Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 February 2026Main stream

KIEV – Qeveria financon pronarët e banesave për gjeneratorë, mes krizës energjetike pas sulmeve ruse

9 February 2026 at 22:57

KIEV, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Qeveria ukrainase do të ofrojë mbështetje për pronarët e banesave në blerjen e gjeneratorëve dhe burimeve të tjera të energjisë, mes sulmeve të vazhdueshme ruse ndaj sistemit energjetik të vendit.

Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi sot këtë politikë pas konsultimeve me kryeministren Yulia Svyrydenko.

Sipas  presidentit Zelensky, blerja e furnizimit autonom me energji duhet të bëhet më e përballueshme për shoqatat e pronarëve të pallateve dhe për pronarët e shtëpive individuale.

Ai e bëri këtë njoftim në video mesazhin e  mbrëmjes.

Në një program tjetër të posaçëm për bizneset, autoritetet kanë marrë tashmë rreth 20 mijë aplikime për subvencione për mirëmbajtjen dhe riparimin e gjeneratorëve.

“Për më tepër, janë dhënë kredi pa interes në vlerën e gjysmë miliardi hryvnia (rreth 11,6 milionë dollarë) për blerjen e gjeneratorëve”, tha presidenti ukrainas.

Megjithatë, kërkesa pritet të jetë shumë më e madhe.

Një valë sulmesh ajrore ruse që nga fillimi i janarit ka dëmtuar rëndë furnizimin me energji në Ukrainë, duke bërë që Kievi, Kharkivi dhe qytete të tjera të mbeten pothuajse pa energji elektrike dhe ngrohje gjatë ngricave të forta.

Në kryeqytet, më shumë se 1 100 blloqe banimi nuk do të mund të ngrohen deri në pranverë.

Ndërkohë, kompanitë po mbajnë në funksion aktivitetet e tyre duke përdorur gjeneratorë me naftë.

Kompania shtetërore e energjisë, “Ukrenergo”, ka njoftuar gjithashtu ndërprerje të energjisë për disa orë në të gjitha rajonet e vendit edhe për të martën./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post KIEV – Qeveria financon pronarët e banesave për gjeneratorë, mes krizës energjetike pas sulmeve ruse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA paralajmëron rreziqe për anijet që kalojnë Ngushticën e Hormuzit

9 February 2026 at 22:22

UASHINGTON, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Departamenti i Transportit i SHBA-së ka paralajmëruar anijet tregtare amerikane për rreziqet gjatë kalimit në Ngushticën e Hormuzit dhe Gjirin e Omanit.

Sipas një njoftimi të publikuar sot, forcat iraniane tentuan më herët këtë muaj të hipnin në anijet tregtare brenda ujërave territoriale të Iranit, duke përdorur mjete të vogla dhe helikopterë.

Për disa kohë, anijet komerciale rrezikojnë të ndalen, të pyeten, të hipet mbi to, të ndalohen ose të sekuestrohen nga forcat e sigurisë iraniane.

Departamenti i Transportit theksoi se, nëse anijet amerikane vendosin të kalojnë në këto ujëra, duhet të lundrojnë sa më afër ujërave territoriale të Omanit dhe të qëndrojnë sa më larg ujërave territoriale iraniane.

Paralajmërimi do të jetë në fuqi deri në fillim të gushtit.

Ngushtica e Hormuzit ndodhet mes Iranit dhe Omanit dhe konsiderohet një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), rreth 30% e naftës së transportuar globalisht kaloi përmes kësaj ngushtice  në vitin 2023, kryesisht për në Kinë, Indi dhe vende të tjera aziatike.

Gjithashtu, rreth 20% e tregtisë globale të gazit natyror të lëngshëm shkon përmes këtij rrugëkalimi.

Ngushtica e Hormuzit nuk ka një autoritet qendror si Kanali i Suezit në Egjipt.

Tankerat lundrojnë brenda ujërave territoriale të Iranit dhe Omanit, duke e bërë këtë rrugë veçanërisht të ndjeshme për sigurinë e transportit detar./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – SHBA paralajmëron rreziqe për anijet që kalojnë Ngushticën e Hormuzit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Marrëveshje miliarda dollarëshe SHBA-Armeni për energjinë bërthamore

9 February 2026 at 21:00

EREVAN, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Armenia dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje prej miliarda dollarësh për energjinë bërthamore, gjatë vizitës së zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance në Erevan.

Sipas marrëveshjes, SHBA-ja hyn në një fushë që më parë ishte e dominuar nga Rusia, e cila kishte furnizuar teknologjinë për centralin e vetëm bërthamor në republikën e Kaukazit Jugor.

“Marrëveshja parashikon eksport të teknologjisë amerikane në vlerë 5,0 miliardë dollarë, si dhe kontrata për furnizim me karburant bërthamor dhe mirëmbajtje në vlerë 4,0 miliardë dollarë”, tha Vance pas takimit me kryeministrin armen, Nikol Pashinian.

“Marrëveshja lidhet me reaktorë të vegjël dhe SHBA-ja ka besim të mjaftueshëm te Armenia për t’i ofruar këtë teknologji të re”, shtoi Vance.

“Si pjesë e ndihmës ushtarake, SHBA do të furnizojë Armeninë me dronë vëzhgues ‘V-BAT”, theksoi Vance.

Ai pritet gjithashtu të vizitojë Azerbajxhanin gjatë këtij udhëtimi./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Marrëveshje miliarda dollarëshe SHBA-Armeni për energjinë bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – Robbie Williams rikthehet pas 30 vitesh

9 February 2026 at 20:20

LONDËR, 9 shkurt /ATSH/ – Pas më shumë se tre dekadash në industrinë e muzikës, Robbie Williams është rikthyer në turnetë muzikorë, gati për të festuar arritjet e tij.

Albumi i tij i ri ”Britpop”, është i 16-ti që arrin vendin e parë në listat britanike, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur nga ”Beatles”, sipas BBC.

Williams, i cili nis këtë javë turneun ”Long 90s”, thotë se si britanikë shpesh kemi tendencën të shpërbëjmë suksesin tonë dhe ta nënvlerësojmë veten.

