Agjencia e Regjistrimit Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme ka mbajtur sot në Prishtinë një sesion informues me përfaqësuesit e zyrave të gjendjes civile nga 38 komunat e Republikës së Kosovës, lidhur me zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete.
Sipas njoftimit të MPB-së, takimi kishte për qëllim informimin dhe koordinimin ndërinstitucional, si dhe diskutimin e çështjeve praktike që ndërlidhen me kompetencat e gjendjes civile, veçanërisht procedurat për shtetasit e huaj dhe zbatimin e dispozitave ligjore në praktikë.
Gjatë sesionit, Shefja e Kabinetit në MPB, Jeta Tela, theksoi se përputhja e kornizës ligjore dhe institucionale të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë Ligjin për të Huajt dhe Ligjin për Automjete, lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim dhe proceset e tjera integruese. Ajo vlerësoi se zbatimi i ligjeve në mënyrë transparente dhe pa diskriminim është thelbësor për përmbushjen e pritshmërive pas liberalizimit të vizave dhe për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE.
Po ashtu, u theksua roli i rëndësishëm që kanë zyrat e gjendjes civile në të gjitha komunat për zbatimin korrekt të obligimeve ligjore që burojnë nga këto dy ligje. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për bashkëpunim të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe institucionet e tjera relevante, për shkëmbim të informatave dhe adresim të sfidave që mund të paraqiten gjatë punës në terren.
Nga MPB u bë e ditur se ky sesion informues është pjesë e një fushate intensive, përmes së cilës synohet përfshirja e të gjithë akterëve relevantë dhe sigurimi që informacionet të arrijnë te qytetarët, shtetasit e huaj dhe vizitorët, përmes formave të ndryshme të komunikimit.
Fushata informuese, sipas njoftimit, do të vazhdojë deri më 15 mars 2026, me qëllim të lehtësimit të qasjes në informata dhe sigurimit të respektimit të legjislacionit në fuqi. /Telegrafi/
Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe dëmeve nga përmbytjet e reshjet e fundit, disa komuna në vend kanë vendosur të shtyjnë rifillimin e procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë të vitit shkollor 2025/2026.
Komuna e Malishevës, ajo e Drenasit dhe e Fushë Kosovës janë komunat që kanë marrë vendim për shtyrje të nisjes së procesit mësimorë.
Komuna e Malishevës ka vendosur që procesi mësimor të shtyhet deri më 14 janar 2026 për shkak të reshjeve dhe përmbytjeve që kanë krijuar vështirësi në terren dhe kanë dëmtuar infrastrukturën e rrugëve.
Edhe ajo e Drenasit ka shtyrë fillimin e mësimit deri të mërkurën, duke qenë një nga komunat që po përballet me pasojat e motit të keq dhe dëmtime të infrastrukturës së shkollave dhe rrugëve.
Kurse komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në të gjitha shkollat do të jetë më 19 janar 2026, pasi kushtet aktuale përfshirë vështirësitë në qarkullim dhe problemet me ngrohjen nuk lejojnë zhvillimin normal të procesit mësimor.
E për dallim nga këto komuna në komunat tjera procesi mësimor do të nis sot.
Komuna e Prishtinës bëri të ditur se nga nesër mësimi do të mbahet në të gjitha shkollat, pasi janë krijuar kushtet e nevojshme për sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor.
Në anën tjetër, kryetari i SBASHK-ut, Rrhaman Jasharaj ka kërkuar që fillimi i gjysmëvjetorit të dytë të shtyhet edhe për disa ditë në nivel vendi, duke theksuar se temperaturat e ulëta dhe kushtet jo të përshtatshme në disa shkolla paraqesin rrezik për shëndetin e nxënësve dhe stafit arsimor.
Gjysmëvjetori i dytë i mësimit ishte planifikuar të fillonte më 8 janar.
Por, pas vërshimeve në fillimjavë, Ministria e Arsimit e shtyu nisjen për 12 janar.
Kosova ka një javë që po përballet me vërshime të mëdha, sidomos në disa komuna, ku lumenjtë kanë dalë nga shtretërit. /Telegrafi/
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka njoftuar se situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës.
Sipas të dhënave zyrtare të marra nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.
“Situata në shumicën e komunave është e menaxhueshme. Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vetëm vështirësi të lokalizuara në qarkullim rrugor”, thuhet në njoftimin e Agjencisë.
Gjendja sipas rajoneve:
Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet nën kontroll.
Prizren: Intervenime minimale gjatë natës, kryesisht të natyrës teknike.
Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; disa familje në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie.
Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; komunat e tjera me gjendje stabile.
Gjakovë & Gjilan: Gjendje e qetë dhe nën kontroll; niveli i ujit në lumenj ka filluar të bjerë.
Agjencia thekson se njësitë profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit janë të mobilizuar në të gjithë vendin dhe se sistemi i komunikimit emergjent 112 po monitoron situatën 24/7.
“Reshjet e borës dhe ngricat mund të shkaktojnë vështirësi në disa rrugë, disa prej të cilave mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Apelojmë te qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes”, thuhet më tej.
Po ashtu, Agjencia ka bashkëpunuar me KEK-un dhe KOSTT-in, duke ofruar pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura.
“Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë dhe do të ndërhyjnë sipas nevojës”, shtohet në njoftim. /Telegrafi/
Situata në disa komuna të Kosovës është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe vërshimeve, duke shkaktuar dëme serioze në ekonomi, infrastruktura publike dhe bujqësi.
Komunat kanë njoftuar se situata është alarmante në lumin Mirusha në Malishevë, ku diga është në gjendje të rrezikshme dhe kërcënon jetën dhe pronat e qytetarëve.
Në një prononcim për Telegrafin, kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka theksuar se komunat nuk kanë kapacitetet financiare për të përballuar dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore dhe ka kërkuar krijimin urgjent të një Fondi Emergjent për Komuna.
