Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Main stream

Furnizim i kufizuar me ngrohje në disa lagje të Prishtinës - shkak Kosova B

13 January 2026 at 15:58


NP “Termokos” SH.A. ka njoftuar se furnizimi me energji termike po realizohet me kapacitet të kufizuar për shkak të rënies nga funksioni të Bllokut 1 të Termocentralit Kosova B.

Si pasojë, disa objekte banesore në lagjet “Mati 1” dhe “Bregu i Diellit” po përjetojnë ulje të cilësisë së ngrohjes.

Sipas paralajmërimeve të KEK-ut, Blloku 1 pritet të rikthehet në funksion gjatë ditës së nesërme, gjë që do të mundësojë rikthimin e furnizimit me kapacitet maksimal dhe përmirësimin e plotë të ngrohjes për konsumatorët.

“Deri në stabilizimin e plotë të furnizimit, kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë konsumatorëve tanë”, bëhet e ditur nga NP “Termokos”. /Telegrafi/


KRU “Hidrodrini” njofton për gjendjen e ujit në zonën e Pejës dhe Istogut

13 January 2026 at 15:52


KRU “Hidrodrini” ka publikuar një njoftim të përditësuar mbi gjendjen e burimeve të ujit në zonën e mbulueshmërisë së saj.

Sipas raportit të rifreskuar nga Laboratori fiziko-kimik i kompanisë, shumica e zonave, përfshirë Pejën dhe Istogun, janë pa turbullira dhe uji është i sigurt për konsum.

Megjithatë, kompanisë i ka konstatuar turbullira në dy burime specifike: burimi i Deçanit, i cili furnizon vetëm fshatin Beleg, dhe burimi i Jarines në Klinë.

Konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin ta konsumojnë të vluar deri në njoftimin e radhës.

“Kjo masë është parandaluese dhe ka për qëllim sigurimin e shëndetit publik. Do të vazhdojmë monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit dhe do të njoftojmë qytetarët për çdo ndryshim të gjendjes,” bëhet e ditur nga KRU “Hidrodrini”. /Telegrafi/


Komuna e Drenasit njofton për intervenimin e rrugëve të dëmtuara nga vërshimet

13 January 2026 at 15:48


Komuna e Drenasit ka bërë të ditur se po merr masa për trajtimin e dëmtimeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit në rrugët regjionale.

Sipas njoftimit, çështja është adresuar si kërkesë emergjente tek Departamenti i Rrugëve në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Problemi i dëmtimeve në rrugët regjionale është trajtuar zyrtarisht dhe kemi bashkëpunuar ngushtë me Stacionin Policor në Drenas. Kërkesa është shoqëruar me raportime dhe fotografi nga terreni, të cilat pasqyrojnë gjendjen aktuale dhe rrezikun për sigurinë në komunikacion”, thuhet në njoftimin e komunës.

Komuna e Drenasit ka bërë të ditur gjithashtu se po ndjek nga afër të gjitha zhvillimet dhe do të vazhdojë koordinimin me institucionet përgjegjëse për të siguruar ndërhyrje të shpejtë dhe qarkullim të rregullt për qytetarët.

“Do të vazhdojmë të punojmë ngushtë me institucionet përgjegjëse me qëllim që qarkullimi i qytetarëve të jetë sa më i sigurt dhe i pandërprerë. Ju falënderojmë për mirëkuptimin”, u shprehën nga Komuna e Drenasit. /Telegrafi/


Komuna e Gjilanit fton qytetarët të aplikojnë për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet

13 January 2026 at 15:36


Komuna e Gjilanit ka ftuar qytetarët dhe subjektet afariste që kanë pësuar dëme nga reshjet e shiut të datës 10 janar 2026, të paraqesin kërkesë për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara.

Sipas njoftimit zyrtar të komunës, afati për aplikim është nga 15 janari deri më 31 janar 2026, ndërsa kërkesat duhet të dorëzohen në Qendrën për Qytetarë të Komunës së Gjilanit, drejtuar Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore.

“Për vlerësimin e dëmeve është e domosdoshme që pronarët e ekonomive familjare dhe subjektet afariste, të cilët kanë pësuar dëme nga reshjet e shiut të datës 10 janar 2026, të paraqesin kërkesë zyrtare brenda afatit të përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Komuna ka bërë të ditur se aplikuesit duhet të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm, i cili përfshin: kërkesën drejtuar Komisionit, fotografi të objekteve apo gjësendeve të dëmtuara, adresën e saktë të lokacionit ku ndodhet objekti i dëmtuar, numrin e telefonit të aplikuesit, si dhe kopjen e letërnjoftimit. Për subjektet afariste kërkohet edhe certifikata e regjistrimit në ARBK.

