virtuale.

Në korrik të vitit 2006, një vendim i Gjykatës së Sarandës e njohu pronën në fjalë si pronësi të Teqesë, bazuar në një “zotim” të vitit 1927 sipas të cilit sipërfaqja ishte blerë nga Zylejha dhe Hanëme Riza Çoçoli.

Pavarësisht se dokumentet e zyrave të pronave përfshinin plot 8 vendime kontradiktore, prona në vitin 2009 u regjistrua përfundimisht në emër të Kryegjyshatës Bektashiane.

Pas regjistrimit, prona u nda dhe një pjesë e saj, rreth 250.000 m², përfundoi në duart e Rebani Bocait. Aty nisi një seri shitjesh me ritëm të shpejtë: toka kalonte nga një emër në tjetrin, përmes kontratave, garancive bankare, noterëve dhe regjistrimeve zyrtare.

Pjesë të pronës iu shitën shoqërisë “Dola” sh.p.k., “Ksamil Investment”, u përdorën për garanci në Union Bank, kaluan në pronësi të bankës Credins dhe madje përfunduan edhe tek përmbarues privatë.

Emra të tjerë si Bujar Nurka, Shkëlqim Beshiri, Rahman Selmanllari, Erion dhe Dashnor Cenokaci dolën si pronarët e radhës të tokës që fillimisht nuk ekzistonte.

Sipas një vendimi të vitit 2012, edhe vetë Bocait iu shpronësua një pjesë e tokës, që më pas kaloi në emër të palëve të tjera.

Banorët që jetonin në ato troje, shpesh pa dokumente, nisën të merrnin njoftime qiraje nga persona të panjohur. Disa protestuan, të tjerë u ankuan në komuna, shumë heshtën.

Komuna e Ksamilit nisi një betejë ligjore, kërkoi pavlefshmërinë e vendimit nr. 188, nisi kallëzim penal dhe përmes një relacioni drejtuar KLD-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë, pretendoi se toka ishte publike, se dokumentet ishin false dhe vendimet ishin marrë në shkelje të çdo ligji.

Petrit Aliaj ishte gjyqtari që gjatë viteve 2006–2009 firmosi katër vendime që e njohën tokën si pronë të Kryegjyshatës. Vendimet e tij filluan me një sipërfaqe të vogël, por përmes interpretimesh gjyqësore dhe pa asnjë hetim të thelluar mbi origjinën e dokumenteve, ai e zgjeroi pronën deri në 137.5 hektarë.

Pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në vitin 2013, Gjykata dënoi tre zyrtarë të AKKP-së Petraq Puleri (1 vit e 6 muaj burg), Besnik Dine dhe Emiljana Pandazo (me nga 6 muaj) për shpërdorim detyre.

Edhe pse çështja penale provoi se prona ishte përfituar përmes dokumenteve të falsifikuara, vendimi i kthimit të pronës nuk u shfuqizua.

Përpjekjet e dështuara të qeverisë

Në kuadër të nismave për të ndalur abuzimin me tokat publike, qeveria “Rama” ngriti një task-forcë për verifikimin e vendimeve të dyshimta. Por prona e përfituar nga Kryegjyshata mbeti e paprekur.

As konkluzionet e grupit të punës të drejtuar nga Kryeministri nuk mjaftuan për të rrëzuar zinxhirin e falsifikimeve që qëndronte në bazë të pronësisë.

Më 30 maj 2018, Gjykata e Sarandës, me trup gjykues të përbërë nga Pëllumb Vehbi, Pashk Gjaci dhe Sokol Pina, rrëzoi padinë e ngritur nga Këshilli i Ministrave ndaj Kryegjyshatës.

Avokatura e Shtetit solli prova që tregonin se dokumenti i vitit 1927, mbi të cilin bazohej pronësia, ishte fals. Në të thuhej se toka ishte blerë nga dy vajzat e Riza Çoçolit, Zylejha dhe Hanëme.

Por një verifikim në regjistrat civilë vërtetoi se Çoçoli kishte vetëm një vajzë dhe një djalë, Selfo Çoçoli. Personazhet e aktit noterial rezultonin të sajuar.

Megjithatë, gjykata refuzoi të marrë në shqyrtim vërtetësinë e dokumentit, duke argumentuar se “njohja e pavërtetësisë së këtij dokumenti nuk është objekt i drejtpërdrejtë i këtij gjykimi.” një dokument i lëshuar nga Zyra e Hipotekës në Delvinë në vitin 1996, që i njihte pronësinë Kryegjyshatës, nuk ekziston më.

ZVRPP Sarandë konfirmoi se nuk figuron në asnjë inventar dhe nuk gjendet në librat hipotekorë.

Gjykata e justifikoi këtë mungesë duke cituar djegien e arkivit të Hipotekës së Delvinës gjatë trazirave të vitit 1997 dhe e quajti të pabazuar çdo pretendim për falsifikim.

“Gabimet e nëpunësve nuk mund të interpretohen si falsifikim. Mungesa e dokumenteve nuk është provë për pavlefshmëri,” thuhet në vendim.

Aktualisht, çështja ndodhet në Gjykatën e Apelit në Gjirokastër, ku Avokatura e Shtetit ka paraqitur ankim.

Ndërkohë, banorët e zonës që jetojnë në tokat e pretenduara nga Kryegjyshata janë të përfshirë në procese të ndara për të mbrojtur pronat e tyre. Por mungesa e një regjistri të qartë gjyqësor, mbivendosja e titujve dhe precedentët kontradiktorë e bëjnë pothuajse të pamundur ndjekjen e plotë të të gjithë çështjes.

Institucionet heshtin, ndërsa një pronë publike është ndarë, shitur dhe kthyer në një pasuri me pronësi të diskutueshme që sfidon çdo koncept të shtetit ligjor.

Nga një vend i ngritur me punë vullnetare në vitet ’80, Ksamili sot është kthyer në një qendër kaotike, ku ligji, pronësia dhe interesi publik janë deformuar nga abuzimi, korrupsioni dhe marrëveshjet në prapaskenë.

Qyteza e dikurshme është sot një makth për të gjithë: për ata që kanë zaptuar, për ata që janë mashtruar, për ish-pronarët që kanë mashtruar dhe janë mashtruar, dhe për turistët që në vend të “Maldivëve të Evropës” gjejnë një fshat ku krimi i organizuar dhe interesat politike kanë lënë vulën e tyre të shëmtisë./Shteg.org

The post Zhvatja e pronave në Ksamil, ana e errët e “Maldiveve të Evropës” appeared first on Lapsi.al.

  •  

Masa e arrestit/ Sa shpresë ka Veliaj të dalë nga burgu?

Yjet nuk duket se janë rreshtuar për ti dhënë fat Erion Veliajt. Ndërsa në 8 korrik kryebashkiaku në detyrë pret me ankth nëse mund të lirohet nga Gjykata e Lartë, ai po merr një sërë goditjesh nga kryeministri dhe partia e tij.

Mundësia për zgjedhje të parakohshme në Tiranë, Rama: Nuk i dihet si shkon kjo punë

Pak ditë më parë Rama u tha socialistëve “nuk dihet si do të shkojë kjo punë”, duke iu referuar prosesit për masën e arrestit. Paralelisht me këtë parashikim të pashpresë kryeministri shtoi dhe me tej izolimin politik të Lalit, duke caktuar disa nga ministrat e tij të marrin në dorë bashkinë.

Pra sot, Erion Veliaj ka mbetur vetëm formalisht kryetar dhe dhe ky është një sinjal i qartë për gjykatësit se ai nuk ka më mbrojtje politike.

Veliaj ka kërkuar prej kohësh në të gjitha shkallët e sistemit zbutjen e masës së arresit. Madje në bisedat që u publikuan nga përgjimet që i kishte bërë SPAK në qeli, ai dëgjohej të thoshte se shpresat për lirim duheshin pritur nga Gjykata e Lartë.

Andi Bushati: Çfarë tregon për 11 majin, vrasja e superman-it Veliaj 

Por përveç sinjalit politik të shitjes së ish delfinit të tij që ka dhënë vetë Rama, shpresat për Veliajn janë bërë edhe më të vogla nga mënyra se si trupi gjykues që do të fillojë këtë të martë

gjykimkn e tij është sjellë me shqyrtimin e kërkesave për zbutjen e masës së arrestit

Së pari, ky institucion i ka lënë në fuqi gjithë masat e arresteve të marra nga shkallët më të ulta për politikanët e lartë të rangut të Veliajt. Së dyti, në trupin gjykues të përbërë nga Medi Bici dhe Sokol Binaj, relatore e çështjes është caktuar shkodranja 50 vjeçare, Albana Boksi. Në një thellim që Lapsi.al ka bërë në vendimet që ajo ka dhënë me parë, nuk shihet asnjë dritë shprese për Erion Veliajn.

Kështu znj. Boksi, që ka shërbyer më parë në GJKKO, ka qenë prezente edhe në shqyrtimin e masës së arrestit për Ilir Metën, në shkurt 2024, i cili kërkonte lirimin nga burgu me pretendimin se është kryetar partie dhe se një gjë e tillë e pengon në kryerjen e funksionit të tij publik. Por, Albana Boksi që do të jetë në gjyqin e 8 korrikut relatore dhe Medi Bici, që do të jetë anëtar, në procesin e Metës mbajtën qëndrimin se “interesi publik dhe ruajtja e procedurës ligjore qëndron më sipër sesa ndikimi politik”. Sikurse shihet për të dy këta gjyqtarë do jetë e vështirë të thonë se fakti që Veliaj është kryebashkiak mund të përbëjë një faktor lehtësues.

Po kjo dyshe gjyqtarësh kanë hedhur poshtë edhe kërkesën për të zbutur burgimin me arrest në shtëpi për ish ministrin Lefter Koka.

Në mars- prill 2022 ata nuk i vlerësuan as pretendimet personale dhe as ato politike të ish minisrit të akuzuar në aferën e inceneratorëve, madje shtuan se lirimi i tij mund të shkaktonte përsëritjen e veprave që kishte kryer.

Pra, dy nga tre gjyqtarët që do të japin verdiktin në procesin që nis këtë 8 korrik kanë tashmë një parktikë të konsoliduar për t’iu bindur kërkesave të SPAK për masën e arrestit.

E vetmja shpresë për Lalin do të kish qenë ajo e ndryshimit të precedentëve të tyre nëpërmjet trysnisë mediatiko politike. Pikërisht për këtë njerëzit e tij të afërt kanë paguar dy studio lobuese ndërkombëtare, atë britanike “Mishcon de Reya LLP” dhe atë amerikane “Kasoëitz LLP”, të cilat publikuan një raport ku pretendojnë se ai po mbahet në burg në mënyrë të padrejtë.

Raporti, i cili niste me një citim të Alistair Campbell – ish-këshilltar për mediat i ish-kryeministrit britanik Tony Blair dhe i atij shqiptar Edi Rama, pretendon se mbajtja në paraburgim e Veliajt shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“SPAK e ka arrestuar kryetarin e Bashkisë Veliaj pa ngritur asnjë akuzë, në kushte që e kanë penguar atë të ushtrojë mandatin si kryetar bashkie dhe të përmbushë detyrimet e tij gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025,” deklaruan Mishcon de Reya LLP dhe Kasoëitz LLP në një njoftim për shtyp.

Por ky lloj presioni mund të merrte një farë vlere nëse ai do të bashkërendohej edhe me mbështetje politike.  Por që kur Veliaj ra në burg ai ngjan se është shitur nga Rama. Leja e Ministrisë së drejtësisë për ta përgjuar në qeli, zhveshja nga çdo kompetencë në bashki duke eleminuar besnikët e ish kryetarit, përjashtimi i gjithë deputetëve pro tij nga një mandat në parlamentin e ri, janë sinjale të qarta.

Rama e ka haruar dhe teatrin mbrojtës të ditëve të para dhe duket se e ka braktisur Lalin në fatin e vet. Shprehja e fundit “nuk dihet si do shkojë kjo punë”, ndoshtë është edhe më e rëndësishme për të ardhmen e Veliajt edhe sesa vetë precedentët e gjyqtarëve që do të gjykojnë masën e arrestit ndaj tij.

©Lapsi.al

The post Masa e arrestit/ Sa shpresë ka Veliaj të dalë nga burgu? appeared first on Lapsi.al.

  •  

Revista amerikane: Shqipëria në shitje dhe tregtari Jared Kushner

Artikulli me titull “Shqipëria në shitje, po blen Jared Kushner” është përkthyer nga revista amerikane Jacobin, një platformë progresiste e së majtës demokratike, e cila njihet për analizat e saj të angazhuara mbi kapitalizmin global, pushtetin politik dhe ndikimet e elitave ekonomike në vendet e brishta. Jacobin nuk është një burim neutral — është një zë ideologjik, por i artikuluar dhe i informuar, që sjell shpesh këndvështrime të munguara në median tradicionale.

Në qendër të shkrimit që pason është projekti luksoz i Jared Kushner në ishullin e Sazanit, një investim i prezantuar publikisht si “shans zhvillimi” për Shqipërinë, por që autori Matt Broomfield e sheh si pjesë të një loje më të madhe gjeopolitike, ku sovraniteti dhe pasuritë natyrore shqiptare po shiten lirë për interesa politike dhe financiare.

Shkrimi hedh dritë jo vetëm mbi mekanizmat ligjorë të anashkaluar për t’u shërbyer investitorëve të privilegjuar, por edhe tek një varfëri “e planifikuar”, ku dallohen banorë që, të lënë në harresë nga shteti për vite me radhë, janë nxitur të shesin tokën për çmime qesharake, ndërsa në sfond ngrihen pista avionësh dhe resortet që nuk do t’i përfshijnë më.

Ndërthurja e Kushnerit me qeverinë Rama shfaqet në artikull si një akuzë e gjerë kundër mënyrës se si qeveritë përdorin varfërinë si armë dhe tokën si monedhë shkëmbimi në tregun global të aleancave dhe propagandës.

Më poshtë shkrimi i plotë: 

Pasi dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, vulosi një investim prej 1.4 miliardë dollarësh për të zhvilluar Sazanin, ishullin më të madh të Shqipërisë, në një vendpushim luksoz, ai shpërndau maketet dixhitale të rezervatit natyror të transformuar me radhë apartamentesh me fasada xhami dhe pishina pa fund. Imazhet të kujtojnë vizionin e çuditshëm të Trump, të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, për një “Riviera të Gazës”, duke projektuar një vendpushim luksoz të ndërtuar në tokën e lënë pas nga 80 mijë palestinezë të masakruar dhe 2 milionë të zhvendosur ose të deportuar.

Megjithatë, të dy projektet janë të lidhura nga më shumë sesa vizione të ngjashme pa shije luksi. Affinity Partners, mjeti i investimit përmes të cilit Kushner po blen Sazanin, u krijua për të përdorur paratë saudite për të ndërthurur investimet midis Izraelit dhe botës arabe. Dhe Shqipëria, një vend i varfër evropian me një identitet mysliman dhe një uri për integrimin perëndimor, është një pjesë kyçe e enigmës.

Siç sugjeron mega-projekti i Sazanit, sovraniteti dhe besnikëria gjeopolitike e Shqipërisë janë gjithnjë e më shumë në shitje dhe Izraeli është i pari në radhë pas Kushnerit. Duke ofruar hapësirë jo vetëm për zhvillimin e Sazanit, por edhe për kopshte, qendra shëndetësore dhe projekte të inteligjencës artificiale të sponsorizuara nga Izraeli, militantë të opozitës iraniane të lidhur me Izraelin, dhe madje edhe një mikroshtet mysliman pro-izraelit i hedhur në diskutim, kryeministri shqiptar Edi Rama po e pozicionon vendin e tij si një pikë të rëndësishme për një konstelacion në zhvillim të populistëve të krahut të djathtë dhe apologjetëve të Izraelit.

“Ata vijnë me helikopter”

Mbërrita në Sazan disa orë pasi Kushner dhe gruaja e tij Ivanka Trump kishin bërë vizitën e tyre të fundit të jashtëzakonshme. “Ata erdhën me një eskortë të madhe ushtarake dhe anijet tona duhej të qëndronin larg”, – thotë Arbeni, një vendas i ri që rri ulur në skelën e ishullit dhe i cili jeton duke organizuar udhëtime me anije nga Vlora. “Ata nuk na konsultuan, sigurisht. Një ditë kryeministri ynë doli në TV dhe na tha se ishulli ishte shitur.”

Ishulli krenohet me një klimë subtropikale, ujëra kristalore, një mbulesë të harlisur me fier dhe mijëra bunkerë të epokës së Luftës së Ftohtë, që datojnë nga diktatura komuniste ultra e izoluar e Enver Hoxhës. Sot, pjesa më e madhe e ishullit mbetet e ndaluar për publikun dhe e mbushur me municione të pashpërthyera, ndërsa një luftanije e vogël e marinës qëndron në port. Ishulli mbeti në duart e shtetit deri në shitjen e tij në vitin 2024 te Kushner, me qeverinë shqiptare që ndryshoi me shpejtësi ligjet e saj për të lejuar zhvillime luksoze edhe në zonat e mbrojtura.

“Nëse je një “investitor strategjik”, – mund ta shkelësh ligjin, sepse qeveria jonë nuk është gjë tjetër veçse mafioze”, – thotë Kosta Xhaho, oficer lokal për një OJQ mjedisore, duke iu referuar këtij boshllëku të përshtatshëm. Duke e ëmbëlsuar më tej marrëveshjen, Affinity Partners i Kushnerit nuk do të paguajë asnjë taksë gjatë ndërtimit, ndërsa qeveria shqiptare do të mbështesë kostot e infrastrukturës.

Projekti i ndërtimit shtrihet edhe në kontinent. Në agim, unë dhe Xhaho udhëtuam nga Vlora në një rezervat natyror fqinj ku Vjosa, e trumbetuar si lumi i fundit vërtet “i egër” i Evropës, derdhet në Adriatik. Delta ka një bukuri sureale. Flamingot flenë në kënetat e kripura ndërsa pelikanët fluturojnë sipër, ndërsa foka, çakej dhe breshka të mbrojtura gjenden gjithashtu në këtë pjesë të rrallë të pazhvilluar të bregdetit Adriatik. Xhaho e njeh qartë rezervatin nga afër – ai tregon saktësisht 281 vezë flamingo të vendosura në një pjesë të caktuar të deltës, së bashku me individë të njohur personalisht prej tij.

