Ortopedi Arian Bujupi gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka sqaruar dallimin mes krisjes dhe thyerjes së kockës, duke theksuar se këto dy gjendje nuk janë të njëjta as për nga ashpërsia, as për nga mënyra e trajtimit dhe rikuperimit.
Sipas Bujupit, krisja e kockës përkufizohet si një vijë e hollë në kockë dhe konsiderohet si dëmtim më i lehtë.
“Ka shumë pak raste kur krisjet operohen”, ka theksuar ai, duke shtuar se këto dëmtime zakonisht shërohen më shpejt dhe me komplikime minimale.
Ndryshe nga krisjet, Bujupi tha se thyerjet e kockave paraqesin një problem shumë më serioz.
Sipas tij, ato nënkuptojnë shkëputjen e kontaktit ndërmjet dy pjesëve të kockës, çka e bën trajtimin më kompleks.
Bujupi theksoi se shumica e thyerjeve kërkon ndërhyrje operative, sidomos kur pozicioni i kockës nuk është i kënaqshëm.
"Në disa raste, thyerjet mund të trajtohen edhe pa operacion, përmes repunimit dhe imobilizimit, por kjo varet nga pozicioni dhe stabiliteti i kockës. Jo çdoherë te kockat rezultatet me repunim janë të kënaqshme dhe mandej duhet të operohen”, ka shpjeguar Bujupi.
Për më shumë shikoni podcatin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Dëmtimet e shpinës dhe këmbëve janë ndër problemet më të shpeshta ortopedike, por sipas specialistëve, një pjesë e madhe e tyre mund të parandalohen përmes një stili të shëndetshëm jetese dhe ushtrimeve të përshtatshme fizike.
Ortopedi Arian Bujupi gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka theksuar se parandalimi i këtyre dëmtimeve varet drejtpërdrejt nga mënyra e jetesës dhe aktiviteti fizik i përditshëm, por gjithmonë duke u bazuar në vlerësim të saktë mjekësor.
“Po, mund të parandalohen dëmtimet e shpinës dhe këmbëve bazuar në stilin e jetesës dhe ushtrimeve. Ushtrimet i ndihmojnë shumë pacientit, por duhet ditur saktë sa është dëmtimi dhe duhet vlerësuar nëse mjafton vetëm trajtimi me ushtrime apo është i nevojshëm edhe intervenimi kirurgjik”, ka deklaruar Bujupi.
Ai ka nënvizuar se ushtrimet fizike dhe kujdesi ndaj trupit luajnë rol kyç në ruajtjen e shëndetit të sistemit muskulor dhe skeletor, por paralajmëron se jo çdo problem mund të trajtohet njësoj.
Sipas tij, shumë profesione janë të lidhura me shfaqjen e problemeve ortopedike, veçanërisht ato që kërkojnë qëndrime të gjata ulur ose pozita të përsëritura të trupit.
“Ka profesione që rrinë non-stop ulur dhe kjo sigurisht sjell probleme ortopedike. Ne si profesionistë duhet t’i këshillojmë pacientët që të kenë kujdes dhe të mos presin deri në fazën e ndryshimeve serioze, sepse këto ndryshime nuk ndodhin menjëherë, por zhvillohen me kohë”, ka theksuar ortopedi Bujupi.
Ai shton se mungesa e informimit dhe mosndryshimi i zakoneve të përditshme mund të çojë në përkeqësim të gjendjes shëndetësore, duke e bërë trajtimin më të vështirë dhe në disa raste duke e lënë kirurgjinë si zgjidhjen e vetme.
“Nëse pacienti nuk informohet me kohë dhe nuk bën ndryshime në stilin e jetesës, më vonë trajtimi bëhet shumë më i vështirë ose kirurgjia mbetet alternativa e vetme”, ka përfunduar ai.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
Ortopedi Imran Shaqiri ka theksuar rëndësinë e reagimit në kohë ndaj shenjave paralajmëruese që lidhen me problemet ortopedike, duke bërë thirrje që qytetarët të mos i neglizhojnë simptomat, sidomos kur ato zgjasin më shumë se një ose dy ditë.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Shaqiri ka sqaruar se shenjat akute, si ënjtja, skuqja dhe dhimbja e vazhdueshme, janë sinjale serioze që kërkojnë vlerësim mjekësor.
“Shenjat akute, nëse është ënjtje, skuqje, dhimbja, nëse persiston për shembull një ditë apo dy, nuk duhet me neglizhu dhe duhet me u paraqit për të parë se çfarë është problemi”, ka thënë Shaqiri.
