Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 17 January 2026Main stream

Eksperti Haxhillari shpjegon hapat që ndiqen për të përfituar rimbursim për fëmijët dhe shpenzimet arsimore

17 January 2026 at 17:48

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Prindërit që kanë fëmijë nën 18 vjeç do të përfitojnë rimbursim për shpenzimet e rritjes dhe arsimit të fëmijëve, sipas rregullave të reja të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Andi Haxhillari, këshilltar financiar, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, sqaroi se nga viti 2025 familjet mund të zbresin 48 000 lekë për çdo fëmijë dhe deri në 100 000 lekë për shpenzimet arsimore, si shkollim, libra, kurse dhe uniforma, duke ulur kështu tatimin mbi të ardhurat.

Haxhillari shpjegoi se DIVA është e detyrueshme për individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 milionë lekë, ata që kanë pasur më shumë se një punëdhënës, ose kanë të ardhura të patatueshme.

Deklarata duhet dorëzuar online deri më 31 mars. Nëse ka tepricë tatimore, individët mund të kërkojnë rimbursim deri në 3 muaj pas dorëzimit të deklaratës.

Eksperti thotë se për të marrë zbritjet për fëmijët dhe arsimimin është e nevojshme që të ruhet dokumentacioni i shpenzimeve, si faturat e shkollimit dhe kurset e ndryshme.

Përfituesit e rimbursimit për shpenzimet arsimore dhe për fëmijët janë prindërit që janë ligjërisht të ngarkuar me fëmijë nën 18 vjeç.

Edhe prindërit që nuk kanë detyrimin për plotësimin e DIVA-s nëse duan të përfitojnë rimbursimin për fëmijët duhet të plotësojnë DIVA-n.

Çfarë është DIVA dhe pse duhet ta dorëzosh?

DIVA është Deklarata Vjetore e të Ardhurave Personale. Nëse ti ke realizuar mbi një prag të caktuar të ardhurash, ke pasur më shumë se një punëdhënës dhe ke të ardhura të cilat nuk janë tatuar, ligji të detyron ta dorëzosh këtë deklaratë brenda afatit (deri më 31 mars të vitit pasardhës). Qëllimi është që Administrata Tatimore të bëjë llogaritjen e tatimit – domethënë të krahasojë sa tatim ke paguar gjatë vitit (p.sh. të mbajtur nga paga jote çdo muaj) me sa duhej të paguaje në total, duke llogaritur të gjitha të ardhurat së bashku.

Nëse gjatë vitit ke paguar më pak tatim sesa duhej, do të dalë një detyrim për pagesë shtesë. Nëse ke paguar më shumë sesa duhej (p.sh. nëse ke përfituar zbritje tatimore shtesë), atëherë krijohet një tepricë kreditore – pra, Tatimet të kanë borxh para për t’i kthyer mbrapsht si rimbursim. Në këtë mënyrë, DIVA siguron që çdo individ në fund të vitit paguan saktësisht tatimin e ligjshëm, as më shumë e as më pak.

Kush është i detyruar të deklarojë?

Sipas ligjit, duhet të plotësosh DIVA-n nëse plotëson të paktën një nga kushtet e mëposhtme:

– Ke të ardhura bruto vjetore mbi 1,2 milionë lekë (nga çdo burim: pagë, qira, divident, interesa bankare, fitime kapitale, lojëra fati, etj.). Ky prag ishte 2 milionë lekë, por është ulur në 1,2 milionë duke filluar me të ardhurat e vitit 2024.

– Ke qenë i punësuar te më shumë se një punëdhënës njëkohësisht, pavarësisht shumës totale të të ardhurave. Edhe nëse paga jote e kombinuar është nën 1,2 milionë lekë, fakti që ke pasur dy (ose më shumë) paga paralele të detyron të deklarosh, sepse tatimi duhet rillogaritur mbi totalin.

– Ke realizuar të ardhura mbi 50 000 lekë që nuk janë tatuar në momentin e pagesës. Kjo vlen p.sh. për të ardhura nga qiraja (kur qiramarrësi është individ dhe nuk është mbajtur tatim), të ardhura nga jashtë vendit, ose çdo të ardhur tjetër ku nuk të është mbajtur tatimi në burim. Këto raste tani duhen deklaruar dhe tatuar përmes DIVA-s.

Edhe personat jorezidentë që kanë realizuar të ardhura të tatueshme në Shqipëri duhet ta dorëzojnë këtë deklaratë.

Nëse ti nuk e dorëzon fare deklaratën brenda afatit ligjor, gjobitesh me 3 000 lekë. Po ashtu, nëse nga deklarata rezulton që ke pasur tatime për të paguar dhe nuk i ke paguar në kohë, do të ngarkohesh me kamatëvonesa dhe penalitete për vonesën. Pra, është e rëndësishme ta dorëzosh në kohë DIVA-n nëse je i detyruar, jo vetëm për të shmangur gjobat, por edhe sepse përfiton rimbursimet apo zbritjet tatimore që të takojnë.

Si funksionon rimbursimi për fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet arsimore të fëmijëve?

Lehtësitë më të reja fiskale të vendosura nga ligji, lidhen me kompensimin tatimor për familjet me fëmijë në ngarkim. Kjo skemë fillon e zbatohet për të ardhurat e vitit 2025 e në vazhdim, që do të thotë se për herë të parë do ta shohim në praktikë në deklaratën që dorëzohet në mars 2026.

Si funksionon?

Kur plotëson DIVA-n, do të kesh mundësi të deklarosh një shumë të caktuar si shpenzim i zbritshëm për çdo fëmijë nën 18 vjeç dhe për shpenzimet arsimore të tyre. Këto shpenzime të deklaruara ulen nga baza tatimore vjetore, rillogaritet tatimi i ri mbi paga, dhe krahasohet me tatimin që ke paguar gjatë vitit. Nëse tatimi i rillogaritur del më i ulët se ai që ke paguar gjatë vitit, diferenca të kthehet mbrapsht si rimbursim nga administrata tatimore.

Pra, nuk është se shteti të jep një shumë fikse parash direkt për çdo fëmijë, por të ul tatimin e paguar duke llogaritur 48 000 lekë më pak të ardhura të tatueshme për çdo fëmijë dhe deri 100 000 lekë shpenzime arsimore si të zbritshme. Kjo ulje në bazën tatimore bën që tatimi i ri i llogaritur të dalë më i vogël sesa tatimi që ishte mbajtur pa këto zbritje.

