Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 March 2026Main stream

Rama: Lojërat Mesdhetare hyjnë në fazën vendimtare të planifikimit

3 March 2026 at 15:54


Kryetari i Prishtinë, Përparim Rama, ka bërë të ditur se organizimi i Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 ka hyrë në një fazë vendimtare të planifikimit.

Sipas tij, në kuadër të Komitetit Organizativ po zhvillohet takimi për planifikimin sportiv, me fokus në detajimin e masterplanit të objekteve sportive që do të shfrytëzohen për këtë ngjarje ndërkombëtare.

Rama ka theksuar se gjatë këtij procesi po analizohen lokacionet, nevojat infrastrukturore dhe po merren vendime kyçe që lidhen me organizimin e Lojërave.

Ai ka vlerësuar se Prishtina 2030 nuk përfaqëson vetëm një organizim sportiv, por është dëshmi e gatishmërisë së Kryeqytetit për të performuar në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/


Drenasi siguron pajisje për tharjen e objekteve të prekura nga vërshimet

3 March 2026 at 15:32


Komuna e Drenas ka njoftuar qytetarët se, pas vërshimeve të fundit, është siguruar një dehumidifikues ajri për tharjen e hapësirave të prekura nga lagështia.

Sipas njoftimit, pajisja është vënë në dispozicion nga Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Drenas, dhe mund të merret çdo ditë pune në zyrat e kësaj dege.

Shfrytëzimi i dehumidifikuesit është pa pagesë dhe mund të përdoret për aq kohë sa është e nevojshme, në varësi të gjendjes së objekteve të dëmtuara.

Autoritetet lokale kanë ftuar të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga lagështia që të paraqiten dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi në funksion të rikthimit të kushteve normale në banesat e tyre. /Telegrafi/


Kontrolle të shtuara ndaj transportuesve, gjoba deri në 600 euro

3 March 2026 at 14:56


Policia e Kosovës, përmes Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren, në bashkëpunim me inspektorët e Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka zhvilluar më 2 mars 2026 një operacion të përbashkët në terren për kontrollin e automjeteve të transportit.

Aktiviteti ka përfshirë asistimin e inspektorëve gjatë matjes së automjeteve me peshore, patrullimin në zonën e përgjegjësisë, si dhe kontrollin e automjeteve që transportojnë mallra dhe udhëtarë, përfshirë verifikimin e dokumentacionit përkatës.

Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i kontrolleve janë shqiptuar gjithsej 36 gjoba dhe fletëparaqitje për kundërvajtje të ndryshme.

Vlera e gjobave ka variuar nga shumat më të ulëta deri në 600 euro, në varësi të natyrës së shkeljes.

Masat ndëshkuese janë aplikuar si ndaj drejtuesve të mjeteve, ashtu edhe ndaj personave juridikë, përkatësisht subjekteve afariste.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe mbrojtjen e mjedisit, duke vazhduar bashkëpunimin me institucionet përgjegjëse për garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët. /Telegrafi/


Policia shton kontrollet në trafik, 11 patentëshoferë të konfiskuara brenda një dite

3 March 2026 at 14:50


Njësia Rajonale e Trafikut në Prishtinë ka intensifikuar aktivitetet në terren me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor.

Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, plani operativ ka nisur në Bresje të Fushë Kosovës dhe është fokusuar në evidentimin e shkeljeve si mospërfillja e semaforëve dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.

Përveç pikave të kontrollit, në lokacione të tjera janë angazhuar edhe patrulla me vetura inteligjente për identifikimin e kundërvajtjeve në trafik.

Gjatë ditës së djeshme, zyrtarët e Njësitit Rajonal të Trafikut në Prishtinë kanë shqiptuar 226 tiketa për kundërvajtje të ndryshme, prej të cilave 64 vetëm në Bresje. Po ashtu, ndaj 11 shoferëve është shqiptuar masa e konfiskimit të përkohshëm të patentëshoferit për shkelje të rënda të rregullave të trafikut.

Njësia Rajonale e Trafikut u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, me qëllim ruajtjen e jetës dhe rritjen e sigurisë për të gjithë. /Telegrafi/


Policia në Gjakovë kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një të dyshuari për kanosje dhe sulm

3 March 2026 at 13:36


Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, përkatësisht Stacioni Policor në Gjakovë – Sektori i Hetimeve, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e një personi të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari dyshohet se më 12 tetor 2025, në një qendër tregtare në Gjakovë, ka kryer veprat penale “Kanosje” dhe “Sulm”.

Pavarësisht veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, identiteti i tij ende nuk është arritur të zbulohet.

Me qëllim të avancimit të procedurës hetimore, Policia e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët që, nëse posedojnë informacione që mund të ndihmojnë në identifikimin apo lokalizimin e personit të dyshuar, i cili shihet në fotografinë e bashkangjitur, të kontaktojnë autoritetet përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor ose përmes adresës elektronike zyrtare info@kosovopolice.com.

Policia ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. /Telegrafi/


Mbështetje psiko-sociale dhe trajnime për mësimdhënësit, Drejtoria e Arsimit në Prishtinë nis bashkëpunim të ri

3 March 2026 at 13:31


Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, e udhëhequr nga Samir Shahini, ka formalizuar një marrëveshje bashkëpunimi me Kolegji Heimerer, me synim vendosjen e mirëqenies së fëmijëve në qendër të politikave arsimore.

Sipas njoftimit të drejtorit Shahini, përmes këtij partneriteti do të ofrohet mbështetje psiko-sociale dhe zhvillimore në kopshte dhe shkolla, ndërsa stafi arsimor do të fuqizohet përmes trajnimeve profesionale të vazhdueshme.

Po ashtu, bashkëpunimi parasheh forcimin e rolit të prindërve përmes programeve informuese dhe edukative, si dhe angazhim të përbashkët në iniciativa që lidhen me hulumtime, projekte sociale dhe inovacion në arsim.

Ky partneritet vlerësohet si një hap drejt ndërtimit të një sistemi arsimor më të ndjeshëm, më profesional dhe më të përshtatur me nevojat reale të fëmijëve. /Telegrafi/


"Koalicion i gjerë" në Prishtinë - nis prezantimi i drejtorëve në ekzekutivin "Rama 2"

3 March 2026 at 12:29


Komuna e Prishtinë ka nisur prezantimin e drejtorëve të rinj, ndonëse kanë kaluar rreth 90 ditë nga betimi i Përparim Rama si kryetar i Kryeqytetit dhe rreth 60 ditë nga afati ligjor për emërimin e kabinetit qeverisës.

