Përmirësohet situata nga dalja nga shtrati e përroit të Glinës në Vaun e Dejës
TIRANË, 6 janar/ATSH/ Në bashkinë Vau i Dejës në qarkun Shkodër si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka dalë nga shtrati Përroi i Glinës, por aktualisht vërehet tërheqje e tij dhe përmirësim i situatës.
Prefektura e Shkodrës bën të ditur se “24 orët në vijim janë të rëndësishme për menaxhimin e situatës së krijuar në qark”.
Bashkia Shkodër u bën thirrje banorëve për kujdes të shtuar, veçanërisht në Njësitë Administrative Bërdicë, Dajç, Ana e Malit dhe Guri i Zi si dhe banorëve të zonave pranë rrjedhave ujore dhe territoreve të ekspozuara ndaj përmbytjeve.
Aktualisht nuk raportohen problematika, por monitorimi në terren është i pandërprerë.
Në bashkinë Malësi e Madhe, situata paraqitet e përmirësuar krahasuar me orët e paradites, ndërsa monitorimi vijon nga ekipet e bashkisë. Në bashkinë Vau i Dejës, janë evidentuar problematika si pasojë e daljes nga shtrati të Përroit të Glinës.
Në bashkitë Fushë Arrëz dhe Pukë janë raportuar problematika të shkaktuara nga rrëshqitjet e dheut.
Prefektura Shkodër bën me dije se të gjitha strukturat e emergjencave civile janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje të menjëhershme, nëse do të jetë e nevojshme.
/k.s/j.p/
The post Përmirësohet situata nga dalja nga shtrati e përroit të Glinës në Vaun e Dejës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.