“Gjatë ditës së sotme isha në kontakt të drejtpërdrejtë me kryetarët e komunave të Gjakovës, Drenasit, Malishevës, Deçanit, Suharekës, Rahovecit, Klinës, Junikut dhe komunave të tjera të prekura nga vërshimet. Nga informacionet e pranuara dhe vlerësimet në terren, dëmet janë serioze, si për ekonomitë familjare dhe bizneset, ashtu edhe në mënyrë shumë më shqetësuese për infrastrukturën publike. Si AKK kemi kërkuar dhe kërkojmë themelimin e menjëhershëm të Fondit Emergjent për Komuna, si mekanizëm i përhershëm që u mundëson komunave reagim të shpejtë në raste fatkeqësish natyrore”, ka deklaruar Ibrahimi.
Ai ka shtuar se komunat janë institucionet e para në terren që reagojnë gjatë fatkeqësive natyrore.
“Pa fond emergjent, reagimi vonohet, rrezikohen jetët e qytetarëve, rriten dëmet materiale,” tha Ibrahimi, duke nënvizuar nevojën për një mekanizëm të përhershëm që mundëson reagim të shpejtë dhe profesional në raste emergjencash.
Ibrahimi ka rikujtuar se komunat nuk kanë buxhet për t’i mbuluar dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe fatkeqësitë tjera, duke shtuar se për këtë arsye niveli qendror duhet të lejojë rishikimin e buxheteve komunale dhe të sigurojë fonde të menjëhershme.
“Është e rëndësishme të theksohet se komunat kanë intervenuar me mjete vetanake për parandalimin dhe menaxhimin e situatave emergjente. Megjithatë, ekonomitë familjare dhe bizneset nuk janë kompensuar plotësisht, madje as për dëmet e shkaktuara nga fatkeqësitë në vitet e kaluara. Një shembull konkret është komuna e Drenasit, ku nga reshjet e para disa viteve janë dëmtuar shtatë (7) ura, dhe deri më sot nuk ka pasur ndërhyrje për sanimin e tyre. Kjo gjendje është e papranueshme dhe tregon qartë dështimin e mekanizmave aktualë të kompensimit”, tha ai.
Ibrahimi shtoi se nëse kuvendet komunale, mbi bazën e vlerësimeve profesionale të komisioneve komunale, miratojnë vendime për dëmet dhe kompensimin, atëherë niveli qendror duhet t’i ekzekutojë këto vendime.
“Në rast se niveli qendror nuk u beson këtyre vlerësimeve, atëherë le të formojë komisione vlerësuese nga niveli qendror, por vlerësimet e tyre duhet të ekzekutohen, e jo të mbesin peng i procedurave burokratike që zgjasin me vite. Nuk mund të vazhdojmë të kemi situata ku dëmet mbesin të pakompensuara për vite të tëra, ndërsa qytetarët dhe komunat mbajnë barrën financiare të fatkeqësive natyrore. Kjo gjendje duhet dhe duhet të ndryshojë”, u shpreh Ibrahimi. /Telegrafi/
Reshjet e rrëmbyeshme të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të shumta në disa komuna të Kosovës, duke rrezikuar infrastrukturën dhe sigurinë e qytetarëve.
Në Drenas, shira të pandërprerë gjatë 24 orëve të fundit kanë përmbytur disa zona të qytetit, ndërsa sipas disa ankesave që ka marrë Telegrafi nga qytetarët, ata kanë mbetur të ngujuar në shtëpitë e tyre.
Vërshime në Drenas
Telegrafi ka kontaktuar me Nexhmendin Grudën nga Drejtoria për Shërbime Publike dhe Emergjencë në Komunën e Drenasit, i cili ka thënë se aktualisht gjendja nuk është alarmante, por që zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit.
“Aktualisht në komunën tonë nuk është gjendja kritike, por që në bashkëpunim me zjarrëfikësit, jemi duke u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur nga reshjet e shiut. Zonat më të prekura janë Arllati, Komorani dhe një pjesë e qytetit, por që situatën e kemi nën kontroll”, tha Gruda.
Meteorologët paralajmërojnë se reshjet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera.
Situatë problematike vazhdon të jetë edhe në Malishevë, ku parkingu nëntokësor dhe nënkalimi për vetura janë përfshirë sërish nga uji. Ky objekt kishte dalë jashtë funksionit edhe pak ditë pas përurimit të tij, si pasojë e reshjeve dhe grumbullimit të ujit. Edhe pse Komuna e Malishevës më herët kishte deklaruar se problemi lidhej me bllokimin e sistemit të kullimit nga qytetarë të papërgjegjshëm, pamjet e fundit të publikuara në rrjetet sociale tregojnë se situata nuk është zgjidhur. Parkingu mbetet i pakalueshëm për automjetet, duke shkaktuar vështirësi të konsiderueshme për drejtuesit e tyre.
Ndërkohë, Komuna e Gjakovës ka njoftuar se për shkak të shkrirjes së shpejtë të borës në zonat malore dhe reshjeve të vazhdueshme të shiut, gjendja në disa pjesë të komunës paraqitet e paqëndrueshme. Më e rrezikuar situata është pranë lumenjve, të cilët po përballen me prurje të mëdha të ujit. Si pasojë, është bllokuar përkohësisht rruga “Bujar Roka” dhe ura e Shkugëzes, pasi kalimi është vështirësuar nga rritja e nivelit të lumit Erenik.
Situatë e rënduar është edhe në disa pjesë të Prishtinës, ku lagjet si Prishtina e Re, Dardania, Lakërishtë dhe disa zona të tjera janë duke u përballur me vërshime.
Vërshime të mëdha janë raportuar edhe në fshatin Fortesë të Rahovecit, ku pothuajse i gjithë fshati është vërshuar nga uji.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, reshjet e shiut nga data 3 deri më 5 janar 2026 kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të niveleve të ujit në pjesën perëndimore të vendit, veçanërisht në pellgun e Drinit të Bardhë.
Fshati Fortesë në Rahovec
Vërshime janë raportuar edhe në Gllarevë, më saktësisht në pjesën ku është duke u punuar në rrugën Klinë-Pejë, ku veturat janë duke hasur në vështirësi të kalojnë.
Situatë e rënduar raportohet edhe nga Lipjani, ku lexuesit e Telegrafit kanë dërguar edhe video se si veturat e kanë të vështirë të qarkullojnë lirshëm.