”Por, me këtë album, unë dua ta përjetoj suksesin”, shton ai.

Turneu kalon përmes qyteteve të vogla ku ai debutoi solo.

Albumi ”Britpop” sjell bashkëpunime me ish-anëtarin e ”Take That”, Gary Barlow, Gaz Coombes nga ”Supergrass” dhe kitaristin e ”Black Sabbath”, Tony Iommi.

”Çdo gjë e mirë që ndodhte gjatë asaj periudhe nuk më jepte gëzim, sepse isha i zënë nga sëmundja ime mendore”, thotë ai.

Artist i hapur për sfidat e tij, Williams ka folur edhe për frikën e skenës që ka përjetuar në të kaluarën.

Ai ndjehet më i lumtur edhe duke u rikthyer në Britaninë e Madhe, pas eksperiencave të vështira me shtypin britanik në fillimet e karrierës së tij solo.

”Tani jam lënë i qetë të publikoj këngët e mia”, thotë ai, duke shtuar se nuk ka më cënim të privatësisë si dikur.

Pas thyerjes së rekordeve dhe fitimit të më shumë ”Brit Awards” se kushdo tjetër, Robbie tregon planet e tij për të ardhmen: të ndërtojë hotele me ambiente muzikore.

Ky rikthim i Williams është një kombinim mes reflektimit personal, festimit të suksesit dhe ambicieve të mëdha për të ardhmen.

Ai tregon se, megjithëse karriera ka pasur ulje-ngritje, pasioni dhe energjia për muzikën dhe artin mbeten të paprekura./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MUZIKË – Robbie Williams rikthehet pas 30 vitesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Çaji dhe kafeja ulin rrezikun e demencës

9 February 2026 at 18:33

BOSTON, 9 shkurt /ATSH/ – Një filxhan i përditshëm çaji ose kafeje mund të ofrojë më shumë sesa një nisje të këndshme të ditës.

Sipas një studimi të ri të kryer nga Universiteti i Harvardit, konsumimi i rregullt i këtyre pijeve me kafeinë lidhet me një rrezik më të ulët për demencë dhe me performancë më të mirë njohëse krahasuar me individët që nuk i konsumojnë ato, sipas “The Independent”.

Studimi analizoi të dhëna nga rreth 131 mijë punonjës shëndetësorë në SHBA, përfshirë 86 mijë infermiere dhe 45 mijë profesionistë të tjerë të shëndetit, të ndjekur për një periudhë mesatare prej 43 vitesh.

Pjesëmarrësit plotësonin pyetësorë ushqimorë çdo dy deri në katër vjet, duke përfshirë sasinë e kafesë me dhe pa kafeinë dhe të çajit që konsumonin.

Përveç kësaj, ata iu nënshtruan testeve njohëse të përsëritura gjatë viteve.

Gjatë periudhës së ndjekjes, u identifikuan 11 033 raste të demencës.

Analiza tregoi se konsumimi më i lartë i kafesë me kafeinë shoqërohej me një ulje prej rreth 18% të rrezikut për demencë, ndërsa personat që pinin më shumë çaj shfaqnin një ulje prej 16%.

Ata që konsumonin më shumë çaj dhe kafe treguan gjithashtu një ritëm më të ngadaltë të rënies njohëse krahasuar me ata që pinin më pak.

Hulumtuesit vunë re se kafeja pa kafeinë nuk lidhej me ulje të rrezikut të demencës apo me performancë më të mirë njohëse. Përfitimet më të theksuara u vërejtën te konsumi i moderuar: rreth dy deri në tre filxhanë kafeje me kafeinë në ditë ose një deri në dy filxhanë çaji, duke mos u vërejtur avantazhe shtesë për sasi më të mëdha.

Yu Zhang, autori kryesor i studimit nga Shkolla e Shëndetit Publik “TH Chan” në Harvard, tha se “demenca është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik në botë dhe trajtime efektive janë ende shumë të kufizuara. Identifikimi i faktorëve të stilit të jetesës që mund të lidhen me rrezikun për demencë është i rëndësishëm, sidomos kur bëhet fjalë për pije që konsumohen gjerësisht globalisht”.

Ekspertët paralajmërojnë gjithsesi se ky studim tregon një lidhje statistikore, jo një marrëdhënie shkak-pasojë.

Susan Kohlhaas nga “Alzheimer’s Research UK“ theksoi se “personat që pinë kafe ose çaj mund të ndryshojnë edhe në mënyra të tjera që ndikojnë në shëndetin e trurit, dhe studimi mbështetet pjesërisht në diagnoza të vetëraportuara”.

Tara Spires-Jones nga “UK Dementia Research Institute” shtoi se faktorë të tjerë, si cilësia e gjumit dhe shëndeti kardiovaskular, mund të ndikojnë gjithashtu, dhe se të dhënat e kafeinës janë marrë nga vetë-raportime çdo dy deri në katër vjet, gjë që mund të ndikojë në saktësinë e tyre.

Sipas studiuesve, edhe një ndikim modest i kafesë dhe çajit mund të ketë pasoja të rëndësishme në nivel popullsie, duke dhënë një arsye shtesë për t’i përfshirë këto pije në rutinën e përditshme, me moderim./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Çaji dhe kafeja ulin rrezikun e demencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Dialog konstruktiv SHBA-Groenlandë-Danimarkë, por paqartësitë për të ardhmen mbeten

9 February 2026 at 17:55

KOPENHAGË, 9 shkurt  /ATSH/ – Ministrat e Jashtëm të Groenlandës dhe Danimarkës thonë se shpresojnë të zbusin kërcënimin ekzistencial që, sipas tyre, vjen nga këmbëngulja e presidentit amerikan Donald Trump për ta marrë nën kontroll territorin autonom arktik  sipas Deutsche Welle.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, i përshkroi bisedimet diplomatike me SHBA-në si pozitive, por theksoi se fati i territorit nën sovranitetin danez mbetet i pasigurt, ndërsa presidenti Trump vazhdon të përsërisë dëshirën për ta pasur Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare.

