Michail Kakiouzis nuk do të jetë më trajner i KB Prishtinës, duke ndarë rrugët mes tyre me një njoftim në rrjetet sociale.
Në njoftimin e klubit prishtinas bëhet e ditur se trajneri grek është larguar për “arsye familjare”.
“Klubi ynë shpreh falënderimet më të sinqerta për trajnerin Michail Kakiouzis për kontributin, profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtij sezoni, si dhe për bashkëpunimin korrekt dhe angazhimin e vazhdueshëm në punën me ekipin”.
“Për arsye familjare, nga dita e sotme, trajneri Michail Kakiouzis nuk do të jetë më pjesë e klubit tonë. I urojmë shumë shëndet, suksese dhe çdo të mirë në vazhdim të karrierës dhe jetës personale”, shkruan në njoftimin e KB Prishtinës.
Nën drejtimin e tij, Prishtina, nuk pati rezultate të kënaqshme.Prishtina është në vendin e gjashtë me 26 pikë. Nga 18 ndeshje ka tetë fitore e dhjetë humbje. /Telegrafi/
Ylli i ri i futbollit, Lamine Yamal, dëshiron të tërhiqet plotësisht nga mediat sociale për një farë kohe, për t'u përqendruar ekskluzivisht në detyrat e futbollit.
Pas një fillimi të bujshëm të karrierës së tij, Yamal ra në një krizë të vogël dhe më pas mori këshilla nga një ekspert - së pari të zvogëlonte përdorimin dhe aktivitetin në rrjetet sociale, dhe më pas, nëse është e nevojshme, ta pezullonte atë për një kohë.
Kjo dha rezultat. Spanjolli me prejardhje afrikane kohët e fundit ka reduktuar aktivitetet në mediat sociale dhe aktivitetet komerciale, ndërkohë që ka treguar një formë fenomenale.
Anësori i ri i Barcelonës ka arritur të paktën një efekt ofensiv (gol ose asist) në gjashtë ndeshjet e fundit, duke regjistruar pesë gola dhe dy asistime.
Sipas El Chiringuito, ai tashmë e ka reduktuar në mënyrë drastike aktivitetin e tij online dhe planifikon ta pezullojë atë për një kohë. Sigurisht, jo përgjithmonë, por e gjitha kjo për t'u përqendruar te performancat e tij për Barcelonën.
Këtë sezon, Yamal ka 14 gola dhe 13 asiste në të gjitha garat për klubin katalanas. /Telegrafi/
Karim Benzema ka pasur një debutim spektakolar me fanellën e Al Hilal, duke realizuar një het-trik në ndeshjen e tij të parë me skuadrën saudite.
Sulmuesi francez shënoi në minutat 31’, 60’ dhe 64’, duke i dhënë Al Hilalit epërsinë e qartë 3-0 në këtë takim.
Ai luajti 73 minuta për tu larguar pastaj nga fusha nga trajneri Simone Inzaghi.
Benzema iu bashkua Al Hilalit vetëm 72 orë më parë, pas largimit nga Al Ittihad – një transferim që shkaktoi reagime të shumta dhe debat të madh në Arabinë Saudite.
Fituesi i Topit të Artë 2023 ishte protagonist edhe sezonin e kaluar, duke ndihmuar Al Ittihadin të fitonte titullin e kampionit, përpara se të bënte kalimin e bujshëm te rivali i madh, Al Hilal.
Kalimi i Benzemas në Al Hilal, vetëm se përforcon pozitat e klubit lider në renditje. /Telegrafi/
Të ardhurat e sportistëve profesionalë vazhduan të rriten në vitin 2025, me shuma marramendëse që reflektojnë jo vetëm performancën në sport, por edhe fuqinë e sponsorizimeve.
Megjithatë, ka dallime të mëdha midis sporteve, ku futbolli, boksit dhe basketbolli dominojnë listën.
Më poshtë i gjeni tetë sportistë që u paguan secili më së shtumti në sportin e tij.
8. Carlos Alcaraz (Tenis) – 48.97 milionë euro
Tenisti spanjoll fitoi 48.97 milionë euro, prej të cilave 18.47 milionë nga çmimet sportive dhe 30.5 milionë nga sponsorizimet.
7. Patrick Mahomes (Futboll Amerikan) – 68 milionë euro
Ylli i Kansas City Chiefs arkëtoi 68 milionë euro, me 42.5 milionë nga paga dhe 25.5 milionë nga reklamat.
6. Lewis Hamilton (Formula 1) – 84.67 milionë euro
Piloti britanik fitoi 84.67 milionë euro, përfshirë 59.27 milionë nga kontrata me Ferrarin dhe 25.4 milionë nga sponsorizimet.
5. Jon Rahm (Golf) – 85.26 milionë euro
Golfisti spanjoll arkëtoi 71.72 milionë nga turnetë dhe 13.55 milionë nga marrëveshjet e sponsorizimit.
