Reading view

PHENIAN – Koreja e Veriut teston një raketë balistike, tensione të reja në Azi

SEUL, 6 gusht /ATSH-AFP/ – Koreja e Veriut lëshoi sot një raketë balistike me rreze të shkurtër drejt Detit të Japonisë, njoftoi ushtria e Koresë së Jugut.

Testi raketor erdhi vetëm një ditë pasi Pheniani dënoi ashpër forcimin e kapaciteteve ushtarake të Japonisë në rajonin e Paqësorit.

Koreja e Veriut, e cila që nga viti 2019 e ka shpallur veten një shtet bërthamor “të pakthyeshëm”, është përfshirë mes kërcënimeve kryesore rajonale edhe në vlerësimin më të fundit të qeverisë japoneze për sigurinë.

Ministri japonez i Mbrojtjes, Shinjiro Koizumi, deklaroi këtë javë se ushtria japoneze duhet të forcohet me një “ndjenjë urgjence dhe krize”.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Koresë së Jugut njoftoi se raketa u lëshua rreth orës 17:00 me orën lokale nga zona e Wonsanit.

Sipas autoriteteve ushtarake, raketa u drejtua nga Deti Lindor, emri që Koreja e Jugut përdor për Detin e Japonisë.

Autoritetet e Seulit dhe Uashingtonit po analizojnë karakteristikat e sakta të raketës.

Ndërkohë, Ministria japoneze e Mbrojtjes njoftoi në rrjetin social X se ishte lëshuar “diçka që mund të jetë një raketë balistike” nga Koreja e Veriut, por më vonë sqaroi se nuk pati asnjë ndikim në territorin apo ujërat përreth Japonisë.

Koreja e Jugut ka rritur nivelin e mbikëqyrjes dhe gatishmërisë për lëshime të tjera të mundshme, ndërsa vazhdon shkëmbimin e informacionit me aleatët e saj të sigurisë, Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë.

Në fund të këtij muaji, Koreja e Jugut dhe SHBA-ja pritet të zhvillojnë manovrat e  përvitshme të përbashkët “Ulchi Freedom Shield”, e cila synon të përmirësojë gatishmërinë ndaj kërcënimeve nga Koreja e Veriut me armë bërthamore.

Pheniani i ka kundërshtuar vazhdimisht këto stërvitje, duke i cilësuar si prova për një pushtim të mundshëm.

Sipas ushtrisë së Koresë së Jugut, në kuadër të pozicionit të përbashkët mbrojtës me SHBA-në, forcat ushtarake janë plotësisht të gatshme për t’iu përgjigjur me vendosmëri çdo provokimi nga Veriu.

Ndërkohë, Koreja e Veriut ka thelluar bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak me Rusinë.

Sipas analistëve, Pheniani ka furnizuar Moskën me trupa dhe municione për luftën në Ukrainë, duke marrë në këmbim mbështetje financiare, ushqime, energji dhe teknologji ushtarake.

Disa ekspertë besojnë se lëshimi i sotëm mund të ketë shërbyer si testim i sistemeve raketore përpara vizitës së pritshme të Kim Jong Unit në Rusi më vonë gjatë këtij viti.

“Para se të udhëtojë drejt Rusisë, Kim mund të ketë dashur të tregojë se këto sisteme raketore janë testuar dhe kanë dhënë rezultate të kënaqshme”, tha studiuesi Ahn Chan-il, i lindur në Korenë e Veriut.

Sipas tij, nëse vizita realizohet, Kim ka shumë gjasa t’ia paraqesë këto sisteme Rusisë ose të kërkojë eksportimin e tyre./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post PHENIAN – Koreja e Veriut teston një raketë balistike, tensione të reja në Azi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Harta e re territoriale, bashkitë Cërrik dhe Maliq nisin konsultimet publike

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Bashkitë Cërrik dhe Maliq kanë nisur procedurat e konsultimit publik me qytetarët lidhur me hartën e re territoriale që parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Bashkia Cërrik bëri të ditur se procesi i konsultimit nisi pas mbërritjes së shkresës nga Kuvendi, për periudhën 60-ditore të konsultimit publik për projektligjin e reformës administrativo-territoriale.

Në një njoftim publik, bashkia Cërrik u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në konsultime dhe të shprehin mendimet e tyre mbi projektligjin, duke theksuar se procesi nuk lidhet me fatin e drejtuesve vendorë, por me të ardhmen e komunitetit dhe cilësinë e shërbimeve që do të ofrohen.

Sipas bashkisë, konsultimet synojnë t’u japin përgjigje pyetjeve që lidhen me zhvillimin ekonomik, investimet, përfaqësimin në vendimmarrje, ndarjen e fondeve publike dhe kompetencat e njësive vendore në rast të ndryshimeve të hartës administrative.

Ndërkohë, edhe Këshilli Bashkiak Maliq ka shpallur kalendarin e konsultimeve publike për projektligjin “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, ku, sipas propozimit, bashkia Maliq parashikohet të bashkohet me bashkinë Korçë.

Takimet konsultuese do të zhvillohen nga data 13 deri më 19 gusht në njësitë administrative Libonik, Pojan, Pirg, Vreshtas, Gorë dhe Moglicë, si edhe në qytetin e Maliqit.

Këshilli Bashkiak Maliq ftoi qytetarët, institucionet, bizneset dhe grupet e interesit të marrin pjesë në proces, duke paraqitur mendimet dhe sugjerimet e tyre për të garantuar një vendimmarrje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse.

/e.i/j.p/

The post Harta e re territoriale, bashkitë Cërrik dhe Maliq nisin konsultimet publike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Katër vatra zjarri në masivin me pisha në Mallakastër, Çako: Po operohet edhe nga ajri me dy helikopterë të FA

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Në Mallakastër vijon puna për vënien nën kontroll të zjarrit të nisur tre ditë më parë.

Dhjetëra forca zjarrfikëse nga disa bashki, strukturat policore dhe vendore, vullnetarë, efektivë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse dhe dy helikopterë kanë arritur të monitorojnë katër vatrat e zjarrit në masivin pyjor me pisha në Mallakastër.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako tha sot për mediet se “për momentin situata është në kontroll. Po operohet edhe nga ajri me dy helikopterë të Forcave Ajrore të Forcave të Armatosura”.

Çako theksoi se “jemi në krye të operacionit së bashku me të gjitha strukturat përkatëse. Besoj që do të monitorohet deri në eliminimin e plotë”.

Kryetari i bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj tha se “përtej perimetrit të zgjeruar të zjarrit po punohet aktualisht në dy vatra kryesore. Një vatër është ndërmjet dy fshatrave Panahor dhe Sfirë, dhe pjesa tjetër që është në kufi me zonën e Patosit, ku po punohet në një pjesë tjetër”.

Sipas tij, për momentin nuk ka asnjë rrezik për banesat, sepse edhe masat e marra janë të tilla që prioritet absolut janë banorët dhe banesat.

