Pse nuk mund të ketë referendum për ligjin e barazisë gjinore?
Një kërkesë për pezullimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore” dhe ideja për një referendum popullor për shfuqizimin e tij kanë kthyer në debat kufijtë kushtetues të demokracisë direkte në Shqipëri.
Teksa disa grupime kërkojnë që ligji të sprovohet me votë popullore, juristët theksojnë se Kushtetuta ndalon referendumet kur bëhet fjalë për çështje që prekin të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Nisma për referendum dhe arsyet pse kundërshtohet ligji
Më 30 dhjetor 2025, përfaqësuesi i Qendrës Konservatore “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, Aklil Pano, publikoi në rrjetet sociale depozitimin e një kërkese në Gjykatën Kushtetuese me objekt: “Pezullimi i menjëhershëm i zbatimit të Ligjit nr. 64/2025 ‘Për Barazinë Gjinore’”.
Mbështetës të kësaj nisme janë bërë edhe Forumi Mysliman i Shqipërisë dhe “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”, të përfaqësuara nga avokati Klodian Rado dhe Isuf Shehu.
I kontaktuar nga Citizens.al për mbarëvajtjen e procesit dhe për tentativën për të zhvilluar një referendum popullor lidhur me ndalimin e ligjit për barazinë gjinore, Pano theksoi se nuk jepte intervista “për gazeta të shkruara”. Por, për referendumin ai tha se do të vlerësohet si hap pas vendimit që do të marrë Gjykata Kushtetuese.
Ndryshe, avokati Klodian Rado, pranoi të flasë më gjerë për Citizens.al ku renditi disa arsye pse grupimet e sipërpërmendura kanë kërkuar shfuqizimin e ligjit.
Sipas tij, shkeljet kryesore procedurale lidhen me mungesën e konsultimit publik efektiv, mungesën e një raporti real financiar sipas nenit 82/1 të Kushtetutës dhe me mosrespektimin e procedurës kushtetuese të votimit nen për nen, sipas nenit 83.
“Diaspora për Shqipërinë e Lirë, pavarësisht se ka dërguar disa herë kërkesa, madje edhe në formë të shkruar, për të qenë pjesë e konsultimeve, nuk është thirrur asnjëherë në asnjë nga tryezat e diskutimit”, tha Rado për Citizens.al.
Ai shtoi se edhe “Qendra Konservatore/Koalicioni Pro Familjes dhe Jetës” dhe “Forumi Mysliman i Shqipërisë,” edhe në rastet kur janë ftuar në një ose dy takime, kanë pasur në praktikë një “pjesëmarrje formale”, pasi asnjë nga shqetësimet dhe sugjerimet e tyre – sipas Rados – nuk u reflektua as në raportin shoqërues të projektligjit dhe as në tekstin final.
Citizens.al kontaktoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për të sqaruar këto pretendime.
Ministria theksoi se gjatë fazës së konsultimit publik, Koalicioni dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë kanë pasur mundësi të paraqesin mendimet e tyre përmes Regjistrit Elektronik të Konsultimeve Publike, “por nuk kanë paraqitur asnjë kërkesë apo koment gjatë kësaj periudhe.”
Sipas ministrisë, vetëm pas miratimit të projektligjit në Këshillin e Ministrave “janë paraqitur dy kërkesa zyrtare nga këto grupe, të cilat synonin tërheqjen ose ndryshimin e dispozitave kryesore të ligjit për barazinë gjinore.”
Sipas Ministrisë, argumentet e tyre nuk përbënin komente teknike për përmirësimin e ligjit, por “qëndrime morale ose ideologjike kundër thelbit të nismës ligjore.” Për këtë arsye, këto kërkesa nuk mund të konsideroheshin pjesë e procesit formal të konsultimit publik, i cili kishte përfunduar para miratimit të projektligjit në Këshillin e Ministrave.
“Ministria mbetet aktori shpjegues dhe teknik i nismës, ndërsa vendimmarrja i kishte kaluar Parlamentit dhe për rrjedhojë kërkesa e grupeve të interesit për mospranimin e ligjit duhej t’i drejtohej Parlamentit”, përfundon në sqarimin e saj për Citizens.al, ministria.
Sipas ligjit të ri për barazinë gjinore, në një rast të denoncuar diskriminimi, ngacmimi apo dhunimi seksual, barra e provës bie te i akuzuari dhe jo më te viktima.
Ky ndryshim, cilësohet nga avokati Rado si problematik pasi krijon një mekanizm procedural që në praktikë mund të cenojë prezumimin e pafajësisë, duke devijuar nga standardet kushtetuese dhe ato të procesit të rregullt ligjor.
