FOKUS – Çaji dhe kafeja ulin rrezikun e demencës
BOSTON, 9 shkurt /ATSH/ – Një filxhan i përditshëm çaji ose kafeje mund të ofrojë më shumë sesa një nisje të këndshme të ditës.
Sipas një studimi të ri të kryer nga Universiteti i Harvardit, konsumimi i rregullt i këtyre pijeve me kafeinë lidhet me një rrezik më të ulët për demencë dhe me performancë më të mirë njohëse krahasuar me individët që nuk i konsumojnë ato, sipas “The Independent”.
Studimi analizoi të dhëna nga rreth 131 mijë punonjës shëndetësorë në SHBA, përfshirë 86 mijë infermiere dhe 45 mijë profesionistë të tjerë të shëndetit, të ndjekur për një periudhë mesatare prej 43 vitesh.
Pjesëmarrësit plotësonin pyetësorë ushqimorë çdo dy deri në katër vjet, duke përfshirë sasinë e kafesë me dhe pa kafeinë dhe të çajit që konsumonin.
Përveç kësaj, ata iu nënshtruan testeve njohëse të përsëritura gjatë viteve.
Gjatë periudhës së ndjekjes, u identifikuan 11 033 raste të demencës.
Analiza tregoi se konsumimi më i lartë i kafesë me kafeinë shoqërohej me një ulje prej rreth 18% të rrezikut për demencë, ndërsa personat që pinin më shumë çaj shfaqnin një ulje prej 16%.
Ata që konsumonin më shumë çaj dhe kafe treguan gjithashtu një ritëm më të ngadaltë të rënies njohëse krahasuar me ata që pinin më pak.
Hulumtuesit vunë re se kafeja pa kafeinë nuk lidhej me ulje të rrezikut të demencës apo me performancë më të mirë njohëse. Përfitimet më të theksuara u vërejtën te konsumi i moderuar: rreth dy deri në tre filxhanë kafeje me kafeinë në ditë ose një deri në dy filxhanë çaji, duke mos u vërejtur avantazhe shtesë për sasi më të mëdha.
Yu Zhang, autori kryesor i studimit nga Shkolla e Shëndetit Publik “TH Chan” në Harvard, tha se “demenca është një nga sfidat më të mëdha të shëndetit publik në botë dhe trajtime efektive janë ende shumë të kufizuara. Identifikimi i faktorëve të stilit të jetesës që mund të lidhen me rrezikun për demencë është i rëndësishëm, sidomos kur bëhet fjalë për pije që konsumohen gjerësisht globalisht”.
Ekspertët paralajmërojnë gjithsesi se ky studim tregon një lidhje statistikore, jo një marrëdhënie shkak-pasojë.
Susan Kohlhaas nga “Alzheimer’s Research UK“ theksoi se “personat që pinë kafe ose çaj mund të ndryshojnë edhe në mënyra të tjera që ndikojnë në shëndetin e trurit, dhe studimi mbështetet pjesërisht në diagnoza të vetëraportuara”.
Tara Spires-Jones nga “UK Dementia Research Institute” shtoi se faktorë të tjerë, si cilësia e gjumit dhe shëndeti kardiovaskular, mund të ndikojnë gjithashtu, dhe se të dhënat e kafeinës janë marrë nga vetë-raportime çdo dy deri në katër vjet, gjë që mund të ndikojë në saktësinë e tyre.
Sipas studiuesve, edhe një ndikim modest i kafesë dhe çajit mund të ketë pasoja të rëndësishme në nivel popullsie, duke dhënë një arsye shtesë për t’i përfshirë këto pije në rutinën e përditshme, me moderim./ /Ad.Ab./ a.jor.
The post FOKUS – Çaji dhe kafeja ulin rrezikun e demencës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.