Ai ka folur edhe për shenjat kronike, të cilat shpesh lidhen me sëmundje degjenerative si artroza, si dhe me problemet e shpinës dhe gjunjëve.
Sipas tij, dhimbjet gjatë natës, mpirja e duarve dhe e këmbëve janë simptoma që kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe konsultim me mjekun.
“Shenjat kronike zakonisht i shohim tek artroza dhe problemet me shpinë e me gjunjë. Dhimbjet gjatë natës, mpirja e duarve dhe e këmbëve janë shenja që duhet me u paraqit menjëherë tek mjeku”, ka theksuar ortopedi Shaqiri.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
Në episodin e 56-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, ortopedi dhe traumatologu Arian Bujupi dhe kirurgu ortoped Imran Shaqiri, ndanë me publikun diskutime të rëndësishme mbi shëndetin e sistemit muskuloskeletor, stilin e jetesës, preventivën dhe zhvillimet më të reja në kirurgjinë ortopedike.
Të dy mjekët folën për dëmtimet ortopedike më të shpeshta me të cilat përballen në praktikën e tyre.
Bujupi i cili ka pasur një përvojë të gjatë profesionale në spitalet e Gjermanisë tha se trauma në Kosovë dhe në Gjermani është përafërsisht e njëjtë.
“Sot në botë, trauma që zë vendin e parë është aksidenti”, tha ai, duke përmendur aksidentet e trafikut, dëmtimet sportive dhe ato në vendin e punës, veçanërisht në sektorin e ndërtimit, si burimet kryesore të traumave.
Një dallim i rëndësishëm që Bujupi vuri në pah mes Kosovës dhe Gjermanisë lidhet me kohën e reagimit në rastet emergjente.
Ai theksoi se në ortopedi koha është faktor vendimtar për prognozën e pacientit.
“Nga momenti kur krijohet një aksident deri tek momenti që vjen emergjenca, koha ka shumë të bëjë. Janë ato ‘minutat e arta’ që e përcaktojnë drejtimin e rastit", shpjegoi ai duke shtuar se në përvojën e tij në Gjermani, brenda 20 minutave të para vendosej drejtimi i trajtimit dhe pacienti shpesh ishte tashmë në sallë operative.
Ortopedët po ashtu folën edhe për ushqimin e shëndetshëm, por siç tha Shaqiri "pa lëvizje dhe aktivitet fizik të rregullt nuk mund të ruhet shëndeti optimal".
Ata folën edhe për fenomenin e njohur të molisjes dhe përgjumjes pas ushqimit, duke shpjeguar se kjo lidhet me rënien e tensionit dhe me mënyrën se si trupi përpiqet të arrijë ekuilibrin pas marrjes së energjisë.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë". /Telegrafi/
Alergologu Ylli Ahmetaj, gjatë podcastit “Shëndeti në rend”, i mbështetur nga United Hospital ka sqaruar dallimet kryesore mes reaksioneve alergjike dhe infeksioneve virale apo bakteriale, duke theksuar se këto dy gjendje shpesh ngatërrohen për shkak të simptomave të ngjashme.
Ahmetaj shpjegon se reaksionet alergjike zakonisht manifestohen me simptoma të ngjashme me ftohjen, si lotimi i syve, teshtima, kollitja, kruarja e veshëve dhe, në disa raste, vështirësi në frymëmarrje, varësisht nga shkalla e alergjisë.
Në raste më të rralla, mund të shfaqen edhe ndryshime në lëkurë, si skuqje në formë urtikarie.
Megjithatë, dallimi kryesor mes alergjive dhe infeksioneve qëndron te temperatura.
“Reaksionet alergjike kryesisht manifestohen në formë vazomotorike, me lotim, teshtima dhe kollë më të shprehura, por pa temperaturë. Nga momenti që shfaqet temperatura, atëherë mund të anojmë drejt infeksioneve virale apo bakteriale”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas tij, temperatura është një indikator shumë i rëndësishëm për ta bërë dallimin e saktë mes alergjive dhe sëmundjeve infektive, pasi reaksionet alergjike nuk shoqërohen me rritje të temperaturës trupore.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, alergologu Ylli Ahmetaj ka folur për alergjitë më të rrezikshme që prekin sidomos fëmijët, duke theksuar se disa prej tyre mund të çojnë brenda pak minutash në shok anafilaktik—një gjendje që rrezikon drejtpërdrejt jetën.
Ahmetaj sqaroi se alergjitë më agresive dhe potencialisht vdekjeprurëse janë ato ndaj kikirikëve, peshkut, si dhe ndaj produkteve ushqimore përfshirë mishin e kuq, mishin e bardhë të pulës dhe ushqimet e procesuara apo ultra të procesuara, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në dietën e fëmijëve.