Tre ditë më parë flakët përfshinë fshatin Riban të Mallakastrës, të cilat më pas si pasojë e erës u përhapën edhe në fshatin Ngraçan. Flakët kanë përparuar me shpejtësi në masivet pyjore duke djegur pisha.

/k.s/j.p/

The post Katër vatra zjarri në masivin me pisha në Mallakastër, Çako: Po operohet edhe nga ajri me dy helikopterë të FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Boçi: Reforma Territoriale ka shkelje kushtetuese, ndihmë ndërkombëtarëve për referendum

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Administrativo-Territoriale, Luçiano Boçi, tha sot se opozita po shqyrton të gjitha opsionet për të kundërshtuar reformën, përfshirë një ankim në Gjykatën Kushtetuese dhe nismën për zhvillimin e një referendumi.

Në një prononcim për mediet, Boçi tha se reforma është hartuar në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke anashkaluar procedurat e parashikuara.

“Me shkeljet kushtetuese që janë bërë, me një ankimim të thjeshtë kushtetues ti e rrëzon reformën, nëse Gjykata Kushtetuese do e vlerësonte. Do të kishte një mbledhje shumë të shpejtë, pasi ka shkelje kushtetuese në vazhdimësi. Ne i referohemi nenit 108, pika 2, i referohemi ligjit të vetëqeverisjes vendore 89/90, ligjit për konsultimet publike. Këta i kanë kapërcyer të gjitha procedurat, po shkelin çdo gjë, vetëm që të realizojnë qëllimin e tyre”, tha ai.

Boçi tha se opozita do të kërkojë edhe mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë për nismën e referendumit.

“Do të komunikojmë me ndërkombëtarët, do të kërkojmë edhe mbështetjen e tyre për referendum, me gjithë autoritetet, edhe me Kongresin, edhe me BE. Referendumi është i vështirë, pasi është tentuar disa herë, por ligji shqiptar cedon, pasi është bërë për të mos u bërë referendum, dhe në rastin konkret, po të ketë vullnet politik, gjendet zgjidhja. Do t’i drejtohemi KQZ-së që të marrë një vendim në raport me një referendum”, tha ai.

Boçi theksoi se ndarja e re territoriale e propozuar nga mazhoranca socialiste është ndërtuar mbi interesa politike dhe elektorale.

“Po, është hartë politike. Marrim shembullin Pukë dhe Fushë-Arrëz, janë bashki të fituara nga PD dhe sot bashkohen. Me çfarë parimi veproi? Parimi i një bashkie që ka të ardhura më të mëdha? Por kanë të njëjtat. Po kështu dalim te Librazhd-Përrenjas. Këtu PD humbet një territor politik. Vazhdojmë me Selenicën. Selenica ka pasur drejtim të djathtë, ka tendencë të tillë dhe tani e fusin në gropën e madhe të votave të Vlorës. Dhe dalim në Elbasan. Belshi është një bashki që ndahet në vota, 300 plus që lëvizin dhe kanë lëvizur në këtë rend, dhe duke e ndërfutur në Elbasan vetëm për vota politike”, u shpreh Boçi.

Përmes një udhëzimi, PD i kërkoi këshilltarëve të djathtë të mbështesin protestat kundër hartës së PS-së, si dhe të bashkëpunojnë me këshilltarët e majtë për ta rrëzuar atë në çdo këshill bashkiak.

/m.q/j.p/

The post Boçi: Reforma Territoriale ka shkelje kushtetuese, ndihmë ndërkombëtarëve për referendum appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shqipëria avancon në zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së

TIRANË, 6 gusht /ATSH/  Shqipëria vijon të shënojë progres në zbatimin e reformave të lidhura me procesin e integrimit evropian, duke përfituar mbështetje financiare në kuadër të Planit të Rritjes (Growth Plan) të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Sipas “WEBALKANS_eu” ka bërë progres të fortë dhe të qëndrueshëm, duke përfituar më shumë fonde dhe mundësi për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik, për të rritur investimet dhe për të afruar më shumë standardet europiane në vendin tonë”, shkruan Agjencia për Media dhe Informim (MIA), teksa bën të ditur se, deri tani Shqipëria ka përfituar 23% të fondit të parashikuar në kuadër të këtij instrumenti financiar, duke reflektuar ecurinë në zbatimin e reformave të dakordësuara me Bashkimin Evropian.

MIA thekson se Plani i Rritjes synon të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të rrisë investimet dhe të afrojë ekonomitë e rajonit me tregun e përbashkët dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Përmes kësaj mbështetjeje, Shqipëria përfiton fonde dhe asistencë për forcimin e ekonomisë dhe rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e infrastrukturës dhe lidhjeve rajonale, mbështetjen e biznesit dhe sipërmarrjes, si edhe përshpejtimin e reformave të nevojshme në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është një iniciativë strategjike e Bashkimit Evropian që synon të nxisë rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe afrimin gradual të vendeve të rajonit me politikat dhe standardet evropiane, përmes reformave dhe investimeve.

Institucionet e linjës vlerësojnë se zbatimi i këtij plani do të ndikojë në rritjen e potencialit ekonomik të vendit, përmirësimin e klimës së biznesit dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian, duke krijuar më shumë mundësi për qytetarët dhe sipërmarrjen shqiptare.

/e.xh/j.p/

The post Shqipëria avancon në zbatimin e Planit të Rritjes të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

MUZIKË – Vdes Francesco Guccini, mjeshtri që la gjurmë në historinë e muzikës italiane

ROMË, 6 gusht /ATSH-ANSA/ – Këngëtari, kantautori dhe shkrimtari i njohur italian Francesco Guccini është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në muzikën dhe kulturën italiane.

Fjalët e tij të fundit të botuara për publikun ishin se “fjalët janë të rëndësishme dhe tingulli i tyre është ai me të cilin kemi mësuar t’i duam gjërat”.

Ky është një fragment nga libri i tij i fundit, “Calde le pere!”, në të cilin punoi deri në ditët e fundit të jetës. Vepra do të botohet pas vdekjes së tij në shtator nga shtëpia botuese Giunti.

Dalja e fundit publike e Guccinit ishte në muajin maj, në manastiret Chiostri di San Pietro në Reggio Emilia, me rastin e ekspozitës “Canterò soltanto il tempo”, e hapur deri më 18 tetor në Spazio Gerra.

Titulli i ekspozitës, i marrë nga një varg i këngës “Il Tema” (1970), përmbledh një nga temat kryesore të krijimtarisë së tij; lidhjen mes fjalës, kujtesës dhe kalimit të kohës.

I njohur nga miqtë dhe bashkëpunëtorët si “Il Maestrone”, Francesco Guccini ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Pavana, i rrethuar nga bashkëshortja Raffaella, vajza Teresa dhe familjarët.

Sipas familjes, ceremonia mortore do të zhvillohet në ditët në vijim në një atmosferë krejtësisht private, ndërsa në muajin shtator do të organizohet një ceremoni përkujtimore publike në nder të artistit.

