Reading view

Walker paralajmëron thellim të përçarjes nëse partitë nuk bashkohen për presidentin

PRISHTINË, 28 gusht/ATSH/ Ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, u bën thirrje partive politike në Kosovë që të bëhen bashkë dhe ta zgjedhin presidentin.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Walker thotë se zgjedhjet e reja eventuale, si pasojë e moszgjedhjes së presidentit, do të ndikonin në përparimin që ka bërë Kosova ndër vite.

“Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri”, thotë Walker.

“Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje”

Radio Evropa e Lirë: Zoti Walker, përmes një letre, ju propozuat këtë javë emrin e Faton Bislimit për president të Kosovës. Cilat janë arsyet që ju shtynë drejt këtij propozimi?

William Walker: Epo, me pak fjalë, jam lodhur nga konfuzioni dhe ngecja e procesit zgjedhor që po vazhdon tash e tri apo katër palë zgjedhje. Tani po thuhet se, nëse nuk e zgjidhin këtë çështje, do të duhet të shkojnë në zgjedhje të tjera.

Unë, vërtet, nuk mendoj se zgjedhjet e reja janë zgjidhja. Ato, me shumë gjasë, do të prodhonin rezultate të ngjashme me zgjedhjet e kaluara.

Mendoj se Kosova, thjesht, duhet të rikthehet në rrugën e progresit të jashtëzakonshëm që ka bërë që nga viti 2000, por veçanërisht që nga pavarësia në vitin 2008.

Mendoj se është koha të ecet përsëri përpara.

Radio Evropa e Lirë: Pse propozuat pikërisht zotin Bislimi?

William Walker: Sepse, e dini, i kam parë problemet që kanë pasur presidentët, veçanërisht ajo që sapo u largua [Vjosa Osmani], jo ushtruesja e detyrës.

E kuptoj se Presidenca është vërtet mjaft ndryshe nga ajo që kërkohet nga një kryeministër, apo nga disa poste të tjera. Presidenti përfaqëson Kosovën në tërësi. Nuk mund të bazohet në një parti politike apo në një lider të caktuar politik.

Për Presidencën nevojitet një grup i tërë aftësish dhe mendoj se Vjosa e kishte shumicën e tyre, por, fatkeqësisht, kishte disa probleme.

Toni Bislimin e njoh prej kohësh dhe mendoj se ai i ka pothuajse të gjitha, në mos të gjitha, aftësitë që unë konsideroj se i nevojiten një kandidati presidencial.

Nuk mund të mendoj për dikë tjetër që njoh në Kosovë, dhe njoh shumë njerëz në Kosovë.

Thjesht, mendoj se Toni ka një kombinim të talenteve dhe personalitetit që i përshtatet asaj që i nevojitet një presidenti. Ka një këndvështrim për botën, arsimim të mirë. Të njohurit e gjuhës angleze është me rëndësi, por gjithashtu edhe njohja e Evropës dhe mënyrës se si funksionon ajo.

Ai ka një personalitet që nuk kërkon konflikt, përpiqet t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është ajo për të cilën Kosova ka shumë nevojë, ashtu si edhe Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse çdo vend tjetër në botë.

Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar propozimin me zotin Bislimi?

William Walker: Jo, por disa njerëz ma sugjeruan emrin e tij dhe atëherë kuptova më mirë se çfarë përfaqësonte dhe çfarë aftësish kishte, pasi e njoh prej disa vitesh.

Radio Evropa e Lirë: Para se ta propozonit zotin Bislimi, a keni komunikuar me liderët e partive politike në Kosovë? A i keni informuar ata për hapin që do të ndërmerrnit?

William Walker: Jo, jo. Pikërisht ketë synonte letra. Ua dërgova letrën, besoj, verbërisht. Kështu do ta përshkruaja.

Thjesht, mendova se katër partitë kryesore, në vend që të grinden për përqindjet në zgjedhje, për ulëset në parlament dhe për postet që mund të mbanin nëse do të mund të bashkoheshin… thjesht, nuk kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë gjë. Pra, letra ishte përpjekja ime e parë për t’u thënë partive se mendoj që Toni do të ishte një kandidat i mirë nëse ato do të mund të bashkoheshin.

Mendoj se ai ka mbështetje… ose, e dini, njerëzit në të katër partitë e njohin. Ai është gjithashtu shumë i njohur këtu në diasporë – gjë që mendoj se është e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: A keni marrë ndonjë përgjigje nga liderët, të cilëve u keni shkruar lidhur me propozimin tuaj? Dhe a keni ndonjë konfirmim se emri i tij do të merret në konsideratë?

William Walker: Jo, nuk kam marrë asnjë reagim nga asnjë prej katër partive, nga katër liderët. Sigurisht që kam ndjekur lajmet në Kosovë dhe kam parë se është raportuar gjerësisht në media se e kam bërë këtë propozim.

Nga sa dëgjoj, ai është pritur mirë, ka shumë mbështetje.

Radio Evropa e Lirë: Përveç jush, zotin Bislimi e ka propozuar edhe ish-kongresisti Joe Dioguardi. A jeni në dijeni për propozimin e tij?

William Walker: Po, e kam parë edhe atë në media, po.

Radio Evropa e Lirë: A jeni koordinuar me të lidhur me propozimin. A keni diskutuar me të?

William Walker: Jo, jo. Nuk kam folur me Joe Dioguardin prej vitesh. E njoh, sigurisht, sepse është nga Nju Jorku dhe e kam takuar disa herë në Nju Jork, si dhe në Kosovë, por jo, nuk kam folur me të prej shumë kohësh.

“Kosova është një perlë demokratike”

Radio Evropa e Lirë: Kosova është thellësisht e ndarë politikisht. A mendoni se propozimi juaj mund të sigurojë vërtet mbështetje përtej vijave partiake, apo synon kryesisht të nxisë një debat më të gjerë për alternativat?

William Walker: Supozoj se do ta bëjë këtë. Nëse dikush e merr seriozisht propozimin tim, ai do të nxisë një debat, një argument apo një diskutim lidhur me atë nëse ai është kandidati i duhur.

Vazhdimisht them se Kosova është një vend ku deri në vitin 2000 – dhe më e rëndësishmja deri në vitin 2008 – shqiptarët e Kosovës nuk kanë pasur mundësi të fitonin përvojë në qeverisje.

Ata nuk kanë mundur të punësohen në institucionet shtetërore, nuk kanë mundur të sigurojnë shumë vende pune që do t’u jepnin përvojë për sa i përket zhvillimit të vendit.