Por, megjithëse Vjosa u bë Parku i parë Kombëtar i Lumit të vetëm të Egër në Evropë vetëm në vitin 2023, zhvillimi paralel i Kushner këtu do të zhdukë vezët e flamingove dhe po ashtu edhe kasollet buzë detit. Dhoma për rreth 20 deri në 30 mijë turistë do të mbulojnë lagunat, së bashku me një kazino në kep të Monte Karlos. Aty pranë, ndërtimi është drejt përfundimit të asaj që Rama pretendon se do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan, duke përpunuar 705 mijë vizitorë çdo vit dhe madje duke u mburrur me fluturime direkte për në Shtetet e Bashkuara. Xhaho paralajmëron se trafiku ajror hyrës do të prishë jetën e pasur të shpendëve të rajonit, por pranon se këto ankesa nuk ka gjasa t’i dekurajojnë investitorët: “[Kushner dhe Trump] vijnë me helikopter dhe ikin përsëri në të njëjtën mënyrë, sepse nuk duan të luftojnë me njerëzit e zakonshëm”, thotë ai.

“Bum turizmi”, po për kë?

Turizmi është kuptueshëm një biznes i madh në Shqipërinë post-komuniste, e cila tërhoqi gati 12 milionë vizitorë në vitin 2024 – 4 herë më shumë se popullsia e saj vendase. Investimet e diasporës janë rikthyer, duke e bërë Rivierën Shqiptare dikur të paprekur, të mbytet me zhvillime gjysma hotelesh dhe baresh plazhi të privatizuara. Sigurisht që ka para për të fituar, megjithëse korrupsioni dhe pastrimi i parave mbeten të përhapura dhe kostoja e jetesës është gjithnjë e më e pamundur. Kjo situatë e lë shumicën e vendasve të varur nga një kombinim i dërgesave nga të afërmit jashtë vendit dhe sezonit turistik të verës. Për Xhahon, “gjatë 10 viteve të fundit, Shqipëria ndryshoi plotësisht – por ndryshoi më shumë nga [në terma] betoni sesa në një mënyrë pozitive.”

Disa vendas padyshim do të përfitojnë nga investimi i Kushnerit. Kapiteni i anijes dhe guida turistike, Arbri, i cili thotë se ka shoqëruar delegatët nga organizata e investimeve të Kushnerit në Sazan, përsërit të njëjtin pretendim, por në një dritë pozitive. “Krahasuar me 10 vjet më parë, vendi ynë është tashmë i panjohur” – thotë ai, duke pirë një kafe jashtë një manastiri ishullor brenda zonës së propozuar të zhvillimit. “Tani [Rama] po e çon atë në nivelin tjetër… Kjo zonë ishte bosh, kështu që një investim i mirë po vjen këtu.”

Fshatrat kënetore brenda Deltës së Vjosës, ku pulat ende vrapojnë në rrugë edhe teksa kulla e kontrollit të aeroportit ngrihet sipër, janë një botë larg vizionit të Kushnerit. Xhaho argumenton se qeveria qëllimisht e vuri zonën në shënjestër për zhvillim pavarësisht mbrojtjes së saj formale, duke ditur se vendasit e varfër dhe të moshuar nuk do të kishin gjasa ta kundërshtonin planin: “Qeveria i neglizhoi këto fshatra për vite me radhë, pa energji elektrike ose ujë; dhe kështu vendasit shitën tokën e tyre për 15 euro për metër katror, ndërsa mendonin se mund të bënin parkingje makinash e kështu me radhë. Por tani toka është e mbyllur dhe ata do të duhet të largohen”. Një bari i moshuar në fshatin fqinj gabimisht besoi se do të ishte në gjendje të kulloste kopenë e tij në pistën e aeroportit, por në vend të kësaj po largohet.

Nga ana e tij, Xhaho thotë se OJQ-ja e tij nuk është kundër zhvillimit dhe pranisë njerëzore brenda deltës në vetvete: “Babai im ishte peshkatar këtu për 35 vjet, derisa u bë një zonë e mbrojtur. Ata e mbrojtën vetë, nga zjarret dhe nga erozioni i tokë”. Por ai beson se zhvillimet e reja do të jenë vendpushime me paketa turistike të izoluara, duke ofruar mundësi të kufizuara punësimi, ndërsa i çojnë çmimet në nivele gjithnjë e më të papërballueshme dhe duke shkatërruar në mënyrë të shkurtër burimet natyrore të brishta që janë burimi përfundimtar i të gjithë interesit turistik.

Affinity — dhe Përtej

Fshatrat e qeta dhe vendet e vëzhgimit të zogjve të Deltës së Vjosës duken si një botë larg tmerreve të Rripit të Gazës. Megjithatë, edhe ky zhvillim përshtatet në vizionin e Trump për rajonin strategjik të Mesdheut Lindor, nga Vlora përtej qindra miljeve oqean deri në Qytetin e Gazës.

Ishte Kushner ai që hodhi idenë e pamundur të zhvillimit të “pronës shumë të vlefshme… bregdetare” të një Gaze të pastruar etnikisht, pas deportimit të banorëve të saj të mbijetuar. Affinity Partners, e cila ka marrë miliarda nga sauditët, Katari dhe Abu Dhabi, dhe tashmë po investon masivisht në Bregun Perëndimor të pushtuar, mund ta trajtojë Sazanin si një vend të papërshtatshëm për planet e saj në një Gazë të administruar nga Izraeli pas gjenocidit. Shtypi izraelit madje përshkroi shkurtimisht se 10 mijë banorë të Gazës do të zhvendoseshin në Shqipëri.

Rama e mohoi këtë, por sipas thashethemeve, ai e ka vendosur vazhdimisht vendin e tij si një aleat të rëndësishëm të Izraelit në botën myslimane përgjithësisht armiqësore, duke hedhur poshtë karakterizimin e regjimit të Hoxhës për Izraelin, në stilin iranian, si “Satani i vogël”, ndërsa luan me trashëgiminë krenare të Shqipërisë për mbrojtjen e refugjatëve hebrenj gjatë Holokaustit.

“Shqipëria tradicionalisht ka qenë një mbështetëse e padiskutueshme e politikës së jashtme të SHBA-së në administrata të ndryshme”, – thotë Alfred Bushi, një aktivist i “Lëvizjes Bashkë” e opozitës së krahut të majtë të Shqipërisë, duke e cilësuar refuzimin e qeverisë për të votuar për një armëpushim në Gaza në OKB si një “njollë turpi për vendin”. Si falënderim për këtë mbështetje të palëkundur, Rama kohët e fundit mori çmimin më të lartë civil të Izraelit. Kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, është një oficer i IDF-së, i cili është parë duke udhëhequr trupat në lutje, duke festuar shkatërrimin e Gazës.

Aty ku portet e tjera kanë refuzuar të trajtojnë pajisje ushtarake izraelite, bregdeti shqiptar ka mbetur i hapur për biznes. Ky vend i vogël është furnizuesi i katërt më i madh në botë i naftës thelbësore për Izraelin. Të dy vendet kanë thelluar lidhjet e eksportit të sigurisë kibernetike dhe mbrojtjes. Projekte si investimi i ambasadës izraelite në një kopsht lokal, ose Java e Kulturës Izraelite në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, shërbejnë më tej për të zbardhur gjenocidin izraelit në Gaza. Fluturimet e reja direkte midis Tiranës dhe Tel Avivit, plus dy muze të rinj që festojnë trashëgiminë hebraike të Shqipërisë, parashikohet të rrisin më tej lidhjet turistike midis dy vendeve.

“Kur Izraeli është i përfshirë në një kopsht, në një spital, në projekte mbrojtjeje dhe inteligjence artificiale, atëherë kjo më shqetëson thellësisht, si një shqiptare”, – thotë aktivistja lokale Fioralba Duma, e cila ka bërë fushatë kundër ndikimit izraelit në Shqipëri. “Është një politikë e rrezikshme, që fsheh interesat e të tjerëve.”
Kompleksi i Kultit dhe Mikroshteti Pro-Izrael

Një aspekt veçanërisht i habitshëm i këtij bashkëpunimi është oferta e Ramës për territorin shqiptar për të shërbyer si një pikë referimi perëndimore kundër Iranit. Gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka pritur disa mijëra anëtarë të Organizatës Popullore Muxhahedine të Iranit (MEK), një fraksion i çuditshëm opozitar i cili ka dekada të tëra në mërgim, duke u bërë gjithnjë e më i pafuqishëm, paranojak dhe i izoluar nga realitetet e Iranit bashkëkohor. Nga viti 2013 deri në vitin 2016, Shtetet e Bashkuara transferuan anëtarët e MEK-ut nga një kompleks i mbyllur në Irak në një tjetër në bregdetin shqiptar, ku ata vizitohen herë pas here nga figura të larta të sigurisë dhe politike të SHBA-së, përfshirë ata rreth administratës Trump, të cilët vazhdojnë ta përgatisin grupin për veprime ushtarake në Iran. (Në vitin 2022, Shqipëria dëboi të gjithë ambasadën iraniane pasi kjo e fundit dyshohet se nisi sulme të shumta kibernetike kundër vendit ballkanik.)

I pakënaqur me këtë gjest të jashtëzakonshëm vullneti të mirë, në vitin 2024 Rama e tejkaloi veten duke premtuar të krijojë një mikroshtet mysliman të pavarur dhe pro-izraelit. Urdhri i lashtë fetar mysliman bektashi mbështetet në traditat sunite dhe shiite, ka miliona ndjekës të përqendruar në Turqi dhe selinë e ka në Shqipëri. Të bindur nga Shtetet e Bashkuara, udhëheqësit bektashi janë larguar nga një marrëdhënie e mëparshme me Teheranin dhe janë afruar gjithnjë e më shumë me sferën e ndikimit izraelit. Vizita të ndërsjella, shkëmbime çmimesh, deklarata bektashiane në mbështetje të Izraelit dhe biseda për projekte të përbashkëta ekonomike kanë pasuar, të gjitha, duke kulmuar kur grupi mysliman priti ngrohtësisht Presidentin izraelit Isaac Herzog si mysafir në kulmin e gjenocidit.

Si shpërblim, Rama deklaroi në mënyrë të njëanshme krijimin e pamundur të asaj që do të ishte shteti më i vogël në botë, i modeluar sipas Qytetit të Vatikanit dhe i vendosur fizikisht në selinë e bektashinjve në Tiranë. “Krijimi i shtetit është shumë problematik në të drejtën ndërkombëtare”, – thotë aktivistja Duma. “Vetëm imagjinoni – ushtarët izraelitë të kërkuar për krime gjenocidi mund të udhëtojnë atje dhe të jenë të sigurt nga ekstradimi”. Cilido qoftë rezultati përfundimtar, Tel Avivi do të vazhdojë të përfitojë, pasi udhëheqësit bektashinj refuzojnë me kokëfortësi të dënojnë gjenocidin në Gaza dhe bëjnë paraqitje të vazhdueshme së bashku me Kaplanin, rabinin shqiptar dhe mbështetësin e IDF.
Sovraniteti në shitje

Qoftë shteti bektashi, kompleksi MEK, apo ishulli i Sazanit, sovraniteti dhe territori shqiptar janë në dispozicion. Kohët e fundit Rama arriti fitoren e tij të katërt radhazi zgjedhore, duke hedhur poshtë akuzat e opozitës për keqmenaxhim zgjedhor, bazuar në premtimet e mëdha për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 dhe integrim të mëtejshëm me Perëndimin.

Praktikisht, kjo do të thotë nxitje e marrëdhënieve të ngrohta me Trump dhe Netanyahu, por edhe me figura, përfshirë italianen Giorgia Meloni, e cila sapo ka ndërmjetësuar një marrëveshje të diskutueshme prej 653 milionë dollarësh për të ngritur qendra ndalimi për emigrantët në tokën shqiptare. Marrëveshje të ngjashme janë duke u zhvilluar në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Veçanërisht, Affinity Partners i Kushner është njëkohësisht i angazhuar në një projekt jo më pak të diskutueshëm për të shndërruar një vend në qendër të Beogradit, i cili aktualisht përfshin një monument për viktimat e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Jugosllavisë, në një tjetër zhvillim luksoz prej 500 milionë dollarësh.

Në të gjithë Ballkanin, “integrimi” perëndimor që ofrohet përbën një rrjetë interesash biznesi që lidh udhëheqësit e fortë rajonalë me udhëheqësit globalë të populistëve të djathtë, ndërsa ata përfitojnë nga mundësitë e investimeve pa taksa ose blejnë ndikim gjeopolitik me çmim të lirë. Për Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë evropiane, “ajo që ka më shumë rëndësi sesa ekzistenca e një shteti demokratik të qeverisur nga sundimi i ligjit është një qeveri e nënshtruar [shqiptare] e gatshme t’u shërbejë interesave të tyre politike dhe ekonomike”, thotë Bushi.

Kur presidenti izraelit Herzog i dha Ramës çmimin më të lartë civil të Izraelit, ai pretendoi se mbështetja e palëkundur e Ramës përmblidhte vlerën shqiptare të “besës” – një kod nderi që thekson besnikërinë dhe mikpritjen ndaj të huajve. Asnjëri nuk kurseu asnjë mendim për palestinezët që po dëboheshin nga shtëpitë e tyre në atë moment.

*Autori është një gazetar i pavarur dhe studiues. Shkrimi është botuar në Jacobin.com që është një revistë e njohur amerikane me seli në Nju Jork që mbështet bindjet e majta. Shkrimi u përshtat në shqip nga LAPSI.al

The post Revista amerikane: Shqipëria në shitje dhe tregtari Jared Kushner appeared first on Lapsi.al.

  •  

Mes presionit të SHBA dhe Kinës, Bashkimi Europian më në vështirësi se kurrë

Në një botë ku aleancat e vjetra po testohen dhe fuqitë e mëdha po shkruajnë rregulla të reja, Bashkimi Europian ndodhet në një pozicion më të dobët se kurrë më parë: midis një Amerike gjithnjë e më proteksioniste dhe një Kine gjithnjë e më agresive ekonomikisht. Përballë tarifave të Trump dhe shantazhit tregtar të Pekinit, prestigjozja The New York Times analizon se Brukseli nuk ka më luksin të bëjë politikë të jashtme me parime; tani është koha e mbijetesës gjeopolitike.

The New York Times: 

Dikur dukej për shumëkënd sikur Presidenti Trump mund të ishte një arsye për Europën dhe Kinën që të afronin ekonomitë e tyre. Tarifat e planifikuara prej tij bënë pak për ta dalluar Bashkimin Europian, një aleat i vjetër i Shteteve të Bashkuara, nga Kina, sfiduesja kryesore e dominancës amerikane.

Nuk ka ndodhur ashtu. Përkundrazi, Bashkimi Europian e gjen veten në një grackë gjeopolitike midis dy ekonomive më të mëdha të botës.

Në Bruksel, zyrtarët po përpiqen të sigurojnë një marrëveshje të përafërt tregtare me homologët e tyre amerikanë përpara se Trump të godasë bllokun me tarifa të larta, të përgjithshme, që mund të trondisin ekonominë e BE-së.

Në të njëjtën kohë, politikëbërësit e Bashkimit Europian po përpiqen të nxisin homologët e tyre në Pekin që të ndalojnë së mbështeturi Rusinë, të ndalojnë së ndihmuari industrinë kineze me kaq shumë para shtetërore dhe të ngadalësojnë rrjedhën e mallrave të lira drejt Bashkimit Europian.

Lexo më tej: Çfarë do t’i bënte ekonomisë botërore një luftë tregtare midis SHBA-së dhe Kinës? 

Por, në një moment të trazuar të sistemit tregtar global, Bashkimi Europian gjithashtu ka nevojë ta mbajë marrëdhënien me Kinën, fuqinë më të madhe prodhuese në botë, në një bazë relativisht të qëndrueshme.

Udhëheqësit nga Bashkimi Europian pritet të jenë në Pekin për një samit në fund të korrikut. Shpresat për këtë mbledhje janë të ulëta.

Edhe pse Kina e shtyn idenë se armiqësia e Trump ndaj tregtisë multilaterale po e shtyn Europën në krahët e saj, problemet e Europës me Kinën vetëm sa po rriten.

“Nuk ka një kartë të Kinës për Europën,” tha Liana Fix, një hulumtuese për Europën në Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë.

(Kaja Kallas, nënkryetarja e Komisionit Evropian, dhe Wang Yi, ministri i jashtëm i Kinës, javën e kaluar në Bruksel)

Tensionet dolën plotësisht në pah javën e kaluar, kur Wang Yi, ministri i Jashtëm i Kinës, vizitoi Brukselin për takime në prag të samitit. Kina e përshkroi tonin si produktiv dhe hodhi poshtë idenë se dy palët kishin konflikte. Zyrtarët e Bashkimit Europian theksuan pikat e vazhdueshme që janë problem, përfshirë çekuilibrat tregtarë.

Ndarja u theksua edhe këtë fundjavë. Bashkimi Europian ka ndërmarrë së fundmi hapa për të kufizuar shpenzimet qeveritare për pajisje mjekësore nga Kina, duke argumentuar se agjencitë qeveritare kineze kanë trajtuar padrejtësisht kompanitë europiane dhe se ishte e nevojshme të barazohej fusha e lojës. Kina njoftoi të dielën se do të hakmerret.

Megjithatë, Bashkimi Europian mbetet në një vallëzim të brishtë me Kinën. Lidhjet ekonomike mes dy ekonomive janë të gjera. Shumë vende europiane mbeten thellësisht të varura nga Kina për materiale industriale. Dhe eksportet europiane drejt Kinës vazhdojnë të jenë të konsiderueshme, sidomos nga Gjermania, e cila ka pasur prej kohësh marrëdhënie të ngushta tregtare me Kinën.

Por eksportet e Europës janë në rënie, ndërkohë që importet kineze në bllok janë në rritje. Me produkte të lira nga gjigantët e ‘modës së shpejtë’ si Shein dhe Temu që përmbysin tregjet europiane, politikëbërësit po punojnë për të shtrënguar kufizimet ndaj këtyre importeve. Udhëheqësit europianë ankohen rregullisht se bankat shtetërore kineze subvencionojnë aq shumë prodhuesit vendas, saqë kompanitë europiane nuk mund të konkurrojnë.