“Ende nuk jemi aty ku duam të jemi”, tha Motzfeldt në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, dhe ministren e Jashtme të Kanadasë, Anita Anand, e cila të hapi të premten një konsullatë të re kanadeze në kryeqytetin e Greenlandës, Nuuk.

”Do të ketë një proces të gjatë dhe është shumë herët të thuhet se ku do të përfundojmë”, shtoi Motzfeldt.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Rasmussen.

”Nuk jemi jashtë krizës dhe ende nuk kemi një zgjidhje, por jemi në një pozicion shumë më të mirë krahasuar me disa javë më parë”, tha ai.

Sipas tij, danezët dhe groenlandezët mbeten të qetë pavarësisht deklaratave amerikane.

Ai iu referua disa episodeve të kaluara pa dhënë detaje, duke theksuar se ”nuk ka kërcënime në tryezë dhe nuk ka luftë tregtare me Evropën”, ndërsa palët janë pajtuar për një qasje normale diplomatike.

Interesi i presidentit Trump për Groenlandën nisi që në mandatin e tij të parë, kur hodhi idenë e blerjes së ishullit nga Danimarka.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025, ai e ka përsëritur publikisht synimin për ta marrë territorin nga aleatja e NATO-s, Danimarka.

Edhe pse SHBA-ja ka të drejtën të krijojë dhe operojë baza ushtarake në Groenlandë falë një traktati të vitit 1951, Trump ka këmbëngulur se vetëm pronësia e plotë do t’i mundësonte Uashingtonit ta mbrojë realisht territorin, duke e quajtur këtë një hap psikologjikisht të rëndësishëm./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Dialog konstruktiv SHBA-Groenlandë-Danimarkë, por paqartësitë për të ardhmen mbeten appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – BE dhe vendet arabe kundër zgjerimit izraelit në Bregun Perëndimor

9 February 2026 at 16:42

TEL AVIV, 9 shkurt /ATSH-DPA/ – Planet e Izraelit për të zgjeruar kontrollin në Bregun Perëndimor të pushtuar kanë nxitur sot kritika të ashpra nga Bashkimi Evropian dhe disa vende arabe.

Sipas mediave izraelite, Kabineti i Sigurisë i Izraelit ka miratuar dje një sërë masash që, sipas kritikëve, do të përshpejtojnë ndërtimin e vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

“Bashkimi Evropian dënon vendimet e fundit të Kabinetit të Sigurisë së Izraelit për të zgjeruar kontrollin izraelit në Bregun Perëndimor”, deklaroi sot zëdhënës i përfaqësueses së lartë të BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas.

Ai e përshkroi këtë hap si “një tjetër lëvizje në drejtimin e gabuar”.

Arabia Saudite, Turqia dhe vende të tjera me shumicë myslimane e kritikuan gjithashtu këtë vendim në një deklaratë të përbashkët, duke paralajmëruar se masa të tilla do ta bënin të pamundur zgjidhjen me dy shtete, e cila parashikon krijimin e një shteti palestinez përkrah Izraelit.

Qeveria e djathtë izraelite e kundërshton kornizën e dy shteteve, duke argumentuar se një shtet palestinez do të përbënte kërcënim për ekzistencën e Izraelit.

Kritika erdhën edhe nga Autoriteti Palestinez, i cili administron pjesë të Bregut Perëndimor.

Sipas mediave izraelite, masat përfshijnë shfuqizimin e rregulloreve të mëparshme që u ndalonin kolonëve izraelitë të blinin tokë, si dhe hapjen për herë të parë të regjistrave të pronësisë së tokës në Bregun Perëndimor për publikun.

Portali izraelit i lajmeve, ynet, raportoi se kjo do t’u mundësonte blerësve të mundshëm të kontaktojnë drejtpërdrejt pronarët e tokave.

Po ashtu, autorizimet për projekte ndërtimi nga kolonët në Hebron do të miratohen në të ardhmen ekskluzivisht nga autoritetet izraelite.

Deri tani, ato kërkonin edhe miratimin e bashkisë së Hebronit, e cila është nën kontrollin e Autoritetit Palestinez.

Izraeli po zgjeron në mënyrë të vazhdueshme vendbanimet në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, territore të pushtuara në vitin 1967 dhe që palestinezët i pretendojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.

Aktualisht, më shumë se 700 mijë kolonë izraelitë jetojnë në këto zona, mes rreth tre milionë palestinezëve./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – BE dhe vendet arabe kundër zgjerimit izraelit në Bregun Perëndimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 February 2026Main stream

FOKUS – Një implant inovativ premton fundin e injektimeve të insulinës

8 February 2026 at 07:07

JERUZALEM, 8 shkurt /ATSH/ – Një ekip ndërkombëtar hulumtuesish, i udhëhequr nga inxhinieri izraelit Shady Farah dhe duke bashkëpunuar me universitete kryesore amerikane, ka prezantuar një pajisje revolucionare që një ditë mund të heqë nevojën për injeksione të përditshme të insulinës tek personat me diabet, sipas ynetglobal.

Studimi, i publikuar në revistën “Science Translational Medicine”, përshkruan një implant qelizor që funksionon si një “mushkëri artificiale” autonome.

Pajisja monitoron vazhdimisht nivelet e glukozës në gjak, prodhon insulinë brenda trupit dhe liron sasinë e saktë që trupi ka nevojë, pa pompa, injeksione ose ndërhyrje nga pacienti.

Një element kyç i zbulimit është teknologjia mbrojtëse e quajtur “mburoja kristaline”,  e dizajnuar për të parandaluar që sistemi imunitar i trupit të refuzojë implantin, një pengesë e madhe që ka vështirësuar terapitë qelizore për dekada.

Kjo mburojë lejon që implantet të funksionojnë besueshëm për vite të tëra.

Testimet tek minjtë treguan se implantet rregullojnë glukozën në mënyrë efektive dhe afatgjatë, ndërsa studimet tek primatët jonjerëzorë konfirmuan se qelizat brenda implantit mbeten të gjalla dhe funksionale.