Shembull:

Nëse gjatë 2025-ës paga jote është tatuar çdo muaj normalisht, kur të deklarosh në 2026 dhe të zbresësh shpenzimet për fëmijët, mund të rezultojë që ke paguar, fjala vjen, 30 mijë lekë më shumë tatim sesa duhej. Këtë diferencë prej 30 mijë lekësh ke të drejtë ta rimarrësh nga tatimet.

Administrata Tatimore ka bërë të ditur se, pasi të plotësosh deklaratën me këto zbritje në mars, nëse rezulton tepricë kreditore, tatim i mbipaguar, mund të bësh kërkesë dhe brenda 3 muajve të marrësh paratë e rimbursimit. Pra, praktikisht, paratë që ke paguar tepër në tatim do t’i kalojnë në llogarinë tënde bankare, ose mund të zbriten nga detyrimet e tjera tatimore, sipas rregullave.

Kujdes! Rimbursimi nuk jepet automatikisht, duhet të deklarosh saktë fëmijët dhe shpenzimet për ta dhe të kërkosh rimbursimin pas konfirmimit të deklaratës. Gjithashtu, kompensimi nuk është i pakushtëzuar: duhet të keni dokumentacion që vërteton shpenzimet arsimore (fatura, mandatpagesa nga shkolla, etj.) dhe fëmija duhet të jetë realisht në ngarkimin tënd.

Kush përfiton dhe kush përjashtohet nga këto zbritje?

Përfituesit kryesorë të kësaj skeme janë prindërit rezidentë në Shqipëri, me fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Ligji parashikon që çdo fëmijë nën 18 vjeç u jep prindërve të drejtën e një zbritjeje prej 48 000 lekësh në vit nga të ardhurat e tatueshme. Gjithashtu, prindërit mund të zbresin deri në 100 000 lekë në vit për shpenzimet arsimore të fëmijëve, si pagesa shkollore, libra, kurse, uniforma, etj. Megjithatë, jo të gjithë prindërit i gëzojnë njësoj këto përfitime, ka disa kufizime të rëndësishme:

Të ardhurat vjetore mbi 1,2 milionë lekë: Nëse ti ke të ardhura të larta mbi 1,2 milionë lekë/vit, përfiton vetëm zbritjen për fëmijët, pra 48 mijë lekë secili, por nuk përfiton zbritjen për shpenzimet arsimore. Logjika është se ata me të ardhura më të larta kanë përfituar tashmë një nivel zbritjeje, p.sh. ata me paga të larta paguajnë tatim më të ulët falë normave progresive të reja dhe zbritja shtesë për shkollimin u është kufizuar.

Të ardhurat vjetore deri në 1,2 milionë lekë: Prindërit me të ardhura më të ulëta ose mesatare (≤) 1.2 milionë lekë/vit i marrin të dyja përfitimet. Pra, 48 mijë lekë për çdo fëmijë dhe deri 100 mijë lekë në total për shpenzimet arsimore vjetore. Edhe nëse ke më shumë se një fëmijë, shuma maksimale për arsim mbetet 100 mijë lekë në vit, pra është fikse, pavarësisht numrit të fëmijëve.

Vetëm një prind përfiton

Nëse fëmijët janë në ngarkim të dy prindërve, zbritjet për fëmijët dhe arsimin mund t’i kërkojë vetëm njëri prej prindërve, jo të dy. Konkretisht, ligji dhe udhëzimi kërkojnë që zbritjet t’i marrë prindi me të ardhurat vjetore më të larta. Kjo për të parandaluar “dyfishimin” e përfitimit. Prindi tjetër nuk mund t’i deklarojë këto zbritje në DIVA-n e vet.

Fëmijët duhet të jenë ligjërisht “në ngarkim”: Kjo do të thotë, fëmija duhet të figurojë në certifikatën familjare të tatimpaguesit, pra, të jeni prind kujdestar ligjor i tij, dhe normalisht nën 18 vjeç gjatë vitit përkatës fiskal. Nëse fëmija ka mbushur 18 vjeç gjatë vitit, ai nuk konsiderohet më “në ngarkim” për atë vit.

Dokumentimi i shpenzimeve arsimore

Për të marrë zbritjen e 100 mijë lekëve për arsim, duhet të kesh dokumente që e provojnë se ke bërë shpenzime për arsimin e fëmijës në vitin përkatës. Administrata tatimore këshillon: ruaj faturat e pagesave për shkollë, kurse, libra, transport shkollor, etj., gjatë gjithë vitit. Pastaj, kur plotëson DIVA-n, deklaro shumën totale të këtyre shpenzimeve, deri në kufirin 100 mijë lekë. Nëse nuk ke fatura, zbritja mund të mos njihet në rast kontrolli tatimor.

Shembull

Një familje ku prindërit fitojnë 1,5 milionë lekë në vit, secili nga puna dhe kanë një fëmijë, nuk do të përfitojë uljen prej 100 mijë lekësh për shkollën, por do të përfitojë 48 mijë lekë zbritje për fëmijën. Në një familje tjetër ku të ardhurat e prindit kryesor janë 800 mijë lekë në vit dhe ka dy fëmijë, ai prind mund të deklarojë të dyja zbritjet: 2×48 000 = 96 000 lekë për fëmijët plus deri 100 000 lekë shpenzime arsimore. Kjo do t’i ulë ndjeshëm tatimin që i takon për atë vit, ndoshta deri në pikën që del me rimbursim.

Procedura e dorëzimit të deklaratës DIVA

Procesi kryhet online, përmes portalit të tatimeve në e-filing. Ti duhet të identifikohesh me NID-in tënd (Numri i Identifikimit të Tatimpaguesit) për individët rezidentë ky është numri personal i kartës ID. Deklarata plotësohet elektronikisht duke plotësuar të ardhurat në rubrikat përkatëse, paga primare, paga të tjera, qira, dividentë, interesa, etj., tatimin e mbajtur gjatë vitit për secilën, dhe zbritjet e lejuara. Formulari standard i DIVA-s përmban edhe seksione ku deklaron numrin e fëmijëve në ngarkim dhe shpenzimet arsimore (nëse ke të drejtë t’i kërkosh).