“Të gjithë qytetarët e interesuar ftohen që aplikimet t’i dorëzojnë brenda këtij afati, në mënyrë që komisioni të ketë mundësi të bëjë vlerësimin e plotë dhe korrekt të dëmeve”, thekson Komuna e Gjilanit.

Nga komuna u bëhet thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin e aplikimit dhe të sigurohen që dokumentacioni i dorëzuar të jetë i plotë, për të mundësuar trajtimin sa më efikas të kërkesave. /Telegrafi/


Komuna e Shtimes vendos regjim të veçantë të qarkullimit më 15 janar, në përvjetorin e Masakrës së Reçakut

13 January 2026 at 15:23


Komuna e Shtimes ka njoftuar se më 15 janar do të zbatohet një regjim i veçantë i qarkullimit rrugor, me rastin e përvjetorit të Masakrës së Reçakut dhe aktiviteteve përkujtimore që do të zhvillohen gjatë kësaj dite.

Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë në kuadër të takimeve koordinuese për organizimin e “Ditëve të Reçakut”, të zhvilluara me Policinë e Kosovës, dhe bazuar në masat e sigurisë të prezantuara nga autoritetet policore.

Rrugëtimi i organizuar do të zhvillohet në një drejtim. Ai do të nisë nga qyteti i Shtimes përmes rrugës “Tahir Sinani”, duke vazhduar drejt rrugës së Prizrenit. Hyrja në fshatin Reçak do të bëhet përmes rrugës “Lidhja e Prizrenit” (nga enti special), e cila do të shërbejë vetëm për hyrje, ndërsa qarkullimi do të jetë njëkahor deri te Memoriali në Reçak.

Pas përfundimit të homazheve, kthimi do të realizohet po ashtu në një drejtim, përmes rrugës “15 Janari”, duke vazhduar në rrugën “William Walker” deri në dalje. Qytetarët do të kenë mundësi të shfrytëzojnë edhe rrugën unazore (rrugën e re) për t’u kthyer drejt Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Shtimes.

Nga Komuna e Shtimes sqarojnë se rrugët “William Walker” dhe “15 Janari” nuk do të shfrytëzohen për hyrje, por vetëm për dalje. Gjithashtu, do të ketë mbyllje në hyrje të rrugës “William Walker”, si dhe në afërsi të rrugës “Qorr Ilazi” nga drejtimi i fshatit Petrovë, e cila do të shërbejë vetëm për dalje.

Sa i përket parkimit, parkingu pranë Memorialit në Reçak do të jetë i dedikuar vetëm për krerët e shtetit, ambasadorë, delegacione të larta dhe familjarë të martirëve, veçanërisht për personat me nevoja të veçanta për shkak të moshës. Parkim shtesë do të sigurohet në oborret e familjarëve në fshatin Reçak, në oborrin e shkollës në Çestë të Reçakut, si dhe pranë Shtëpisë së Kulturës në Shtime, ku parkimi do të jetë i rregulluar gjatë mbajtjes së Akademisë Përkujtimore. Hapësirat përreth Bibliotekës do të jenë gjithashtu në dispozicion për pjesëmarrësit.

Komuna e Shtimes u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe shenjëzimin rrugor, në mënyrë që aktivitetet përkujtimore të zhvillohen me dinjitet dhe pa pengesa. /Telegrafi/


Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e personave të dyshuar për vjedhje

13 January 2026 at 14:50


Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin e disa personave të dyshuar, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në veprën penale “Vjedhje”.

Sipas njoftimit zyrtar, Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, me autorizim të prokurorisë kompetente, është duke zhvilluar hetime lidhur me këtë rast dhe ka publikuar fotografi të personave të dyshuar, me qëllim të sigurimit të informatave që do të ndihmonin në identifikimin e tyre.

Policia u bën thirrje qytetarëve që, nëse kanë ndonjë informacion që mund të çojë në identifikimin ose lokalizimin e personave të dyshuar, të kontaktojnë organet e rendit.

Të gjitha informacionet mund të raportohen përmes numrit emergjent 192 ose në adresën elektronike të Policisë së Kosovës, info@kosovopolice.com.

Policia garanton se bashkëpunimi i qytetarëve është thelbësor për zbardhjen e rasteve penale dhe u bën thirrje të gjithë atyre që posedojnë informacione relevante të kontribuojnë në këtë proces. /Telegrafi/


Rama për koalicionin LVV-LDK: Çdo marrëveshje që i shërben qytetarëve është e mirëpritur, nuk synoj postin e kryetarit të partisë

13 January 2026 at 14:41


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka folur për mundësinë e një bashkëpunimi politik mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje në nivel qendror, duke theksuar se mbështet çdo konfigurim qeverisës që do të ishte në funksion të interesit të qytetarëve dhe zhvillimit të vendit.