Dhe, sipas mendimit tim, ajo që ka ndodhur që nga viti 2008 tregon se Kosova – kur shumicës shqiptare i është dhënë mundësia të tregonte se çfarë mund të bënte – ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.

Për mua, Kosova nuk është një demokraci perfekte, por është po aq e përsosur sa çdo vend tjetër në Evropë. Të gjitha gjërat që unë gjithmonë i kam konsideruar si gurët themeltarë të demokracisë – liria e fjalës, liria e fesë, liria e tubimit – janë të pranishme në Kosovën e sotme, vetëm 18 vjet pas pavarësisë.

Shumicës së vendeve iu duhen dekada për të arritur aty ku janë. Për mua, Kosova tani, deri në këtë konfuzionin lidhur me zgjedhjen e presidentit, është një perlë, një perlë demokratike në zemër të Ballkanit, të cilin historikisht të gjithë e kanë parë si një qendër problemesh.

Dhe, ja ku jemi në vitin 2026. Kosova është një demokraci funksionale. E dini, të drejtat e minoriteteve, për të cilat të gjithë kanë bërtitur… nuk di ndonjë vend në Evropë ku minoritetet trajtohen aq drejt dhe me aq bujari sa në Kosovë.

Prandaj, sipas mendimit tim, bota duhet të dëgjojë më shumë nga kosovarët, nga ajo që bën Qeveria në Kosovë.

Mendoj që Kosova duhet të bëjë shumë më tepër për të treguar historinë e saj dhe atë që përfaqëson.

Një gjë që ajo nuk përfaqëson, është kërcënimi për ndonjërin nga fqinjët e saj.

Përkundrazi, ajo përfaqëson një shembull të një kombi paqësor dhe demokratik që thjesht po përpiqet të ndërtojë veten, si shtet i ri në zemër të Evropës.

“Një gjeneratë e re duhet të dalë përpara”

Radio Evropa e Lirë: Sa jeni i shqetësuar për krizën aktuale politike në Kosovë?

William Walker: Padyshim që kjo është një çështje shumë serioze dhe kjo është arsyeja kryesore për propozimin tim. Pjesa më e madhe e problemit, ose shumë aspekte të problemit të procesit zgjedhor bazohen në Kushtetutën, e cila u hartua po nga kosovarët, por edhe nga BE-ja, nga Shtetet e Bashkuara dhe nga këshilltarë të tjerë që erdhën pas luftës për të thënë: ja çfarë duhet të bëni, duhet t’i mbroni minoritetet, duhet ta bëni këtë, duhet ta bëni atë, e kështu me radhë.

Tani keni këtë proces… ku udhëheqja që doli nga lufta, ka qenë udhëheqja e partive që nga viti 2000. Një gjeneratë e re e lidershipit duhet të dalë përpara. Ka kaq shumë njerëz të rinj, të arsimuar dhe të talentuar që janë rritur në Kosovë pas luftës dhe është koha që disa prej tyre të kenë më shumë rol.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë besoni se është në rrezik nëse liderët politikë nuk arrijnë të gjejnë një kompromis?

William Walker: Mungesa aktuale e ecjes përpara do të vazhdojë. Ka çështje të rëndësishme. Natyrisht, marrëdhënia me Serbinë, nevoja për dialog që prodhon diçka… Siç e thashë, Kosova nuk është kërcënim për askënd, ndërsa Serbia vazhdon të jetë kërcënim në Ballkan.

Unë vetëm shpresoj që katër partitë të jenë në gjendje të bien dakord për diçka që është e mirë për Kosovën si shtet dhe që komunitetet të bashkohen shpejt.

Mendoj se duhet të marrin një vendim se deri kur duhet të zgjedhin një president të ri ose të shkojnë në zgjedhje të reja. Vendi nuk ka nevojë për edhe disa muaj të tjerë të këtij konfuzioni.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po përballet me sfida të rëndësishme në marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Sa dëm mund t’u shkaktojë paqëndrueshmëria e zgjatur politike këtyre marrëdhënieve dhe pozitës ndërkombëtare të Kosovës?

William Walker: Po, kam dëgjuar shumë për tensionet mes Shtetev të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Dhe, padyshim, ka tensione, ka probleme. Përsëri, mendoj se Toni është një person që mund t’i kapërcejë këto barriera. Ai i njeh Shtetet e Bashkuara, e njeh Uashingtonin. Nuk mendoj se do t’i bënte disa nga gabimet që mendoj se janë bërë dhe nuk dua të hyj në to.

E di se ku qëndron kritika dhe mendoj se një pjesë e problemit nuk qëndron te liderët politikë në Kosovë, por te liderët politikë këtu në Shtetet e Bashkuara.

Mendoj se Kosova i kushton shumë rëndësi marrëdhënies së saj, kosovarët i kushtojnë jashtëzakonisht shumë rëndësi marrëdhënies me Shtetet e Bashkuara.

Por, ajo që harrojmë është se njerëzit që kanë qenë në pushtet këtu në Uashington gjatë 20, 25, 26 vjetëve të fundit, veçanërisht gjatë dekadës së fundit apo më shumë, nuk kanë njohuri për atë se si ishte lufta në Kosovë, kush i bënte çfarë kujt…

Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë i lidhur ngushtë me Kosovën për dekada. Duke e parë vendin sot, çfarë ju shqetëson më shumë dhe çfarë mesazhi do t’iu dërgonit liderëve politikë të Kosovës?

William Walker: Më lejoni të përgjigjem në pjesën e dytë të pyetjes së pari. Çfarë do t’u thosha liderëve politikë? Do t’u thosha atë që kam thënë në letër: bashkohuni rreth çështjes së Presidencës, sepse kjo është diçka që mund t’i bashkojë të gjithë njerëzit.

Nëse nuk e bëni këtë, do t’i përçajë njerëzit edhe më shumë – gjë që është shumë e gabuar.

Kosova, në kohën e tanishme, mendoj se është në prag të të qenët një perlë absolute në qendër në Ballkanit, në qendër të Evropës.

Mendoj se kundërshtimet e disa vendeve të BE-së, Spanjës dhe të tjerëve, se Kosova nuk i ka përmbushur disa nga kërkesat e demokracisë, janë krejtësisht të gabuara. Ato nuk po e shikojnë mënyrën se si vetë i trajtojnë minoritetet, demokracinë e tyre.

Kosova është një perlë, me të vërtetë është, dhe e gjithë kjo është rezultat i punës së palodhur dhe aftësive të njerëzve të Kosovës.

