Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 20 January 2026Main stream

Rama i përgjigjet ftesës së Trump për Bordin e Paqes: Së shpejti i përcillet Kuvendit për miratim

20 January 2026 at 12:33

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama njoftoi se i është përgjigjur ftesës së presidentit amerikan Donald Trump, për të marrë pjesë në Bordin e Paqes për rindërtimin e Gazës.

Kreu i qeverisë shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar në lidhje me këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Rama theksoi se Shqipëria qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global. Rama nënvizoi se pret me interes që të kontribuojë në suksesin e misionit të Bordit të Paqes.

Kreu i qeverisë nënvizoi se “së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim”.

Përgjigjja e plotë e kryeministrit Edi Rama ndaj ftesës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump

Republika e Shqipërisë

Kryeministri

Tiranë, 19 janar 2026

Shkëlqesisë së Tij Z. Donald J. Trump

President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Washington, DC

I nderuar Zoti President,

Po ju shkruaj për të shprehur vlerësimin tim më të thellë për angazhimin tuaj të fortë dhe udhëheqjen vizionare në themelimin e Bordit të Paqes, si edhe për t’ju falënderuar sinqerisht për ftesën që më keni drejtuar personalisht për të qenë pjesë e tij, si edhe për ftesën drejtuar vendit tim, Republikës së Shqipërisë, për të shërbyer si anëtare themeluese.

Në një kohë kur konfliktet dhe përçarja dominojnë shumë shpesh panoramën ndërkombëtare, paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë. Bordi i Paqes shfaqet si mishërimi i kësaj domosdoshmërie urgjente.

Duke trajtuar njëkohësisht pasojat e menjëhershme të konflikteve dhe shkaqet më të thella strukturore që e prodhojnë paqëndrueshmërinë, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtetë transformues të ndërtimit të paqes në nivel global.

Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale.

Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë; kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Prandaj, është njëkohësisht privilegj dhe nder të shpreh gatishmërinë time të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare.

Populli shqiptar do ta kujtojë gjithmonë dhe do ta çmojë vazhdimisht rolin parimor dhe vendimtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, drejt vendosjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë në momente kritike të historisë sonë të përbashkët. Në këtë frymë të qëndrueshme partneriteti, dëshiroj të ritheksoj se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.

Duke pritur me interes të kontribuoj në suksesin e misionit të Bordit të Paqes, ju lutem pranoni, Zoti President dhe Kryetar i Bordit, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Me respekt,

Edi Rama

1 nga 2

/a.f/r.e/

The post Rama i përgjigjet ftesës së Trump për Bordin e Paqes: Së shpejti i përcillet Kuvendit për miratim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Qeveria ka dështuar të ndërtojë standarde evropiane brenda vendit

20 January 2026 at 12:28

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha sot se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk matet me numrin e ligjeve të miratuara formalisht në Kuvend, por me standardet reale që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së qytetarëve.

Sipas Tabakut, integrimi evropian nënkupton më shumë arsim cilësor, shëndetësi më të mirë, siguri ushqimore, ekonomi funksionale dhe infrastrukturë sipas standardeve të BE-së, fusha në të cilat Shqipëria, sipas saj, mbetet ende shumë larg.

Tabaku shtoi se vetë qeveria shqiptare ka pranuar këtë realitet, duke kërkuar zyrtarisht periudha të ndërmjetme në negociatat me Bashkimi Evropian.

“Vetëm për sigurinë ushqimore janë kërkuar të paktën 5 vite shtesë për përmbushjen e standardeve. Për infrastrukturën nevojiten rreth 15 vite investime, ndërsa për ekonominë një dekadë e plotë”, u shpreh Tabaku.

Sipas saj, këto kërkesa tregojnë qartë se Shqipëria nuk është gati për anëtarësim real dhe se problemet nuk janë të reja.

“Këto nuk janë detyrime që Shqipëria po i mëson sot. Janë çështje të njohura prej vitesh, por të injoruara sistematikisht nga qeveria gjatë 12 viteve të fundit”, deklaroi ajo.

Tabaku nënvizoi se në total janë rreth 15 periudha të ndërmjetme që qeveria shqiptare ka kërkuar nga Bruksel, një tregues i qartë, sipas saj, i dështimit për të ndërtuar standardet evropiane brenda vendit.

“Në fund të ditës, Evropa nuk është në letra dhe në raporte propagandistike. Evropa është në cilësi dhe standarde. Fatkeqësisht, këto standarde ende nuk i kemi arritur, dhe me këtë ritëm, rrezikojmë të mos i arrijmë as në vitet që vijnë” tha Tabaku.