Lumenjtë që burojnë nga Alpet Shqiptare, përfshirë Erenikun, Bistricën e Pejës, Bistricën e Deçanit dhe Lumin e Istogut, kanë shënuar rritje të theksuar të niveleve, duke rritur rrezikun për dalje nga shtrati në disa zona.
Sasitë më të mëdha të reshjeve janë regjistruar në Junik me 231.5 mm, Gllogjan me 151.6 mm, Kuqishtë me 130.4 mm dhe Radoniq me 124.7 mm. Ndërkohë, niveli i lumit Erenik në Gjakovë ka arritur në 3.4 metra, një nga nivelet më të larta të matura gjatë kësaj periudhe.
Autoritetet komunale dhe institucionet përgjegjëse u bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht atyre që jetojnë pranë rrjedhave lumore, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndjekin njoftimet zyrtare, pasi situata mbetet e ndjeshme dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. /Telegrafi/
Viti 2025 ka qenë i mbushur me sfida për komunat e Kosovës, pasi përveç problemeve të përditshme, ato janë përballur edhe me përmbaruesit privat për shkak të kontratave kolektive.
Ky vit ka qenë sfidues edhe nga aspekti zgjedhor, pasi pas Zgjedhjeve Parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, u zhvilluan edhe Zgjedhjet Lokale më 12 tetor, për të vazhduar më pas me balotazhin në 18 komuna, i mbajtur më 9 nëntor.
Në një intervistë për Telegrafin, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha se menaxhimi i komunave ishte i mirë, por me probleme të shumta financiare.
"Menaxhimi i komunave gjatë vitit 2025 ka qenë i qëndrueshëm, profesional dhe me përgjegjësi të lartë, pavarësisht sfidave të shumta financiare dhe institucionale. Komunat kanë arritur të ruajnë funksionimin normal të shërbimeve publike dhe të zbatojnë obligimet ligjore edhe në rrethana të vështira. Kjo dëshmon se komunat mbeten niveli më efikas i qeverisjes publike në Kosovë", tha ai.
Ibrahimi foli edhe për sfidat që komunat kanë përballuar gjatë vitit 2025.
"Një nga sfidat më të mëdha gjatë vitit 2025 ka qenë marrja e dhjetëra milionave euro për zbatimin e kontratave kolektive. Kjo ka krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi buxhetet komunale dhe ka kufizuar hapësirën për investime dhe shërbime tjera", potencoi Drejtori i AKK-së.
Ai shtoi se: "Përveç kësaj, sfida të tjera kanë qenë: Mosfunksionimi i plotë i institucioneve qendrore që ka shkaktuar shumë probleme në aspektin financiar, por edhe legjislativ, ngarkesat e paplanifikuara financiare, vendimet e njëanshme pa konsultim me komunat, rritja e kostove operative për shkak të inflacionit".
Ibrahimi tregoi se sa i përhapur ka qenë problemi i mungesës së buxheteve dhe si është menaxhuar ai.
"Problemi i mungesës së buxheteve ka prekur pothuajse të gjitha komunat. Kjo situatë është përkeqësuar edhe nga nevoja për të mbuluar obligime shtesë, përfshirë zbatimin e kontratave kolektive. Komunat e kanë menaxhuar situatën përmes prioritizimit të shërbimeve esenciale, menaxhimit strikt financiar, në disa raste përmes shtyrjes së projekteve jo-urgjente, duke ruajtur stabilitetin institucional", deklaroi ai.
Drejtori i AKK-së u ndal edhe tek investimet kapitale më të rëndësishme të vitit 2025: "Pavarësisht kufizimeve buxhetore, komunat kanë realizuar investime të rëndësishme kapitale në fusha kyçe si: infrastruktura rrugore lokale, ujësjellësi dhe kanalizimi, arsimi dhe shëndetësia, menaxhimi i mbeturinave dhe mjedisi, efikasiteti energjetik dhe hapësirat publike".
"Është e rëndësishme të theksohet se komunat kanë një përqindje dukshëm më të lartë të buxhetit të shpenzuar për investime kapitale krahasuar me nivelin qendror, çka dëshmon orientimin e tyre drejt zhvillimit konkret dhe përmirësimit të drejtpërdrejtë të jetës së qytetarëve".
Ai shtoi po ashtu: "Proceset e zbatimit të ligjit kanë pasur ndikim të ndjeshëm, veçanërisht kur detyrimet ligjore nuk janë shoqëruar me burime financiare adekuate. Zbatimi i kontratave kolektive është shembulli më konkret i kësaj situate, ku komunat janë përballur me barrë financiare të madhe pa mbështetje shtesë. Megjithatë, komunat kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe kanë kërkuar vazhdimisht që zbatimi i ligjit të shoqërohet me parimin e bartjes së kompetencave me mjete financiare, në mënyrë që të mos rrezikohet ofrimi i shërbimeve publike."
Ekonomisti i njohur dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha për Telegrafin se komunat gjatë vitit 2025 janë përballur me mungesë të dialogut mes pushtetit lokal dhe atij qendror.
"Po, është e vërtetë që viti 2025, po ashtu vitet e fundit, në Kosovë është karakterizuar me një mungesë të dialogut mirëfilltë jo vetëm në relacion publiko-privat, po edhe nga niveli qendror dhe lokal, dhe në veçanti në nivelin e akterëve social. Ndëshkimi më i madh nga kjo mungesë e komunikimit ka gjeneruar efekte negative, por më të goditurat definitivisht kanë qenë komunat e Kosovës, të cilat, në vend që të jenë të orientuara në implementim të projekteve kapitale në interes të qytetarëve, janë ballafaquar me probleme të shumta, veçanërisht me përmbarues dhe në gjykata për datën kolektive, e cila kontratë vërtet ka ndikuar në rënien e performancës së kryetarëve të komunave në shumë komuna të Kosovës", tha ai.
"E tëra kjo ka ndikuar në Zgjedhjet Lokale dhe mbi të gjitha në mungesë të këtij komunikimi dhe dialogu të mirëfilltë nga niveli qendror-lokal, është demonstru politizim i skajshëm ku prioritet janë vetëm komunat që i përkasin partisë politike në pushtet, dhe ky është një diskriminim politik që ka dëmtuar të qenurit kryetarë komunash", shtoi Gërxhaliu.