Sokol Havolli bëri të ditur se do të vazhdojë të jetë në krye të Drejtorisë së Investimeve Kapitale.

“Me nder dhe përgjegjësi të madhe kam pranuar emërimin në Drejtorinë e Investimeve Kapitale të Kryeqytetit për mandatin e dytë të Kryetarit Perparim Rama”, ka shkruar ai.



“Falënderoj Kryetarin Rama për besimin e dhënë për vazhdimin e punës nga viti i kaluar, si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për mbështetjen e vazhdueshme. Nuk do të jem shpesh në zyrë, sepse puna ime është në terren, aty ku realizohen projektet, aty ku preken drejtpërdrejt nevojat e qytetarëve dhe aty ku investimet kapitale marrin formë konkrete”.

“Me përkushtim të plotë, do të punoj që çdo projekt të zbatohet me cilësi, efikasitet dhe përgjegjësi”, thuhet në postimin e tij.

Havolli kishte njoftuar më 27 shkurt se do të jetë sërish në krye të kësaj drejtorie, ndërsa në ueb-faqen e Komunës bëhet e ditur se Rama e ka futur këtë vendim në fuqi më 2 mars, raporton Telegrafi.

Po më 27 shkurt, Gent Begolli nga partia Lidhja për Prishtinën, përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ka bërë të ditur se është emëruar drejtor në Drejtorinë e Kadastrit dhe Legalizimit.

“Është një përgjegjësi dhe nder i veçantë për mua të marr detyrën e Drejtorit të Kadastrës dhe Legalizimit në Komunën e Prishtinës. Falënderoj kryetarin Përparim Rama për besimin e dhënë, si dhe Lidhjen e Prishtinës, kryesuesin Kupina, kandidatët dhe asamblistët për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë këtij rrugëtimi politik dhe institucional”, ka shkruar ai.

“E pranoj këtë angazhim me përkushtim të plotë, me synimin që përmes punës profesionale, transparencës dhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët të kontribuoj në përmirësimin e shërbimeve dhe zgjidhjen efikase të çështjeve që lidhen me kadastrën dhe procesin e legalizimit”.



“Besoj fuqishëm se vetëm përmes punës serioze, bashkëpunimit institucional dhe përgjegjësisë publike mund të ndërtojmë një administratë më funksionale dhe më afër qytetarëve të Prishtinës”, përfundon postimi i Begollit.

Vlen të theksohet se kjo parti mban edhe drejtimin e Kuvendit Komunal, me kryesues Fehmi Kupina.

Driton Bardheci nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është emëruar drejtor në Drejtorinë e Administratës. Ai më herët ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit të Arsimit në Qeverinë Haradinaj.

Donat Gashi nga partia Nisma Socialdemokrate ka marr pozitën e Drejtorit të Drejtorisë së Rinisë, derisa Komuna e Prishtinës po ashtu ka themeluar edhe Drejtorinë e Turizmit, e cila do të drejtohet nga Rrezarta Aliu.


telegrafi.com

Janë bërë edhe disa emërime të tjera, ku Vehbi Mujku, do të jetë në pozitën e Këshilltarit për Mirëqenie Sociale, ndërsa Enver Bajrami, emërohet në pozitën e Këshilltarit të Ramës. Mimoza Sylejmani, do të jetë në pozitën e Këshilltares për planifikim të Kryetarit të Kryeqytetit.

Në bazë të këtyre emërimeve, përveç Lidhjes për Prishtinën, LDK në Prishtinë do të jetë në koalicion edhe me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate, çka nënkupton se partia fituese do ta menaxhojë Kryeqytetin me tre partnerë koalicioni, ndërsa raportohet se pritet t'u bashkohet edhe PDK.

Në ueb-faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës vazhdojnë të figurojnë emrat e disa drejtorëve që kanë qenë pjesë e ekzekutivit “Rama 1”, ndërsa mbetet të shihet se cilët prej tyre do të jenë pjesë e mandatit të ri “Rama 2”. /Telegrafi/

116 aksidente gjatë shkurtit në rajonin e Ferizajt, mbi 5 mijë gjoba të shqiptuara

3 March 2026 at 08:44


Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka publikuar bilancin e sigurisë në trafikun rrugor për muajin shkurt 2026, duke raportuar 116 aksidente në territorin që mbulon komunat Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë dhe Hani i Elezit.

Sipas të dhënave zyrtare, nga numri i përgjithshëm i aksidenteve, 54 kanë qenë me lëndime trupore, ku 66 persona kanë pësuar lëndime, ndërsa 62 aksidente kanë përfunduar vetëm me dëme materiale.

Në krahasim me muajin shkurt të vitit 2025, kur ishin raportuar 119 aksidente, sivjet është shënuar një rënie prej 2.5 për qind në numrin e përgjithshëm të rasteve. Gjatë shkurtit të vitit të kaluar ishte regjistruar një aksident me fatalitet, me një viktimë, 42 aksidente me lëndime me 58 persona të lënduar, si dhe 76 aksidente me dëme materiale.

Policia Rajonale e Ferizajt bën të ditur se gjatë shkurtit 2026 janë shqiptuar 5.691 gjoba për kundërvajtje të ndryshme në komunikacion, si dhe masa mbrojtëse e heqjes së patentëshoferit për 120 drejtues mjetesh për shkak të shkeljeve të rënda të rregullave të trafikut.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur ishin shqiptuar 4.426 gjoba, këtë vit evidentohet një rritje prej 28.5 për qind.

Policia ka njoftuar se do të vazhdojë me angazhime dhe aktivitete të shtuara me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugë, duke u bërë thirrje shoferëve që të respektojnë shenjat dhe rregullat e trafikut.

Po ashtu, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë duke raportuar çdo kundërvajtje përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrat kujdestarë 192, 0290/326-250 dhe 0290/322-406. /Telegrafi/

Sekuestrohet armë pa leje në aksin Gjilan–Prishtinë, procedohet penalisht i dyshuari

3 March 2026 at 08:36


Njësiti për Reagim të Shpejtë i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan ka sekuestruar një armë zjarri gjatë një kontrolli rutinë në aksin rrugor Gjilan–Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur më 2 mars 2026, rreth orës 19:20, kur zyrtarët policorë, të vendosur në pikë kontrolli të automjeteve, kanë ndalur për verifikim një veturë me targa vendore.