Sipas Ramës, legjitimiteti i të zgjedhurve buron nga vota e qytetarëve dhe, si i tillë, çdo koalicion që synon transformimin pozitiv të Kosovës duhet të shihet si i pranueshëm.

“Unë po them që mendoj që të gjithë të zgjedhurit në kryeqytet, në vend, në Kosovë janë rezultat i votave të qytetarëve për të mirën e Kosovës. Çfarëdo koalicioni që hap procese për ta transformuar vendin tonë për të mirë janë të mirëseardhura”, u shpreh Rama.

- YouTube youtube.com

Megjithatë, ai nuk e fshehu përvojën e tij kritike me Lëvizjen Vetëvendosje gjatë mandatit në krye të Komunës së Prishtinës, duke thënë se bashkëpunimi me këtë subjekt politik në të kaluarën ka qenë i vështirë.

“Sa kam qenë në komunë nuk kam pasur eksperiencë të mirë, sepse në dy vitet e para jam munduar të bashkëpunoj, por kanë qenë sabotues e bllokues. Megjithatë, uroj që tash të jenë bashkëpunues, sepse shoqëria nuk ecën përpara me sabotime”, tha ai.

I pari i Kryeqytetit ka hedhur poshtë mundësinë që të marrë drejtimin e LDK-së, duke theksuar se brenda kësaj partie ka kapacitete të mjaftueshme për të udhëhequr procese të rëndësishme politike.

“Kam theksuar edhe më herët se jam kryetar i Kryeqytetit dhe kam mandat katërvjeçar. Brenda partisë kemi njerëz të mrekullueshëm që mund të çojnë procese përpara dhe nuk mendoj se kanë nevojë për mua në këtë drejtim”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se mbetet i gatshëm të kontribuojë për partinë, nëse një gjë e tillë do të kërkohej, por se prioritet absolut mbetet qeverisja lokale dhe shërbimi ndaj qytetarëve të Prishtinës.

“Unë jam këtu për kryeqytetin, për qytetarët e kryeqytetit. Jam aty për ndihmë për çfarëdo nevoje, por fokusi im është Kryeqyteti”, theksoi ai.

Rama foli gjithashtu edhe për situatën e krijuar nga vërshimet në disa zona të Prishtinës, duke bërë të ditur se Komuna ka ndërmarrë masa emergjente për familjet e prekura.

“Tashmë u kemi bërë zgjidhje familjeve që janë prekur nga vërshimet, duke u gjetur banesa me qira. Këto probleme janë ardhur nga vetë njeriu, si rezultat i ndërtimeve pa leje”, përfundoi Rama. /Telegrafi/

Shoqata nga Gjermania dhuron karroca dhe rollatorë për Handikosin në Drenas

13 January 2026 at 13:45


Handikos në Drenas ka nisur vitin 2026 me një bashkëpunim të rëndësishëm ndërkombëtar, duke forcuar lidhjet me diasporën shqiptare në Gjermani.

Sipas njoftimit, Handikos Drenas ka realizuar bashkëpunim me “Shoqatën Nazmi Ukësmajli” nga Abensberg i Gjermanisë, e cila udhëhiqet nga kryetari Naim Kastrati, bashkatdhetar nga Komuna e Drenasit.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, shoqata nga Gjermania ka dhuruar karroca invalidore dhe rollatorë për Handikos Drenas, me qëllim të përmirësimit të kushteve dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara.

Nga Handikos Drenas u bë e ditur se ky bashkëpunim pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke kontribuar në projekte dhe iniciativa të tjera në dobi të komunitetit. /Telegrafi/


Incident i rëndë në një kopsht në Pejë, edukatorja sulmohet me mjet të fortë nga nxënësi

13 January 2026 at 13:25


Një incident i rëndë është regjistruar sot në Pejë, ku një nxënës ka sulmuar edukatoren e tij në një institucion parashkollor, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili tha se rasti ka ndodhur rreth orës 10:40.

“Sot rreth orës 10:40, policia është njoftuar se në një kopsht në Pejë, një nxënës e ka goditur edukatoren e tij me një shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit të Pejës”, deklaroi Gashi për Telegrafin.

Ai shtoi se njësitë relevante të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori i shtetit, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me hetimin e plotë të rrethanave të incidentit.