Unë dua që ajo të rikthehet në rrugën e duhur. Një tjetër palë zgjedhje vetëm se do ta vonojnë këtë.

Kosovës i duhet stabilitet, stabilitet politik dhe kjo do të vijë vetëm përmes një procesi për gjetjen e një presidenti, ku mendoj se të gjithë duhet t’i lënë anash përkatësitë e tyre politike apo admirimin për një lider politik apo një tjetër, dhe të zgjedhin dikë që e bashkon Kosovën përsëri.

The post Walker paralajmëron thellim të përçarjes nëse partitë nuk bashkohen për presidentin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Biblioteka “Thoma Turtulli” në Korçë, me hapësira moderne dhe funksionale për fëmijët

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Biblioteka e fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë është shndërruar në një hapësirë moderne dhe funksionale për fëmijët.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje para dhe pas përfundimit të rikonstruksionit të godinës historike ku është ruajtur identiteti arkitekturor.

Rama shprehet se biblioteka e fëmijëve “Thoma Turtulli” në Korçë është transformuar tërësisht në një hapësirë moderne për leximin, dijen dhe kreativitetin e fëmijëve.

Rikonstruksioni përfshiu fasadat, çatinë, dyert, dritare dhe gjithçka tjetër të godinës historike që ndër breza u ka shërbyer fëmijëve.

Biblioteka ka tashmë të gjitha hapësirat e nevojshme që nga hapësrirat për të lexuar deri te kinemaja, duke u kthyer në një hapësirë moderne dhe të ngrohtë.

The post Biblioteka “Thoma Turtulli” në Korçë, me hapësira moderne dhe funksionale për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

OncoDaily: Ministrja Sala ndër 100 gratë më me ndikim në onkologji në botë

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala është përzgjedhur ndër 100 gratë më me ndikim në onkologji për vitin 2026 të OncoDaily, një nismë ndërkombëtare që vlerëson gratë që po sjellin ndryshime të rëndësishme në kujdesin dhe trajtimin e kancerit në mbarë botën.

OncoDaily vlerëson rolin e prof. Evis Salës si ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke nënvizuar se ajo ka vendosur onkologjinë në qendër të reformës shëndetësore në Shqipëri.

Prestigjiozja ndërkombëtare evidenton disa nismave të ndërmarra si krijimi i Institutit Kombëtar të Onkologjisë dhe Rrjetit Kombëtar të Kancerit, standardizimi i protokolleve të trajtimit të sëmundjeve tumorale, zgjerimi i kapaciteteve rajonale të kimioterapisë dhe radioterapisë, rritja e financimit për barnat antikancer dhe forcimi i programeve të depistimit të kancerit të qafës së mitrës dhe parandalimit të HPV.

Prof. Sala është edhe Profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë dhe ka drejtuar Departamentin e Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS.

“100 Influential Women in Oncology” është kthyer në një traditë të veçantë të OncoDaily që prej 26 gushtit 2023, Ditës së Barazisë së Grave në Shtetet e Bashkuara. Iniciativa synon të njohë 100 gra frymëzuese që bëjnë diferencën në fushën e onkologjisë në mbarë botën.

https://oncodaily.com/100/100-influential-women-in-oncology-574340

The post OncoDaily: Ministrja Sala ndër 100 gratë më me ndikim në onkologji në botë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Revista “Estado de Minas”: Liqen gjigant dhe ujëra termalë, njihuni me thesarin e fshehur nën malet e Shqipërisë

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Revista braziliane “Estado de Minas” ka promovuar një prej mrekullive më të veçanta të natyrës shqiptare, Liqenin Neuron në luginën e Vjosës.

Ky liqen termal nëntokësor me rreth 8.3 milionë litra ujë ndodhet pranë Përmetit dhe burimeve termale të Bënjës.

Zbuloni thesarin e fshehur poshtë maleve të Shqipërisë, një prej liqeneve gjigante me ujërat termale”, është titulli i revistës braziliane për liqenin Neuron që u zbulua një vit më parë nga një ekip shkencëtarësh çekë .

Në artikull shkruhet se  studiuesit e kanë konsideruar “Neuron” si liqenin termik nëntokësor më të madh të njohur në botë.

Zgavra e tij impresionon jo vetëm me vëllimin e ujit, por edhe me dimensionet e zbuluara gjatë hartëzimit.

Gjatë ekspeditës së vitit 2024 u përdor teknologjia “LIDAR” për të hartëzuar shpellën, ku më pas u zbulua se liqeni është 138 metra i gjatë, 42 metra i gjerë dhe mban afërsisht 8,3 milionë litra ujë termik.

Afër zonës ku ndodhet Liqeni Neuron është Përmeti, një qytet i vogël në jug të Shqipërisë, që është i rrethuar nga malet dhe lugina e lumit Vjosa. Kjo zonë është e njohur për peizazhet e bukura natyrore dhe burimet termale.

 

The post Revista “Estado de Minas”: Liqen gjigant dhe ujëra termalë, njihuni me thesarin e fshehur nën malet e Shqipërisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Pas Walkerit, edhe ish-kongresmeni DioGuardi propozon Faton Bislimin për president

PRISHTINË, 27 gusht/ATSH/ Ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi, në një letër drejtuar liderëve politikë të Kosovës, ka bërë thirrje për konsensus rreth zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, duke theksuar se vendi nuk mund të përballojë një tjetër cikël të bllokadave institucionale dhe zgjedhjeve të përsëritura.

DioGuardi, ish-kongresmen republikan në këtë letër drejtuar partive politike ka propozuar Faton Bislimin për president.

Ish-kongresmeni thekson se Kosova ka nevojë për një president, gjersa u bën thirrje liderëve politikë që emrin e Bislimit ta shqyrtojnë mbi bazën e meritave dhe jo të preferencave politike apo personale

Letra e plotë e ish-kogresmenit amerikan, DioGuardit:

Apel për Konsensus dhe Propozim i një Kandidati për President

Po ju drejtohem me një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe dashurie për një vend, lufta e të cilit për liri ka qenë një nga kauzat përcaktuese të jetës sime.

Për më shumë se tri dekada, kam qëndruar krah popullit të Kosovës. E kujtoj Kosovën e viteve 1990—shtypjen, vuajtjet dhe guximin e jashtëzakonshëm të një populli që refuzoi të hiqte dorë nga ëndrra e tij për liri. E kujtoj gjithashtu Kosovën që doli nga lufta, duke vendosur shpresë dhe besim të jashtëzakonshëm tek Shtetet e Bashkuara dhe bota demokratike.