Gjatë kontrollit, në automjet është gjetur një armë të cilën vozitësi e posedonte pa leje.

Policia ka bërë të ditur se është sekuestruar një pistoletë e llojit Zoraki M 906-T, me një karikator dhe pesë fishekë të kalibrit 7.65 milimetra, të cilat janë konfiskuar si dëshmi materiale për procedurat gjyqësore.

I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në përputhje me procedurat ligjore.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij do të ngritet kallëzim penal për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /Telegrafi/

Disa lagje të Kamenicës mbesin pa ujë të pijshëm

3 March 2026 at 07:55


Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU Hidromorava ka njoftuar qytetarët e Kamenicës se uji nga rrjeti i furnizimit nuk duhet të përdoret për pije në disa zona të qytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, masa vlen për lagjet Qendra, Dëshmorët e Komanit dhe Beteja e Kikës.

Kompania ka bërë të ditur se, për shkak të ndryshimeve në parametrat kimikë, uji aktualisht nuk i plotëson kushtet për konsum dhe mbetet i papijshëm deri në një njoftim tjetër.

Autoritetet përkatëse theksojnë se uji mund të përdoret vetëm për nevoja teknike, ndërsa qytetarëve u bëhet thirrje të respektojnë rekomandimin deri në stabilizimin e plotë të gjendjes. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Kosova në Bordin e Paqes, analistët: Garanci e re sigurie dhe afrim strategjik me SHBA-në

22 February 2026 at 15:45


Analistët politikë kanë vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes përbën një zhvillim me rëndësi strategjike për vendin, duke theksuar se kjo rrit qasjen e drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë, forcon garancitë e sigurisë dhe hap mundësi të reja për lobim ndërkombëtar dhe afrimin drejt anëtarësimit në NATO.

Sipas tyre, fakti që Kosova është ndër anëtaret themeluese të këtij mekanizmi dhe që konsiderohet partnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një sinjal të fortë politik, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Analisti politik Afrim Kasolli ka theksuar se, pavarësisht peshës reale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, është e rëndësishme që vendi të jetë në të njëjtën linjë me SHBA-në dhe të konsiderohet partner në aranzhime globale. Sipas tij, ndonëse Kosova nuk ka kapacitete të jashtëzakonshme, ajo duhet të japë kontributin e saj modest – ushtarak, financiar dhe në misione paqeje – përfshirë misionin që po përgatitet të instalohet në Rripin e Gazës.

“Ne e dimë realisht peshën reale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nuk është që shteti i Kosovës ka kapacitete të jashtëzakonshme të jetë kontribuese e këtyre aranzhimeve globale, mirëpo është e rëndësishme, do të thotë, që vendi ynë është në të njëjtën linjë dhe është në të njëjtat binarë dhe konsiderohet si një partner nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të dhënë kontributin e tij modest, për aq sa ka mundësi, qoftë në aspektin ushtarak, financiar e të tjera e të tjera, do të thotë, në paqen, në misionin e paqes në vatra të ndryshme, me theks të veçantë atë që po përgatitet të instalohet në Rripin e Gazës”, tha ai.

Kasolli ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy prej vendeve të vetme në rajon që vazhdojnë të trajtohen me solidaritet të plotë nga SHBA-ja, duke nënvizuar se interesi shtetëror i Kosovës është të jetë në të njëjtën linjë me Uashingtonin dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë.

“Pra, do të thotë, është e rëndësishme, dhe jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, bota shqiptare, janë dy prej vendeve, janë dy shtete shqiptare, janë dy prej vendeve të vetme në rajon që vazhdojnë të trajtohen me solidaritet të plotë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo nuk është pak, pavarësisht dilemave juridike e ndërkombëtare që mund të ketë kjo iniciativë. Mirëpo interesi shtetëror i Kosovës është që të jetë në të njëjtën linjë dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë në Washington, në Shtëpinë e Bardhë dhe në instanca të tjera të politikbërjes së superfuqisë së vetme planetare, për shkak se historia e shtetndërtimit të Kosovës nuk mund të paramendohet pa kontributin e jashtëzakonshëm të atij vendi”, tha ai.

Ai ka shtuar se krijimi i këtij aksesi të drejtpërdrejtë për institucionet e Kosovës përbën një garanci shtesë sigurie, pasi në raste tensionesh të ardhshme i kujtohet edhe Serbisë se Kosova ka mundësi të ndërhyjë drejtpërdrejt në Shtëpinë e Bardhë për të kërkuar ndihmë, gjë që, sipas tij, do ta bënte Beogradin të mirëkalkulojë përfshirjen në aventura të tilla, raporton Ekonomia Online.

“Fakti që tashmë Republikës së Kosovës, institucioneve të saj, përfaqësuesve të saj, i krijohet një akses i drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë nuk është pak. Pra, sepse eventualisht, do të thotë, në tensione të ardhshme i përkujtohet edhe Serbisë që i përkujtohet edhe Serbisë që ky vend, do të thotë, ka mundësi që drejtpërdrejt të intervenojë në Shtëpinë e Bardhë, të telefonojë, të kërkojë ndihmë, gjë që do ta bënte Serbinë disa herë të mirëmendohet, të mirëkalkulojë a vlen të përfshihet në aventura të tilla. Pra, fakti që Kosovës i krijohet kjo mundësi e jashtëzakonshme është një garanci tjetër shtesë sa i përket sigurisë së saj, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Prandaj, pavarësisht interpretimeve cinike që mund të jenë, që ky bord e kjo iniciativë mund të shihen me dyshim në aspektin ndërkombëtar, unë insistoj që kjo është interes strategjik i Kosovës dhe Kosova nuk e ka luksin, do të thotë, të ketë dilema aty ku ka ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket nevojës së ruajtjes dhe të konsolidimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve”, tha ai.

Analistja politike Afërdita Maliqi ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende nga Ballkani Perëndimor pjesë e këtij bordi, gjë që tregon se Kosova vazhdon të jetë në agjendën amerikane.

“Unë mendoj që kjo është një nga gjërat më të mira që i kanë ndodhur Kosovës viteve të fundit, për shkak se ne vazhdimisht kemi folur për një diplomaci neglizhente të Kosovës dhe ftesa e Presidentit Trump që Kosova të jetë edhe themeluese edhe anëtare e Bordit të Paqes, ishte një nga lajmet më të mira që ne kemi marrë domethënë si Kosovë. Duke pasur parasysh se Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende nga Ballkani Perëndimor që janë pjesë e këtij bordi, edhe kjo ka rëndësi të veçantë se na tregon edhe njëherë që Kosova vazhdon të jetë në agjendën amerikane dhe vazhdon të jetë në agjendën e Presidentit Trump”, tha ajo.

