Edhe gjatë ditës së sotme, sistemi self-care, një platformë e rëndësishme e bizneseve për të bërë rakordimet e faturave, funksionon me probleme. Bizneset raportojnë te “Monitor”, duke çuar foto live që sistemi bie.
Një ekonomiste pohon se nëse përdor shfletuesin Moxilla, atëherë sistemi paraqet probleme, ndërsa me Google chrome funksionon mirë.
Pasditen e djeshme, Tatimet njoftuan se problematika e konstatuar ditët e fundit në aksesimin e Platformës Qendrore të Lëshimit të Faturave të Fiskalizuara është zgjidhur, dhe se platforma prej pasdites së 28 janarit, është në shërbim të plotë dhe funksionon normalisht.
Ky njoftim erdhi pas tre javësh kur sistemi ishte tërësisht i bllokuar, ndërkohë që dhe në dhjetor kishte pasur probleme të përkohshme.
Tatimet: Problemet me self-care janë zgjidhur, platforma tërësisht funksionale
Edhe pas këtij njoftimi, shumë subjekte raportuan për probleme, që vazhdojnë edhe sot. “Platforma selfcare që njohim vazhdon të gjenerojë probleme. Është pothuajse e pamundur të shkarkosh faturat dhe nëse ia arrin me siguri tentativat kanë zgjatur me orë të tëra.
Nxitimi për të përgenjeshtruar problemet e pazgjidhura thjesht sa do të thellojë mosbesimin në infrastrukturën kritike dhe aftësinë e shtetit dhe për të justifikuar shpenzimet e larta të buxhetit të shtetit për shërbime që lënë për të dëshiruar”, shkruan një lexues.
Shqetësim tjetër i bizneseve lidhet me inventarin. Administrata tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët deri në fund të këtij muaji.
Pas problemeve me Self-Care, Tatimet u kërkojnë bizneseve të dorëzojnë inventarët deri në 31 janar
Ka biznese që ankohen se pas probleme që ata hasën me self-care, ky afat është tepër i shtrënguar, pasi nuk kanë pasur akses në rakordimin e faturave.
Të tjerë pohojnë se mosfunksionimi i self-care nuk pengon për inventarët, pasi informacioni mund të merret nga sistemi i tatimeve e-filing. Bizneset janë të trembura se ata mund të bëhen subjekte kontrollesh dhe në një situatë që nuk ka qenë në dorën e tyre të gjobiten padrejtësisht.
The post Sistemi self-care sërish me probleme, bizneset të shqetësuara për inventarin appeared first on Revista Monitor.