Ai vlerësoi gjendjen aktuale të komunave: "Mbi të gjitha vlerat e kësaj që ekziston, shqyrtimi i performancës së kontributit në shumë komuna nuk arrihet, dhe definitivisht falë këtyre vendimeve dhe kësaj procedure të politizuar, sot niveli komunal është në gjendje të mjerueshme," bëri të ditur ekonomisti.
"Po e them, në qoftë se dikush ka fituar vite të fundit nga mungesa e komunikimit, ka fituar vetëm avokatët dhe përmbaruesit, por ka humbur qytetari dhe mbi të gjitha perspektiva që ofron standard dhe cilësi jetësore në nivel komunal".
Gërxhaliu bëri të ditur se më shumë se 210 milionë euro u janë shkëputur komunave nga buxheti i tyre për shkak të kontratave kolektive: "Fakti që, sipas disa vendeve zyrtare, janë shkëputur nga projektet kapitale nëpër komuna më shumë se 210 milionë euro, është shqetësim i madh. Paramendo sa ka pasur nevojë për alokim, sa ka pasur nevojë për shkurtim, dhe sa ka pasur nevojë që projektet e parapara të devijohen nga implementimi, dhe tëra kjo ka ndikuar edhe në zgjedhjet e fundit lokale".
"Prandaj, vërtet dialogu nga niveli lokal dhe qendror nuk ka alternativë. Duhet të bëhet për komunat, sepse në fund të fundit edhe stabiliteti ekonomik edhe social gjeneron nga poshtë-lartë dhe jo nga lartë-poshtë, dhe si mund të ketë efekte pozitive nëse nuk ka komunikim të mirëfilltë nga niveli qendror në atë lokal, dhe ky raport politizohet deri në atë masë që shumë komuna penalizohen vetëm pse janë të udhëhequra nga një parti tjetër politike, një dëm që vërtet do të gjurmohet në të ardhmen", përfundoi Gërxhaliu. /Telegrafi/
Kosovo Local Government Institute (KLGI) ka publikuar raportin e Monitorimit të Konsultimit Publik në nivel lokal për vitin 2024, duke ofruar një pasqyrë mbi mënyrën se si komunat po përfshijnë qytetarët dhe grupet e interesit në proceset vendimmarrëse.
Sipas të dhënave të raportuara nga 18 komuna:
Asnjë komunë nuk ka pranuar propozime nga grupet punuese të jashtme, iniciativat qytetare apo Komitetet Konsultative.
84.51% e komunave kanë zhvilluar procese të konsultimit publik.
71% kanë përmbushur kriteret administrative dhe teknike të kërkuara për këto procese.
65.19% kanë publikuar raporte të konsultimeve për të garantuar transparencën.
Asnjë kryetar komune apo Kuvend Komunal nuk ka kthyer projekt-propozime për mosrespektim të standardeve minimale.
Raporti nënvizon se, megjithë përpjekjet formale, pjesëmarrja reale e qytetarëve mbetet e kufizuar dhe nuk ka përfshirje aktive nga grupet jashtë institucioneve.
KLGI rekomandon forcimin e mekanizmave konsultativë dhe rritjen e transparencës, për të garantuar që vendimet lokale të reflektojnë interesat e komunitetit. /Telegrafi/
Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar sot marrëveshje me tetë komuna për furnizimin me po aq autoambulanca të reja, duke e çuar në 20 numrin e autoambulancave të siguruara vetëm gjatë këtij viti.
Vlera e përgjithshme e këtyre mjeteve shkon në rreth 600 mijë euro.
Në ceremoninë e nënshkrimit, zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, dhe ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm, Jahë Gecaj, deklaruan se kjo mbështetje do të forcojë dukshëm kapacitetet emergjente në nivel lokal dhe do të përmirësojë qasjen e qytetarëve në shërbimet shëndetësore urgjente.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në katër vitet e fundit janë siguruar mbi 40 autoambulanca dhe mbi 30 vetura për vizita në shtëpi, investime që kanë kontribuar në rritjen e cilësisë së shërbimeve emergjente dhe harmonizimin e tyre me standardet bashkëkohore të kujdesit shëndetësor.
Në ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues të komunave përfituese. /Telegrafi/
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka nënshkruar një marrëveshje financiare me GIZ Gjermani për zbatimin e projektit “Circular Urban Development – Kosovo4Green”, i cili synon të përmirësojë zhvillimin urban të qëndrueshëm në komunat e Republikës së Kosovës.
Projekti ka një rëndësi të veçantë për avancimin e reformave urbane dhe forcimin e kapaciteteve komunale në planifikimin hapësinor.
Ky projekt synon të mbështesë komunat në disa fusha kyçe, përfshirë reformat ligjore në planifikimin hapësinor dhe ndërtim, integrimin e parimeve të zhvillimit të gjelbër dhe rezilient ndaj ndryshimeve klimatike, përmirësimin e koordinimit ndërmjet nivelit lokal dhe qendror, si dhe rritjen e cilësisë së planifikimit urban dhe shërbimeve për qytetarët.
Në kuadër të projektit, AKK ka rol kyç si zbatuese dhe koordinuese, duke menaxhuar fondet dhe duke siguruar përfshirjen aktive të komunave përmes kolegjiumeve profesionale, takimeve politike dhe mekanizmave të shkëmbimit të njohurive.
Projekti Kosovo4Green përfaqëson një investim të drejtpërdrejtë në të ardhmen urbane të Kosovës, duke fuqizuar komunat për të planifikuar dhe menaxhuar zhvillimin urban në përputhje me standardet evropiane dhe Agjendën e Gjelbër. /Telegrafi/
Mbi 90 për qind e anulimeve të tenderëve ndodhin pas hapjes se ofertave, thuhet në raportin e Iniciativës për Progres "INPO" me titullin “Anulimet – forma më e heshtur e keqpërdorimit në prokurim publik”.
Ky raport është publikuar në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit 2025, e cila bashkëorganizohet nga INPO, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe Lëvizja FOL.
Drejtoresha ekzekutive e Iniciativës për Progres (INPO), Albulena Nrecaj tha se ky raport tregon arsyet më të shpeshta të anulimeve.