/m.q/r.e/a.f/

The post Tabaku: Qeveria ka dështuar të ndërtojë standarde evropiane brenda vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komici: Emërimi i kryetarëve të gjykatave deri në vitin 2028, që KLGJ të mos zvarrisë procedurat

20 January 2026 at 11:48

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Deputeti Olsi Komici në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale iu përgjigj sot shqetësimit të ngritur nga Shoqata e Gjyqtarëve në lidhje me emërimin e kryetarëve të gjykatave.

Teksa shqyrtohej projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 96/2016 ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’”, Komici tha se është lënë një afat që kryetarët e gjykatave të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028, por kjo pikë është e diskutueshme.

Komici theksoi se viti 2028 është vendosur për të caktuar një afat për KLGJ-në, në mënyrë që mos të krijohet një vakuum institucional.

“Në rast se bëhet fjalë për ‘deadline’ në lidhje me kryetarët e gjykatave, që është dhe shqetësimi kryesor i Shoqatës së Gjyqtarëve, është lënë një afat që kryetarët e gjykatave apo zëvendëskryetarët të rrinë në detyrë deri në fund të vitit 2028. Që kur bëra prezantimin e nismave ligjore, e lashë si pikë për ta diskutuar, hapa kartat e diskutimit në këtë komision. Logjika dhe ideja ime ka të bëjë me faktin se vërtetë nga ana e KLGJ është miratuar në rregulloren përkatëse për zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave, por unë mbaj parasysh që procesi i vlerësimit të pasurisë, integriteti dhe aftësive profesionale të të gjithë kandidatëve për kryetarë gjykatash, është një proces që do të dojë një kohë të konsiderueshme.

“Pra ne mund të dimë datën se kur do të fillojë ky proces, por nuk mund të dimë datën se kur përfundon ky proces, i cili mund të vazhdojë për muaj, por mund të vazhdojë dhe për një 1 vit apo 2 vite. Është një proces realisht mjaft kompleks, ku përveç marrjes së analizës së informacionit që bëjnë Këshillat përkatëse, ka të bëjë me faktin me ndërthurjen e këtij informacioni dhe pika më e vështirë është në vlerësimin përfundimtar që u bëhet kandidaturave.

“Pikërisht, për të shmangur këtë vakuum që mund të krijohet, në kohë dhe institucional, kam propozuar që të vendoset një afat, pra që është viti 2028, në mënyrë që mos të lëmë bosh institucionin e kryetarit të gjykatës, pra të këtë një vazhdimësi ky institucion, ky rol, qoftë ligjor dhe kushtetues, por nga ana tjetër përcaktojmë dhe një afat për KLGJ-në. Pra në bazë të Rregullores, ke të drejtën ta fillosh procesin, por jo ta zgjasësh pafund. Kam vendosur vitin 2028, por që është i diskutueshëm, është relativ”, tha Komici.

Komici shtoi se “ligji përcakton afatin 3-vjeçar të atyre që janë në detyrë, por deadline (afati i fundit) është që mos të zvarrisin pafund procedurat”.

“Një propozim mund të jetë që KLGJ të nisë procedurën për zgjedhjen e kryetarit dhe mos të kalojë afati 3-vjeçar i atyre që janë në detyrë”, tha ai.

Deputetët e Partisë Demokratike nuk morën pjesë në mbledhjen e komisionit.

/m.q/r.e/a.f/

The post Komici: Emërimi i kryetarëve të gjykatave deri në vitin 2028, që KLGJ të mos zvarrisë procedurat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PD kërkon mbledhje me dyer të hapura të Byros së Kuvendit

20 January 2026 at 10:55

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Byroja e Kuvendit do të mblidhet sot në orën 11:00 për të shqyrtuar ankimimin e deputetëve të përjashtuar të Partisë Demokratike.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike kërkon që mbledhja të jetë e hapur.

“Në cilësinë e anëtarit të Byrosë së Kuvendit, në kuadër të transparencës dhe interesit të opinionit publik, si dhe ndjeshmërisë së çështjeve për diskutim, kërkoj që mbledhja e sotme e Byrosë së Kuvendit, në orën 11:00, të zhvillohet me praninë e medieve dhe gazetarëve”, thuhet në kërkesën e depozituar nga deputeti Belind Këlliçi, në emër të grupit parlamentar të PD-së.

Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën ka përjashtuar gjashtë deputetë të Partisë Demokratike, Belind Këlliçin, Albana Vokshin, Klevis Balliun, Elda Hotin, Flamur Nokën dhe Fidel Krekën, pas kaosit të krijuar në Kuvend seancën e 18 dhjetorit.

/m.q/r.e/a.f/

The post PD kërkon mbledhje me dyer të hapura të Byros së Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria e Përgjithshme përfundon verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka, rezultatet ia përcjell KLGJ-së

20 January 2026 at 10:30

TIRANË, 20 janar /ATSh/ Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se ka përfunduar verifikimet brenda dhe jashtë vendit për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Irena Gjoka.