Kjo histori mbart një përgjegjësi. Sot, Kosova gjendet sërish në një udhëkryq të rëndësishëm. Mospajtimet politike janë pjesë e demokracisë, por paraliza institucionale prek shumë më tepër sesa vetëm partitë politike. Ajo prek familjet, të rinjtë, bizneset, partnerët ndërkombëtarë dhe çdo qytetar që dëshiron ta shohë Kosovën duke ecur përpara. Vendi nuk mund ta përballojë edhe një cikël tjetër, në të cilin ngërçi politik çon në zgjedhje, zgjedhjet çojnë në një tjetër ngërç dhe cikli fillon sërish.

Populli i Kosovës meriton më mirë. Ai meriton institucione funksionale, liderë politikë të gatshëm t’i vendosin interesat e Republikës mbi përparësitë partiake, si dhe një President të aftë ta bashkojë vendin, e jo t’i thellojë ndarjet e tij.

Gjatë vizitës sime këtu, kam mësuar se liderët politikë të Kosovës kanë diskutuar për cilësitë dhe kriteret që duhet t’i përmbushë një kandidat konsensual për President. Sipas mendimit tim, Kosovës i duhet dikush që mund të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik; që mund të angazhohet me pushtetin dhe opozitën pa u bërë instrument i asnjërës palë; që mund t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe komunitetet e Kosovës; dhe që mund ta përfaqësojë Republikën me kredibilitet dhe dinjitet në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera ndërkombëtare.

Është pikërisht në këtë frymë që ju kërkoj me respekt të merrni në konsideratë Faton Bislimin.

E njoh Fatonin prej më shumë se dy dekadash dhe kam përcjellë nga afër përkushtimin e tij ndaj Kosovës dhe zhvillimin e tij si shërbyes publik. Historia e tij është thellësisht e lidhur me rrugëtimin e vetë Kosovës. I formësuar nga lufta dhe zhvendosja, ai ndoqi arsimin në Amerikën e Veriut, përfshirë diplomimin në Harvard, fitoi njohuri të drejtpërdrejta mbi institucionet demokratike amerikane dhe shërbeu si deputet i Republikës së Kosovës. Ai ka vazhduar të punojë në sfera politike, akademike, qytetare dhe ndërkombëtare për ta forcuar Kosovën dhe marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Për punën e tij, ai ka fituar respektin e shumë njerëzve jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.

Por një President duhet të jetë më shumë se një biografi profesionale. Një President duhet të ketë karakter, pavarësi dhe gjykim të shëndoshë. Presidenca duhet t’i përkasë Republikës, jo një partie. Presidenti duhet të jetë në gjendje të dëgjojë pa hequr dorë nga parimet, të mos pajtohet pa krijuar armiq dhe të përfaqësojë qytetarë, zgjedhjet politike të të cilëve mund të jenë të ndryshme nga të tijat, dhe unë besoj se Fatoni i posedon këto cilësi.

Po ashtu, besoj se aftësia e tij për të ndërtuar ura është pikërisht ajo që Kosovës i nevojitet sot—ura ndërmjet gjeneratave, ndërmjet Kosovës dhe diasporës së saj, ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit, si dhe ndërmjet forcave politike që sot gjenden të ndara. Dhe Fatoni ka dëshmuar tashmë—për shumë vite—se është i aftë ta bëjë këtë, edhe kur nuk ka mbajtur asnjë detyrë zyrtare. Ta sjellësh Fatonin në detyrën e Presidentit nuk do të thotë ta nderosh atë, por t’i mundësosh Presidencës që t’i shërbejë popullit të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Të mos shfrytëzohet një mundësi e tillë do të thotë të mos përmbushet vetë premtimi që çdo përfaqësues i zgjedhur e ka bërë: t’i shërbejë interesit më të mirë të vendit.

Prandaj, kërkoj vetëm që, ndërsa liderët politikë kalojnë nga diskutimi i kritereve te shqyrtimi i emrave, emri i Faton Bislimit të vendoset në tavolinë dhe të vlerësohet mbi bazën e meritave të tij, e jo mbi bazën e preferencave politike apo personale të kujtdo qoftë.

Kosovës nuk i duhet edhe një President që bëhet trofeu në fund të një gare politike. Kosovës i duhet një President që mund të bëhet simbol i përfundimit të kësaj gare.

Populli i Kosovës tashmë ka dëshmuar guximin, qëndrueshmërinë dhe besimin e tij në demokraci. Tani liderët e tij politikë kanë mundësinë të dëshmojnë diçka po aq të rëndësishme: guximin për të bërë kompromis në të mirë të Republikës.

Besoj se Kosova ndodhet pikërisht në një moment të tillë. Për këtë arsye, ju kërkoj me respekt të merrni në konsideratë Faton Bislimin—jo si kandidat të një partie apo kampi politik, por si një kosovar me përvojën, karakterin, botekuptimin ndërkombëtar dhe pavarësinë e nevojshme për të shërbyer si President i Republikës së Kosovës në një moment kur vendi ka më së shumti nevojë për konsensus. Duke pasur parasysh arsimimin, përvojën, mprehtësinë politike dhe përkushtimin e tij ndaj vendit mbi çdo gjë tjetër, nuk mund të mendoj për askënd tjetër më të përgatitur për t’i shërbyer Kosovës si President.

Ndërsa zgjedhja përfundimtare do të jetë e juaja, unë besoj se Faton Bislimi është zgjedhja e duhur. Historia do ta gjykojë këtë brez të liderëve jo vetëm nga ajo se kë do të zgjedhin, por edhe nga fakti nëse do të jenë në gjendje të gjejnë gjuhën e përbashkët atëherë kur Kosova ka më së shumti nevojë, duke i ofruar vendit një President për të gjithë, të aftë të shërbejë me dinjitet, integritet dhe etikë, dhe të gatshëm ta çojë vendin përpara që nga dita e parë e mandatit.

Letra i është dërguar katër partive më të mëdha, LVV, PDK, LDK dhe Aleancës. /Telegrafi/

The post Pas Walkerit, edhe ish-kongresmeni DioGuardi propozon Faton Bislimin për president appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndahet nga jeta akademiku Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë e antropologjisë shqiptare

TIRANË, 27 gusht/ATSH/ Akademik Emeritus Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë dhe një nga zërat më të spikatur të studimit të trashëgimisë kulturore shqiptare është ndarë sot nga jeta.