4. LeBron James (Basketboll) – 108.97 milionë euro
Legjenda e LA Lakers fitoi 41 milionë nga kontrata dhe 67.74 milionë nga sponsorizimet.
3. Juan Soto (Bejsboll) – 109.4 milionë euro
Lojtari dominikan i New York Mets fitoi 103.47 milionë nga kontrata dhe 5.93 milionë nga sponsorizimet.
2. Canelo Alvarez (Boks) – 116 milionë euro
Boksieri meksikan fitoi 105.85 milionë nga dy ndeshjet e tij dhe 10.15 milionë nga sponsorizimet.
1. Cristiano Ronaldo (Futboll) – 220 milionë euro
Sulmuesi portugez u shpall sportisti më i paguar në botë me 220 milionë euro, 170 milionë nga kontrata me Al Nassr dhe 50 milionë nga reklamat.
Trajnerit të Manchester Cityt, Pep Guardiola, i është thënë nga udhëheqësit hebrenj të "përqendrohet në futboll" pasi ai ka bërë komente të përsëritura rreth konflikteve ndërkombëtare.
Këshilli Përfaqësues Hebraik i Manchesterit dhe Rajonit tha se Guardiola i kishte "zhgënjyer" dhe i kërkuan atij të "zgjidhte fjalët e tij më me kujdes" në një kohë të rritjes së antisemitizmit, raporton BBC Sport .
Këshilli lëshoi një deklaratë pasi Guardiola tha se donte të përdorte pozicionin e tij për të folur hapur, duke përmendur "dhimbjen" që ndjente për viktimat e konflikteve globale.
Ai gjithashtu mbajti një fjalim në mbështetje të fëmijëve palestinezë në një aktivitet bamirësie në qytetin e tij të lindjes, Barcelonë, javën e kaluar. Manchester City nuk pranoi të komentonte mbi situatën.
“Ne u kemi kërkuar vazhdimisht individëve të shquar të jenë të kujdesshëm me fjalët që përdorin, duke pasur parasysh se si hebrenjtë kanë qenë të detyruar të durojnë sulme në të gjithë botën”.
"Pep Guardiola është një trajner futbolli. Ndërsa reflektimet e tij humanitare mund të jenë me qëllime të mira, ai duhet të përqendrohet në futboll".
"Ai e ka zhgënjyer Manchester Cityn me ndërhyrjet e tij të përsëritura në çështjet ndërkombëtare", thuhet në një deklaratë të postuar në rrjetin social X.
Deklarata përmend gjithashtu sulmin në Sinagogën e Parkut Heaton tetorin e kaluar, në të cilin u vranë dy persona.
"Kjo është veçanërisht irrituese duke pasur parasysh se ai nuk e ka përdorur fare popullaritetin e tij për të shprehur solidaritet me komunitetin hebre që pësoi një sulm terrorist vetëm pak kilometra larg stadiumit Etihad, ose me komunitetin në Barcelonë që po rikuperohet nga dhuna antisemite pranë vendit ku ai dikur bëri, sipas mendimit tonë, vërejtje provokuese".
"Ne i kërkojmë zotit Guardiola që t'i zgjedhë fjalët e tij me më shumë kujdes në të ardhmen, duke pasur parasysh rrezikun e konsiderueshëm me të cilin përballet komuniteti ynë", përfundon deklarata.
Guardiola: Gjithmonë do ta ngre zërin tim
Guardiola foli në një konferencë për shtyp të martën për "mijëra njerëz të pafajshëm" të vrarë dhe të plagosur në të gjithë botën, duke përmendur Palestinën, Ukrainën, Sudanin dhe të shtënat e fundit nga agjentët e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE).
"Nëse do të ishte pala tjetër, do të ndieja të njëjtën dhimbje. T'i dëshirosh dëm një vendi? Kjo më dhemb. Të vrasësh mijëra e mijëra njerëz të pafajshëm, kjo më dhemb. Gjëja është e thjeshtë. Kaq është. Kur ke një ide dhe për ta mbrojtur atë duhet të vrasësh mijëra e mijëra njerëz - më vjen keq, do ta ngre zërin. Do të jem gjithmonë në atë anë. Gjithmonë", tha trajneri spanjoll. /Telegrafi/
Interi ka arritur të sigurojë një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë pas një fitoreje të vështirë 2-1 në çerekfinale kundër Torinos.
Ndeshja, e zhvilluar në “Brainteo” të Monzas, ishte e mbushur me emocione dhe momente kyçe që vendosën fatin e skuadrës së Cristian Chivut.
Interi e nisi furishëm dhe gjeti avantazhin në minutën e 35-të, kur Ange-Yoan Bonny realizoi me kokë pas një krosimi të saktë brenda zonës, duke çuar Interin në epërsi 1-0.
Në pjesën e dytë, Interi shtoi presionin dhe në minutën e 48-të, Andy Diouf shënoi golin e dytë me një finalizim të shkëlqyer në qendër të portës pas një pasimi të mirë brenda zonës.