Ankesat e Europës nuk kufizohen vetëm tek tregtia. Zyrtarët e Bashkimit Europian janë të zemëruar për mbështetjen që Kina i ka dhënë Rusisë gjatë luftës në Ukrainë, duke ofruar një treg për karburantin dhe produktet e tjera ruse, gjë që ka zbutur efektin e sanksioneve europiane.

(Pasojat e një sulmi me raketa ruse në Sloviansk të Ukrainës, muajin e kaluar. Zyrtarët e Bashkimit Evropian janë të zemëruar për mbështetjen e Kinës për Rusinë në luftën me Ukrainën)

Sipas ministrit të jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, qëllimi i Bashkimit Europian nuk mund të jetë shkëputja nga Kina. “Bëhet fjalë për t’u angazhuar në kushte më të barabarta dhe për të pasur një qasje më transaksionale,” tha ai, gjatë një konference me gazetarët të premten.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po tronditin sistemin global tregtar me synimin për të zvogëluar deficitin tregtar, për të rritur të ardhurat dhe për të rikthyer prodhimin vendas, Bashkimi Europian gjendet në një pozitë të vetmuar. Ai është një bllok prej 27 shtetesh që së bashku përbëjnë ekonominë e tretë më të madhe në botë. BE-ja u krijua për të nxitur tregtinë ndërkufitare dhe mbetet një mbrojtës i fuqishëm i tregtisë së lirë.

“Europa dëshiron t’i tregojë botës se tregtia e lirë me një numër të madh vendesh është e mundur mbi bazën e rregullave,” tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Europian, në një konferencë për shtyp muajin e kaluar.

BE-ja e ka thelluar tashmë bashkëpunimin tregtar me vende me qëndrime të ngjashme si Zvicra dhe Kanadaja. Zonja von der Leyen sugjeroi se mund të shkojë edhe më tej: të ndjekë një bashkëpunim të ri ndërmjet bllokut dhe një grupi tregtar prej 11 vendesh që përfshin Japoninë, Vietnamin dhe Australinë, por që nuk përfshin as Shtetet e Bashkuara dhe as Kinën.

Megjithatë, edhe pse zonja von der Leyen përpiqet të kalojë në ofensivë, zyrtarët e BE-së kanë kaluar muaj të tërë në një pozicion shumë më mbrojtës.

Kjo sepse, ndërsa Bashkimi Europian ka kritika për politikat që vijnë nga SHBA-ja dhe Kina, ai gjithashtu po goditet dhe po shqyhet mes të dyjave.

(Pako nga kompania “Shein” që presin të dërgohen në një fabrikë veshjesh në Guangzhou, Kinë, në shkurt)

Pavarësisht rezultatit të bisedimeve tregtare me administratën Trump, pritet që Bashkimi Europian të përfundojë me tarifa më të larta ndaj eksporteve të tij në Shtetet e Bashkuara sesa në fillim të vitit. Zyrtarët amerikanë e kanë përsëritur vazhdimisht se tarifat 10 përqind në të gjitha produktet nuk janë të negociueshme.

Zyrtarët europianë ka të ngjarë të detyrohen të bëjnë edhe lëshime për të siguruar një marrëveshje, përfshirë ndoshta një angazhim, për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Kinës.

BE-ja është dakord me Trump-in që Kina ka ndjekur praktika të padrejta tregtare. Por blloku mund ta shtyjë Kinën vetëm deri në një pikë, për shkak të ndërlidhjes së thellë ekonomike mes tyre.

Kina, së fundmi, ia ka kujtuar BE-së me kosto këtë realitet.

Si përgjigje ndaj tarifave të SHBA-së, Kina kufizoi eksportet globale të magneteve me elementë të rrallë, që janë thelbësorë për prodhimin e një game të gjerë mallrash, nga makinat dhe dronët, te robotët industrialë dhe raketat.

Duke qenë se Kina dominon prodhimin e elementëve të rrallë, ajo mund t’u shkaktojë dëm serioz partnerëve të saj tregtarë me kufizime të tilla.

Fillimisht, politikanët europianë shpresonin që këto kufizime të preknin kryesisht kompanitë amerikane. Por edhe firmat europiane janë përballur me vonesa të mëdha për të marrë aprovimin e Kinës për blerjet e këtyre materialeve.

Ngadalësimi nuk lidhet vetëm me probleme logjistike për shkak të radhës së aplikimeve që Kina po përpunon. Përkundrazi, duket se është i lidhur me një pikë të vjetër tensioni tregtar mes Europës dhe Kinës.

Prej vitesh, qeveria kineze ka kërkuar që kompanitë e huaja të ndajnë ose të transferojnë teknologjinë te partnerët kinezë si kusht për të hyrë në tregun kinez. Kohët e fundit, prodhuesit europianë të makinave dhe kompani të tjera kanë mbetur prapa krahasuar me konkurrentët kinezë, të cilët udhëheqin zhvillimin në makinat elektrike, panelet diellore dhe teknologjitë e tjera.

(Një parking makinash në sipërmarrjen e përbashkët Shanghai Automotive Industrial Corporation-Volkswagen në prill në Shangai)

Duke pasur parasysh këtë, zyrtarët e Bashkimit Europian kanë ushtruar presion mbi kompanitë kineze që të transferojnë teknologji si pjesë e çmimit për hyrjen në tregun europian.

Bashkimi Europian gjithashtu i është bashkuar Shteteve të Bashkuara në kufizimin e dërgesave drejt Kinës të pajisjeve për prodhimin e çipave më të shpejtë, të cilët kanë përdorim si ushtarak ashtu edhe civil.

Kjo ka zemëruar zyrtarët kinezë. Ministri i Tregtisë i Kinës, Wang Wentao, i bëri thirrje Europës që të heqë kontrollin ndaj eksporteve të teknologjisë së lartë drejt Kinës si pjesë e diskutimeve për rifillimin e furnizimit me elementë të rrallë.

“Ministri Wang Wentao shprehu shpresën që BE-ja të na takojë në gjysmë të rrugës dhe të ndërmarrë masa efektive për të lehtësuar, mbrojtur dhe promovuar tregtinë e përputhshme të produkteve të teknologjisë së lartë drejt Kinës,” tha Ministria e Tregtisë në një deklaratë muajin e kaluar.

Në samitin që do të mbahet këtë muaj në Pekin, tha ai, zyrtarët europianë ka të ngjarë të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi zyrtarët kinezë për të siguruar akses më të qëndrueshëm në elementët e rrallë.

Jens Eskelund, presidenti i Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Europian në Kinë, tha se dhoma dëshiron gjithashtu që takimet të përqendrohen në përpjekjen për të bindur zyrtarët kinezë për nevojën e rregullave më transparente dhe të parashikueshme, si dhe të trajtohet vështirësia në rritje për kompanitë e huaja që duan të bëjnë biznes në Kinë.

Por perspektiva për ndryshime të ndjeshme, apo ndonjë afrim të vërtetë mes Europës dhe Kinës, është e zymtë. Toni që vjen nga Europa nuk është pozitive.

Zonja von der Leyen, në një fjalim në takimin e G7-s muajin e kaluar në Kanada, tha se Kina është e angazhuar në një cikël “dominimi, varësie dhe shantazhi.” 

Përgatiti ©LAPSI.AL 

The post Mes presionit të SHBA dhe Kinës, Bashkimi Europian më në vështirësi se kurrë appeared first on Lapsi.al.

  •  

Dritan Leli 2.0/ Të pathënat e ‘gjyqit politik’ me dyer të mbyllura Vlorë

Çfarë ndodhi sot në Vlorë me vizitën e beftë të Edi Ramës në zyrat e bashkisë së këtij qyteti është akti i radhës i një përplasje pa kthim që mund ta çojë edhe këtë bashki në zgjedhje të parakohshme. Lapsi.al ka mësuar nga burime brenda atij takimi, detaje që të kujtojnë një tjetër përplasje të ngjashme të kryeminstrit me kryebashkiakun e atëhershëm, Dritan Leli.

Kësaj radhe protagonisti është Ermal Dredha, diplomati i cili mbërriti nga Dubai dy vite më parë për t’u zgjedhur në krye të Vlorës. Por ndryshe nga lavdet e fushatës kur e solli në Vlorë si sponosorizim të lidhjeve familjare në kupolën e PS-së, tani Edi Rama ka veç helm dhe zhgënjim për Ermal Dredhën.

Nuk ia kurseu telendisjen publikisht në oborrin e PS-së për festën e 34 vjetorit të partisë, e telendisi edhe ca më shumë sot brenda zyrave të bashkisë.

Siç na tregoi burimi ynë brenda takimit, Edi Rama ka dëgjuar pak nga Dredha dhe e ka fshikulluar shumë në sy të deputetëve e drejtuesve kryesorë të bashkisë. Dredha kërkoi të merrte fjalën i pari edhe pse nuk ishte ai në fakt që e kishte thirrur takimin.

Rama ndërkohë ia preu shkurt duke iu drejtuar me fjalët “më mirë ti fli gjumë…”. Dredha ia ktheu me fjalët “jam me 3 orë gjumë”, duke dashur t’i tregonte shefit të tij se po përkushtohej shumë në detyrën e të parit të Vlorës. Por Rama e vijoi ironinë për gjumin duke i thënë “aq më keq akoma që je dhe pa gjumë” duke lënë të nëkuptohej se kryebashkiakut i mungonte qartësia.

Si nxënësin e keq të klasës, Rama e vuri Ermal Dredhën edhe përballë shokëve e shoqeve të tij të partisë. Njërës prej deputeteve të reja të dala nga lista e mbyllur e qarkut Vlorë, Erjona Ismailit, ai i kërkoi të thoshte aty në takim gjithë të zezat që i kishte shkruar me sms për Ermal Dredhën dhe për mënyrën se si ai drejton Vlorën.

Natyrisht që deputetja rishtare e socialistëve në Vlorë dhe e patestuar aspak për peshën elektorale, nuk ia përtoi fare logorinë e kritikave kryebashkiakut Dredha. Ndonëse ky i fundit po përpiqej të jepte ndonjë argument për çdo kritikë apo problem që i faturohej, siç na tregon burimi i Lapsi.al brenda atij takimi, Ramën nuk kishte asgjë që e qetësonte. “Ti zotëri nuk na nxjerr dot nga gropa ku na ke zhytur, por të paktën mos na zhyt më shumë”, i ka thënë Rama-Dredhës.

Dëmtimi i disa investimeve në Vlorë, mungesa e ujit të pijshëm apo zjarri i përsëritur në fushën e plehrave ishin disa nga çështjet që e kanë xhindosur keq Ramën. Dhe kjo nuk është një situatë e krijuar rishtaz, por e akumuluar për një kohë të gjatë.

Në po atë takim, Edi Rama e krahasoi Ermal Dredhën edhe me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, me të cilin pati gjithashtu një përplasje të ngjashme derisa nuk e përfilli fare dhe e përjashtoi nga partia dy vitet e fundit të mandatit të tij. “Ti zotëri je Dritan Leli 2.0, e di apo jo?!”, iu drejtua Rama-Dredhës një moment, tregon burimi i Lapsi.al nga brenda atij takimi.

Aq i indinjuar ishte Edi Rama me Vlorën dhe vlonjatët sa iu përmendi aty në takim edhe rrezikun që ai mund të sëmurej me kancer të mëlçisë prej stresit. Për disa në takim kjo tingëlloi ironike e për të tjerë që e shohin si idhull Edi Ramën, filluan të shqetësohen vërtet dhe rrahën gjoksin për t’u dhënë zgjidhje problemeve, jo më shumë për të shpëtuar Vlorën sesa për të shpëtuar shëndetin e liderit të tyre.

Edi Rama nuk ka keq vetëm punët në bashki, por edhe në PS-në e Vlorës. Ai komandoi në këtë detyrë deputeten e sapozgjedhur, Erjona Ismaili dhe kandidatin për deputet Klevis Kaso. E veç kësaj kërkoi dorëheqje të detyruar të të gjithë drejtorëve të Bashkisë Vlorë, përfshi këtu edhe drejtuesit rajonalë të institucioneve qëndrore. Ngriti ndërkohë një biçim komisioni partiak për emërimet e reja në bashki e drejtoritë e reja dhe monitorimin e problemeve për t’u zgjidhur.

Aq shumë e zhvlerësoi Ermal Dredhën sa e ka detyruar që të japë llogari përballë këtij komisioni me deputetë e eksponentë të PS-së dhe të drejtojnë së bashku Vlorën. Edi Rama është i xhindosur me kryebashkiakun e tij që u katapultua si një figurë e re në PS e që premtonte shumë, por tani në fund të dy viteve në sytë e tij ai është një shalqi i papjekur që s’ka më nevojë të provohet pasi dihet çfarë ka brenda.

Revanshi i Ramës ndaj Dredhës duket i ekzagjeruar së paku kur është fjala te problemi i furnizimit me ujë të pijshëm. Ndërmarrja e Ujësjellësit Vlorë nuk është më në varësi të bashkisë as në kontrollin e saj. Ligjin aty e bën Ministria e Infrastrukturës, e cila është aksionerja kryesore në ndërmarrjet e reja rajonale të ujësjellësave. Por edhe te çështja e plehrave, Ermal Dredha i kishte duart e lidhura kur është fjala te vënia në funksion e landfillit të Sherishës, projekt i cili i ishte besuar kompanisë së Klodian Zotos “Integrated Technology Services”, e cila ka gjithashtu inceneratorin fantazmë të Tiranës.

Por fakt tani është që kreu i Rilindjes ka hapur një front të ri lufte brenda radhëve të tij. Nuk dihet se deri ku do të shkojë pakënaqësia dhe përplasja me kryebashkiakun e Vlorës, i cili si shumë socialistë të tjerë nuk guxon të ngrejë krye përballë Ramës. Pranon edhe të poshtërohet prej tij në mexhelis e në takime të mbyllura si ky i sotmi.

Deri më tani duket se kemi një tjetër déjà vu si ajo e 4 viteve më parë me Dritan Lelin. Ky mund të jetë fillimi i fundit të diplomatit që u bë qytetari i parë i Vlorës njësoj si babai i tij që drejtoi Vlorën në vitet 1998-2000. ©LAPSI.al

The post Dritan Leli 2.0/ Të pathënat e ‘gjyqit politik’ me dyer të mbyllura Vlorë appeared first on Lapsi.al.

  •  

Profil / Benyamin Netanyahu, luani që është ngritur sërish

Nga Tel Avivi, Nathalie Hamou, Challenges

Historian i njohur i judaizmit mesjetar dhe sionisti i djathtë, Bension Netanyahu mund të prehet i qetë. I bindur se ekzistenca e popullit hebre vihet në pikëpyetje nga kërcënimet për shfarosje të bëra nga armiqtë e tij, ky profesor ia kishte përcjellë djalit të vet më të vogël misionin për të ndaluar Iranin të ndërtojë armë bërthamore. Të premten, më 13 qershor, rasti më në fund i erdhi në dorë. Kryeministri izraelit, Benyamin Netanyahu, i cili prej tre dekadash e ka shnëruar parandalimin e kërcënimit bërthamor iranian dhe dobësimin e boshtit shiit në gur themeli të strategjisë së tij të sigurisë, vendosi të veprojë.

Udhëheqësi i Likudit e urdhëroi aviacionin izraelit të godasë “kokën e oktapodit” i vetëm, pa asnjë garanci që Shtetet e Bashkuara do t’i bashkoheshin kësaj ofensive. Agjentët e Mossadit, të cilët kishin arritur të futnin dronë shpërthyes në territorin iranian, synuan objektiva në tokë, në koordinim me forcat ajrore të F-35. Në orët e para të operacionit “Luani i ngritur”, “Ribi” (Bibi) ishte euforik. Gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura, siç raportoi Ben Caspit, autor i bestsellerit “Vitet Netanyahu”, ai foli për “fundin e epokës së luftërave”, për aderimin e Arabisë Saudite, Sirisë dhe Libanit në marrëveshjet e Abrahamit. Ai përmendi përfundimin e konfliktit në Gaza.

Një javë më vonë, Netanyahu publikoi në X një fjalim të vjetër të babait të tij, që ne moshën 100 vjeçare, përshkruante mënyrën se si Izraeli duhet të përballet me një kërcënim ekzistencial:

“Shikoni rrezikun pa u stepur, mendoni qartë se çfarë duhet bërë dhe jini të gatshëm të hyni në kaosin e luftës sepse shanset për sukses janë të arsyeshme”.

Nga data 21 deri më 22 qershor, Bibi filloi të shpresojë se e kishte fituar bastin e tij: Donald Trump e përgëzoi operacionin “Çekiçi i mesnatës”, një sulm i kryer nga bombarduesit B-2 ndaj tre bazave bërthamore iraniane në Fordo, Natanz dhe Isfahan. Pas kësaj, kreu i së djathtës izraelite mund të kthehej krenar në Murin e lutjeve në Jeruzalem, për t’i uruar jetë të gjatë popullit të tij dhe aleatit amerikan.

Momentit i tij “churchillian”

Udhëheqësi hebre, laik, 76-vjeçar, nuk do të kishte nevojë të prsste që Uashingtoni të propozonte një armëpushim me Teheranin, të martën më 24 qershor në mëngjes, për të shijuar momentin e tij “churchillian”. “Feniksi”, “magjistari”, “mbreti Bibi”… Kjo luftë dymbëdhjetë ditore i ka rishfaqur të gjitha lavdwrimet që janw thwnw gjatw kohwve pwr kampionin e mbijetesës politike nw Izrael, i cili në total ka ushtruar funksionin e kryeministrit për më shumë se shtatëmbëdhjetë vjet dhe ka thyer rekordin e qëndrimit në pushtet të mbajtur nga David Ben Gurion.

Bibi, që konsiderohej politikisht i “vdekur” më 7 tetor 2023, po luan sërish skenarin e rikthimit të përjetshëm.

Tashmë duket se janë harruar telashet e lidhura me urdhrin e arrestit të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, për krime të pretenduara lufte në Gaza; po ashtu edhe mundimet që i shkakton aleanca e tij me partitë ultra-ortodokse dhe krahun mesianik, kërkesat e të cilëve kërcënojnë ta shpërbëjnë koalicionin e tij; aq mw tepwr edhe protestat që nuk reshtin prej disa muajsh; apo peripecitë e procesit gjyqësor për korrupsion, mashtrim dhe abuzim me pushtetin.