Ndërkohë, burime bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në kopshtin “Pëllumbat e Paqes” në Pejë, ndërsa mosha e fëmijës së përfshirë në incident raportohet të jetë rreth 7 vjeç.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar. /Telegrafi/

Nga gjendja e jashtëzakonshme me vërshimet, deri te kërkesat për dëme - nga komuna e Malishevës flasin për situatën aktuale

13 January 2026 at 12:52


Malisheva ishte njëra nga komunat më të goditura nga vërshimet që ndodhën në fillim të vitit 2026, duke shkaktuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Lumi Mirusha doli nga shtrati, duke shkaktuar vërshime në disa fshatra të kësaj komune, ndërsa kryetari, Ekrem Kastrati, shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Si pasojë e kësaj situate, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë në shkolla, i planifikuar të niste më 8 janar, u shty fillimisht për më 12 janar. Mirëpo, për shkak të gjendjes së rënduar në rrugët e fshatrave të Malishevës dhe ngricave, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë u shty edhe për më 14 janar.

Në një intervistë për Telegrafin, zyrtari për media në Komunën e Malishevës, Artan Paçarizi, foli për gjendjen aktuale pas vërshimeve.

“Aktualisht gjendja është e qetë dhe nuk ka indikacione për vazhdimin e vërshimeve. Si rezultat është hequr gjendja emergjente nga vërshimet si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm”, tha ai.

Paçarizi bëri të ditur se fshatrat më të prekura nga vërshimet kanë qenë ato që shtrihen përreth lumit Mirusha, por sipas tij, situata aktuale është nën kontroll.

“Zonat apo fshatrat më të prekura kanë qenë ato që shtrihen përreth lumit Mirusha dhe përrenjve, por gjendja ka qenë nën kontroll, ndërsa gjendja aktuale është e qetë dhe ujërat janë qetësuar. Ka probleme me infrastrukturë në disa vende, pasi kemi dëme të konsiderueshme, duke filluar nga diga e liqenit në Mirushë, pastaj janë dëmtuar disa ura dhe rrugë. Në këto pjesë të dëmtuara ka probleme në qasje, por për fat të mirë, komuna jonë i ka të lidhura të gjitha fshatrat me rrugë dhe qytetarët kanë rrugë alternative”, potencoi ai.

Zyrtari për media shtoi se Komuna ka arritur t’i identifikojë fshatrat më të prekura, ndërsa është formuar edhe një komision profesional për vlerësimin e dëmeve.

“Janë identifikuar shumë dëme dhe jemi në pritje të marrjes së kërkesave nga qytetarët për vlerësimin e dëmeve, e më pas komisioni profesional do të bëjë incizimin e tërësishëm dhe do t’i vlerësojë dëmet”, tha Paçarizi.

Sipas tij, deri më tani janë pranuar 87 kërkesa nga qytetarët, por numri pritet të rritet.

“Deri në këtë moment janë pranuar 87 kërkesa nga qytetarët, por numri është shumë më i madh dhe ata kanë afat deri më 16 janar t’i paraqesin kërkesat për vlerësimin e dëmeve. Pastaj, dëmet tjera në infrastrukturë janë shumë të mëdha”, theksoi ai.

Paçarizi sqaroi se shtyrja e fillimit të gjysmëvjetorit të dytë u bë për shkak të ngricave dhe gjendjes së rënduar të rrugëve, e jo për shkak të dëmtimeve në objektet shkollore.

“Për fat të mirë, objektet shkollore i kemi ndërtuar në pozita të tilla gjeografike që të mos vërshohen edhe kur ka vërshime. Përjashtuar tri ose katër shkolla ku ka mundur të ketë rrjedhje nga çatitë, por jo përmbytje. Shkollat janë të gjitha të gatshme, por problemi ka qenë te rrugët, uji dhe ngricat. Pas analizës së bërë dhe rekomandimeve të marra, nuk kemi dashur të rrezikojmë asnjë nxënës, pasi në disa zona, siç e thashë më herët, ka dëmtime në rrugë, trotuare, ura e të tjera”, deklaroi ai.

Duke folur për parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, Paçarizi tha se Komuna ka intervenuar edhe më herët në pikat më kritike, por se vërshimet mbeten të vështira për t’u parandaluar në zona pranë shtratit të lumit Mirusha.

“Vërshimet janë të paparashikueshme dhe është tepër e vështirë të parandalohen, por komuna gjithmonë, kur ndodhin, i identifikon shkaktarët dhe intervenon në ato pika që konsiderohen kritike, si në lum, ashtu edhe në rrugë, përroska dhe lugina. Megjithatë, duhet të kemi parasysh gjithmonë një gjë: rrjedhat e ujërave janë rrjedha të krijuara nga natyra dhe çdo intervenim mund të shkaktojë problem tjetër. Por, gjithsesi, në disa vende është intervenuar në rregullimin e shtratit të lumit, sidomos në qytet”, potencoi ai.