Akademia e Shkencave shprehet në mesazhin e ngushëllimit se me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbasin një dijetar të përkushtuar, i cili për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve.

Jeta dhe vepra e akademikut Tirta janë të lidhura ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm pasurinë e jashtëzakonshme të traditave, besimeve, miteve, zakoneve dhe mënyrave të jetës së popullit shqiptar.

Akademik Mark Tirta lindi më 21 maj 1938 në Orosh të Mirditës. Kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.

Prej vitit 1979 vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore, ai mori statusin Akademik Emeritus.

Akademiku Mark Tirta ishte një prej studiuesve që e njohu kulturën shqiptare jo vetëm përmes burimeve të shkruara, por edhe përmes kërkimit të drejtpërdrejtë në terren. Ai mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.

Puna e tij kërkimore ishte e shumanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponimisë e antroponimisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe.

Trashëgimia e tij bibliografike është e jashtëzakonshme. Ai la pas një trashëgimi të gjerë studimore. Ka botuar mbi 300 punime shkencore e kulturore, ka marrë pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 42 punime të tij janë botuar në gjuhë të huaja.

Ndër veprat e tij më të rëndësishme janë “Mitologjia ndër shqiptarë” 2004, “Etnologjia e shqiptarëve”2003, 2006, “Etnologjia e përgjithshme” 2001, 2008, “Migrime të shqiptarëve” 1999, “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” 2006, “Panteoni e simbolika, doke e kode…” 2007 dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” 2013.

Në historinë e studimeve shqiptare, akademik Mark Tirta do të kujtohet si një prej dijetarëve që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare. Ai e pa etnologjinë jo vetëm si një fushë të mbledhjes dhe përshkrimit të fakteve, por si një mënyrë për të kuptuar historinë, kujtesën, identitetin dhe vazhdimësinë kulturore të shqiptarëve. Përmes punës së tij, shumë dëshmi të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare u dokumentuan dhe u bënë pjesë e kujtesës së shkruar shkencore.

Librat, studimet dhe materialet që la pas përbëjnë një pasuri të çmuar për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm të etnologjisë, antropologjisë, folklorit, historisë së kulturës dhe albanologjisë.

Me ndarjen e tij nga jeta, Akademia e Shkencave e Shqipërisë humbet një nga figurat e saj të shquara, ndërsa shkenca shqiptare humbet një studiues që i kushtoi gjithë jetën njohjes së rrënjëve kulturore të shqiptarëve.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje të rëndë.

Homazhet në nderim të Akademik Emeritus Mark Tirta, mbahen nesër në orën 10:00 deri në orën 13:00 në sallën “Aleks Buda”, në Akademinë e Shkencave.

/r.e/

The post Ndahet nga jeta akademiku Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë e antropologjisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Nisin punimet e autostradës Shkup-Bllacë, Kurti: Shkurtohet distanca mes dy vendeve

PRISHTINË, 26 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në nisjen e punimeve të autostradës Shkup-Bllacë, të cilën e ka cilësuar projekt me rëndësi strategjike për lidhjen ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kurti tha se autostrada, e cila do të ketë pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri, do ta forcojë lidhjen infrastrukturore mes dy vendeve, por sipas tij, rëndësia e projektit shkon përtej kësaj.

“Përveç se do të shkurtohet distanca, do të lehtësohet lëvizja dhe do të krijohen mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe ekonomitë e dy vendeve tona”, tha Kurti, sipas një njoftimi të kryeministrisë, transmeton KosovaPress.

Ai theksoi se Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë qarkullim të lartë të qytetarëve dhe mallrave, duke përmendur se vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, apo afërsisht 150 në ditë.

“Prandaj, çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Kjo autostradë do ta bëjë këtë qarkullim më të shpejtë, më të sigurt e më efikas”, deklaroi ai.

Sipas Kurtit, infrastruktura e re do t’u krijojë bizneseve mundësi më të mëdha për transportin e mallrave, zgjerimin e tregjeve dhe krijimin e partneriteteve të reja.

Ai shtoi se “në Kosovë po punojmë që lidhja infrastrukturore me vendet fqinje dhe me korridoret evropiane të rritet edhe më shumë dhe ky projekt i sotëm është dëshmi konkrete e këtij vizioni”.

Sipas tij, autostrada Shkup-Bllacë është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e lidhjes strategjike që përmes Kosovës afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet e tregjet evropiane.

Në këtë kontekst, Kurti përmendi edhe Linjën 10 hekurudhore, e cila lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, si dhe projektin e rrugës Prizren-Tetovë përmes tunelit.

Lexo po ashtuTë enjten kufizohet qarkullimi i kamionëve mbi 20 tonë në autoudhë“Këto projekte janë ura gjigande të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë”, tha ai.

Kurti e cilësoi domethënës nisjen e realizimit të autostradës Shkup-Bllacë, duke theksuar se projekti ishte premtuar prej shumë vitesh. Ai falënderoi Qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe kontribuuesit në realizimin e tij, si dhe koalicionin e partive shqiptare për kontributin e dhënë.

/KosovaPress/

The post Nisin punimet e autostradës Shkup-Bllacë, Kurti: Shkurtohet distanca mes dy vendeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MEPJ: Përfundon me sukses një tjetër operacion për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton se sot  përfundoi operacioni për riatdhesimin vullnetar nga Siria të pesë shtetasve shqiptarë, nga të cilët gra e fëmijë.

Operacioni është kurorëzim i një pune të gjatë dhe të kujdesshme, që kërkoi koordinim të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve shqiptare, përfaqësive tona diplomatike dhe konsullore, si dhe autoriteteve të vendeve të përfshira.

MEPJ thekson se riatdhesimi i shtetasve shqiptarë nga zona të prekura nga konflikti është shprehje e përgjegjësisë së shtetit për mbrojtjen e qytetarëve të vet, edhe në rrethana të vështira dhe komplekse.

Kthimi i tyre në atdhe përmbyll një fazë të rëndësishme të këtij procesi, por jo përgjegjësinë institucionale ndaj tyre.

“Pas mbërritjes në Shqipëri, shtetasve të riatdhesuar do t’u ofrohet asistenca e nevojshme dhe do të kryhen vlerësimet shëndetësore dhe psikosociale. Institucionet përgjegjëse do të vijojnë në mënyrë të koordinuar punën për akomodimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e tyre në shoqëri”, thuhet në njoftimin zyrtar

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme falënderon institucionet dhe strukturat shqiptare të angazhuara në këtë proces, si dhe autoritetet e huaja, veçanërisht ato siriane, që mundësuan përfundimin e procedurave dhe tranzitin e sigurt të shtetasve.