“Raporti i sotëm i cili do të publikohet, përmban një analizë të plotë të anulimeve të tenderëve gjatë tre viteve të fundit, duke paraqitur tenderët kryesor, arsyet më të shpeshta të anulimeve, institucioneve të niveleve më të larta të anulimeve, si dhe problemet strukturore që përsëriten nga viti në vit, siç janë planifikimi i dobët, dosjet jo të standardizuara dhe mungesa e arsyetimit profesional gjatë anulimit të tenderëve. Raporti vlerëson ndikimin e anulimeve në efikasitetin e prokurimit, realizimin e projekteve dhe integritetin e sistemit duke e nxjerrë në pah rritjen e rrezikut për procedura të negociuara dhe humbjen e konkurrencës”, tha ajo.
Hulumtuesi Arbër Kabashi tha se ky raport paraqet një analizë të thelluar të anulimeve të aktiviteteve të prokurimit publik në Kosovë për periudhën 2023-2025, raporton KosovaPress.
“Në vitin 2023 gjithsejtë janë publikuar dhe anuluar 2784 aktivitete të prokurimit, që në përqindje për nga numri i aktiviteteve përbëjnë 23 për qind të aktiviteteve janë anuluar, ndërsa nga vlera gjithsejtë 26 për qind e aktiviteteve janë anuluar. Në vitin 2024 janë anuluar 2720 aktivitete të prokurimit që në numër përbën 23 për qind të aktiviteteve të cilat janë iniciuar po ashtu gjatë vitit 2024. Ndërsa, në periudhën janar-shtator janë anuluar gjithsejtë 1485 aktivitete të prokurimit, kjo për shkak që ne përfundimin e mbledhjes së të dhënave e kemi bërë deri me datë 30 shtator dhe në vitin 2025 nuk është që ka ndonjë dallim për shkak që është ulur numri i aktiviteteve të prokurimit, megjithatë periudha jonë monitoruese ka përfunduar në nëntë mujorin e parë”, u shpreh ai.
Nga raporti i INPO-s del që 94 për qind e aktiviteteve anulohen pas përfundimit të procesit të hapjes së ofertave.
“Në vitin 2023, gjashtë për qind e aktiviteteve të prokurimit janë anuluar para hapjes së ofertave, ndërsa 94 për qind e aktiviteteve janë anuluar pas hapjes së ofertave. Një situatë e njëjtë është edhe në vitin 2024, pesë për qind e aktiviteteve janë anuluar para hapjes së ofertave, ndërkaq 95 për qind e ofertave janë anuluar pas hapjes së ofertave. Po ashtu, edhe në vitin 2025, gjashtë për qind e ofertave janë anuluar para hapjes së ofertave, ndërkaq 94 për qind e ofertave janë anuluar pas hapjes së ofertave. Në total, rezulton që 94 për qind e aktiviteteve të cilat anulohen, anulohen pasi përfundon procesi i hapjes së ofertave. Të dhënat ne i kemi mbledhur edhe për nga numri edhe për nga vlera. Me këtë rast rezulton që në aspektin financiar, anulimet më të mëdha lidhen me kontratat e llojit punë dhe me kontratat e llojit furnizim, që në total përbëjnë rreth 75 për qind të kontratave”, u shpreh ai.
Hulumtuesi i Iniciativës për Progres (INPO), Arbër Gashi ka folur për pesë tenderët e anuluar me vlerën më të lartë.
“Është një tender i Ministrisë së Shëndetësisë për ndërtimin e Qendrës Emergjente në vlerë prej 22 milionë euro, aktivitet i cili për dy vite me radhë ka qenë edhe në procedura ankimore edhe është vonuar autoriteti kontraktues në procesin e vlerësimi të ofertave, në fund ky aktivitet i prokurimit ka përfunduar me anulim. Tender tjetër ka të bëjë me Ministrinë e Mbrojtjes, tek aktiviteti i furnizimit me ushqim, në vlerë prej 13 milionë euro. Po ashtu, edhe një aktivitet tjetër është i Komunës së Gjilanit për ndërtimin e stadiumit të qytetit me vlerë prej 15 milionë euro, aktivitet i cili më pas është iniciuar nga një autoritet tjetër kontraktues, në këtë rast nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”, përfundoi ai.
Dy tenderë tjerë të cilët janë përmendur në këtë konferencë, janë me anë të procedurës konkurruese me negociata të iniciuara nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) për furnizim me ushqim. Hulumtuesi Arbër Kabashi tha se edhe ky rast ka përfunduar me anulim.
Në këtë raport rekomandohet përmirësimi thelbësor i planifikimit të prokurimit, standardizimi dhe rishikimi i specifikimeve teknike, transparenca më e lartë në arsyetimin e anulimeve si dhe krijimi i një mekanizimi paralajmërues.
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) do të jetë partner në projektin “Kosovo Energy Project”, një investim mbi 8 milionë euro nga Gjermania dhe Danimarka, që do të implementohet deri në vitin 2028.
Projekti synon të mbështesë komunat në tranzicionin drejt energjisë së pastër dhe sjell përfitime të drejtpërdrejta për infrastrukturën lokale dhe efikasitetin e energjisë.
Nga ky projekt, komunat e Kosovës do të përfitojnë:
Hartimin dhe zbatimin e planeve moderne të energjisë dhe klimës (MECAP) me asistencë teknike dhe softuer profesional.
Ngritjen e kapaciteteve të stafit komunal në standardet e eficiencës energjetike.
Mekanizma të rinj financiarë për investime në ndërtesa publike dhe objekte kolektive, në bashkëpunim me KEEF.
Integrim të teknologjive solare dhe masave të eficiencës në infrastrukturën komunale.
Promovimin e përfshirjes së grave në sektorin e energjisë përmes trajnimeve dhe programeve praktike.
Roli i AKK-së në këtë projekt do të përfshijë koordinimin, mbështetjen teknike dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet komunave.
Ky investim konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt energjisë së pastër, kostove më të ulëta dhe komunave më të qëndrueshme në të gjithë Kosovën. /Telegrafi/
Dy prej monumenteve më të dashura të Kosovës kanë marrë sot një hapësirë të re për t’u treguar botës historinë e tyre: në formën e pullave postare.
