TIRANE, 24 dhjetor/ATSH/ Porti i Durrësit vijon të konsolidojë pozicionin e tij si nyja kryesore e transportit detar në Shqipëri, duke shënuar rezultate pozitive gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit 2025.
Të dhënat statistikore tregojnë se volumi total i mallrave të përpunuara ka tejkaluar 3.5 milionë tonët, me një rritje prej 6.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo përkthehet në rreth 203 mijë tonë mallra më shumë të trajtuara në katër terminalet portuale të Durrësit.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 2,664,265 tonë importe dhe 861,370 tonë eksporte, duke konfirmuar rolin e portit si një qendër strategjike për furnizimin e tregut vendas dhe njëkohësisht si korridor i rëndësishëm për eksportin e produkteve shqiptare drejt tregjeve ndërkombëtare.
Një ndikim të veçantë në rritje ka dhënë intensifikimi i importeve, të cilat janë rritur me 23.7%, duke reflektuar gjallërim të aktivitetit ekonomik dhe rritje të besueshmërisë së Portit të Durrësit si qendër logjistike e rëndësishme në rajon.
Edhe sektori i konteinerëve ka shënuar performancë pozitive. Gjatë janar–nëntorit 2025 janë përpunuar 207,655 TEU, me një rritje prej 14% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në terma tonazhi, në Terminalin e Konteinerëve janë trajtuar mbi 1.92 milionë tonë mallra, që përfaqëson një rritje prej 2.9%, duke dëshmuar rritje të qëndrueshme të flukseve të mallrave të konteinerizuara.
Policia e Korçës ka nisur procedimin penal për tre persona në Korçë. Gjatë kontrollit fizik në automjetin tip kamioncinë me drejtues një 38-vjeçar, polica gjeti një sasi dru zjarri pa dokumentacionin përkatës. Sasia e druve së bashku me automjetin u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Polica ka ndaluar gjithashtu një 57-vjeçar, ku pas kontrollit fizik nga blut u gjet një viç […]
Në pikën kufitare Han i Elezit, gjatë kryerjes së kontrolleve të rregullta kufitare, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një udhëtar për kontroll të detajuar.
Sipas njoftimit për media bëhet e ditur se pas verifikimit të bagazhit të tij, është zbuluar një sasi e konsiderueshme mallrash të ndryshme, përfshirë veshje, etiketa dhe aksesorë metalikë, në sasi prej rreth 4.500 copë, të cilat mbajnë shenja dalluese të markave të njohura tregtare, nën dyshimin se shkelin të drejtën e pronësisë intelektuale.
“Etiketat dhe aksesorët me shenja të mbrojtura tregtare ndalohen pasi ato mund të përdoren për t’u vendosur në produkte jo origjinale, duke i paraqitur ato në treg si mallra të markave të njohura. Ky veprim dëmton drejtpërdrejt të drejtat e mbajtësve të markave, mashtron konsumatorët dhe cenon konkurrencën e ndershme në treg. Edhe në rastet kur etiketat importohen veçmas nga produktet, ato konsiderohen rrezik për keqpërdorim dhe përfshirje në zinxhirin e falsifikimit”, thuhet në njoftim.
Tutje në njoftim thuhet se mallrat janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse, ndërsa ndaj personit është iniciuar procedurë kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe në parandalimin e importit dhe qarkullimit të mallrave të paligjshme. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se të enjten në Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës - Sektori i Hetimeve të Policisë Kufitare në nivel të Drejtorisë së Përgjithshme - ka kryer një kontroll operativ në një objekt pa mbishkrim pranë tregut të gjelbër në Prishtinë.
Në njoftim bëhet e ditur se gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë është konfiskuar duhan i grirë, mjaltë e filtera cigaresh.
