Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Main stream

Suard: Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, mori pjesë sot në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së” ku theksoi se Franca e mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në fjalën e saj ambasadorja Suard tha se “në rrugëtimin drejt BE askush nuk mund të dyshojë sepse Shqipëria ka kryer hapa gjigantë, nga reforma e drejtësisë tek digjitalizmi i shërbimeve nga forcimi i institucioneve tek modernizimi i ekonomisë, nga mbrojtja e qytetarëve tek mbrojtja e natyrës, nga angazhimi sai përket stabilitetit dhe sigurisë  tek harmonizimi me politikën e jashtme”.

Sipas saj, arritjet e Shqipërisë në konvergimin e saj europian janë të konsiderueshme.

“Janë këto arritje që na japin besim të gjithëve sepse vendet anëtare kanë vendosur të hapin të gjithë kapitujt e negociatave që përshkojnë këtë rrugë. Pikërisht për këtë besim Presidenti i Republikës franceze Emannuel Macron erdhi të dëshmojë gjatë dy vizitave të tij të fundit në Shqipëri. Këto vizita i dhanë marrëdhënies tonë dypalëshe një ritëm të pandërprerë, një ritëm të ngjashëm me atë të Shqipërisë drejt BE-së”, tha Suard duke shtuar se Shqipëria nuk ecën vetëm drejt Europës ajo e përshpejton, apo më saktësisht e shtrin hapin.

Në fakt vijoi Suard, reformat e ndërmarra janë hapa të mëdhenj strategjikë që e transformojnë me thellësi fizionominë e Shqipërisë duke e bërë më afër, më familjare, më të përputhshme, më të lidhur dhe më të integruar me Europën tonë.

“Franca e mbështet këtë dinamikë integrimi gradual dhe meritën e saj transformuese në mënyrë që ky transformim të jetë efketiv duhet të zbatohet në mënyrë të vendosur në çdo etapë. Franca synon ta mbështesë këtë dinamikë sepse duke kontribuar në të ne do të zhvillojmë interesa të përbashkëta. Pikërisht për këtë ne kemi nënshkruar një marrëveshje ndër qeveritare në 2024 zbatimi i të cilës duhet ët vazhdojë sërish”, tha Suard.

Duke folur për hapat e fundit që kanë mbetur për t’u hedhur,  Suard tha se “të gjithë kilometrat e fundit janë më të vështirë dhe më entuziazmuesit. Rrugëtimi i anëtarësimit për integrimin në BE nuk bën përjashtim dhe ne po arrijmë në momentin ku rruga po bëhet më e vështirë, aty ku çdo hap matet nga indikatorët e saktë.

Sipas saj, këto piketa nuk janë vonesa, por janë pika ngulitje të integrimit të ardhshëm të Shqipërisë.

“Është garancia e kësaj pakthyeshmërie që e bën Shqipërinë një partner që Franca dhe Europa mund të mbështeten”, tha Suard.

/k.s/a.f/

The post Suard: Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ambiente të reja për 450 nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Gjimnazi “Skënderbeu” në Krumë të Hasit pas rikonstruksionit ofron tashmë mjedise të reja për nxënësit dhe mësuesit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha se “pas rikonstruksionit të plotë hapet një faqe e re në historinë e gjimnazit “Skënderbeu” në Krumë të Hasit”.

“Shkolla ofron kushte bashkëkohore, terrene sportive, bibliotekë, laboratore e klasa të reja janë gati për t’u mbushur me dije, frymëzim e krijimtari nga 450 nxënës dhe mësues si dhe komuniteti pranë kësaj shkolle”, theksoi Kumbaro.

Në nisje të vitit të ri arsimor 2025-2026 hapën dyert 30 shkolla të reja dhe të rehabilituara në të gjithë vendin, me 340 laboratorë smart.

Ndërkohë që janë 42 kantiere shkollash të hapura njëherësh në të gjithë vendin, të cilat do të përfundojnë me buxhetin e vitit 2026.

/k.s/a.f/

The post Ambiente të reja për 450 nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prokuroria e Tiranës i sekuestron rreth 210 mijë euro familjarëve të dënuarit me 22 vite burg në ShBA

TIRANË, 31 janar/ATSh/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkoi konfiskimin e pasurive të familjarëve të shtetasit S.A., i dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 22 vite burg, për vepra penale në fushën e akteve terroriste.

Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë, ky shtetas akuzohet se ka siguruar ose ka tentuar të sigurojë mbështetje materiale për individë apo grupe të përfshirë në aktivitet terrorist dhe ka bërë deklarim të rreme për t’u pajisur me pasaportë.

Aktualisht ky shtetas, i njohur ndryshe edhe si A.Q., në Shqipëri po hetohet për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, ndërsa hetimet mbi procedimin pasuror nr.8 të vitit 2025, nisën nga informacionet e Drejtorisë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

Ky shtetas, është i biri i shtetasve Z.A. dhe V.A. Nga verifikimi i bërë në lidhje me të dhe familjarët e tij, rezultoi se ka transaksione financiare në banka shqiptare të nivelit të dytë, apo veprime të tjera ekonomike në vlera të larta ekonomike, të cilat nuk mund të justifikohen me të ardhurat e krijuara ndër vite.