Torino reagoi dhe në minutën e 57-të Sandro Kulenovic shënoi me kokë për 2-1, duke rikthyer dramatizmin në ndeshje.
Pavarësisht përpjekjeve të Torinos për të barazuar, Interi arriti të ruajë avantazhin deri në fund dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinale.
Me këtë fitore, Interi konfirmon ambiciet e tij për të luftuar për trofeun e Kupës së Italisë dhe tregon forcën e skuadrës edhe pa disa nga yjet e saj kryesorë që ishin të lodhur nga ritmi i ngjeshur i sezonit. /Telegrafi/
Amir Rrahmani pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës, kur Napoli do të luajë në udhëtim te Genoa në kuadër të xhiros së 24-t të Serie A.
Në Itali, mediat kanë theksuar vazhdimisht rëndësinë e kapitenit të Kosovës për ekipin e udhëhequr nga trajneri Antonio Conte.
Të mërkurën, mediumi i afërt me klubin napolitan, “calcionapoli24”, publikoi statistika interesante për performancën e Napolit me dhe pa Rrahmanin në fushë.
Napoli duket si dy ekipe të ndryshme: me Rrahmanin dhe pa të. Ai mungoi në katër ndeshjet e fundit, ku skuadra regjistroi një barazim me Copenhagenin, një fitore ndaj Fiorentinës dhe humbje nga Juventusi dhe Chelsea, duke pranuar gjithsej tetë gola, shkruan ky medium.
Në total, pa Rrahmanin Napoli ka pësuar 26 gola në 15 ndeshje dhe ka regjistruar gjashtë humbje. Me Amirin në fushë, ekipi ka pranuar vetëm 11 gola në 19 ndeshje, shkruan “calcionapoli24”.
Rrahmani, dy herë kampion i Italisë me Napolin, ka pësuar këtë sezon lëndime muskulore që e kanë mbajtur larg fushës. Një lëndim i ngjashëm kishte ndodhur edhe në shtator, gjatë ndeshjes së Kosovës ndaj Zvicrës.
Pritet që kualiteti i tij dhe prezenca në mbrojtje të ndihmojnë Napolin të rifitojë stabilitetin dhe rezultatet pozitive në Serie A. /Telegrafi/
Mesfushori francez me famë botërore, N'Golo Kante, i transferuar nga Al Ittihad, ka mbërritur në Stamboll për t’u bashkuar me Fenerbahçen.
Lojtari, një nga nënshkrimet më të rëndësishme të klubit verdhë-blu gjatë afatit të dimrit, zbarkoi në aeropirtin ‘Sabiha Gokçen” me një aeroplan privat nga Arabia Saudite. Ai u shoqërua nga anëtarët e Bordit të Fenerbahçes.
Mijëra tifozë të Fenerbahçes prisnin në dalje të terminalit për të përshëndetur yllin francez me flakadan dhe brohoritje.
Kante, i cili ka fituar tituj të nivelit të lartë në karrierë, përfshirë Kupën e Botës, Ligën e Kampionëve dhe tituj në Ligën Premier, pritet të nisë stërvitjen me ekipin pas kryerjes së kontrolleve mjekësore. /Telegrafi/
Lojtarët e Barcelonës u kualifikuan për në gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit, duke fituar 2-1 ndaj Albacetes të martën në mbrëmje.
Katalanasit e menaxhuan ndeshjen në një mënyrë relativisht rutinore, por një detaj i pazakontë tërhoqi vëmendjen e spektatorëve.
Portieri i Barcelonës, Joan Garcia, kapi topin, por më pas, duke e mbajtur në duar, shkoi drejt vijës së fundit për të kontrolluar shokun e skuadrës, Ronald Araujo, i cili ishte shtrirë.
Për fat të mirë të Barcelonës, nga ajo goditje nga këndi nuk solli asgjë, kështu që gabimi nuk pati pasoja serioze për rezultatin. Megjithatë, situata shkaktoi habi në tribuna dhe u komentua gjerësisht edhe në rrjetet sociale.
Pas ndeshjes, portieri foli edhe për rikthimin e Araújos në ekip: “Jemi të gjithë shumë të lumtur për Araújon. Që kur është rikthyer, ai ka luajtur shumë mirë dhe ka treguar dëshirë dhe pasion të madh. Ne donim që ai të ishte përsëri standard në ndeshjet e mëdha, sepse kemi shumë nevojë për të. Jemi gjithashtu të lumtur që ai shënoi një gol – e dimë sa shumë do të thotë për të”, deklaroi Garcia.
Barcelona do të mësojë emrin e kundërshtarit të saj në gjysmëfinale pas shortit, ndërsa vazhdon luftën për një trofe të ri në garën vendase. /Telegrafi/
Sulmuesi brazilian Endrick ka bërë një hap të guximshëm dhe shumë të zgjuar në karrierën e tij, duke u larguar në huazim nga Real Madridi te Olympique Lyon.