Donald Trump ka kërkuar anulimin e procesit ndaj tij në dy raste: “Lëreni Bibi-n, ai ka një punë të madhe për të bërë,” – postoi ai më 28 qershor në rrjetin e vet Truth Social, duke iu referuar vështirësive gjyqësore të Benyamin Netanyahut.

Ky i fundit “po negocion një marrëveshje me Hamasin, që do të përfshijë lirimin e pengjeve. Si është e mundur që Kryeministri i Izraelit të detyrohet të qëndrojë në një sallë gjyqi gjatë gjithë ditës, për asgjë?”, shtoi ai.

Një ndërhyrje e paprecedentë e një presidenti amerikan në procedurat gjyqësore të një aleati demokratik të huaj.

Por në Jeruzalem, gjyqtarët nuk tronditen nga kjo ata vazhdojnw ta marrin nw pyetje Netanyahun i cili u paraqit nw gjyq i shoqwruar nga shefi i spiunazhit tw brendwshwm dhe nga ai i Mosadit.

Preokupimi i tij mw i madh

Por qershia mbi tortw wshtw rritja e kryeministrit nw sondazhe. nwse zgjedhjet do tw mbaheshin sot dhe jo nw ditwn e rregullt nw nwntor 2026 Partia e tij Likud do tw fitonte katwr deputetw mw shumw. Natyrisht kjo wshtw swrish larg arritjes sw njw mazhorancw tw plotw. Partitw e koalicionit aktuar kanw vetwm 49 vende nw njw parlament me 120 vetw, kundrejt 71 për opozitën (sw bashku me partitë arabe). 

Për Benyamin Netanyahun, më e rëndësishmja është diku tjetër.
“Shqetësimi i tij më i madh mbetet të dijë se çfarë gjurme do të lërë në histori,” thekson analisti politik Aviv Bushinsky, i cili ishte shef i kabinetit të tij midis viteve 2003 dhe 2004.
“Emri i Begin lidhet me paqen me Egjiptin. Ai i Rabinit me marrëveshjet e Oslos dhe paqen me Jordaninë. Ndërsa Bibi, edhe pse kontribuoi në shpëtimin e ekonomisë izraelite, mbrojti marrëveshjet e Abrahamit, nuk ka lënë ende një trashëgimi të qartë.”

Operacioni spektakolar “Luani i ngritur” (Rising Lion), i paraprirë muajt e fundit nga goditjet ndaj Hamasit dhe Hezbollahut, mund ta ndryshojë këtë. Veçanërisht nëse Kryeministri izraelit arrin t’i japë fund konfliktit në Gaza dhe të përmbyllë një marrëveshje për të kthyer në shtëpi 50 pengjet (pjesa më e madhe e të cilëve besohet se janë ende gjallë). Vetëm kjo do të ishte mënyra për të mbyllur kapitullin e masakrës së kryer nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar.

Dështimi i tij i hidhur

“Ky ishte momenti më i tmerrshëm në historinë e Izraelit dhe kjo, nën mbikëqyrjen e Zotit Siguri. Nuk ishte një skandal; ishte arsyeja e tij për të ekzistuar. Sot, pas rënies së Hezbollahut në Liban, të Assadit në Siri dhe shkatërrimit të programit bërthamor iranian, 7 tetori i ngjan më shumë Pearl Harbor-it: një dështim i rëndë që mund të përfundojë disa kohë më pas me një fitore totale”, vlerëson gazetari i djathtë Amit Segal.
“Pas pesëdhjetë vitesh, besoj se historia do ta shohë 7 tetorin në kontekstin e luftës izraelito-iraniane.”

Mbetet për t’u parë nëse izraelitët do të mund të falin Benyamin Netanyahun për katastrofën më të madhe të popullit hebre që nga Holokausti, në të cilën 1.200 civilë u vranë ditën e 7 tetorit dhe 880 ushtarë humbwn jetwn që nga fillimi i luftës.

“Zgjedhjet e ardhshme do të sillen rreth kësaj çështjeje,” thekson Barak Seri, ish-këshilltar komunikimi i ish-kryeministrit.

 

Rivalët dhe mbështetësit e tij

Nëse sondazhet janë të favorshme për të, Benyamin Netanyahu mund të shqyrtojë zgjedhje të parakohshme. Por për këtë, ai duhet të kthejë pengjet, të mbyllë luftën dhe të rrezikojë të humbasë mbështetjen e ministrave të tij ultranacionalistë, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir. Ndërkohë, rivalët e tij politikë janë në pritje, si ish-kryeministri Naftali Bennett, i cili përsëriti para disa ditësh se Netanyahu duhet të largohet.

Ndërsa Donald Trump, i paduruar për të vënë në veprim planin e tij të paqes, e pret gjithashtu. Banori i Shtëpisë së Bardhë kishte marrë në qershor një miratim paraprak për një marrëveshje historike që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, në këmbim të disa lehtësimeve për Gazën dhe një zgjerimi të aksesit të palestinezëve në hapësirat fetare në Jeruzalem.

Në të njëjtën kohë, disa opsione janë duke u shqyrtuar për të përmbushur nevojën saudite për një “perspektivë palestineze”. Një çështje që Benyamin Netanyahu ka vazhduar ta anashkalojë.
“Për konfliktin izraelito-palestinez, ai është plotësisht i bllokuar dhe kundërshton çdo lëshim,” vlerëson Marc Lefèvre, ekspert për sigurinë bërthamore dhe bashkëthemelues i lëvizjes “Paqja tani”.
“Ai nuk ndihmohet nga palestinezët, të cilët janë të paaftë të paraqesin propozime konkrete dhe qetësuese.”
Por nën presionin e Trumpit, “mbrojtësi i Izraelit” mund të detyrohet të shpikë veten nga e para.

Nathalie Hamou, Challenges, pergatiti T. Çela, Lapsi.al

The post Profil / Benyamin Netanyahu, luani që është ngritur sërish appeared first on Lapsi.al.

  •  

Flakët e plehrave në Elbasan, 10 vjet gënjeshtra nga Rama për inçeneratorin

Edhe një verë tjetër gazrat toksikë që gjenerohen nga flakët e mbeturinave helmuan Elbasanin, një ritual që përsëritet thuajse çdo vit, sa herë temperaturat ngrihen dhe malet me plehra digjen masivisht. Për gati 24 orë zjarrfikësit u përpoqën të vënë nën kontroll flakët, ndërsa një shtëllungë e madhe tymi ngrihej në periferi të qytetit. Si zakonisht institucionet e menaxhimit të mbetjeve u gjendën të papërgatitura dhe ia lanë fajin temperaturave të larta, ndërsa pamje si kjo më poshtë dëshmojnë përmasat e rrezikshme të një fenomeni vrastar që duhej të kishte marrë fund një herë e mirë.

Zyrtarët lokalë justifikohen me disa dalje të shkurtra për mediat në këto raste. Administratori i EcoElb, Leli Kaja nka thënë se zjarri është pasojë e temperaturave dhe tejmbushjes së vendgrumbullimit, por nuk jep shpjegim se përse mbeturinat nuk janë asgjësuar.

“Zjarri ka ardhur për shkak të temperaturave të larta. Unë nuk merrem me hamendësime. Është e drejta e secilit të thotë çfarë mendon. Unë jam në këtë mal me mbetje dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet për ta fikur,” tha Kaja.

Dyshimet janë se flakët janë të qëllimshme. Në pamundësi për t’i menaxhuar sasitë e mëdha të mbeturinave, i vihet flaka. Janë ngjarje si këto, kur të gjithë kujtohen për “inceneratorin” – mrekullinë inxhinierike të premtuar nga Rilindja që jo vetëm do të zhdukte plehrat, por do të prodhonte edhe energji elektrike, por që përfundoi në një aferë korrupsioni, ku zyrtarë të lartë socialistë mbushën xhepat me dhjetëra milionë euro.

Ky është rasti edhe të rikthehen disa momente, kur kryeministri Edi Rama është mburrur pa iu dridhur qerpiku me incineratorin e Elbasanit që do t’i jepte zgjidhje kancerit helmues për qytetin.

Edi Rama, premtimet për inceneratorin e Elbasanit

“Ky tumor i madh i një kanceri që prej 20 e kusur vitesh stërmundon organizmin e të gjithë zonës së Elbasanit dhe u kthye në një problem madhor jetik për të gjithë banorët e zonës, për shkak të një ndotjeje katastrofike, të gjeneruar nga fusha e tmerrshme e plehrave është sot në fazën e një operacioni rrënjësor shërues.

Marrëdhënie me mbeturinat, me plehrat që 20 e ca kusur vitesh e mbytën Shqipërinë, dolën jashtë cdo kontrolli dhe që ne kemi vendosur t’i kthejmë nga një burim ndotje dhe kanceri në një burim energjie. Ky është zotimi ynë që po realizohet duke filluar nga ky operacion madhor”

Edi Rama në inspektimin e punimeve të inceneratorit në Elbasan

“Ia premtuam Elbasanit këtë gje dhe po ia bëjmë brenda mandatit dhe jo vetëm u zgjidh një problem, por praktikisht u kalua në një fazë komplet tjetër që nuk e ka asnjë qytet tjetër. Ndërkohë që jemi në përgatitjet për ta ripërtërirë këtë ekspericnë edhe në disa zona të tjera, me shpresën që ky problem do zgjidhet një herë e mirë”

Edi Rama në inaugurimin e inceneratorit në Elbasan

“Ata nuk e patën kurrë ndjesinë e armiqësisë ndaj plehrave . Përkundrazi patën ndjenjën e bashkëjetësisë me plehrat dhe udhëhoqën me plehrat. Plehrat mund të jenë sëmundje sic ishin për Elbasanin dje dhe mund të jenë edhe pasuri, siç janë për Elbasanin sot. Dhe dallimi mes nesh dhe atyre që sot janë në çadër dhe janë në kushtet e një sere që nuk reciklon është që për ata, plehrat duhet të vazhdojnë të jenë sëmundje, për ne mbetjet e këtij vendi janë një pasuri që ne do ta kthejmë në burim ekonomie, burim zhvillimi dhe patjetër edhe në një instrument për të pasur një mjedis që është në lartësinë që bëri zoti kur bëri Shqipërinë një vend të mrekullueshëm”

Rama pas zbulimit të skandalit me inceneratorët

Në vitin 2020 dukej se vjedhja me inceneratorët ishte aq flagrante sa që disa njerëz duheshin arrestuar. Opozita kishte dërguar dosjet në SPAK për të nisur hetimet, ndërsa Rama bëhej gati të lëshonte disa prej njerëzve të piketuar për të bëre burg. Në emisionin Opinion, ai refuzoi të fliste për abuzimet me fondet publike:

Të bëjmë një marrëveshje fjale. Do flasim për vizionin, projektin e mbetjeve dhe realizimin apo do fillojmë të merremi “është një person, është një kshu”. Po filluat me persona, mblidhuni bashkë. Unë s’merrem me persona. Nuk më duhet fare kjo. (investigimi) Kjo është e shkruar nga dikush. E ça më duhet mua kjo? Nuk më intereson fare. Nuk më intereson fare. Nuk më intereson fare. A ka mundësi? Nuk është kjo. Fare. Nuk më intereson fare. Nuk më intereson fare gratë dhe burrat e botës.”

Rama në fushatën e vitit 2023 pas disa arrestimeve për inceneratorët

“Aty ku po bëjmë atë platformë të së ardhmes për të gjithë Shqipërinë po ju them, aty kishe malin me plehra. Jo po u bë inceneratori, jo po kjo, jo po ato. Mirë pra, pati probleme? Pati probleme. Pati njerëz që deshën me nxjerrë mjaltë nga plehrat? Pati! Ata kanë punën e vet. Por impianti është aty dhe Elbasani e ka ajrin të pastër. Ndodhin edhe këto, por ama me ne është shumë e qartë kontrata. E dinë të gjithë ata që janë përgjegjës për firmën e anës tonë me popullin”

Në fushatën e vitit 2025, kur këmbëngul për inceneratorët si histori suksesi

“Po kur tha “do ta mbyll impiantin e mbetjeve”, ne shyqyr që e vumë ne punë. Do ta mbyll tha, le të digjen plehrat në natyrë tha se është më higjienike. Normal. Do një mal me plehra që të digjet atje për të bërë ndonjë film se është shesh xhirimi kjo punë. E për të dalë ai atje, Koçi i teto Ollgës dhe për të bërë ndonjë serenatë atje hipur sipër non gratës dhe duke ardhur vërdallë bashkë me kalin e vet”

Kur rilexon këto deklarata kuptohen se helmi për qytetarët në Elbasan është i dyfishtë; një herë buron nga malet me plehra që digjen në verë dhe herës tjetër buron nga propaganda qeveritare që u flet për projekte të suksesshme të trajtimit të mbeturinave, nga ato që pasi vjedhin paratë, kërkojnë t’u mbushin mendjen se plehrat nuk janë fatkeqësi, por pasuri./Lapsi.al

The post Flakët e plehrave në Elbasan, 10 vjet gënjeshtra nga Rama për inçeneratorin appeared first on Lapsi.al.

  •  

Ismaili ende në Tufinë/ Premtimi i Ramës për një varr të denjë për shkrimtarin

Ekzaktësisht një vit më parë, në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit, në një skenë ku përkulej me rruazore në duar Nënë Tereza, u përcoll me homazhe shtetërore shkrimtari Ismail Kadare. Muzika funebre dhe nderimet pranë arkëmortit u ndërprenë veçse për pak minuta gjatë ceremonisë, kur mbajti një fjalim Edi Rama, i vetmi njeri të cilit familja Kadare i besoi këtë moment nderi.

Për çudi në qendër të fjalimit nuk ishte aq i ndjeri apo kontributi i tij për kombin, por andrallat që kishte hequr Edi Rama për organizimin e ceremonisë në Teatrin e Operas dhe Baletit, shoqëruar nga dilemat për të gjetur një vend të denjë në Tiranë, ku të prehej trupi i shkrimtarit.

DW: Ismail Kadare, letërsi e pavdekshme dhe kameleon politik?

Pasi sqaroi imazhin e Nënë Terezës mbi skenë, ndërsa përshkruante “ankthin e çuditshëm” të atyre që i propozonin nga një vend për varrin e Kadaresë, Rama listoi me ton ironik disa sugjerime: “tek Vëllezërit Frashëri, tek parku përballë Rognerit, tek fusha e gjelbërt mbrapa Kryeministrisë, tek Varrezat e Dëshmorëve të Luftës Nacional – Çlirimtare, e deri tek Varrezat e Dëshmorëve në Kosovë”. Të gjitha, të refuzuara me lehtësinë e pushtetarit që nuk sheh rreth vetes veçse tutkunë dhe që e ka humbur aftësinë për t’i besuar njerëzve që ka pranë.

Sërish me ironi, Rama përmendi edhe një mauzeloum apo një panteon të munguar për “kokat e kombit”, ku me siguri do të kishte një vend për trupin e shkrimtarit. “Kështu është kur nuk e kemi si tërë bota një panteon për kokat e vdekura të kombit”, thanë disa. Ndonjë tjetër bëri thirrje për “mauzoleum”, u shpreh ai.

Më pas, sfidoi solemnitetin e ceremonisë së vdekjes me një satirë të pazakontë duke thënë: “Po të bënim një kullë mbrapa Skënderbeut, me shumë apartamente për të tërë të vdekurit me emër… do ta mbyllnim mbase përgjithnjë problemin historik të gjetjes së vendvarrimit”.

Prapaskena/ 5 përplasjet e mëdha të Kadaresë dhe ndjesa për Rugovën

Dhe kështu, u ndal “i tmerruar” nga përfytyrimi i radhës së të gjallëve që kërkojnë apartamente për varre dhe vendosi të mos zgjedhë asgjë. Asgjë fare.

Një vit më pas, s’ka zgjedhur asgjë duke lënë një boshllëk të pahijshëm: Ismail Kadare prehet edhe këtë fillmkorriku në varrezat e Tufinës, atje ku zgjodhi ta lëshojë hë për hë Edi Rama.

Përkundër lëvdatave dhe elozheve për Ismail Kadarenë që “e ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur”, kryeministri Rama nuk ka ditur apo nuk ka dashur t’i dhurojë varrin e premtuar autorit të vargjeve: “Në s’të pranoftë asnjë varr/ Asnjë mermer a morg-kristal/ Mos duhet vall’ prap’ të të mbart/ Gjysmë të vdekur, gjysmë të gjallë?

Albania 2.1 e Winy Maas/ Kullë te shtëpia e Kadaresë dhe hotel mbi Gjipe

Gjithsesi nuk jemi më në fushën e letrave, por në realitetin banal. Aty ku vendi i shkrimtarit të vdekur varet nga kapriçot e pushtetarit që ka premtuar se: “Ismail Kadareja e meriton të prehet në një banesë të fundit që të jetë vetëm e tij”.

Por ende një vit më pas, mbetet pyetja: Çfarë e pengoi Ramën ta mbante premtimin? Mos ndoshta është më e lehtë të luash me fjalët e Kadarese sesa të jesh në lartësinë e një shtetari serioz? A gaboi familja Kadare që i besoi fjalëve të kryeministrit?

Cilado të jetë e vërteta, Ismail Kadare mbetet i pakonkurueshëm në letërsinë shqipe dhe sa ishte gjallë Ismaili ia doli ta ruajë marrëdhënien e privilegjuar me pushtetin, ndërsa tani që ka një vit i vdekur, askush nuk po kujtohet për gjeniun Kadare, që ka mbetur në Tufinë si premtim i pambajtur i atyre që mbajnë çelësat e pallateve shtetërore./Lapsi.al

The post Ismaili ende në Tufinë/ Premtimi i Ramës për një varr të denjë për shkrimtarin appeared first on Lapsi.al.

  •  

Kush fiton nga telenovela e verës Rama – Nigel Farage?

Edi Rama dhe Nigel Farage duket se kanë gjetur sejcili siamezin e vet dhe ndonëse në pamje të parë i ndan gjithçka, ata po e shfrytëzojnë një sherr me batuta, fyerje, ftesa për drekë dhe debat mbi emigracionin, për të qëndruar në qendër të vëmendjes. Politikani britanik i ekstremit të djathtë ka targetuar “shqiptarët kriminële” si një kokë turku për të vijuar krqëzatat anti emigranët që e ngrejnë në sondazhe në vendin e tij. Kryeminisri shqipëtar po e shfrëzon këtë përleshje edhe për u dukur si pariot e mbrojtës i bashkëkombasve të vet brenda vendit edhe për të marrë flamurin e kundërshtimit të një anti brexit-asi si Farage, që u përlqen aq shumë elitave perendimore.