Maliqi ka nënvizuar se përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse përbën lajm jashtëzakonisht të mirë, pasi, sipas saj, kjo e afron vendin me anëtarësimin në NATO dhe e vendos në një rang me shtete që janë pjesë e Aleancës ose kanë aleanca me të.

Ajo ka shtuar se prania e shteteve që nuk e njohin Kosovën në Bord krijon mundësi për lobim dhe sigurim të njohjeve të reja.

“Po ashtu, për shkak se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e misioneve paqeruajtëse, kjo përbën një lajm jashtëzakonisht të mirë edhe për FSK-në edhe për ne si Kosovë, sepse kjo do të thotë që ne jemi shumë afër anëtarësimit në NATO kur jemi në një rang me shtete të cilat janë superfuqi botërore, të cilat janë pjesë e NATO-s dhe kanë aleanca me NATO-n. Pastaj, shto këtu se në Bordin e Paqes ka edhe shtete anëtare që nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo do të thotë që, pavarësisht kësaj, ne si Kosovë mund ta shfrytëzojmë këtë bord paqeje për me lobu, për me siguru njohje të reja. Pra, është në njëfarë forme që Kosova në të gjitha mënyrat ka mundësi përfitimi. Presidenti Trump disa herë ka përmendur edhe Kosovën edhe Serbinë. Nëse ju kujtohet, ka thënë se i kam ndalur luftërat. Përmendi edhe luftën në Kosovë dhe edhe dje në fjalimin e tij ai e përmendi çështjen e Kosovës dhe Serbisë dhe në një moment tha që “nëse keni probleme ndërmjet vete, ju lutem ma bëni një telefonatë”. Kjo ishte një sinjal i madh për ne si Kosovë dhe për ne si shtet, për sigurinë tonë, që pavarësisht çfarëdo që bën Serbia ose çfarëdo që ka në plan Serbia të bëjë ndaj nesh, ne e kemi Shtetet e Bashkuara të Amerikës që janë gjithmonë aty për ne. Domethënë, me vetë faktin që e tha troç, iu drejtua Presidentes Osmani që nëse ju keni ndonjëherë probleme, atëherë vetëm një telefonatë. Kjo tregon që Kosova është gjithmonë në agjendën mbështetëse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se vendet aleate kanë kontribuuar me 7 miliardë dollarë për ta ndihmuar Gazën, ndërsa Kosova është zotuar për të ndihmuar me trupa ushtarake përmes Bordit të Paqes.

Duke folur në takimin e parë të Bordit të Paqes të enjten në Uashington, Trump tha pesë vende, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, janë zotuar se do të dërgojnë trupa në forcën ndërkombëtare të sigurisë në Gazë.

Trump gjithashtu njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë me 10 miliardë dollarë.

Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Kosova është ndër anëtaret themeluese.

Bordi i Paqes, me 27 anëtarë, u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prezencë të presidentit Trump.

Ndërkohë, gjatë fjalimit të tij të enjen Trump tha gjithashtu se kishte ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, e vlerësoi presidenten Osmani, dhe tha se këto dy vende duhet ta telefonojnë nëse nuk kalojnë mirë, ndërsa Osmani iu përgjigj: “Do t’ju telefonojmë”.

Në një postim të shkurtër në Facebook të enjten natën, Osmani e falënderoi Trumpin, duke thënë se “Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane”.

Mes bunarëve dhe kazanëve, Kosova ëndërron ekonominë moderne

22 February 2026 at 15:22


Nga Emiratet e Bashkuara Arabe – vendi me një nga ekonomitë më të fuqishme dhe më dinamike në Lindjen e Mesme, i ndërtuar mbi investime afatgjate në infrastrukturë, teknologji dhe zhvillim të aftësive – presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e prezantoi Kosovën si një ekonomi të disiplinuar dhe të gjallë, të mbështetur në reforma dhe sundim të ligjit, mikpritëse për investitorët dhe të hapur ndaj partneriteteve globale.

Me 1.5 milion banorë dhe me një popullsi të re, Kosova ka parë zhvillim ekonomik në vitet e fundit, i cili është reflektuar në dyfishimin e prodhimit të brendshëm bruto brenda një dekade, si dhe në rritjen e punësimit dhe të investimeve.

Osmani, në fjalimin e saj në Samitin e Qeverive Botërore, që u mbajt në fillim të këtij muaji në Dubai, e përshkroi këtë rrugëtim si një transformim të jashtëzakonshëm nga një vend i shkatërruar nga lufta, dhe tha se Kosova tani është gati për “ekonominë e gjeneratës së ardhshme” – e hapur për bashkëpunim dhe e përkushtuar ndaj inovacionit dhe inteligjencës artificiale.

“Suksesi ekonomik i çdo vendi varet kryesisht nga kapitali i tij njerëzor. Nga perspektiva e Kosovës, rritja e ekonomisë së gjeneratës së ardhshme mbështetet në tri shtylla që forcojnë njëra-tjetrën: njerëz të fuqizuar, institucione të forta dhe sektor privat dinamik”, tha Osmani.



Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, premtoi gjithashtu se, gjatë mandatit të ri qeverisës, transformimi digjital i vendit nuk do të mbetet thjesht slogan, por do të shërbejë edhe si motor për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ai paralajmëroi mbështetje të re për të nxitur investimet dhe për të forcuar sektorin prodhues në vend.

“Përgjatë katër vjetëve në vazhdim, do të investojmë rreth 1 miliard euro në prodhim përmes garantimit të kredive për investitorët. Pra, do të vëmë në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane, të cilat shërbejnë si hipotekë për të garantuar investimet private në fabrika dhe në prodhim”, tha Kurti gjatë prezantimit të programit qeveritar më 11 shkurt.

Në terren, realiteti mbetet ende larg këtyre ambicieve të deklaruara. Institucionet shpesh nuk arrijnë të mbajnë hapin as me sfidat e ekonomisë tradicionale, duke i lënë bizneset të përballen me çmime të larta të energjisë, mungesë infrastrukture dhe pengesa të tjera operative.