Guccini konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të kantautorit italian dhe një prej protagonistëve të muzikës së angazhuar, me këngë që kanë shënuar historinë kulturore të Italisë për më shumë se pesë dekada./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MUZIKË – Vdes Francesco Guccini, mjeshtri që la gjurmë në historinë e muzikës italiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

REPORTAZH – Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh

SOFJE, 6 gusht /ATSH-BTA/ – I fshehur në rrëzë të maleve Rodopi, fshati Mandricë, në komunën e Ivajllovgradit, është i vetmi fshat shqiptar në Bullgari.

I ndodhur rreth 20 kilometra në jug të Ivajllovgradit, pranë kufirit me Greqinë, ai shtrihet mes luginave të lumenjve Bjala Reka dhe Luda Reka.

Mandrica është pjesë e një konstelacioni historik vendbanimesh në Thrakinë e Edrenesë, të themeluara shekuj më parë nga kolonë shqiptarë.

Sot, të gjitha fshatrat e tjera të këtij grupi ndodhen brenda kufijve të Greqisë dhe Turqisë.

Sipas librit historik vendas ”A Reader on Mandritsa”, këto vendbanime përfshinin Zalafin (më vonë të ndarë në fshatrat Abalar dhe Karakasim), Sultankojin dhe Ibriktepen.

Agjencia bullgare e lajmeve, BTA bisedoi, në bullgarisht dhe shqip, me banorët vendas Katerina Ilieva, banoren më të moshuar të fshatit, Sulltana Aleksandrova 95 vjeçe, e njohur me përkëdheli si gjyshja Sulltana, si dhe me Kostadin Bejçev.

Historia e Mandricës

Sipas legjendës lokale, Mandrica u themelua në vitin 1636 nga tre vëllezër të krishterë ortodoksë nga fshati Vithkuq, në juglindje të Shqipërisë së sotme.

Ata merreshin me blegtori dhe prodhimin e bulmetit dhe kishin rënë dakord të furnizonin ushtrinë osmane me mish dhe produkte qumështi gjatë rrugës së saj drejt Adrianopojës (Edirnesë së sotme).

Emri i fshatit rrjedh nga fjala mandra, për shkak të profesionit tradicional të themeluesve.

I mahnitur nga puna e tyre, beu vendas osman u urdhëroi të drejtonin tufat e bagëtive nga lindja deri në perëndim të diellit dhe të vendoseshin aty ku do t’i zinte nata.

Pikërisht aty ata ngritën fshatin e tyre, të cilin beu më pas e përjashtoi nga taksat.

Disa banorë besojnë se vendbanimi është edhe më i vjetër se shekulli XVII.

Versione të tjera të rrëfimit thonë se kampi i parë ishte ngritur në bregun përballë të lumit Bjala Reka, përpara se fshati të zhvendosej në vendin ku ndodhet sot.

Me kalimin e kohës, themeluesit u martuan me gra nga fshatrat përreth, të cilat mësuan gjuhën shqipe.

Kështu Mandrica u zgjerua gradualisht dhe u shndërrua në një qendër të begatë zejtarie dhe tregtie.

Rreth një shekull më parë, aty jetonin afro 3 500 banorë.

Fshati kishte dy shkolla, një punishte për derdhjen e kambanave, punishte për susam dhe tahini, mullinj, farkëtarë, kasapë, kinema dhe shumë biznese të tjera, disa prej ndërtesave të të cilave ruhen ende sot.

Gjurmët e këtij begatimi shihen ende në shtëpitë e mëdha prej qerpiçi, arkitektura karakteristike e të cilave i dallon menjëherë nga shtëpitë e fshatrave fqinjë.

Një nga ndërtesat më mbresëlënëse është shtëpia me tulla e doktor Atanas Pejkidis, i cili studioi mjekësi në Stamboll, u specializua për gjinekologji në Paris dhe më pas u kthye për të ushtruar profesionin në Mandricë.

Prodhimi i mëndafshit ishte dikur burimi kryesor i jetesës së fshatit.

Katerina Ilieva thotë se vetë shtëpitë e dëshmojnë këtë histori.

Duke u treguar vizitorëve banesën e saj, ajo tregon katin e sipërm të gjerë, të projektuar posaçërisht për rritjen e krimbave të mëndafshit.

Sot, të njëjtat dhoma përdoren për tharjen e bimëve mjekësore dhe varjen e vargjeve të duhanit, një tjetër kulturë tradicionale e zonës.

Kishat dhe “shenjtorja e gjallë”

Mandrica ka dy kisha, kishën e vjetër të Shën Nedelës pranë varrezave dhe kishën e Shën Dhimitrit në qendër të fshatit.

Në këtë të fundit ruhet një ikonë e shën Nedelës, të cilën gjyshja Sulltana e përshkruan si një “shenjtore të gjallë”.

Ajo kujton se pas procesionit tradicional të Pashkëve rreth fshatit, ritual që synonte të mbronte të mbjellat nga breshëri, ajo dhe shumë gra të tjera shihnin shenjtoren të shfaqej në formën e një gjarpri të mbledhur në rreth përpara kishës së vjetër, aty ku përfundonte procesioni.

Sipas saj, kjo shfaqje e shkurtër ishte një shenjë se shenjtorja ishte e kënaqur, megjithëse askush nuk mund ta shihte për më shumë se disa çaste.

Gjarpri është nderuar prej kohësh si figurë mbrojtëse si në besimet popullore shqiptare, ashtu edhe në ato bullgare.

Banorët theksojnë gjithashtu se kisha e shën Nedelës ngjan shumë me kishën e Vithkuqit, fshatit shqiptar nga ku mendohet se erdhën themeluesit.

Shqipja e ruajtur në Mandricë

Shqipja që flitet në Mandricë ndryshon ndjeshëm nga shqipja standarde e sotme dhe është ruajtur vetëm përmes traditës gojore.

Banorët i thanë BTA-së se gjatë një vizite të fundit në Vithkuq arritën të kuptonin rreth 80 për qind të gjuhës vendase të të folurës.

Ky dialekt është studiuar gjerësisht nga albanologu Ludmil Stankov (1949–2020) në librin “The Albanian Variety Spoken in the Village of Mandritsa” (2017) dhe është dokumentuar edhe në Fjalorin Bisedor Bullgarisht-Shqip, të hartuar nga Maria Hristova Georgieva-Peeva në vitin 2015.

Edhe sot banorët vazhdojnë ta flasin këtë formë arkaike të shqipes krahas bullgarishtes duke ua përcjellë brez pas brezi.

Gjuha jeton edhe në emrin e kompleksit ekologjik të fshatit, Bukor Shtepi, që në dialektin vendas do të thotë “shtëpi e bukur”.

Gjyshja Sulltana i përshëndet vizitorët në shqip dhe më pas kujton një udhëtim të paharrueshëm në Shqipëri me ansamblin e grave këngëtare të fshatit, i cili përbëhej nga 25 anëtare.

Sot ajo është e vetmja e mbijetuar e grupit.