“Alergjitë ndaj kikirikëve dinë të çojnë në reaksione anafilaktike, që më pas mund të përfundojnë në shok anafilaktik. Këto janë vdekjeprurëse dhe mund të kapen në çdo periudhë të jetës, por më të prekurit janë fëmijët e vegjël”, theksoi ai.
Alergologu përmendi se rastet e rënda nuk lidhen vetëm me konsumimin e drejtpërdrejtë të ushqimit.
"Edhe kontaktet më të thjeshta—si një puthje prej një familjari që ka konsumuar kikirikë, apo prekja e lëkurës së një fëmije të ndjeshëm, mund të mjaftojnë për të shkaktuar një reagim të menjëhershëm alergjik. Në praktikë ka ndodhur që fëmijët të përfundojnë në gjendje shumë të rëndë, madje edhe të humbasin jetën, vetëm nga kontakti me mbetjet e kikirikëve tek familjarët”, tha Ahmetaj.
Ai nënvizoi se fëmijët e moshave shumë të hershme, përfshirë edhe foshnjat 1–2 vjeç janë më të rrezikuarit, sepse sistemi i tyre imunitar reagon më fuqishëm dhe më shpejt.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Në episodin e 55-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, alergologu Ylli Ahmetaj solli një shpjegim të qartë rreth alergjive – një nga problemet shëndetësore më të përhapura të kohës sonë.
Ai i cilësoi alergjitë si “sëmundja e shekullit XXI”, me rritje të vazhdueshme tek fëmijët dhe të rriturit.
Ahmetaj theksoi se faktorët kryesorë lidhen me stilin e jetës moderne: ndotja, ndryshimet klimatike, ushqimet e përpunuara, qëndrimi i gjatë në ambiente të mbyllura dhe te “pastërtia” që krijon mungesë ekspozimi ndaj mikrobeve.
Sipas tij, fëmijët që rriten në ambiente shumë sterile kanë më shumë gjasa të zhvillojnë alergji.
Ahmetaj theksoi se shenjat më të shpeshta janë rrjedhja e hundëve, sy të skuqur e me lot, kollë, kruarje e lëkurës dhe skuqje.
Siç u shpreh ai shpesh alergjitë ngatërrohen me ftohjen ose gripin, prandaj shumë pacientë vonohen të kërkojnë ndihmë.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
Radiologia Shkëndije Nuza gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", nga United Hospital ka folur për një nga sfidat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme në mjekësi: komunikimin me pacientin në momentet kur ekziston dyshimi për kancer.
Ajo ka theksuar se roli i radiologut nuk është vetëm identifikimi i ndryshimeve në trupin e pacientit, por edhe mënyra se si këto informata përcillen, duke ruajtur profesionalizmin dhe ndjeshmërinë.
“Po ta diagnostikosh në fazën e hershme dhe vet pacientit t’i thuash që je me kancer... duhet të gjesh mënyrën se si duhet t’i thuash pacientit”, ka thënë Nuza, duke theksuar se një komunikim i tillë duhet të bëhet me shumë kujdes.
Sipas saj, përgjegjësia e radiologut është të shpjegojë me qartësi çdo ndryshim të vërejtur në trupin e pacientit, por pa nxjerrë përfundime përfundimtare pa prova laboratorike. Ajo thekson se procesi diagnostikues është i strukturuar dhe kërkon respektim të rreptë të procedurave.
“Radiologu ka për detyrë që t’ia sqarojë ndryshimin në trupin e pacientit. Kur t’i thuash pacientit që duhet të bëjë biopsi dhe pyetja e parë që vjen është ‘a është kancer’, nuk mund t’i thuash pacientit që është kancer përderisa është mikroskopi ai që e vendos se cili lloj është dhe çfarë lloji është”, ka shpjeguar ajo.
Nuza nënvizon se vetëm analiza mikroskopike – pra biopsia – e konfirmon natyrën e qelizave dhe përcakton llojin e saktë të sëmundjes. Deri atëherë, radiologët bazohen në imazhe dhe ndryshime që mund të sugjerojnë shumëçka, por nuk mund të përdoren për një diagnozë përfundimtare.
“Këto janë procedura të cilat hap pas hapi duhet t’i ndjekësh”, ka thënë radiologia, duke theksuar rëndësinë e protokolleve dhe të komunikimit etik me pacientët.
Për më shumë shikoni të plotë "shëndeti në rend të parë":
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialistja e radiologjisë, Shkëndije Nuza ka sqaruar disa keqkuptime të përhapura lidhur me mamografinë, radiografinë (rëntgenin) dhe ekzaminimet CT, sidomos përsa i përket rrezatimit dhe sigurisë së këtyre metodave diagnostike.