Me këto premisa ata e kanë vijuar edhe më tej debatin ku Nigel Farage këmbëngul se në vendin e vet 1/50 shqiptarë gjendet në burg e në të cilin Rama i përgjigjet se kjo shifër është e gënjeshtërt pasi në Britani nuk jeojnë 50 mijë, por 300 mijë emigranë shqiparë.

“Nigel, Nigel, Nigel… Nga “një kriminel në pesëdhjetë shqiptarë”, pretendimi juaj tani është shndërruar në: “Ndoshta është një në tre, ndoshta një në katër, nuk e di…” Vërtet?! Nuk e dini? Dhe kjo vjen pasi thoni se i keni kontrolluar dy herë shifrat? Unë tashmë ju drejtova te të dhënat e vetë The Telegraph (me bujari, mund të shtoj) duke zgjedhur referencën tuaj, megjithëse një referencë vetëkontradiktore. Por dukeni të vendosur të vazhdoni në gabim. Pra, më lejoni t’ju ndihmoj me sqarime të mëtejshme. Sipas të dhënave nga Ambasada e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, një institucion që merret me njerëz të vërtetë, jo me fraza të Brexit, numri i shqiptarëve në vendin tuaj nuk është 53,000, siç sugjeron fillimisht The Telegraph. Në fakt, në të njëjtin artikull, ajo pranon, dhe citoj, “analiza ka të ngjarë ta ketë nënvlerësuar numrin e popullsisë shqiptare”. Pastaj spekulon se shifra mund të jetë deri në 140,000″ shkruajti së fundi Rama.

Andi Bushati: Basti me Nigel Farage si gafa me Trumpin

Por ai nuk haroi që që falë mbrojtjes së emigrantëve shqiptarë ti përvishej edhe botëkuptimit të politikanit ekstremist: “Një komb në stres politik post-traumatik nuk ka nevojë për kurbane. Nuk ka nevojë për goditje të kota. Dhe sigurisht nuk ka nevojë për mite në vend të fakteve. Shpresoj sinqerisht që vizita juaj e ardhshme në Shqipëri t’ju frymëzojë të luftoni për ide, në vend që të luftoni kundër njerëzve – në frymën e traditës së madhe liberale për të cilën vendi juaj ka qëndruar prej kohësh…”.

Nga ana e tij as lideri i partisë “Reform UK” nuk i ka kursyer talljet ironitë dhe etiketimet ndaj Ramës. Në një intervistë në Top Channel, me porosi për të vijuar debatin, ai e konsideroi kryeministrin tonë si një njeri “argëtues dhe të paturp”, që flet kundër brexitit ndonëse ska ë bëjë fare me të: “Ai bën shumë zhurmë se është një burrë i gjatë. Natyrisht i përket krahut të majtë, ka pikëpamje glogaliste dhe kundra Brexit. Më lejoni tu them se kjo nuk është puna e tij. Nuk është arsye të kritikojë Britaninë e Madhe”, tha ai duke shtuar se e pranon drekën me Ramën në Shqipëri me kusht që ai të mbajë premimin dhe të tërheqë të burgosurit shqiptarë nga Britania: “Ai kritikoi vendin tim duke thënë se jemi zhytur në një vend me errësirë duke marrë në konsideratë dërgimin e emigrantëve jashtë. Unë i thash se kjo është hipokrizi pasi vendi juaj ka negociuar me Melonin e Italisë për të marrë emigrantë. Ai nuk mund të jetë kritik dhe standarde të dyfishta dhe për këtë duhet të marrë të burgosurit shqiptarë e kthejë ata në vendlindje”. 

Si filloi debati?

Përplasja mes të dyve nisi që të premten e kaluar kur lideri i “Reform UK” vendosi të përdorë si kokë turku për politikat e tij të burgosurit shqiptarë në qelitë britanike.

Rama iu përgjigj në X se nëse shifra që kishte dhënë Farage ishte e saktë, ai do t’i merrte mbrapsht të gjithë kriminelët, por nëse ai gabonte, do ta ftonte atë në Shqipëri si mysafirin e tij të nderit për sa kohë që premton se nuk do të flasë më keq për vendin tonë.

“Ooopsss… Vetë Z. Nigel Farage sapo më ka sfiduar me fakte!” – shkroi Rama në postimin e tij në Tëitter. “Çfarë nderi – për një “njeri gjigant”, siç më përshkroi ai (duke nënkuptuar, sigurisht që vij nga një ‘vend i vogël’) – të fitoj vëmendjen e virtuozit të pakrahasueshëm të politikës së madhe të Britanisë”.

Postimi i Ramës vijonte duke pretenduar se figura e Farage ishte “e çmendur” dhe një “klasik nga libri i Brexit-it të post së vërtetës”. Ai shtoi se shumë shqiptarë janë të bllokuar në një “sistem të vjetëruar dhe kufizues vizash”, por tha se shkalla e kriminalitetit të tyre “nuk do të ishte më e lartë dhe ndoshta është më e ulët se ajo e vetë popullsisë britanike”.

“Le t’i sjellim të dy shifrat tona në tryezë. Nëse pretendimi juaj “një në 50” është i vërtetë – unë personalisht do të angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht. Ky nuk është një titull konkurrues – është një premtim publik. Por nëse statistika juaj e frikshme rezulton të jetë thjesht material për tabloidët, atëherë nuk ka nevojë për falje. Asnjë dramë. Në vend të kësaj, do të vini në Shqipëri – si i ftuari im i nderit…

Dhe e tëra çfarë kërkoj në këmbim është premtimi më i thjeshtë publik nga ju, i bërë ndërsa shijoni vendin tonë: herën tjetër që dikush do të flasë keq për shqiptarët, do të jeni i pari që do t’i thoni — në mënyrën tuaj teatrale — të mos e bëjnë përsëri” – shkroi Rama.

Sikur kaq ti duhej Farage nuk nguroi të zhyteja në këtë përplasje me përfiim të dyanshëm. Duke folur për “The Telegraph” ai tha se do ta pranonte sfidën. “Ne do ta bëjmë Edi Ramën të mbajë premtimin e tij!” – tha Farage.

Kampet me refugjatë/ A do tu përgjunjet Rama edhe britanikëve?

The Telegraph shkruan se statistikat që përmendi Farage u raportuan për herë të parë nga kjo gazetë kur gazeta përpiloi një tabelë të emigrantëve të huaj bazuar në të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MoJ) dhe Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).

Sipas gazetës, shifrat tregonin se kishte 10 435 shtetas të huaj në burgje në Angli dhe Uells krahasuar me 76 866 shtetas britanikë. Këto shifra u krahasuan me të dhënat e regjistrimit Censit në Britani, nga të cilat u nxor numri i shtetasve të huaj nga secili vend që nuk kanë pasaportë të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas këtyre të dhënave kishte 68 672 shqiptarë që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar. Duke hequr 15 860 që nuk kishin një pasaportë britanike, dilte një total prej rreth 52 000. Me 1,227 shqiptare në burgje, kjo është e barabartë me 2% të shqiptarëve.

Shkalla e burgosjes së shqiptarëve ishte 232.33 për 10 000 njerëz ose “1 në 50” shkruan “The Telegraph”. “Mund të ketë njëfarë diference gabimi pasi disa shtetas të huaj mund të kenë marrë shtetësinë, por të mos kenë aplikuar për pasaportë” – shkroi gazeta duke i kujtuar Ramës se mund ta ketë bastin të humbur.

Pak a shumë të njëjtat shifra shpërndau edhe Farage ne një postim në X.

“I dashur Edi Rama. Në Mbretërinë e Bashkuar ka 53 000 qytetarë shqiptarë dhe 1 099 prej tyre janë në burgjet tona. Në fakt, kjo është 1 në 48. Do t’i kërkoj Sekretarit të Brendshëm të organizojë që të gjithë këta të burgosur t’ju kthehen. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj” – iu përgjigj shkurt ai.

Por kryeministri shqiptar nuk pranoi lehtë humbjen. Në një tjetër koment të gjatë në X të dielën, Rama shkruajti se shifrat e Farage dhe “The Telegraph” janë të pasakta.

“Regjistrimi” yt i shqiptarëve në Britani është veçanërisht qesharak. Ti pretendon se janë 53 000. Në realitet, numri është shumë më i lartë, shumëfish i kësaj. Por le të mbetemi vetëm te burimi juaj: “The Telegraph”, e cila ishte e para që trumbetoi teorinë “një në 50”, dhe më vonë e ka pranuar: “Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare pasi nuk merr parasysh migrantët e paligjshëm, përfshirë më shumë se 12 000 që mbërritën me anije të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140 000 që do të thotë se më pak se 1 në 100 janë në burg” – shkroi Rama që ngre edhe disa pyetje.

“Sa prej tyre janë dënuar në të vërtetë për krime që nuk lidhen me sistemin tuaj të vjetëruar të imigracionit dhe vizave? Po, numrat mund të jenë të mërzitshëm – por janë gjithashtu kokëfortë. Dhe kur dikush vazhdon t’i gabojë, pyetja e vërtetë është: Pse të vazhdosh? Sepse sinqerisht, të qenit djallëzor duket nën edhe stilin tënd të zakonshëm” – akuzon Rama.

“Shqiptarët në Britani nuk janë një statistikë që duhet shtrembëruar për teatrin politik pas Brexit-it, i nderuar Z. Farage. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, pronarë biznesesh dhe partnerë. Dhe nëse 1 në 1 mijë dështon, kjo nuk e shndërron turmën në kurban për konfuzionin tuaj kombëtar….Pres me padurim t’ju mirëpres në Shqipëri siç premtuam, për të ndarë shumë diell të mrekullueshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta” – shkruan Rama. 

Përgjaë gjithë kësaj përplasje dy debatuesit kanë vënë kushet e tyre. Nëse Rama e fiton bastin për numrin e të burgosurve, Farage duhet të vijë në Shqipëri si i ftuar nderi me premtimin që nuk do të flasë më keq për bashkatdhetarët tanë. Nëse fitues është britaniku, kryeministri shqiptar duhe ë riadhesojë të burgosurit dhe duhet të ndërpresë kritikat hipokrite për britaninë që s’do emigrantët ndërkohë që vetë bën marrëveshje me  Melonin. Por siç duket asnjë nga këta dy politikanë, të ngjashëm në formë, në stil dhe në dëshirën për të dhuruar spektakël nuk do të tërhiqet, sepse më shumë sesa thelbi i denait atyre në mënyrë të ndërsjelltë i intereson mesazhi që përçojnë tek audienca e tyre.

©LAPSI.al

 

The post Kush fiton nga telenovela e verës Rama – Nigel Farage? appeared first on Lapsi.al.

  •  

Temperaturat deri 46°C: OBSH paralajmëron Evropën për të nxehtin përvëlues

Europa Jugore po përjeton një valë të nxehti përvëluese, me temperatura që arrijnë deri në 46 gradë Celsius në rajonin Huelva të Spanjës — një rekord i ri kombëtar për muajin qershor. Ndërkohë, Italia, Greqia, Portugalia dhe Ballkani Perëndimor po përballen gjithashtu me temperatura përvëluese, zjarre masive dhe viktima në radhët e civilëve.

Një eksperte e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dha të hënën një paralajmërim të ashpër, duke kërkuar më shumë veprime për të ndaluar dhjetëra mijëra vdekje “të panevojshme dhe kryesisht të parandalueshme”.

“Nuk është më çështje nëse do të kemi një valë të nxehti, por sa shumë do të kemi këtë vit dhe sa gjatë do të zgjasin,” tha Marisol Yglesias Gonzalez, zyrtare teknike për ndryshimet klimatike dhe shëndetin pranë OBSH në Bon.

Sa i përket numrit të personave që mund të jenë në rrezik, Pierre Masselot, statistikani në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, tha për POLITICO se kjo valë e të nxehtit mund të shkaktojë mbi 4,500 vdekje më shumë mes 30 qershorit dhe 3 korrikut. Vendet që pritet të përjetojnë normat më të larta të vdekjeve të tepërta janë Italia, Kroacia, Sllovenia dhe Luksemburgu, shtoi ai. “Ditët më të rënda do të jenë të martën dhe të mërkurën.”

Të nxehtit i merr jetën më shumë se 175,000 njerëzve çdo vit në rajonin europian të OBSH-së — nga Islanda deri në Rusi. Një studim i rëndësishëm, i bashkautorësuar nga Masselot dhe i publikuar në janar, që analizoi 854 qytete europiane, paralajmëronte se vdekjet nga të nxehtit do të rriteshin ndjeshëm nëse nuk jepet përparësi përshtatjes klimatike.

OBSH-ja përsëriti të hënën se ndryshimet klimatike, të nxitura nga djegia e karburanteve, do të çojnë në më shumë valë të nxehti, më të shpeshta, më të rrezikshme dhe më intensive, duke sjellë më shumë sëmundje serioze dhe vdekje.

Pothuajse dy të tretat e qyteteve spanjolle janë përfshirë nga paralajmërime për rreziqe shëndetësore, përfshirë 804 zona në nivelin më të lartë të alarmit, sipas të dhënave nga agjencia kombëtare e motit Aemet. Një zëdhënës njoftoi se i nxehti intensiv do të zgjasë në të gjithë vendin deri më 3 korrik. Ndërkohë, paralajmërime për nxehtësi janë shpallur edhe në Francë, Itali, Portugali dhe Greqi.

Screenshot

Qeveria greke ka lëshuar gjithashtu paralajmërime për ndotjen e ajrit të shkaktuar nga zjarret që kanë përfshirë qytetet bregdetare pranë Athinës. Ndërkohë, mbi 50,000 persona janë evakuuar në Turqi, kryesisht për shkak të një zjarri afër Izmirit.

Në Shqipëri, janë raportuar 26 vatra zjarri mes të dielës dhe të hënës, ndërsa në Serbi, meteorologët raportuan se e enjtja e kaluar ishte dita më e nxehtë që kur kanë nisur matjet, që prej shekullit XIX.

OBSH ka këshilluar të mbahet trupi i hidratuar, të shmanget nxehtësia gjatë mesditës dhe të mbahen ambientet e brendshme të freskëta, veçanërisht për grupet e ndjeshme, përfshirë të moshuarit, fëmijët, punonjësit në ambient të hapur, gratë shtatzëna dhe ata me probleme kronike shëndetësore. Ata që përdorin ilaçe si antidepresantë apo medikamente për tensionin duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm, shtoi Yglesias Gonzalez, pasi këto mund të ndikojnë në aftësinë e trupit për të rregulluar temperaturën.

Megjithatë, nuk mjafton vetëm të menaxhojmë valët e të nxehtit kur ato ndodhin, por të jemi më të përgatitur, tha OBSH. Në një anketë të vitit 2022, vetëm 21 nga 57 vendet e rajonit europian të OBSH-së kishin raportuar se kishin një plan kombëtar për shëndetin gjatë valëve të të nxehtit. Nga këto, vetëm 14 ishin pjesë e BE-së.

Nga rekomandimet kryesore të OBSH-së, më të zbatuarat janë sistemet e paralajmërimit në kohë dhe fushatat informuese. Por shtetet po mbeten pas në përgatitjen e sistemit shëndetësor dhe në parandalimin e ekspozimit ndaj të nxehtit përmes planifikimit më të mirë urban, tha Yglesias Gonzalez.

OBSH do të publikojë udhëzime të reja të përditësuara për qeveritë vitin e ardhshëm, përfshirë këshilla mbi strategjitë e “freskimit të përqendruar te njerëzit” në nivel urban dhe rajonal për të mbrojtur popullsinë nga i nxehti, shtoi ajo shkruan Politico.

The post Temperaturat deri 46°C: OBSH paralajmëron Evropën për të nxehtin përvëlues appeared first on Lapsi.al.

  •  

Konrata prej miliarderi/ Sa fiton çdo sekondë dhe minutë CR7

Në kohën që duhet për të lexuar artikullin, Cristiano Ronaldo do të ketë fituar rreth 1.240 euro. Rinovimi deri në 2027 me Al Nassr i garanton CR7 178 milionë paund, që do të thotë pak më shumë se 200 milionë euro (pa llogaritur 30 milionë bonus për firmën).

Rekordi i pathyeshëm

Portugezi u ngut të deklaronte se “vetëm kush nuk ka luajtur kurrë këtu ose kush nuk kupton asgjë nga futbolli thotë se kampionati saudit nuk është mes pesë më të mirëve në botë. Unë besoj fort në projekt, ndaj kam qëndruar këtu”. Për këtë. E ndoshta edhe për arsye të tjera, përtej pagesës faraonike të CR7 që vendos një rekord praktikisht të pathyeshëm, të paktën në teori: e dimë që ndonjëherë ndodhin gjëra të paparashikueshme dhe ndoshta një ditë do të ketë dikush që do të fitojë edhe më shumë.

CR7 përfiton pak më pak se 7 euro në sekondë, 413 e ca në minutë, gati 25.000 në orë, 600.000 në ditë, 4 milionë në javë, i afrohet 17 milionëve në muaj e kështu me radhë. Deri këtu flitet për para të thata, për pagesë, për diçka që, sado e ekzagjeruar dhe jashtë çdo logjike, përfaqëson rrogën e një profesionisti. Por janë sidomos përfitimet që e bëjnë të veçantë këtë marrëveshje.

Përfitimet

Në shtëpi (o Zot, ta quash kështu duket pak) Ronaldo do të ketë në punë një grup njerëzish sa për të formuar një skuadër të viteve tetëdhjetë: gjashtëmbëdhjetë vetë, njëmbëdhjetë titullarë dhe pesë zëvendësues. Ja formacioni: tre shoferë, katër shërbëtore, dy kuzhinierë, tre kopshtarë dhe katër persona sigurie. Dhe mos mendoni se portugezi duhet të shqetësohet për t’u paguar atyre rrogat dhe kontributet: gjithçka është në kurriz të klubit. Bonuset sportive janë të konsiderueshme: 93.000 euro për çdo gol, 46.000 për çdo asist (me 20% rritje në sezonin e dytë, nëse realisht Ronaldo do ta respektojë angazhimin deri në 2027), 10 milionë në rast fitoreje të kampionatit, do të jenë 5 nëse arrin të fitojë Këpucën e Artë dhe 8 nëse Al Nassr fiton Ligën e Kampionëve të Azisë.