Një fotografi nga ai udhëtim ruhet ende në narteksin e kishës së shën Dhimitrit.

Ajo kujton se ansamblet shqiptare i ftuan këngëtaret nga Mandrica të performonin të parat dhe repertori i tyre autentik folklorik u vlerësua me çmim.

Edhe veshja tradicionale e Mandricës pasqyron trashëgiminë shqiptare.

Veshja më karakteristike është një përparëse-fustan prej leshi të zi, e zbukuruar me shirita të kuq.

”Dy hapje të posaçme në pjesën e përparme”, shpjegon Katerina Ilieva, ”u mundësonin nënave të ushqenin foshnjat me gji pa e hequr veshjen”.

Të gjitha gratë në fotografinë e realizuar në Shqipëri mbajnë këtë kostum tradicional.

Shpopullimi dhe lidhjet që vazhdojnë

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave të Bullgarisë, popullsia e Mandricës ra nga 52 banorë në vitin 2011 në vetëm 34 sipas regjistrimit të vitit 2021.

Fshati nisi të humbte popullsinë gjatë lëvizjeve të refugjatëve në periudhën e Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, ndërsa në dekadat e fundit shumë banorë janë larguar për arsye ekonomike.

Në fillim të shekullit XX, banorë të Mandricës themeluan fshatin Mandres pranë Kilkisit, në Greqinë e sotme, duke ia vënë emrin sipas vendlindjes së tyre.

Familje të tjera u shpërngulën në pjesë të ndryshme të Maqedonisë së Egjeut dhe Thrakisë Perëndimore.

Sot, ish-banorët jetojnë në Ivajllovgrad dhe në qytete të mëdha bullgare si Plovdivi dhe Sofja.

Mes tyre është edhe shkrimtari Nikolaj Tabakov, themelues i shtëpisë botuese “Anubis”.

Banorët dhe pasardhësit e tyre kthehen rregullisht në fshat për festa dhe takime familjare.

Një prej tyre, me titull “Sërish bashkë”, organizohet prej disa vitesh nga Shoqata për Ringjalljen e Mandricës, e krijuar rreth një dekadë më parë.

Shoqata ka ndërmarrë nisma të shumta për ruajtjen e trashëgimisë së fshatit, duke mirëmbajtur faqen mandritsa.com, botuar libra dhe promovuar Mandricën si destinacion kulturor.

Mandrica sot

Megjithëse kanë mbetur vetëm pak banorë të përhershëm, Mandrica nuk është aspak një fshat i braktisur.

Një dyqan lëvizës e viziton dy herë në javë, të hënën dhe të premten, duke furnizuar banorët me produktet bazë.

Teknologjia ka mbërritur edhe te një prej simboleve më të vjetra të fshatit.

Kulla e kambanës është pajisur me një sistem automatik me dy butona, një për raste gëzimi dhe një për raste zie.

Para meshës së së dielës në kishën e shën Dhimitrit, kambana bie me tinguj festivë për të ftuar besimtarët.

Fshati nuk ka prift të përhershëm.

Banorët kujdesen vetë për kishën, temjanin, ikonat, shesin dhe ndezin qirinj.

Vizitorët shpesh lënë monedha përpara ikonës së Virgjëreshës Mari.

Sipas banorëve, ikona i “pranon” në mënyrë të mistershme ofertat dhe, kur vjen koha e duhur, i lë ato të bien në enën e dhurimeve të vendosur poshtë saj.

Disa familje britanike janë vendosur gjithashtu në Mandricë dhe marrin pjesë në meshën e së dielës.

Aleksandri, me origjinë nga Londra, e quan Mandricën vendin e tij të preferuar në botë.

Ai mbërriti rastësisht në fshat, por sot jeta dhe puna e tij janë të lidhura ngushtë me të.

Me profesion ndërtues, ai organizon seminare për restaurimin e shtëpive tradicionale prej qerpiçi.

Dy vajzat e tij kanë blerë gjithashtu shtëpi në fshat.

Pas meshës, banorët mblidhen në kafenenë e kompleksit ekologjik ”Bukor Shtepi”.

Fëmijët, që kalojnë verën në Mandricë, shkojnë në pishinën e hotelit, ndërsa vizitorët mund të qëndrojnë në një nga bujtinat e zonës.

Fshati organizon gjithashtu punëtori artizanale të përqendruara në ndërtimin tradicional me qerpiç.

Një aktivitet i zhvilluar së fundmi në muajin qershor nga shoqata ”Mjeshtra për Dijet dhe Zejet Tradicionale” ishte një kurs praktik mbi teknikat e ndërtimit me baltë.

Banorët flasin me entuziazëm për këto nisma dhe mbeten optimistë se jeta në Mandricë jo vetëm që nuk do të shuhet, por do të vazhdojë të lulëzojë, duke mirëpritur vizitorë të rinj me mikpritjen legjendare shqiptare dhe duke ruajtur frymën e këtij fshati të jashtëzakonshëm, ku shekuj historie të përbashkët mbeten ende gjallë./

 

 

 

/Ad.Ab./ a.jor.

 

The post REPORTAZH – Mandrica, fshati shqiptar në Bullgari që ruan gjuhën dhe traditat prej katër shekujsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Ministria e Mbrojtjes: Procedura për blerjen e tre avionëve zjarrfikës u zhvillua sipas ligjit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Ministria e Mbrojtjes reagoi sot ndaj deklaratave të Partisë Demokratike lidhur me procedurën e prokurimit për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke theksuar se procesi është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi.

PD deklaroi sot se kompania e shpallur fituese e tenderit, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë dhe kërkoi anulimin e tij.

Në një deklaratë publike, MM bëri të ditur “se çdo procedurë prokurimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë zhvillohet në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë”.

Ministria e Mbrojtjes hodhi poshtë pretendimet se bëhet fjalë për një “tender të mbyllur” apo për një procedurë të zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

Ministria e Mbrojtjes sqaroi se në garë morën pjesë dy operatorë ekonomikë. Operatori fitues paraqiti ofertën me çmimin më të ulët, ndërsa operatori tjetër u skualifikua pasi nuk plotësonte kriteret ligjore të kualifikimit, si edhe kërkesat për kapacitet ekonomik dhe teknik.

Në reagim thuhet se nuk është i vërtetë pretendimi se kompania fituese, AVIATION TRADE EUROPE, S.L., ndodhet nën ndalim për të kontraktuar me administratat publike.

Sipas ministrisë, kompania ka paraqitur certifikatën e regjistrit penal që vërteton mungesën e çdo rekordi penal dhe gëzon të drejtën e plotë për të marrë pjesë në procedurat publike të prokurimit.

MM theksoi se pretendimet e referuara në media lidhen me një çështje gjyqësore në Spanjë, për të cilën vendimi nuk ka marrë ende formë të prerë dhe ndodhet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë. Për rrjedhojë, sipas saj, ai nuk prodhon efekte juridike dhe nuk përbën bazë ligjore për përjashtimin e operatorit ekonomik nga procedurat e prokurimit.

