Organizonin baste sportive, AMP ekzekuton masa sigurie per 6 efektive dhe 1 person
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Elbasan ka ekzekutuar masat e sigurisë ndaj 6 punonjësve dhe 1 qytetari.
Efektivët janë ndëshkuar pasi hetimi në kuadër të operacionit “Last Bet” përcaktoi se kanë shfrytëzuar funksionin dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar baste sportive. Dy efektivë dhe një qytetar janë vendosur nën arrest shtëpie:
Nënkomisar Redon Tafilaku me detyrë Specialist për krimet, pranë Stacionit të Policisë Manëz, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Inspektor Enea Kapllani me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Qytetari Ilir Tafa banues në Tiranë. Masat për ndalim daljeje jashtë shtetit dhe detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore janë vendosur për 4 punonjës:
Komisar Denis Sinani me detyrë Shef i Seksionit për hetimin e krimeve në volum në Komisariatin e Policisë Devoll.
Nënkomisar Aldi Molla me detyrë Përgjegjës turni pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Inspektor Gëzim Beqiraj me detyrë Ndihmës Specialist / Kontrollor pranë Stacionit të Policisë Kufitare Morinë, në Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Kukës.
Nje inspector me detyrë Trupë shërbimi operacional pranë Seksionit Special të Ndërhyrjes Taktike, në njësinë speciale “Renea”.
Gjithashtu u sekuestruan 7 telefona celularë, të cilët dyshohet të jenë përdorur për kryerjen e aktivitetit kriminal.
Nga hetimet e kryera në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, rezulton se të dyshuarit, duke shfrytëzuar atributet e funksionit dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë organizuar dhe favorizuar ushtrimin e lojërave të fatit dhe basteve sportive të paligjshme.
Veprimet e tyre dyshohet se përbëjnë elementët e veprave penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.