Lexo më tej: Ronaldo në kontratë ka 16 persona të paguar nga Al Nassr: punojnë në shtëpinë e tij

Nga një seri sponsorësh me kompani arabe, më në fund, do t’i hyjnë portugezit edhe 70 milionë të tjera. Dhe kur lojtari të ketë nevojë të organizojë një udhëtim të shpejtë, do të mund të përdorë një avion privat: deri në një kufi prej 5 milionësh, shpenzimi do të mbulohet nga Al Nassr. Që, në një pjesë të vogël, ka të bëjë edhe me CR7: portugezi ka blerë 15% të aksioneve të klubit. Kur të mos luajë më, kush e di nëse do të japë ndonjë udhëzim për negociatat për yjet e rinj të Al Nassr-it. Ndoshta do të përpiqet të kursejë diçka nga rrogat e tyre.

Objektivat e ardhshëm

Ëndrra e fundit, duke parë situatën, Cristiano nuk i vendos kufij karrierës së tij, të paktën për tani. Ndërkohë që synon Kupën e Botës 2026, tashmë shumë afër, ai e çon shikimin edhe tek ajo e… 2034-ës (që do të zhvillohet në Arabi: shumë e parashikueshme ajo e 2030-ës, që do të organizohet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia e tij).

“Nuk i dihet kurrë. Dy vite më parë nuk do të kisha menduar kurrë se do të luaja në Arabinë Saudite, por jeta është plot surpriza. Prandaj nuk i dihet çfarë do të ndodhë. E jetoj jetën time në të tashmen, nuk marr vendime bazuar në të ardhmen. E jetoj të tashmen, dhe e tashmja është e mirë, është e ndritshme. Jam një person shumë pozitiv dhe vitet e ardhshme projekti do të vazhdojë të rritet. Cristiano do të fitojë diçka të rëndësishme në Arabinë Saudite. Unë e besoj këtë. Ja pse dua t’i dhuroj popullit saudit dhe tifozëve të Al Nassr-it një trofe”.

Në 2034 Cristiano do të ketë 49 vjeç. Më shumë se një rekord, kjo do të ishte fantashkencë ose një eksperiment shkencor. Dhe nuk duam as të imagjinojmë sa mund të fitojë deri atëherë, sezon pas sezoni, përfitim pas përfitimi.

The post Konrata prej miliarderi/ Sa fiton çdo sekondë dhe minutë CR7 appeared first on Lapsi.al.

  •  

Kampet me refugjatë/ A do t’u përgjunjet Rama edhe britanikëve?

Shqipëria mori vëmëndjen e titujve kryesorë të mediave britanike javës që kaloi; jo si një destinacion turistik i këshilluar për pushime, por për çështjen shqetësuese të refugjatëve të paligjshëm në Britani, një temë në të cilën vendi ynë konsiderohet ende opsion shkarkimi.

Hapësirën kryesore në media e vodhi replika me deputetin kontrovers të Reform UK, Nigel Farage i cili është aty sa herë flitet kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë. Rama u përpoq ta zbusë retorikën e Farage të mbushur me fjalë si “kriminelë shqiptarë” dhe “të burgosur shqiptarë”, ndërsa e ftoi të vizitojë vendin tonë për të kaluar pushimet “me disa nga njerëzit më të ngrohtë që do të takojë ndonjëherë”.

 

https://t.co/5yfTLPfoAB

Ooopsss… Mr.@Nigel_Farage himself has just challenged me on the facts!

What an honor — for a “giant man,” as he described me (meaning, of course, from a “tiny country”) — to earn the attention of Britain’s unrivaled virtuoso of headline politics.

He…

— Edi Rama (@ediramaal) June 27, 2025

Sipas Ramës, nëse rezulton e pavërtetë se 1 në 50 shqiptarë në Britani është i burgosur, siç pretendon Farage, politikani pro-brexit është i ftuar t’i kalojë pushimet në Shqipëri. Kur The Telegraph publikoi sërish një llogaritje të shifrave me të cilin mbështeste Farage, Edi Rama kundërshtoi sërish duke thënë se në Britani jetojnë 100 mijë shqiptarë më shumë nga sa llogarit Home Secretary ndaj dhe shifrat e Farage ishin të pasakta.

Mesazhin e dytë, Rama e shoqëroi me një foto qesharake të prodhuar nga inteligjenca artificiale, ku kryeministri shqiptar dhe politikani britanik janë së bashku në plazh.

Akuzat e Farage për hipokrizi

Shpërthimi i Farage në studion televizive të GBNews iu drejtua direkt Edi Ramës dhe ishte me tone përbuzëse dhe ultimative: “A e di që 1 në 50 shqiptarë që jetojnë në Britani janë të burgosur? Ndaj trego pak vullnet të mirë dhe merri të gjithë që nesër, se ne nuk i duam”. VIDEO KETU

Si një politikan që ka marrë përsipër t’i japë zë frustrimit të anglezëve kundër të huajve që abuzojnë me ligjet në Angli, Farage ishte i drejtpërdrejtë. Më tej, ai e akuzoi kryeministrin shqiptar për një reagim hipokrit në raport me britanikët, të cilët kanë këmbëngulur prej vitesh në hapjen e burgjeve për refugjatët, njësoj siç bëri Meloni.

Madje, siç e shihni në foton më lart, standarti i dyfishtë i Ramës në raport me britanikët, e ka lënë Farage të pataksur.

“Si mund të na kritikojë ne, kur ai kaloi muaj të tërë duke negociuar me kryeministren e Italisë, Melonin?
Ai kishte rënë dakord të merrte një numër të madh emigrantësh të tyre përtej Mesdheut. Në fund nuk mori aq shumë, por ai i bëri ato negociata!” – dëgjohet të thotë Farage në studion e GBNews, i habitur nga standardi i dyfishtë i Ramës.

“Kjo është hipokrizi në një shkallë sipërore! Apo jo?” i drejtohet ai të ftuarve të tjerë.

“Por prit një sekondë – ai thotë se fakti që ne mendojmë të dërgojmë të paligjshmit diku tjetër do të thotë se ne jemi në një vend të errët, ndërkohë që ai vetë negocion për të marrë të njëjtët njerëz nga italianët” vazhdon Farage, me tone habitore.

Akuzat e Farage për hipokrizinë e Ramës nuk janë pa baza. Në fund të fundit, nëse ishte vetë Edi Rama që firmosi një protokoll me Xhorxhia Melonin për hapjen e burgjeve për refugjatët e Italisë, ai nuk ka pse të indinjohet nëse shtete të tjera ngulmojnë për një marrëveshje të ngjashme.

Ndaj reagimi i Ramës që e quan të papranueshme dhe qesharake kërkesën nga Keir Starmer, duket vërtet një hipokrizi.

Përgjia e ashpër e Ramës, Britania në “një vend të errët”

Akuzat për hipokrizi të Farage erdhën pas një prononcimi të vrazhdë, aspak diplomatik, me të cilin Edi Rama refuzoi publikisht, për të disatën herë kërkesën e britanikëve për të krijuar qendra për refugjatë në Shqipëri, sipas modelit të Italisë.

“Është një nga ato gjëra që dhjetë vite më parë thjesht nuk do të ishin të imagjinueshme… që Britania të kërkonte vende për të hedhur emigrantët,” tha Rama nga Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë. “Fakti që sot jo vetëm që është e imagjinueshme, por po ndodh, nuk është për shkak se Keir Starmer apo [Rishi] Sunak po bëjnë diçka skandaloze; është për shkak të vendit tuaj që ndodhet në një vend shumë të errët.”

“Tetëdhjetë për qind e gjërave që thuhen, shkruhen, ose pranohen si pjesë normale e diskursit në Britaninë e sotme janë gjëra që [para Brexit-it] do të ishin krejtësisht të papranueshme, krejtësisht qesharake, krejtësisht të turpshme,” tha ai.

Përgjigjia e Ramës për Britaninë e Madhe është një JO e prerë të cilën kryeministrat britanikë në të shkuarën nuk kanë dashur ta dëgjojnë.

Deklaratat e Keir Starmer/ Imazhi i Shqipërisë si “kosh” refugjatësh

Britanikët: Rama turpëroi Keir Starmerin në Tiranë!

“Kam qenë i qartë për këtë që kur Boris Johnson më pyeti dhe kur Rishi më pyeti… Gjithmonë kam thënë jo.” është shprehur Rama, i cili nuk e fsheh irritimin, kur britanikët këmbëngulin njëri pas tjetrit për të njëjtën temë.

Starmer, Sunak, Johnson një kërkesë për Shqipërinë

Rreth një muaj më parë, në një nga vizitat e rralla për një kryeministër britanik në Shqipëri, Keir Starmer kaloi një moment të pakëndshëm gjatë konferencës me Edi Ramën.

Ndërsa kishte mohuar për gazetarët anglezë kërkesën për kampe refugjatësh drejtuar Shqipërisë dhe pasi e kishte anuluar publikisht idenë e Rishi Sunak, Edi Rama e nxorri zbuluar me një lëvizje fare pa takt, kur ia dha përgjigjen negative gjatë konferencës për mediat.

“Kam qenë shumë i qartë që nga dita e parë kur e nisëm këtë proces me Italinë, se ishte një marrëveshje e vetme, për shkak të marrëdhënies sonë të ngushtë dhe për shkak të situatës gjeografike që e bën të logjikshme” tha Rama.

Ai shtoi më pas “Na kanë pyetur disa vende nëse ishim të hapur për marrëveshje të tjera dhe ne u thamë ‘jo’, sepse jemi besnikë ndaj martesës me Italinë – dhe pjesa tjetër është vetëm dashuri.” u shpreh Rama.

Me këto fjalë, Rama e vendosi Starmer përballë një fushate anti-qeveritare nga mediat britanike, të cilat e quajtën vizitën në Shqipëri një turp për kryeministrin e tyre.

Me të njëjtën ëndje e ka parë Edi Ramën edhe Rishi Sunak, aq më tepër kur u njoftua se Xhorxhia Meloni kishte gjetur mënyrën për ta bindur kryeministrin e Shqipërisë t’i japë dritën jeshile për një burg gjigand për refugjatët e Italisë në veri të Shqipërisë.

Fill pas firmosjes së paktit me Melonin, në Romë u organizua një drekë pune për të tre. As Rishi Sunak nuk e bindi dot Ramën, ndërsa gazetarët nxituan në Gjadër dhe titujt kryesorë ngrinin pyetjen retorike: Kujt i duhet Ruanda kur kemi Shqipërinë?

Me Boris Johnson, Rama ka treguar se e kishte më të thjeshtë t’i thoshte JO, pasi propozimi iu bë përmes telefonit. Gjatë një interviste për Financial Times, Rama rrëfeu se “Boris Johnson më telefonoi dhe më tha, ju komplimentoj për udhëheqjen tuaj, le të bëjmë diçka së bashku. Le të kemi një marrëveshje që Britania të sjellë në Shqipëri emigrantët e paligjshëm për t’i mbajtur atje, për t’i përpunuar. Unë thashë, më falni, kjo nuk është e mundur” citon Financial Times.

Ndryshe nga marrëveshja italiane, e cila është për strehimin deri në 3,000 njerëzve në të njëjtën kohë, oferta e Mbretërisë së Bashkuar nuk ishte “një numër fiks”.

“Ishte për të gjithë ata që vijnë në Britani.  .  .  si një tranzit. Unë thashë se nuk ka asnjë mënyrë. Pastaj, kishim të tjera që nuk do t’i përmend. Ndër vendet më të pasura në Evropë” ka treguar Rama në prononcimin për FT.

Shpërthimi i pazakontë i Ramës ndaj britanikëve

Duket sikur me mesazhet e çlirëta në X me Nigel Farage, Rama po tenton ta zbusë disi vrazhdësinë me të cilën ka refuzuar propozimet e britanikëve për kampe refugjatësh.

Këto refuzime bëhen akoma më të hidhura nëse iu shtohet turpërimi publik i Keir Starmerit në Tiranë gjatë muajit maj, shoqëruar nga prononcimi tek The Guardian disa ditë më parë, kur Rama e përshkruan Britaninë e Madhe si një shtet që po qëndron në një “vend të errët”.

Ky vend i errët tingëllon çuditshëm, për më tepër kur i referohet një prej vendeve më të fuqishme të NATO-s dhe një prej aleatëve tradicionalë të Shqipërisë.

Shqipëria si “modeli Ruanda”, Rama si Pol Kagame

Në këto kushte, kur palët po e tendosin marrëdhënien mes tyre, nuk duhet lënë jashtë vëmëndjes se ambasadorët britanikë sa herë dalin në mediat shqiptare përmendin një listë me politikanë non-grata, që thonë se ekziston, por që nuk del asnjëherë./Lapsi.al

The post Kampet me refugjatë/ A do t’u përgjunjet Rama edhe britanikëve? appeared first on Lapsi.al.

  •  

Përplasja Rama – Farage/ “The Telegraph”: Sa shqiptarë janë në burgjet britanike

Kryeministri shqiptar Edi Rama u zotua të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen në Mbretërinë e Bashkuar, në një sfidë të hapur me politikanin kontrovers Nigel Farage për numrin e vërtetë të tyre në burg.

Udhëheqësi i partisë “Reform UK” e sfidoi Edi Ramën të premten që të marrë mbrapsht kriminelët shqiptarë, pasi e akuzoi atë se po bënte hipokrizi me komentet në “The Guardian” rreth shndërrimit të Britanisë në një “vend të errët” pas tërheqjes nga BE. Farage tha se ishte hipokrite të përshkruhej Mbretëria e Bashkuar si një vend i errët kur “një në 50 shqiptarë në Britani ishin në burg”.

Farage, i cili udhëheq sondazhet si i preferuari i publikut britanik për t’u bërë kryeministri i ardhshëm, i kërkoi Ramës që të “tregojë pak vullnet të mirë dhe t’i marrë të gjithë mbrapsht që nesër”.

Rama iu përgjigj në X se nëse shifra që kishte dhënë Farage ishte e saktë, ai do t’i merrte mbrapsht të gjithë kriminelët, por nëse ai gabonte, do ta ftonte atë në Shqipëri si mysafirin e tij të nderit për sa kohë që premton se nuk do të flasë më keq për vendin tonë.

“Ooopsss… Vetë Z. Nigel Farage sapo më ka sfiduar me fakte!” – shkroi Rama në postimin e tij në Twitter. “Çfarë nderi – për një “njeri gjigant”, siç më përshkroi ai (duke nënkuptuar, sigurisht që vij nga një ‘vend i vogël’) – të fitoj vëmendjen e virtuozit të pakrahasueshëm të politikës së madhe të Britanisë”.

https://t.co/5yfTLPfoAB

Ooopsss… Mr.@Nigel_Farage himself has just challenged me on the facts!

What an honor — for a “giant man,” as he described me (meaning, of course, from a “tiny country”) — to earn the attention of Britain’s unrivaled virtuoso of headline politics.

He…

— Edi Rama (@ediramaal) June 27, 2025


Postimi i Ramës vijonte duke pretenduar se figura e Farage ishte “e çmendur” dhe një “klasik nga libri i Brexit-it pas së vërtetës”. Ai shtoi se shumë shqiptarë janë të bllokuar në një “sistem të vjetëruar dhe kufizues vizash”, por tha se shkalla e kriminalitetit të tyre “nuk do të ishte më e lartë dhe ndoshta është më e ulët se ajo e vetë popullsisë britanike”.

“Le t’i sjellim të dy shifrat tona në tryezë. Nëse pretendimi juaj “një në 50” është i vërtetë – unë personalisht do të angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht. Ky nuk është një titull konkurrues – është një premtim publik. Por nëse statistika juaj e frikshme rezulton të jetë thjesht material për tabloidët, atëherë nuk ka nevojë për falje. Asnjë dramë. Në vend të kësaj, do të vini në Shqipëri – si i ftuari im i nderit…

Dhe e tëra çfarë kërkoj në këmbim është premtimi më i thjeshtë publik nga ju, i bërë ndërsa shijoni vendin tonë: herën tjetër që dikush do të flasë keq për shqiptarët, do të jeni i pari që do t’i thoni — në mënyrën tuaj teatrale — të mos e bëjnë përsëri” – shkroi Rama.

Nuk ka vonuar përgjigjja e Farage. Duke folur për “The Telegraph” ai tha se do ta pranonte sfidën. “Ne do ta bëjmë Edi Ramën të mbajë premtimin e tij!” – tha Farage.

The Telegraph shkruan se statistikat që përmendi Farage u raportuan për herë të parë nga kjo gazetë kur gazeta përpiloi një tabelë të emigrantëve të huaj bazuar në të dhënat nga Ministria e Drejtësisë (MoJ) dhe Zyra për Statistikat Kombëtare (ONS).

Sipas gazetës, shifrat tregonin se kishte 10 435 shtetas të huaj në burgje në Angli dhe Uells krahasuar me 76 866 shtetas britanikë. Këto shifra u krahasuan me të dhënat e regjistrimit Censit në Britani, nga të cilat u nxor numri i shtetasve të huaj nga secili vend që nuk kanë pasaportë të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas këtyre të dhënave kishte 68 672 shqiptarë që jetonin në Mbretërinë e Bashkuar. Duke hequr 15 860 që nuk kishin një pasaportë britanike, dilte një total prej rreth 52 000. Me 1,227 shqiptare në burgje, kjo është e barabartë me 2% të shqiptarëve.

Shkalla e burgosjes së shqiptarëve ishte 232.33 për 10 000 njerëz ose “1 në 50” shkruan “The Telegraph”. “Mund të ketë njëfarë diference gabimi pasi disa shtetas të huaj mund të kenë marrë shtetësinë, por të mos kenë aplikuar për pasaportë” – shkroi gazeta duke i kujtuar Ramës se mund ta ketë bastin të humbur.

Pak a shumë të njëjtat shifra shpërndau edhe Farage ne një postim në X.

“I dashur Edi Rama. Në Mbretërinë e Bashkuar ka 53 000 qytetarë shqiptarë dhe 1 099 prej tyre janë në burgjet tona. Në fakt, kjo është 1 në 48. Do t’i kërkoj Sekretarit të Brendshëm të organizojë që të gjithë këta të burgosur t’ju kthehen. Faleminderit për bashkëpunimin tuaj” – iu përgjigj shkurt ai.