Pasi ke plotësuar të dhënat, sistemi tatimor, ose vetëllogaritjet e tua në formular, do të llogarisin automatikisht tatimin përfundimtar. Në fund, paraqitet një përmbledhje ku mund të shohësh: tatimin total të llogaritur mbi të ardhurat e deklaruara; tatimin që është paguar tashmë gjatë vitit (përmes mbajtjeve në burim nga paga, qiraja, etj.).

Rezultati final, që mund të jetë detyrim për pagesë ose tepricë për rimbursim.

Nëse del një shumë për të paguar, detyrim, atë duhet ta paguash brenda afatit ligjor që është 31 marsi i vitit pasardhës. Nëse del një shumë për t’u rimbursuar, ke të drejtë ta kërkosh këtë rimbursim me aplikim tek Drejtoria e Tatimeve brenda 3 muajve. Shuma e rimbursimit zakonisht kalohet në llogarinë bankare që ke deklaruar.

Deklarata mbi Statusin Personal

Në kuadër të lehtësirave të reja, administrata ka futur edhe konceptin e Deklaratës së Statusit Personal. Ky është një formular që i jep punëdhënësit të dhëna mbi statusin tënd (p.sh. nëse ke fëmijë në ngarkim, nëse ke punë tjetër paralelisht, etj.), në mënyrë që tatimi mujor në pagë të llogaritet drejtë gjatë vitit. Duke plotësuar këtë deklaratë te punëdhënësi, ti mund të bësh që një pjesë e zbritjeve, ato personale bazë, të aplikohen muaj për muaj, që të mos krijohet shumë diferencë në fund të vitit. Megjithatë, për zbritjet e fëmijëve dhe arsimit, aplikimi bëhet në deklaratën vjetore, pra, te DIVA.

Dorëzimi dhe konfirmimi

Pasi të kesh plotësuar DIVA-n online, e dorëzon elektronikisht dhe sistemi gjeneron një konfirmim dorëzimi. Ruaje atë konfirmim, mund ta printosh ose ta ruash si PDF, sepse është provë që ke deklaruar në afat.

Tatimet mund të kryejnë më pas verifikime të deklaratës tuaj, dhe nëse gjithçka është në rregull, deklarata konsiderohet e mbyllur. Në rast se ata konstatojnë gabime a pasaktësi, mund të të njoftojnë për saktësim ose mund ta korrigjojnë vetë, në raste specifike. Por në përgjithësi, nëse e plotëson me kujdes të dhënat, deklarata konfirmohet pa probleme.

/r.e/ /a.g/

The post Eksperti Haxhillari shpjegon hapat që ndiqen për të përfituar rimbursim për fëmijët dhe shpenzimet arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 16 January 2026Main stream

Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian në nëntor

16 January 2026 at 20:35

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Shqipëria tërhoqi në nëntor të vitit që lamë pas një numër të madh vizitorësh nga jashtë, me pjesën më të madhe që vinte nga Italia, Kosova dhe Gjermania.

Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian. Turistët nga Kosova përbënin thuajse një të katërtën e totalit dhe gjermanët rreth 9%. Vizitorët nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kishin gjithashtu rritje.

Kjo rritje e dukshme pasqyrohet edhe në aktivitetin e strukturave akomoduese, ku numri i vizitorëve gjithsej u rrit me 30% krahasuar me nëntorin e vitit të kaluar.

Vizitorët jorezidentë shënuan një rritje prej 31%, ndërsa vizitorët vendas u rritën me 28%.
Netqëndrimet gjithashtu u rritën me 29,8%, duke reflektuar interes në turizmin shqiptar.

Vizitorët jorezidentë qëndruan më shumë në hotele dhe akomodime të tjera, me një rritje prej 29,8%, ndërsa në zonat jobregdetare rritja ishte 21,6%.

Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 22,2%, nga 19,5% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke treguar se sektori po përfiton nga interesimi i shtuar i vizitorëve të huaj dhe vendas.

Rritja e vizitorëve dhe netqëndrimeve tregon se turizmi në Shqipëri po merr hov, duke u bërë një faktor i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe promovimin e vendit si destinacion turistik tërheqës.

/r.e/a.f/

The post Më shumë se një në pesë vizitorë ishte italian në nëntor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit

16 January 2026 at 18:09

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, theksoi sot rëndësinë e futjes së teknologjisë në funksionimin e Kuvendit.

“Duhet të ecim me shumë vendosmëri në futjen sa më thellë të teknologjisë në punën e Kuvendit”, u shpreh ai, duke shtuar se është i domosdoshëm përparimi në këtë drejtim.

Rama propozoi që kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit, jo vetëm për të transmetuar në mënyrë të drejtpërdrejtë seancat apo komisionet, por për të pasqyruar më gjerësisht aktivitetin parlamentar.

“Vendet e tjera e kanë një kanal parlamentar, duhet ta kemi edhe ne dhe ai duhet të jetë nën kujdesin e Kuvendit, duke ftuar edhe përfaqësues të opozitës, si Agron Gjekmarkaj”, tha Rama, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.

/r.e/

The post Rama: Kanali i Parlamentit në RTSH të kthehet në një kanal të Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Duhet ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit

16 January 2026 at 18:06

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS se duhet të ndërhyhet menjëherë për të parandaluar abuzimet me procedurat parlamentare dhe për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit, duke siguruar që opozita të mos përdorë forcën për të penguar punën e tij.

“Duhet të ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe në ndarjen e orëve të ndarjes në Kuvend, po të shikojmë nga orët, duket sikur jemi 51 me 49 në favor të deputetëve të opozitës”, u shpreh ai.

Rama theksoi se me këtë nuk thotë se duhet t’i ulen orët opozitës, por duhet të shikohet se si do të ndërpriten orët e marra me forcë, abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun.

“Kjo duhet të mbarojë. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së kjo gjë nuk i lejohet asnjë force politike. Prandaj, duke qenë se Rregullorja e Parlamentit nuk është e shkruar në gur, duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së duhet ndërhyrë menjëherë, në mënyrë që fjala “procedurë” mos të jetë e barabartë me konceptin “pengmarrje””, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se në asnjë parlament demokratik nuk tolerohet, jo ndërhyrja fizike, por as goditja në dinjititet e atyre që janë aty të pranishëm.

