JD Vance kritika Europës dhe Danimarkës: Groenlanda është “kritike” për mbrojtjen e SHBA dhe botës
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka deklaruar se Grenlanda është “kritike” për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe të botës nga sulme të mundshme raketore ruse ose kineze, duke akuzuar Europën dhe Danimarkën se “nuk kanë bërë një punë të mirë” në sigurimin e territorit.
Në një intervistë për Fox News, Vance tha se Danimarka dhe aleatët europianë jo vetëm që kanë investuar në mënyrë të pamjaftueshme në mbrojtjen e Groenlandës, por edhe kanë dështuar të angazhohen seriozisht me argumentet e presidentit Donald Trump mbi këtë çështje.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, zyrtarë amerikanë po diskutojnë “aktivisht” një ofertë të mundshme për blerjen e Grenlandës – një territor gjysmë-autonom nën sovranitetin danez. Deklarata vjen vetëm një ditë pasi u sugjerua se përdorimi i forcës ushtarake për aneksimin e ishullit nuk përjashtohet si opsion.
Danimarka, aleate e SHBA-së në kuadër të NATO-s, ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të nënkuptonte fundin e aleancës. Si Danimarka, ashtu edhe autoritetet e Grenlandës kanë theksuar vazhdimisht se ishulli nuk është në shitje.
Edhe pse është territori më pak i populluar në botë, pozicioni gjeografik i Grenlandës – mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut – e bën atë kyç për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh raketore, si dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.
Baza Hapësinore Pituffik, e njohur më parë si Baza Ajrore Thule, është operuar nga SHBA që nga Lufta e Dytë Botërore. Vitet e fundit është rritur edhe interesi për burimet natyrore të Grenlandës, përfshirë mineralet e rralla, uraniumin dhe hekurin, të cilat po bëhen më të aksesueshme për shkak të shkrirjes së akullit nga ndryshimet klimatike. Shkencëtarët besojnë se zona mund të ketë edhe rezerva të konsiderueshme nafte dhe gazi.
“Shumë njerëz nuk e kuptojnë se e gjithë infrastruktura e mbrojtjes raketore varet pjesërisht nga Grenlanda,” tha Vance. “Nëse, Zoti mos e dhashtë, Rusia apo Kina do të lëshonin një raketë bërthamore drejt kontinentit tonë apo Europës, Grenlanda është një pjesë kyçe e asaj mbrojtjeje.”
Ai shtoi se përgjigjja ndaj pyetjes nëse Europa dhe Danimarka kanë bërë mjaftueshëm për të siguruar ishullin është “qartazi jo”.
Tensionet mbi të ardhmen e Groenlandës u rritën pas përdorimit të forcës ushtarake nga Trump kundër Venezuelës për të rrëzuar presidentin Nicolás Maduro. Kujtohet se Trump kishte propozuar blerjen e Grenlandës edhe në vitin 2019, gjatë mandatit të tij të parë, por ishte refuzuar.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, njoftoi se javën e ardhshme do të zhvillojë bisedime me Danimarkën. Ndërkohë, liderët europianë dolën me një deklaratë të përbashkët në mbështetje të Kopenhagës. “Grenlanda i përket popullit të saj dhe vetëm Danimarka dhe Grenlanda mund të vendosin për marrëdhëniet e tyre,” thuhet në deklaratën e nënshkruar nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja dhe Danimarka. Ata theksuan se siguria në Arktik duhet të garantohet “kolektivisht” nga aleatët e NATO-s dhe në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së, përfshirë sovranitetin dhe integritetin territorial./abcnews.al