Në Francë, 19-vjeçari po tregon gjithë potencialin që nuk arriti ta shfaqte në Madrid, duke realizuar katër gola në katër paraqitje.
Periudha e tij te Real Madridi ishte e vështirë. Edhe pse Carlo Ancelotti i kishte premtuar minuta dhe gradualisht po e inkuadronte në skuadër, situata ndryshoi me ardhjen e Xabi Alonsos, nën drejtimin e të cilit Endrick pothuajse u zhduk nga fusha.
Shansin e tij e mori vetëm në fund të vitit, në një moment kur Alonso po luftonte për të ruajtur postin, por braziliani vendosi se karriera e tij kishte nevojë për një drejtim tjetër dhe më shumë minuta loje.
Huazimi te Lyon, po del të jetë i qëlluar
Huazimi te Lyon deri në fund të sezonit po rezulton vendim i qëlluar. Endrick është shfaqur i vendosur, i uritur për gola dhe katër realizimet në katër ndeshje flasin qartë për talentin dhe instinktin e tij si sulmues.
Përkundër faktit se prej kohësh është milioner, Endrick mbetet besnik ndaj parimeve të futbollit dhe disiplinës profesionale. Mediat braziliane raportojnë se ai bën një jetë shumë të qetë në Francë, plotësisht të fokusuar në futboll.
“Ai ka një përqendrim të jashtëzakonshëm. Jeton rreth 20 minuta larg qendrës stërvitore të Lyonit, ka një kuzhinier personal dhe e kalon kohën e lirë vetëm me gruan dhe qentë e tij”, shkruajnë mediat braziliane.
Sipas tyre, Endrick del nga shtëpia vetëm për angazhimet e klubit dhe është rrallë ta shohësh në publik, çka tregon përkushtimin maksimal ndaj karrierës.
Hapi i radhës
Lyon është i kënaqur me paraqitjet e tij dhe tashmë po përflitet mundësia e qëndrimit edhe sezonin e ardhshëm, por aktualisht plani mbetet rikthimi i tij te Real Madridi gjatë verës.
E ardhmja e Endrick në “Santiago Bernabeu” do të varet shumë edhe nga trajneri i ri i madrilenëve. Pas përvojës jo të mirë me Ancelottin dhe sidomos me Xabi Alonson, braziliani nuk pritet të marrë vendime të nxituara.
Real Madridi i pagoi Palmeiras rreth 50 milionë euro për shërbimet e tij dhe pavarësisht vështirësive fillestare, Endrick mbetet një nga talentet më të mëdha të brezit të ri – qoftë për Madridin, qoftë për një karrierë madhështore diku tjetër. /Telegrafi/
Sipas Sky Sports, zyrtarë të lartë të Ligës Profesionale Saudite presin që Cristiano Ronaldo t’i japë fund “grevës” dhe të rikthehet në aksion këtë javë.
Ronaldo mungoi në fitoren 1-0 të Al Nassr ndaj Al Riyadh, por tani pritet të luajë të premten kundër Al Ittihadit, pasi besohet se ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me situatën e krijuar.
Portugezi, i cili të enjten mbush 41 vjeç, nuk ishte parë pranë qendrës stërvitore të Al Nassr, ndërsa disa raportime pretendonin se ai ishte kthyer në Portugali përpara ditëlindjes.
Megjithatë, këto raportime nuk rezultuan të sakta, pasi Ronaldo është rikthyer sot në stërvitje, gjë që e ka konfirmuar vetë përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale, ku ka vendosur dy zemra me ngjyrat e klubit.
Sipas mediave, Ronaldo ishte i pakënaqur me investitorët kryesorë të futbollit në Arabinë Saudite, pasi rivali kryesor, Al Hilal, arriti ta transferojë Karim Benzeman nga Al Ittihad, një lëvizje që, sipas tij, prish balancat e kampionatit.
Cristiano Ronaldo mbetet ndër golashënuesit më të mirë të Ligës Profesionale Saudite, me 17 gola në 18 paraqitje, ndërsa synimi i tij i madh vazhdon të jetë arritja e shifrës historike prej 1000 golash në karrierë. /Telegrafi/
Meriton Korenica po vazhdon në pranverë nga aty ku e ka lënë, duke shënuar gola dhe duke i dhënë fitore skuadrës së tij, Cluj.
Në përballjen e sotme ndaj UTA Arad si mysafir, Cluj fitoi me rezultat 1-0, falë golit të Meriton Korenicës, i cili erdhi në pjesën e dytë, përkatësisht në minutën e 68-të.
Mesfushorit kosovar i erdhi një pasim i bukur në zonë dhe me një goditje të saktë i dha epërsinë Clujit, rezultat që doli të jetë edhe përfundimtar.
Korenica, sipas SofaScore, u vlerësua me notën 7.7, duke qenë lojtari më i mirë i ndeshjes.
