Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 2 February 2026Main stream

Kur dhuna na prek pa qenë aty: Si ndikojnë videot e dhunshme në shëndetin mendor

2 February 2026 at 22:56


Edhe pa qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë, njerëzit mund të përjetojnë reagime të forta stresi dhe traume përmes pamjeve që qarkullojnë në rrjetet sociale

Shëndeti mendor ndikon në mënyrën se si mendojmë, si ndihemi dhe si funksionojmë në jetën e përditshme. Ai nuk është i ndarë nga jeta reale, por përbën themelin e saj; nuk është luks, por parakusht për një jetë cilësore, theksojnë psikologët. Megjithatë, rrjetet sociale na kanë mundësuar që, në mënyrë të tërthortë, të jemi dëshmitarë të shumë skenave tronditëse dhe të dhunshme që ndodhin në shoqërinë tonë.

Ndikimi psikologjik i videove të dhunshme - ekspozimi dytësor ndaj dhunës

Ky ekspozim dytësor ndaj dhunës nuk mbetet pa pasoja. Studime kërkimore të realizuara pas sulmeve të mëdha apo fatkeqësive natyrore kanë treguar se personat që i kanë parë vazhdimisht pamjet e këtyre ngjarjeve kanë përjetuar nivele të rritura të stresit post-traumatik, thotë James Densley, profesor dhe kryetar i Shkollës për Kriminologji dhe të Drejtë Penale në Metro State University në Mineapolis.

– Në disa raste, ndikimi në shëndetin mendor pothuajse barazohet me ndikimin te personat që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen, vlerëson profesori Densley, duke shpjeguar se shikimi i videove të dhunshme mund të çojë në traumë dytësore ose indirekte, veçanërisht sepse rrjetet sociale e përforcojnë ndikimin e tyre.

– Mund të shfaqen ankth, mendime ndërhyrëse dhe çrregullime të gjumit. Kjo ndodh kur një person “thith” peshën emocionale dhe psikologjike të vuajtjes së dikujt tjetër përmes ekspozimit të përsëritur. Bëhet fjalë për një reagim stresi që, praktikisht, nuk dallon nga ekspozimi i drejtpërdrejtë, thekson ai, transmeton Telegrafi.

Sistemi nervor aktivizohet nga skenat e dhunës

Empatia është aftësia për të ndjerë dhe kuptuar vuajtjen e të tjerëve, ndërsa reagimi ndaj traumës është një përgjigje biologjike ndaj stresit. Empatia është një vlerë pozitive dhe mund të nxisë angazhim konstruktiv. Por, kur sistemi ynë nervor aktivizohet vazhdimisht nga skenat e dhunës, njerëzit mund të zhvillojnë hipervigjilencë, mpirje emocionale ose sjellje shmangëse, shpjegojnë psikologët.

Sot, rrjetet sociale transmetojnë pamje dhune në mënyrë të vazhdueshme, të paparashikueshme dhe shpesh pa asnjë paralajmërim. Nga këndvështrimi i reagimit ndaj stresit, kjo do të thotë se truri nuk ka kurrë mundësi të tërhiqet plotësisht dhe të qetësohet. Për më tepër, pamjet e sotme janë shumë më intensive dhe realiste sesa, për shembull, pamjet e atentatit ndaj presidentit John F. Kennedy apo të Luftës së Vietnamit.

Në të kaluarën, pamjet dukeshin më të filtruara dhe më të distancuara, jo vetëm për shkak të montazhit redaksional, por edhe për shkak të cilësisë së ulët teknike. Sot, gjithçka transmetohet në definicion të lartë, me zë rrethues, duke e bërë përvojën shumë më reale dhe më tronditëse.

Si reagon truri ndaj skenave të dhunës nga ambienti i afërt?

– Truri i njeriut nuk është krijuar për të shikuar pasivisht skena reale dhune pa pasoja. Sa herë që shikoni një video të tillë, sistemi nervor reagon sikur ngjarja po ju ndodh juve personalisht, e jo dikujt të largët. Çdo shikim shtesë e përforcon stresin. Prandaj, ndryshe nga ideja se njerëzit “mësohen” me dhunën, ekspozimi i përsëritur e thellon lodhjen emocionale dhe vuajtjen, shpjegon profesori Densley.

I pyetur nëse disa njerëz janë më të ndjeshëm ndaj pasojave psikologjike, ai shton:

– Disa individë janë më të prirur ndaj reagimeve traumatike për shkak të përvojave të tyre të mëparshme me traumën. Për shembull, nëse jeni pjesë e një grupi pakicë që ka përjetuar dhunë nga policia, pamje të tilla mund të veprojnë si nxitës të fortë emocionalë. Po ashtu, kur ngjarjet e dhunshme ndodhin në vende që njerëzit i njohin, në qytetin apo lagjen e tyre, rreziku për reagime të forta stresi rritet ndjeshëm. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Meksi për ATSh: Dimri rrit stresin dhe ankthin, kujdes me sinjalet që jep trupi dhe mendja

1 February 2026 at 08:28

TIRANË, 1 shkurt /ATSh/ Muajt e dimrit shoqërohen jo vetëm me temperatura të ulëta, por edhe me një rritje të ndjeshme të stresit dhe ankthit tek një pjesë e qytetarëve. Mungesa e dritës natyrale, izolimi social, ritmi i ngadaltë i jetës ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin mendor.