Prokuroria e Përgjithshme bëri të ditur se ka miratuar rezultatet e procesit të verifikimit dhe e ka përcjellë vendimin në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

“Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjithshme është regjistruar me nr. 40 procesi për verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ia ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe vendimit të Kuvendit “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike””, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme.

Prokuroria e Përgjithshme nisi verfikimin për gjyqtaren Irena Gjoka pas një shkrimi të publikuar në mediet greke se është dënuar në vendin fqinj për falsifikim dokumentesh.

Irena Gjoka ështe edhe gjyqtarja paraprake e dosjes “Partizani”, në të cilën është marrë i pandehur ish-kryeministri Sali Berisha.

/m.q/a.f/r.e/

The post Prokuroria e Përgjithshme përfundon verifikimin për gjyqtaren Irena Gjoka, rezultatet ia përcjell KLGJ-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 19 January 2026Main stream

QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion

19 January 2026 at 22:55

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” informoi se sot në mbrëmje, për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike.

Sipas QSUT-së falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve.

“Menjëherë, ekipet mjekësore, teknike dhe drejtuese janë vënë në gatishmëri të plotë, duke vepruar sipas protokolleve të sigurisë dhe duke ofruar çdo suport të nevojshëm, për garantimin e shërbimit shëndetësor si dhe duke marrë masat e nevojshme”, njoftoi QSUT.

QSUT siguroi qytetarët se situata është menaxhuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe se institucioni mbetet në gatishmëri të plotë, për të përballuar çdo situatë, në funksion të mbrojtjes së shëndetit dhe jetës së pacientëve.

QSUT njoftoi se ka ngritur menjëherë grupin e punës për verifikimin e situatës.

Mbrëmjen e sotme, për shkak të një problemi në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), mbetën pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

/m.q/j.p/

The post QSUT: Jeta e pacientëve nuk u cenua në asnjë moment nga ikja e energjisë, aparaturat jetike në funksion appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Akses më i gjerë i fermerëve në Skemën Kombëtare 2026

19 January 2026 at 22:31

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Skema Kombëtare 2026 do të hartohet për të garantuar që çdo fermer me NIPT, si dhe fermerët e organizuar në grupe, të kenë akses sa më të gjerë dhe më të drejtë në mbështetjen direkte.

Kështu bëri të ditur ministri për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, Andis Salla, i cili zhvilloi një dëgjesë me fermerët e bashkisë Pogradec, si pjesë e procesit të bashkëhartimit të Skemës Kombëtare 2026, për ta ndërtuar atë mbi nevojat reale të terrenit.

Salla theksoi se fokusi është “rritja e standardeve të prodhimit Made in Albania, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian në mënyrë që konsumatorët shqiptarë të kenë cilësi evropiane në tryezë e po ashtu fermerët të mbështeten ashtu si në BE, dhe produktet vendase të zgjerojnë hartën e eksporteve, duke e bërë bujqësinë shqiptare më konkurruese në tregjet rajonale dhe evropiane.

Skema 2026 do të ketë një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, ose 16% më të lartë krahasuar me një vit më parë.

Turi i dëgjesave me fermerët do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit, duke synuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të komuniteteve bujqësore në hartimin e Skemës Kombëtare 2026.

/m.q/j.p/

The post Salla: Akses më i gjerë i fermerëve në Skemën Kombëtare 2026 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Hapet thirrja për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor

19 January 2026 at 21:56

TIRANW, 19 janar /ATSh/ Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit ka hapur zyrtarisht thirrjen për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor për vitin 2026, e cila u drejtohet institucioneve publike të arsimit të lartë në vend.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, e cila theksoi se kjo thirrje synon të mbështesë investime konkrete që forcojnë kapacitetet kërkimore të universiteteve.

“Kjo thirrje synon të mbështesë investime konkrete në laboratorë, pajisje kërkimore, sisteme teknologjike dhe çdo infrastrukturë inovative që i shërben procesit akademik dhe kërkimit shkencor në universitetet tona”, theksoi ministrja.

Sipas saj, institucionet publike të arsimit të lartë ftohen të paraqesin projekte.

“Institucionet publike të Arsimit të Lartë ftohen të dorëzojnë projektet e tyre që lidhen ngushtësisht me nevojat e programeve të studimit, kurikulave dhe prioriteteve kërkimore të tyre, me fokus të veçantë në shkencën e hapur, ku infrastruktura e re duhet të jetë e aksesueshme edhe për përdorues të jashtëm, në përputhje me standardet europiane”, njoftoi Kumbaro.