Gjatë takimit, përveç golit, ai krijoi edhe dy raste të mëdha, kishte 95 për qind të pasimeve të sakta, ndërsa dërgoi edhe katër goditje drejt portës.
Cluj, me këtë fitore, ngjitet në vendin e shtatë me 38 pikë, ndërsa Korenica ka gjetur rrjetën në tri ndeshjet e fundit me fanellën e klubit rumun. /Telegrafi/
Lideri i Superligës së Kosovës, Ballkani, ka vazhduar me përfocime për stinoin pranveror, duke ofruar në skuadër sulmuesin Gambian, Ebrima Gaye.
Sulmuesi ka bërë karrierë në vendlindjen e tij dhe në Senegal, ndërsa pas Toni Domgjonit, bëhet përforcimi i dytë i tri herë kampionit në këtë afat kalimtar.
“Ebrima Gaye është përforcimi më i ri i Ballkanit, duke ardhur për të shtuar forcë dhe konkurrencë në repartin ofensiv të ekipit. Sulmuesi nga Gambia transferohet nga BST Galaxy, ku gjatë këtij sezoni është paraqitur në formë të mirë”.
“Gaye ka eksperiencë edhe në arenën ndërkombëtare, me paraqitje për përfaqësuesen e Gambisë, ndërsa gjatë karrierës së tij, ai ka luajtur edhe në Senegal”.
”Mirë se erdhe te Ballkani, të urojmë suksese Ebrima Gaye!”, thuhet në njoftimin e klubit.
Kreshnik Hajrizi dhe Benjamin Kololli realizuan nga një gol për Sionin, por skuadra e tyre u eliminua nga Kupa e Zvicrës, pasi u mposht 4-3 nga Grasshopperi pas vazhdimeve, në një ndeshje dramatike.
Sioni e nisi ndeshjen fuqishëm, duke kaluar në epërsi 2:0 falë golave të futbollistëve kosovarë. Hajrizi hapi rezultatin që në minutën e 7-të, ndërsa Kololli dyfishoi avantazhin në minutën e 72-të.
𝙆𝙤𝙡𝙤𝙡𝙡𝙞 😍
72’ - Les 𝗦𝗲́𝗱𝘂𝗻𝗼𝗶𝘀 font le break sur un contre rapide ! Deux buts d’avance au tableau d’affichage. 🆙#GCZSIO l 0-2
Megjithatë, Grasshopperi arriti të rikthehet dhe ta dërgojë ndeshjen në vazhdime, ku në fund siguroi fitoren 4:3 dhe kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Zvicrës.
Në minutën e 120-të, Hajrizi u ndëshkua me karton të kuq, duke e mbyllur ndeshjen me përjashtim për Sionin.
Te Sioni u aktivizua edhe Donat Rrudhani, i cili u inkuadrua në minutën e 73-të, por u zëvendësua në minutën e 90-të.
𝙃𝙖𝙟𝙧𝙞𝙯𝙞 🙌
7’ - 𝗦𝗶𝗼𝗻 ouvre le score au Letzigrund ! Kreshnik Hajrizi place le ballon au fond des filets d’une belle tête. 💫#GCZSIO l 0-1
Nga ana tjetër, për Grasshopperin luajti Samuel Krasniqi deri në minutën e 101-të, ndërsa Amir Abrashi u aktivizua nga minuta e 111-të. Ismajl Beka dhe portieri i Kosovës U21, Laurent Sheji, mbetën në bankën rezervë. /Telegrafi/
Vëllai i një krimineli famëkeq shqiptar është dënuar me burg pas përfshirjes në një tentativë të organizuar vjedhjeje me thyerje, e cila i shkaktoi “shqetësim të madh emocional” futbollistit profesionist Scott Hogan dhe bashkëshortes së tij shtatzënë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 në shtëpinë luksoze të Hoganit në Cheshire, ku sulmuesi u zgjua nga një dritë pishtari që depërtonte në dhomën e gjumit, pasi hajdutët ishin ngjitur deri në katin e parë të banesës.
Hogan, 33 vjeç, ish-lojtar i Aston Villas dhe Brentfordit, i cili ka zhvilluar 12 ndeshje me Kombëtaren e Irlandës, tentoi të ndiqte autorët, por ata arritën të largoheshin nga vendngjarja.
Policia arrestoi më vonë Denis Pukën (28 vjeç) dhe Erisjan Laskën (29 vjeç), të cilët pranuan se kishin planifikuar një seri bastisjesh ndaj pronave luksoze në zona të izoluara.
Hajdutët Denis Pukën (28 vjeç) dhe Erisjan Laskën (29 vjeç)
Denis Puka është vëllai i Dorian Pukës, një emër i njohur për autoritetet britanike, i cili ishte burgosur dhe deportuar dy herë më parë për vepra të ngjashme, përpara se të rikthehej ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.