Në një intervistë për ATSh-në, Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor pranë Institutit të Shëndetit Publik (IShP) shpjegon se gjatë dimrit vërehet një shtim i konsultave për ankth, çrregullime të gjumit dhe lodhje emocionale.

“Në kulturat perëndimore ky fenomen njihet si “winter blues” ose “depresioni dimëror”, ku individët përjetojnë humor të ulët, lodhje mendore, apati, shpërqendrim, probleme me gjumin dhe oreksin, etj. Arsyet e kësaj gjendje lidhen me klimën e ftohtë dhe ditët e shkurtra apo dhe mungesa e diellit në shumicën e ditëve gjatë sezonit të dimrit. Ekziston një lidhje, edhe pse jo e drejtpërdrejtë (shkak-pasojё) midis gjendjes së humorit dhe klimës, pra, mungesa e diellit dhe ndikimi që ka në gjendjen tonë të përgjithshme. Gjatë dimrit, trupi është i ekspozuar ndaj virozave dhe mungesës së rrezeve të diellit (vitamina D), kjo çon edhe në rënie të sistemit imunitar. Gjithashtu, kontaktet sociale bëhen me të rralla në këtë periudhë se në verë, si dhe aktiviteti fizik është i kufizuar, çka mund të çojë në një gjendje apatie, lodhjeje dhe humor të ulët”, thotë Meksi.

Meksi shton se ka disa faktorë psikologjikë, socialë dhe ekonomikë që i bëjnë disa individë më të cenueshëm ndaj këtij efekti dimëror, siç mund të jenë problemet ekzistuese të shëndetit mendor, kryesisht probleme me humorin (depresion, çrregullimi bipolar) dhe ankthit (ankth i përgjithësuar, sulme të panikut, çrregullimi obsesiv kompulsiv (OCD), etj.), por edhe individët me probleme të abuzimit me substancat si alkooli, drogat dhe individët me probleme të përshtatjes.

“Sipas Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë (APA), gjatë stinës së dimrit individët përjetojnë simptomat si ndjenjë trishtimi, humbje interesi ose kënaqësie në aktivitetet që zakonisht pëlqehen, ndryshime në oreks, ndryshim në gjumë, humbje energjie ose ndjenjë më e lodhur pavarësisht një sasie të mirë gjumi, ngadalësim i të menduarit, përqendrimit ose vendimmarrjes, rritje e aktiviteteve si ecja, shtrëngimi i duarve ose pamundësia për t’u ulur, ose ngadalësim i lëvizjeve ose të folurit, ndjenjë e pashpresë, pa vlerë ose faji, si edhe mendime për vdekje ose vetëvrasje”, pohon Meksi, duke nënvizuar se shëndeti mendor nuk është një gjendje statike, por dinamike.

“Për ata të cilët janë duke hasur vështirësi në përmbushjen e detyrave të përditshme, që kanë probleme me gjumin, humorin dhe shqetësimet trupore apo psikoemocionale, të drejtohen pranë mjekut të familjes në qendrat socio-shëndetësore në zonat e tyre të banimit. Tashmë, pranë qendrave shëndetësore primare janë atashuar stafet psiko-sociale të cilat ofrojnë vlerësime dhe referim për trajtim të specializuar të shëndetit mendor. Këta profesionistë janë të pajisur me njohuri dhe mjetet për të bërë ndërhyrje dhe për të vlerësuar ndihmën që iu duhet”, thekson ajo.

Dimri, sipas Meksit, i kufizon individët në kryerjen e aktiviteteve në ambiente të hapura dhe në natyrë, por kurrsesi nuk ndikon në marrëdhëniet dhe jetën sociale të individëve.

“Të ndenjurit vetëm nuk është domosdoshmërisht shenjë e vetmisë apo tërheqjes sociale. Ka individë të cilët nuk ndihen të vetmuar pasi e kanë kohën të zënë duke bërë gjërat që iu pëlqejnë dhe që i bëjnë të ndihen mirë me veten. Por, dimri kufizon kryerjen e aktiviteteve në ambiente të hapura dhe në natyrë, por kurrsesi nuk ndikon në marrëdhëniet dhe jetën sociale të individëve. Izolimi apo tërheqja sociale ndaj aktiviteteve dhe kontakteve/ marrëdhënieve që më parë i kryenim me dëshirë, ndodh si pasojë e ndjenjës së pasigurisë, ankthit dhe problematikave të tjera që lidhen me shëndetin tonë mendor”, shton ajo.