“Realizimi i operacionit dëshmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të veprimit të bashkërenduar në përmbushjen e përgjegjësive të shtetit ndaj qytetarëve të tij. Task-Forca ndërinstitucionale do të vijojë punën si për ndjekjen e plotë të procesit të rehabilitimit dhe riintegrimit, ashtu edhe për riatdhesimin e shtetasve të tjerë shqiptarë, sa herë që krijohen kushtet e nevojshme për kthimin e tyre të sigurt”, përfundon deklarata e MEPJ-së.

The post MEPJ: Përfundon me sukses një tjetër operacion për riatdhesimin e shtetasve shqiptarë nga Siria appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kosova i jep shtetësinë ish-kongresmenit amerikan, Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij

PRISHTINË, 24 gusht/ATSH/ Ushtruesja  e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në një ceremoni të veçantë ua dorëzoi dekretin e shtetësisë së Kosovës, ish-kongresmenit amerikan, Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardit.

Ish-zyrtarët amerikanë kanë qenë nga zërat më të fuqishëm në Uashington në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës.

vijon…

 

The post Kosova i jep shtetësinë ish-kongresmenit amerikan, Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Tragjedi në Malishevë, gruaja shtatzënë vdes pas plagosjes me armë zjarri

PRISHTINË, 24gusht/ATSH/ Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një çift bashkëshortor është plagosur me armë zjarri.

Zëdhënësja e policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi tha për KosovaPress se njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur dy persona të plagosur, një burrë dhe bashkëshortja e tij.

“Me datë 23.08.2026  rreth orës 23:20, jemi njoftuar për një rast të plagosjes me armë zjarri në fshatin Kërvasari-Malishevë.Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi janë gjetur dy persona, një çift bashkëshortor, të plagosur nga arma e zjarrit. Të plagosurve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim  në QKUK. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast. Rreth orës 01:10, nga QKUK jemi njoftuar se viktima femër, e moshës madhore, ka ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit është iniciuar  rast “Vrasje e rëndë”, ka thënë ajo.

Sipas informacioneve gruaja ishte shtatzënë.

Detaje të reja nga tragjedia në Malishevë, bashkëshorti në gjendje kritike

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë detaje të reja lidhur me rastin e rëndë që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, viktima, e cila ishte bashkëshortja e personit të dyshuar, ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ndërkaq, i dyshuari, i gjinisë mashkullore, ka pësuar po ashtu plagë të rënda nga arma e zjarrit dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Sipas njoftimit të QKUK-së, ai ndodhet në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën.

Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori i shtetit, ndërsa me urdhër të tij, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për kryerjen e autopsisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

The post Tragjedi në Malishevë, gruaja shtatzënë vdes pas plagosjes me armë zjarri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama mbledh sot ministrat në Pogradec, në fokus prioritetet e mandatit të katërt qeverisës

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama do të mbledh sot ministrat e kabinetit qeverisës në qytetin e Pogradecit një ditë pas takimit të mbajtur me drejtuesit politikë të PS-së në 12 qarqe dhe krerët e komisioneve parlamentare.

Gjatë këtij takimi ministrat do të raportojnë për punën e bërë deri më tani si dhe dhe për prioritetet në vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës të PS-së.

Ndërkaq në një postim në rrjetet sociale, Rama ka publikuar një foto nga duke e cilësuar “fragment kristali të natyrës pogradecare”.

Në fokus të takimit të një dite më parë ishin prezantimi i “Besa” dhe ‘Pasqyrë Albania’, e cila sipas kryeministrit Rama do të jetë një platformë unike ku çdo shqetësim i qytetarëve do të reflektohet dhe ndiqet në kohë reale nga institucionet.

“Ambicia është që të arrijmë që çdo kërkesë, shqetësim apo hall i qytetarit të jetë një pako postale që ndiqet në kohë reale, nga dërguesi dhe nga ana tjetër shteti, qeveria, institucionet ndjekin përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë”, u shpreh ai.

The post Rama mbledh sot ministrat në Pogradec, në fokus prioritetet e mandatit të katërt qeverisës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Berisha reagon ndaj nismës për krijimin e portalit “Pasqyra Albania”

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj nismës së qeverisë për krijimin e portalit të ri “Pasqyra Albania” si mjetin e komunikimit me qytetarët për hallet e tyre.

Berisha e cilëson këtë nismë si një tjetër projekt abuziv dhe një mënyrë për të shpërdoruar miliona nga paratë publike.

“Pasqyra është një mashtrim dhe mur i ri midis qytetarit dhe administratës, e cila do t’u shërbejë qytetarëve aq sa Diella luftës kundër vjedhjeve qeveritare”, është shprehur Berisha.

The post Berisha reagon ndaj nismës për krijimin e portalit “Pasqyra Albania” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Lamallari: Drejtësia të ndëshkojë zjarrvënësit, qytetarët të raportojnë

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari ka reaguar lidhur me arrestimin në flagrancë të 62-vjeçarit pasi dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme në Mirditë.

Lamallari shprehet përmes një reagimi në rrjetet sociale se “një 62-vjeçar që kishte ndezur 6 vatra zjarri dhe kishte precedentë të mëparshëm në zjarrvënie u evidentua dhe arrestua në vendngjarje nga Policia e Mirditës”.

Ai deklaron se “ne po ndjekim çdo zjarrvënës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje që ligji të zbatohet me forcën e plotë ndaj tyre. Drejtësia duhet t’i shkojë deri në fund”.

“Krahas apelit për drejtësinë që të bëjë drejtësi në mbrojtje të jetëve të banorëve dhe forcave që rrezikojnë në terren, pronës private dhe pasurisë publike, thirrja ime shkon dhe për qytetarët: mos lejoni ndezjen e zjarreve qoftë dhe nga pakujdesia dhe mos toleroni ata që e bëjnë këtë”, apelon ministri i Brendshëm.

Ai u kërkon qytetarëve që të raportojnë në numrat 129 dhe 112 dhe të denoncojnë në Polici këdo që vë në rrezik jetën dhe pronën e tyre.