Posta e Kosovës ka lansuar emisionin e ri filatelik “Sahat Kullat”, duke përfshirë në të Sahat Kullën e Prishtinës dhe Sahat Kullën e Gjakovës, dy prej simboleve që prej shekujsh i kanë dhënë ritmin jetës urbane.
Me këtë edicion, sektori i Filatelisë synon jo vetëm të pasurojë koleksionet e filatelistëve, por edhe të rikthejë vëmendjen te vlerat e trashëgimisë sonë arkitektonike – te ato monumente që shpesh i shohim çdo ditë, por rrallë ndalemi t’i vlerësojmë.
Sahat Kulla e Prishtinës, e ngritur pranë Xhamisë së Mbretit, mbetet një nga pikat më të njohura historike të kryeqytetit. Dikur ishte matësi i kohës së qytetit; sot është dëshmia e një Prishtine që ka kaluar epoka të ndryshme, por ka ruajtur zemrën e saj të vjetër.
Në anën tjetër, Sahat Kulla e Gjakovës, e vendosur në zemër të Çarshisë së Madhe, është pjesë e pandashme e identitetit kulturor të qytetit. Ajo ka sfiduar kohën dhe ngjarjet historike, duke mbetur një prej monumenteve më të dashura për gjakovarët dhe vizitorët.
Vendosja e këtyre dy kullave në pulla postare u jep atyre një jetë të re – një mënyrë për të udhëtuar jashtë kufijve, për të treguar historinë dhe artin e Kosovës në çdo dërgesë që niset nga vendi ynë.
Posta e Kosovës fton qytetarët, koleksionistët dhe bizneset t’i përdorin këto pulla të reja si një mënyrë të thjeshtë, por domethënëse, për të mbështetur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të vendit. /Telegrafi/
Pas përfundimit të procesit zgjedhor, ku raundi i parë i Zgjedhjeve Lokale u zhvillua më 12 tetor dhe balotazhi më 9 nëntor, sot pritet të mbahen seancat inauguruese të kuvendeve komunale në disa komuna të vendit.
Në Skenderaj gjatë ditës do të mbahet seanca inauguruese e Kuvendit Komunal, ku anëtarët e rinj të zgjedhur do të marrin mandatin dhe do të nisë zyrtarisht konstituimi i legjislaturës së re lokale.
Mbledhje inauguruese do të zhvillohet edhe në Fushë-Kosovë, në sallën e Kuvendit Komunal, ku kuvendarët pritet të betohen dhe të formalisht të nisin punën në përbërjen e re të kuvendit.
Po sot, Obiliqi do të mbajë seancën e tij inauguruese në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ku anëtarët e kuvendit komunal do të konstituohen sipas procedurave ligjore.
Me mbajtjen e këtyre seancave, komunat hyjnë në fazën përfundimtare të konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve lokale të këtij viti. /Telegrafi/
Autoriteti Rregullator i Shërbimeve të Ujit (ARRU) ka bërë të ditur se është në fazën e shqyrtimit të aplikacioneve tarifore të paraqitura nga Kompanitë Rajonale të Ujit (KRU), si pjesë e procesit të rregullt trevjeçar për përcaktimin e tarifave.
Sipas ARRU-së, ky proces zhvillohet në përputhje me kornizën ligjore dhe përfshin diskutime publike në të gjitha regjionet e vendit, ku secila kompani paraqet kërkesën e saj tarifore për periudhën 2026–2028, përcjell Telegrafi.
Paralelisht, Rregullatori po kryen analizën e pavarur profesionale për secilin aplikacion, duke vlerësuar qëndrueshmërinë e kërkesave dhe duke sfiduar kompanitë në rritjen e efiçiencës dhe cilësisë së shërbimeve.
ARRU ka bërë të ditur se në këtë fazë nuk mund të jepen detaje mbi nivelet e mundshme të tarifave, pasi procesi është ende në shqyrtim.
Përfundimi i vlerësimit pritet brenda muajit dhjetor, kur edhe do të publikohen Urdhëresat Tarifore për të gjitha kompanitë e ujësjellësit për tre vitet e ardhshme (2026–2028). /Telegrafi/
Praktika e anulimit të kontratave pas shpalljes së fituesit po shfaqet si një problem i përsëritur në sistemin e prokurimit publik në Kosovë, duke shqetësuar operatorët ekonomikë dhe duke sfiduar parimet e transparencës dhe llogaridhënies.
Sipas hulumtimit të realizuar për periudhën 2020–2025, disa autoritete kontraktuese, kryesisht nën varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë anuluar kontrata me vlerë mbi shtatë milionë euro vetëm për faktin se ministri nuk i ka nënshkruar ato, edhe pse procedurat administrative kanë përfunduar. Në disa raste, vonesat kanë shkuar deri në 1,200 ditë, përpara se kontratat të anuloheshin pa dokumentim të bazuar ligjor.
Ligji për Prokurimin Publik dhe rregulloret përkatëse kërkojnë që kontratat të nënshkruhen brenda 30 ditëve nga publikimi i njoftimit për dhënie të kontratës, përveç në rastet e ankesave apo vendimeve të organeve mbikëqyrëse.
Sidoqoftë, në praktikë, disa institucione kanë përdorur formularin B10 për anulimin e procedurave para se të publikojnë formularin B58, duke cënuar të drejtën e operatorëve për rishqyrtim dhe ankesa ligjore.
Institucione si Policia e Kosovës dhe Agjencia për Menaxhim Emergjent janë veçanërisht të prekura nga kjo praktikë. Policia ka pasur pesë kontrata të anulura pas shpalljes së fituesit, me një vlerë rreth pesë milionë euro dhe një periudhë pritjeje deri në 1,451 ditë.
AME ka pasur tre aktivitete të anulura me vlerë mbi 1.8 milionë euro dhe një periudhë pritjeje deri në 3,114 ditë, ndërsa vetë MPB ka pasur dy raste të ngjashme me një vlerë rreth 600 mijë euro.
Këto anulime kanë pasur pasoja të drejtpërdrejta në projekte publike: ndërtimet dhe furnizimet janë bllokuar për vite, kostoja financiare është rritur për shkak të inflacionit dhe rritjes së çmimeve, ndërsa operatorët ekonomikë përballen me pasiguri juridike dhe rrezik të humbjes së besimit në sistemin e prokurimit publik.