Në deklaratë nënvizohet se kompania ka vijuar të kontraktojë me administrata publike të vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë ministrinë e Mbrojtjes së Qipros dhe ministrinë e Brendshme të Malit të Zi.

Ministria e Mbrojtjes e cilësoi investimin për sigurimin e kapaciteteve ajrore për shuarjen e zjarreve si një projekt me rëndësi strategjike për forcimin e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit, duke ritheksuar angazhimin për zhvillimin e çdo procedure në përputhje me ligjin dhe në interes të publikut.

/e.i/j.p/

The post Ministria e Mbrojtjes: Procedura për blerjen e tre avionëve zjarrfikës u zhvillua sipas ligjit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kurti: Vetëm pas marrëveshjes për presidentin vazhdojmë me konstituimin e institucioneve, ndryshe vendi shkon në zgjedhje

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, ka thënë se duhet të vazhdojnë diskutimet politike për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Kurti ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit pa një dakordim për çështjen e presidentit do të mund të çonte drejt shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja.

“Ashtu siç e theksuam në nisje të seancës konstituive sot për legjislaturën e 11-të, duam t’i japim shans zhvillimit të diskutimit dhe arritjes së një marrëveshjeje politike për çështjen e presidentit apo presidentes së re. Çfarëdo konstituimi i Kuvendit pa marrëveshjen për çështjen e presidentit, praktikisht do të ishte parapërgatitje për shpërndarjen e Kuvendit. Në këtë mënyrë, dhënia e mundësisë për dialog politik për të arritur marrëveshje është e vetmja mënyrë dhe zgjidhja e duhur për konstituimin e plotë të institucioneve tona, ashtu siç e do rendi dhe ashtu siç kanë votuar qytetarët në zgjedhjet e lira e demokratike, ndonëse të parakohshme e të panevojshme, të 7 qershorit. Ne, që nga certifikimi i rezultateve, pa humbur kohë kemi dashur t’i japim shans diskutimeve, ashtu siç patëm kërkuar nga partitë opozitare pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.” ka thënë Kurti.

Kurti ka folur edhe për ndërprerjen e diskutimeve me partitë politike, duke thënë se zhvillimet e brendshme në LDK kanë ndikuar në proces dhe se koha e mbetur nuk ka qenë e mjaftueshme për një dakordim. Thesksoi se vetëm pas marrëveshjes për çështjen e presidentit, procedohet me konstituimin e institucioneve të tjera.

“Fatkeqësisht, për shkak të dinamikave dhe zhvillimeve të brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës, diskutimi u suspendua dhe takimin e radhës e patëm vetëm pardje, që nuk ishte kohë e mjaftueshme për të arritur një dakordim politik. Në këtë rast duhet theksuar se, përballë kësaj situate, e cila ka përvojë dhe trashëgimi, konsideroj se është e nevojshme t’i jepet shans vazhdimit të diskutimeve para se të lëvizim me konstituimin e Kuvendit, gjë që më pas mund të vështirësonte marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës. Prandaj na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime dhe vetëm atëherë kur të kemi arritur marrëveshje për çështjen e presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”, tha Kurti.

Sipas Kurtit, një marrëveshje paraprake për presidentin do të ndihmonte në funksionalizimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja.

“Herën e kaluar e pamë se pa e zgjidhur çështjen e presidentit, kot e konstituuam Kuvendin apo formuam qeverinë, sepse vendi u desh të shkonte në zgjedhje. Tri palë zgjedhje për 16 muaj”, ka përfunduar Kurti. /Kosovapress/

The post Kurti: Vetëm pas marrëveshjes për presidentin vazhdojmë me konstituimin e institucioneve, ndryshe vendi shkon në zgjedhje appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Kurti: Me Abdixhikun s’ka ndërmjetës, duhet ta lëvizim çdo guralec për t’i shmangur zgjedhjet e reja

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se udhëheqësit e Lidhjes Demokratike të Kosovës por edhe deputetët e saj kanë thënë se duhet të merren vesh me VV-në për të gjitha pozitat.

Kurti në konferencën për media pas ndërprerjes së seancës konstituive tha se në pranverën e këtij viti pati marrë kritika që e zgjodhi kryetarin, kryesinë e kuvendit dhe qeverinë pa u takuar me ta, por, këtë herë, vetë Kurti tha se ka reflektuar.

“Ju e mbani mend që në pranverën e këtij viti më patën kritikuar mua që e zgjodhëm kryetarin dhe kryesinë dhe qeverinë pa u takuar me ta. Ne kemi reflektuar dhe kemi vepruar ndryshe kësaj radhe. Kësaj radhe, asnjë institucion s’po e konstituojmë pa u takuar, siç ka qenë kritika e tyre, ne jemi duke vepruar. Arsyeja pse kemi qenë me nguti në fillim të këtij viti, ka qenë çështja e buxhetit të Kosovës. Por, unë i kam mbajtur shënim të gjitha kritikat që na i kanë dhënë gjatë këtij viti dhe tash natyrisht po i përfilli ato. Edhe më tej, iniciativat për çdo takim jam duke i marrë unë, unë dua bashkëpunim prandaj marr iniciativa, prandaj komunikojmë, veçse unë mund të kem lajme të reja, atëherë kur do të kemi marrëveshje”, tha Kurti.

Tutje, ai u shpreh se me Lidhjen Demokratike të Kosovës janë në komunikime të drejtpërdrejta, dhe se me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun, s’kanë ndërmjetësues.

Kurti u shpreh se nga përvoja e marrë gjatë këtyre 16 muajve, duhet ta lëvizin çdo guralec për t’i shmangur zgjedhjet e reja.

“Ne jemi në komunikime të drejtpërdrejta me LDK-në, pra me kryetarin Abdixhiku s’kemi ndërmjetësues. Sa më herët që mund të ecim përpara, aq më mirë, por duhet ta kuptoni që nuk janë gjëra të thjeshta këto dhe nga përvoja e këtyre 16 muajve duhet ta lëvizim çdo guralec për t’i evituar zgjedhjet e reja. Serioziteti dhe përgjegjësia institucionale dhe politike sot e ka veç një përkufizim, evitimi i edhe një palë zgjedhjeve të reja të panevojshme”, tha Kurti. /Kosovapress/

The post Kurti: Me Abdixhikun s’ka ndërmjetës, duhet ta lëvizim çdo guralec për t’i shmangur zgjedhjet e reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Rama ndan mesazhin: Besim, empati, shërbim, angazhim

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjetet sociale një mesazh drejtuar qytetarëve përmes të cilit shkruan me shkrim dore katër fjalë kyçe, “besim, empati, shërbim, angazhim”.

Mesazhi vjen pasi kreu i qeverisë prezantoi pak javë më parë dokumentin politike “Besa”, një platformë që ai e ka cilësuar si një aleancë të re për rikthimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Përmes kësaj platforme synohet që vendimet e qeverisë të mos përjetohen më si “prerje në besë”, por si procese ku qytetarët ndihen të dëgjuar, të informuar dhe të respektuar.