The post Lamallari: Drejtësia të ndëshkojë zjarrvënësit, qytetarët të raportojnë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shërbimi i hemodializës pranë pacientëve edhe në Lezhë dhe Shkodër

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Pranë shërbimit të hemodializës në Spitalin e Lezhës dhe atë të Shkodrës çdo ditë paraqiten pacientë që marrin trajtimin e nevojshëm pranë vendbanimit, duke shmangur udhëtimet drejt Tiranës dhe duke e bërë kujdesin shëndetësor më të aksesueshëm.

Doktoreshë Valbona Prenga, nefrologe e qendrës së Diaverumit në spitalin e Lezhës, bën të ditur se pranë këtij shërbimi kryejnë hemodializën pothuajse një numër i konsiderueshëm i pacientëve duke përfshirë dhe rrethinat të Laçit, Mamurrasit, Kukësit dhe të Dibrës.

“Numri i përgjithshëm është afërsisht 75-80 pacientë që marr hemodializën tri herë në javë. Kjo qendër normalisht gjatë periudhës qershor, korrik, gusht është e tejmbushur pasi vijnë persona emigrantë që kryejnë seanca të veçanta të hemodializës pranë qendrës tonë”, tha ajo.

Edhe në Spitalin e Shkodrës ky shërbim ka nisur me rreth 60 pacientë dhe aktualisht në 120 pacientë që marrin trajtimin e nevojshëm. “Hemodializa në Shkodër, fillime të vështira me një staf që u trajnua, për hir të së vërtetës, por këto vite kanë shërbyer që ky staf të bëhet çdo ditë e më profesionist dhe të shërbejë çdo ditë e më me përkushtim. Diabeti dhe hipertensioni janë shkaktarët kryesorë të cilët kontribuojnë në rritjen e numrit të pacientëve”, shprehet një prej mjekeve në Spitalin e Shkodrës.

Ajo pohon se “në këtë shërbim ne kemi pacientë edhe që kanë filluar para 20 viteve dializën dhe ato janë dëshmitarët më të mirë të këtij shërbimi dhe të asaj çfarë ne si staf i kemi ofruar atyre”.

“Mendoj që ne duhet të kemi një vazhdimësi të këtij shërbimi për të ofruar të gjithë atyre që kanë nevojë hemodializën si një shërbim jetë shpëtues”, apelon ajo.

The post Shërbimi i hemodializës pranë pacientëve edhe në Lezhë dhe Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ndërhyrja e shpejtë e ekipeve izolon zjarrin në malin e Polisit, parandalohet përhapja e flakëve në zonën pyjore me rrezik të lartë

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Zjarri i rënë në malin e Polisit në Librazhd është izoluar plotësisht falë ndërhyrjes së shpejtë të ekipit zjarrfikës së Bashkisë dhe punonjësve të tjerë shtetëror.

Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha deklaroi sot se tashmë situata e zjarrit në këtë mal është normalizuar ku falë ndërhyrjes së shpejtë, u bë e mundur parandalimi i përhapjes së flakëve në një zonë pyjore me rrezik të lartë.

Ai ka shprehur falënderim të veçantë për ekipin zjarrfikës të Bashkisë Librazhd, Shërbimin Pyjor, Policinë, kryetarin e fshatit dhe grupin e banorëve vullnetarë që u angazhuan në terren.

Disha u bën thirrje të gjithë banorëve të jenë maksimalisht të kujdesshëm dhe të mos aktivizojnë apo ndezin vatra zjarri, pasi në këto ditë të nxehta edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë dëme të mëdha.

The post Ndërhyrja e shpejtë e ekipeve izolon zjarrin në malin e Polisit, parandalohet përhapja e flakëve në zonën pyjore me rrezik të lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Prefekti Hajdari: Ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e vatrës së zjarrit në Dajt

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari deklaroi sot se Tirana i ka shuar te gjitha vatrat e zjarri.

Por e vetmja vatër i është ajo në malin e Dajtit që është rindezur sërish.

Prefekti bën të ditur se për izolimin dhe shuarjen plotësisht të kësaj vatre sot janë të angazhuar forcat e ushtrisë, të zjarrfikësve dhe zonave të mbrojtura të pajisur me mjetet e nevojshme, përfshirë dhe sharrat elektrike.

Në ndihmë të tyre gjithashtu është edhe një helikopter për ndërhyrje nga ajri.

“Shpresojmë që këtë vatër zjarri ta mbyllim gjatë ditës së sotme”, shprehet Hajdari.

The post Prefekti Hajdari: Ndërhyrje nga toka dhe ajri për shuarjen e vatrës së zjarrit në Dajt appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.

“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.

Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si “absurde” që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur.

“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.

Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.

Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Megjithatë, së fundmi KFOR-i ka njoftuar për nisjen e tërheqjes graduale nga ura, pas përmirësimit të situatës së sigurisë, gjë që ka zemëruar Serbinë.

Komentet e Kurtit vijnë pasi një zyrtar i NATO-s i tha më 20 gusht Radios Evropa e Lirë se çdo vendim për rihapjen e mundshme e kësaj ure për qarkullimin e veturave, duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha zyrtari i NATO-s.

Serbia ka kundërshtuar planet e KFOR-it për reduktimin e pranisë mbi këtë urë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

Sipas Vuçiç, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, “nuk përputhen me realitetin në terren”.

Ai e akuzoi Serbinë se po përpiqet të zhvendos vëmendjen lidhur me gjetjen e varrezave masive në veriun e Kosovës, zbulimin e armatimit afër lokacioneve ku u gjetën mbetje mortore dhe veprimeve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subersive kundër Kosovës.

“Ky është një proces [procesi i optimizimit të KFOR-it] i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë”, tha Maqedonci.

Tërheqja graduale e trupave të NATO-s nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, tha zyrtari i aleancës, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjithë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për REL-in.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës. /REL/

The post Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Qeveria e Kosovës 37 milionë euro për banesa social, projekti përfshin 21 komuna

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti mori pjesë në konferencë për media të paralajmëruar nga ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, dhe ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti.

Kurti në konferencën që pati në fokus çështjet që lidhen me banimin social dhe politikat për mbështetjen e familjeve në nevojë, këtë projekt e ka cilësuar si një investim të rëndësishëm  për dinjitetin e familjeve, barazinë dhe sigurinë sociale.

“Sot po prezantojmë projektin e banimit social adekuat në Republikën e Kosovës, një investim ky i rëndësishëm për dinjitetin e familjeve, si dhe për barazinë e sigurinë sociale. Kësisoj po bëjmë një hap të rëndësishëm në një prej fushave të cilën e kemi vendosur në qendër të punës tonë si Qeveri e Republikës së Kosovës, e kjo është përmirësimi i mirëqenies së familjeve e krijimi i kushteve më të mira për jetë”, tha Kurti.