Rezultatet ofrojnë mbështetje të fortë për testime klinike të ardhshme te njerëzit.

Ndërkohë që fokus fillestar është diabeti, ekipi thekson se platforma mund të adaptohet për të ofruar terapi të tjera biologjike në mënyrë të vazhdueshme, duke ofruar qasje të reja për trajtimin e sëmundjeve kronike si hemofilia dhe çrregullime të tjera metabolike ose gjenetike.

Nëse kjo teknologji praktikohet  me sukses në trajtim njerëzor, ekspertët thonë se ajo mund të transformojë menaxhimin e sëmundjeve kronike duke zëvendësuar regjimet e ilaçeve gjatë gjithë jetës me terapitë të vetërregulluara brenda trupit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Një implant inovativ premton fundin e injektimeve të insulinës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

UKRAINË – Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje të mëdha energjie

7 February 2026 at 13:19

KIEV, 7 shkurt /ATSH-DPA/ – Rusia ka nisur një sulm të ri masiv ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, duke goditur rrjetin elektrik, termocentralet dhe nënstacionet, tha sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Sulmi i natës së kaluar përfshinte më shumë se 400 dronë dhe rreth 40 raketa të llojeve të ndryshme”, shkroi Zelensky në X.

Dëme u raportuan në rajonet perëndimore të Ukrainës, Volyn, Ivano-Frankivsk, Lviv dhe Rivne.

“Çdo ditë, Rusia mund të zgjidhte diplomacinë e vërtetë, por ajo zgjedh sulme të reja”, tha presidenti, duke i bërë thirrje mbështetësve të procesit aktual të negociatave të ndërmjetësuara nga SHBA-ja që të reagojnë ndaj sulmeve të fundit.

Zelensky theksoi se Moskës duhet t’i mohohet mundësia për të ushtruar presion mbi Ukrainën përmes motit të ftohtë, dhe shtoi se Ukraina ka nevojë për raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore për të arritur këtë qëllim.

Në Poloni, vend fqinj, avionë luftarakë u ngritën në ajër përgjatë natës si përgjigje ndaj sulmeve.

Sipas komandës operative të ushtrisë së shtetit anëtar të NATO-s, u mobilizuan forca dhe resurset e nevojshme.

Sistemet tokësore të mbrojtjes ajrore dhe radarët u vunë në gatishmëri.

Aeroportet në Rzeszow dhe Lublin, në lindje të vendit, detyruan të ndërprisnin përkohësisht trafikun ajror.

Kompania shtetërore e energjisë, ”Ukrenergo”, njoftoi se në shumicën e rajoneve të Ukrainës janë vendosur ndërprerje emergjente për shkak të dëmeve.

Këtë dimër, më i ftohti për Ukrainën prej disa vitesh, Rusia po synon gjithnjë e më shumë sistemin energjetik të fqinjit të saj, i cili tashmë është dëmtuar pas pothuajse katër vjetësh lufte./   /Ad.Ab./ a.jor.

The post UKRAINË – Sulmet ruse shkaktojnë ndërprerje të mëdha energjie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KINEMA – Vdes ikona çeke e filmit Jana Brejchova

7 February 2026 at 12:41

PRAGË, 7 shkurt /ATSH-DPA/ – Aktorja çeke e filmit dhe televizionit, Jana Brejchova vdiq në moshën 86-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, raportuan sot mediat kombëtare, duke cituar vajzën e saj, aktoren Tereza Brodska.

Brejchova, e njohur edhe si ”Brigitte Bardot çeke” për bukurinë e saj, ishte një nga yjet më të mëdhenj të kinemasë çekosllovake dhe çeke.

Nga viti 1958 deri në 1962, ajo ishte e martuar me regjisorin dhe aktorin e ndjerë Milos Forman, i cili më pas u bë regjisori i Hollywood-it dhe fitues i Oskarit.

Motra e saj, Hana, e cila vdiq pak më pak se dy vite më parë, ishte gjithashtu një aktore e njohur.

Jana Brejchova u lind më 20 janar 1940 në Pragën e pushtuar nga nazistët.

Ajo mori rolin e saj të parë në film në moshën 13-vjeçare.

Suksesi i saj i madh erdhi më vonë me rolin e nxënëses Jana në filmin “Higher Principle”, që trajton terrorin e pushtimit gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të cilin mori një çmim në Festivalin e Filmit në Locarno.

Brejchova interpretoi gjithashtu në Gjermani, përfshirë në filmin antifashist “The House in Karp Lane” nga viti 1965.

Në vendin e saj, aktorja luajti rolin e një mbretëresheje në serialin e dashur të fëmijëve “Arabela”, i njohur gjithashtu si “Arabela Princesha” ose “Një përrallë e unazës magjike”.

Gjatë karrierës, Brejchova mori shumë çmime, përfshirë Medaljen e Merituar dhe Çmimin e Filmit “Luani Bohemian” për gjithë jetën e saj në art.

“Ajo ishte një aktore e shkëlqyer, një ikonë e kinemasë çekosllovake dhe një personalitet i fortë që tërhiqte gjenerata të tëra shikuesish me talentin dhe sharmën e saj”, shkroi kryeministri çek Andrej Babis në X./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post KINEMA – Vdes ikona çeke e filmit Jana Brejchova appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Trump: Bisedimet SHBA-Iran javën e ardhshme

7 February 2026 at 11:27

UASHINGTON, 7 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar se bisedimet mes përfaqësuesve të administratës së tij dhe Iranit do të vazhdojnë në fillim të javës së ardhshme.

Duke folur për gazetarët në bordin e ”Air Force One”, gjatë udhëtimit drejt rezidencës së tij Mar-a-Lago në Florida, Trump i cilësoi si shumë të mira takimet e zhvilluara dje me delegacionin iranian.

“Irani duket se dëshiron shumë të arrijë një marrëveshje”, tha ai.