Sipas Nuzës, si radiografia ashtu edhe skaneri (CT) funksionojnë me rrezatim jonizues. Po ashtu edhe mamografia përdor rrezatim, por ajo thekson se: “Mamografia ka një dozë jashtëzakonisht të ulët ekspozimi, shumë më të ulët se CT-ja dhe rëntgeni klasik”.
Nuza sqaroi se rrezet absorbohen kryesisht nga kockat, pasi ato përmbajnë më shumë kalcium.
“Indet e gjirit nuk kanë strukturë kockore, prandaj edhe doza e nevojshme për të bërë mamografinë është shumë e ulët”.
Sipas saj nuk ekziston asnjë punim shkencor zyrtar në botë që vërteton se mamografia shkakton kancer të gjirit.
Ajo po ashtu tregoi se sipas protokolleve mjekësore mamografia bëhet zakonisht pas moshës 40 vjeç.
“Nuk rekomandohet më shpesh se një herë në vit në rast se nuk ka gjetje patologjike. Në rastet e zakonshme në çdo dy vjet është e mjaftueshme. Nën moshën 40 vjeç, mamografia nuk rekomandohet, përveç në raste të veçanta, kur ekziston një anamnezë familjare shumë e fortë për kancer gjiri (p.sh. nëna, motra, gjyshja, tezja). Vetëm gratë me zinxhir të fortë familjar të prekjes nga kanceri mund të bëjnë mamografi para moshës 40 vjeçare, pasi konsiderohen grup i rrezikut të lartë”, shpjegoi Nuza. .
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbwshtetur nga United Hospital, specialistja e radiologjisë, Shkëndije Nuza ka sqaruar disa keqkuptime rreth profesionit të radiologut dhe ka folur për një nga procedurat më të ndjeshme në këtë fushë: biopsinë e mushkërive.
Sipas Nuzës, megjithëse biopsitë e mushkërive janë procedura të sigurta, ato mund të shoqërohen me një komplikim të mundshëm.
Ajo tregoi se komplikimi më i shpeshtë që mund të ndodhë te biopsitë e mushkërive është pneumotoraksi.
Ky komplikim ndodh për shkak se mushkëritë përmbajnë shumë ajër, dhe gjatë marrjes së mostrës së indit, sidomos kur procesi patologjik ndodhet në pjesën qendrore të mushkërisë, mund të krijohet një hapësirë ku ajri del jashtë strukturës së mushkërisë – një situatë që njihet si pneumotoraks.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Onkologia Dafina Ademi-Islami gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital ka folur për llojet më të shpeshta të kancerit në vendin tonë dhe faktorët që ndikojnë në këto statistika.
Sipas saj, struktura demografike e popullatës në Kosovë luan rol kyç në llojet e kancerit që paraqiten më shpesh.
“Në vendin tonë, meqë jemi popullatë e re, te gratë kanceri numër një është kanceri i gjirit. Ndërsa te burrat, si kancer më i përhapur është kanceri i mushkërive”, tha ajo gjatë intervistës.
Ndryshe nga vendet e zhvilluara, ku popullata është dukshëm më e moshuar, atje kanceri i prostatës shfaqet më shpesh tek burrat. Pikërisht moshat më të larta janë arsyeja pse statistikat dallojnë.
“Në vendet e zhvilluara përqindja e personave mbi 65 vjeç është shumë e lartë, prandaj atje flitet për kancer të prostatës si më të shpeshtin. Te ne, ende dominon kanceri i mushkërive”, sqaroi Ademi-Islami.
Onkologja theksoi gjithashtu se nuk ekzistojnë ushqime “mrekullibërëse” që e shërojnë kancerin, por zgjedhjet e shëndetshme në të ushqyer janë thelbësore: “Ushqyerja e shëndetshme është shumë e rëndësishme për trupin dhe imunitetin – jo vetëm pas diagnostikimit, por gjatë gjithë jetës”.
Ajo potencoi se stili i jetesës, aktiviteti fizik dhe reduktimi i faktorëve të rrezikut janë aleatë të rëndësishëm në parandalim.
Ademi-Islami bëri thirrje për më shumë edukim shëndetësor në shkolla, duke theksuar se fëmijët ekspozohen herët ndaj produkteve të dëmshme, veçanërisht pijeve energjike.