“Gjatë kontrollit është gjetur mall pa dokumentacion të origjinës dhe, mbi dyshimin e bazuar për kontrabandë, është konfiskuar si më poshtë: duhan i grirë (refuz) - 511 pako x 500 gr = 255.5 kg pa banderola; mjaltë - 100 pako x 12 copë = 1,200 kg pa asnjë mbishkrim; filtera cigaresh - 21 pako x 10,000 copë = 210,000 copë”, thuhet në njoftim.
Malli është ndalur përkohësisht dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë është njoftuar për gjetjet, për të udhëzuar hapat e mëtejshëm proceduralë. /Telegrafi/
Gjatë kontrollit rutinë në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë ndaluar një automjet për kontroll të detajuar në vijë të dytë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në bagazh janë zbuluar mallra të padeklaruara të llojit tekstil, për të cilat dyshohet se shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale.
“Pas konfirmimit, mallrat janë ndaluar deri në përfundimin e procedurave përkatëse ligjore, ndërsa ndaj palës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës vazhdon angazhimin e saj për të parandaluar hyrjen e produkteve që cenojnë pronësinë intelektuale, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe tregut të ligjshëm”, thuhet në postim. /Telegrafi/
Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka sekuestruar bizhuteri floriri dhe ora dore në vlerë rreth 50 mijë euro, ndërkaq lidhur me këtë është arrestuar 33-vjeçari Q.S.
Në njoftimin për media thuhet se Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në vijim të kontrolleve për goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të detajuar, automjetin tip "Audi”, me drejtues shtetasin Q. S..
“Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë gjetën bizhuteri floriri dhe ora dore, të cilat ai nuk i kishte deklaruar sipas ligjit. Bizhuteritë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin Q. S., 33 vjeç, banues në Gjermani, për veprat penale "Kontrabanda më mallra të tjera" dhe “Mosdeklarimi në kufi, i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/
Gjatë kontrolleve rutinë në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar.
Edhe pse drejtuesi i mjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim, gjatë kontrollës së automjetit janë zbuluar mallra të padeklaruara, përfshirë këpucë për meshkuj dhe femra, çanta dhe aksesorë të ndryshëm.
"Mallrat e zbuluara janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të parapara ligjore, ndërsa ndaj personit përgjegjës është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, në përputhje me dispozitat e legjislacionit në fuqi", thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët se çdo mall që hyn ose del nga territori i Republikës së Kosovës duhet të deklarohet, dhe mosdeklarimi i tij paraqet shkelje ligjore që sanksionohet sipas rregullave doganore. /Telegrafi/
TIRANË, 1 nëntor/ATSH/ Transporti hekurudhor në vend regjistroi rritje në volumin e mallrave të transportuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë arriti në 156,2 mijë tonë, duke u rritur me 13,7% në krahasim me tremujorin e tretë 2024.
Në strukturën e mallrave të transportuara me hekurudhë, grupet kryesore janë “qymyr dhe linjit, naftë bruto dhe gaz natyror” me 75,8% të totalit, “lëndë të para të ricikluara, mbetje të ngurta bashkiake dhe mbeturina të tjera” me 23,2%, “metale bazë dhe produkte metalike të fabrikuara” me 1%.
Ndërkohë, transporti i pasagjerëve me hekurudhë vijon të mbetet në nivele të ulëta. Gjatë tremujorit të tretë 2025 udhëtuan me tren 782 pasagjerë, duke shënuar një ulje prej 62,9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Aktualisht, rrjeti hekurudhor në shfrytëzim në vend ka një gjatësi prej 253 kilometrash, që përfshin linjat Kufi–Gjorm (93 km), Durrës–Elbasan (76 km), Rrogozhinë–Fier (49 km) dhe Fier–Vlorë (35 km). Transporti i mallrave kryhet kryesisht në distancat 0–49 km.
Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli të detajuar në pikëkalimin kufitar Vermicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dhe konfiskuar mallra të padeklaruara, nën dyshimin se shkelin të Drejtën e Pronësisë Intelektuale.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit janë gjetur mallra të padeklaruara si: 2,000 copë cigare të markës “Marlboro Gold” dhe 240 copë pije energjike të markës “Red Bull”
Pala e përfshirë nuk kishte deklaruar mallin në momentin e paraqitjes në kufi, duke kryer kështu një kundërvajtje doganore, e sanksionuar në bazë të nenit 251 dhe nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës (KDAK).
Duke qenë se bëhet fjalë për mallra akcizore, autoritetet kanë ndërmarrë masën e konfiskimit të mallit dhe mjetit transportues, në përputhje me dispozitat ligjore përkatëse, deri në përfundimin e procedurave zyrtare.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, parandalimin e kontrabandës dhe luftimin e tregtisë së paligjshme, me qëllim të mbrojtjes së tregut dhe konsumatorëve në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Hanit të Elezit.
Operacioni është zhvilluar nga njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare - Lindje, përkatësisht nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare - Hani i Elezit.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur mbrëmjen e djeshme rreth orës 19:00 kur njësia policore ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë në territorin e Republikës së Kosovës nga Maqedonia e Veriut, duke përdorur një rrugë ilegale.
Pavarësisht përpjekjeve të policisë për ta ndaluar, automjeti nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në një hendek.
Dy personat e dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur mjetin dhe janë larguar në drejtim të kufirit me Maqedoninë e Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash që dyshohet se ishin kontrabanduar, përfshirë: këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme, mjete pune, kasaforta dhe veshje të ndryshme.
“Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit. Mallrat do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.
Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive ilegale me qëllim të ruajtjes së rendit sigurisë dhe integritetit kufitar të vendit, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera ligjzbatuese. /Telegrafi/
TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Në portin e Durrësit java nisi me përpunimin e 5 anijeve tregtare me rreth 5550 tonë mallra dhe 1222 njësi kontejnerike në kalatat portuale.
Sipas Autoritetit Portual Durrës në përpunim janë 3 anije me 5537 tonë mallra dhe 436 kontejnerë.
Ndërsa në radën portuale 2 anije me 786 kontejnerë janë në pritje për përpunim në orët në vijim.
Porti i Durrësit vijon trendin pozitiv të volumit të përpunimit të mallrave, vetëm në janar-gusht u përpunuan mbi 2,6 milionë tonë mallra. Gjithashtu gjatë muajve janar-gusht janë përpunuar 150.237 kontejnerë, 9% më shumë e njëjta periudhë e vitit 2024.
Gjatë kontrolleve rutinore në Pikëkalimin Kufitar në Vërmicë, zyrtarët doganorë kanë identifikuar dy raste të kundërvajtjeve doganore.
Pas selektimit të dy automjeteve për kontroll të detajuar në vijën e dytë, janë zbuluar mallra të ndryshme të padeklaruara.
Dogana njofton se në të dyja rastet, palët kishin mohuar posedimin e ndonjë malli për deklarim, por gjatë kontrollit janë gjetur mallra si: pjesë të përdorura për automjete, drita të përparme, parfum, çantë dore si dhe një pako me këpucë të llojeve të ndryshme (mall stoku).
Përveç çantës së dorës, për të gjitha mallrat tjera nuk është paraqitur faturë apo dokument përcjellës.
"Të gjitha mallrat janë ndaluar përkohësisht, deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme, ndërsa ndaj palëve janë inicuar procedura për kundërvajtje doganore, në përputhje me ligjin në fuqi", thuhet në njoftim.
Dogana e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët dhe udhëtarët që të respektojnë obligimet ligjore dhe të bëjnë deklarim të saktë të mallrave gjatë kalimeve kufitare, duke shmangur pasojat ligjore dhe ndihmuar në mbrojtjen e tregut të brendshëm./Telegrafi/
Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga mallrat e importuara, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë shqetësues.
Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi pesë miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në fund të shtatorit të këtij viti.