Dear @EdiRamaal.

There are 53,000 Albanian citizens in the UK & 1,099 are in our prisons. That’s actually 1 in 48.

I will be asking the Home Secretary to organise for all of these prisoners to be sent back to you.

Thank you for your cooperation. https://t.co/fj4vzgIo1y

— Nigel Farage MP (@Nigel_Farage) June 29, 2025


Por kryeministri shqiptar nuk pranon humbjen. Në një tjetër koment të gjatë në X këtë të diel, Rama shkruan se shifrat e Farage dhe “The Telegraph” janë të pasakta.

“Regjistrimi” yt i shqiptarëve në Britani është veçanërisht qesharak. Ti pretendon se janë 53 000. Në realitet, numri është shumë më i lartë, shumëfish i kësaj. Por le të mbetemi vetëm te burimi juaj: “The Telegraph”, e cila ishte e para që trumbetoi teorinë “një në 50”, dhe më vonë e ka pranuar: “Analiza ka të ngjarë të ketë nënvlerësuar madhësinë e popullsisë shqiptare pasi nuk merr parasysh migrantët e paligjshëm, përfshirë më shumë se 12 000 që mbërritën me anije të vogla në vitin 2022. Disa vlerësime sugjerojnë se popullsia e vërtetë shqiptare mund të jetë deri në 140 000 që do të thotë se më pak se 1 në 100 janë në burg” – shkroi Rama që ngre edhe disa pyetje.

“Sa prej tyre janë dënuar në të vërtetë për krime që nuk lidhen me sistemin tuaj të vjetëruar të imigracionit dhe vizave? Po, numrat mund të jenë të mërzitshëm – por janë gjithashtu kokëfortë. Dhe kur dikush vazhdon t’i gabojë, pyetja e vërtetë është: Pse të vazhdosh? Sepse sinqerisht, të qenit djallëzor duket nën edhe stilin tënd të zakonshëm” – akuzon Rama.

Dear @Nigel_Farage,

My Catholic grandmother, God rest her soul, used to remind me of the Latin proverb: Errare humanum est, sed perseverare diabolicum. That I guess goes something like: To err is human, but to persist in error is diabolical.

So instead of bothering the already… https://t.co/9d10EQgryV pic.twitter.com/d6rm3x9W4A

— Edi Rama (@ediramaal) June 29, 2025


“Shqiptarët në Britani nuk janë një statistikë që duhet shtrembëruar për teatrin politik pas Brexit-it, i nderuar Z. Farage. Ata janë studentë, akademikë, ndërtues, shoferë, pronarë biznesesh dhe partnerë. Dhe nëse 1 në 1 mijë dështon, kjo nuk e shndërron turmën në kurban për konfuzionin tuaj kombëtar.

Ne kemi qëndruar krah për krah me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar në uljen dramatike të migracionit të paligjshëm dhe në goditjen e krimit. Numrat realë e vërtetojnë këtë dhe kjo quhet bashkëpunim. Por “një në 50 shqiptarë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar”? Ky nuk është fakt – kjo quhet iluzion pas Brexit-it.

Pres me padurim t’ju mirëpres në Shqipëri siç premtuam, për të ndarë shumë diell të mrekullueshëm, mikpritje të ngrohtë dhe fakte të vërteta” – shkruan Rama. ©LAPSI.al

The post Përplasja Rama – Farage/ “The Telegraph”: Sa shqiptarë janë në burgjet britanike appeared first on Lapsi.al.

  •  

Përleshje në Serbi mes policisë dhe protestuesve që duan zgjedhje të parakohshme

Forcat speciale të Serbisë hodhën gaz lotsjellës ndërsa dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Beogradit, duke kërkuar zgjedhje të parakohshme për t’i dhënë fund sundimit 12-vjeçar të Presidentit Aleksandar Vuçiç.

Disa protestues hodhën flakadanë ndaj policisë kur protesta po shuhej rreth orës 22:00 të së shtunës. Protestuesit brohoritën “Ulni mburojat”, duke u kërkuar policëve të mos ndërhyjnë.

Tubimi u organizua nga studentët e universiteteve të Serbisë, të cilët përbëjnë boshtin kryesor të protestave mbarëkombëtare që nisën afro tetë muaj më parë, pas shembjes fatale të çatisë së një stacioni hekurudhor të rinovuar me beton në qytetin verior të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona.

Tragjedia e nëntorit të kaluar shënoi një pikë kthese në irritimin ndaj qeverisë, pasi shumë serbë besojnë se ajo ndodhi për shkak të korrupsionit të dyshuar dhe neglizhencës në projektet infrastrukturore shtetërore.

Nën presion, kryeministri Millosh Vuçeviç dha dorëheqjen në fillim të këtij viti, por Vuçiç vazhdon të mbetet në pushtet.

Kompania hekurudhore e Serbisë ndaloi shërbimin e trenave për shkak të një kërcënimi të supozuar me bombë – një veprim që kritikët e quajtën përpjekje të dukshme për të penguar njerëzit të udhëtonin drejt Beogradit për protestë.

Disa orë para protestës në sheshin Slavija dhe bulevardin Nemanjina të Beogradit, partia e Vuçiçit solli me autobusë mbështetësit e saj nga zona të tjera të vendit, shumë prej të cilëve mbanin bluza me mbishkrimin: “Nuk do ta dorëzojmë Serbinë”.

Ata iu bashkuan mbështetësve militantë që prej mesit të marsit kanë ngritur kamp pranë zyrës së Vuçiçit në qendër të Beogradit.

Vuçiç, partia e të cilit, Partia Progresive – udhëheq një koalicion që zotëron 156 nga 250 vendet në parlament, u tha gazetarëve të shtunën se “fuqi të huaja” të papërcaktuara ishin pas protestës. Ai deklaroi se policia duhet të tregojë përmbajtje, por paralajmëroi se “banditët do të përballen me drejtësinë”.

Vuçiç ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe është i vendosur të përfundojë mandatin e tij të dytë, që përfundon në vitin 2027, kur janë parashikuar edhe zgjedhjet parlamentare.

Por kontrolli i tij mbi pushtetin është lëkundur, me kundërshtarët që e akuzojnë atë dhe aleatët e tij për lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj rivalëve dhe shtypje të lirisë së medias – akuza që ata i mohojnë.

Më herët këtë javë, policia arrestoi disa persona të akuzuar për komplot për rrëzimin e qeverisë dhe ndaloi hyrjen në vend, pa dhënë shpjegim, të disa qytetarëve nga Kroacia dhe një regjisor teatri nga Mali i Zi.

The post Përleshje në Serbi mes policisë dhe protestuesve që duan zgjedhje të parakohshme appeared first on Lapsi.al.

  •  

Pabarazia/ Alarmi për një krizë globale që po thellohet

Bota po përballet me një krizë pabarazie, e cila mund të sjellë lindjen e trilionerëve të parë, ndërsa gati gjysma e njerëzimit vazhdon të mbetet në varfëri, paralajmëron një grup prej 40 ish-presidentësh dhe ish-kryeministrash të vendeve të ndryshme.

Letra e parë nga “The Guardian” – ku përfshihet edhe ish-kryeministri britanik Gordon Brown – bën një apel të përbashkët drejtuar liderëve aktualë botërorë për krijimin e një “koalicioni të ri ekonomik” për të adresuar kërcënimet gjithnjë e më të mëdha të pabarazisë, varfërisë dhe degradimit mjedisor.

Ish-liderët dënojnë gjithashtu “unilateralizmin e ngushtë” dhe modelin ekonomik të vitit 1944, që e quajnë të “tejkaluar”, ndërsa bëjnë thirrje për një lehtësim të gjerë të borxhit, bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e taksave dhe reformimin e institucioneve si Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Letra është organizuar nga “Club de Madrid”, forumi më i madh në botë i ish-krerëve demokratikë të shtetit dhe të qeverive, me mbështetjen e Oxfam dhe Aleancës së Barnave për Popujt (People’s Medicines Alliance).

Firmëtarët përfshijnë Gordon Brown; Helen Clark të Zelandës së Re; Jose Luis Rodríguez Zapatero të Spanjës; Carlos Alvarado Quesada të Kosta Rikës; Aminata Touré të Senegalit; Sanna Marin të Finlandës; si dhe fituesit e çmimit Nobel për Paqe, José Ramos-Horta – presidenti aktual i Timor-Leste – dhe Óscar Arias, ish-president i Kosta Rikës.

Ndërhyrja e tyre, e rrallë në skenën ndërkombëtare, vjen në një moment pasigurie të thellë globale, me demokracitë në tërheqje, rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla në rënie, dhe dhunën në rritje. Analistja e politikave Fiona Hill ka argumentuar se një luftë e tretë botërore është tashmë në zhvillim e sipër.

Donald Trump ka vazhduar të sfidojë konsensusin e pasluftës, duke tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën dhe, me ndihmën e sipërmarrësit të teknologjisë Elon Musk, ka mbyllur agjencinë amerikane për zhvillim USAID. Sipas një raporti, Musk pritet të bëhet trilioneri i parë në botë deri në vitin 2027.

“Paqëndrueshmëria sundon botën tonë sot,” thuhet në letër. “Pabarazia po përhapet mes kombeve. Trilionerët mund të shfaqen këtë dekadë, ndërsa afërsisht gjysma e njerëzimit jeton në varfëri. 3.3 miliardë njerëz jetojnë në vende që shpenzojnë më shumë për interesat e borxhit sovran sesa për arsimin ose shëndetësinë.

Shkatërrimi klimatik po ecën më shpejt se tranzicioni i gjelbër. Në shumë vende, fëmijët po varrosen nën agresionin e shteteve, teksa çdo ndjenjë e një rendi të bazuar në rregulla po zëvendësohet në mënyrë të dhunshme nga një rend i bazuar në forcë. Multilateralizmi që doli nga dy Luftërat Botërore për të zgjidhur problemet globale është në kaos. Problemet globale që kërkojnë zgjidhje globale dhe që nuk mund të zgjidhen nga shtetet individualisht, mbeten të paadresuara.”

Ish-liderët paralajmërojnë se bota po dështon në bashkëpunimin shumëpalësh dhe në financimin e ndihmës për zhvillim global, gjë që po çon në më shumë varfëri, sëmundje, analfabetizëm dhe probleme mjedisore.

Në atë që disa vëzhgues mund ta interpretojnë si një thumb ndaj Trump-it, i cili ka sulmuar organizata si NATO, Kombet e Bashkuara dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, letra thotë: “I vetëm, asnjë shtet – dhe populli i tij – nuk mund të jetë i mbrojtur kur një tjetër zgjedh unilateralizmin e ngushtë përpara çdo gjëje tjetër. Na duhet bashkëpunim ndërkombëtar, i ridizajnuar për epokën tonë.”

Megjithë këtë panoramë të zymtë, ish-liderët shprehin optimizëm se “është e mundur një kthesë e fuqishme” dhe bëjnë thirrje për “një koalicion të ri ekonomik të përbërë nga vende që bashkëpunojnë – për të luftuar pabarazinë ekstreme, për të zhdukur varfërinë dhe për të përmbushur të drejtat njerëzore. Një koalicion që mbështetet në vlerat e solidaritetit dhe sovranitetit.”

Ata theksojnë: “Ekzistojnë triliona dollarë për të financuar zhvillimin – por shumë nga këto para publike janë kapur nga pushteti privat.” Duke dënuar “shkurtimet që rrjedhin nga vendet e pasura”, ata argumentojnë për rikthimin e ndihmës për zhvillim dhe vendosjen e taksave minimale globale mbi fitimet e korporatave multinacionale.

Grupi i 40 ish-presidentëve dhe kryeministrave identifikon Konferencën e Katërt Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit që do të mbahet në Sevilje të Spanjës, samitin e G20-s në Afrikën e Jugut dhe COP30 në Brazil si mundësi kyçe për të avancuar këtë agjendë.

Sa para kanë shqiptarët në bankë?

Në mungesë të statistikave zyrtare që matin drejtpërdrejt pabarazinë në pasuri apo konsum, të dhënat e shpërndarjes së depozitave bankare japin një tregues të qartë dhe tronditës për thellimin e hendekut mes shtresave të pasura dhe pjesës tjetër të shoqërisë shqiptare.

Sipas raportit vjetor të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave për vitin 2024, i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, në vend janë aktive rreth 1.84 milionë llogari bankare individuale. Por shifrat pas këtij totali flasin qartë: rreth 93% e këtyre llogarive i përkasin qytetarëve të zakonshëm dhe përmbajnë mesatarisht vetëm 312 mijë lekë (rreth 3100 euro), një shumë modeste që nuk mjafton as për një blerje të thjeshtë pasurie apo një krizë të papritur shëndetësore.

Në anën tjetër, vetëm 7% e llogarive, ose rreth 126 mijë llogari, mbajnë mesatarisht nga 5.9 milionë lekë secila (afërsisht 59 mijë euro). Kjo kategori përfaqëson shtresën e sipërme të depozituesve, të cilët mbajnë në dorë 7.4 miliardë euro, ose 58% të gjithë kursimeve individuale në sistemin bankar shqiptar. Ndërkohë, pjesa tjetër e popullsisë zotëron vetëm 5.34 miliardë euro, apo 42% të totalit të depozitave.

Ky disproporcion dramatik, i zbuluar për shkak të mënyrës sesi Agjencia e Sigurimit të Depozitave ndan llogaritë në bazë të shumës së garantuar – deri në 2.5 milionë lekë (që garantohen 100%) dhe mbi këtë vlerë (që garantohen pjesërisht) – ofron një fotografi domethënëse të asaj që mund të quhet “arkitektura e pasurisë në hije” në Shqipëri. Një strukturë ku pak llogari përmbajnë shumicën e parasë, ndërsa pjesa tjetër ndan thërrimet.

Për më tepër, kjo ndarje nuk është krejtësisht e saktë në nivel individësh, pasi një person mund të ketë më shumë se një llogari bankare. Kjo do të thotë se numri real i njerëzve që zotërojnë depozita mbi kufirin prej 2.5 milionë lekësh është edhe më i vogël se 126 mijë, duke thelluar edhe më tej kontrastin.

Për të pasurit, depozitat janë vetëm një element – të tjerat janë prona të paluajtshme, asete jashtë sistemit bankar, investime të paregjistruara. Por për pjesën tjetër të shoqërisë, ato janë pasqyrimi më i drejtpërdrejtë i gjendjes financiare dhe mundësive të jetesës. Dhe kur 93% e njerëzve mbajnë në llogari mesatarisht sa një rrogë minimale tremujore, ndërsa 7% kontrollojnë mbi gjysmën e parasë në qarkullim, pyetja nuk është më nëse kemi një krizë pabarazie, por: Sa e thellë është ajo?

The post Pabarazia/ Alarmi për një krizë globale që po thellohet appeared first on Lapsi.al.

  •  

Vëzhgimi/ A e tradhëtoi Top Channel Erion Veliajn?

Këto ditë, në ato pak media që vijojnë të mbështesin Veliajn është shfaqur një raport i dy studiove ligjore ndërkombëtare që rreshojnë argumentat kundër burgosjes së tij të padrejtë, sipas tyre.

Në dokumentin me shkrim të Kasowitz LLP, me seli në Nju Jork dhe Mishcon de Reya LLP, me seli në Londër, theksohet se kryebashkiaku në detyrë mbahet i izoluar pa akuzë dhe se disa nga praktikat e SPAK-ut për të kërkuar paraburgim të gjatë kanë rezultuar shumë të dyshimta kur janë shpënë në Gjykatën e Strasburgut. Ashtu sikurse ndodh rëndom konkluzionet e këtij raporti u publikuan në ato media që e kanë mbësheur Veliajn kur ka qenë në zyrë, por që vijojnë ta bëjnë këtë edhe në momentin kur doli prej saj. 

BIRN: Erion Veliaj angazhon studio ligjore britanike për mbrojtjen

Ajo që bën çudi është se Top Channel duket sikur nuk bën më pjesë mes tyre. As në TV, as në faqen online të këtij televizioni nuk u botua asnjë rresht nga raporti i Kasowitz LLP dhe Mishcon de Reya LLP.

Ç’ka ndodhur? Ndoshta gjithçka duhet kërkuar në atë që ngjau në fillim të prillit. Kur nga gjykata e apelit doli dosja e përgjimeve që SPAK i kishte bërë në qeli Veliajt, Top Channel aty rezultonte si një nga mediat që merrte porosi dhe drejtohej që nga burgu prej kryebashkiakut në detyrë.

Veliaj në burg, një kompani londineze po kujdeset për reputacionin

Në biseda rezultonte se Veliaj jepe udhëzime për të mbajtur lart presionin kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve. Madje ai i porosiste njerëzit nga burgu që të komunikojnë me trashigimtaren e Top Channel që drejton punën e përditshme, Lorin dhe bashkëshortin e saj, Visin. Psh nga përgjimi i datës 4 mars (shiko faksimilen e dosjes poshtë), një javë para procesit për masën e arrestit, ai jep porositë e më poshtme, ku duket qartë se ka një pakt me televizionin më të madh në vend për ta mbështetur.

Ky episod bëri shumë bujë dhe u komentua gjatë. Vetë televizioni dhe moderatorja Grida Duma u detyruan të bëjnë sqarime publike për mënyrën se si qenë organizuar intervistat me Veliajn nga qelia.

Por, që pas këtij momenti gjërat nisën të ndryshojnë. Nga njëra anë u pa qartë se Rama filloi ta lëshojë ish delfinin e vet. Ai i porositi deputetët të mos e mbronin më, u dha urdhër militantëve mos protestonin para SPAK-ut, zhduku gjithë mbështetësit e Veliajt nga grupi parlamentar i pas 11 janarit dhe instaloi në krye të bashkisë njerëzit që nuk i bindeshin më urdhrave nga qelitë e Durrësit.

Burgosja/ Dy lajme të këqia nga gjykatat për Erion Veliajn

Pikërisht në këtë moment në TOP CHANNEl do jetë ngritur pyetja se përse duhet vijuar me mbrojtjen e dikujt që e kanë shitur dhe të vetët. Pse u dashka suportuar dikush që nuk ka fuqi të të bëjë më ndere? Pse duhen marrë kosto, si ato që shkaktoi dalja e përgjimeve, për dike që nuk të sjell më përfitime?