“Duhet më shumë edukim për të rinjtë dhe ndalimi i pijeve energjike te fëmijët, të cilat po bëhen shqetësim serioz në shëndetin e tyre”, theksoi ajo.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, onkologja Dafina Ademi-Islami foli gjerësisht për rëndësinë e depistimit të hershëm të kancerit të gjirit, duke theksuar domosdoshmërinë e kontrolleve të rregullta – veçanërisht për gratë që vijnë nga familje me histori të kësaj sëmundjeje.
Sipas Ademi-Islamit, ekzaminimi klinik i bërë nga mjeku mbetet hapi bazë dhe i pazëvendësueshëm në zbulimin e hershëm.
Ajo tha se për gratë dhe vajzat që kanë raste të afërta të kancerit të gjirit në familje, kontrollet duhet të fillojnë shumë më herët sesa rekomandimet standarde.
“Ekzaminimi klinik prej anës së mjekut është shumë i rëndësishëm, mirëpo duhet pasur parasysh për gratë që në familjet e tyre kanë të prekura me kancer të gjirit, vajzat – gratë. Nëse e shohim që kemi nënën, tezen, hallën, të afërmit e parë të linjës së dytë të prekur me kancer të gjirit kjo duhet me qenë një shenjë që duhet të fillojmë kontrollet më herët”, theksoi ajo.
Më tej, Ademi-Islami sqaroi se rekomandimet e viteve të fundit kanë ndryshuar.
“Përpara kemi thënë 5 vite më herët, por edhe nëse fillojmë 10 vite më herët është më mirë. D.m.th. 10 vite më herët para se gruaja me moshën më të re të diagnostikuar në familje është diagnostikuar. Nëse dikush ka qenë mosha më e re 40 vjeç, atëherë ju duhet të lajmëroheni qysh në moshën 30-vjeçare për ekzaminime”.
Ajo shtoi se nuk ka kufizime në llojet e ekzaminimeve që mund të kryhen në këto raste të rrezikut të shtuar.
“Gratë mund t’i nënshtrohen mamografisë, incizimeve të ndryshme apo edhe rezonancës së gjinjve”, tha ajo.
Një nga pikëpamjet e gabuara më të përhapura, sipas onkologes, është perceptimi se kanceri i gjirit është plotësisht trashëgues.
Ajo theksoi: “10 deri 15 për qind është sëmundje trashëguese. Ngase njerëzit mendojnë që kjo është kryekëput trashëguese, por kjo nuk qëndron”.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":
Kujdesi për pacientët në United Hospital është gjithmonë në rendë të parë!
Me një ekip të përkushtuar dhe të kualifikuar të mjekëve, ofrojmë shërbime, trajtime dhe ndërhyrje kirurgjikale me teknologjinë më të avancuar, në zbulimin, diagnostikimin dhe trajntimin e sëmundjeve.
Prof. Dr. Halil Krasniqi, kirurg i njohur vaskular, ofron shërbime të avancuara në kirurgjinë vaskulare, duke përdorur metodat më bashkëkohorë në këtë fushë. Ai ka kryer me sukses intervenimin e trombendarteriektomisë së arteries femorale me metoden më inovative STRIPING të Arteries, ( hapjen e arteries mbi 40 cm me një prerje prej 7 cm), një ndërhyrje e komplikuar jetëshpëtuese që vjen si pasojë e ngushtimit ose bllokimit të arteries femorale dhe është zakonisht pasojë e një procesi të gjatë të sklerozës së enëve të gjakut.
Arteria para operacionit
Shkaqet
Ngushtimi ose bllokimi i arteries femorale është zakonisht pasojë e një procesi të gjatë të sklerozës së enëve të gjakut. Faktorët më të shpeshtë që çojnë në këtë gjendje janë duhanpirja, diabeti, tensioni i lartë i gjakut, yndyrnat e larta në gjak dhe mosha. Këto shkaktojnë grumbullim të materialit aterosklerotik në murin e arteries, duke e ngushtuar gradualisht atë derisa rrjedhja e gjakut në këmbë zvogëlohet ndjeshëm.
Klinika
Pacientët zakonisht shfaqin dhimbje në këmbë gjatë ecjes, që i detyron të ndalen pas disa metrash, e njohur si sëmundja e vitrinave. Në faza më të avancuara paraqiten dhimbje në qetësi, plagë që nuk shërohen dhe, në raste të rënda, rrezik i humbjes së indeve të këmbës. Këto simptoma ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe lëvizshmërinë e pacientit, duke e kufizuar rëndë aktivitetin e përditshëm.