Ministrja  në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka njoftuar se nga e hëna do të nisë nënshkrimi i marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, në kuadër të projektit për banim social.

“Duke filluar nga dita e hënë, ne nisim nënshkrimin e marrëveshjeve me 21 komuna përfituese, duke shënuar kështu investimin më të madh publik në fushën e banimit social në Kosovë. Ky projekt nuk është thjesht një projekt infrastrukturor, por një platformë e vërtetë për drejtësi sociale, ku askush nuk mbetet pas”, tha Pacolli.

Sipas saj, projekti ka një vlerë totale prej 37 milionë eurosh, prej të cilave 25 milionë euro financohen drejtpërdrejt nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

“Ai ka një vlerë prej 37 milionë eurove, ku 25 milionë euro financohen direkt prej Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës, ndërsa 12 milionë euro nga Qeveria e Republikës së Kosovës”, deklaroi Pacolli. /Kosovapress/

The post Qeveria e Kosovës 37 milionë euro për banesa social, projekti përfshin 21 komuna appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Bashkia Pukë: Vijon operacioni për izolimin e zjarreve në pyjet e Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit

TIRANË, 22 gusht/ATSH/ Bashkia Pukë informoi sot se vijon operacioni për përballimin e situatës së zjarreve në sipërfaqet pyjore të Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit.

Aktualisht, ndërhyrja është përqendruar në tre vatrat më kritike, konkretisht në Gojanin e Vogël, Gojanin e Madh dhe zonën e Prozhmit në drejtim të Shkozës, ku forcat operacionale vijojnë punën për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve.

Situata në këto tre vatra momentalisht mbahet pjesërisht nën kontroll, ndërsa strukturat operacionale vijojnë ndërhyrjen në pikat më kritike të frontit të zjarrit.

Në Gojanin e Vogël është përqendruar një numër i konsiderueshëm forcash dhe mjetesh, konkretisht, dy mjete zjarrfikëse dhe 12 efektivë të MZSH Pukë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura, 56 punonjës shërbimesh dhe banorë të zonës si dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor.

Në Gojanin e Madh operacioni po vijon me forca tokësore, ku janë angazhuar një mjet zjarrfikës i Bashkisë Fushë-Arrëz dhe 7 efektivë,  20 punonjës shërbimesh dhe vullnetarë si dhe 10 efektivë të Forcave të Armatosura.

Një tjetër vatër aktive ndodhet në Prozhëm, në drejtim të Shkozës, ku po ndërhyhet me forca dhe mjete tokësore.

Në këtë zonë janë angazhuar një mjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, 7 punonjës të shërbimit pyjor, 25 punonjës të shërbimeve vendore si dhe 10 vullnetarë dhe banorë të zonës.

Gjithashtu, për përballimin e terrenit të vështirë është angazhuar 1 mjet i rëndë ekskavator i Forcave të Armatosura.

Në mbështetje të operacionit tokësor, gjatë ditës së sotme kanë operuar 2 helikopterë, të cilët kanë ndërhyrë në zonat ku terreni dhe intensiteti i flakëve e kanë bërë të nevojshme mbështetjen nga ajri.

Ndërhyrja ajrore aktualisht është ndërprerë, ndërsa operacioni tokësor vijon në pikat kritike të vatrave, me qëllim izolimin e tyre dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

The post Bashkia Pukë: Vijon operacioni për izolimin e zjarreve në pyjet e Tërbunit, Gojanit, Gjegjanit dhe Prozhmit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

“Liria ka Emër” vendos “Orën e Pritjes” për krerët e UÇK-së, Hamza: Është numërim i kujtesës dhe i përgjegjësisë

PRISHTINË, 22 gusht/ATSH/ Platforma “Liria ka Emër” ka vendosur në Prishtinë “Orën e Pritjes”, 25 ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet vendimi final për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në aktivitetin e organizuar në Prishtinë morën pjesë përfaqësues të institucioneve, familjarë, qytetarë dhe figura politike, të cilët theksuan rëndësinë e kujtesës për luftën e UÇK-së dhe pritjen e familjeve për përfundimin e procesit gjyqësor në Hagë.

Në ceremoninë e vendosjes së ekranit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se “Ora e Pritjes” është simbol i pritjes së familjeve dhe gjithë Kosovës.

“Ky ekran këtu është simbol i pritjes sonë në Prishtinë. Por ekranet e ngjashme do të vendosen gjithandej Kosovës. Sepse këtu janë më shumë se ekrane. Janë një mesazh për familjet që presin, për ata që janë në Hagë dhe për gjithë botën që Kosova nuk harron”, tha Hamza.

Nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, tha se deri më 12 shtator do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të pritjes për kthimin e krerëve të UÇK-së.

“Historia e lirisë në qytetin tonë nuk është shkruar veç në sheshe e libra. Ajo është shkruar në shtëpitë tuaja. Pothuajse çdo lagje e Prishtinës e çdo fshat i Prishtinës e ka një histori për lirinë e Kosovës. Prandaj, kur ecim sot në Prishtinë, ne ecim mes mijëra historive të lirisë. Por sot, fatkeqësisht, historia na ka sjellë përsëri te pritja. Në Hagë gjenden figurat drejtuese të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me një proces gjyqësor të padrejtë. Familjet e tyre po presin, bashkëluftëtarët po presin, shokët po presin dhe të gjithë qytetarët e Kosovës po presin”, deklaroi ajo.

Ajo shtoi se më 12 shtator qytetarë nga gjithë Kosova pritet të mblidhen në Prishtinë, ndërsa aktivitetet do të përfshijnë ligjërata në shkolla, aktivitete në sheshe, seminare me studentë dhe ekspozita.

Ndërsa Ismail Tasholli tha se shpreson që më 16 shtator “ora e mbrapsht” të fillojë mbarë.

“Ne po shpresojmë që me 16-tin shtator ora e mbrapsht do të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, tha ai.

Vendosja e “Orës së Pritjes” vjen 25 ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet vendimi final në rastin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në kuadër të kësaj nisme, platforma “Liria ka Emër” synon që deri në ditën e vendimit të zhvillojë aktivitete në qytete të ndryshme të Kosovës, me fokus te kujtesa për luftën dhe sakrificën për liri. /Kosovapress/

The post “Liria ka Emër” vendos “Orën e Pritjes” për krerët e UÇK-së, Hamza: Është numërim i kujtesës dhe i përgjegjësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