Më herët kreu i qeverisë ka theksuar se është zgjedhur qëllimisht emri “Besa” pasi, sipas tij, nuk ekziston një fjalë tjetër që shpreh më mirë nevojën për rikthimin e besimit mes shtetit dhe qytetarëve.

Sipas tij, platforma synon ta kthejë kritikën në vlerë, zemërimin në ndryshim, pyetjen në provë dhe protestën në një test pjekurie të demokracisë.

Dokumenti politik u prezantua gjatë një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, pas protestave të zhvilluara prej javësh para Kryeministrisë të njohura ndryshe si “revolucioni i flamingove”.

/m.q/j.p/

The post Rama ndan mesazhin: Besim, empati, shërbim, angazhim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Mbi 1.7 milionë udhëtarë dhe 702 mijë automjete në pikat kufitare gjatë korrikut

TIRANË, 6 gusht /ATSH/  Dogana Shqiptare ka përballuar me efikasitet rritjen e fluksit të udhëtarëve dhe automjeteve në pikat tokësore të kalimit kufitar gjatë muajit korrik, duke garantuar shërbim të pandërprerë 24 orë në 7 ditë të javës.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se në 6 pikat kryesore kufitare të vendit gjatë korrikut janë përpunuar mesatarisht çdo ditë mbi 90 mijë udhëtarë dhe rreth 34 mijë automjete.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministri Malaj, gjatë gjithë muajit korrik në këto pika kufitare janë regjistruar rreth 1.7 milionë udhëtarë dhe 702 mijë automjete, në një periudhë me intensitet të lartë lëvizjesh për shkak të sezonit turistik.

Fluksi më i madh është regjistruar në pikën kufitare të Morinës, ku janë përpunuar rreth 422 mijë udhëtarë dhe 130 mijë automjete.

Në pikën e kalimit kufitar Kapshticë janë regjistruar rreth 204 mijë udhëtarë dhe 48 mijë automjete, ndërsa në Kakavijë kanë kaluar rreth 199 mijë udhëtarë dhe 46 mijë automjete.

Në Han të Hotit janë përpunuar rreth 171 mijë udhëtarë dhe 84 mijë automjete, ndërsa në Qafë Botë rreth 132 mijë udhëtarë dhe 37 mijë mjete.

Ministri Malaj theksoi se strukturat doganore vijojnë punën për menaxhimin e flukseve të larta dhe garantimin e një shërbimi sa më të shpejtë për qytetarët dhe vizitorët që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria.

Rritja e lëvizjeve në pikat kufitare vjen në një periudhë kur vendi po përjeton një sezon të ngarkuar turistik, me numër të lartë vizitorësh dhe udhëtarësh nga të gjitha drejtimet.

/e.xh/j.p/

The post Mbi 1.7 milionë udhëtarë dhe 702 mijë automjete në pikat kufitare gjatë korrikut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

SERBI – Niveli i ulët i Danubit ”zbulon” anijet naziste

BEOGRAD, 6 gusht /ATSH-DPA/ – Niveli jashtëzakonisht i ulët i ujit në lumin Danub ka nxjerrë në pah disa anije të fundosura të Marinës gjermane nga Lufta e Dytë Botërore në Serbi.

Mediat serbe raportuan se vizitorët kanë nisur të ngjiten mbi mbetjet e amortizuara të ish-flotës naziste pranë portit lumor të Prahovës.

Anijet e fundosura janë bërë të dukshme disa herë edhe gjatë verave veçanërisht të nxehta të viteve të fundit.

Përqendrimi i madh i anijeve të mbytura në këtë pjesë të Danubit, pak përpara të ashtuquajturës Gryka e Hekurt, një grykë e lumit Danub në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë, lidhet me ngjarjet e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Marina gjermane fundosi qëllimisht pjesë të Flotës së saj të Detit të Zi në këtë zonë. Forcat detare ishin në tërheqje dhe po ndiqeshin nga flotilja ushtarake sovjetike e Danubit.

Rreth 200 anije u fundosën me qëllim që ta bënin lumin të pakalueshëm për forcat ndjekëse.

Rrënojat e anijeve pranë Prahovës vazhdojnë të përbëjnë një pengesë të madhe dhe të rrezikshme për lundrimin në Danub kur niveli i ujit është i ulët.

Bashkimi Evropian po financon një program për nxjerrjen graduale të anijeve të vjetra naziste, veçanërisht atyre që ndodhen në pozicione më problematike./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SERBI – Niveli i ulët i Danubit ”zbulon” anijet naziste appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Vijojnë punimet në rrugën e Qafë-Dardhës në Berat, investim për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e aksesit

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Punimet për rehabilitimin e rrugës së Qafë-Dardhës në Berat po vijojnë me ritme të larta, me fokus në përmirësimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së këtij aksi të rëndësishëm për komunitetin dhe vizitorët e zonës.

Sipas të dhënave të bëra publike nga ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, aktualisht po punohet për ndërtimin e mureve mbajtëse dhe sistemimin e kanaleve kulluese, ndërhyrje të domosdoshme për forcimin e trupit të rrugës dhe mbrojtjen e saj nga dëmtimet.

Ky investim synon të krijojë kushte më të sigurta për qarkullimin e mjeteve, të përmirësojë aksesin për banorët e zonës dhe të rrisë mundësitë për zhvillimin e turizmit në Qafë-Dardhë, një zonë me potencial të rëndësishëm natyror dhe turistik.

Projekti financohet përmes Programit për Zhvillimin e Infrastrukturës Turistike, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në partneritet me Bashkinë Berat.

Ndërhyrjet në infrastrukturën rrugore në zonat rurale dhe malore janë pjesë e përpjekjeve për të përmirësuar lidhjen e komuniteteve lokale me qendrat urbane, për të nxitur ekonominë lokale dhe për të krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit natyror.

Rruga e Qafë-Dardhës pritet të sjellë një akses më të lehtë dhe më të sigurt drejt kësaj zone, duke i dhënë një shtysë të re potencialit turistik të Bashkisë Berat.

E vendosur në rrëzë të malit të Tomorit, Qafë-Dardha është një prej zonave me potencialin më të madh turistik në Bashkinë Berat. Kombinimi i peizazheve natyrore, historisë dhe traditave vendase e bën këtë fshat një destinacion të veçantë për vizitorët që kërkojnë përvoja autentike në natyrë.

Ndërsa Qafë-Dardha pasurohet edhe nga monumente natyrore me vlera të veçanta, si “Çuruqet e Bezgës”, “Ujëvara e Sotirës” dhe “Çezma e Tarikos”, që e bëjnë zonën një destinacion të përshtatshëm për turizmin e natyrës dhe aventurës.

 

1 nga 5

/e.xh/j.p/

The post Vijojnë punimet në rrugën e Qafë-Dardhës në Berat, investim për zhvillimin e turizmit dhe përmirësimin e aksesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Begaj në panairin në Ulqin: Libri mban gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin.