Kujtim Gjevori mbikëqyr çdo ditë linjat e prodhimit në fabrikën e tij të qeseve të najlonit, në Parkun e Biznesit në Drenas, ku rreth 100 punëtorë varen nga stabiliteti i këtij biznesi. Por, në vend që të fokusohet në zgjerim e rritje, ai thotë se gjithnjë e më shumë energji dhe burime i shkojnë për të përballuar kostot e larta të rrymës dhe problemet bazike infrastrukturore.

Kalimi i Kosovës në tregun e hapur të energjisë i ka rritur ndjeshëm shpenzimet e kompanisë së tij, duke e detyruar t’i shtyjë planet për investime për së paku dy vjet.

Për Gjevorin, kjo nuk është vetëm çështje biznesi, por një zinxhir mundësish të humbura – prodhim që nuk është rritur, vende pune që nuk janë hapur dhe eksporte që kanë mbetur vetëm në plan.

“Ne e dimë që Evropa ka një treg të liberalizuar të energjisë elektrike. Por, le ta shohim me numra: më parë, ne e paguanim energjinë elektrike 80 euro për megavat, ndërsa Evropa 110 euro. Sot, ne paguajmë 280 euro, ndërsa Evropa vazhdon të paguajë 110-120 euro. Kjo paraqet një sinjal të qartë paralajmërues për investitorët e huaj”, thotë Gjevori për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Vitin e kaluar, bizneset e mëdha në Kosovë kaluan në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike, ku çmimet nuk vendosen më nga shteti, por nga oferta dhe kërkesa. Ky vendim u kundërshtua nga shumë kompani, të cilat paralajmëruan për rritje dramatike të faturave dhe kërkuan shtyrje për një vit, derisa tregu të përgatitej, por kjo nuk ndodhi.

Gjevori thotë se sfidat, përveçse me çmimin e lartë të energjisë, lidhen edhe me ndërprerjet e shpeshta të rrymës. Problemet infrastrukturore shtrihen, pastaj, edhe te furnizimi me ujë, pasi kyçjet ilegale në rrjet shkaktojnë ndërprerje që i lënë bizneset pa furnizim. Për rrjedhojë, kompania e Gjevorit është detyruar të improvizojë zgjidhje.

“Ne kemi marrë kazanë, i kemi mbushur, i kemi rimbushur… Pastaj kemi ndërtuar edhe bunar personal, të cilin e shfrytëzojmë kur ndalet uji”, thotë Gjevori.

Ujë dhe rrymë pamjaftueshëm, por edhe fuqi punëtore e papërgatitur, sipas Mejdi Bektashit. Eksperti i ekonomisë thotë se ky kombinim e bën të pamundur që Kosova të kapë hapin shpejt me ekonomitë e teknologjisë së lartë.

“Viteve të fundit, në testimet e ndryshme që i bëjnë organizatat kredibile ndërkombëtare si PISA, ne kemi rënë thuajse në fund të listës botërore. Është shumë problem që me këtë përgatitje, ose me investime thuajse minimale në sektorin e arsimit, ne të nxjerrim kuadro për përdorimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë informative”, thotë Bektashi.

Në fakt, sektori i teknologjisë informative në Kosovë është një nga pak fushat me bilanc tregtar pozitiv: eksportet e shërbimeve TIK arritën mbi 185 milionë euro vitin e kaluar, ndërsa importet ishin rreth 45 milionë.

Por, edhe sipas Arian Zekës, nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ky sukses mbetet i kufizuar dhe nuk reflekton gjendjen e përgjithshme të ekonomisë.

Viteve të fundit, rritja ekonomike në Kosovë ishte relativisht e qëndrueshme – midis 3 dhe 4 për qind, por Zeka thotë se ky ritëm nuk është i mjaftueshëm për të mbështetur ambiciet për transformim digjital dhe zhvillim të industrive të avancuara.

Ai shton se këtij potenciali i kundërvihen edhe faktorë të jashtëm, si marrëdhëniet e tensionuara me Serbinë, por edhe paqëndrueshmëria e brendshme politike, siç u pa gjatë vitit të kaluar.

“Unë, personalisht, di një rast nga viti i kaluar, kur një konsorcium vendor e ndërkombëtar në fushën e energjisë ka vendosur ta zhvendosë investimin në Shqipëri, në pamundësi që kërkesa e tij të trajtohej me pak më shumë seriozitet nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës”, thotë Zeka për Exposenë.

Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, ngre të njëjtin shqetësim për paqëndrueshmërinë politike dhe institucionale.

“Unë nuk besoj se ndonjë investitor i huaj do të investonte kapitalin e tij në një vend ku kemi lëshime apo jostabilitet institucional. Për të investuar këto kompani në teknologji të larta dhe inteligjencë artificiale, nevojiten subvencione që duhet t’i ofrojë shteti i Kosovës, duke nisur nga ulja e taksave, sigurimi i lokacionit e lehtësira të ndryshme fiskale”, thotë Bektashi.

Gjatë dekadës së fundit, investimet e huaja direkte në Kosovë janë më shumë se dyfishuar, duke kaluar 800 milionë euro në vit. Por, sipas ekspertëve, pjesa më e madhe vjen nga diaspora dhe përqendrohet në patundshmëri – një sektor që ka ndikim të kufizuar në zhvillimin ekonomik, thonë ata, pasi nuk krijon vende të qëndrueshme pune.

Për të nxitur punësimin dhe për të përmirësuar mirëqenien, autoritetet kanë ndarë në disa raste subvencione, ose kanë krijuar platforma si “Superpuna”, përmes së cilës subvencionojnë pagën minimale të punonjësve për gjashtë muaj.

Ndër vite, shkalla e papunësisë ka rënë nga mbi 32 për qind më 2015 në rreth 10 për qind vitin e kaluar, por ekspertët paralajmërojnë se vetëm një rritje ekonomike dyshifrore – e mbështetur nga investimet e huaja në prodhim – mund të përkthehet në përmirësim real të mirëqenies së qytetarëve.

Bektashi thotë se për të çuar ekonominë përpara, Kosova duhet të krijojë fillimisht kushte më të sigurta për bizneset, dhe merr shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Shteti [në Maqedoninë e Veriut] ofron gjithë infrastrukturën. Investitorëve të huaj u jepen lehtësira të shumta duke filluar nga lirimi i pagesës së taksave të ndryshme për periudha 3-5 vjeçare; u ofrohet edhe 24h orë energji elektrike me çmime të subvencionuara. E, e njëjta po ndodh edhe në Shqipëri”, shpjegon Bektashi.