Në fund, Paçarizi u bëri thirrje qytetarëve të dëmtuar nga vërshimet që të paraqesin kërkesat për vlerësim të dëmeve, pasi nuk ka mënyrë tjetër që t'i identifikojnë ato më saktë./Telegrafi/

Rama: Në Prishtinë do të krijohet Shtëpia Arbëreshe, hapësirë e trashëgimisë dhe frymëzimit për brezat

13 January 2026 at 10:40


Kryetari i Kryeqytetit të Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Prishtina dhe përfaqësues të komunitetit arbëresh janë dakorduar për krijimin e Shtëpisë Arbëreshe në Kryeqytet, një hapësirë që do t’i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, historike dhe shpirtërore arbëreshe.

Këtë njoftim Rama e bëri përmes një postimi në Facebook, pas takimit me Zia Lucia, të cilën e cilësoi si figurë me peshë të veçantë kulturore.

“Sot, me zemër të hapur dhe me respekt të thellë, mirëprita Zia Lucia, një figurë që sjell me vete urtësi, traditë dhe shpirt arbëresh”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, Shtëpia Arbëreshe në Prishtinë do të shërbejë si qendër ku do të bashkohen arti, kultura, vlerat shpirtërore dhe gastronomia arbëreshe.

“U dakorduam për një ëndërr të përbashkët: krijimin e Shtëpisë Arbëreshe në Prishtinë, një hapësirë ku historia nuk harrohet, por jeton”, theksoi ai.

Rama ka vlerësuar komunitetin arbëresh si një pasuri të gjallë kulturore, duke nënvizuar se Kryeqyteti e sheh si nder dhe përgjegjësi ruajtjen e kësaj trashëgimie.

“Arbëreshët nuk janë thjesht kujtesë e së shkuarës, por frymëzim për të ardhmen, shembull i rrallë i dashurisë për gjuhën, rrënjët dhe dinjitetin”, ka shtuar kryetari i Prishtinës.

Ai po ashtu ka theksuar se kjo shtëpi do të shërbejë si urë lidhëse mes brezave dhe kulturave.

“Kjo shtëpi do të jetë urë mes brezave, mes historisë dhe sotmes, mes shpirtit arbëresh dhe Kryeqytetit Prishtina që i mirëpret me krenari”, ka deklaruar Rama.

Në përmbyllje, kryetari i Kryeqytetit ka përcjellë një mesazh mikpritjeje dhe mirënjohjeje për komunitetin arbëresh, duke theksuar se Prishtina do të jetë gjithmonë shtëpia e tyre. /Telegrafi/

Aktakuza ndaj Hajdarit dhe të tjerëve, mbyllet për publikun seanca fillestare për “Rezervat shtetërore”

13 January 2026 at 10:26


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me propozim të mbrojtjes, është mbyllur për publikun seanca fillestare në rastin e “Rezervave shtetërore” ku po akuzohen ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe Irfan Lipovica, Hafiz Gara e Ridvan Muharremi.

Kryetari i trupit gjykues, Avni Syla aprovoi propozimin e mbrojtjes, dhe konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, mbylli seancën për publikun, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore për mbylljen e kësaj seance, pasi kemi të bëjmë me ruajtje të konfidencialitetit dhe informacionit, që do të rrrezikohet nga publiku, si dhe për mbrojtje të dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Fillimisht, kryetari i trupit gjykues, Avni Syla tha se meqenëse kanë pranuar aktakuzën dhe shkresat e lëndës, ku disa prej tyre janë të redaktuara nga prokurori special, pasi ka vlerësuar se përbëjnë sekret shtetëror.

Po ashtu, ai tha se në aktakuzë kanë propozuar edhe dëshmitarë anonimë, andaj mori mendimin e palëve në procedure nëse shqyrtimi gjyqësor të jetë i hapur apo i mbyllur për publikun.

Prokuror special Valdet Gashi tha se shqyrtimi gjyqësor duhet të jetë i hapur, me përjashtim të situatave kur diskutohet gjatë seancave për pjesët që janë konsideruar sekret nga ana e Prokurorisë, e të cilat janë paraqitur në aktakuzë.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Gashi tha se mund të koordinohen që të ndajnë ato pjesë kur të mbyllet seanca për publikun e kur të mbetet e hapur.

Mbrojtësi i Hajdarit me autorizim, avokati Florent Latifaj, nuk u pajtua me deklarimin e prokurorit Gashi, pasi sipas tij kemi të bëjmë në shumë raste me sekret shtetëror, e në të cilat dokumente sipas tij, asnjë nga avokatët, bashkëpunëtorët e prokurorit e as policët hetues, nuk kanë pasur të drejtë të kenë qasje.

“Besoj që edhe ty, duke të përfshirë edhe ty si kryetar i trupit gjykues dhe prokurorin special, për çka kolegu Feim Alaj ka marrë përgjigje nga institucioni relevant për këtë çështje AMIK, të cilët kanë theksuar se ne si mbrojtës por edhe personat e tjerë të cilët nuk kanë certifikatë të sigurisë për të pasur qasje në informacione të klasifikuara si sekret, nuk kemi asnjë të drejtë as t’i shohim dhe as të prekim në ato dokumente, dhe të njëjtën mund ta bëjmë nëse ato dokumente janë të deklasifikuara”, tha Latifaj.