Meksi ndan njëherësh edhe disa këshilla praktike për qytetarët dhe mënyrën se si duhet të veprohet për ta përballuar emocionalisht dimrin.

Ajo thekson se qytetarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në mendime, gjendjen emocionale dhe sjelljen e tyre.

“Duhet të komunikoni me miq dhe familjarë për vështirësitë që po kaloni dhe me punëdhënësin nëse kjo po ndikon në performancën tuaj në punë dhe të kërkoni zgjidhje për problemet që po hasni. Kujdesi ndaj vetes është i rëndësishëm, ndaj drejtojuni një specialisti të shëndetit mendor në rast nevoje. Takimet konsultuese me një profesionist ndihmojnë që të parandalojmë përkeqësimin e gjendjes dhe të adresojmë në mënyrën e duhur problemet e shëndetit tonë mendor”, thotë Meksi.

Sipas saj, e rëndësishme është që të ruhet edhe rutina e përditshme, aktiviteti fizik dhe orët e plota të gjumit.

“Angazhimi në punë, kujdesi për higjienën e shtëpisë dhe vetes, gatimi i vakteve të shëndetshme në vend që t’i blini të gatshme, shpenzimi i kohës me veten në mënyrë cilësore dhe reduktimi i ndërveprimit në rrjetet sociale dhe botën virtuale janë disa prej angazhimeve që ndihmojnë në reduktimin e gjendjes së rënduar emocionale”, thekson ajo.

“Gjithashtu, aktiviteti fizik i lehtë dhe i moderuar (të paktën 20 minuta ecje çdo ditë ose 60-90 minuta fizkulturë 3 herë në javë); 6-7 orë gjumë me orare fikse (fjetje-zgjim); pushimi, reduktimi dhe shmangia e produkteve të duhanit, alkoolit dhe drogave; mbajtja e një ditari ku të shënoni mendimet që keni; meditimi dhe kontakti me familjarët dhe miq, janë të tjerë faktorë pozitivë që ndikojnë në përmirësimin e gjendjes. Nëse gjendja juaj nuk përmirësohet, duhet ndërhyrja tek specialisti i shëndetit mendor”, përfundoi Meksi.

Andia Meksi, specialiste e shëndetit mendor pranë ISHP, foto: Andrin Hoxha
1 nga 3

/e.i/j.p/r.e/

The post Meksi për ATSh: Dimri rrit stresin dhe ankthin, kujdes me sinjalet që jep trupi dhe mendja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shëndeti mendor në fokus: Radio Dukagjini filloi seri të re emisionesh

25 January 2026 at 19:59


Radio Dukagjini dhe emisioni Radar filloi një seri të re dokumentare–rrëfyese.

“Mes katër muresh”, nën moderimin e Edita Doli, filloi transmetimin javor, ku trajtohen tema të lidhura me shëndetin mendor dhe mirëqenien emocionale, duke ofruar një hapësirë të rëndësishme publike për diskutim të hapur dhe profesional mbi këtë fushë ende të stigmatizuar në shoqërinë tonë.

Çdo episod sjell rrëfime të sinqerta të individëve që ndajnë përvojat e tyre personale në përballje me ankthin, depresionin, traumën dhe vështirësi të tjera emocionale.

Sonte në këtë episod rrëfejnë çifti që për 13 vite tentuan tetë herë të bëhen prindër por nuk ia dolën.

Nëpër çka kaluan? Si duhet të sillemi në raste të tilla? A kërkuan ndihmë profesionale? A janë dorëzuar?

Ndiqeni më poshtë

MES KATËR MURESH | Për 13 vjet, 8 herë provuan fëmijë me frytëzim të asistuar mjekësor www.youtube.com

Shëndeti mendor në Kosovë në alarm: 13 vetëvrasje në vitin 2025, qindra thirrje për ndihmë

25 January 2026 at 16:54


Të dhënat për nëntëmujorin e parë të vitit 2025 tregojnë një situatë shqetësuese në fushën e shëndetit mendor në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje mungesën e politikave dhe mekanizmave institucional për parandalimin e vetëvrasjeve.

Sipas Policisë së Kosovës, 13 persona kanë kryer vetëvrasje në Kosovë, një dukuri e cila ndodh nga faktorë të ndryshëm, ekonomik, social, psikologjik, çrregullimeve mendore, probleme, mungesë vetëbesime e tjera.

Ndërkohë Qendra për parandalimin e vetëvrasjes “Linja e Jetës” për nëntë muajt e parë të vitit që lamë pas, ka pasur 800 thirrje të personave me mendime suicidale, 3-4 mijë chats dhe 160 thirrje të humbura.