Sipas Ramës, kjo nuk duhet të tolerohet, pasi nuk është liri fjale, dhe në këtë pikë duhen marrë masat siç i ka Rregullorja.

“Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rejave e të rinjve e familjeve që ndjekin Kuvendin e Shqipërisë. Është një goditje në nivelin psikologjik, edukativ dhe mbi të gjitha është një goditje në aspektin social, sepse krijon vetëm nxitje të urrejtjes dhe krijon vetëm zgjerim të hendekut të pamerituar për shqiptarët që gërmon politika. Dhe kur them politika, nuk flas siç flasin të dërguarit me punë në Shqipëri të vendeve të tjera. Politika në përgjegjësi? Jo! Ajo pjesë e politikës që ne për fat të keq nuk e kemi dot përballë por e kemi gjithmonë prapa, duke u përpjekur me të gjitha metodat që të na pengojë të vazhdojmë ne përpara”, theksoi Rama.

/r.e/

The post Rama: Duhet ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Startup-et do të përfitojnë mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse për zhvillimin e bizneseve të tyre

16 January 2026 at 08:10

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Startup-et do të përfitojnë mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse për zhvillimin e bizneseve të tyre.

Kjo mbështetje mund të vijë në forma të ndryshme, duke përfshirë grante, financime me kapital, mbulim kostosh për kërkimin dhe zhvillimin e projekteve, si dhe shërbime teknike si konsulencë ligjore, financiare, ose për zhvillimin e biznesit. Për më tepër, startup-et mund të kenë akses në infrastrukturën e kërkimit dhe mundësi për testim të produkteve ose teknologjive të reja.

Në Fletoren Zyrtare u publikua vendimi për miratimin e thirrjes për aplikime, kërkesave, kritereve, procedurave dhe afateve që duhet të plotësojnë startup-et dhe lehtësuesit e tyre për financime dhe/ose masa mbështetëse, si dhe të rregullave për përbërjen e komisionit të vlerësimit dhe ankimit, kritereve, procedurës së përzgjedhjes dhe të shpërblimit të anëtarëve

Për të përfituar nga këto mundësi, startup-et duhet të jenë të regjistruara në regjistrin elektronik të startup-eve dhe të përmbushin disa kushte të tjera, si përmbushja e detyrimeve tatimore.

Procesi i aplikimit është i thjeshtë dhe kryhet përmes platformës digjitale “e-Albania”, ku startup-et duhet të dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar, duke specifikuar fazën e zhvillimit të tyre (fillestare, validim ose rritje).

Përveç mbështetjes financiare, startup-et do të kenë mundësinë të bashkëpunojnë me lehtësuesit e tyre, të cilët mund të ofrojnë mbështetje teknike dhe shërbime të tjera që do të ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të biznesit të tyre.

Agjencia për Zhvillimin e Startup-eve dhe Inovacionit do të monitorojë projektet dhe do të sigurojë që ato të përmbushin objektivat e përcaktuara.

/r.e/a.f/

The post Startup-et do të përfitojnë mbështetje financiare dhe shërbime mbështetëse për zhvillimin e bizneseve të tyre appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Salla me zyrtarin e FAO-s: Modernizim i bujqësisë dhe mbështetje pas përmbytjeve

15 January 2026 at 23:08

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Berlin, zhvilloi një takim me Viorel Gutu, zëvendësdrejtor Rajonal për Evropën dhe Azinë Qendrore pranë FAO.

Gjatë takimit u diskutuan prioritetet e bashkëpunimit për katërvjeçarin e ardhshëm, me fokus në modernizimin e bujqësisë, transformimin digjital të sektorit, forcimin e sigurisë ushqimore dhe përafrimin me Politikën e Përbashkët Bujqësore të Bashkimit Evropian (CAP), në funksion të procesit të integrimit europian dhe vizionit afatgjatë “Bujqësia 2030”.

Ministri Salla informoi gjithashtu përfaqësuesit e FAO-s mbi dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e ditëve të fundit, veçanërisht në sektorin bujqësor, duke theksuar nevojën për vlerësim të shpejtë dhe masa konkrete mbështetëse për fermerët e prekur.

Zyrtarët e FAO-s shprehën gatishmërinë për të ofruar asistencë përmes ekspertizës ndërkombëtare, si në vlerësimin e situatës në terren, ashtu edhe në hartimin e masave për rimëkëmbjen dhe forcimin e qëndrueshmërisë së sektorit bujqësor.

Ministri Salla vlerësoi bashkëpunimin afatgjatë dhe frytdhënës me FAO-n, duke riafirmuar angazhimin e qeverisë për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe rritjen e mbështetjes për fermerët shqiptarë.

/r.e/a.f/

The post Salla me zyrtarin e FAO-s: Modernizim i bujqësisë dhe mbështetje pas përmbytjeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Shkodra hap aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve”

15 January 2026 at 22:37

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Bashkia e Shkodrës ka hapur zyrtarisht aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve”, duke ftuar të gjithë qytetarët dhe subjektet e interesuara që të dorëzojnë dokumentacionin përkatës përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Aplikimi kryhet online, ku subjekti duhet të paraqesë një kërkesë të argumentuar me shkrim, të shoqëruar nga një plan rilevimi i sipërfaqes së poseduar, i hartuar nga një ekspert gjeodet i licencuar.

Për të provuar lidhjen me pasurinë, kërkesa duhet të shoqërohet me dokumente që vërtetojnë ushtrimin e aktivitetit ekonomik ose përdorimin e vazhdueshëm të saj, si dokumentacion tatimor, fatura shërbimesh të lidhura me pasurinë, deklarata apo dëshmi nga banorë dhe autoritete vendore që konfirmojnë posedimin për një periudhë të paktën 10-vjeçare, si edhe fotografi, ortofoto apo prova të tjera materiale.

Aplikuesit kanë mundësi të paraqesin edhe çdo dokument tjetër që forcon provën e lidhjes së tyre me pasurinë.

Në mbështetje të qytetarëve gjatë këtij procesi, Bashkia Shkodër bën me dije se Zyra me Një Ndalesë e-Albania do të ofrojë asistencë dhe orientim për aplikimin, duke synuar lehtësimin e procedurave dhe informimin e plotë të çdo të interesuari.