Sipas tij, këto dokumente kanë kaluar në duart e të paktën 20 personave, të cilët nuk kanë pasur certifikatën e sigurisë, për këtë, ai pretendon se prokurori kërkon që seanca të jetë e hapur për publikun.

Andaj, Latifaj propozoi që seanca të mbyllet për publikun.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Mbrojtësi i Lipovicës, avokati Feim Alaj, tha se përmes një parashtrese kanë informuar Prokurorinë lidhur me propozimin për mbajtjen e kësaj seance. Tha se e tërë dosja është e klasifikuar.

“Prokuroria nga data 31.07.2025 dhe data 21.08.2025 është njoftuar lidhur me procedurat të cilat ligji i parasheh para se të ketë ose të kemi qasje në dokumente të klasifikuara”, u shpreh avokati Alaj.

Alaj i propozoi Gjykatës që ta obligojë PSRK-në që të iniciojë deklasifikimin e dosjes së rezervave shtetërore, e më pas të vendos se a të mbahen seancat e hapura apo të mbyllura.

Kurse, mbrojtësi i Garës, avokati Nazim Mehmeti, tha se i mbrojturi i tij edhe një muaj kalon në pension dhe se tërë karrierën ia ka kushtuar institucioneve publike të shtetit. Tha se Gjykata duhet të marrë një mendim nëse kjo çështje është sekret.

Mehmeti propozoi që të mbahet seanca e hapur, me arsyetimin se është në interes të palëve dhe të qytetarëve.

Mbrojtësi i Muharremit, avokati Mahmut Halimi tha se i mbështet të gjitha pretendimet e mbrojtësve të tjerë.

“Kjo procedurë e zhvilluar tani e më tepër se dy vjet, të cilën e kanë përcjellë ngjarje të shumta dhe komente të zakonshme, por pse jo edhe propaganda.. duke u nisur fillimisht nga paraqitja e denoncimit tri ditë para arrestimit të klientit tim, nga një portal i cili ka paralajmëruar se vendi do të tronditet nga njv skandal dhe menjëherë pas tij ka rezultu po ashtu denoncimi i njërit nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili ka paralajmëru një incizim të ndodhur në Ministrinë për të cilën jemi sot këtu. Pra, është përjashtuar besimi në organin e ndjekjes në Prokurori dhe Polici”, tha Halimi.

Sipas tij, bazuar në ato që kanë ndodhur, nuk mund të flitet më për dokumente të klasifikuara. Tha se ata si mbrojtje nuk kanë pranuar t’i marrin shkresat e lëndës nga Prokuroria dhe thekson se shqetësimi është i njëjtë me atë që e paraqitën kolegët e tij- për shkak të rrezikut se mund të përfundojnë si të dyshuar.

Avokati Halimi tha se ia lë gjykatës në diskrecion çështjen e mbylljes së seancës.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Më pas, gjykatësi Syla aprovoi propozimin e avokatëve Latifaj dhe Alaj, duke e mbyllur seancën, me arsyetimin se janë përmbushur kushtet ligjore ngase kemi të bëjmë me ruajtjen e konfidencialitetit dhe informacionit që do të rrezikohet nga publiku dhe mbrojtjen e dëshmitarëve në këtë çështje penale.

Për këtë çështje, gjykatësi tha se do të marrë aktvendim të veçantë. Më pas, mediat dhe personat tjerë që nuk janë palë në procedurë, u urdhëruan të lirojnë sallën.

Ndryshe, seanca e paraparë për 10 dhjetor 2025, dështoi në mungesë të Hajdarit dhe avokatit të Lipovicës- Feim Alaj.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 nëntor 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj Irfan Lipovicës, Hafiz Garës e Ridvan Muharremit lidhur me rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”.

Ministrja Hajdari, ish-zëvendëssekretari i MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, akuzohen për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristin Ridvan Muharremi i njohur si “Ridi”, PSRK-ja po e akuzon për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar për aktakuzën e ngritur nga prokurorët specialë, Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sipas aktakuzës së ngritur, buxheti është dëmtuar në lartësi prej 2,912,134.78 euro.

Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.

Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.

Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore. Detajet nga Dosja mund t’i gjeni: KËTU.

Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” raportoi edhe për atë se cili ishte roli i Hajdarit, Lipovicës, Garës e Muharremit, sipas aktakuzës së PSRK-së në procesin e blerjes së “Rezervave shtetërore”.