/m.q/j.p/

The post Hapet thirrja për projektet e infrastrukturës së kërkimit shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Defekt në linjën e OST, disa zona në Tiranë mbeten pa energji elektrike

19 January 2026 at 21:50

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Një avari në linjën 110kV të Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ka lënë pa energji elektrike disa zona në Tiranë.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) njoftoi se po punohet për rikthimin e energjisë elektrike

“Rreth orës 20:30 është stakuar linja e transmetimit 110kV Tirana 220 kV – Traktora, ku për disa minuta la pa energji elektrike disa zona të Tiranës”, njoftoi OSHEE.

Aktualisht, sipas OSHEE grupet e OSSH po manovrojnë me linjat e dyta përmes skemave unazë.

“Institucionet e rëndësisë së veçantë kanë marrë energji elektrike, si dhe në disa zona është rikthyer brenda 30 minutash”, njoftoi OSHEE.

Sipas OSHEE, aktualisht pa energji elektrike janë një pjesë e rrugës “Ali Demi”, zona pranë Teleferikut, Fresku, zonat pranë “Rruga e Elbasanit”, etj.

/m.q/j.p/

The post Defekt në linjën e OST, disa zona në Tiranë mbeten pa energji elektrike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Berisha: Protesta kombëtare, moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit

19 January 2026 at 21:50

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në “Foltoren” e zhvilluar sot para Kryeministrisë, kërkoi largimin e qeverisë, e cila sipas tij “ka shpërfytyruar dhe po shpërfytyron çdo ditë e më shumë Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te protesta që do të zhvillojë opozita më 24 janar, nga ku u bëri thirrje qytetarëve që të mobilizohen.

Sipas Berishës, protesta e 24 janarit do të jetë një moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit.

“Kjo protestë e kësaj jave ka një rëndësi të veçantë sepse kjo javë është përcaktuese për 24 janarin, protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë, zemërimin më të fuqishëm të shqiptarëve, guximin e tyre më të madh”, u shpreh Berisha para pjesëmarrësve duke iu referuar protestës kombëtare të thirrur nga kjo parti.

“Shqiptarët po presin me padurim revoltën, kryengritjen paqësore, përballjen dhëmb për dhëmb me këtë regjim, fitoren e opozitës. Ndaj secili këtë javë, këto ditë, secili nga ne dhe çdo opozitar, të bëjë gjithçka, të mos i mungojë Shqipërisë më 24 janar”, tha Berisha.

Berisha theksoi më tej se në komisionin e jashtëm të kongresit të SHBA, u miratua një dokument themelor, në të cilin pasqyrohen të gjithë shqetësimet për të cilat protestuan qytetarët në dhjetor.

Berisha tha se ky dokument denoncon me forcën më të madhe arrestimet politike të këtij regjimi dhe kërkon ndërhyrjen e Uashingtonit dhe të Brukselit kundër kësaj situate. “Ky dokument frymëzohet nga guximi juaj për të mbrojtur të vërtetat e këtij vendi”, tha kreu i PD-së.

Berisha u shpreh se “Shqipëria nuk do ketë kurrë Kushtetutë dhe ligj pa triumfin e opozitës, pa triumfin e qytetarëve, pa kryengritjen paqësore të shqiptarëve”. /m.q/j.p/

The post Berisha: Protesta kombëtare, moment vendimtar për të ardhmen politike të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Foltorja e PD, Balliu: Misioni i opozitës është qeveria teknike

19 January 2026 at 18:54

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.

Gjatë fjalës së tyre, deputetët dhe qytetarët përsëritën kërkesën për largimin e qeverisë. Në fjalën e tij, deputeti Klevis Balliu theksoi se misioni i opozitës është qeveria teknike dhe largimi i Kryeministrit.

“Për çdo shqiptar, nëse duam të shpëtojmë të ardhmen e këtij vendi, zgjidhja është një dhe e vetme: përballje, kudo në çdo rrugë dhe në çdo institucion. Le të bashkohemi me datën 24 për qëndresë qytetare dhe patriotike”, tha ai.

E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.

Foltorja e Partisë Demokratike nisi në formë proteste ndaj asaj që PD e cilëson heshtje të zërit të saj në Kuvend.

/m.q/j.p/

The post Foltorja e PD, Balliu: Misioni i opozitës është qeveria teknike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lëvizja “Bashkë”, protestë para Kuvendit

19 January 2026 at 18:32

TIRANË, 19 janar /ATSh/ Lëvizja “Bashkë” protestoi sot para parlamentit në lidhje me situatën politike në vend, ndërsa mbështetës të saj me parulla dhe thirrje kërkuan largimin nga detyra të zëvendës kryeministres Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi tha se prania e qytetarëve dëshmon “vullnetin për të rindërtuar besimin tek njëri-tjetri”.

Muçi tha se shteti duhet të ketë “prioritet kryesor mbrojtjen e shtresave në nevojë, të pensionistëve, të fëmijëve dhe pleqve që lypin rrugëve, të njerëzve që e kanë humbur shpresën për të ndërtuar një jetë me dinjitet”.