Këtu me sa duket filloi edhe kthesa, si për qëndrimin ndaj korrupsionit të Veliajt ashtu edhe për arsyet se përse ai duhet mbajtur në burg!

Çfarë tregon për 11 majin, vrasja e superman-it Veliaj

Duke i’u referuar një dosjeje stë gjykatës, Topi prodhoi në 9 prill një lajm ku që në titull theksohej se “GJKKO hedh poshtë pretendimet e Veliajt”, duke vulosur se vila në Qerret është e kryebashkiakut (shiko foton poshtë).

Për një kohë të gjatë, të gjitha mediat që mbështesnin kryebashkiakun kanë pasur si linjë se vila e Qerretit është e vjehërrit të tij, madje publikuan edhe foto të babait të ndjerë të Ajola Xoxës duke darkuar në mjediset e asaj shtëpie.  

Ndonëse kronika e përgatitur nga gazetarja Anila Hoxha ishte korrekte dhe pasqyronte prtendimet e të dyja palëve, së pari, të SPAK-ut që raporton qelizat telefonike të kryebashkiakut socialist në atë zonë dhe gjithashtu dhe alibinë e tij se aty është gjendur për fushatën elektorale të PS-së, aty binte në sy titulli i lajmit. Aty merrej e mirqenë se vila është e Veliajt duke marë një qëndrim redaksional të hapur kundër kryebashkiakut.

Si për të treguar se nuk qe rastësi ky episod u përsërit. Top Channel-i prodhoi një tjetër lajm mbi këtë temë i cili merr të mirqenë akuzën më të rëndë kundër çiftit Velaij-Xoxe, atë se ata kanë intimiduar dëshmitarët për të prishur hetimet. Titulli i këtij lajmi nuk e vinte në diskutim faktin se dëshmitarja Ina Goxhaj ishte frikësuar duke përligjur akuzën më të fortë të SPAK për mbajtjen në burg të kryebashkiakut të Tiranës (shiko foton poshtë).

Po të kërkosh edhe në faqen e televizionit kombëtar duket se raportimet për Veliajn janë rralluar ndjeshëm. Dhe shenja më flargante për këtë është rrefuzimi i botimit të materialit të dy studiove ndërkombëtare i cili me siguri i duhet kryebashkiakut të parabirgosur për të ndezur atmosferën përpara gjykimit të masës së tij të arrestit në Gjykatën e Lartë.

Por, Top Channel me sa duket nuk e ofron më atë shërbim. Televizioni që nuk nguron të prodhojë ngacmime editoriale kundër atyre që kritikojnë Ramduron në mediat ndërkombëtare tani me sa duket i bindet vetëm një njeriu të vetëm.

©lapsi.al

The post Vëzhgimi/ A e tradhëtoi Top Channel Erion Veliajn? appeared first on Lapsi.al.

  •  

Reportazh nga Sazani/ Ishulli dhuratë për familjen Trump nga Edi Rama

Nga Marzio Mian

Në Sazan, një ishull i vogël pranë bregdetit shqiptar, peizazhi është si nga epoka e Jurassic. Ferrat, livanda gjigande, rozmarina e deri te dafina, rritet mbi malin në qendër të tij. Pamja nga maja, me perëndimet dramatike të diellit është e një bukurie trullosëse.

Shqiptarët e quajnë Sazanin “Ishulli i Trumpëve”. Deri më tani pothuajse i paprekur nga zhvillimet, ishulli është në prag të shndërrimit në një “Mekë” të turizmit ultra-luksoz, një tjetër pronë në portofolin e Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Kur foli në podcast-in e Lex Fridman në korrik 2024, Ivanka mezi e fshihte entuziazmin: “Po punoj me bashkëshortin tim, kemi këtë ishull me 1,400 hektarë në Mesdhe dhe po sjellim arkitektët më të mirë, markat më të mira të turizmit” tha ajo. “Do të jetë diçka e jashtëzakonshme.”

Kur fola me Kushner në telefon po atë muaj, ndjeva entuziazmin e tij euforik për Sazanin, të cilin e shihte si një lloj thesari. Ai tha se synon të krijojë “resortin ideal ku do të doja të isha me familjen dhe miqtë”.

Para se të vizitoja ishullin, isha magjepsur nga ideja e eksplorimit të rreth 65 kilometrave shtigje, ngjitjes në malet e mbuluara me pyje tropikale dhe zbulimit të rrugëve ujore me emra si Gjiri i Parajsës, Gryka e Ferrit, Gjiri i Djallit dhe Plazhi i Admiralit. Doja ta shihja përpara se fraza “po shkoj në Sazan” të bëhej privilegj i të pasurve.

Kur mbërrita atje, në një ditë të kthjellët të korrikut 2024, zbulova që ishulli nuk është vend ku mund të humbësh lehtësisht: është i mbushur me tabela me kafka dhe kocka, që paralajmërojnë për minat nëntokë. Udhërrëfyesi im, Arbër Celaj, një komandant në marinën shqiptare, më ndaloi të shkoja shumë larg. Nuk donte të merrte ndonjë qortim nga eprorët e tij.

Sazani ndodhet mes detit Adriatik dhe detit Jon, në një pozicion strategjik në hyrje të gjirit të Vlorës, në ngushticën e Otrantos që ndan Italinë nga Shqipëria. Por siç më shpjegoi Celaj, “klima e Sazanit nuk është mesdhetare – është subtropikale. E shikon nga bimësia. Biodiversiteti është i çmendur.” Vërtet, terreni dukej si i dalë nga kompjuteri i Spielberg-ut: një xhungël me frashër të mëdhenj, dushqe të forta, pisha detare dhe lisa të egër.

Duke qenë se nuk mund të devijoja nga shtigjet e sigurta, u mjaftova duke i soditur nga larg shkurret e rralla dhe livadhet e gjata që shtriheshin deri te ujërat ngjyrë bruz. Ishte si të kundroje lindjen e universit, ndërsa shihje krijimin e atij peizazhi. Edhe Kushner kishte mbetur pa fjalë kur e kishte parë për herë të parë në vitin 2021. Më tha: “U habita që ekzistonte diçka e tillë në mes të Mesdheut dhe nuk ishte zhvilluar.” Aprovimi paraprak nga qeveria shqiptare për projektin e Kushner-it u dha më 30 dhjetor 2024.

Bisedën e fundit me Kushner dhe bashkëpunëtorin e tij Asher Abehsera, CEO dhe bashkëthemelues i Affinity Global Development, e pata në korrik 2024. Zëdhënësi i Affinity Partners, firma me bazë në Miami që drejtohet nga Kushner dhe menaxhon 4.6 miliardë dollarë, nuk u përgjigj ndaj asnjë emaili apo mesazhi për komente mbi projektin.

Ironikisht, Sazani ka mbetur i virgjër falë komunizmit. Gjatë periudhës 1946–1991, Shqipëria njihej si “Koreja e Veriut e Europës” dhe Sazani u bë simboli i izolimit ekstrem: një fortesë ushtarake e pakalueshme, që diktatori Enver Hoxha, mburojë kundër një sulmi të mundshëm nga NATO apo traktati i Varshavës.

Për dekada, ushtarët në ishull prisnin një sulm, vëzhgonin horizontin, dëgjonin për ndonjë nëndetëse që do të dilte nga thellësitë e Adriatikut. Ishulli kishte një bazë ushtarake me banesa, teatër, shkollë dhe spital. Nga vitet ’70, rreth 150 familje ushtarake jetonin atje pa kontakt me tokën. “Por ishin të privilegjuar. Kishin ushqim, veshmbathje, shkollim, pajisje,” më tha Celaj. Pritja përfundoi me rënien e regjimit në 1991.

Duke ecur në një shteg me udhërrëfyesin, hasëm disa strehime kundër bombave dhe tunele për furnizime e municione, të projektuara si vendstrehime në rast të një lufte guerrile. Celaj më tha se ka rreth 16 kilometra tunele, të banuara sot nga lakuriq nate, nëpërka dhe lepuj të egër. Rreth 3,600 bunkerë gjenden në Sazan, kërpudha prej betoni të blinduara që shfaqen mes bimësisë apo qëndrojnë mbi maja malesh si vrojtues kundër aeroplanmbajtëseve të imagjinuara amerikane apo fregatave sovjetike. Disa prej tyre do të ruhen dhe do të integrohen në projektin e ri, sipas Kushner.

Pyeta Çelajn për tabelat paralajmëruese për mina. “Nuk janë saktësisht mina tokësore,” tha. “Ishulli është plot me municione të pashpërthyera, ka ende shumë zona për të pastruar.” Ai tregoi një humnerë në bregun lindor, ku Affinity Partners synon të ndërtojë një pjesë të madhe të resortit. “Janë mbetje nga vitet ‘90,” vazhdoi Celaj, “kur kriminelë sulmuan ishullin para syve të ushtrisë, duke plaçkitur depot e armëve.” Në fund armiku kishte ardhur, por me barka të vogla dhe duke folur të njëjtën gjuhë si ushtarakët që prisnin në ishull.

Sot, ishulli kontrollohet nga Forcat e Armatosura Shqiptare. Patrullohet nga tre marinarë që ecin mes molëve të ndryshkura të Gjirit të Shën Nikollës.(Porti ku Affinity do të ndërtojë marinën kryesore për jahtet, sipas Abehsera)

Shqipëria është ngjitur në renditjet më prestigjioze të turizmit falë kryeministrit Edi Rama, që e ka kthyer vendin në një “tigër ekonomik të Ballkanit”.

E pyeta Ramën nëse e shqetëson ndonjë përplasje politike për projektin e ri. Ai më tha se vendi i tij “nuk mund të mos e shfrytëzojë një dhuratë si Sazani” dhe shtoi: “Na duhet turizëm luksoz siç i duhet ujë shkretëtirës.” Nuk i trembet as polemikave, sidomos “nëse ndihmojnë për të tërhequr vëmendje dhe investime.”

Kushner e përshkruan Ramën si “një partner të shkëlqyer” dhe “shumë vizionar”. “Po ndërtojnë një aeroport pikërisht atje [në zonën e Vlorës],” më tha ai në korrik 2024.

Shqipëria nuk është i vetmi interes i Kushner-it. Ai po synon edhe Serbinë, ku Affinity planifikon të shndërrojë ish-ministrinë e mbrojtjes në një hotel luksoz. Ndërmjetësi i tyre është ish-ambasadori amerikan Richard Grenell, i cili ka bashkëpunuar me Kushner që nga koha e presidencës së Trump për Serbinë dhe Kosovën nga viti 2019 deri në 2021. Sipas New York Times, ndërsa Grenell ishte i dërguar special në rajon, ai zhvilloi edhe projektin e përbashkët për investimin amerikan në ish-godinën e ministrisë së mbrojtjes. Pas asaj, bashkoi forcat me Kushner në marrëveshjen e re të biznesit dhe tani është partner me Affinity. (Kushner më tha se ishte Grenell që i sugjeroi të investonte në Shqipëri.)

Presidenti i Serbisë, oportunisti Aleksandar Vuçiç, pa te Grenell dhe Kushner një shans për t’u afruar me Trump nëse ai fitonte rizgjedhjen, sipas Financial Times. Në fakt, Vuçiç po luan një lojë të rrezikshme: përveçse po i afrohet rrethit të ngushtë të Trump, ai ka refuzuar të vendosë sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.

Në maj 2024, ai shtroi tapetin e kuq për udhëheqësin kinez Xi Jinping, qeveria e të cilit ka bërë investime të mëdha infrastrukturore në Serbi, raportoi Reuters. Gjatë gjithë kohës, Vuçiç vazhdon të shprehë dëshirën e tij për t’u bashkuar me Bashkimin Europian, por refuzon të përmbushë kushtin kryesor të Brukselit: njohjen e kufijve dhe pavarësinë e Kosovës.

Gjatë një bisede me Ramën, unë e pyeta se çfarë roli mund të luajnë investimet amerikane në gjeopolitikë. Ai m’u përgjigj se ishte “thjesht biznes”, por nuk ma mohoi se mund të çojnë përpara edhe një strategji politike më të gjerë. “Duhet ta mbajmë Serbinë në sferën perëndimore dhe ta heqim nga ndikimi i Moskës,” më tha. Në një intervistë për Financial Times në Korrik 2024, edhe Grenell tha se investime si ai në ish-godinën e Miistrisë së Mbrojtjes e afrojnë Serbinë me Shtetet e Bashkuara.

Kushner, i cili shërbeu si këshilltar i lartë i Trump nga viti 2017 deri në vitin 2021, mohoi të ketë përdorur pozicionin e tij për të negociuar ndonjë plan për zhvillimin e Sazanit kur folëm në korrik 2024. “Nuk e kam takuar kurrë kryeministrin Rama kur isha në qeveri”, më tha Kushner. “Por edhe nëse e kam takuar, nuk është konflikt interesi. Njerëzit që shërbejnë në qeveri, ndërtojnë marrëdhënie të ndryshme.” Ai pretendoi se interesi në Serbi dhe Shqipëri “po rritet jashtëzakonisht shumë” si rezultat i marrëveshjeve të pasurive të paluajtshme të kompanisë së tij.

Bisedimet për Sazanin ishin të fshehta. Publiku dhe deputetët nuk u informuan për marrëveshjen 1.4 miliardë dollarëshe deri sa u botua në media.

Ministrja për Turizmin dhe Mjedisin, Mirela Kumbaro e vendimin e Ramës për një marrëveshje me Kushner, e cila u kritikua nga opozita, duke thënë: “Nuk mund të konkurrojmë me Italinë, Kroacinë e Greqinë për turizmin masiv. Nuk kemi infrastrukturën dhe eksperiencën e mjaftueshme. Duhet të fokusohemi te cilësia. Në vlerë dhe jo në sasi. Më shumë fitime dhe më pak probleme.”

Sipas mediave lokale, gati 12 milionë vizitorë të huaj udhëtuan për në Shqipëri në vitin 2024, një rritje prej 15% krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është “shumë për ne dhe do të thotë edhe shumë ndotje”, tha Kumbaro. “Sazani është zgjidhja ideale. Receta ideale: turizmi natyror dhe luksoz.” Ajo ishte entuziaste për projektin, duke shpjeguar se Affinity po punon ngushtë me agjencinë qeveritare përgjegjëse për investimet strategjike, që do të thotë ato që tejkalojnë 15 milionë euro.

Kompromisi është i konsiderueshëm: zero taksa gjatë fazës së ndërtimit dhe shteti kujdeset për të gjithë infrastrukturën, përfshirë ujin, energjinë elektrike dhe kanalizimet, sipas Kumbaros. Çdo gjë tjetër – dielli, deti, foka-murg dhe xhungla subtropikale – është tashmë aty.

Por pikërisht kjo është ajo që shqetëson ambientalistët si Olsi Nika, biolog detar dhe drejtor i shoqatës EcoAlbania. “Kjo zonë është pjesë e Parkut Kombëtar Detar Karaburun-Sazan. Kjo do të thotë se plazhet dhe ujërat në një rreze prej 2 kilometrash nga bregu janë të mbrojtura.” tha ai. “Çfarë do t’i bëjnë punimet publike, doket, jahtet, shkarkimet e ujërave të ndotura këtij vendi të mbrojtur?”

Abehsera, CEO i Affinity më tha se kompania e tij kishte kontraktuar firmën globale Arup për zhvillim të qëndrueshëm, si këshilltare e projektit. “Parimet e tyre janë të fokusuara në respektimin e ekologjinë lokale dhe të ambjentit” thotë Abehsera.

Kushneri e kishte përgjigjen gati për këtë temë. “Kur njerëzit paralajmërojnë zhvillimin e një zone, të gjithë frikësohen”, tha ai në korrik 2024. “Të gjithë mendojnë më të keqen. Por, sapo të shohin planet që kemi, mënyrën se si po i projektojmë, mënyrën se si po tregohemi besnikë dhe të kujdesshëm ndaj mjedisit përreth nesh, mendoj se njerëzit do të jenë shumë, shumë të kënaqur. Dhe përsëri, me zhvillimin, nuk i bën dot të gjithë të lumtur.”

Kur e takova Abehseran për një drekë në Vlore në gusht 2024, ai më dha një imazh paraprak të planeve për zhvillimin e ishullit. Hoteli, tha ai, do të ishte një “xhevahir në Mesdhe”. Kjo është edhe përgjigjja për njerëzit që pyesin: “Çfarë nuk kam parë ende unë?”

Dizajni i hotelit nuk do t’i “imponohej” natyrës; ndërtesat do të ishin “të skalitura ose edhe të zbukuruara nga natyra”. Do të ndihesh “më shumë sikur po banon në një pemë të bukur”.

Por unë kisha vështirësi ta përfytyroja. E pyeta nëse ishulli do të mbetej i vizituar për njerëzit normalë, për vendasit që duan të shfrytëzojnë plazhet e tij. “Mendoj se të gjithë duhet të kenë mundësinë të vizitojnë ishullin”, më tha ai.

Por Kushneri ishte dyshues. “Po krijojmë një produkt super luksoz… Një nga gjërat më tërheqëse në ishull është privatësia… Por mendoj gjithashtu se ka disa zona të ishullit që mund t’i ndërtojmë, të cilat do t’u japin njerëzve mundësinë të vijnë për ta vizituar dhe të shijojnë disa nga ushqimet dhe shtigjet e tij.”

Në fund të ditës u kujtova për një bisedë që kisha bërë me udhërrëfyesin tim Çelaj.  Ai më tregoi se deri ca vite më parë ushtarët që patrullonin këtej, tregonin se kishin parë një gomar ngjyrë gri mes fiqve të egër, diku afër Grykës së Ferrit. Pastaj ai ishte zhdukur. Mos ndoshta ishte thjesht një gojëdhënë? Ose ndoshta gomari i vogël ngjyrë gri mund të ketë vdekur bashkë me misterin e ishullit – bastioni i fundit i egërsisë mesdhetare, i pushtuar pa u qëlluar as edhe një plumb. Mjaftoi që Ivanka dhe Jared të zbrisnin nga helikopteri dhe t’ia bënin: “Wow!”/ Materiali u publikua nga reportagen.com, titulli origjinal “Ishulli bunker i Ivankës”

The post Reportazh nga Sazani/ Ishulli dhuratë për familjen Trump nga Edi Rama appeared first on Lapsi.al.

  •  
❌