Institucionet shëndetësore raportojnë se çdo ditë trajtohen persona me çrregullime të ndryshme psikike, përfshirë edhe raste me ide vetëlënduese, derisa profesionistët e shëndetit mendor, theksojnë nevojën për kujdes të shtuar në trajtim dhe në raportimin publik të këtyre rasteve. Sipas tyre, mënyra e raportimit mediatik mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri, veçanërisht te personat në gjendje të brishtë emocionale.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë në QKUK, Faton Kutllovci, ka thënë për KosovaPress, se në këtë klinikë trajtohen çdo ditë persona me çrregullime psikike, përfshirë edhe raste me ide suicidale. Sipas tij, trajtimi bëhet me kujdes të veçantë dhe në bazë të vlerësimit profesional për secilin rast.

Kutllovci ka apeluar që mediat të raportojnë me përgjegjësi për këto raste, duke paralajmëruar se raportimi i detajuar mund të ketë ndikim negativ në shoqëri.

Përveç raportimit joetik në media, Kutllovci ka thënë se janë edhe dy efekte tjera negative, stigma, fjalët se nëse viziton psikiatrin je person me të meta të mëdha psikike dhe ndikimi i farmacistëve, të cilët u thonë se terapia që marrin është e rëndë dhe personi me mendim suicidal ndërprenë terapinë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ligji aktual për shëndetin mendor ka mangësi dhe se një draft i ri i projektligjit tashmë ndodhet në fazën e konsultimeve publike.

“Në Klinikën e Psikiatrisë, në baza ditore ne trajtojmë edhe në mënyrë ambulatore, po edhe në mënyrë spitalore persona që manifestojnë çrregullime psikike, të cilat mund të japin ide suicidale. Në varësi prej çrregullimit psikik, të cilin e manifeston, e bëjmë edhe planifikimin për trajtimin e personit që manifeston ide suicidale, sepse duhet të jemi shumë të kujdesshëm... Kur merret në konsideratë raportimi që bëhet për personat që kanë kryer vetëvrasje, duhet të kemi shumë kujdes, sepse kjo është shumë e dëmshme për shkak se raportimi për këto raste nuk duhet të jetë i detajuar, sepse, duhet të marrim në konsideratë faktin se gjatë kësaj periudhe, në shoqërinë tonë, mund të ketë edhe një numër i caktuar edhe i konsiderueshëm i personave që manifestojnë ide suicidale, por që s'e ka marrë forcën ende për ta kryer aktin dhe, në qoftë se tash mediat e raportojnë edhe me foto, edhe vendi ku ka ndodhur suicidi dhe mënyrën se si është kryer, do të zhvillojnë atë që quhet copycat ose sindromi i kopjimit, ku personat që manifestojnë ide suicidale, kopjojnë personin që veç e ka realizuar dhe për fat të keq mund të them që mediat mund të ndikojnë negativisht.. Ligji aktual për shëndetin mendor ka mangësi dhe këto mangësi edhe janë konstatuar nga Komisioni për Shëndetësi i Parlamentit të Kosovës. Ata i kanë dhënë rekomandimet ku duhet të ndryshohet dhe Ministria e Shëndetësisë e ka krijuar komisionin i cili veç e ka përfunduar draft-projektligjin për shëndetin mendor, i cili tash është veç në konsultime publike”, ka thënë Kutllovci.

Ndërkohë, drejtori i organizatës “Linja e Jetës”, Bind Skeja, ka deklaruar se kjo organizatë po përballet me vështirësi financiare dhe mungesë të stafit, çka ka detyruar shkurtimin e orarit të shërbimit. Prej orë 14:00 deri në 2:00 siç ka qenë orari, është detyruar të shkurtohet prej 18:00 deri në 22:00, shkak i këtij orari sipas tij, është që në këtë kohë ka më së shumti thirrje, me tre mbikëqyrës, pesë operatorë dhe 20 operatorë vullnetarë.

Ai ka bërë të ditur se gjatë muajve të fundit janë pranuar qindra thirrje për ndihmë, ndërsa mijëra komunikime janë realizuar përmes platformave digjitale.

Skeja ka theksuar se Kosova ende nuk ka një ligj apo strategji specifike për parandalimin e vetëvrasjes dhe se mungon bashkëpunimi formal me institucionet qendrore, pavarësisht trajnimeve që kjo organizatë u ofron institucioneve të sigurisë.

“Për nëntë muajt e parë kemi pasur diku 800 thirrje dhe nga fundi i vitit 2024 kemi hapur edhe mundësinë për të shkruar përmes chat një aplikacion, aty kemi pasur më shumë diku 3-4 mijë chats, këtu nuk reflektojnë domosdoshmërisht individ unik në sensin që secila thirrje është prej një personi tjetër, ka qenë që personi i njëjtë na ka thirrur disa herë, nuk mundemi me identifiku shkaku që ruajmë anonimitetin. Brenda gjashtë muajve të parë të 2025 kemi përcjellë se sa ka pasur thirrje të humbura që kanë tentuar me na thirrë por nuk kemi pasur mjaftueshëm staf për tu përgjigjur, janë diku 160 thirrje... Kemi mbërri në një situatë, nuk kemi para për me e vazhdua linjën e jetës ashtu siç e kemi menduar, andaj është dashur të shkurtohet orari.. 7:58 Nuk e di një politikë që ka kaluar për parandalim të vetëvrasjes edhe nuk është që ka strategji për këtë ligji për shëndetin mendor nuk e cek askund vetëvrasjen”, ka thënë Skeja.