Presidenti amerikan paralajmëroi sërish për pasoja nëse nuk arrihet një marrëveshje dhe theksoi se Irani nuk duhet të lejohet të zotërojë armë bërthamore.

Të ndërmjetësuara nga Omani, Shtetet e Bashkuara dhe Irani nisën dje një raund të ri negociatash.

“Ishte një fillim i mirë”, deklaroi më vonë për televizionin shtetëror iranian ministri i Jashtëm Abbas Araghchi, duke lënë të hapur nëse dhe kur do të vazhdojnë bisedimet.

Deri në komentet e presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara nuk kishin dhënë asnjë deklaratë zyrtare për rezultatin e takimit.

Presidenti amerikan ka kërcënuar gjithashtu me tarifa ndëshkuese ndaj partnerëve tregtarë të Iranit.

Sipas një urdhri ekzekutiv, SHBA-ja mund të vendosë tarifa mbi importet nga vendet që blejnë ose importojnë mallra apo shërbime nga Republika Islamike.

Trump nuk përmendi vende konkrete, por përmendi si shembull një normë tarife prej 25 për qind.

Kjo lëvizje ka rritur edhe një herë presionin ndaj Iranit.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran, duke përmendur represionin e ashpër ndaj protestuesve gjatë demonstratave masive të fundit, si edhe programin e diskutueshëm bërthamor të vendit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Trump: Bisedimet SHBA-Iran javën e ardhshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump kërcënon me tarifa partnerët tregtarë të Iranit

7 February 2026 at 09:33

UASHINGTON, 7 shkurt /ATSH-DPA/ –  Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar me vendosjen e tarifave ndëshkuese ndaj partnerëve tregtarë të Iranit, në mes të tensioneve me këtë vend.

Në një urdhër ekzekutiv të lëshuar dje, presidenti amerikan deklaroi se tarifa shtesë “mund të vendosen mbi mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë produkte të çdo vendi që drejtpërdrejt ose tërthorazi blen, importon ose siguron në çfarëdo mënyre mallra apo shërbime nga Irani”.

Presidenti Trump nuk përmendi vende konkrete, por përmendi si shembull një normë tarife prej 25 për qind.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, dekreti krijon një mekanizëm që i hap rrugë vendosjes së këtyre detyrimeve shtesë ndaj partnerëve tregtarë të Iranit.

Me kërcënimin për tarifa ndëshkuese, Trump po rrit presionin ndaj udhëheqjes iraniane.

“Presidenti po e mban Iranin përgjegjës për përpjekjet e tij për të zhvilluar kapacitete bërthamore, për mbështetjen e terrorizmit, zhvillimin e raketave balistike dhe destabilizimin rajonal që rrezikon sigurinë, aleatët dhe interesat amerikane”, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.

Trump ka kërcënuar vazhdimisht udhëheqjen në Teheran, duke përmendur represionin e ashpër ndaj protestuesve gjatë protestave masive të fundit, si edhe programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post SHBA – Trump kërcënon me tarifa partnerët tregtarë të Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Ushqimet ultra të përpunuara po krijojnë varësi si cigaret

7 February 2026 at 07:57

BOSTON, 7 shkurt /ATSH-ANSA/ – Ushqimet industriale ultra të përpunuara nuk janë thjesht ushqime, por produkte shumë të inxhinierizuara, të dizajnuara posaçërisht për të maksimizuar kënaqësinë biologjike dhe psikologjike dhe për të shkaktuar përdorim të zakonshëm.

Sipas ekspertëve, mënyra e marketingut e këtyre produkteve përdor strategji të veçanta për të rritur tërheqjen e tyre, për të shmangur rregulloret dhe për të formuar perceptimin e publikut.

Nga ky këndvështrim, këto ushqime kanë më shumë të përbashkët me cigaret sesa me ushqimin tradicional.

Ky është përfundimi i një analize të realizuar nga studiues të universiteteve të Michiganit, Dukes dhe Harvardit, e publikuar në revistën “Milbank Quarterly”.

Ekspertët theksojnë se lidhjet midis ushqimeve ultra të përpunuara dhe cigareve janë të shumta.

“Të dyja janë substanca të inxhinierizuara industrialisht që ofrojnë përvoja të fuqishme sensoriale”, shpjegojnë studiuesit, të cilët sugjerojnë që këto produkte duhet të studiohen “përmes lenteve të shkencës së varësisë”.

Një aspekt kyç është aftësia e këtyre produkteve për të stimuluar sistemet e kënaqësisë në tru.

“Si cigaret, ashtu edhe ushqimet ultra të përpunuara janë dizajnuar me saktësi për të dhënë dozën e duhur të substancave që japin kënaqësi; nikotina për cigaret dhe karbohidrate të rafinuara dhe yndyra për ushqimet”, shkruajnë studiuesit.

Ushqimet janë gjithashtu të dizajnuara për t’u tretur shpejt dhe për të çliruar substancat menjëherë, duke krijuar nevojën për të konsumuar përsëri.

Përvoja sensoriale është shpesh e karakterizuar nga shpërthime të forta shijesh që zhduken shpejt, si dhe pamja vizuale që synon maksimizimin e tërheqjes së produktit.

”Këto veçori bëjnë që konsumimi i këtyre produkteve të bëhet i detyruar dhe të ketë pasoja shumë të dëmshme për shëndetin”, përfundon ekipi i studiuesve, i cili fton institucionet publike të konsiderojnë ushqimet ultra të përpunuara “më pak si ushqim dhe më shumë si materiale konsumimi të optimizuara edonistikisht, të ngjashme me cigaret”./ /Ad.Ab./ a.jor.

 

 

 

 

 

The post FOKUS – Ushqimet ultra të përpunuara po krijojnë varësi si cigaret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Një në dy të rinj italianë i kërkon IA-së këshilla për probleme sentimentale, shëndeti dhe psikologjike

7 February 2026 at 07:27

ROMË, 7 shkurt /ATSH-ANSA/ – Siguria digjitale është kthyer në një nga temat më urgjente në mbarë botën, duke shtyrë gjithnjë e më shumë shtete të kufizojnë aksesin e hershëm të të miturve në rrjetet sociale.