Gjithashtu, Muçi theksoi se “punëtorëve duhet t’u respektohen të drejtat dhe t’u paguhen sigurimet shoqërore”.

Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorri bëri thirrje që të bëhen bashkë që “t’i hapin rrugë ndërtimit të një shteti modern dhe që u mundëson gjithë qytetarëve të vet që të jetojnë me dinjitet”.

1 nga 5

/m.q/j.p/

The post Lëvizja “Bashkë”, protestë para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Punimet në shëtitoren “Taulantia” në Durrës përfundojnë në maj

17 January 2026 at 14:27

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot disa projekte të rëndësishme urbanistike në qytetin e Durrësit.

I shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, Rama inspektoi punimet në kantierin e shëtitores “Taulantia”, ku po vijon puna për transformimin e saj në një hapësirë funksionale për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.

Shëtitorja, e cila parashikohet të përfundojë në maj të këtij viti, do të kompletohet me terrene të gjelbëruara, sistem ndriçimi, korsi të posaçme për këmbësorët dhe biçikletat, kënde e fusha sportive, të gjitha në funksion të turizmit

“Janë duke u realizuar themelet e shëtitores. U hoqën stolat e amortizuar dhe jemi duke punuar me pjesën e shtrimit të bazamentit, është zgjeruar dhe kemi vendosur edhe pjesën e barrierës me gurë”, u shpreh Sako.

Sipas Sakos “projekti përfshin gjithë sistemimin e territorit, që nga lokalet që ndodhen në shëtitore, elementët e ndriçimit, stolave dhe të gjelbërimit”.

Kjo zonë nënvizoi kryetarja e bashkisë ka një frekuentim shumë të lartë gjatë dimrit dhe verës. /m.q/j.p/

The post Punimet në shëtitoren “Taulantia” në Durrës përfundojnë në maj appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Grup pune mes qeverisë dhe bashkive për sfidat e anëtarësimit në BE

17 January 2026 at 14:10

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e informimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të bashkive për përgatitjen e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Golem, kreu i qeverisë nënvizoi se disa nga sfidat janë komplekse, duke përmendur veçanërisht fushën e mjedisit.

“Bashkimi Evropian ka një mekanizëm që u mundëson vendeve të reja anëtare, të përfitojnë periudha tranzitore, për të qenë gati, për t’iu nënshtruar të njëjtave rregulla”, vuri në dukje Rama.

“Sfida më e rëndë që janë përballur dhe vende të tjera para nesh, ka qenë fusha e mjedisit. Nëse gjithçka do shkojë sipas planit të dakordësuar me Komisionin, dhe nëse ne do të jemi të aftë mjaftueshëm që t’i mbyllim negociatat në fund të 2027, do duhen edhe dy vite për të bërë ratifikimin me vendet anëtare dhe në 2030 Shqipëria do ulet në tryezën e Bashkimit Evropian, do ketë edhe 10 vjet plus të tjera për të qenë gati t’i nënshtrohet rregullave të BE-së lidhur me mjedisin. Pra, 15 vjet nga sot. Duken shumë, por janë pak vite”, tha Rama.

Një tjetër sfidë sipas kreut të qeverisë është siguria ushqimore.

“Ne duam një fazë 5-vjeçare tranzitore për sigurinë ushqimore. Kjo do të thotë se gjatë fazës tranzitore të mos jesh në gjendje të mos eksportosh, por je i lejuar të konsumosh vetë. Pastaj, pas fazës tranzitore, të mos jesh në gjendje të konsumosh as vetë, asgjë nga ato që prodhon këtu dhe nuk janë njësh standardi me Bashkimin Evropian, sepse nuk je më një treg në vete, je pjesë e një tregu me 450 milionë njerëz. Do t’i nënshtrohesh atij tregu”, theksoi Kryeministri.

“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm sot për këtë, që fermerët, sipërmarrjet tona në fshat të jenë të qartë, nëse nuk janë gati duhet të mbyllin qepenin. Kaq e thellë është nevoja për transformim dhe kaq e thellë duhet të jetë mirëkuptimi për sfidat. Duhet të jemi të vetdijshëm dhe kërkon anagzhim në nivelin vendor”, tha Rama.

Ai theksoi nevojën për angazhim në nivel vendor dhe për krijimin e një grupi pune të përbashkët mes qeverisë dhe bashkive për sfidat e procesit të integrimit në BE.

“Duhet të krijojmë një grup pune i përbashkët midis qeverive dhe bashkive për të trajtuar këto probleme. Në këtë grup të ishte ministri i Pushtetit Vendor i cili do ta drejtojë dhe nga ana e qeverisë të ishte ministri i Ekonomisë, i Turizmit, ndërsa nga ana juaj të ishte kryetari i Bashkisë Lezhë, Maliq, Shkodër, Himarë, Durrës, Roskovec”, tha Rama.