Preparati i cili është hequr nga arteria
Diagnostika
Diagnoza fillon me ekzaminimin klinik dhe matjen e pulsit periferik. Doppleri vaskular dhe ultrazëri i enëve të gjakut tregojnë përshtypjen e parë për vendin dhe shkallën e stenozës. Për një vlerësim më të saktë përdoren CTA ose MRA, të cilat tregojnë qartë bllokimin, gjatësinë e tij dhe mundësinë e trajtimit.
Suksesi në United Hospital
Në United Hospital, nën drejtimin e Prof. Dr. Halil Krasniqi, kirurg vaskular me renome botërore, u realizua intervenimi i trombendarteriektomisë së arteries femorale me metoden më inovative STRIPING të Arteries, ( hapjen e arteries mbi 40 cm me një prerje prej 7 cm). Ky sukses është dëshmi e nivelit të lartë profesional dhe teknologjisë së avancuar që ofron spitali për pacientët me sëmundje të rënda vaskulare.
Inqizimi me angiografi, pas heqjës dhe hapjes se artieries
Trajtimi
Kur ngushtimi është i rëndë ose kur arteri është i mbyllur plotësisht dhe trajtimet endovaskulare nuk mjaftojnë, atëherë nevojitet ndërhyrja kirurgjikale e hapur. Procedura kryesore është Trombendarteriektomia, ku materiali aterosklerotik dhe trombotik hiqet me kujdes nga brendësia e arteries për të rikthyer rrjedhën natyrale të gjakut. Në disa raste nevojitet edhe pastrimi i arteries në një segment më të gjatë, duke siguruar që të gjitha pjesët e bllokuara të eliminohen.
Pas heqjes së materialit, arteria shpesh zgjerohet dhe forcohet me një Patch Plastik, që mund të jetë nga material sintetik ose nga inde të pacientit. Kjo teknikë e stabilizon murin e arteries dhe minimizon rrezikun e mbylljes së përsëritur.
Trajtimi i suksesshëm çon në përmirësim të dukshëm të ecjes, zvogëlim të dhimbjeve dhe parandalim të komplikimeve të rënda si nekroza apo amputimi. Shumë pacientë e rimarrin lëvizshmërinë dhe cilësinë e jetës pas ndërhyrjes.
"Mos prisni derisa të ndodhë sëmundja – diagnostikimi dhe trajtimi në kohë shpëton jetë", thotë Prof. Dr. Krasniqi.
Në episodin e 52-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital biseduam me onkologen Dafina Ademi-Islami – një prej profesionisteve më të respektuara të fushës së onkologjisë në Kosovë.
Ademi diskutoi prejardhjen e saj profesionale, përvojat më të forta nga terreni, sfidat e pacientëve me kancer, mitet, faktet dhe rëndësinë jetike të parandalimit dhe zbulimit të hershëm.
Ademi-Islami tregoi udhëtimin e saj profesional – nga studimet në Kosovë, eksperienca formuese në SHBA, e deri te specializimi i përbashkët me motrën e saj.
Ajo solli një histori të veçantë nga vitet e hershme të karrierës, kur për herë të parë pa nga afër një paciente të diagnostikuar me kancer që, falë informacionit të saktë, ishte e qetë dhe plot besim.
Sipas saj, informacioni i saktë zvogëlon frikën dhe rrit shpresën, çka në onkologji është gjysma e rrugës drejt shërimit emocional të pacientit.
“Arma më e mirë është fjala. Fjala e mirë shëron”, tha Ademi-Islami.
Sipas saj, mënyra se si i komunikohet pacientit diagnoza, trajtimi dhe pritjet është thelbësore.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i cili projekt është në partnerit me Telegrafi dhe Ipko dhe mbështetet nga United Hospital. /Telegrafi/
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialistja e Biokimisë Klinike, Nerxhivane Gërguri-Retkoceri, foli për rëndësinë thelbësore që ka ushqimi në funksionimin e organizmit dhe ndikimin që sjellin zakonet ushqimore moderne te gjendja jonë shëndetësore.
Sipas saj, ushqimi është një faktor kyç në metabolizmin e proteinave, karbohidrateve dhe lipideve — procese pa të cilat organizmi nuk mund të funksionojë si duhet.
Por, me rritjen e konsumit të ushqimeve të shpejta dhe me prirjen e të rinjve për të ngrënë më shpesh jashtë sesa në shtëpi, po vërehen gjithnjë e më shumë çrregullime metabolike.
Gërguri-Retkoceri theksoi se modernizimi i mënyrës së të ushqyerit po ndikon veçanërisht në metabolizmin e lipideve dhe në rritjen e rasteve me çrregullime të metabolizmit të glukozës.
Një prej faktorëve shqetësues është konsumi i tepërt i pijeve energjike.