Franca ka shpallur ndalimin për fëmijët nën 15 vjeç, Spanja po përgatit një masë të ngjashme për nën 16-vjeçarët, ndërsa Australia ka bërë hapin e parë me një ligj pionier që vendos detyrime të rrepta për gjigantët e teknologjisë si Facebook, Instagram, TikTok dhe YouTube.

Këto zhvillime përkojnë  me publikimin e edicionit 2026 të observatorit ”Indifesa”, realizuar nga ”Terre des Hommes” në bashkëpunim me komunitetin ”Scomodo”, i cili synon të dëgjojë zërin e të rinjve mbi dhunën, bullizmin dhe sigurinë në internet.

Raporti, i publikuar me rastin e Ditës Kundër Bullizmit dhe Kiberbullizmit dhe ”Safer Internet Day” (10 shkurt), ka mbledhur opinionet e mbi 2 000 të rinjve italianë nën moshën 26 vjeç.

Sipas të dhënave, 1 në 2 të rinj deklaron se ka përjetuar të paktën një akt dhune gjatë jetës së tij, ndërsa interneti perceptohet si vendi më i rrezikshëm.

Vajzat raportojnë përjetim më të lartë dhune krahasuar me djemtë (57% kundrejt 42%), ndërsa përqindja më e lartë regjistrohet tek personat jo binarë (67%).

Vajzat identifikojnë si kontekste të rrezikshme edhe hapësirat publike të pakontrolluara dhe marrëdhëniet intime e familjare, ndërsa për djemtë peshojnë më shumë shkolla dhe rrethi shoqëror.

Rreziqet në internet janë të njohura për adoleshentët: rreth 80% e tyre janë kontaktuar nga të panjohur.

Sipas 59% të të rinjve, kërcënimi kryesor është ”revenge porn”, pra shpërndarja pa pëlqim e imazheve intime.

Edhe pse 79% e konsiderojnë të rrezikshme ndarjen e materialeve intime dhe janë të informuar për të drejtën e denoncimit dhe heqjes së përmbajtjes, ka më pak ndërgjegjësim për manipulimin e imazheve nga palë të treta, një praktikë që shpesh është e vështirë të identifikohet.

Një tjetër përvojë e përbashkët është kontakti nga persona të panjohur, që shkakton emocione negative ose të përziera.

Vajzat raportojnë më shumë bezdi, pasiguri dhe frikë, ndërsa tek djemtë shfaqet në masë më të madhe kureshtja.

Për djemtë, veçanërisht më të rinjtë, rreziku kryesor në internet mbetet kiberbullizmi , i deklaruar nga 45% e tyre .

Kur përballen me bullizëm apo kiberbullizëm, të rinjtë priren ta ndajnë përvojën fillimisht me miqtë dhe më pas me prindërit, sidomos në moshat më të vogla.

Një kapitull i veçantë i raportit i kushtohet inteligjencës artificial gjysma e të rinjve pranon se i është drejtuar të paktën një herë një chatboti për këshilla, kryesisht për probleme sentimentale (24%), shëndetësore (22%) ose për mbështetje psikologjike (21%).

Raporti ndalet edhe tek bisedat në grupe ku komentohet pamja fizike e të tjerëve: rreth një e treta e të rinjve thotë se ka qenë dëshmitare e këtyre praktikave.

Reagimet variojnë nga diskutimi me persona të besuar (40%), te heshtja apo largimi nga biseda, deri te raportimi i përmbajtjeve.

Vajzat priren më shumë drejt ndërhyrjes aktive, ndërsa djemtë drejt normalizimit ose shpërfilljes.

Së fundi, shumica e të rinjve e konsideron të papranueshëm kontrollin e telefonit, edhe pse 69% ndajnë fjalëkalimet me të tjerët për arsye sigurie.

Sipas ”Terre des Hommes” dhe ”Scomodo”, të rinjtë janë të vetëdijshëm për rreziqet, por kanë nevojë për mjete konkrete mbrojtjeje.

Institucionet dhe shoqëria, theksojnë autorët e studimit, duhet të veprojnë në mënyrë aktive për t’i pajisur me informacion dhe mbështetje, duke marrë parasysh edhe dimensionin gjinor që i bën vajzat veçanërisht të ekspozuara ndaj dhunës online./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Një në dy të rinj italianë i kërkon IA-së këshilla për probleme sentimentale, shëndeti dhe psikologjike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kremlini: Bisedimet e fundit për paqen ruso-ukrainase ishin konstruktive

6 February 2026 at 15:31

BERLIN, 6 shkurt /ATSH-DPA/ – Moska ka dhënë një vlerësim pozitiv për bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara dhe të zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Janë kryer dy ditë pune konstruktive dhe njëkohësisht shumë komplekse”, tha sot  zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve, duke shtuar se puna do të vazhdojë.

Delegacione nga Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara u takuan të mërkurën dhe të enjten në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dabi, në një raund të ri bisedimesh që synojnë t’i japin fund luftës gati katërvjeçare të Rusisë në Ukrainë.

Edhe pse nuk u prezantuan rezultate konkrete, paralelisht me negociatat u realizua një shkëmbim i më shumë se 300 robërve lufte.

Ndërkohë, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu sot skepticizëm lidhur me mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta mes udhëheqësve evropianë dhe presidentit rus Vladimir Putin për përfundimin e luftës.

Gjatë vizitës së tij në Abu Dabi, Merz kujtoi një vizitë të kryeministrit hungarez Viktor Orban në Moskë, e cila, sipas tij, u pasua vetëm disa ditë më vonë nga “bombardime të rënda, përfshirë një spital fëmijësh në Kiev”.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shprehur së fundmi mbështetje për bisedime të drejtpërdrejta mes evropianëve dhe Putinit.

Këshilltari i tij për politikën e jashtme, Emmanuel Bonne, udhëtoi këtë javë drejt Moskës../ /Ad.Ab./ a.jor.