/m.q/j.p/

The post Rama: Grup pune mes qeverisë dhe bashkive për sfidat e anëtarësimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Taskforcë kundër mbetjeve, plan në tre faza për frenimin e papërgjegjshmërisë qytetare

17 January 2026 at 12:32

TIRANË, 17 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me kryebashkiakët për sfidat e bashkive për 2026, sezonin turistik dhe betejat e përbashkët politike e shoqërore kundër mbetjeve plastike.

Gjatë fjalës së tij Rama bëri të ditur se do të ngrihet një taskforcë për menaxhimin e mbetjeve plastike që hidhen në territor.

Rama deklaroi se viti ka nisur me një situatë të vështirë atmosferike, e cila ka prekur një pjesë të madhe të territorit dhe komuniteteve, duke e përballur vendin me emergjenca që po bëhen gjithnjë e më sistematike për shkak të ndryshimeve klimatike.

Kreu i qeverisë shtoi se përballë intensitetit të lartë të reshjeve ka pak çfarë mund të bëhet në aspektin teknik, por theksoi se situata përkeqësohet nga faktorë që lidhen drejtpërdrejt me sjelljen njerëzore. Ai tha se qytetarë të papërgjegjshëm hedhin mbetje plastike në natyrë, duke theksuar se këto mbetje, të shtyra nga era dhe reshjet, bllokojnë pikat kyçe të rrjetit të kullimit.

Rama bëri thirrje për angazhim të përbashkët ndaj mbetjeve plastike, duke theksuar se ato janë pasojë e sjelljes njerëzore dhe kanë ndikim të madh mjedisor dhe ushqimor.

“Kur gjendemi para kësaj situate, agresioni të mbetjeve plastike që është drejtpërdrejt ndikimi i njeriut, mbi këtë situatë duhet të vetëdijesohemi dhe angazhohemi për të ndërmarrë një ofensive të përbashkët, në nivelin vendor e qendror dhe që të angazhojmë komunitetet, nga njëra anë të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe nga ana tjetër që të krijojmë kushtet për të vënë në kontroll këtë faktor kaq të dëmshme jo vetëm për këto situata, por edhe për shumë çka tjetër.

“Ajo që ndodh me plastikën ka dëme të pariparueshme edhe për jetesën e detit dhe për cilësinë e ushqimeve tona. Duhet të bëjmë çmos për ta frenuar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare të kujtdo qoftë ndër ne si popull që jeton në këtë vend dhe ndër ne si komb që këtë vend e kemi vendin e destinacionit kryesor turistik. Kjo është punë shqiptare, ky është krim shqiptar. Nuk është një krim që mund të vëmë gishtin për të gjetur bashkëfajtor të turistët e huaj”, tha Rama.

Për të adresuar këtë problem, kreu i qeverisë kërkoi krijimin e një task-force të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të hartuar një plan tre-fazor, që përfshin sensibilizimin dhe veprimin në shumë dimensione.

“Për këtë duhet të marrim masa të shpejta. Kjo është arsye pse i kam kërkuar ministrit të pushtetit vendor që të ngrejë një task-forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushteti vendor, përbërë nga përfaqësues kyç të qeverisë dhe disa përfaqësues nga ju për të konceptuar një plan me tre faza; afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë, të përbashkët, 360 gradë që nga sensibilizimi deri tek veprimi në shumë dimensione”, tha Rama.

1 nga 5

/m.q/j.p/

The post Rama: Taskforcë kundër mbetjeve, plan në tre faza për frenimin e papërgjegjshmërisë qytetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga 15 janari, tatimet kontrolle në terren për nëndeklarimin e pagave

17 January 2026 at 10:09

TIRANË, 17 janar /ATSh/ Në kuadër të zbatimit të Planit Sektorial për Ndërtimin dhe rritjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, përmes deklarimit të pagave reale sipas profesioneve në sektorin e ndërtimit, Administrata Tatimore njofton se, pas rreth 30 ditësh nga publikimi i listës së pagave indikative për këtë sektor, konkretisht duke filluar nga data 15 janar, do të nisin kontrollet në terren.

Kontrollet do të zhvillohen kryesisht në subjektet e vlerësuara me risk për nëndeklarim të pagave, të cilat janë njoftuar më parë nga Administrata Tatimore, por nuk kanë reflektuar ndryshime në listëpagesa, pavarësisht njoftimit elektronik të dërguar në llogaritë e tyre në sistemin tatimor, e-Filing.

Fokus i kontrolleve do të jetë verifikimi i pagave të deklaruara në listëpagesa, duke i krahasuar ato me pagat indikative sipas profesioneve përkatëse, listë e  përcjellë në llogaritë elektronike të tatimpaguesve, si dhe e publikuar në faqen zyrtare të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore bën me dije se çdo tatimpagues, që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, apo që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin do të konsiderohet me risk dhe si i tillë do i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.

Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të marrin masat e nevojshme ligjore për deklarimin e saktë të pagave të punonjësve, me qëllim shmangien e masave administrative dhe ligjore. /j.p/

The post Nga 15 janari, tatimet kontrolle në terren për nëndeklarimin e pagave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhësia e dëborës zbukuron qytetin e Pukës

17 January 2026 at 08:59

TIRANË, 17 janar /ATSh/  Qyteti i Pukës i mbuluar nga dëbora e ditëve të fundit ofron pamje magjepsëse për syrin e vizitorit. Dëbora ka zbardhur gjithçka, duke krijuar pamje mbresëlënëse ku liqeni dhe malet ndërthuren në harmoni të plotë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga peizazhet e bukura të qytetit verior, nën bardhësinë e dëborës.

Liqeni i qytetit është sistemuar me vende pushimi mes bredhave të lartë, prej nga mund të ngjitesh në Kodrën e Hanit për të eksploruar pistën natyrore të skive apo livadhet dhe kodrat që nuk ndodhen larg qytetit.

Puka, në veri të Shqipërisë, 145 km nga Tirana, mbetet e preferuara e adhuruesve të malit, ajrit të pastër, qetësisë dhe frymëzimit nga natyra. Kjo qytezë alpine bart në vetvete të gjitha opsionet turistike, për të mirëpritur pranë saj vizitorë vendas dhe të huaj.

Po ashtu Puka njihet për masivin e madh pyjor të pishave, me një sipërfaqe prej 400 hektarësh. Vetitë kurative të pishës janë të shumta. Puka shërben edhe si bazë për ushtrimin e alpinizmit, në malin e Munellës, Bjeshkët e Tërbunit dhe malin e Krrabit.

/m.q/j.p/

The post Bardhësia e dëborës zbukuron qytetin e Pukës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

VanHorn: Do ndjekim prioritetet e Trump në Shqipëri, forcim të SPAK dhe BKH-së

16 January 2026 at 20:38

TIRANË, 16 janar /ATSh/ E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, mori sot pjesë në përfundimin e trajnimit nga FBI të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve.

Gjatë fjalës së saj, Vanhorn theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve janë përparësi kryesore për SHBA-në.

E ngarkuara me punë e ShBA në Tiranë, foli në takimin ku ishin të pranishëm rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirian Mandro, Kryeprokurori i Posaçëm Klodjan Braho, drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Joni Keta si dhe ekspertë të FBI-së Brendan Collins dhe Kala, Joe Danneff nga ekipi i FBI-së për Mbikëqyrjen e Analizës së Celularëve.

“Kushdo që ndjek Ambasadën e Shteteve të Bashkuara këtu në Shqipëri e di se lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve janë përparësi kryesore për ne. Dhe kur Presidenti Trump bëri thirrje për eliminimin e plotë të krimit të organizuar ndërkombëtar, ai nënvizoi se këta kriminelë përdorin sjellje “të ndërlikuara të përshtatjes”, duke krijuar kërcënime të pazakonta dhe në zhvillim për sigurinë tonë kombëtare”, tha VanHorn.

VanHorn theksoi se ShBA ndjek më këmbëngulje prioritetet e presidentit Trump në Shqipëri për forcimin e institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë.

“Dhe siç tha Sekretari Rubio, organizatat ndërkombëtare kriminale dhe terroriste, veçanërisht ato të angazhuara në trafikimin e narkotikëve, janë kërcënimi më i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara në Hemisferën Perëndimore, ku këto grupe po destabilizojnë shtet-kombet dhe po i çojnë në emigrim masiv. Ne do të ndjekim me këmbëngulje prioritetet e Presidentit Trump në Shqipëri, duke forcuar institucionet që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve si SPAK, BKH dhe Akademia e Sigurisë. Rrjetet kriminale, përfshirë grupet shqiptare që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës Latine të përmendura nga Sekretari Rubio, përbëjnë kërcënime të konsiderueshme për sigurinë dhe përparimin ekonomik të Shqipërisë përmes aktiviteteve si trafiku i drogës dhe pastrimi i parave. Sikurse e keni parë përmes këtij kursi, këto krime po mundësohen nga teknologjitë moderne”, theksoi VanHorn.

Përmes këtij trajnimi, shtoi e Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë, “tani keni mjete të reja hetimore dhe aftësi analitike për të shfrytëzuar të dhënat celulare në hetimet penale. Kjo përmirëson hetimet tuaja, duke siguruar gjithashtu respektimin e standardeve më të larta ligjore dhe etike”.