Këta shtetas deklaruan se të ardhurat i kanë krijuar nga qiratë e kursimet, por nuk kanë dokumente të provojnë këto deklarata dhe vlerat monetare objekt kërkese për konfiskim nuk kanë prejardhje të ligjshme si dhe faktin që këto pasuri nuk justifikohet me të ardhura të ligjshme dhe dokumentacion.

Përfundimisht bazuar në hetimin e kryer vlerat monetare të mësipërme nuk justifikohen nga subjekti S.A. dhe pjesëtarët e tjerë të familjes së tij.

Për këtë arsye Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiran kërkon konfiskimin dhe kalimi në pronësi të shtetit të llogarive si më poshtë: Llogaritë e shtetasit Z.A. me gjendje lekë 39.49, Usd 4.74, si dhe depozitat në vlerën USD 50,109.56 dhe Lekë 3,862,244.93; Llogaritë e Shtetases V. A. me gjendje Eur 15,001.09; dhe Llogaritë e shtetasve Z.A. dhe V.A. me gjendje Lek 11,734,250.00.

/k.s/a.f/

The post Prokuroria e Tiranës i sekuestron rreth 210 mijë euro familjarëve të dënuarit me 22 vite burg në ShBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kardiologjia në QSUT: 599 implantime dhe mbi 2 900 procedura PCI e koronarografi

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Gjatë vitit të kaluar, Shërbimi i Kardiologjisë në Qendrën Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” ka shpëtuar mijëra jetë përmes ndërhyrjeve jetike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri të ditur se nga janari deri në dhjetor 2025 në Shërbimin e Kardiologjisë janë kryer 599 implantime aparaturash kardiake (pacemaker, CRT-D, CRT-P, defibrilatorë intrakardiakë të implantueshëm) si dhe 143 angioplastika të planifikuara me stent.

Sipas MSHMS janë kryer gjithashtu  2,941 procedura PCI dhe koronarografi, nga të cilat 1,366 urgjenca, ndërhyrje në momentet më kritike për jetën.

MSHMS falënderon Dr. Alban Dibra për drejtimin me profesionalizëm dhe përkushtim të ekipit si dhe shpreh mirënjohje për çdo mjek, infermier dhe profesionist shëndetësor në vijën e parë të kujdesit.

Shërbimi i Kardiologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ofron kushte dinjitoze dhe trajtim me teknologji moderne për çdo pacient.

/k.s/a.f/

 

The post Kardiologjia në QSUT: 599 implantime dhe mbi 2 900 procedura PCI e koronarografi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rregullat e reja të Maturës Shtetërore, forcohet mbikëqyrja gjatë provimeve

TIRANË, 31 janar/ATSH/ Matura Shtetërore pritet me padurim nga nxënësit dhe prindërit, pasi përbën një moment kyç në vijimësinë e rrugëtimit në arsimim, e ku përzihen përgatitjet në studime dhe emocionet e përmbylljes së ciklit drejt sfidave të reja universitare.

Ndaj dhe autoritetet arsimore nisin që herët përgatitjet për të garantuar proces të drejtë dhe transparent. Edhe këtë vit, rregullorja e Maturës Shtetërore parashikon ndryshime nga ajo e një viti më parë.

Këto ndryshime prekin veçanërisht aspektet në lidhje me nxënësit mbetës dhe masat disiplinore gjatë provimeve.

Drejtoresha e përgjithshme e Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar, Mirela Cami shpjegoi për ATSH-në ndryshimet e parashikuara në këtë rregullore.

“Nxënësit që rezultojnë mbetës në një apo dy lëndë gjatë gjithë vitit shkollor nuk do të mund të hyjnë në provimet e qershorit. Këta nxënës do të duhet t’i nënshtrohen këtyre provimeve gjatë sezonit të vjeshtës dhe më pas do hyjnë në Maturën Shtetërore në sezonin e dytë. Në rast se rezultojnë jokalues në 3 lëndë, ata e humbin vitin shkollor dhe do t’u duhet ta përsërisin”, theksoi Cami.

Sipas saj, drejtoritë rajonale, Qendra e Shërbimeve Arsimore dhe të gjitha institucionet arsimore do të njoftohen në mbyllje të vitit shkollor për listën emërore të këtyre nxënësve.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me përdorimin e pajisjeve teknologjike gjatë provimeve.

“Maturanti, i cili paraqitet në qendrën e provimit dhe konstatohet gjatë provimit me celular, orë smart dhe pajisje të tjera teknologjike, përjashtohet nga ai provim, por ka të drejtë ta japë atë në sesionin pasardhës”, sqaroi Cami.

Sa i përket administratorëve, Cami vuri në dukje se ata nuk do të kenë vetëm detyra, por edhe përgjegjësi për mbarëvajtjen e procesit.

“Administratorët e provimit janë të trajnuar dhe përcaktohen me short elektronik në praninë e drejtorit të ZVAP-së. Janë të qarta detyrat e tyre lidhur me administrimin e procesit të provimit që nga identifikimi i maturantëve, moslejimi i ndërrimit të vendit gjatë provimit, kontrolli fizik për pajisje teknologjike, raportimi i parregullsive, respektimi i orareve dhe rregullave të tjera në përputhje me rregulloren për Maturën Shtetërore 2026, që e ngarkojnë me përgjegjësi lidhur me mbarëvajtjen e procesit”, nënvizoi Cami.