Aplikimet kryhen përmes linkut zyrtar të e-Albania, duke garantuar një proces transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë.

“Paketa e Maleve” është një politikë zhvillimore e qeverisë shqiptare që synon të nxisë investimet dhe rigjallërojë jetën ekonomike në zonat malore të vendit.

Ajo synon të krijojë një ekuilibër në zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve ekonomike të turizmit malor, bujqësisë, industrisë dhe inovacionit të lidhur me ekosistemin e këtyre zonave, bazuar në mbrojtjen e peizazhit natyror, ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kulturës dhe identitetit lokal në këto zona të shpallura me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore.

/r.e/a.f/

The post Shkodra hap aplikimet për përfitimin nga “Paketa e Maleve” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Online procedura për privatizimin e truallit shtetëror, 20% ulje për kërkesat para 1 korrikut 2012

15 January 2026 at 22:35

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përcaktimin e procedurave të hollësishme për kalimin e pronësisë së truallit shtetëror në përdorim dhe miratimin e modelit të aktit të kalimit.

Sipas vendimit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës (AShK) do të kryejë të gjitha procedurat administrative për kalimin e pronësisë së truallit, duke përfshirë rastet kur ndërtesat janë privatizuar ose janë ngritur me leje ndërtimi pas vitit 1991.

Procedura fillon sipas përcaktimeve të ligjit “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” dhe kërkesat paraqiten online përmes portalit qeveritar “e-Albania”.

Vendimi parashikon pagesa për sipërfaqet e truallit me funksion social-ekonomik, ndërsa trualli për ndërtesat e banesave të transferohet pa pagesë.

Përfituesit që kanë paraqitur kërkesë për privatizim të truallit para 1 korrikut 2012 do të përfitojnë ulje 20% nëse kryejnë pagesën brenda 30 ditëve nga njoftimi.

AShK-ja është përgjegjëse për verifikimin e pronësisë mbi ndërtesën, posedimin në terren të truallit dhe pagesën e detyrimeve të taksave.

Procedura administrative përfundon brenda 60 ditëve nga depozitimi i kërkesës, ndërsa vendimi për kalimin e pronësisë njoftohet dhe regjistrohet në regjistrin kadastral.

Për truallin që ndodhet në administrim të institucioneve shtetërore ose njësive vendore, miratimi i kalimit të pronësisë shfuqizon përgjegjësinë e administrimit.

Vendimi rregullon gjithashtu procedurat për ndërtime pa leje dhe ndryshimet minimale të sipërfaqes së truallit.

Ky vendim hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”.

/a.f/r.e/

The post Online procedura për privatizimin e truallit shtetëror, 20% ulje për kërkesat para 1 korrikut 2012 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

50 punonjës me kontratë i shtohen Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe Urgjencës Mjekësore

15 January 2026 at 18:44

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Këshilli i Ministrave vendosi që, për nevoja emergjencash shëndetësore dhe programe depistimi, t’i shtohen 50 punonjës shëndetësorë dhe mbështetës me kontratë Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.

Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave përcaktoi numrin total të punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2026 në njësitë e qeverisjes qendrore.

Sipas vendimit, pagesat për pozicionin “punonjës arkivi (DPA)” do të kryhen nga institucionet përkatëse pas miratimit të listëprezencës nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ndërsa punonjësit në funksionin “operator EDRMS” do të paguhen sipas kategorisë së pagës së funksionit “operator”.

Funksionet “specialist” në Kryeministri dhe “specialist” (asistent/ndihmës ligjor) në Këshillin e Lartë Gjyqësor kanë orar pune 8-orësh gjatë gjithë vitit dhe paguhen sipas kategorisë IV-1.

Efektet financiare për punonjësit me kontratë do të mbulohen nga shpenzimet korente të buxhetuara nga institucionet, ndërsa për punonjësit e Shtëpive të Pushimit dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar ato mbulohen nga të ardhurat vetjake.

Ministritë dhe institucionet janë ngarkuar të hartojnë rregulla të veçanta për punësimin e përkohshëm dhe të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve, kategorinë e pagës dhe burimin e financimit.

Efektet financiare fillojnë menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa për punonjësit që vazhdojnë kontratën nga viti i kaluar, pagesa nis nga 1 janari 2026.

/a.f/r.e/

The post 50 punonjës me kontratë i shtohen Operatorit të Kujdesit Shëndetësor dhe Urgjencës Mjekësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QSUNT: Dy akseleratorët linearë të njësisë së Radioterapisë janë në funksion të plotë

15 January 2026 at 17:52

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT) bën të ditur se të dy akseleratorët linearë të njësisë së Radioterapisë janë në funksion të plotë dhe ofrojnë trajtime sipas standardeve të sigurisë dhe cilësisë për pacientët.

Sot, sipas QSUNT, akseleratori LINAC 1 ka shfaqur një problem teknik në sistem.

“Menjëherë pas njoftimit nga stafi, u kërkua asistenca e teknikëve të mirëmbajtjes. Pas ndërhyrjes së kryer nga inxhinierët dhe zëvendësimit të një komponenti të akseleratorit, u realizuan të gjitha verifikimet mekanike dhe dozimetrike, si dhe kalibrimet e nevojshme”, informoi QSUNT.

Këto procese, theksoi QSUNT, garantuan funksionimin e pajisjes në përputhje me standardet e kërkuara për trajtimin e pacientëve.

Ndërkohë, sipas QSUNT-së, akseleratori LINAC 2 funksionon normalisht pas ndërhyrjes së ekspertëve për defektin teknik të derës së bunkerit ku është i vendosur.

“Aktualisht të dy akseleratorët linearë janë në funksion dhe punojnë me kapacitet të plotë, duke siguruar që trajtimet të realizohen pa ndërprerje”, deklaroi QSUNT.

/r.e/a.f/

The post QSUNT: Dy akseleratorët linearë të njësisë së Radioterapisë janë në funksion të plotë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rishikimi vjetor i bashkëpunimit me OKB, Ibrahimaj: Progres në ekonomi dhe digjitalizim

15 January 2026 at 17:15

TIRANË, 15 janar/ATSh/ Qeveria shqiptare dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara zhvilluan sot mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Përbashkët, ku u rishikua performanca vjetore e Kornizës së Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm për periudhën 2022-2026.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj vlerësoi progresin e arritur gjatë vitit të fundit në zbatimin e kësaj kornize, duke theksuar se bashkëpunimi me OKB-në ka kontribuar ndjeshëm në avancimin e reformave strukturore dhe në mbështetjen e prioriteteve kombëtare të zhvillimit.