Në deklaratën e tij para gjykatës, Scott Hogan tha se ngjarja i kishte shkaktuar “dëm të madh psikologjik” familjes së tij, duke e lënë të frikësuar për sigurinë e bashkëshortes dhe fëmijëve, sidomos gjatë kohës kur ai është larg shtëpisë për shkak të karrierës.
Ai shtoi se ishte detyruar të shpenzonte mijëra euro për një sistem të ri sigurie, duke e cilësuar situatën si “një makth për çdo prind” dhe tepër dekurajuese për dikë që ka punuar fort për të ndërtuar jetën e tij.
Scott Hogan
Gjykata e Kurorës në Chester u informua se banda kishte përdorur maska, mjete profesionale, radio komunikimi dhe makina me targa të klonuara, ndërsa kishte arritur të vidhte vetëm dy ora luksoze, një Rolex dhe një Omega.
Të dy të pandehurit pranuan fajësinë për komplot për të kryer shtatë vjedhje me thyerje brenda dy ditësh dhe u dënuan me nga katër vjet e tetë muaj burg, ndërsa gjyqtari Steven Everett i cilësoi veprimet e tyre si “të neveritshme dhe të përçmueshme”.
Scott Hogan dhe bashkëshortja e tij
Denis Puka do të përballet gjithashtu me procedura deportimi pas përfundimit të dënimit, ndërsa policia britanike theksoi se rasti dëshmon vendosmërinë e autoriteteve për të ndjekur dhe ndëshkuar krimin e organizuar, pavarësisht përpjekjeve për t’iu shmangur drejtësisë.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është përballur me kritika të forta nga zyrtarët ukrainas dhe drejtuesit e futbollit, pasi shprehu dëshirën e tij për të hequr ndalimin e Rusisë nga garat ndërkombëtare.
Në një intervistë të hënën, Infantino tha se FIFA “nuk duhet të ndalojë kurrë asnjë vend të luajë futboll për shkak të veprimeve të udhëheqësve të tyre politikë” dhe se pezullimi aktual “nuk ka arritur asgjë, thjesht ka krijuar më shumë frustrim dhe urrejtje”.
Ai shtoi se lejimi i djemve dhe vajzave ruse për të luajtur në Evropë "mund të ndihmojë" situatën.
Infantino deklaroi se Rusia duhet të kthehet të luajë futboll – ukrainasit e quajnë deklaratën “degjenerim total” dhe "të papërgjegjshëm” telegrafi.com
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, reagoi në mediat sociale, duke e quajtur Infantinon një “degjenerim moral” dhe duke vënë në dukje se “679 vajza dhe djem ukrainas nuk do të jenë kurrë në gjendje të luajnë futboll - Rusia i vrau”, ndërsa akuzoi presidentin e FIFA-s se po injoron luftën e vazhdueshme të Rusisë.
Ministrja e sportit e Ukrainës, Matvii Bidnyi, i përshkroi komentet e Infantinos si “të papërgjegjshme — për të mos thënë infantile”, duke theksuar vdekjen e atletëve të rinj ukrainas, siç është nxënësja e klasës së 10-të Illia Perezhogin, e vrarë nga një raketë ruse ndërsa luante futboll në Mariupol, dhe lojtarja e futsalit Viktoriia Kotliarova, e vrarë me nënën e saj gjatë bombardimeve në Kiev në dhjetor 2023.
Gianni Infantino’s words sound irresponsible — not to say infantile.
They detach football from the reality in which children are being killed.
Let me remind you that since the start of Russia’s full-scale aggression, more than 650 Ukrainian athletes and coaches have been… pic.twitter.com/OK31RjOU1v — MatviiBidnyi (@bidnyi_matvii) February 2, 2026
Shoqata Ukrainase e Futbollit i kërkoi FIFA-s të mos ndryshojë qëndrimin e saj ndërsa lufta vazhdon, duke deklaruar se pezullimi është një "metodë efektive presioni kundër agresorit".
Drejtori ekzekutiv i Shakhtar Donetsk, Sergei Palkin, e quajti propozimin një “shkëputje të plotë nga realiteti” pas katër vitesh lufte, duke vënë në pikëpyetje pse Infantino nuk e ka vizituar kurrë Ukrainën për të parë shkatërrimin nga afër.
Komentet vijnë në mes të përjashtimit të Rusisë që nga pushtimi i plotë i vitit 2022, një ndalim fillimisht i nxitur nga presioni i kombeve evropiane, përfshirë Poloninë, Suedinë dhe Anglinë, të cilat refuzuan të luanin kundër Rusisë në kualifikueset e Kupës së Botës. /Telegrafi/
Arsenal ka mposhtur Chelsean me rezultat 1-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të EFL Cup, të zhvilluar në një atmosferë të tensionuar dhe me shumë duele fizike. “Topçinjtë” ishin ata që festuan në fund, edhe falë fitores 3-2 nga ndeshja e parë, duke kaluar kështu në finale me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Takimi nisi me kujdes nga të dyja skuadrat, me Arsenalin që administroi avantazhin e krijuar në përballjen e parë, ndërsa Chelsea kërkoi hapësira për të rihapur kualifikimin.
Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutën e 18-të, kur Piero Hincapié provoi nga distanca, por portieri Robert Sánchez reagoi sigurt.
Pjesa e dytë solli më shumë intensitet dhe ndërhyrje të ashpra. Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes erdhi në minutën e 84-të, kur Gabriel Martinelli u rrëzua në zonë pas një kontakti me mbrojtjen e Chelseat.
Fillimisht gjyqtari nuk sinjalizoi penallti, ndërsa pas rishikimit me VAR, vendimi i tij u konfirmua, duke shkaktuar reagime në tribuna.
Të dy trajnerët tentuan të ndryshojnë rrjedhën e lojës me zëvendësime, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në kohën shtesë.
Ishte Kai Havertz që përfitoi nga një asistim i Declan Rice për të shënuar për 1-0 në minutën e gashtë të kohës shtesë.
Arsenal tani pret në finale fituesin e ndeshjes Newcastle - Man City, me qytetarët që janë më të avantazhuar fal fitore 2-0 në ndeshjen e parë. /Telegrafi/
Pep Guardiola ka shprehur një “trishtim dhe mërzitje” të përzier me ironi ndaj politikës financiare të klubit të tij, Manchester City, duke theksuar se skuadra e tij është vetëm e shtata në Ligën Premier për sa i përket investimeve neto gjatë pesë viteve të fundit.
Duke folur në një konferencë për shtyp para ndeshjes së kthimit në Carabao Cup kundër Newcastle, trajneri spanjoll u referua statistikave të fundit.
“Ndjehem pak i trishtuar dhe i mërzitur sepse në shpenzimet neto gjatë pesë viteve të fundit ne jemi të shtatët në Ligën Premier. Këto janë fakte, jo opinione”, deklaroi ai.
Faktet që fjalin
Sipas të dhënave, Manchester City ka një investim neto prej afro 459 milionë euro për periudhën 2021-2026. Kjo i vendos “Qytetarët” pas gjashtë konkurrentëve të tjerë. Manchester United është i pari me 783 milionë euro, që përcillet nga Arsenali me 770 milionë euro.
Chelsea është i treti me 755 milionë euro, ndërsa pas tyre vjen Tottenham Hotspur me 666 milionë euro. I pesti është Newcastle United me 492 milionë euro. Para Man Cityt është edhe Liverpooli me shpenzime prej 487 milionë euro.
Statistika duket paradoksale, duke pasur parasysh reputacionin e Man Cityt si një fuqi financiare. Megjithatë, sekreti qëndron në menaxhimin e tregut.
Edhe pse klubi nga Manchester ka shpenzuar mbi 1.1 miliardë euro në transferime gjatë kësaj periudhe (duke u renditur i dyti pas Chelseat), ata ka gjeneruar të ardhur mbresëlënëse prej afro 640 milionë euro nga shitja e lojtarëve – siç ishte rasti me Julián Álvarez te Atlético Madrid – pa komprometuar asetet thelbësore të ekipit.
“Të shitësh me mend” është art
Ndryshe nga disa konkurrentë, Man City ka kthyer shitjen e lojtarëve në një art. Kjo ka lejuar klubin të mbajë shpenzimet neto në një nivel relativisht të ulët, duke i dhënë Guardiolës një arsenal konkurrues pa ndryshuar thelbin e skuadrës.
Trajneri, megjithatë, duket se e përdor këtë statistikë për të theksuar një mesazh nën ironi.
Duke iu referuar gjashtë skuadrave që kanë shpenzuar më shumë, Guardiola tha: “Por, ashtu siç fitonim në të kaluarën sepse shpenzonim shumë, tani gjashtë ekipe duhet të fitojnë Ligën Premier, Ligën e Kampionëve dhe FA Cup, sepse kanë shpenzuar më shumë në pesë vitet e fundit. (...) Paçin fat gjashtë ekipet që na kanë tejkaluar në shpenzimet neto gjatë pesë viteve të fundit!”.
Konteksti i transferimeve
Deklaratat e Guardiolës vijnë në një moment kur Manchester City po dëshmon përsëri aktivitet në tregun e dimrit. Ata janë shpenzuesit më të mëdhenj në Ligën Premier gjatë afatit janar, duke forcuar skuadrën me blerje si Marc Ghéhi dhe Antoine Semenyo.
Ky veprim tregon një strategji të qëndrueshme: të investosh në pikat kyçe duke ruajtur ekuilibrin financiar.
Megjithë “pakënaqësinë” e deklaruar, Guardiola duket se e çmon menaxhimin e klubit që ka krijuar një model të qëndrueshëm suksesi.