Provimet e maturës do të përmbajnë 30-35 pyetje, duke përfshirë pyetje me alternativa dhe shtjellim. Ndërkohë që për orientimin dhe përgatitjen e maturantëve, testet model për provimet e ardhshme janë shpërndarë në të gjitha shkollat, duke i orientuar nxënësit për formatin dhe kërkesat e provimeve në mënyrë që ata të jenë sa më të përgatitur për provimet e Maturës.

Për të marrë notën 10 absolute, maturanti duhet të grumbullojë 60 pikët e mundshme.

/k.s/j.p/r.e/

The post Rregullat e reja të Maturës Shtetërore, forcohet mbikëqyrja gjatë provimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 30 January 2026Main stream

Qato: 100 pacientë në ditë gjatë janarit në Infektivin e QSUT

TIRANË, 30 janar/ATSH/  Në Shërbimin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë gjatë muajit janar është shënuar një rritje e ndjeshme e fluksit të pacientëve, kryesisht me simptoma të gjendjes gripale.

Mjekja infeksioniste, dr. Migena Qato, këshillon për rritje të kujdesit personal dhe vaksinimit si masa thelbësore për parandalimin e komplikacioneve.

Në lidhje me virusin e ri që po qarkullon në Indi, dr. Qato bën me dije se aktualisht nuk ka asnjë rast të konfirmuar në vendin tonë, duke theksuar se Shërbimi Infektiv ndodhet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate të mundshme.

“Virozat edhe gripi janë kryefjala e diagnozave infektive që pranohen në Shërbimin Infektiv aktualisht. Janë rreth 100 raste të paraqitura në ditë gjatë janarit me simptoma të ndryshme. Grupmoshat e prekura janë të ndryshme nga mbi 14 vjeç deri në moshat e treta, të cilat përbëjnë një shqetësim të veçantë sa i përket sëmundjeve bashkëshoqëruese dhe komplikacioneve tek këto mosha që shpesh herë mund të rezultojnë të jenë edhe fatale”, theksoi Qato.

Sipas saj, të sëmurët paraqiten me simptoma nga më të lehtat si temperaturë, dhimbje të lehta muskulare, të cilat mund të trajtohen edhe në kushte shtëpie.

“Pastaj vijnë raste më të rënda që shoqërohen me komplikacione siç janë bronkopneumonitë që në këto momente janë shqetësimi ynë kryesor. Shpesh kërkojnë kujdes të veçantë dhe shtrim në spital pavarësisht grupmoshave të tyre”, tha Qato duke shtuar se rreth 30-40% e rasteve që paraqiten në urgjencë janë kandidatë për shtrim në spital.

Qato vuri në dukje se është për t’u përshëndetur fakti që numri i njerëzve që mjekohen vetë në shtëpi sa vjen e po zvogëlohet.

Sa i përket virusit që po qarkullon në Indi, Qato tha se “nuk duhet krijuar panik, të paktën deri sa pa e provuar këtë gjë në rajon. Pra, ne nuk kemi konstatuar raste të tilla”.

Mjekja Qato i bëri apel qytetarëve të vaksinohen, pasi tha ajo “vaksinimi është një indikacion i yni që nuk do resht asnjëherë”.

/k.s/j.p/

The post Qato: 100 pacientë në ditë gjatë janarit në Infektivin e QSUT appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kumbaro: 140 tekste shkollore do të përditësohen

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro zhvilloi një takim me stafin drejtues dhe gjithë ekipin e ekspertëve dhe specialistëve të Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar me fokus tekstet mësimore, përditësimin e tyre dhe kurrikulat e reja, si dhe trajnimet për formimin profesional të mësuesve.

Në fjalën e saj Kumbaro tha se “stafi i Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar po punon për përgatitjen e të gjithë kurrikulave, e të gjitha lëndëve, formimin e fëmijëve tanë, por edhe formimin e mësuesve të fëmijëve tanë”.

“Ne jemi në një vit shumë të rëndësishëm, ku pas një periudhe dhjetëvjeçare ka ardhur koha për të përditësuar kurrikulat në arsimin parauniversitar. Janë 140 tekste që do të përditësohen, është një punë që nuk ka orar, që bëhet nga ekspertët më të mirë të lëndëve dhe të kurrikulave, që qëndrojnë para cilësisë së arsimit. Në këto 140 tekste që do të përditësohen, 44 janë në gjuhë të huaj. Gjithashtu do të kemi tekste të reja për klasën e parë, të gjashtë e të dhjetë të lëndës së qytetarisë e gjuhës shqipe dhe do të vazhdojmë edhe me lëndën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, që nga klasa e parë deri në maturë. Do të vazhdojmë më pas në vitet e tjera me klasën e dytë e të shtatë, për të ndjekur gjithë rinovimin e këtyre lëndëve”, nënvizoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se janë rreth 120 kolegë, specialistë nga ministria, nga agjencia, nga universitetet që janë partnerët më të rëndësishëm.

“Është gjithashtu kjo agjenci që është përgjegjëse edhe për kualifikimin e mësuesve. Programi i zhvillimit profesional është një program i jashtëzakonshëm që ne e bëjmë në bashkëpunim me universitetet publike për të formuar, trajnuar, përditësuar dijet e mësuesve”, nënvizoi ajo.

Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar lidhur me përditësimin e teksteve dhe kurrikulave të reja, ka si objektiv të jenë të përafruara me standardet e Bashkimit Europian, të zgjerojnë kompetencat e nxënësve, t’i aftësojnë në përdorimin e teknologjisë në shërbim të dijeve si dhe të reflektojnë elemente të identitetit kulturor kombëtar.

Ministrja Mirela Kumbaro po zhvillon një cikël takimesh pune me të gjitha agjencitë e Ministrisë së Arsimit, me fokus prioritetet për vitin 2026 si në arsimin e lartë, ashtu edhe në atë parauniversitar.

/k.s/

The post Kumbaro: 140 tekste shkollore do të përditësohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla: Sugjerime dhe kërkesa nga fermerët për Skemën Kombëtare të mbështetjes

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla deklaroi se po rishikohet plani i mbështetjes duke marrë në konsideratë kërkesat dhe sugjerimet e fermerëve.

Gjatë fjalës së tij, Salla theksoi se deri më tani janë zhvilluar 18 takime me fermerët në qarqe të ndryshme të vendit, nga 23 të planifikuara gjithsej, duke nënvizuar se dëgjesat do të vijojnë në çdo qark.

“Komentet dhe sugjerimet e fermerëve janë të domosdoshme dhe shumë të dobishme për hartimin e Skemës Kombëtare 2026, sipas kërkesave reale të terrenit,” u shpreh ai.

Ministri Salla u ndal edhe te çështjet konkrete të adresuara gjatë dëgjesave.

“Janë shumë të domosdoshme dhe të dobishme që ne ta rishikojmë pjesën e mbështetjes dhe mënyrën si do të jemi ndaj aplikantëve, për të ulur numrin e krerëve për bagëti në mënyrë që të përfitojnë sa më shumë fermerë. Kemi marrë sugjerime për bletarinë dhe kërkesa që lidhen me certifikatat e pronësisë dhe kontratat e tokave me qira”, deklaroi Salla.

Ai bëri të ditur se këto sugjerime po analizohen në mënyrë të strukturuar.

“Jemi duke i rishikuar, kemi bërë një plan me AZHBR dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe do të shikojmë atë që na sugjeroni, për t’i përafruar edhe me skemën e naftës, ku kemi pasur problematika të shtuara sipas propozimeve të fermerëve”, tha Salla.

Ministri Salla theksoi gjithashtu nevojën për sinkronizim të të gjitha instrumenteve mbështetëse.

“Duhet të jemi sinkron, të mbështesim edhe përmes IPARD-it, ku së shpejti do të ketë mbështetje për të gjithë sektorin bujqësor. Do të ndërtohen edhe dhoma frigoriferike, do të ketë mbështetje për fermerët e të gjitha fushave, si bimët medicinale, dhe mbi të gjitha duhet të jemi në terren bashkë me fermerët. Ju do të jeni zëri dhe mbështetja për çdo punë që do të krijojmë së bashku”, përfundoi Salla.

Dëgjesat për Skemën Kombëtare 2026 do të vijojnë në të gjitha qarqet e vendit, me synimin që politikat mbështetëse të ndërtohen në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me fermerët dhe të reflektojnë nevojat reale të sektorit bujqësor.

/k.s/j.p/

The post Salla: Sugjerime dhe kërkesa nga fermerët për Skemën Kombëtare të mbështetjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balluku: Mbi 600 milionë lekë mbështetje për fermerët, u përthithën 95 % e fondeve

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Zv/kryeministrja njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku theksoi sot se “qeveria shqiptare është e angazhuar maksimalisht për mbështetjen e fermerëve dhe blegtorëve”.

Në takimin me fermerët në Divjakë për Skemën Kombëtare 2026, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, Balluku tha se “mjafton t’i referohemi shifrave nga viti në vit për të kuptuar se si ka ndryshuar kjo mbështetje dhe se si skemat e mbështetjes sot arrijnë të asimilohen shumë më mirë nga fermerët”.

“Në vitin 2025 mbi 600 milionë lekë janë vënë në dispozicion të skemave, të cilat janë ezauruar në 95% të tyre, gjë që tregon që tashmë edhe skemat janë më të kuptueshme edhe aplikuesit dinë ta kryejnë procesin më mirë”, theksoi Balluku.

Ministrja Balluku tha se “buxheti 2026 është më i madhi historik i vendosur në dispozicion nga qeveria shqiptare për bujqësinë, blegtorinë edhe peshkimin”.

/k.s/j.p/

The post Balluku: Mbi 600 milionë lekë mbështetje për fermerët, u përthithën 95 % e fondeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Sala: Bashkëpunimi me “Bambino Gesù” sjell ekselencë pediatrike në Shqipëri

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala vizitoi sot Spitalin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, në Tiranë i cili do të bashkëpunojë me Spitalin Pediatrik Bambino Gesù (OPBG) në Romë, përmes zhvillimit dhe zbatimit të projektit “Qendra për Zhvillimin e Fëmijës”.