Gjatë takimit u evidentuan rezultate pozitive në fusha kyçe si, zhvillimi i kapitalit njerëzor, rritja ekonomike e qëndrueshme, nxitja e inovacionit, punësimi, digjitalizimi i shërbimeve dhe tranzicioni i gjelbër.

Po ashtu, pjesëmarrësit diskutuan sfidat e mbetura dhe përcaktuan prioritetet për vitin përmbyllës të zbatimit të Kornizës 2022-2026.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe nisja e përgatitjeve për Kornizën e re të Bashkëpunimit 2027-2031, e cila synon të forcojë më tej partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe OKB-së.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo kornizë e re do të mbështesë reformat ekonomike, do të përshpejtojë arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe do të kontribuojë në afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian.

Bashkëpunimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe partnerëve të OKB-së pritet të vijojë me fokus në zhvillimin gjithëpërfshirës, forcimin e institucioneve dhe ndërtimin e një ekonomie moderne, të qëndrueshme dhe konkurruese, në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

/r.e/a.f/

The post Rishikimi vjetor i bashkëpunimit me OKB, Ibrahimaj: Progres në ekonomi dhe digjitalizim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Porti i Durrësit, mbi 790 mijë udhëtarë gjatë 2025-ës

14 January 2026 at 13:44

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Porti i Durrësit ka ruajtur edhe gjatë vitit 2025 rolin e tij si qendër kryesore e transportit detar të pasagjerëve në Shqipëri.

Gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit që lamë pas janë përpunuar gjithsej 792,023 udhëtarë.

Nga ky total, 389,543 pasagjerë mbërritën në port, ndërsa 402,480 nisën udhëtimin drejt destinacioneve të ndryshme.

Sipas Autoritet Portual të Durrësit, fluksi i pasagjerëve shënoi rritje të dukshme gjatë sezonit turistik veror, sidomos në linjat ndërkombëtare drejt Italisë.

Autoritetet e portit theksojnë se këto shifra konfirmojnë rëndësinë e Portit të Durrësit në mbështetje të lëvizjes së qytetarëve, zhvillimit të turizmit dhe forcimit të lidhjeve detare rajonale. /j.p/

1 nga 5

The post Porti i Durrësit, mbi 790 mijë udhëtarë gjatë 2025-ës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Malaj: Afat deri në 31 mars për dorëzimin e deklaratës DIVA 2025

14 January 2026 at 11:56


TIRANË, 14 janar/ATSH/ Afati për dorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave (DIVA) për periudhën janar-dhjetor 2025 është 31 marsi i 2026-ës.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur sot se kanë detyrim për të deklaruar të ardhurat personale vjetore për vitin 2025 individët me të ardhura vjetore mbi 1,2 milionë lekë nga të gjitha burimet.

Po ashtu, detyrimi vlen edhe për individët që, për të paktën një muaj gjatë vitit 2025, kanë qenë të punësuar pranë më shumë se një punëdhënësi.

Detyrim për të dorëzuar DIVA-n kanë gjithashtu edhe individët që kanë realizuar të ardhura mbi 50 mijë lekë, për të cilat nuk është paguar tatimi në burim, si të ardhurat nga platformat Booking, Airbnb, YouTube, të ardhurat nga qiradhënia etj.

Ligji, sipas tij, parashikon edhe mundësinë e korrigjimit të deklaratës.

“Individi mund të paraqesë deklaratë korrigjuese brenda afateve ligjore nëse konstaton pasaktësi në të dhënat e deklaruara”, tha ai.

Për herë të parë, me ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, prindërit dhe kujdestarët ligjorë me të ardhura të ulëta dhe të mesme do të mund të përfitojnë këtë vit kompensim ushqimor dhe arsimor për fëmijët në ngarkim, përmes deklaratës vjetore të të ardhurave personale DIVA 2025.

Skema synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, duke ofruar zbritje nga baza tatimore në varësi të numrit të fëmijëve dhe shpenzimeve të kryera për arsimimin e tyre.
Përfitimi u takon atyre që deklarojnë në DIVA 2025 fëmijët në ngarkim dhe shpenzimet përkatëse arsimore, ndërsa kushti kryesor mbetet që të ardhurat e tatueshme vjetore të mos tejkalojnë 1,2 milionë lekë.

Për çdo fëmijë nën moshën 18 vjeç aplikohet një zbritje tatimore që korrespondon me shumën prej 48 mijë lekësh, ndërsa për shpenzimet arsimore të fëmijëve në ngarkim parashikohet një zbritje totale deri në 100 mijë lekë.

Kërkesa për përfitimin e këtij kompensimi bëhet vetëm një herë dhe paraqitet nga anëtari i familjes që ka të ardhurat më të larta vjetore.

Autoritetet sqarojnë se e drejta për përfitim mbetet edhe në rastet kur individi nuk ka detyrim ligjor për të dorëzuar deklaratën DIVA 2025.

Procesi i rimbursimit realizohet përmes sistemit e-Filing, pas dorëzimit të deklaratës, kur nga përllogaritjet rezulton mbipagesë.

Më pas, aplikuesi duhet të paraqesë një kërkesë për rimbursim në modulin “Çështjet e mia – Pyetje e Përgjithshme”, duke bashkëlidhur dokumentet e nevojshme, përfshirë të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare dhe dokumentacionin justifikues për shpenzimet arsimore, si kontratat me institucionet përkatëse dhe faturat e pagesave, përfshirë edhe ato për kurset e gjuhëve të huaja. /j.p/

The post Malaj: Afat deri në 31 mars për dorëzimin e deklaratës DIVA 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit arrin 27 mijë MWh

14 January 2026 at 11:28

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit ka arritur sot në rreth 27 mijë MWh duke ruajtur nivelin e gjithë këtyre ditëve për të shfrytëzuar prurjet nga reshjet intensive të fillimit të janarit.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) bëri të ditur se prurjet natyrore në kaskadë regjistrohen në nivele të moderuara, ku HEC Fierzë përfiton rreth 500 m³/s, HEC Koman 250 m³/s, ndërsa HEC Vau i Dejës 50 m³/s.