Panairi konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të rajonit dhe mbledh autorë, botues, krijues dhe dashamirës të librit nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera. Ai synon promovimin e librit, gjuhës, dialogut ndërkulturor, si dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve të rajonit.

Në fjalën e tij, Begaj vlerësoi organizatorët për idenë e shndërruar në mision dhe për zgjedhjen e Ulqinit si vend mikpritës të këtij panairi.

“Ulqini është një qytet me histori, me kulturë dhe me një traditë të vyer mikpritjeje. Një qytet ku shqipja është gjuhë e familjes, e kujtesës dhe e krijimtarisë”, tha ai.

Duke theksuar rëndësinë e librit në jetën e shoqërisë shqiptare, Kreu i Shtetit u shpreh se historia jonë ka vlerësuar me të drejtë njerëzit e qëndresës, të sakrificës dhe të trimërisë.

“Për shumë kohë, atyre iu desh të mbronin vendin, lirinë, gjuhën dhe të drejtën për të qenë vetvetja. Sot nuk mjafton të jesh vetëm krenar për historinë. Duhet të jesh i përgatitur për të ardhmen. Pikërisht këtu fillon rëndësia e librit. Libri nuk na jep vetëm informacion. Ai na mëson të përqendrohemi, të pyesim e të mos pranojmë çdo gjë të mirëqenë. Na mëson ta dëgjojmë edhe një mendim tjetër dhe të kuptojmë se bota nuk fillon e nuk mbaron me përvojën personale”, tha ai.

Duke u ndalur në rolin e pazëvendësueshëm që libri ka për gjuhën shqipe, Presidenti tha se “për ne, libri ka edhe një rëndësi tjetër: ai mban gjallë dhe pasuron gjuhën, traditën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar. Gjuha nuk ruhet vetëm se e kemi trashëguar. Ajo ruhet kur përdoret mirë, kur shkruhet, kur lexohet dhe kur u përcillet fëmijëve. Ajo pasurohet nga autorët, përkthyesit, mësuesit, studiuesit, gazetarët dhe nga të gjithë ata që punojnë me fjalën”.

Kreu i Shtetit vlerësoi se libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare.

“Libri duhet të trajtohet si një përparësi kombëtare jo vetëm në fjalime dhe në ditët kur hapen panairet, por në mënyrën se si investojmë te bibliotekat, si i përzgjedhim librat për shkollat dhe si mbështesim botuesit, përkthyesit e autorët, si dhe si e afrojmë librin me fëmijët”, tha ai.

Në përfundim, Presidenti Begaj theksoi se, “kujdesi për gjuhën, kulturën, arsimin dhe krijimtarinë shqiptare është një përgjegjësi e rëndësishme e shtetit shqiptar, është përgjegjësi ndaj shkrimtarëve dhe krijuesve, por sidomos ndaj brezit të ri”.

Më herët, gjatë ditës, Presidenti i Republikës u mirëprit në ambientet e Komunës së Ulqinit nga Kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu. Gjatë takimit u diskutua mbi sfidat dhe projektet e komunës, vizionin dhe programet zhvillimore, si dhe mbi rëndësinë e rritjes së përfaqësimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi.

Në vijim të vizitës, Presidenti Begaj zhvilloi edhe një takim me përfaqësues të faktorit politik shqiptar të Ulqinit për të dëshmuar mbështetjen e të gjithë shtetit shqiptar ndaj faktorit politik shqiptar në Malin e Zi dhe të drejtat e tyre.

Presidenti shprehu besimin se punët e mira të nisura në komunat e Ulqinit dhe Tuzit do të vijojnë të jenë një urë e fortë lidhëse midis dy vendeve tona. /j.p/

The post Begaj në panairin në Ulqin: Libri mban gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

FOKUS – Spanja përgatitet për eklipsin total të Diellit, priten miliona vizitorë

MADRID, 6 gusht /ATSH-ANSA/ – Spanja po përgatitet për eklipsin total të Diellit më 12 gusht, një nga ngjarjet astronomike më të rëndësishme të shekullit.

Do të jetë hera e parë pas më shumë se 100 vjetësh që fenomeni do të shihet në mënyrë të plotë nga Gadishulli Iberik, ndërsa autoritetet presin mbi 10 milionë vizitorë vendas dhe të huaj përgjatë brezit ku eklipsi do të jetë i dukshëm në tërësinë e tij.

Vendi do të jetë një nga pikat më të mira në Evropë për të vëzhguar fenomenin, i cili do të hapë një seri të rrallë prej tre eklipsesh të dukshme në Spanjë gjatë viteve 2026-2028.

Qeveria spanjolle ka krijuar një portal informues me të dhëna shkencore, harta interaktive, vendet më të mira për vëzhgim dhe udhëzime për sigurinë e publikut.

Interesi i madh ka rritur ndjeshëm kërkesën për syze të certifikuara për vëzhgimin e Diellit.

Ministria e Shkencës, Inovacionit dhe Universiteteve, në bashkëpunim me Fondacionin ONCE, do të shpërndajë falas dy milionë palë syze të posaçme, ndërsa furnizuesit kanë dorëzuar tashmë më shumë se 700 mijë palë për institucione, kompani dhe qytetarë.

Shkencëtarët dhe organizatat e mbrojtjes së konsumatorëve paralajmërojnë se eklipsi duhet të vëzhgohet vetëm me syze që përmbushin standardet evropiane të sigurisë.

Ata theksojnë se syzet e zakonshme të diellit, xhamat e nxirë apo mjetet e improvizuara nuk mbrojnë nga rrezatimi diellor dhe mund të shkaktojnë dëmtime të përhershme në sy.

Edhe kamerat, teleskopët dhe telefonat inteligjentë duhet të përdoren vetëm me filtra të posaçëm.

Për shkak të lëvizjes së rreth 10 milionë njerëzve drejt zonave ku eklipsi do të shihet më qartë, sidomos në veriperëndim dhe përgjatë bregdetit juglindor të Mesdheut, Mbrojtja Civile spanjolle ka hartuar një plan të gjerë për menaxhimin e trafikut, garantimin e sigurisë dhe parandalimin e zjarreve.

Ndër qytetet më të favorshme për vëzhgim janë La Coruna, Oviedo, Leon, Soria, Valladolid, Bilbao, Zaragoza, Valencia dhe Palma de Majorka. /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Spanja përgatitet për eklipsin total të Diellit, priten miliona vizitorë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

PD: Të anulohet tenderi 15 milionë euro për avionët zjarrfikës

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Partia Demokratike kërkoi sot anulimin e procedurës së tenderit me vlerë 15 milionë euro për blerjen e tre avionëve për shuarjen e zjarreve, duke kërkuar gjithashtu nisjen e një hetimi të thelluar nga SPAK.