Gjithashtu, për të gjitha detajet e atakuzës së këtij rasti, publiku kishte rastin të mësojë në emisionin “Betimi për Drejtësi” me titull “Akuzat speciale për rezervat shtetërore“, i transmetuar më 15 nëntor 2025.

Në kujtim të Reçakut, Shtimja mbyll bizneset më 15 janar

13 January 2026 at 09:46


Komuna e Shtimes ka njoftuar se e enjtja, 15 janar 2026, do të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset që operojnë në territorin e komunës, në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e martirëve dhe dëshmorëve të rënë në Masakrën e Reçakut.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë për Shërbime Publike, vendimi është marrë në bazë të rregullores komunale në fuqi dhe ka për qëllim shënimin e Ditës Përkujtimore të Masakrës së Reçakut, e cila ka rëndësi të veçantë historike dhe kombëtare.

Në këtë ditë, të gjitha subjektet afariste obligohen të jenë të mbyllura, përveç disa veprimtarive esenciale. Lejohet të punojnë vetëm furrat e bukës, barnatoret farmaceutike, pikat e shitjes së karburanteve dhe sektori i gastronomisë.

Nga Komuna e Shtimes bëhet e ditur se për kujdestari janë caktuar disa biznese të veçanta, të cilat do të ofrojnë shërbime për qytetarët gjatë kësaj dite pushimi.

Autoritetet komunale kanë bërë thirrje për respektimin e këtij vendimi, duke theksuar se mbyllja e bizneseve më 15 janar është një shprehje respekti dhe përkujtimi për viktimat e Masakrës së Reçakut. /Telegrafi/


Totaj emëron Samra Ilijazin në pozitën e Drejtoreshë së Inspektorateve në Prizren

13 January 2026 at 09:24


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ka emëruar Samra Ilijazin në pozitën e Drejtoreshës së Inspektorateve.

Përmes një postimi në Facebook, Totaj bëri të ditur se ky emërim është pjesë e procesit për kompletimin e ekzekutivit komunal.

“Kam emëruar Samra Ilijazin në pozitën e Drejtoreshës së Inspektorateve, derisa cikli i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit pritet të përmbyllet së shpejti”, ka shkruar Totaj.

Ai theksoi se qëllimi i këtij procesi është vazhdimi i punës me angazhim, profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e projekteve dhe obligimeve institucionale për qytetin e Prizrenit.

“Synimi ynë është që të vazhdojmë me angazhim, profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e punëve për Prizrenin”, u shpreh kryetari Totaj.

Sipas tij, kompletimi i strukturës ekzekutive do të krijojë kushtet për një funksionim më efikas të institucioneve komunale në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit formon komisionin për verifikimin e dëmeve nga vërshimet

13 January 2026 at 08:42


Komuna e Obiliqit ka miratuar vendimin për emërimin e komisionit për verifikimin e dëmeve të shkaktuara gjatë vërshimeve të fundit, të cilat kanë ndodhur në javën e parë dhe të dytë të muajit janar 2026.

Sipas vendimit, Komisioni do të ketë këtë përbërje: Arif Plana është emëruar kryetar i Komisionit, ndërsa anëtarë janë Naim Qerkezi, Muhamet Ismaili, Zejnullah Krasniqi dhe Naim Graiçevci.

Komisioni do të angazhohet në verifikimin e dëmeve të evidentuara në terren dhe, pas përfundimit të punës, do të përpilojë një raport me shkrim, përmes të cilit do ta njoftojë Kryetarin e Komunës lidhur me gjetjet dhe vlerësimin e dëmeve.

Ky hap synon krijimin e një pasqyre të saktë të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet, në mënyrë që të merren masat e nevojshme institucionale për trajtimin e tyre. /Telegrafi/


Në Lipjan shpërndahen ndihma për familjet e goditura nga vërshimet

13 January 2026 at 08:21


Në kuadër të përballjes me situatën e krijuar nga vërshimet e fundit, Komuna e Lipjanit ka intensifikuar bashkëpunimin me institucione dhe kompani të ndryshme me qëllim të tejkalimit të vështirësive dhe ofrimit të ndihmës për qytetarët e prekur.

Në bashkëpunim me shoqatën zvicerane “Barakah” Charity, gjatë ditës së sotme është realizuar shpërndarja e pakove ushqimore dhe e ujit të pijshëm për disa familje që janë prekur nga vërshimet.

Nga Komuna e Lipjanit është shprehur mirënjohje e veçantë për të gjitha kompanitë dhe individët lipjanas që kanë ofruar bashkëpunim dhe mbështetje, duke kontribuar në lehtësimin e situatës për familjet e prekura.