Për Zekën, tërheqja e investimeve të huaja kërkon koordinim të përpjekjeve mes qeverisë dhe aktorëve ekonomikë, si dhe hartimin e një strategjie të qartë zhvillimore që mbështetet në potencialet reale dhe shoqërohet me reforma ligjore.

“Le ta largojë nga mendja secili përfaqësues i cilitdo institucion të vendit se një deklaratë e tij në cilindo forum ndërkombëtar do të ketë peshë vendimtare para një investitori të huaj. Sepse, investitorët gjithmonë kanë tendencë të ndalen edhe tek asociacionet e bizneseve, që përfaqësojnë interesat komerciale, për të folur edhe një herë, për të matur edhe një herë edhe peshën, edhe saktësinë e atyre informative”, thotë Zeka.

Një shembull konkret i suksesit në ekonomi digjitale në Evropë është Estonia, vend me 1.3 milion banorë, në veri të kontinentit. Sipas Bankës Botërore, ky progres erdhi si rezultat i investimeve të hershme në arsim, digjitalizimit të shërbimeve publike dhe krijimit të një mjedisi të qëndrueshëm për bizneset dhe investitorët.

Raporti i Komisionit Evropian “Dekada Digjitale e Estonisë 2024” tregon se ky vend kryeson në digjitalizimin e shërbimeve publike dhe ka një përqindje të lartë specialistësh të teknologjisë informative, që e bëjnë atë një model suksesi.

E, derisa Kosova të arrijë të kapë ritmin, Gjevori dhe prodhuesit e tjerë kosovarë mbeten të detyruar të gjejnë zgjidhje të improvizuara për problemet bazike – nga bunari te gjeneratorët e rrymës – ndërsa investitorët e huaj qëndrojnë në pritje./REL

2021 gjoba në trafik u shqiptuan gjatë 24 orëve në Kosovë

22 February 2026 at 15:13


Policia ka publikuar raportin me të dhëna të përgjithshme për 24 orët e fundit, duke përfshirë statistikat e aksidenteve në trafik, arrestimet dhe gjobat e shqiptuara.

Në raport thuhet se gjatë kësaj kohe s’ka pasur aksident me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 19 aksidente me të lënduar dhe 22 aksidente me dëme materiale.

Ndërkaq, për shkelësit e rregullave në komunikacion, policia ka shqiptuar gjithsej 2021 gjoba trafiku.

Në 24 orët e fundit, organet e rendit kanë arrestuar 17 persona, prej të cilëve 9 i ka dërguar në mbajtje dhe 1 person në ndalim policor. /Telegrafi/


Pse ndryshon ora e Iftarit çdo natë?

22 February 2026 at 14:24


Iftari, vakti i mbrëmjes që shënon përfundimin e agjërimit të përditshëm gjatë Ramazanit, ka një rëndësi të thellë për myslimanët në mbarë botën.

Si vakti kryesor për ata që agjërojnë, konsumohet në perëndim të diellit, i njohur si Magrib.

Koha e tij e saktë ndryshon çdo ditë gjatë gjithë muajit të shenjtë, duke u përshtatur me ndryshimin e orëve të ditës, transmeton klankosova.tv.

Përtej rolit të tij thelbësor për shëndetin dhe ushqyerjen, Iftari mbart një peshë të jashtëzakonshme shpirtërore.

Besohet të jetë një kohë kur Allahu u ofron mëshirë dhe dashuri të veçantë atyre që kanë agjëruar, me bekime të veçanta për individët që sigurojnë ushqim për të tjerët.

Një traditë e rrënjosur thellë, ose Sunet, i inkurajon myslimanët të çelin agjërimin me hurma para vaktit kryesor.

Kjo praktikë imiton Profetin, i cili i shijonte dhe i mbështeste hurmat, zakonisht duke përdorur të freskëta, pastaj të thata ose të ujitura nëse asnjëra nuk ishte e disponueshme.

Gjendet trupi i pajetë i alpinistit të zhdukur në​ Hajlë

22 February 2026 at 14:00


Trupi i pajetë i alpinistit malazez Qazim Fetahoviq është gjetur në malin Hajla.

Trupi u gjet nga alpinisti me përvojë i Rozhajës, Semir Kardoviq, i cili e gjeti trupin pas dy orësh kërkimesh.

Fetahoviq u zhduk dje gjatë ngjitjes, kur, afër majës, ra nëpër një strehë dëbore të formuar për shkak të erës së fortë dhe akumulimit të borës mbi shpatin e pjerrët, raporton osvrt.me, përcjell Telegrafi.

Kërkimi u krye mbrëmë dhe këtë mëngjes në kushte jashtëzakonisht të vështira – me mjegull të dendur, erë të fortë dhe reshje të dendura dëbore, prandaj u ndal në një moment.

Në aksion morën pjesë anëtarë të Shërbimit të Shpëtimit Malor nga Kosova, alpinistë nga disa klube malazeze, Policia Kufitare, si dhe shpëtimtarë dhe zjarrfikës nga Rozhaja.

Për shkak të kushteve të pafavorshme të motit, nuk ishte e mundur të merrej me qira një helikopter.

Shërbimet kompetente ndërmarrin aktivitete të mëtejshme në përputhje me procedurat. /Telegrafi/

Bllokimi i Librazhd–Qafë Thanë, dhjetëra fshatra të izoluara, banorët e kalojnë rrugën në këmbë

22 February 2026 at 13:27


Bllokimi i aksit Librazhd–Qafë Thanë ka shkaktuar kaos në qarkullim dhe ka izoluar dhjetëra fshatra përreth, duke vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e automjeteve dhe të banorëve drejt shërbimeve bazë.

Rrëshqitja masive e dheut ka izoluar plotësisht zonën, duke e bërë të pamundur kalimin jo vetëm për mjetet e transportit të rëndë dhe automjetet private, por edhe për autoambulancat dhe zjarrfikëset.

Situata ka krijuar vështirësi të mëdha për banorët, shumë prej të cilëve janë detyruar të kalojnë zonën e rrezikshme në këmbë.

Banorë të zonës – mes tyre fëmijë nën dy vjeç dhe të moshuar – kanë ecur rreth 2 kilometra në temperatura të ulëta për të kaluar në anën tjetër të aksit, ku i kanë pritur të afërmit me automjete.