Nga ana tjetër, psikologu Kristian Halilaj ka shpjeguar se gjendjet e gjata depresive, humbja e motivimit dhe mendimet destruktive janë faktorë kyç që e çojnë një individ drejt krizave të rënda psikologjike. Ai ka theksuar se trajtimi profesional dhe mbështetja psikologjike janë të domosdoshme, pasi ndihma familjare shpesh nuk mjafton për të përballuar këto gjendje.

“Një fazë e gjatë në një gjendje depresive dhe humbje e motivit për jetën dhe kontaktit, mendime destruktive dhe shkatërruese të një personi e determinojnë rrugëtimin e tij për një vetëvrasje dhe kjo është si një lloj zgjidhje për me u largu nga boshllëku që një person në një gjendje krize dhe depresive e sheh si një lloj zgjidhje të përfundimit të dhimbjes.. 6:27 Këta persona kryesisht nevojitet të marrin trajtim psikologjik dhe me pas ndihmë profesionale, sepse ndihma familjare shpesh është e mangët për të përforcuar sistemin e vlerave dhe vetëbesimit që mundet me pas një person në gjendje depresive”, ka thënë Halilaj.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025, 13 persona kanë kryer vetëvrasje, ndërkohë në 2024 19 persona e 2023 42 persona kanë kryer një akt të tillë.

Nëse keni mendime suicidale apo ndjeheni në një gjendje depresive vizitoni psikologun apo thirrni në Linjën e Jetës pa pagesë në 0800 12345 ose shkruaj në chat si person anonim, raporton KP.

Krimet kibernetike ndaj të miturve sjellin pasoja afatgjata

By: Ela
23 January 2026 at 09:00

Drejtuesja pranë Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike, Suela Bonjaku, dha alarmin një javë më parë për një rritje të formave dhe intensitetit të krimeve kibernetike ndaj të miturve në Shqipëri. “Spektri i formave të abuzimeve kibernetike shkon nga bullizmi deri te format më të rënda të abuzimit”, tha Bonjaku gjatë fjalës së saj në […]

The post Krimet kibernetike ndaj të miturve sjellin pasoja afatgjata appeared first on BoldNews.al.

Tre vrasje në një ditë, ekspertët: Nevojë urgjente për kujdes të shtuar të shëndetit mendor

29 October 2025 at 20:09

Zemërimi i qytetarëve në shoqërinë tonë po përkthehet në sjellje ekstreme. Këtë fatkeqësisht po e tregojnë ngjarjet e ndodhura jo më larg se një ditë më parë, ku brenda ditës pati tre viktima, si pasojë e konflikteve momentale. Këto veprime rikthejnë vëmendjen tek shëndeti mendor, ndaj psikologja Eksena Qirici shpjegon rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve […]

The post Tre vrasje në një ditë, ekspertët: Nevojë urgjente për kujdes të shtuar të shëndetit mendor appeared first on BoldNews.al.

Shëndeti mendor, Gonzato dëgjon të rinjtë: BE, mbështetje shërbimeve komunitare

By: redi
23 October 2025 at 20:15

Shëndeti mendor mbetet një çështje me rëndësi thelbësore për të rinjtë. Në një takim të zhvilluar me ambasadorët e Rinj Evropianë, Bordin Këshillimor të Adoleshentëve të UNICEF-it dhe UNICEF-in, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, dëgjoi shqetësimet dhe rekomandimet e të rinjve për mënyrën se si institucionet arsimore, bashkitë dhe shërbimet kombëtare mund të mbështesin më mirë…

Source

Gonzato dëgjon të rinjtë për shëndetin mendor: BE, mbështetje shërbimeve komunitare

23 October 2025 at 19:55

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ Shëndeti mendor mbetet një çështje me rëndësi thelbësore për të rinjtë në Shqipëri dhe në Evropë, ndërsa sot zërat e tyre u vendosën në qendër të diskutimit.

Në një takim të zhvilluar me Ambasadorët e Rinj Evropianë, Bordin Këshillimor të Adoleshentëve të UNICEF-it dhe UNICEF-in, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, dëgjoi shqetësimet dhe rekomandimet e të rinjve për mënyrën se si institucionet arsimore, bashkitë dhe shërbimet kombëtare mund të mbështesin më mirë mirëqenien mendore.