“Pijet energjike të cilat preferohen prej të rinjve përmbajnë një sasi shumë të lartë të glukozës. Dhe në këtë mënyrë, kur kemi një nivel të lartë të glukozës në gjak, kjo menjëherë e rrit stimulimin e insulinës prej pankreasit, që çon deri në një insuficiencë pankreatike nëse merren për një kohë të gjatë. Pas një kohe edhe prodhimi i insulinës vjen e pakësohet ose shfaqet rezistenca ndaj insulinës”, u shpreh ajo.
Specialistja paralajmëroi se përdorimi i vazhdueshëm i ushqimeve të përpunuara, pijeve të ëmbla dhe energjikeve mund të rrisë rrezikun për diabet, çrregullime hormonale dhe probleme kardiovaskulare.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, specialistja e Biokimisë Klinike, Nerxhivane Gërguri-Retkoceri ka folur për rëndësinë e analizave laboratorike në monitorimin e rritjes dhe zhvillimit të fëmijëve.
Ajo ka theksuar se një ndër treguesit më të rëndësishëm për vlerësimin e shëndetit është hemogrami, i njohur ndryshe si pasqyra e gjakut.
Sipas Gërguri-Retkocerit, përmes këtyre analizave mund të identifikohen herët mungesat e rëndësishme, sidomos mungesa e hekurit, e cila është një ndër problemet më të shpeshta tek fëmijët.
Ajo theksoi se hekuri luan rol thelbësor në zhvillimin e trurit dhe funksionimin e organeve jetike.
“Me anë të analizave laboratorike ne e përcjellim rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve sidomos në bazë të hemogramit ose pasqyrës së gjakut. Ne e shohim që ai fëmijë ka mungesë të hekurit, ku e dimë që hekuri është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e trurit. Në mungesë të tij paraqitet mungesë e oksigjenimit të trurit apo zemrës dhe në këtë rast tek këta fëmijë përveç që do të ketë ngecje në zhvillimin psikik, mund të ketë ngecje edhe në zhvillimin fizik”, ka thënë Gërguri-Retkoceri.
Ajo apeloi që prindërit t’i kushtojnë rëndësi kontrolleve të rregullta të fëmijëve, pasi diagnostikimi i hershëm i mungesës së hekurit dhe trajtimi adekuat mund të parandalojë vonesat në zhvillim dhe pasojat afatgjata në shëndet.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, specialistja e Biokimisë Klinike, Nerxhivane Gërguri-Retkoceri, ka shpjeguar rolin thelbësor që biokimia klinike ka në zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe në mirëmbajtjen e shëndetit të përgjithshëm.
Sipas saj, biokimia klinike është një disiplinë mjekësore që studion çrregullimet e metabolizmit të trupit.
Ajo sqaron se në organizmin tonë çdo ditë zhvillohen procese të shumta metabolike, të cilat varen nga balanca mes substancave ushqyese dhe funksionimit të organeve.
Gërguri-Retkoceri tha se kur këto procese zhvillohen normalisht, trupi konsiderohet i shëndetshëm.
Siç u shpreh biokimistja çdo devijim i metabolizmit reflekton menjëherë në analizat laboratorike, duke sinjalizuar se diçka nuk po funksionon si duhet.
“Çdo ndryshim që ndodh në organizmin tonë pasqyrohet në analizat laboratorike. Ato janë pasqyra e brendshme e trupit tonë”, thekson Gërguri Retkoceri.
Pikërisht për këtë arsye, analiza të thjeshta në laborator mund të ndihmojnë në identifikimin e hershëm të sëmundjeve, shpesh edhe para se të shfaqen simptomat klinike.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë të “Shëndeti në rend të parë”. /Telegrafi/
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, kardiologu Daut Gorani ka folur për ndikimin e stresit në shëndetin e zemrës dhe mënyrën se si hormoni kortizol ndikon në organizëm.
Sipas tij, stresi është një ndër faktorët më të rrezikshëm për shëndetin kardiovaskular, pasi nxit një zinxhir reaksionesh hormonale që mund të përfundojnë me pasoja serioze për zemrën.
“Stresi shkakton prodhimin e kortizolit, dhe kortizoli është një hormon që aktivizon në mënyrë zinxhirore hormone të tjera në organizëm, gjë që mund të çojë deri te aksidentet kardiovaskulare,” – shpjegoi Gorani.
Mjeku tregoi edhe një rast të rrallë që ka hasur gjatë këtij viti: një djalosh 15-vjeçar që vuante nga hiperkortizolemia, pra prodhimi i tepërt i kortizolit në trup.