Ndërkohë, deri më tani, aksi vijon të jetë i paralizuar dhe ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi afatin e hapjes së tij. /euronews albania/

Banorët e Grabanicës dhe Zajmit bllokojnë magjistralen Prishtinë–Pejë, kërkojnë zgjidhje për çështjet pronësore

22 February 2026 at 13:15


Banorët e fshatit Grabanicë dhe Zajm në komunën e Klinës kanë nisur protestë, duke bllokuar për qarkullim rrugën magjistrale Prishtinë–Pejë, në shenjë pakënaqësie lidhur me problemet e pronësisë.

Protestuesit kanë dalë me parulla dhe thirrje kundër asaj që e cilësojnë si padrejtësi pronësore, duke kërkuar ndërhyrje institucionale për zgjidhjen e rasteve të kontestuara.

Sipas tyre, pas kthimit të shqiptarëve në pronat e tyre pas luftës, në disa raste janë regjistruar të drejta pronësie për më shumë se një person, çka ka krijuar konflikte juridike dhe paqartësi pronësore.

Banorët pretendojnë se disa prona të blera nga serbët në vitet ’70 janë përkthyer më pas në emër të personave të tjerë, duke u mohuar të drejtën ligjore të pronarëve aktualë.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar zyrtarë të shumtë policorë, të cilët po sigurojnë rendin publik dhe po menaxhojnë qarkullimin e automjeteve, ndërsa situata po monitorohet nga autoritetet kompetente. /Telegrafi/

Shpëtohet 22-vjeçari në Kanionet e Osumit, po ndihmonte RENEA-n në kërkime

22 February 2026 at 12:57


Po vazhdon operacioni kërkim-shpëtimit për gjetjen e 42-vjeçarit të zhdukur në kanionet e Kanionet e Osumit, përgjatë rrjedhës së Lumi Osum.

Gjatë operacionit, një vullnetar 22-vjeçar, i angazhuar në kërkimet për gjetjen e trupit të shtetasit me inicialet I.K., mbeti i bllokuar pasi gomonia me të cilën po lëvizte u përmbys në zonën e kanioneve, shkruan Top Channel.

Pas disa orësh ndërhyrjeje në një terren të vështirë dhe me kushte të ndërlikuara, rreth orës 04:45 të mëngjesit të së dielës, 22-vjeçari u bë i mundur të shpëtohej.

Ai është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë, operacioni për gjetjen e 42-vjeçarit vijon me kërkime intensive përgjatë lumit.

​Para protestës në Grabanicë shihet numër i madh i policëve

22 February 2026 at 12:18


Banorët e fshatit Grabanicë e Klinës kanë paralajmëruar një protestë në shenjë pakënaqësie, duke bllokuar për qarkullim rrugën magjistrale Prishtinë-Pejë.

Protesta është paralajmëruar të nis në orën 12:00.

Ndërkohë, aty shihen një numër i madh i zyrtarëve policor. /kp/

Gjykata ia njeh të drejtën e kompensimit 25 mijë euro familjes së 3-vjeçares që vdiq nga shembja e murit në Qendrën Historike të Prizrenit

22 February 2026 at 12:15


Ka marrë epilog procesi gjyqësor në procedurë civile pranë Gjykatës Themelore Prizren– dega në Suharekë, për rastin e 3-vjeçares Xh.G., e cila kishte vdekur nga rënia e murit të një shtëpie brenda Qendrës Historike në Prizren. Qeveria e Kosovës- Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit detyrohet se në emër të dëmit material dhe jomaterial t’ia kompensojë nënës së viktimës, Lirije Gashi 15 mijë euro, vëllait binjak të viktimës- të miturit D.G., 8 mijë euro, si dhe për shpenzimet e varrimit dhe ngritjes së përmendores 2 mijë euro.

3-vjeçarja kishte humbur jetën pas shembjes së murit në rrugën “Marin Barleti” në Prizren më 6 qershor 2016, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të marrë nga gjykatësi Shqipron Sedolli, në rigjykim, Gjykata ka aprovuar pjesërisht padinë e Lirije Gashit dhe djalit të saj të mitur D.G (të cilin e përfaqëson e ëma), duke i kompensuar për dëm material në shumën prej 2 mijë, për dëm jomaterial– dhimbjet shpirtërore për Lirijen prej 15 mijë euro, kurse për D., 8 mijë euro dhe për shpenzime të procedurës prej 2 mijë e 550 euro, duke obliguar për pagim të këtyre shumave Qeverinë- Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Për këto pagesa, Gjykata ka përcaktuar edhe kamatën ligjore prej 8%, ndërkaq ka refuzuar si të pabazuara shumat tjera të kërkuara me padi.

Sipas vendimit, paditësit Lirije Gashi (nëna e viktimës), Hajrije Gashi (gjyshja) dhe D.G (vëllai i mitur i viktimës) më 2 korrik 2020 kanë paditur Komunën e Prizrenit, ndërsa më tutje kanë zgjeruar padinë edhe ndaj Qeverisë së Kosovës– Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke kërkuar kompensim të dëmit material e jomaterial në shumë prej 132 mijë e 620 euro.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit më 23 mars 2025.

Gjatë rigjykimit, paditësit kanë kërkuar që në emër të dëmit material për shpenzime të varrimit dhe ngritjes së përmendores të kompensohen me shumën prej 2 mijë e 620 euro, për dëmin jomaterial shumën prej 50 mijë euro për Lirijen, 40 mijë euro për Hajrijen si gjyshe e të ndjerës dhe 40 mijë euro për D.G., vëllanë e të ndjerës.

Gjithashtu, paditësit kanë kërkuar edhe shpenzimet e procedurës që u janë shkaktuar gjatë procesit gjyqësor.

Komuna e Prizrenit, përmes përgjigjes në padi edhe në rigjykim, ka theksuar se nuk është përgjegjëse për rastin tragjik, krejt kjo me arsyetimin që nga inspektimeve gjatë vitit 2015 ishte konstatuar se shtëpitë në pjesën historike të Prizrenit paraqesin rrezik për banorët dhe kalimtarët. Kurse, më 2016 është konstatuar se shtëpitë në atë pjesë të qytetit nuk janë për jetesë dhe paraqesin rrezik për qytetarët dhe kalimtarët.

