Rrugët drejt destinacioneve turistike dimërore, lehtësisht të kalueshme me goma dimri
TIRANË, 11 janar/ATSH/ Bujtina Trojani në Lëpushë është “ftesë” për të shijuar bukuritë e Alpeve shqiptare në dimër.
Mes petkut të bardhë të dëborës, sportit të skive, bukurive të natyrës alpine dhe ushqimit tradicional, ky investim i familjes Trojani mikpret vizitorët që shkojnë në Lepushë dhe Këlmend.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale videon e guesthousetrojani, ku vajza 11- vjeçare me emrin Suela, së bashku me familjen e saj mikpresin mes traditës dhe bukurive natyrore.
“Aty ku mrekullia e natyrës dhe e shqiptarit jetojnë më bukur se kudo. Këto vende jetojnë me turizëm në të 4 stinët. Rrugët janë lehtësisht të kalueshme me goma dimri për Lepushë dhe Këlmend”, shkruan Rama.
Ndërkohë, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja u shpreh se destinacionet turistike malore vijojnë të jenë të aksesueshme.
Sipas tij, “edhe pse ka pasur reshje të dendura dëbore, falë punës së koordinuar në terren nga bashkitë dhe autoritetet përkatëse, akset rrugore që lidhin pikat turistike janë pastruar dhe funksionale, duke mundësuar lëvizje të sigurt për vizitorët dhe operatorët turistikë”.
“Fundjavat në zonat malore po kthehen në një alternativë ndryshe pushimi për familjet dhe të rinjtë, duke kombinuar natyrën, sportet dimërore dhe mikpritjen lokale, si një mundësi e mirë për zhvillim dhe promovim të turizmit gjatë gjithë vitit”, tha Gonxhja.
Gonxhja shtoi se “në disa raste trafiku dhe numri i lartë i mjeteve rrugore në të njëjtën kohë, drejt destinacioneve fundore, ka krijuar ngadalësim lëvizjeje e radhë pritjeje por kërkohet mirëkuptimi i qytetarëve, ndërsa policia dhe autoritetet rrugore vijojnë monitorimin dhe informimin”.
/e.i/j.p/
The post Rrugët drejt destinacioneve turistike dimërore, lehtësisht të kalueshme me goma dimri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.