Këto rekomandime përfshijnë përmirësimin e aksesit te shërbimet, krijimin e mjediseve më të sigurta dhe të hapura për dialog, dhe do të ndiqen nga institucionet përkatëse. Ky proces i udhëhequr nga vetë të rinjtë është në përputhje me përpjekjet e Bashkimit Evropian për të vendosur shëndetin mendor si një prioritet dhe për të punuar me të rinjtë, jo vetëm për ta.

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se “pa folur për shëndetin mendor nuk mund të flasim për shëndetin”.

“BE-ja e trajton shëndetin mendor si prioritet të politikave publike, të lidhur me arsimin, punësimin dhe përfshirjen shoqërore. Në Shqipëri, do të vazhdojmë të mbështesim shërbimet me bazë komunitare, pjesëmarrjen e të rinjve në dialogun e politikave dhe aftësitë për jetën, duke shpërndarë praktikat më të mira të Bashkimit Evropian në rajon”, tha ai.

/e.xh//a.f//r.e/

The post Gonzato dëgjon të rinjtë për shëndetin mendor: BE, mbështetje shërbimeve komunitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Jetë stresuese në Shqipëri! Rriten të sëmurët nga zemra dhe ata me probleme psikiatrike

By: Ela
22 October 2025 at 09:20

Numri i përgjithshëm i shtrimeve në spitale në vend ka pësuar rënie për periudhën janar-gusht 2025. Sipas të dhënave të raportit të 8-mujorit “Për realizimin e treguesve të monitorimit financiar” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë”, në total për periudhën në spitale numri i pacientëve të shtruar arriti 209,7 mijë të shtruar. Krahasuar me të […]

The post Jetë stresuese në Shqipëri! Rriten të sëmurët nga zemra dhe ata me probleme psikiatrike appeared first on BoldNews.al.

Dita botërore e shëndetit mendor/ Korçë, shtohen rastet, por 70 përqind e tyre nuk marrin trajtim mjekësor

By: xhir jeta
10 October 2025 at 15:39

Çdo ditë 10- 15 persona kërkojnë ndihmë në Qendrën e Shëndetit Mendor në Korçë,ndërsa numri i të prekurve shënon rritje çdo vit. Pavarësisht shifrave shqetësuese, vetëm një pjesë e vogël e kësaj kategorie pranojnë të mjekohen.

Distanca e pacientëve nga qendrat e specializuara dhe kostot,mungesa e profesionistëve të shëndetit mendor në institucione, por edhe fshehja në masë e problemeve të shêndetit mendor, renditen nga specialistêt si disa nga shkaqet,që të sëmurêt mendorë mbeten pa ndihmê mjekësore.

Shqetësim në rritje për mjekët mbetet ulja e moshës së të prekurve nga problemet e shëndetit mendor, që arrin deri tek fëmijët dhe të miturit.

Shqetësim në rritje për mjekët janë edhe rastet e akteve ekstreme të vetëvrasjeve apo tentativave,të kryera jo vetëm nga tê moshuar kryesisht,por edhe të mitur./abcnews.al

Të flasësh për shëndetin mendor nuk është turp, por nevojë që shpëton jetë

10 October 2025 at 01:07


Në Ditën e Shëndetit Mendor le të kujtojmë se kujdesi për mendjen është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për trupin: Heshtja shpesh dhemb më shumë se vetë ankthi – është koha të kërkojmë ndihmë!

Miradije Statovci
Psikologe Klinike
Drejtoreshë e Poliklinikës "Galaxy"

Në një kohë kur flasim hapur për çdo aspekt të jetës, shëndeti mendor ende mbetet një nga temat më pak të diskutueshme, megjithëse ndikimi i tij në cilësinë e jetës është i pamasë.

Si psikologe klinike, çdo ditë përballem me histori që dëshmojnë se sa shumë njerëz vuajnë në heshtje, pa kërkuar ndihmën që meritojnë.

Trupi dhe mendja ecin bashkë

Shpesh kujdesemi për trupin, bëjmë analiza, kontrollojmë presionin e gjakut, por harrojmë të analizojmë gjendjen tonë shpirtërore.

Ankthi, stresi, lodhja emocionale apo mungesa e motivit nuk janë thjesht “fazë”, por sinjale të qarta që trupi dhe mendja kërkojnë pushim, qetësi dhe përkujdesje.

Në kulturën tonë, shpesh dëgjojmë: “mos u mërzit, do kalojë”, por për disa njerëz nuk kalon vetvetiu.

Për ta, duhet mbështetje, terapi, kuptim dhe mbi të gjitha – mosgjykim.

Të kërkosh ndihmë është forcë, jo dobësi

Në praktikën time profesionale, kam parë dhjetëra njerëz që kanë ardhur me frikë e pasiguri, por që janë larguar me shpresë dhe qetësi. Sepse ndonjëherë mjafton vetëm një hap, një bisedë, një dëgjim i sinqertë për të ndryshuar gjithçka.