“Kur një person, institucion apo profesionist trajtohet sikur duhet të provojë pafajësinë e tij, ndërkohë që akuza ngrihet mbi ‘supozime’, kemi një devijim të rrezikshëm nga standardet kushtetuese dhe nga procesi i rregullt ligjor”, thekson ai.
Referendum për ligjin e barazisë gjinore?
Më 12 janar, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miratoi kërkesën për pajisjen me fletë tip për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore”.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e njeh referendumin si instrument të demokracisë pjesëmarrëse. Neni 150 parashikon se “qytetarët, nëpërmjet 50,000 shtetasve me të drejtë vote, mund të kërkojnë referendum për shfuqizimin e një ligji ose për çështje të një rëndësie të veçantë”.
Por, Dea Nini, avokate e të drejtave të njeriut, shpjegon se neni 151 i Kushtetutës përcakton kufijtë materialë brenda të cilëve referendumi mund të zhvillohet.
“Sipas kësaj dispozite përjashtohen çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Shqipërisë, kufizimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, buxhetin dhe taksat e shtetit, vendosjen ose heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe deklarimin e luftës, paqes dhe amnistinë”, thekson Nini.
Pra, ndryshe nga neni 150, i cili hap hapësirën për referendum, neni 151 e kufizon atë hapësirë duke përcaktuar qartë çështjet që nuk mund t’i nënshtrohen referendumit.
“Shfuqizimi i këtij ligji, përmes referendumit, do të kishte si efekt juridik ndikimin mbi nivelin e mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut në fushën e barazisë dhe mosdiskriminimit, duke e vendosur objektin e kërkesës brenda kategorisë së çështjeve që neni 151, pika 2, i përjashton nga çdo referendum”, përfundon ajo.
Regres në rrugën drejt Bashkimit Evropian
Institucioni i Avokatit të Popullit i tha Citizens.al se shfuqizimi i një ligji që garanton standarde të avancuara ndërkombëtare, të ndërtuara mbi rekomandimet e organizmave ndërkombëtarë, do të përbënte një hap pas në mbrojtjen ligjore dhe institucionale të të drejtave dhe lirive themelore.
“Ky regres do të ishte domethënës për një shtet që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian, pasi procesi i afrimit me BE-në nuk nënkupton vetëm përafrim formal të legjislacionit, por mbi të gjitha respektim substancial dhe progresiv të standardeve evropiane në fushën e të drejtave të njeriut”, analizon Komisionerja nga Avokati i Popullit, Vilma Shurdha.
Ky institucion rikujton se ligji “Për Barazinë Gjinore” synon realizimin e barazisë në të gjitha fushat e jetës publike dhe private, duke adresuar diskriminimin dhe duke promovuar mundësi të barabarta në një gamë të gjerë kontekstesh.
“Ligji përmban dispozita specifike në lidhje me çështjet e pagave, skemave të sigurimeve shoqërore, aksesit në punësim, formimit profesional, kushteve të punës, si dhe lejen e shtatzënisë dhe atë prindërore”, thuhet në përgjigjen e institucionit për Citizens.al.
Në lidhje me faktin nëse kjo strukturë do të mbajë një qëndrim publik mbi kërkesën për referendum popullor për shfuqizimin e ligjit, Avokati i Popullit thekson se çdo prononcim mbi përmbajtjen materiale të nismës duhet trajtuar me kujdes.
Kjo qasje argumentohet për të mos krijuar perceptimin e tejkalimit të kompetencave apo ndërhyrjes në një fushë që, sipas Kushtetutës, i takon ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
Ligji nr. 64/2025 “Për Barazinë Gjinore” u propozua nga qeveria gjatë vitit 2025 si pjesë nismave të përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Projektligji u konsultua në platformën e konsultimit publik dhe u kalua në të gjitha hallkat ligjore para se të shkonte në parlament. Por pasi ai u kalua për miratim pati reagime të ashpra online – shumë prej të cilave bazoheshin në keqinformim dhe gjuhë urrejtjeje.
Ligji i ri synon të forcojë mekanizmat kundër diskriminimit gjinor dhe të promovojë mundësi të barabarta në punësim, arsim dhe jetën publike. Ai përfshin dispozita që lidhen me barazinë në paga, aksesin në tregun e punës, mbrojtjen sociale dhe politikat e balancimit të jetës familjare dhe profesionale.
Lexoni gjithashtu:
- Barazia gjinore në Ballkan: Progres i ngadalshëm mes dizinformimit dhe dogmës fetare
- Elementët pozitivë që sjell projektligji për barazinë gjinore
- Pse fletëpalosjet për barazinë gjinore nuk duhet të na frikësojnë
The post Pse nuk mund të ketë referendum për ligjin e barazisë gjinore? appeared first on Citizens.al.