Vlera e importit në Kosovë është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Krahas importit në vlerë 5 miliardë e 66 milionë euro, gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, sasia e mallrave të importuara është rritur për rreth 350 milionë kilogramë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Ani se sasia e përgjithshme e mallrave për këtë periudhë mbetët më e ulët se vlera e tyre.
Sa i përket sasisë së mallrave të importuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova importoi mallra mbi 4.2 miliardë kg, 3.9 miliardë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 3.7 miliardë kg në janar - shtator 2023 dhe 3.5 miliardë kg mallra në janar-shtator 2022.
Përveç kësaj, sfidë tjetër për vendin tonë është edhe ulja e nivelit të vlerës së mallrave të eksportuara. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e eksportit ka shënuar rënie me rreth 30 milionë euro gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga Dogana e Kosovës bëjnë të ditur se mbi 630 milionë euro është vlera e mallrave të eksportuara nga Kosova nga muaji janar deri në fund të shtatorit të këtij viti, krahasuar me 658 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu deficiti tregtar ka arrit mbi 4.4 miliardë euro në këtë periudhë të këtij viti, sa ka qenë mbi 3.9 miliardë në periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Ndërkaq, Gjermania, Turqia, Kina, Shqipëria dhe Italia janë ndër shtetet kryesore importuese në periudhën e parë të vitit 2025.
Rritja e vlerës së mallrave të importuara dhe rënia e vlerës së atyre të eksportuara po konsiderohen shqetësuese nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK).
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thekson për KosovaPress, se sasia e mallrave të importuara është më e vogël se vlera e tyre, për shkak se, siç shpjegon ai, bashkë me mallrat e importuara, Kosova importon edhe inflacionin nga vendet e tjera.
Krahas kësaj, Rafuna thotë se është shqetësues fakti i rënies së vlerës së eksportit në Kosovë.
"Dyjat janë rritur. Është rritur sasia dhe vlera. Sasia është më e vogël sesa vlera. Për arsye se dihet që ne edhe e importojmë inflacionin dhe çmimet e ndikojnë sepse gjithmonë kur thuhet që janë rritur të hyrat në buxhet të shtetit, asnjëherë nuk tregohet që është rritur edhe vlera e mallit të importuar. E kemi pasur 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo e dëshmon që është rritur vlera e mallrave të cilat i importojmë. Bashkë me këtë e kemi importuar edhe inflacionin. Inflacioni në Kosovë është rritur me 4.5 për qind dhe sipas ASK-së, faktori i pari që ka ndikuar ka qenë rritja e çmimit të energjisë elektrike. Por, po ashtu edhe çmimet e produktit bazë , që të gjitha këto ne i importojmë. Kur i importojmë, i bëjmë me çmim më të lartë. Ndërsa, si sasi është me vogël rreth 6 për qind. Por, është shqetësuese sepse eksporti është duke na rënë. Eksporti në të dhënat e fundit të pjesës së parë të këtij, ne e shohim që e kemi pasur një rënie prej 1.5 për qind. Ndërsa, nëse e shohim historikisht, eksporti shkon rreth 800 milionë. Ende nuk e kemi pasur 1 miliardëshin", thotë Rafuna.
Drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti, thekson se kur Kosova importon produkte, ajo nuk merr vetëm sasinë e mallrave, por gjithashtu importon çmimet dhe inflacionin nga vendet e origjinës të këtyre produkteve.
Ahmeti nënvizon se ka disa produkte që vijnë në sasi më të vogla, por që kanë një vlerë shumë më të lartë për shkak të rritjes së çmimit në vendet e origjinës.
Ky faktor, sipas tij, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet që arrijnë në tregun kosovar, duke i bërë ato më të shtrenjta për konsumatorët.
Ahmeti potencon se rënia e vazhdueshme e eksporteve ka qenë gjithmonë një shqetësim, pasi që sipas tij kjo pasqyron situatën e vështirë të bizneseve vendore.