Sala vlerësoi se qeveria shqiptare mirëpret bashkëpunime të tilla edhe me spitale publike, për të sjellë në Shqipëri ekselencat mjekësore në fushën e trajnimit, kujdesit shëndetësor dhe kërkimit shkencor në fushën e pediatrisë.
“Këto bashkëpunime do të reduktojnë nevojën që këta fëmijë të zhvendosen drejt strukturave jashtë vendit”, u shpreh Sala.
Ministrja Sala tha se “ndërtimi i qendrave të ekselencës mjekësore në vendin tonë janë tregues i vëmendjes për një përmirësim të qëndrueshëm të cilësisë së kujdesit për fëmijët dhe familjet në Shqipëri dhe rajon”.
/k.s/r.e/a.f/

The post Sala: Bashkëpunimi me “Bambino Gesù” sjell ekselencë pediatrike në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FSK, mbështetje operacionit për gjetjen e 30-vjeçarit të mbytur në lumin Klos

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Kosovës, është e angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit për gjetjen e të riut 30-vjeçar J.K që dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit pas një aksidenti me makinë në lumin Mat në bashkinë Klos në fillim të muajit.

Raportohet se kontingjenti i FSK-së që po ndihmon me rastin është i specializuar për kërkime nënujore.

AKMC informoi sot se në operacion janë angazhuar 10 forca dhe 2 mjete të Forcave të Armatosura, 5 forca dhe 1 mjet të MZSH Klos, si dhe 11 forca speciale të kërkim-shpëtimit nga Kosova.

Sipas AKMC-së operacioni zhvillohet me koordinim të plotë ndërinstitucional dhe angazhim maksimal në terren.

I riu J.K ka qenë duke udhëtuar me makinë, ku drejtues ishte A.L, i cili u largua nga vendi i ngjarjes pa lajmëruar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit. /j.p/

 

/k.s/

The post FSK, mbështetje operacionit për gjetjen e 30-vjeçarit të mbytur në lumin Klos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Aliu: Porti i Durrësit, rol strategjik në korridoret rajonale dhe evropiane të transportit

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Porti i Durrësit mirëpriti delegacione nga Republika e Moldavisë dhe Ukraina në kuadër të një vizite studimore mbi modelin shqiptar të zhvillimit portual.

Kjo vizitë shërben si një pikë referimi për modernizimin e sektorit detar dhe përafrimin me standardet evropiane.

Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës, Liburn Aliu gjatë pritjes së delegacioneve theksoi rolin strategjik të Portit të Durrësit në korridoret rajonale dhe evropiane të transportit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal për zhvillim të qëndrueshëm.

Gjatë sesioneve teknike u prezantuan infrastruktura dhe operacionet aktuale të portit, planet e modernizimit dhe projekti i portit të ri multimodal në Porto Romano, roli i CEMA-s, siguria portuale dhe zbatimi i standardeve ndërkombëtare dhe digjitalizimi i proceseve portuale dhe funksionet e Regjistrit Detar.

Vizita u mbyll me një tur në Terminalin e Trageteve, ku delegacionet u njohën nga afër me operacionet e pasagjerëve, flukset sezonale dhe masat e sigurisë.

Vizita studimore e organizuar nga Sekretariati i Përhershëm i Transportit, shërbeu si një platformë e rëndësishme për shkëmbim përvojash, forcim të bashkëpunimit rajonal dhe harmonizim me legjislacionin dhe projektet e Rrjetit Transeuropian të Transportit.

/k.s/j.p/

The post Aliu: Porti i Durrësit, rol strategjik në korridoret rajonale dhe evropiane të transportit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: Kongresi i SHBA, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme përshëndet paraqitjen në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të projektligjit “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i cili kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Në një deklaratë për shtyp MPEJ theksoi se “ky akt përfaqëson një njohje të rëndësishme institucionale të problematikave serioze me të cilat përballen shqiptarët në Luginën e Preshevës, veçanërisht të çështjes së pasivizimit. Në të njëjtën kohë, shënon një hap domethënës në trajtimin serioz të këtyre problematikave në nivel ndërkombëtar”.

MEPJ shpreh mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vlerëson këtë nismë të Kongresit si një sinjal të fortë në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, por edhe si kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të vijojë të mbetet e angazhuar në ndjekjen dhe monitorimin e situatës së të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe në bashkëpunimin me partnerët tanë për adresimin e këtyre çështjeve.

/k.s/j.p/

The post MEPJ: Kongresi i SHBA, në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për TV5 Monde: Turistët, dëshmitarë të një Shqipërie evropiane, mikpritëse dhe me harmoni fetare

TIRANË, 29 janar/ATSH/ “Shqipëria, sekreti i Ballkanit” titullohet dokumentari i transmetuar mbrëmjen e djeshme në televizionin francez TV5 Monde, i cili zbulon pasurinë kulturore, bukuritë natyrore dhe shpirtin e vendit të shqiponjave.

Gazetari  francez, Ivan Kabacoff udhëtoi në disa prej qyteteve të Shqipërisë, si Tirana, Shkodra, Korça, Gjirokastra dhe Berat, duke pasqyruar kulturën, traditat dhe historinë shqiptare.

Pjesë e dokumentarit është edhe intervista me kryeministrin Edi Rama, i cili e priti gazetarin Kabacoff në kopshtin e Kryeministrisë ku zhvilluan një bisedë për gjuhën frënge, artin, identitetin dhe Shqipërinë.

Intervista e plotë:

Para se të bjerë nata në Tiranë, do të takoj folësin më të famshëm të frëngjishtes në Shqipëri, Edi Rama, Kryeministrin. Ai më pret në kopshtin në zemër të zyrave të tij.