Njohësit e fushës nënvizojnë se vonesat e pajustifikuara dhe anulimet e kontratave pa arsye ligjore transformojnë nënshkrimin e kontratës nga një detyrim ligjor në një mekanizëm me bazë politiko-administrative, duke cenuar neutralitetin dhe besueshmërinë e procesit të prokurimit.
Organet kompetente, përfshirë Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik dhe Organin Shqyrtues të Prokurimit, kanë vlerësuar disa nga rastet si të jashtëligjshme, duke rekomanduar që operatorët ekonomikë të drejtohen në gjykata për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ekspertët rekomandojnë që autoritetet kontraktuese të respektojnë ligjin dhe rregulloret përkatëse, të dokumentojnë çdo vendim për anulim dhe të sigurojnë që operatorët ekonomikë të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtat e tyre ligjore për rishqyrtim dhe ankesa, duke garantuar kështu transparencë dhe llogaridhënie në të gjitha fazat e prokurimit.
Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) u ka dërguar një kërkesë zyrtare të gjithë kryetarëve të komunave të vendit, duke kërkuar harmonizimin e vendeve të punës dhe pagave brenda shërbimit civil komunal, në përputhje me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas SPAK-ut, pavarësisht hyrjes në fuqi të ligjit, në shumë komuna vazhdojnë të ekzistojnë pozita të njëjta apo të ngjashme që paguhen ndryshe, çka krijon pabarazi, demotivon punonjësit dhe ndikon negativisht në cilësinë e shërbimeve publike.
Sindikata thotë se kjo bie ndesh me parimet ligjore të transparencës, barazisë dhe pagesës së njëjtë për punë të njëjtë, përcjell Telegrafi.
Në letrën e nënshkruar nga kryetari i SPAK-ut, Ali Gashi, komunave u kërkohet: të realizojnë analizë të plotë të pozitave të punës ku ekzistojnë dallime të pajustifikuara në paga; të nisin pa vonesë procesin e harmonizimit të pagave, duke siguruar trajtim të barabartë për të gjitha pozitat e ngjashme në nivel vendi; të krijojnë mekanizma monitorimi për të shmangur mospërputhje të tjera në të ardhmen; të raportojnë në kohë reale për veprimet dhe hapat e ndërmarrë.
SPAK paralajmëron se mospërputhjet aktuale kanë ndikim të drejtpërdrejtë në motivimin e punonjësve komunalë dhe në performancën e institucioneve.
Sindikata shprehet e gatshme të kontribuojë me ekspertizë profesionale në secilën fazë të procesit.
“Respektimi i ligjit dhe barazia në pagesë janë detyrim institucional, jo opsion”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
Zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor në Kosovë përcaktuan disa kryetarë që në raundin e parë, ndërsa 18 komuna u detyruan të shkonin në balotazh për të zgjedhur liderin komunal që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme. Në raundin e dytë, më 9 nëntor, u përcaktuan emrat e kryetarëve tjerë, duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në një intervistë për Telegrafin, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, sqaroi kur pritet që kryetarët e sapozgjedhur të marrin zyrtarisht detyrën.
“Kryetarët e rinj marrin detyrën brenda 15 ditësh nga certifikimi i rezultateve nga KQZ. Procesi nuk lidhet me datën e zgjedhjes, por me datën e certifikimit, sepse vetëm pas certifikimit fillon afati ligjor për konstituimin e institucioneve komunale", tha ai.
“Hapi final është mbledhja e parë (mbledhja konstituive) e Kuvendit Komunal, ku kryetari i ri e jep betimin dhe fillon mandatin”, shtoi Ibrahimi.
Ai theksoi: “Ligji për Vetëqeverisjen Lokale (03/L-040) i ka të përcaktuara rregullat për thirrjen e takimit të parë konstituiv, pra kush e thërret dhe procedurat tjera deri në dhënien e betimit. Mbledhja e parë e thirret brenda 15 ditësh nga certifikimi. Hapi i fundit para marrjes së detyrës është betimi i kryetarit të ri në mbledhjen konstituive”.
Sipas drejtorit të AKK-së, ky afat mund të zgjatet vetëm në dy situata.
“Po, afati mund të zgjatet në dy situata: Nëse certifikimi i KQZ vonohet për shkak të ankesave dhe rinumërimeve; Nëse mbledhja konstituive nuk ka kuorum dhe duhet thirrur e dyta. Jashtë këtyre rasteve, afatet janë fikse dhe nuk mund të ndryshohen", bëri të ditur Ibrahimi.
Ai foli edhe për situatën në Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, të cilat nuk kanë arritur të miratojnë buxhetin në kohë dhe përballen me krizë financiare.
“Në këto raste Komunat shpenzojnë vetëm për pagat dhe shërbimet më bazike, pa mundësi për investime të reja. Asnjë projekt kapital i ri nuk mund të nisë, duke shkaktuar vonesa në infrastrukturë, arsim, mjedis dhe shërbime të qytetit. Furnizimet e reja, kontraktimet dhe shërbimet teknike vonohen ose pezullohen. Komunat operojnë në një gjendje të ‘bllokadës buxhetore’”, potencoi drejtori i AKK-së.
Ibrahimi shtoi më tej se ka një zgjidhje të përkohshme për këto komuna: “Ekziston mekanizmi i 1/12 së buxhetit të vitit paraprak, që lejon komunat të funksionojnë minimalisht deri në miratimin e buxhetit të ri. Por ky mekanizëm: nuk lejon projekte kapitale të reja, nuk lejon kontrata shumëvjeçare, dhe është vetëm një zgjidhje provizore, jo zhvillimore”.
I pyetur për rrezikun që ndërmarrjet komunale apo shërbimet bazike të preken nëse situata zgjat, Ibrahimi deklaroi se ndërmarrjet mund të hyjnë në mungesë likuiditeti.
“Rreziku është shumë i madh: Ndërmarrjet publike që varen nga subvencionet komunale mund të hyjnë në mungesë likuiditeti. Shërbimet si pastrimi, ndriçimi publik, transporti, çerdhet dhe mirëmbajtja e qytetit mund të pësojnë ndërprerje. Projektet e nisura mund të mbeten pa pagesa dhe kontraktorët mund të ndalin punimet”.