“Dhe ju tani keni pajisje dhe aftësi të reja për hetime të përmirësuara që do të çojnë në më shumë ndjekje penale dhe dënime më të forta të pjesëtarëve të krimit të organizuar”, përfundoi VanHorn. /m.q/j.p/

The post VanHorn: Do ndjekim prioritetet e Trump në Shqipëri, forcim të SPAK dhe BKH-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet projektligji ynë

16 January 2026 at 14:48

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha sot se siguria ushqimore është një alarm kombëtar.

Sipas tij, qeveria “ka goditur produktet bio dhe markën “Made in Albania”, duke i hapur rrugë importuesve abuzivë, klientë të pushtetit të tij kriminal, që e kanë shndërruar Shqipërinë në një kazan mbetjesh për ushqime të kontaminuara dhe të skaduara”.

Deputeti i PL-së theksoi se përballë kësaj situate dramatike në lidhje me sigurinë ushqimore në vend, zgjidhja është “projektligji për sigurinë ushqimore i propozuar nga Partia e Lirisë, i depozituar prej më shumë se një muaji në Kuvend”.

“Ne besojmë se siguria ushqimore nuk është luks, por e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar”, theksoi Blushi.

Sipas Blushit miratimi pa vonesë i këtij projektligji, me nisjen e sesionit parlamentar, është e vetmja zgjidhje e shpejtë dhe efektive për të ndalur këtë krim të përditshëm ndaj shëndetit publik.

“Çdo ditë vonesë është një ditë më shumë rrezik, veçanërisht për fëmijët, të cilët po ushqehen me produkte të kontaminuara”, tha Blushi.

Prandaj, sipas Blushit “miratimi i projektligjit të Partisë së Lirisë nuk është thjesht një zgjedhje politike, por alternativa e vetme konkrete për ta zgjidhur njëherë e përgjithmonë krizën e sigurisë ushqimore, e cila lidhet drejtpërdrejt jo vetëm me shëndetin publik, por edhe me sigurinë kombëtare”.

Projektligji i propozuar nga PL synon të garantojë sigurinë ushqimore për konsumatorin shqiptar përmes vendosjes së një detyrimi të pavarur, të zbatueshëm dhe të verifikueshëm për kryerjen e analizave laboratorike për ndotësit kimikë dhe biologjikë në produktet ushqimore, në përputhje me gjetjet e Raportit të Progresit 2025 të Komisionit Evropian.

/m.q/j.p/

The post Blushi: Siguria ushqimore alarm kombëtar, të miratohet projektligji ynë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje, shumica lidhen me integrimin

16 January 2026 at 14:28

TIRANË, 16 janar /ATSh/ Partia Socialiste mblodhi sot grupin parlamentar ku u diskutua në lidhje me sfidat parlamentare për Shqipërinë 2030.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, Ulsi Manja, në fjalën e tij theksoi se deri në programin e datës 27 shkurt duhet të miratohet një akt normativ si dhe 38 projektligje. Sipas Manjës, shumica e projektligjeve lidhen me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Manja shtoi se çdo ministër duhet të ketë në dorë listën e relatorëve të çdo komisioni për ligjet që lidhen me procesin e integrimit, por edhe për projektligje të tjera.

“E strukturuar, negociatorët tanë diskutojnë me Brukselin, dy ministret tona i kemi atje që negociojnë me Brukselin, qeveria sigurisht koordinon gjithë procesin, Kuvendi i Shqipërisë jemi ne ku do të duhet të kalojmë projektligjet”, sqaroi ai.

“Çdo ministër, por edhe qeveria do të duhet të kenë në dorë listën e relatorëve të çdo komisioni përgjegjës për ligje që lidhen me procesin e integrimit, por edhe për projektligje të tjera. Për lista e relatorëve tanë në komisione do të duhet të jetë në duart e secilit prej kolegëve të qeverisë. Kështu ndërtohet procesi: negociatorët relatorët dhe kryetarët e Komisioneve”, tha Manja.

Manja theksoi se negociatoret dhe relatorët që marrin projektligjet të jenë në kontakt njëri-tjetrin për mbarëvajtjen dhe dinamikën e një projektligji.

“Kjo është skuadër, ministër, qeveri, relator dhe kryetar komisionesh të jemi në një drejtim”, tha Manja.

Në përmbledhje të punës së zhvilluar gjatë vitit të kaluar, Manja theksoi se janë kryer  “30 mbledhje, 38 ligje të trajtuar nga të cilat 6 komision përgjegjës, 32 për dhënie mendimi dhe 8 projektvendime në të cilat kemi qenë komision përgjegjës dhe 70 amendamente vlerë e shtuar për projektligjet që kemi kaluar në komision”.

/m.q/j.p/

The post Manja: Deri në shkurt miratojmë 38 projektligje, shumica lidhen me integrimin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