Mesazhi i tij mund të interpretohet si një mënyrë elegante për të ridrejtuar diskutimin publik drejt “fakteve” financiare, duke u larguar nga narativat e zakonshme që e paraqesin Man Cityn si një “makineri” të pafund financiare. Në fund të ditës, për trajnerin, suksesi matet me trofe, jo me shifra neto në bilanc. /Telegrafi/
Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Andi Hoti, ka bërë zyrtarisht kalimin në Eintracht Braunschweig, duke i bashkuar skuadrës gjermane nga Magdeburgu.
Sipas raportimeve, ai ka nënshkruar një kontratë katër vjeçare, të vlefshme deri më 30 qershor 2028, dhe do të veshë fanellën me numrin 4. Megjithatë, ky transferim ka krijuar jo pak probleme mes dy klubesh rivale në Bundesliga 2.
Sipas gazetës gjermane “Bild”, Dynamo Dresden ishte i gatshëm të ofronte rreth 250 mijë euro për Hotin, por Magdeburgu preferoi ta shiste te Braunschweigu, duke e konsideruar Dresdenin një kundërshtar më të rrezikshëm në luftën për mbijetesë në ligën e dytë.
“Bild” raporton se ky vendim ka çuar në një çarje të marrëdhënieve ndërmjet Magdeburgut dhe Dynamo Dresden.
“Dynamo nuk ka më nevojë të përpiqet të afrojë lojtarë të Magdeburgut, sepse marrëdhënia tani është prishur në mënyrë të pakthyeshme,” shkruan gazeta.
Të tre skuadrat – Braunschweig, Magdeburg dhe Dynamo Dresden – po luftojnë aktualisht për të shmangur rënien në kategorinë e tretë të futbollit gjerman.
Problemet shëndetësore të trajnerit 80-vjeçar të ekipit kombëtar rumun të futbollit, Mircea Lucescu, janë më serioze nga sa dukej në fillim. Në fillim të javës, ai u shtrua me urgjencë në Spitalin Universitar në Bukuresht, ku ndodhet nën mbikëqyrje mjekësore 24-orëshe.
Për shkak të gjendjes së tij, Federata Rumune e Futbollit mund të detyrohet të kërkojë një zëvendësim për një ndeshje vendimtare të fazës eliminatore në mars.
Rumania luan kundër Turqisë në gjysmëfinalet e fazës eliminatore të Kupës së Botës. Fituesi do të luajë në finale me fituesin e ndeshjes midis Sllovakisë dhe Kosovës.
Rumunët do të ndjekin kualifikimin e tyre të parë në Kupën e Botës që nga viti 1998, kur u eliminuan në raundin e 16-të nga Kroacia.
"Duke pasur parasysh informacionin që është shfaqur në media ditët e fundit, dhe veçanërisht sot, Federata Rumune e Futbollit dëshiron të sqarojë disa gjëra. Trajneri i ekipit kombëtar rumun, z. Mircea Lucescu, është shtruar në spital për mbikëqyrje mjekësore dhe po merr terapi me antibiotikë për një infeksion nënlëkuror. Shërimi i tij po ecën mirë”.
“Federata Rumune e Futbollit dhe Mircea Lucescu falënderojnë të gjithë për interesin dhe mesazhet e mbështetjes dhe kërkojnë respekt për të drejtën e privatësisë”, thuhet në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të federatës.
Mircea Lucescu në këtë deklaratë e ka thënë fjalën e tij, duke thënë që të qëndrojnë të qetë fansat rumun.
"Jam mirë, nuk ka arsye për t'u shqetësuar. Ju lutem qëndroni të qetë, pati shumë ekzagjerime. Është thjesht një terapi që duhet ta bëj nën mbikëqyrje", deklaroi ai.
Mjekët skeptikë për paraqtijen e tij në mars
Pavarësisht tonit qetësues të deklaratës zyrtare, burime mjekësore konfirmuan për GSP.ro se gjendja e trajnerit rumun është serioze.
Nuk bëhet fjalë për një ndërlikim të ftohjes, e cila shkaktoi daljen e tij nga spitali javën e kaluar, por për një sëmundje komplekse, kronike dhe afatgjatë.
"Gjendja e Mircea Lucescu është serioze, ai është nën mbikëqyrje të vazhdueshme", thanë burime mjekësore për mediat rumune.
Ky është shtrimi i tretë në spital i Lucescut brenda muajit të kaluar. Të hënën, ai u shtrua përsëri me urgjencë në Spitalin Universitar të Bukureshtit, këtë herë në departamentin e kardiologjisë, ku po kujdeset një nga kardiologët më të mirë të Rumanisë, Dr. Cristian Udroiu.
Edhe pse ai është në gjendje të qëndrueshme dhe po ndjek ndeshjet e lojtarëve për ndeshjet e ardhshme nga dhoma e tij e spitalit nëpërmjet laptopit dhe tabletit, mjekët janë skeptikë se ai do të jetë në gjendje të shërohet plotësisht në më pak se dy muaj për të udhëhequr ekipin kombëtar nga stoli në Stamboll. /Telegrafi/