Edi Rama nuk është një udhëheqës si të tjerët. Sapo hyn në zyrën e tij, e kupton menjëherë se nuk po hyn në botën e një politikani të zakonshëm. Një kosh basketbolli i varur në mur është një kujtesë e së kaluarës së tij si një atlet i nivelit të lartë. Përreth vizatimeve shumëngjyrëshe janë veprat e tij, një dëshmi e një pasioni të përjetshëm: pikturës. Burri që ka udhëhequr Shqipërinë që nga viti 2013 mësoi frëngjisht në rininë e tij gjatë një qëndrimi në Cité Internationale des Arts në Paris.

Që atëherë, kjo gjuhe e ka shoqëruar në vijimësi. Prandaj, është një folës i jashtëzakonshëm i frëngjishtes që do të takoj së shpejti. Përshëndetje,

Gazetari Kabacoff- Kryeministër, do t’ju rrëfehem para se t’ju intervistoj. Po mendoja nëse duhet të ndërroj atletet? Që kur ju pashë duke mirëpritur krerët e shteteve në samitin evropian në Tiranë, mendova me vete se nuk po i përmbaheshit saktësisht kodit të veshjes. Duke folur për këtë, ky kod i pazakontë veshjeje, a është një mënyrë për ju për të projektuar një imazh modern, të ndryshëm nga vendi juaj, Shqipëria?

Rama- Jo, ka më shumë të bëjë me të qenit vetvetja, sepse përndryshe, unë nuk jam vetvetja. Kështu që pyesja veten, pse duhet të ndryshoj për ta paraqitur veten, sikur të isha duke u shfaqur në një lloj shfaqjeje? Jam unë, dhe kaq. Por gjërat po ndryshojnë. Ka të tjerë që po fillojnë të veshin atlete.

Gazetari Kabacoff- A është njohja e gjuhës frënge një aset në funksionin tuaj si kreu i shtetit, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare?

Rama: Frëngjishtja nuk është vërtet gjuha e marrëdhënieve ndërkombëtare. Më vjen keq ta them, por është anglishtja. Megjithatë, të flasësh frëngjisht është diçka që më bën të ndihem vërtet si në shtëpi. Është një ndjesi që të lejon ta përjetosh në thellësi të shpirtit një kulturë, e cila përndryshe humbet në anglisht, humbet në shqip. Prandaj, nëse kemi fatin ta eksplorojmë drejtpërdrejt, është vërtet e jashtëzakonshme.

Gazetari Kabacoff- E kemi parë gjatë udhëtimit tonë se ka gjithnjë e më shumë turistë, mes tyre edhe shumë turistë frankofonë. Si mund të shpjegohet ky interes i madh i këtyre turistëve për vendin tuaj?

Rama : Jam shumë, shumë i lumtur, sepse më në fund Shqipëria është e aftë t’u flasë francezëve që e vizitojnë atë përmes bukurisë së saj, dhe ata mund ta admirojnë atë pa paragjykimet që për një kohë të gjatë e kanë shoqëruar vendin tonë në sytë e botës, të Evropës dhe të francezëve. Kështu, ata janë dëshmitarë të një vendi që është evropian, që e do Francën, që është një vend i bukur, mikpritës, një vend ku fetë bashkëjetojnë në harmoni të plotë, dhe një vend ku, edhe pse ekziston një përzierje fetare, ka një unitet shumë të fortë në përkatësinë evropiane dhe dëshirën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.

Gazetari Kabacoff- Atëherë, Kryeministër, nëse do të kishit një fjalë për të përkufizuar qytetin tuaj, Tiranën, cila do të ishte ajo?

Rama: Dëshira për të ardhmen.

Gazetari Kabacoff- Dhe nëse do t’ju duhej ta përshkruanit vendin tuaj, Shqipërinë, me një fjalë?

Rama: Dashuria për të tjerët.

/k.s/

The post Rama për TV5 Monde: Turistët, dëshmitarë të një Shqipërie evropiane, mikpritëse dhe me harmoni fetare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ortekë gjatë natës në Qafë Thore, pastrohet nga dëbora rruga drejt Thethit

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Reshjet e borës të rëna gjatë natës, të shoqëruara me ortekë në Qafë Thore, janë pastruar nga mjetet e mirëmbajtjes duke e bërë të kalueshme drejt Thethit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se aktualisht po punohet në terren për zgjerimin e pjesës kaluese të rrugës, me qëllim garantimin e qarkullimit sa më të sigurt.

Sipas qarkullimi është i hapur, por për shkak të punimeve në zhvillim dhe pranisë së ngricave, kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e mjeteve.

AKMC tha se “automjetet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë”.

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak në zonat malore në verilindje mbi 900-1000 metra dhe në juglindje mbi 1000-1100 metra lartësi gjatë ditës së sotme ka reshje dëbore.

/k.s/j.p/

The post Ortekë gjatë natës në Qafë Thore, pastrohet nga dëbora rruga drejt Thethit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Koçiu me homologun maqedonas: Forcim i bashkëpunimit policor, lehtësi për kalimet kufitare

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu po zhvillon vizitë zyrtare në Shkup, ku u takua me ministrin e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski.