The post FOKUS – Kremlini: Bisedimet e fundit për paqen ruso-ukrainase ishin konstruktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MILANO 2026 – Papa Leone XIV thirrje për armëpushim olimpik

6 February 2026 at 15:02

VATIKAN, 6 shkurt /ATSH-ANSA/ – Papa Leone XIV bëri thirrje për një armëpushim olimpik gjatë Lojërave Dimërore në Milano dhe Cortina duke e përshkruar atë si simbol shprese dhe pajtimi ndërkombëtar.

”Nxis fuqishëm të gjitha kombet, në rastin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike Dimërore, të rikthejnë dhe respektojnë këtë mjet shprese që është Armëpushimi Olimpik, simbol dhe profeci e një bote të pajtuar”, shkruan papa Leone XIV në një letër të publikuar sot me rastin e Lojërave Olimpike Dimërore, që zhvillohen në Milano dhe Cortin nga sot deri më 22 shkurt, dhe Lojërave Paralimpike, që do të zhvillohen gjithashtu nga 6 deri më 15 mars.

”Gjatë Lojërave Olimpike të kaluara, paraardhësit e mi theksuan se sporti mund të luajë një rol të rëndësishëm për të mirën e njerëzimit, veçanërisht për promovimin e paqes”, kujton ai.

”Në këtë kuadër qëndron Armëpushimi Olimpik, i cili në Greqinë e Lashtë ishte një marrëveshje për të pezulluar armiqësitë para, gjatë dhe pas Lojërave Olimpike, në mënyrë që sportistët dhe spektatorët të mund të lëviznin lirshëm dhe garat të zhvilloheshin pa ndërprerje”, shton papa.

Në letrën e tij, papa Leone XIV thekson se ”praktika sportive mund të ketë një natyrë profesionale, me specializim shumë të lartë: në këtë formë ajo korrespondon me një thirrje të pakicës, duke ngjallur admirim dhe entuziazëm në zemrat e shumë të tjerëve, që ndihen të emocionuar nga fitoret ose humbjet e atletëve. Por, ushtrimi i sportit është një aktivitet i përbashkët, i hapur për të gjithë dhe i dobishëm për trupin dhe shpirtin, saqë përbën një shprehje universale të të qenit njeri”.

Duke nisur nga ”interesi i kishës për sportin dhe mënyra se si një i krishterë i qaset atij”, papa vë në dukje se ”njeriu duhet të mbetet gjithmonë në qendër të sportit”./  /Ad.Ab./

The post MILANO 2026 – Papa Leone XIV thirrje për armëpushim olimpik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Kanadaja dhe Franca hapin konsullata në Groenlandë

6 February 2026 at 13:37

NUUK (Groenlandë), 6 shkurt /ATSH/ – Kanadaja dhe Franca planifikojnë të hapin sot konsullata diplomatike në kryeqytetin Nuuk, duke treguar mbështetje për aleatin e NATO-s, Danimarkën, dhe ishullin arktik, pas përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të siguruar kontroll mbi territorin gjysëm të pavarur danez, sipas AP.

Ministrja e Jashtme kanadeze, Anita Anand, po udhëton drejt Nuuk për të inauguruar konsullatën, e cila sipas zyrtarëve mund të ndihmojë gjithashtu në bashkëpunimin mbi çështje si ndryshimet klimatike dhe të drejtat e inuitëve.

Ajo do të shoqërohet nga guvernatorja kanadeze indigjene, Mary Simon.

Franca, për herë të parë, do të vendosë një konsullatë të përgjithshme në Groenlandë, me Jean-Noël Poirier në krye.

Ai do të ketë detyrën të thellojë projektet ekzistuese të bashkëpunimit në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar gjithashtu lidhjet politike me autoritetet lokale.

Kanadaja kishte premtuar hapjen e një konsullate në 2024, para diskutimeve të Trump për një marrëveshje të mundshme të marrjes së Groenlandës.

Inaugurimi u shty nga moti i keq.

Vendimi francez u mor pas vizitës së presidentit Emmanuel Macron në Groenlandë në qershor.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kërcënuar me tarifa ndaj Danimarkës dhe shteteve të tjera evropiane që kundërshtonin përpjekjet e tyre, por më pas e tërhoqën këtë kërcënim pas një marrëveshjeje të paqartë për qasje në mineralet e pasura të ishullit.

Negociatat teknike midis SHBA-së, Danimarkës dhe Greenlandit po vazhdojnë për një marrëveshje sigurie në Arktik, ndërsa grupet e punës po krijohen për këtë qëllim./  /Ad.Ab./ a.jor.

 

The post FOKUS – Kanadaja dhe Franca hapin konsullata në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEDIA – Jeff Bezos shkarkon një të tretën e stafit të ”Washington Post”

6 February 2026 at 10:59

UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH/ – Gazeta e njohur amerikane ”Washington Post” njoftoi  punonjësit se po ecën përpara me një valë të gjerë shkarkimesh, pjesë e asaj që drejtuesit e përshkruajnë si një rivendosje strategjike të gjerë të gazetës, sipas ”The Independent”.

Masat përfshijnë mbylljen e redaksisë së sportit, shkurtime të thella në mbulimin ndërkombëtar, çmontimin e seksionit të recensioneve të librave dhe ristrukturimin e ekipit të lajmeve lokale.

Edhe pse fillimisht nuk u bë e ditur shifra e saktë e të prekurve, më herët ishte raportuar se rreth 100 gazetarë nga redaksia dhe deri në 300 punonjës në total nga kompania mund të humbnin vendet e punës.

Megjithatë, pas emaileve të dërguara pritet që rreth një e treta e stafit, afërsisht 300 nga rreth 800 gazetarë të redaksisë,  të shkarkohen.

Disa punonjës e përshkruan situatën si një gjakderdhje.

”I përket ndër ditëve më të errëta në historinë e një prej organizatave më të mëdha të lajmeve në botë”, deklaroi ish-redaktori ekzekutiv i ”Washington Post”, Marty Baron.