"Për një pjesë të madhe të produkteve që vijnë prej importit, pa dyshim është edhe çmimi. Në import, përveç që e merr sasinë, ti e importon edhe çmimin e inflacionin e atij vendi prej ku është importuar...Ka disa produkte që vijnë me sasi shumë më të vogël, por vlerën e kanë shumë më të madhe, për shkak se në ato vende ka pasur rritje të madhe të çmimit. Pastaj, kjo automatikisht ndikon në çmimet që vijnë në Kosovë...Gjithmonë ka qenë shqetësuese rënie e vazhdueshme e eksporteve, sepse kjo tregon situatën që e kanë bizneset tona në këtë rast. Po të kishte një situatë më të mirë, bizneset tona do të kishin rritje të vazhdueshme të eksporteve. Kur je i varur shumë nga importi dhe sidomos kur e kemi këtë rritje të vazhdueshme nga importi, biznesi vendor gjithmonë është i rrezikuar për mbijetesën e tij. Ne po vazhdojmë të mbesim një vend importues jashtëzakonisht shumë i madh", potencon Ahmeti.
Drejtori i DhTIK-ut, Kushtrim Ahmeti thotë se bizneset në përgjithësi nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme nga institucionet për t'u rritur dhe fuqizuar në treg.
Shumë prej bizneseve, sipas tij, kanë ndaluar investimet që kishin planifikuar ose janë të detyruara të shesin prodhimin e tyre jashtë vendit.
Ahmeti nënvizon se shumë kompani po transferojnë prodhimin jashtë Kosovës, pastaj të njëjtin produkt po e importojmë në vendit tonë.
"Bizneset në përgjithësi nuk e kanë pas një mbështetje nga institucionet për tu rritur dhe për tu fuqizuar në treg, por më shumë me këto veprime sidomos dhe me heshtjen e vazhdueshme ndaj këtyre veprimeve nga institucionet e kanë pasur një goditje të vazhdueshme ndaj bizneseve të tyre që e kanë rrezikuar shumë. Shumë prej tyre tashmë ose i kanë ndërprerë investime që i kanë pasur për t'i bërë, e të tjerat po i shikojnë mundësinë për të ikur me gjithë prodhimin nga vendi jonë. Ne po e përzëmë produktin tonë ose biznesin tonë. Po e qesim në Maqedoni dhe në Shqipëri dhe ata prapë i njëjti produkt po vije në formë importi", potencon Ahmeti.
Bazuar në të dhënat që kë dërguar Dogana e Kosovës për KosovaPress, vlera e mallrave të importuara gjatë nëntëmujorittë këtij viti, ka qenë mbi 845 milionë euro më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërkaq, Kosova ka regjistruar një rritje prej mbi 947 milionë euro në vlerën e mallrave të importuara gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, vlera e eksportit ka pësuar një rënie prej 16 milionë eurosh në vitin 2025, në krahasim me vitin 2022.
Sa i përket sasisë së mallrave të eksportuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova eksportoi mallra mbi 563 milionë kg, 567 milionë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 670 milionë kg në janar - shtator 2023 dhe 657 milionë kg mallra në janar-shtator 2022.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë: Turqia, Gjermania, Kina, Shqipëria dhe Greqia.
Ndërkaq, sa i përket eksporteve, shtetet kryesore në të cilat Kosova ka eksportuar mallra gjatë vitit 2024 janë : Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.
TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Dogana në Kapshticë ka kapur dhe ndaluar një sasi të madhe mallrash të dyshuar si falsifikime të markave të njohura ndërkombëtare.
Kontrolli u bë gjatë inspektimit të një automjeti që po kalonte në këtë pikë kufitare, ku u zbuluan veshje dhe aksesorë që mbanin logo të markave të tilla si Nike, Lacoste, Prada, Hugo Boss, dhe shumë të tjera.
Këto mallra dyshohet se shkelin pronësinë intelektuale, pasi nuk janë produkte origjinale dhe mund të dëmtojnë konsumatorët dhe bizneset që operojnë në mënyrë të ndershme.