Kërkimi i ndihmës psikologjike nuk është shenjë dobësie, por akt guximi dhe respekti ndaj vetvetes.

Askush nuk është imun ndaj vështirësive emocionale.

Prandaj, sa më herët ta pranojmë këtë realitet, aq më shpejt do ndërtojmë një shoqëri të shëndetshme mendërisht. /Telegrafi/

U hodh nga kati i 3-të se e bullizonin, mjekja psikiatre: Vajza thotë se do e bëjë përsëri

By: Ela
4 October 2025 at 18:06

Mjekja e shëndetit mendor, Nikolina Bode, ka zbuluar se vajza 14-vjeçare e cila u hodh pasditen e së shtunës nga kati i tretë, në qytetin e Korçës, thotë se do e bëjë përsëri këtë veprim. “Nuk ka frikë nga humbja e jetës dhe e përdor si kërcënim që në rast se përsëritet ngjarja, do e […]

The post U hodh nga kati i 3-të se e bullizonin, mjekja psikiatre: Vajza thotë se do e bëjë përsëri appeared first on BoldNews.al.

Vetëm 57 psikiatër dhe spitale të mbipopulluara/ Gjendja alarmante e shërbimeve të shëndetit mendor

1 October 2025 at 19:24

Në Shqipëri, personat me çrregullime të shëndetit mendor janë “të padukshmit” e sistemit. Me vetëm 57 psikiatër në të gjithë vendin, spitale të mbipopulluara dhe kushte të papërshtatshme, ata dhe familjet e tyre mbajnë një barrë të padukshme ekonomike e sociale. Nga rikonstruksione të papërfunduara te plane veprimi të pazbatuara, sistemi shëndetësor dështoi t’i japë […]

The post Vetëm 57 psikiatër dhe spitale të mbipopulluara/ Gjendja alarmante e shërbimeve të shëndetit mendor appeared first on BoldNews.al.

Trendi i ri i Gen Z: ‘Bed Rotting’ dhe rreziqet për shëndetin mendor

By: Elva
30 August 2025 at 18:50

Një fenomen i ri po përhapet ndërmjet brezit të ri, i njohur si “bed rotting“, ku individët kalojnë orë të tëra në shtrat, jo për të fjetur apo për shkak të sëmundjes, por për të shfletuar telefonin apo shikuar përmbajtje pa bërë asgjë tjetër. Ky trend është bërë i njohur në TikTok dhe shpesh prezantohet […]

The post Trendi i ri i Gen Z: ‘Bed Rotting’ dhe rreziqet për shëndetin mendor appeared first on BoldNews.al.

Vapa ekstreme/ Mjekët: Janë përkeqësuar efektet negative mbi shëndetin mendor

By: Ela
26 July 2025 at 15:35

Edhe pse duhet të kishte një qetësim të sëmundjeve neurologjike gjatë periudhës së verës, temperaturat ekstreme kanë bërë që edhe këto sëmundje të shënojnë rritje. Mjekët bëjnë me dije se ekspozimi në diell në temperaturat ekstreme çon në rrezik të përsëritjeve të aksidenteve cerebrale, paralizave faciale apo shton atakun e migrenës. Shef i shërbimit Neurologjik […]

The post Vapa ekstreme/ Mjekët: Janë përkeqësuar efektet negative mbi shëndetin mendor appeared first on BoldNews.al.

‘Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm’ prezantohet në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment

By: Kult Plus
20 July 2025 at 19:15

Profesori universitar, Fitim Uka ka njoftuar se libri “Psikoterapia e Kohezionit të Brendshëm” do të prezantohet edhe në librin e Shëndetit Mendor të Cambridge University Press & Assessment, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjetin social “Facebook”, profesori Uka ka thënë se prezantimi i librit  në Cambridge University Press, është vulë e një suksesi të padiskutueshëm.

“Po, po, hiq më pak se në librin e Cambridge University do të shkruhen emrat e një gjenerate të re studiuesish nga Kosova. Ata do të jenë autorët e një kapitulli që e prezanton psikoterapinë tonë në mbarë botën.

Një herë Wiley, e tash edhe Cambridge University Press, janë vula e një suksesi të padiskutueshëm.

Mirënjohës për mbështetjen dhe mbani mend këta emra: Arian Musliu, Rineta Maliqi, Vanesa Sopjani, Lum Zharku, Adela Bajrami, Lira Baliu, Albina Statovci, Fjolla Rexha, Loretë Tovërlani, Drin Shehu, Erestina Uka, Altina Limani”, ka shkruar profesori Uka./ KultPlus.com

Ndryshimet ekstreme të disponimit, çka është çrregullimi bipolar? Flet neuropsikiatri Rexhepi

1 July 2025 at 13:19

Neuropsikiatri Sami Rexhepi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur për çrregullimin bipolar.

Çrregullimi bipolar është një çrregullim mendor që karakterizohet nga ndryshime ekstreme në humor.

