Salla: Mbështetje rekord për bujqësinë gjatë këtij viti
TIRANË, 2 shkurt /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi sot një takim dëgjese me fermerët e Dibrës, Klosit, Matit dhe Bulqizës, në kuadër të hartimit të Skemës Kombëtare 2026.
Gjatë bashkëbisedimit, fermerët parashtruan sugjerimet dhe nevojat e tyre konkrete, me synim orientimin e mbështetjes financiare drejt sektorëve ku nevoja është më e madhe.
Ministri Salla theksoi se viti 2026 do të shënojë një mbështetje rekord për bujqësinë, e cila do të jetë plotësisht në dispozicion të fermerëve, por do të kërkojë angazhim, aplikim dhe bashkëpunim në grupe, si pjesë e procesit të formalizimit të sektorit.
Ai bëri të ditur se mbështetja do të realizohet përmes subvencioneve direkte, skemave të granteve, garancisë shtetërore deri në 70 për qind dhe kompensimit të TVSH-së për të gjithë fermerët, për çdo produkt të shitur nga 1 janari 2026 e në vijim.
Sipas ministrit, dëgjesat me fermerët janë thelbësore për ndërtimin e një panorame të qartë mbi sfidat dhe potencialet e bujqësisë, në funksion të një skeme sa më efikase dhe gjithëpërfshirëse.
Më herët, ministri Salla, së bashku me deputeten e PS, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim në Baldushk me fermerët e qarkut Tiranë. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi sugjerimet dhe nevojat e fermerëve për adresimin dhe përdorimin sa më efikas të mbështetjes financiare.
Ministri vuri në dukje se Skema Kombëtare 2026 po hartohet mbi bazën e kontributit të drejtpërdrejtë të fermerëve, me synim rritjen e konkurrueshmërisë së prodhimeve “Made in Albania” dhe ndërtimin e një bujqësie më të qëndrueshme, në përputhje me vizionin afatgjatë “Bujqësia 2030”.
/gj.m/j.p/
The post Salla: Mbështetje rekord për bujqësinë gjatë këtij viti appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.