Ky operacion vjen pas dy ndalimeve të ngjashme gjatë ditëve të fundit në të njëjtën pikë doganore, ku u sekuestruan edhe mallra me logo të markave si Adidas, Vans, dhe Massimo Dutti.
Dogana shqiptare thekson se do të vazhdojë me kontrolle të tilla për të mbrojtur tregun dhe për të siguruar që konsumatorët të mos bien pre e produkteve të falsifikuara. /j.p/
Dogana e Kosovës, përmes njësive të saj në pikën kufitare Jarinjë, ka parandaluar dy raste kontrabande në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Dogana njofton se në rastin e parë gjatë një kontrolli të detajuar mbi një automjet të udhëtarëve, i drejtuar nga një shtetas i Serbisë, zyrtarët doganorë zbuluan dhe sekuestruan rreth 300 gram argjend të padeklaruar.
“Malli ishte fshehur me qëllim të shmangies së detyrimeve doganore dhe futjes ilegale në tregun e Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në një rast tjetër, gjatë kontrollit të një automjeti tjetër, zyrtarët doganorë zbuluan sasi të konsiderueshme produktesh të qumështit.
Dogana njofton se produktet e qumështit po tentonin t'i kontrabandonin pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues dhe pa respektuar rregullat e importit të produkteve me prejardhje shtazore.
Në njoftim thuhet se mallrat janë sekuestruar dhe procedurat ligjore janë duke u ndjekur në bashkëpunim me institucionet kompetente. /Telegrafi/
Dogana e Kosovës ka ndaluar një sasi mallrash të padeklaruara gjatë një kontrolli rutinor në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Rasti ka ndodhur më 5 shtator 2025, rreth orës 22:00. Sipas njoftimit për media, automjeti që vinte nga Maqedonia e Veriut ishte ndalur për kontroll, ndërsa drejtuesi i tij kishte deklaruar se nuk kishte mall për të raportuar.
“Megjithatë, pas një kontrolli të detajuar, zyrtarët doganorë kanë zbuluar mallra të padeklaruara të llojeve të ndryshme, kryesisht adapterë me origjinë nga Kina,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Në total janë sekuestruar 431 copë adapterë të markave të mbrojtura si Samsung dhe Apple, të cilat janë dërguar për verifikim në Sektorin për Pronësi Industriale (DPI).
Dogana bëri të ditur se mallrat janë ndaluar përkohësisht dhe se procedurat përkatëse ligjore janë duke u ndjekur.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e tregtisë së mallrave të padeklaruara dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale,” përfundon njoftimi. /Telegrafi/
Policia kufitare e doganës së Kapshticë ka arrestuar dy persona, të cilët kanë tentuar të futin kontrabandë në Shqipëri produkte ushqimore, medikamente, produkte medicinale për bimët, ikona kulti dhe disa aparate celularë Në pranga janë vënë shtetasit Denis Çela, 37 vjeç, banues në fshatin Papër, Elbasan dhe Ardian Kondili, 58 vjeç, banues në fshatin Drenovë, […]
TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Transporti detar shënoi rritje edhe gjatë tremujorit të dytë të këtij viti, si në volumin e mallrave të përpunuara ashtu edhe në numrin e pasagjerëve që kanë udhëtuar nëpërmjet porteve detare të vendit.
Aktualisht, në vend operojnë katër porte për transportin e mallrave: porti i Durrësit, i Vlorës, i Shëngjinit dhe porti i Limjonit në Sarandë.
Ndër to, porti i Durrësit mbetet nyja kryesore e trafikut tregtar detar, duke përpunuar 93,6% të totalit të mallrave të transportuar me det, ose 2063 mijë tonë mallra gjatë tremujorit të dytë të këtij viti. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ky port ka regjistruar një rritje prej 1,4% në volumin e mallrave.