“Pediatri më kërkoi t’i bëja një koreonografi, dhe u tmerrova kur pashë se të tri arteriet koronare të atij djaloshi ishin të ngushtuara. Ai nuk ishte duhanpirës, nuk kishte obezitet dhe asnjë faktor tjetër të njohur të rrezikut, por kishte nivel shumë të lartë të kortizolit. Ky ishte një problem i lindur, me bazë gjenetike”, tha Gorani.
Sipas kardiologut, rasti tregon qartë se hiperkortizolemia mund të shkaktojë dëmtime serioze në sistemin kardiovaskular, edhe në moshë shumë të re.
Ai shtoi se në rastet kur kortizoli lirohet si pasojë e stresit të përditshëm, ndodh një “efekt zinxhir” që përfshin aktivizimin e qelizave, rritjen e adrenalinës dhe përfundimisht ngushtimin e arterieve të zemrës.
“Pra, stresi nuk është thjesht një gjendje emocionale — ai ndikon drejtpërdrejt në zemrën tonë, përmes hormoneve që trupi prodhon”, theksoi Gorani.
Për më shumë shikoni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, kardiologu, Daut Gorani ka folur për ndikimin e stresit dhe faktorëve të tjerë të jetesës moderne në shëndetin e zemrës.
Sipas tij, stresi është bërë një nga armiqtë më të mëdhenj të shëndetit kardiovaskular, pasi jeta e shpejtë, obligimet e shumta dhe presionet ekonomike po e bëjnë popullatën gjithnjë e më të ekspozuar ndaj problemeve të zemrës.
“Stresi çdo ditë është më i pranishëm te popullata, jeta aktive, hiperdinamike, obligimet e shumta, krizat ekonomike, etj”, ka theksuar Gorani.
Në mesin e faktorëve të tjerë që ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës, Gorani ka veçuar konsumin e duhanit dhe sëmundjen e diabetit, të cilat sipas tij mbeten ndër shkaktarët kryesorë të sëmundjeve të arterieve koronare.
“Në anën tjetër është konsumi i duhanit, i cili është shumë i pranishëm te popullsia fatkeqësisht. Është një numër i madh që konsumojnë duhan vend e pa vend, kohë e pa kohë dhe kjo natyrisht që shkakton pasojat e veta në arteriet koronare”.
Ai thekson se diabeti është një nga faktorët më të mëdhenj të rrezikut, me pasoja të drejtpërdrejta në zemër dhe sistemin e qarkullimit të gjakut: “Diabeti është një nga faktorët e mëdhenj të rrezikut me të gjitha komplikimet përcjellëse”.
Për më shumë ndiqeni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:
Në episodin e 51-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të përkrahur nga United Hospital, Daut Gorani, kardiolog me përvojë të gjatë dhe njohës i sëmundjeve të zemrës ka folur për sfidat e shëndetit kardiovaskular në kohën moderne, ku stresi, ushqimi i parregullt dhe mungesa e gjumit po bëhen armiqtë kryesorë të zemrës.
Gorani tregon se çdo vit po rritet numri i të sëmurëve nga zemra – përfshirë edhe të rinjtë – dhe shpjegon pse gjenetika, stresi kronik dhe stili i jetesës po ndikojnë drejtpërdrejt në këtë rritje.
“Stresi çdo ditë është më i pranishëm te popullata, jeta aktive, hiperdinamike, obligimet e shumta, krizat ekonomike, etj. Në anën tjetër është konsumi i duhanit, i cili është shumë i pranishëm te popullsia fatkeqësisht. Është një numër i madh që konsumojnë duhan vend e pa vend, kohë e pa kohë dhe kjo natyrisht që shkakton pasojat e veta në arteriet koronare. Pastaj është sëmundja e diabetit. Diabeti është një nga faktorët e mëdhenj të rrezikut me të gjitha komplikimet përcjellëse ”, ka thënë Gorani.
Ai rrëfen raste të rralla, si një djalosh 15-vjeçar me arterie të ngushtuara, por edhe histori që tregojnë se zemra “flet” përmes simptomave të vogla që shpesh neglizhohen: shtrëngime në gjoks, dhimbje në nofull apo lodhje të pazakontë.
Doktori Gorani ka folur edhe se cilat janë faktorët më të rrezikshëm për sëmundjet e zemrës sot, si ndikon stresi dhe mungesa e gjumit në prodhimin e kortizolit dhe në bllokimin e arterieve, pse edhe sportistët mund të përjetojnë infarkt, dhe cilat janë tri zakonet e arta për një zemër të shëndetshme: ushqimi mesdhetar, aktiviteti fizik i përditshëm dhe gjumi i rregullt. /Telegrafi/