Po ashtu, falënderime janë adresuar për Stacionin Policor në Lipjan, Njësinë e Zjarrfikësve, Kompaninë e Ujësjellësit, KBI Lipjan, Dino Company, Rexha Com, Xhema Company, Beni Construction, 7 Vëllezërit, Jetimat e Ballkanit, Nuno Queirós – UNDP, familjen Tasholli, mediat – në veçanti ato lokale – si dhe qytetarët e shumtë që kanë dalë vullnetarisht në mbështetje të familjeve dhe fshatrave të prekura.

Komuna e Lipjanit ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve të saj, duke koordinuar ndihmën institucionale dhe humanitare në përputhje me nevojat në terren. /Telegrafi/


Yesterday — 12 January 2026Main stream

KRU Hidrodrini ndërhyn për zëvendësimin e gypit të kanalizimit në Pejë

12 January 2026 at 15:58


Ekipet e terrenit të KRU “Hidrodrini” – Sektori i Kanalizimit kanë ndërhyrë për ndërrimin e një gypi të sistemit të kanalizimit, me gjatësi prej 12 metrash, në shëtitoren e qytetit buzë Lumbardhit.

Sipas njoftimit nga kompania, ndërhyrja ishte e nevojshme pas një avarie të shkaktuar nga shembja e gypit që kishte ndodhur disa ditë më parë.

“Ekipet tona intervenuan menjëherë për të zëvendësuar gypin dhe për të rikthyer funksionalitetin normal të kanalizimit në këtë zonë, duke siguruar shërbim të pandërprerë për qytetarët", bëri të ditur KRU “Hidrodrini”.

Kompania thekson se vazhdon monitorimin e rrjetit të kanalizimit dhe është në gatishmëri për çdo intervenim emergjent. /Telegrafi/


KRU Mitrovica konfirmon se uji mund të përdoret për pije

12 January 2026 at 15:45


Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Mitrovica" njofton qytetarët se, pas kryerjes së analizave fiziko-kimike dhe bakteriologjike të ujit të pijshëm, të gjithë parametrat janë brenda kritereve të përcaktuara me ligj.

“Rezultatet tregojnë se uji i furnizuar nga Ujësjellësi Rajonal Mitrovicë është i sigurt dhe mund të përdoret pa asnjë kufizim, si për pije ashtu edhe për përdorim shtëpiak”, bëri të ditur KRU Mitrovica.

Sipas njoftimit, kompania mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar shëndetin publik dhe sigurinë e konsumatorëve. /Telegrafi/


Handikos Mitrovicë njofton për shpërndarjen e mjeteve ortopedike

12 January 2026 at 15:40


Handikos njofton të gjithë anëtarët që kanë aplikuar për karroca dhe mjete të tjera ortopedike në QKUK, se së shpejti do të kontaktohen nga zyra e Handikos Prishtina për marrjen e mjeteve të përfituara.

“Në pritje të shpërndarjes së mjeteve ortopedike, bëjmë thirrje që të gjithë përfituesit të qëndrojnë të gatshëm për komunikim dhe të kontrollojnë rregullisht kontaktet e tyre”, thuhet në njoftimin e Handikos Mitrovicë.

Përfituesit do të kontaktohen direkt nga zyra e Handikos Prishtina, ku do të marrin udhëzime të detajuara mbi marrjen e mjeteve të tyre. /Telegrafi/


Në Kamenicë ndizen flakadanët e kujtesës për heronjtë Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe Kadri Zeka

12 January 2026 at 15:33


Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit”, Komuna e Kamenicës organizoi aktivitetin simbolik të ndezjes së flakadanëve, në nderim të heronjve të kombit.

Në ceremoni mori pjesë Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Behar Hyseni, i cili së bashku me zyrtarë të drejtorisë dhe qytetarë ndezën flakadanët që simbolizojnë sakrificën dhe qëndresën e heronjve të Kamenicës.

Drejtori Hyseni përkujtoi natën e 11–12 janarit të vitit 1984, kur heronjtë Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.

“Nata mes 11–12 janarit na rikthen në kujtesë guximin dhe sakrificën e heronjve të Kamenicës, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, si dhe veprimtarin dhe patriotin e madh Kadri Zeka. Pikërisht në këtë natë, Nuhi Berisha dhe Rexhep Mala ranë heroikisht. Me ndezjen simbolike të flakadanëve, ne i nderojmë Rexhep Malën, Nuhi Berishën dhe Kadri Zekën, jo vetëm si heronj të Kamenicës, por si shtylla të një kombi që jeton sepse dikush zgjodhi të mos jetojë i përulur. Ata janë krenari e mbarë kombit shqiptar, dëshmi se sakrifica nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë, e kujtesa në udhërrëfyes”, tha Hyseni.

Aktiviteti u zhvillua në një atmosferë përkujtimore, duke përcjellë mesazhin e respektit dhe mirënjohjes së përhershme ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. /Telegrafi/


❌
❌