Përmes një deklarate për mediet, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, tha se kompania e shpallur fituese e tenderit, Air Tractor Europe S.L., është përfshirë në procese gjyqësore në Spanjë që lidhen me pretendime për manipulim tenderësh dhe korrupsion në sektorin e avionëve për shuarjen e zjarreve.

“Sipas medias Ministria e Mbrojtjes ka shpallur fituese kompaninë Air Tractor Europe S.L., e cila është përfshirë në vendime gjyqësore në Spanjë që lidhen me manipulimin e tenderëve, dhe korrupsionin në sektorin e avionëve të shuarjes së zjarreve. Vendimet e autoriteteve gjyqësore spanjolle, përveç dëmit korruptiv të paktën 150 milion euro, së bashku me vendimin e gjykatës supreme në Greqi në 2024, pengojnë kompaninë të marrë pjesë në procedura të prokurimit publik në vendet e Bashkimit Europian”, tha ajo.

Vangjeli theksoi se legjislacioni shqiptar për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë parashikon përjashtimin e operatorëve ekonomikë në rastet kur ka vendime penale të formës së prerë për vepra si korrupsioni, mashtrimi apo falsifikimi.

Sipas saj, edhe legjislacioni shqiptar përmban të njëjtat klauzola penalitetesh.

Në këto kushte Vangjeli shtoi se, Partia Demokratike kërkon anulimin e menjëhershëm të procedurës dhe nisjen e hetimeve të thelluara nga SPAK për të penalizuar përgjegjësit.

/m.q/j.p/

The post PD: Të anulohet tenderi 15 milionë euro për avionët zjarrfikës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Richard Grenell edhe këtë vit zgjedh rivierën shqiptare për pushime

TIRANË, 6 gusht/ATSH/  I dërguari i Presidentit Donald Trump për misionet speciale Richard Grenell edhe këtë vit ka zgjedhur t’i kalojë pushimet e verës në Shqipëri.

Grenell ka ndarë në rrjetet sociale disa fotografi nga pushimet e tij në Vlorë, ku shfaqet në shoqërinë e familjarëve dhe miqve.

“Shqipëria, me miq dhe familjen”, shkruan Grenell.

Kjo nuk është hera e parë që diplomati amerikan zgjedh rivierën shqiptare si destinacion veror.

Prej disa vitesh ai rikthehet rregullisht në jugun e Shqipërisë, duke u bërë tashmë një vizitor besnik i brigjeve shqiptare.

Richard Grenell është një nga figurat më të njohura të diplomacisë amerikane dhe një emër me peshë në administratën e Donald Trump.

Gjatë mandatit të parë të Trump Grenell shërbeu si i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi.

1 nga 4

/k.s/j.p/

The post Richard Grenell edhe këtë vit zgjedh rivierën shqiptare për pushime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Kurti kërkon kohë për bisedime për presidentin

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Seanca konstituive në Kuvendin e Kosovës u shty për kohë të papërcaktuar nga kryesuesi Dehari.

Deputetët bënë betimin, por mbeti në gjysmë zgjedhja e nënkryetarëve dhe kryetarit. Lideri LVV-së Albin Kurti nuk e propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kërkoi kohë shtesë për bisedime.

Bisedimet mes LVV-së dhe LDK-së nuk kanë sjellë fryt deri tani. Partitë parlamentare kanë rreth dy muaj për ta zgjedhur presidentin, ose vendi shkon sërish në zgjedhje.

Në një vendim të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese tha se Kushtetuta e vendit i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i certifikoi rezultatet më 8 korrik, kjo nënkupton se 30 ditë mbushen të premten, 7 gusht.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti kërkoi shtyrjen e seancës së sotme konsituive me argumentin se konstituimi nuk bën të jetë sërish drejt edhe një shpërndarje të kuvendit dhe përsëri zgjedhjeve të parakohshme dhe të paarsyeshme për qytetarët dhe të dëmshme për ekonominë.

“Andaj kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shanse bisedimeve politike për marrëveshje për president apo presidente të re”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se do bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, teksa tha se duhet dakordim i gjerë për presidentin, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria.

“Menjëherë pas certifikimit të rezultateve, ne filluam takimet për konstituimin e institucioneve. E falënderoj kryetarin e PDK-së për takimin, e falënderoj kryetarin e LDK-së për takimet. Ato bisedime u pezulluan për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK. Rifillimi i bisedimeve u bë vetëm në këtë javë. Ne duam bisedime edhe me PDK-në edhe me AAK-në, ndonëse refuzimi i tyre është i qartë. Zgjedhjet e 7 qershorit na u shkaktuan sepse në prill nuk u zgjodh presidenti. Ne duam të ecim përpara bashkërisht. Por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetushmëria për të cilën u betuam sot”, përfundoi Kurti.

The post Shtyhet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, Kurti kërkon kohë për bisedime për presidentin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  

Gjykatësi cakton shtatorin për deklaratat përmbyllëse për Thaçin dhe të tjerët në gjyqin për pengim të drejtësisë

PRISHTINË, 6 gusht/ATSH/ Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të enjten se mesi i shtatorit është caktuar për mbajtjen e seancave për shpalosjen e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit – të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë.

Seancat për deklarata përmbyllëse do të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator, njoftoi gjykata.

Ata akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar tek dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Ndaj Hashim Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe tetë akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Bashkim Smakajt, Isni Kilajt dhe Fadil Fazliut janë ngritur, për secilin, një akuzë për tentim për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe një akuzë për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndaj Hajredin Kuçit janë ngritur dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Të pesë të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Gjykimi ndaj tyre filloi më 27 shkurt, ndërsa më 13 mars, Prokuroria përfundoi paraqitjen e provave.

Ndërkohë, aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, do të shpallet më 16 shtator.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, akuzohen për vepra si vrasje, torturim dhe përndjekje, gjoja të kryera gjatë viteve 1998-’99 gjatë luftës për pavarësimin e Kosovës nga Serbia.

Që të katërtit i kanë mohuar këto akuza dhe janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që përfshijnë rreth 155 viktima.

Prokurorët kanë kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe secili të dënohet me nga 45 vjet burgim për krimet e pretenduara.

Mbi 130 dëshmitarë dëshmuan, ndërsa u pranuam me shkrim 160 deklarata të dëshmitarëve të tjerë në këtë gjyq gjatë tri vjetëve seanca.

Gjyqi ndaj tyre përfundoi në shkurt, ndërsa ata janë mbajtur në paraburgim në Hagë qëkurse u arrestuan në vitin 2020.

Gjykata Speciale është formalisht pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si e njëanshme, duke qenë se në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Prej atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së.

Gjithashtu ka pasur protesta kundër këtij procesi në Hagë, në Prishtinë dhe në qytete të tjera.

Mijëra qytetarë morën pjesë në protestën “Drejtësi, jo politikë” në Ditën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt këtë vit në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. /rel/

The post Gjykatësi cakton shtatorin për deklaratat përmbyllëse për Thaçin dhe të tjerët në gjyqin për pengim të drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

  •  
❌