Takimi zhvillohet në kuadër të forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe u pasua nga një deklaratë e përbashkët për shtyp.

Ministrja Koçiu theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vende partnere, të lidhura nga një hapësirë e përbashkët gjeografike, interesa të përbashkëta dhe aspirata të njëjta europiane, si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Koçiu nënvizoi se lehtësimi i burokracive dhe procedurave për qytetarët dhe biznesin është një hap i domosdoshëm dhe praktik në funksion të së ardhmes së përbashkët europiane.

Dy homologët diskutuan shndërrimin e pikës ekzistuese të kontaktit, në një Qendër të plotë të Bashkëpunimit Policor dhe Doganor, e cila do të funksionojë 24/7 dhe do të mundësojë koordinim në kohë reale mes strukturave përkatëse.

“Një qendër e tillë do të rrisë ndjeshëm sigurinë, duke forcuar kapacitetet kundër migracionit të paligjshëm, kriminalitetit dhe kontrabandës, si dhe do të shkurtojë burokracitë dhe kohën e pritjes në kufi”, tha Koçiu.

Ministrja bëri me dije se vetëm gjatë një viti janë regjistruar rreth 5 milionë kalime dhe rreth 1.8 milionë automjete në kufirin mes dy vendeve, çka e bën edhe më të domosdoshëm përmirësimin e procedurave dhe infrastrukturës kufitare.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutuar ishte replikimi i modelit të suksesshëm “One Stop Shop” për kontrollin e unifikuar kufitar në të gjitha pikat e kalimit, para sezonit veror, si dhe lehtësimi i procedurave gjatë sezonit turistik.

Po ashtu, u diskutua rritja e patrullimeve të përbashkëta në Liqenin e Ohrit dhe zhvillimi i projekteve të tjera të përbashkëta në fushën e sigurisë.

Në përfundim, ministrja Koçiu vlerësoi gatishmërinë e plotë të palës maqedonase për të forcuar më tej partneritetin dypalësh, duke falënderuar ministrin Toshkovski dhe duke e ftuar për një vizitë të afërt në Tiranë.

Koçiu shprehu gjithashtu mirënjohjen për ekipet e OSBE-së, për mbështetjen e vazhdueshme në shndërrimin e ideve në mekanizma konkretë bashkëpunimi dhe në përafrimin me standardet më të mira europiane në fushën e sigurisë.

/k.s/j.p/

The post Koçiu me homologun maqedonas: Forcim i bashkëpunimit policor, lehtësi për kalimet kufitare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Moti i keq në Vlorë, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Për shkak të motit të keq Kapiteneria e Portit të Vlorës ka ndaluar pajisjen me leje nisjeje të mjeteve të vogla lundruese dhe të atyre të peshkimit për 24 orë.

Sipas njoftimit për shtyp, në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare moti do të përkeqësohet brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, ku era do të fryjë në drejtimin jug-juglindje në forcën deri 6-7bft me shpejtësi ere deri në 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.50 deri 2.50 metra.

Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit, të cilat duan të operojnë brenda gjirit të Vlorës dhe në det të hapur sot dhe nesër.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, Kaiteneria e Vlorës kërkon bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar të parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë më 29 janar mbas orës 06:00.

/k.s/j.p/

The post Moti i keq në Vlorë, pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Demo: Përgatitje bashkive për sfidat e negociatave me BE-në

TIRANË, 28 janar/ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo tha sot se procesi i integrimit sjell shumë sfida edhe për bashkitë.

Në një konferencë për shtyp lidhur me politikat konkrete, investimet strategjike dhe nismat ligjore, nga Paketa e Maleve dhe Granti i Performancës te digjitalizimi për bashki më transparente dhe më pranë qytetarëve, Demo u ndal tek procesi i negociatave dhe sfidat që paraqet për njësitë e pushtetit vendor.

“Agjenda ambicioze që ne kemi që deri në 2027 do të përmbyllim kapitujt në vetvete do të sjellë një dallgë të madhe rregullative, e cila duhet përkthyer në standarde të reja në nivel vendor dhe patjetër me përgjegjësi të reja”, u shpreh Demo.

Ministri Demo vuri në dukje se “qeveria qendrore është këtu për të mbështetur bashkitë aty ku duhet edhe me financat, të cilat janë të domosdoshme për të arritur këto standarde”.

Por, vijoi Demo, Akademia e Pushtetit Lokal dhe nisma të tjera janë pararojë një përgatitje që ne po bëjmë që kur kjo dallgë të vijë bashkitë të jenë gati që të ballafaqohen me këto sfida dhe patjetër të arrijnë që të përthithin jo thjesht përgjegjësitë, por të jenë gati nesër që të jenë konkurruese sa i përket financimit që do të vijë momentin që ne jemi pjesë e BE-së.

Demo u shpreh se “kemi nxjerrë mësime të qarta nga të gjitha vendet që kanë aderuar në BE në vitet e para qartazi është konstatuar një mungesë kapaciteti sidomos në nivel vendor të përthithjes së fondeve që vijnë nga mbështetja financuar nga fondet e kohezionit që është kapitulli 22 nga BE”.

Kjo, vijoi Demo, përgjithësisht ka të bëjë me parapërgatitjen që këto institucione duhet të kenë.