”Ambiciet e ‘Washington Post’ do të zvogëlohen ndjeshëm, stafi i tij i talentuar dhe i guximshëm do të tkurret edhe më tej, dhe publikut do t’i mohohet raportimi në terren, i bazuar në fakte, në komunitetet tona dhe në mbarë botën, raportim që është më i nevojshëm se kurrë”, shtoi ai.

Njoftimi, i bërë nga redaktori ekzekutiv Matt Murray, erdhi pas një apeli kolektiv të redaksisë, i cili i kërkoi publikisht pronarit miliarder të gazetës, Jeff Bezos, të tërhiqej nga planet për zvogëlim.

Fushata ”SaveThe Post” duket se nuk pati efekt.

Gjatë një telefonate me stafin, Murray theksoi se po eliminohet redaksia e sportit, për vite me radhë pjesë thelbësore e gazettes, megjithëse disa anëtarë do të mbeten në një seksion të ri që do të mbulojë kulturën e sportit.

Ai njoftoi gjithashtu tkurrjen e zyrave të huaja, ndryshime rrënjësore në mbulimin lokal dhe pezullimin e podkastit kryesor ”Post Reports”.

Edhe seksioni i recensave të librave është shpërbërë pothuajse tërësisht.

”Nuk mund të jemi gjithçka për të gjithë”, shkroi Murray në mesazhin e tij.

”Por duhet të jemi të pazëvendësueshëm aty ku konkurrojmë. Kjo do të thotë të pyesim vazhdimisht pse një histori ka rëndësi, kë i shërben dhe si u jep njerëzve një kuptim më të qartë të botës dhe një avantazh për ta naviguar atë”, theksoi ai./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post MEDIA – Jeff Bezos shkarkon një të tretën e stafit të ”Washington Post” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PEKIN – Kina mbështet Iranin dhe kundërshton çdo kërcënim ndaj tij

6 February 2026 at 09:57

PEKIN, 6 shkurt /ATSH-AFP/ – Kina ka deklaruar se mbështet Iranin në mbrojtjen e interesave të tij dhe përballë çdo forme kërcënimi, sipas një komunikate të publikuar sot nga diplomacia kineze, pak përpara bisedimeve të rëndësishme mes Teheranit dhe Uashingtonit.

”Pekini mbështet Iranin në mbrojtjen e sovranitetit, sigurisë dhe dinjitetit kombëtar si edhe të të drejtave dhe interesave të tij legjitime”, deklaroi zëvendësministri kinez i Punëve të Jashtme, Miao Deyu, gjatë një takimi në kryeqytetin kinez me homologun e tij iranian, Kazem Gharibabadi.

”Kina kundërshton çdo kërcënim të njëanshëm ose përdorim të forcës në marrëdhëniet ndërkombëtare”, theksoi Miao gjatë bisedës me përfaqësuesin iranian, i cili e informoi atë mbi situatën e brendshme në Iran dhe mbi zhvillimet që lidhen me programin bërthamor të Teheranit, thuhet në komunikatën kineze të bërë publike sot./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post PEKIN – Kina mbështet Iranin dhe kundërshton çdo kërcënim ndaj tij appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Një i zhdukur dhe reshje të dendura shkaktojnë probleme në disa rajone

6 February 2026 at 09:27

ATHINË, 6 shkurt /ATSH-ANA/ – Një burrë rezulton i zhdukur pasi tentoi të kalonte me makinë një rrugë të përmbytur pranë Komotinit, në Greqinë veriore, ndërsa reshjet e dendura në disa rajone të vendit shkaktuan probleme serioze në qarkullim dhe çuan në mbylljen e shkollave.

Sipas një dëshmitari, shoferi i zhdukur u përpoq të kalonte një kalim ujor në zonën Ifestos, afër Komotinit, ku që nga orët e para të së enjtes ka pasur reshje të forta.

Dyshohet se automjeti i tij u rrëmbye nga ujërat e rrëmbyeshme të lumit Vozvozis.

Operacionet e kërkim-shpëtimit u vështirësuan për shkak të nivelit të lartë të ujit, ndërsa në terren u angazhuan shërbimet emergjente, policia greke dhe zyrtarë të Mbrojtjes Civile për të lokalizuar makinën dhe drejtuesin e saj.

Ndërkohë, kryebashkiaku i Pyrgos, Stathis Kannis, në Peloponezin veriperëndimor, urdhëroi mbylljen e shkollave fillore dhe të mesme për sot, për shkak të kushteve të rrezikshme të motit dhe problemeve në infrastrukturën e qytetit dhe rrjetin rrugor. Një rrëshqitje dhe shembja e një ure mbi lumin Kladeos, në zonën Koskina të Olimpisë së Lashtë, dëmtuan tubacionin kryesor të ujësjellësit, duke lënë pa ujë Pyrgosin dhe Olimpin antik.

Kannis bëri të ditur gjithashtu se tre shkolla u evakuuan në një zonë të Pyrgosit me histori përmbytjesh, ndërsa shprehu shqetësim për rrezikun e daljes nga shtrati të lumit Alfios.

Në ishullin e Samothrakës, reshjet e vazhdueshme i kthyen përrenjtë në rrjedha të furishme, duke rrëmbyer degë, gurë dhe dhe.

Kryebashkiaku Thanassis Vitsas tha se ishulli është mësuar me pamje të tilla, pasi relievi i tij bën që të nevojiten reshje të gjata për të ndikuar seriozisht në qarkullim.

Duke bërë një bilanc të reshjeve, Observatori Kombëtar i Athinës njoftoi se sasitë më të dendura të shiut u regjistruan në disa zona të Peloponezit.

Sipas rrjetit të stacioneve automatike, reshjet më të mëdha u shënuan në Andritsena të prefekturës Ilia (114 milimetra), pasuar nga Stemnitsa në Arkadi (98,6 milimetra) dhe Mystras në Lakoni (88,6 milimetra).

Observatori theksoi se reshje pati pothuajse në të gjitha rajonet e Greqisë./  /Ad.Ab./ a.jor.

The post GREQI – Një i zhdukur dhe reshje të dendura shkaktojnë probleme në disa rajone appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