“Nëse situata zgjatet deri në mars 2026, pra nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk miraton buxhetin për 2026, vendi përballet me një krizë të plotë financiare, pra edhe komunat do përballen me të njëjtën situatë", tha Ibrahimi.
I pyetur se si po ndikon situata tek komunat ku përmbaruesit kanë tërhequr mjetet e konsiderueshme nga buxheti i tyre shkaku i Kontratave Kolektive (siç është rasti i fundit me Komunën e Vushtrrisë, ku i është ndërprerë ndriçimi publik), drejtori i AKK-së tha se komunat janë dëmtuar shumë.
“Sipas vlerësimeve tona, komunat janë dëmtuar: me qindra miliona euro përgjatë viteve, me bllokime të llogarive bankare, me pagesa të detyruara që rrjedhin nga kontrata për të cilat komunat nuk kanë qenë fare palë nënshkruese", bëri të ditur Ibrahimi.
Nga kjo situatë e krijuar, sipas tij, komunat po përballen edhe me vonesa në projekte kapitale, furnizime, paga apo kontrata të tjera. “Bazuar në raportimet që komunat i kanë dërguar te AKK: projekte kapitale janë shtyrë ose pezulluar, furnizimet dhe kontratat e reja janë në pritje, pagesat ndaj kontraktorëve po vonohen, komunat me përmbarime po funksionojnë me shumë vështirësi. Për pagat nuk ka rrezik të menjëhershëm, por nëse procesi zgjatet përtej marsit 2026, edhe kjo linjë mund të preket", deklaroi ai.
Në fund, Ibrahimi tha se duhet ndryshuar Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, në mënyrë që komunat të mos përballen me bllokada buxhetore.
“Po, ne kemi theksuar qartë se: Ligji për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligji për Menaxhimin e financave Publike duhet të ndryshohen për të shmangur bllokadat buxhetore. Afatet duhet të jenë më fleksibël dhe të lidhura drejtpërdrejt me certifikimin, në mënyrë që komunat të mos mbesin për muaj të tërë pa buxhet. Sistemi aktual i ndëshkon komunat pa fajin e tyre dhe pengon zhvillimin lokal”, përfundoi drejtori i AKK-së. /Telegrafi/
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka organizuar takimin e Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjorë, me fokus funksionimin dhe konstituimin e organeve të komunave pas zgjedhjeve lokale.
Takimi u zhvillua në bashkëpunim me OSBE-në dhe përfshiu një debat gjithëpërfshirës mbi procedurat ligjore dhe administrative që lidhen me formimin e institucioneve komunale.
Diskutimet përfshinë etapë pas etape procesin e konstituimit: nga dhënia e betimit nga Kryetari i Komunës dhe anëtarët e Kuvendit Komunal, verifikimi i mandateve, organizimi i seancës konstituive, zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit, deri te rregullat e funksionimit të tij, përcjell Telegrafi.
Pjesëmarrësit adresuan gjithashtu kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve ekzekutive, procedurat e vendimmarrjes, nënshkrimin dhe ekzekutimin e akteve komunale, si dhe harmonizimin me kuadrin ligjor në fuqi.
Qëllimi ishte qartësimi i të gjitha aspekteve praktike dhe juridike për të garantuar funksionim të rregullt, transparent dhe në përputhje me standardet ligjore.
Në përfundim, përfaqësuesja e AKK-së njoftoi se deri në fund të vitit do të mbahet një trajnim për pozitat udhëheqëse dhe një punëtori në bashkëpunim me OSBE-në, ku do të prezantohen aktivitetet e Kolegjiumit gjatë vitit 2025 dhe do të hartohet plani i punës për vitin 2026. /Telegrafi/
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë datave 18–19 nëntor 2025 pritet të ketë reshje shiu në gjithë vendin, ndërsa në disa zona reshjet do të jenë të intensitetit të lartë, duke rritur rrezikun e vërshimeve të shpejta.
Në njoftimin zyrtar, IHMK thekson se reshjet e cilat kanë filluar të shfaqen gradualisht do të përfshijnë tërë territorin e Kosovës, ndërsa zonat e rrezikuara më shumë janë ato me karakteristikë lumore dhe malore, përfshirë basenet e Drinit të Bardhë, Bistricës së Prizrenit, Mirusha, Toplluhës, Erenikut dhe Bistricës së Deçanit, përcjell Telegrafi.
Instituti njofton se reshjet mund të tejkalojnë sasinë prej 40 l/m² brenda 24 orëve, duke shkaktuar rrezik të përmbytjeve, vështirësi në qarkullim, dëmtime të tokave bujqësore, rrëshqitje dheu e balte, si dhe rrezik potencial për jetën e njerëzve dhe kafshëve.
IHMK apelon qytetarët dhe institucionet që të jenë të kujdesshëm dhe të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse, ndërsa thekson se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmes të dhënave nga rrjeti i stacioneve hidrometeorologjike. /Telegrafi/
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka publikuar raportin e ri mbi gjendjen dhe menaxhimin e mbeturinave komunale në vend për periudhën 2023–2024, duke ofruar një pasqyrë të plotë mbi gjenerimin, grumbullimin, trajtimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave.
Në raport prezantohet statusi aktual i menaxhimit të mbeturinave, sfidat me të cilat përballen komunat dhe operatorët, si dhe masat e rekomanduara për përmirësimin e situatës mjedisore në këtë sektor, përcjell Telegrafi.
Analiza dyvjeçare përfshin një krahasim të të dhënave me vitet paraprake, që mundëson vlerësimin e progresit dhe identifikimin e fushave që kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme.
Sipas AMMK-së, raporti ka rëndësi të veçantë për monitorimin e zbatimit të politikave dhe legjislacionit mjedisor, duke ofruar informacion të besueshëm e transparent për institucionet publike, politikbërësit, komunitetin shkencor dhe qytetarët.
Ky dokument synon të shërbejë si bazë për hartimin e politikave të reja dhe për orientimin strategjik të veprimeve në fushën e menaxhimit të mbeturinave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.
Raporti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës: https://ammk-rks.net. /Telegrafi/