Ndërkohë, shkarkimet janë realizuar kryesisht nga HEC Koman dhe HEC Vau i Dejës, në funksion të optimizimit të prodhimit. Nga Komani shkarkimet llogariten 200 m3/s dhe nga Vau i Dejës 300 m3/s.

Sipas KESH-it, nivelet aktuale në liqenet e kaskadës mbeten brenda parametrave të sigurisë, duke krijuar kushte të favorshme për vijimësinë e prodhimit hidroenergjetik gjatë ditëve në vijim.

Konkretisht niveli I HEC-it të Fierzës është 292.4 m, në HEC-in e Komanit 170,6 m dhe në HEC-in e Vaut të Dejës 73.8 m.

KESH siguron se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën hidrike dhe po zbaton një strategji operative që synon maksimizimin e prodhimit vendas, garantimin e sigurisë së digave dhe reduktimin e nevojës për import energjie. /j.p/

The post Prodhimi i energjisë elektrike nga kaskada e Drinit arrin 27 mijë MWh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shkëmbimet tregtare me Britaninë e Madhe shënojnë rënie gjatë 11-mujorit

14 January 2026 at 11:19

TIRANË, 14 janar/ATSH/ Tregtia mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar shënoi një rënie të lehtë gjatë 11-mujorit të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT).

Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria eksportoi drejt Britanisë së Madhe mallra me vlerë rreth 1 miliard lekë, ndërsa importet nga ky vend arritën në 7,6 miliardë lekë.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet drejt Britanisë së Madhe kanë pësuar rënie, pasi në 11-mujorin e vitit 2024 ato regjistroheshin në 1,3 miliardë lekë, ndërsa importet kapnin vlerën e 8,7 miliardë lekëve.

Në total, gjatë 11-mujorit të vitit 2025, eksportet e mallrave arritën në 319 miliardë lekë, ndërkohë që importet u regjistruan në 807 miliardë lekë.

Shqipëria importon nga Britania e Madhe kryesisht makina, pajisje dhe produkte të ndryshme për konsum.

Ndërkohë, eksporton drejt Britanisë kryesisht veshje, produkte bujqësore dhe ushqimore, si edhe shërbime turistike. /j.p/

The post Shkëmbimet tregtare me Britaninë e Madhe shënojnë rënie gjatë 11-mujorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AKEP: Interneti celular në rritje, SMS dhe telefonia fikse në rënie

13 January 2026 at 13:28

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri vijon të orientohet gjithnjë e më shumë drejt përdorimit të internetit, veçanërisht atij celular, ndërsa shërbimet tradicionale si SMS dhe telefonia fikse po shënojnë rënie.

Të dhënat e publikuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për tremujorin e tretë të vitit 2025 tregojnë rritje të ndjeshme të trafikut të të dhënave dhe ndryshim të sjelljes së konsumatorëve.

Sipas raportit, rreth 2,4 milionë njerëz përdorin internetin në celular, ndërsa 2,72 milionë përdorin shërbimet e telefonisë celulare, dhe të dyja shifrat kanë shënuar rritje krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në të njëjtën kohë, numri i kartave SIM aktive ka arritur në 3,4 milionë, duke reflektuar një stabilizim të tregut dhe reduktim të përdorimit të shumëfishtë të kartave nga i njëjti përdorues.

Rritja më e fortë vërehet në përdorimin e internetit celular.

Gjatë tremujorit të tretë janë konsumuar 73 milionë gigabajt të dhëna, një rritje e ndjeshme krahasuar si me tremujorin e dytë të këtij viti, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Konsumi mesatar mujor për përdorues ka arritur në mbi 10 gigabajt, duke konfirmuar zgjerimin e përdorimit të shërbimeve online, rrjeteve sociale dhe platformave të komunikimit përmes internetit.

Në të kundërt, shërbimet tradicionale po humbasin terren. Minutat e thirrjeve dalëse kanë mbetur në nivele të qëndrueshme, ndërsa numri i mesazheve SMS të dërguara ka shënuar rënie, duke reflektuar zhvendosjen e komunikimit drejt aplikacioneve digjitale. Edhe struktura e tregut mbetet relativisht e pandryshuar, me rreth 60% të thirrjeve që kryhen brenda të njëjtit rrjet dhe 40% drejt rrjeteve të tjera.

Referuar raportit të AKEP-it, përdoruesit po orientohen gjithnjë e më shumë drejt paketave vetëm me internet, duke lënë pas shërbimet e kombinuara me televizion dhe telefon. /j.p/

The post AKEP: Interneti celular në rritje, SMS dhe telefonia fikse në rënie appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Haxhi: Durana Tech Park, pas përfundimit të infrastrukturës fizike do të kalojë në model hibrid

13 January 2026 at 11:47


TIRANË, 13 janar/ATSH/ Durana Tech Park, parku i parë teknologjik dhe shkencor në Shqipëri, ka nisur operimin si një qendër për zhvillimin e teknologjisë dhe shkencës në vend, duke ofruar mundësi për startup-et dhe bizneset inovative.

Sipas drejtoreshës së Durana Tech Park, Florenca Haxhi, në fazën fillestare, Durana Tech Park operon 100% virtualisht, ndërkohë që pas përfundimit të ndërtimit të infrastrukturës fizike, do të kalojë në një model hibrid.

Ky model i operimit kombinon elementet virtuale me ato fizike dhe është krijuar për të përmbushur kërkesat dhe nevojat e rezidentëve të parkut për hapësira fizike të specializuara.

Haxhi shprehet se kjo metodë është frymëzuar nga praktikat më të mira të parqeve teknologjike ndërkombëtare dhe siguron që investimi i qeverisë për parkun të jetë në përputhje me kërkesat e zhvillimit global të teknologjisë dhe inovacionit.

“Në fillim parku operon 100% virtualisht dhe më pas, me ndërtimin e parkut fizik do të operojë në mënyrë hibride. Kjo mënyrë operimi është bazuar në shumë modele të tjera që ekzistojnë në botë dhe siguron që investimi i kryer nga qeveria për parkun të jetë në koherencë të plotë me kërkesat dhe nevojat që kanë rezidentët e parkut për hapësirat fizike në park”, deklaroi Haxhi.