Sa i përket strukturës së mallrave të transportuara, referuar raportit të publikuar nga Instituti i Statistikave (INSTAT), grupi i metaleve bazë dhe produkteve metalike të fabrikuara përbën 17% të mallrave të lëvizura përmes rrugëve detare, ndërsa koks dhe produktet e rafinuara të naftës zënë 16,9%. Mallrat me përbërje minerale jometalike përbëjnë 16,2% të totalit, ndërsa qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përfaqësojnë 5% të volumit të përgjithshëm të transportuar.
Në të njëjtën periudhë është regjistruar edhe një rritje në qarkullimin e anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet shqiptare. Gjatë tremujorit të dytë janë regjistruar gjithsej 276 anije, prej të cilave 253 ishin të huaja dhe vetëm 23 vendase. Të dhënat flasin për një rritje prej 10% të qarkullimit total të anijeve, ndërsa anijet e huaja janë shtuar me 16,1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Edhe transporti i pasagjerëve ka pasur një dinamikë të lartë gjatë kësaj periudhe, veçanërisht për shkak të sezonit turistik. Lëvizja e pasagjerëve është kryer përmes porteve të Durrësit, Vlorës dhe Sarandës, ndërsa porti i Shëngjinit nuk ka pasur aktivitet pasagjerësh.
Numri total i udhëtarëve të regjistruar është për këtë periudhë arrin 330 630. Porti i Sarandës regjistroi edhe fluksin më të lartë, duke përpunuar 54% të pasagjerëve, i ndjekur nga porti i Durrësit me 40,3% dhe më pas ai i Vlorës me 5,7%.
Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të shmangies nga taksat doganore në pikën kufitare në Han të Elezit.
Policia njofton se më 29.07.2025, njësitet patrulluese kufitare nga DRPK-Lindje (Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Kaçanik) në Han të Elezit kanë ndaluar një automjet të dyshuar me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut të drejtuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili përkundër pohimit se nuk ka asgjë për të deklaruar tek zyrtarët doganorë i janë gjetur afro 4 mijë çorapë.
“…Njësitë patrulluese kufitare nga DRPK-Lindje (Stacioni Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Kaçanik) në Han të Elezit kanë ndaluar një automjet të dyshuar me targa të Republikës së Maqedonisë së Veriut të drejtuar nga një shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili përkundër pohimit se nuk ka asgjë për të deklaruar tek zyrtarët doganorë, pas ndaljes në pikën e kontrollit, gjatë kontrollit të detajuar në bagazh janë gjetur një sasi prej gjithsej 3,780 copë – çorapësh të markave të mbrojtura tregtare si Nike dhe Adidas, si dhe në pjesën e përparme të automjetit (në sirtarin e pasagjerit) janë zbuluar edhe 47 thika gjahu me këllëfë për të cilat nuk është paraqitur asnjë dokumentacion shoqërues”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i cili ka urdhëruar që rasti të trajtohet si “Shmangie nga taksat doganore”.
Tutje bëhet e ditur se mallrat e dyshuara janë konfiskuar përkohësisht dhe i dorëzohen Doganës se Kosovës. Automjeti është liruar, ndërsa personi i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave pezulloi qarkullimin e një sasi produktesh që dyshohet se cenonin të drejtën e pronësisë intelektuale.
“Në degën e Doganës Kukës janë pezulluar për qarkullim të lirë disa mallra sportive dhe etiketa përfshirë kostume dhe bluza të markave “Macron” me mbishkrimin “FSHF”, kostume “Adidas” me mbishkrimin “REAL MADRID”, kostume “Nike” me mbishkrimin “BARCELONA”, si dhe mijëra etiketa të markave “Lacoste” dhe “Polo””, bën të ditur DPD.
Administrata Doganore siguroi se do të vijojë punën për të luftuar çdo përpjekje për futjen e mallrave të palejuara në treg, dhe për të mbrojtur interesat legjitime të mbajtësve të këtyre të drejtave në Shqipëri. /j.p/