Më tutje, sipas Komunës, kryetari kishte marrë vendim që të bëhet pastrimi- largimi i materialeve të dheut nga objekt në rrënim e sipër. Po ashtu, është miratuar propozimi i Drejtorisë së Urbanizmit për restaurimin e fasadave në kuadër të Qendrës Historike të Prizrenit. Ndërsa, ishte urdhëruar familja e viktimës që të largohen nga ajo pjesë për shkak të ekzistimit të rrezikut, këtë fakt thuhet se e ka pranuar edhe pala paditëse duke thënë se e kishin liruar shtëpinë por janë kthyer përsëri në pamundësi të gjetjes së strehimit.

Ndërkaq e paditura e dytë, Qeveria e Kosovës– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë rigjykimit nuk është paraqitur në proces, përkundër që ishte e ftuar nga gjykata, me ç’rast Gjykata ka vijuar me gjykim në mungesë ndaj të paditurës në fjalë.

Mirëpo, për këtë të paditur, Avokatura Shtetërore ka paraqitur dy parashtresa, duke përmendur se si gjykatë kompetente për gjykim të rastit është Gjykata Themelore në Prishtinë, ku edhe e ka selinë e paditura. Gjithashtu, Avokatura ka kontestuar edhe lartësinë e kërkuar të kompensimit të dëmit material e jomaterial dhe më tutje se nuk ka lidhje shkak-pasojë që Qeveria e Kosovës– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ta ketë në rastin konkret. Po ashtu, ka pretenduar se përgjegjëse është Komuna e Prizrenit.

Më tutje, Gjykata ka vijuar me administrim të provave materiale, ndër të tjera skica e vendit të ngjarjes se si kishte ardhur deri te vdekja tragjike e 3-vjeçares për shkak të shembjes së murit në Qendrën Historike të Prizrenit e deri te fotografitë e lapidarit për të ndjerën.

Pas vlerësimit të provave, Gjykata në Suharekë gjeti se kërkesëpadia e paditësve Lirije Gashi dhe D.G., kundër të paditurës së dytë- Qeveria e Kosovës- MKRS, është pjesërisht e pabazuar, ndërsa kundër të paditurës së parë padia e Lirije Gashit, Hajrije Gashit dhe D.G., është tërërisht e pabazuar, si dhe kërkesëpadia e Hajrije Gashi ndaj të paditurës së dytë është e pabazuar.

Gjykata ka gjetur se nga dispozitat ligjore në fuqi, ka dalë se objektet brenda Qendrës Historike të Prizrenit nuk janë mirëmbajtur, sepse kanë paraqitur rrezik për jetën dhe pasurinë e qytetarëve, kjo duke sjellë për pasojë vdekjen e tani të ndjerës Xh.G.

Mbi këtë fakt të konstatuar, Gjykata vlerëson se këto objekte apo objekti i shembur, i cili i ka shkaktuar vdekjen e tani të ndjerës Xh.G., përbën send të rrezikshëm apo send me rrezik të shtuar për shkak të vjetërsisë së tij.

Prandaj, Gjykata ka ardhur në përfundimin se Qeveria e Kosovës– Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është përgjegjëse si administruese apo menaxhuese e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, pra kjo përgjegjësi është objektive dhe rrjedh në bazë të ligjit.

Sipas Gjykatës, Qeveria e Kosovës– MKRS nga baza e përgjegjësisë objektive është përgjegjëse për shkaktimin e dëmit ndaj Lirije dhe D.G., dhe kjo përgjegjësi rrjedh përmes ligjeve që rregullojnë fushën e kulturës, respektivisht trashëgiminë kulturore që menaxhon me to.

Gjykata, në këtë përfundim të përcaktimit të përgjegjësisë për të paditurën e dytë, ka ardhur bazuar në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Gjithashtu, Gjykata ka përmendur edhe nenin 9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili nen njeh obligimin e evitimit të dëmeve eventuale që mund të shkaktohen nga rreziku i shembjes së tyre.

Shkalla e parë përfundimisht vlerëson se tek ky rast përmbushen elementet e lidhjes shkakore që paraqet raportin e ndërsjellë ndërmjet veprimit të dëmshëm dhe dëmit, në të cilin veprimi i dëmshëm paraqitet si shkak, kurse dëmi si pasojë e tij.

“Përfundimisht, në këtë proces kontestimor, e paditura e dytë nuk arriti të argumentojë s ka ndërmarrë masat preventive për të evituar shembjen e objekteve të mbrojtura brenda Qendrës Historike të Prizrenit të cilat janë nën përgjegjësinë e saj ligjore”, thuhet në vendimin e përpiluar më 17 nëntor 2025.

Sipas Gjykatës, paditësve Lirije Gashi dhe D.G., u takon e drejta në kompensim të dëmit material e jomaterial si rezultat i humbjes së jetës së anëtarit të ngushtë të familjes.

Për dëmin material lidhur me shpenzimet e varrimit dhe ngritjes së përmendores, Gjykata e ka gjetur bazën ligjore në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve (LMD) dhe vetë Ligjin për Procedurën Kontestimore sa i përket përcaktimit të lartësisë së kompensimit. Gjithashtu, edhe bazën ligjore për dëmin jomaterial, konkretisht dhimbjeve shpirtërore, Gjykata e ka gjetur bazuar në LMD.

Ndërsa për pjesën refuzuese të padisë për nënën dhe vëllain e viktimës, Gjykata thekson se me shumat e gjykuara, arrihet mjaftueshëm kompensimi i drejtë dhe i arsyeshëm në raport me rrethanat.

Për pjesën refuzuese kundër Komunës së Prizrenit, sipas vendimit, u refuzua në mungesë të legjitimitetit real pasiv, sepse me asnjë dispozitë ligjore nuk rezulton se mban përgjegjësi për administrimin e Qendrës Historike të Prizrenit në drejtim të marrjes së masave për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore.

Me këtë vendim është refuzuar edhe kërkesëpadia e paditëses Hajrije Gashi, në cilësi të gjyshes së të ndjerës Xh.G., me arsyetimin se nuk i takon e drejta e shpërblimit të dëmit jomaterial në emër të dhimbjeve shpirtërore për vdekjen e anëtarit të familjes, por kjo e drejtë iu takon familjes së ngushtë (bashkëshortit, fëmijëve dhe prindërve).

Lidhur me këtë vendim, përfaqësuesi i paditësve, Gentian Krasniqi, ka thënë se e kthen dinjitetin njerëzor dhe besimin në drejtësi.

“Një vendim që rikthen dinjitetin njerëzor dhe besimin në drejtësi”, ka shkruar ndër të tjera Krasniqi në Facebook.

❌
❌