Durana Tech Park ka si qëllim të bëhet një pikë kyçe për mbështetje dhe zhvillim të sektorëve të teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri, duke krijuar mundësi për rritjen e aftësive teknologjike dhe zhvillimin e një ekosistemi të qëndrueshëm për bizneset e reja dhe startup-et.

Ky park operon në bazë të ligjit “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e parqeve teknologjike dhe shkencore”, të vitit 2022 dhe akteve nënligjore të cilat janë miratuar gjatë viteve 2024-2025. /j.p/

The post Haxhi: Durana Tech Park, pas përfundimit të infrastrukturës fizike do të kalojë në model hibrid appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tabaku: Shqipëria po ndërton ekonomi që nuk prodhon, tkurrje e industrisë dhe bujqësisë

13 January 2026 at 11:40

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, i cilësoi sot shifrat e fundit mbi ekonominë e vendit jo thjesht statistika, por paralajmërim se kapacitetet prodhuese po përdoren gjithnjë e më pak.

Sipas saj, të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë dhe INSTAT tregojnë se ekonomia shqiptare vazhdon të rritet në letër.

“Industria dhe bujqësia janë në rënie, ndërsa rritja mbahet pothuajse ekskluzivisht nga turizmi, ndërtimi dhe shpenzimi publik”, u shpreh Tabaku.

Kjo, sipas saj, nuk është një fazë kalimtare e padëmshme por shenjë e një modeli ekonomik të pabalancuar.

“Ajo që po ndodh sot është zhvendosje e burimeve nga prodhimi drejt fitimit të shpejtë. Sektorët që po rriten më shpejt po thithin kapitalin, fuqinë punëtore dhe vëmendjen e politikave publike. Si pasojë, prodhimi vendas, industria dhe bujqësia, po mbetet pa investime, pa punëtorë dhe pa perspektivë”, deklaroi Tabaku.

Deputetja shtoi se kostot në ekonomi rriten, eksportet dobësohen dhe mallrat e importuara zëvendësojnë gjithnjë e më shumë prodhimin vendas.

“Një rritje që duket pozitive në sipërfaqe, në fakt po gërryen themelet e ekonomisë”, nënvizoi Tabaku.

Në këto kushte, theksoi ajo, Shqipëria nuk po ndërton një ekonomi prodhimi.

“Po ndërton një “ekonomi hoteli”. Një ekonomi që nuk prodhon mallra, nuk krijon zinxhirë vlere dhe nuk eksporton dije apo industri. Një ekonomi që shet shërbime, shfrytëzon tokën dhe ndërton beton. Një ekonomi që jeton nga sezoni, moti dhe flukset e momentit”, deklaroi Tabaku.

Industria dhe bujqësia, sipas saj, po tkurren jo sepse janë të paafta, por sepse mjedisi ekonomik i ndërtuar sot nuk i shpërblen ato.

“Pasojat po i ndjejmë çdo ditë. Kostoja e jetesës rritet më shpejt se mirëqenia reale. Pagat rriten jo nga produktiviteti, por nga mungesa e punëtorëve për shkak të emigracionit dhe demografisë. Fitues janë pronarët e tokës dhe pasurive të paluajtshme. Humbëse është shtresa e mesme, bizneset prodhuese dhe të rinjtë që nuk shohin perspektivë afatgjatë”, tha Tabaku.

Sipas saj, kjo është një ekonomi që polarizon shoqërinë dhe dobëson themelet e saj.

“Një vend nuk mund të bëhet i pasur duke i shërbyer turistëve dhe duke ndërtuar pafund. Pa industri, pa bujqësi konkurruese dhe pa dije teknike, Shqipëria rrezikon të mbetet përgjithmonë një ekonomi e të ardhurave të mesme, një vend pushimi për të tjerët, por jo një vend me fuqi reale ekonomike për qytetarët e vet”, shtoi Tabaku.

Deputetja theksoi se kjo nuk është rrugë zhvillimi, por rrugë varësie. /j.p/

The post Tabaku: Shqipëria po ndërton ekonomi që nuk prodhon, tkurrje e industrisë dhe bujqësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në administrimin tatimor

13 January 2026 at 11:34

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Stafet e Administratës Tatimore të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës zhvilluan një takim të përbashkët pune, ku u diskutuan çështje kyçe që lidhen me modernizimin e administrimit tatimor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.

Gjatë takimit, vëmendja u përqendrua në tema si fiskalizimi, proceset e digjitalizimit, vlerësimi i riskut, hetimi tatimor, si dhe masat për luftën kundër evazionit fiskal.
Palët shkëmbyen përvoja dhe praktika më të mira të zbatuara në administratat përkatëse, me synimin për të rritur eficiencën e kontrolleve dhe përmirësuar shërbimet ndaj tatimpaguesve.

Përfaqësuesit e të dy administratave theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të koordinuar, veçanërisht në kushtet e zhvillimeve të shpejta teknologjike dhe nevojës për përshtatje me standardet më të mira ndërkombëtare në fushën fiskale.

Ky shkëmbim praktikash dhe përvojash synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale, garantimin e qëndrueshmërisë në mirëadministrimin tatimor dhe rritjen e transparencës.

Njëkohësisht, bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë në fushën tatimore vlerësohet si një element i rëndësishëm në përmbushjen e objektivit madhor të qeverisë shqiptare për integrimin europian, si dhe në harmonizimin e politikave dhe procedurave fiskale me standardet e Bashkimit Europian.

Takimi u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh dhe vijimit të reformave që synojnë një administratë tatimore moderne, efikase dhe të besueshme. /j.p/

The post Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim në administrimin tatimor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Të ardhurat nga Tatimet, 4,7 miliardë euro në 2025-ën

13 January 2026 at 09:27

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Të ardhurat e mbledhura në buxhetin e shtetit nga Administrata Tatimore, në vitin 2025 arritën 4,7 miliardë euro.

Referuar të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, këto të ardhura rezultuan 12% më të larta krahasuar me vitin 2024.

“Këto të ardhura janë tregues i qartë i miradministrimit tatimor, në funksion të financimit të investimeve publike dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët”, bëri të ditur DPT. /j.p/

The post Të ardhurat nga Tatimet, 4,7 miliardë euro në 2025-ën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