“Duket sikur ka shumë kohë përpara, por më besoni procesi është shumë kompleks, vetvetiu bashkitë kanë karakteristikat e tyre, të cilat e bëjnë ndonjëherë procesin edhe më kompleks. Sfidat e burimeve njerëzore janë aty, ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm ndaj mundohemi që me instrumentet e rinj që kemi duke garantuar nëpërmjet Akademisë së Pushtetit Lokal, fuqizimin e burimeve njerëzore dhe përgatitjet e tyre më të mira për sfidat siç mund të jetë procesi i integrimit dhe jo vetëm, por patjetër granti i performancës do të bëjë të mundur transformmin institucional që bashkitë të jenë gati për atë çfarë ne presim”, tha Demo.

/k.s/j.p/

The post Demo: Përgatitje bashkive për sfidat e negociatave me BE-në appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla: Njerëzit jetojnë edhe pa shpifjen dhe parkimin dysh, jeta nuk kthehet mbrapsht

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, reagoi ashpër ndaj kritikave të opozitës për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal, duke i cilësuar ato si keqinterpretime dhe dezinformim të qëllimshëm.

Balla theksoi se procesi i hartimit të këtyre ndryshimeve ka qenë i gjatë dhe gjithëpërfshirës, i mbështetur në punën e ekspertëve të Kuvendit dhe të qeverisë, dhe se çdo dispozitë është dakordësuar germë për germë me Bashkimin Evropian.

Duke u ndalur te çështja e shpifjes dhe marrëdhënia e saj me mediet, Balla hodhi poshtë akuzat se ligji synon të mbrojë politikanët, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për amnisti personale apo politike, por për një qasje parimore që ndan qartë përgjegjësitë mes politikanëve dhe gazetarëve.

Balla akuzoi opozitën se po kërkon të përdorë ligjin për të zgjidhur konfliktet e saj të brendshme dhe personale, duke folur hapur për konflikt interesi dhe hipokrizi politike.

Në të njëjtën kohë, kryetari i grupit parlamentar të PS u ndal edhe te debati për parkimin e dyfishtë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për ndëshkim arbitrar të qytetarëve, por për masa që synojnë mbrojtjen e jetës dhe sigurinë publike, veçanërisht në rastet kur bllokohen ambulancat dhe mjetet zjarrfikëse.

“Më mirë paguan 10 000 lekë gjobë për parkim dyfish sesa ta çosh ta parkosh makinën në vendparking. Madje është në modë që po e ke makinën nga këto të shtrenjtat, duhet ta vësh tresh që të bjerë në sy. Jetohet edhe pa parkim dyfish, por jeta e atyre njerëzve që rrezikohet nëse vonohet ambulanca, nëse vonohet makina zjarrfikëse, ajo nuk kthehet dot mbrapsht. Prandaj është ardhur me një propozim që t’u bëhet e qartë të gjithëve, kapadainjve, që nëse ti e parkon dyfish dhe ky “Benz”-i jot, ky “Ferrari” jot, i zë rrugën ambulancës, i zë rrugën makinës zjarrfikëse, bëje mend mirë, dëgjoje mirë”, theksoi Balla.

Në fund të fjalës së tij, Balla theksoi se ndryshimet në Kodin Penal janë pjesë e një pakete më të gjerë ligjore për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave, terrorizmit, trafikut të qenieve njerëzore dhe abuzimit seksual të fëmijëve, duke paralajmëruar se çdo votë kundër këtyre ndryshimeve përbën një qëndrim të qartë politik ndaj këtyre fenomeneve.

/a.f/r.e/

The post Balla: Njerëzit jetojnë edhe pa shpifjen dhe parkimin dysh, jeta nuk kthehet mbrapsht appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akademia Franceze homazh në nderim të 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, Akademia Franceze do të organizojë një aktivitet në nderim të tij.

Ky aktivitet vjen si një bashkëpunim midis Akademisë Franceze dhe Ambasadës shqiptare në Francë, i cili do të zhvillohet në Institutin e Francës, Paris, më 29 janar.

Organizatorët e këtij eventi janë Xavier Darcos, kancelari i Institutit të Francës; Bernard Stirn, sekretar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike; Amin Maalouf, shkrimtar, njëherazi dhe sekretar i Akademisë Franceze, si dhe Dritan Tola, ambasador i Shqipërisë në Francë, lexohet në një shkrim në TvKlan.

Ky aktivitet do të bëjë bashkë disa nga personalitetet më të mëdha të kulturës franceze si Costa Gavras, Angelin Preljocaj, Jacques Attali, Tedi Papavrami. Në aktivitet do të marrë pjesë edhe familja e Ismail Kadaresë.

Kjo nuk është hera e parë që Franca nderon kujtimin e Ismail Kadaresë.

Në tetor të vitit 2025, këshilli bashkiak i Parisit miratoi propozimin që të vendoset një pllakë përkujtimore në ndërtesën ku ka jetuar Kadareja.

Pllaka u vendos në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij.

Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në moshën 88-vjeçare.

Ismail Kadare është personalitet qendror i kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi: “Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj.

Në fushën e prozës, Kadareja lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.

“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.

Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Në vitin 1994 ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Laureati i shumë çmimeve, në 2005-ën, u nderua me “The Booker Prize Man”.

Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me çmime e nderime të tjera.

/k.s/a.f/r.e/

The post Akademia Franceze homazh në nderim të 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