Bizneset paguanin energjinë si familjarë, FSHU: Do të përballen me penalitete
TIRANË, 8 shkurt/ATSH/ Dhjetëra biznese në kryeqytet vazhdonin të paguanin energjinë elektrike si familjarë, për të përfituar tarifa më të ulëta, pavarësisht se ushtronin aktivitet ekonomik.
Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU), pjesë e OSHEE-së, ka intensifikuar kontrollet në terren për verifikimin e kontratave të energjisë elektrike dhe për përditësimin e tarifimit sipas sistemit të ri.
Administratori i FSHU, Algert Luzi, gjatë një interviste në medie, deklaroi se më së shumti janë konstatuar shkelje në godinat e reja të banimit, ku apartamentet e përdorura për banim janë shndërruar në zyra dhe biznese.
“Janë konstatuar zyra noterie, kontabiliteti, klinika dentare dhe biznese estetike”, tha Luzi.
Sipas FSHU, ky fenomen lidhet me regjistrime të vjetra dhe mungesën e përditësimit të kontratave, ndërkohë që objektet përdoren realisht për qëllime ekonomike.
Për këtë arsye, kompania ka nisur një proces të gjerë verifikimi dhe u bën thirrje bizneseve, organizatave jofitimprurëse dhe personave fizikë që ushtrojnë aktivitet tregtar, të kontrollojnë kategorinë e kontratës dhe të kryejnë përditësimin e nevojshëm.
Luzi shtoi se bizneset që do të gjenden përsëri në shkelje do të përballen me penalitete.
“Abonentët familjar që konsumojnë mbi 700 kWh tarifohen me 9.5 lekë/kWh, ndërsa subjektet tarifohen me 14 lekë/kWh. Pas verifikimit, tarifimi ndryshon direkt dhe nëse konstatohet përsëri shkelje, do të ndërmerren masa penale”, theksoi ai.
FSHU bën thirrje për bashkëpunim të ngushtë me grupet e kontrollit, me qëllim shmangien e penaliteteve dhe garantimin e një sistemi tarifimi të drejtë për të gjithë konsumatorët. /a.gj/ /a.g/
The post Bizneset paguanin energjinë si familjarë, FSHU: Do të përballen me penalitete appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.