Doktori Rexhepi në këtë podcast ka sqaruar më shumë rreth këtij çrregullimi.

Është një çrregullim ku ndërrojnë fazat, kur e kemi fazën manike dhe hipomanike… kur personat një periudhë të caktuar kohore janë shumë depresivë, të tërhequn dhe kanë pasqyrë klinike të një depresioni. Ndërsa, faza tjetër është kur ara janë hiperaktivë, të pandalshëm, të disponueshëm, mbi-disponim dhe këto faza janë ciklike”, tha ai.


Sipas tij, këta persona thjesht janë më të menaxhueshëm se nëse flasim për një skizofreni kronike. Ai tutje tha se janë me rëndësi edhe njerëzit përreth, familja, në mënyrë që t’i kuptojë fazat.

Podcastin e plotë ku neuropsikiatri Rexhepi flet për shëndetin mendor dhe çrregullimet e sëmundjet mendore mund ta shikoni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube.

Podcasti “Shëndeti në rend të parë” mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/

The post Ndryshimet ekstreme të disponimit, çka është çrregullimi bipolar? Flet neuropsikiatri Rexhepi appeared first on Telegrafi.

Çka është depresioni dhe si manifestohet?

26 June 2025 at 13:54

Neuropsikiatri Sami Rexhepi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur për shëndetin mendor dhe kujdesin që duhet ta kemi.

Doktor Rexhepi ka sqaruar shumë gjëra që ndërlidhen me depresionin dhe si manifestohet.

Në fakt depresioni është një humbje e plotë e vullnetit me u marr me veten, një mosinteresim i plotë për njerëzit përreth…”, tha Rexhepi.

Tutje, neuropsikiatri theksoi se është edhe i ashtuquajturi depresion i brendshëm që është i ndikuar shumë prej faktorëve gjenetikë.

“Po flasim për një sëmundje kur gjumi është në dy ekstreme, ose pagjumësi ose gjumë i theksuar, kur në gjumë ikim prej vetvetes dhe ballafaqimit me çka na rrethon…  është pastaj ushqimi që lihet plotësisht ose merret pa kontroll”, u shpreh doktori.

Sipas tij, depresioni manifestohet edhe me pak komunikim me njerëzit, qëndron i mbyllur, shpërthime të kohëpaskohshme të vajit, etj.

Neuropsikiatri tutje theksoi se depresioni nuk trajtohet vetëm me ilaçe dhe se ka shumë rëndësi edhe psikoterapia.

Podcasti “Shëndeti në rend të parë” mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/

 

 

The post Çka është depresioni dhe si manifestohet? appeared first on Telegrafi.

Shëndeti mendor i adoleshentëve, psikiatrja: Po rriten rastet me ankth dhe vetëdëmtime

By: Elva
25 June 2025 at 20:32

Rastet e adoleshentëve që paraqiten në urgjencën e shërbimit të psikiatrisë janë në rritje, shpesh të nisura me ankth e që përfundojnë në psikoza apo sjellje vetëdëmtuese. Mjekja psikiatre Valbona Alikaj ngre alarmin për këtë situatë, duke theksuar se shumë nga rastet që trajtohen janë pasoja të mosvlerësimit të hershëm të shenjave paralajmëruese. “Ne mbetemi […]

The post Shëndeti mendor i adoleshentëve, psikiatrja: Po rriten rastet me ankth dhe vetëdëmtime appeared first on BoldNews.al.

“Njerëzit që nuk dinë me u kënaq me çka kanë, kurrë nuk do të gjejnë diçka që i bën të lumtur”, neuropsikiatri Rexhepi flet për lumturinë

25 June 2025 at 13:30

Neuropsikiatri Sami Rexhepi në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur për shëndetin mendor dhe kujdesin që duhet t’ia kushtojmë.

Rexhepi ka folur për lumturinë, ndjenjën e një paqeje dhe përmbushjeje që njeriu përjeton kur ndodhet në harmoni me veten.

Lumturia është diçka shumë personale. Për njerëzit që dinë me u kënaq edhe me u gëzua me atë që kanë shumë ma lehtë përmbushen… se lumturia është manifestim i përmbushjes sonë individuale.. me u mundu me lënë sa ma pak boshllëqe brenda vetes”, tha ai.

Tutje, neuropsikiatri Rexhepi tha se njerëzit që nuk dinë me u kënaq me çka kanë ata kurrë nuk do të gjejnë diçka që i bëjnë të lumtur sepse kërkesat e tyre janë të vazhdueshme.

Doktori në podcastin “Shëndeti në rend të parë” ka folur edhe për problemet me shëndetin mendor, sëmundjet etj. Ky podcast mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/

 

 

 

The post “Njerëzit që nuk dinë me u kënaq me çka kanë, kurrë nuk do të gjejnë diçka që i bën të lumtur”, neuropsikiatri Rexhepi flet për lumturinë appeared first on Telegrafi.

❌
❌