Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Miratohen propozimet e OBRM-PDUKM-së për ndryshimet në ligjet për punët e brendshme dhe policinë në Shkup

22 January 2026 at 21:20


Komisioni Parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri sot dha dritën jeshile për ndryshimet në ligjet për punët e brendshme dhe policinë, të cilat u ndryshuan gjashtë muaj më parë. Me ndryshimet e reja, Sektori aktual për Punë të Brendshme – Shkup po “promovohet” në Departamentin e Punëve të Brendshme – Shkup.

Me këtë, kryeqyteti po merr një status më të lartë organizativ dhe një pozicion më të fortë në strukturën e policisë.

Sipas propozuesve, ndryshimet ligjore nuk janë kozmetikë, por një mjet për efikasitet më të madh në terren.

Ndryshimet u propozuan nga deputetët e OBRM-PDUKM-së, ndërsa u kritikuan nga opozita duke e vlerësuar si një mundësi për të rritur ndikimin politik mbi policinë.

Amendamentet gjithashtu prezantojnë një pozicion të ri drejtues – Shef i Departamentit të Punëve të Brendshme – Shkup, ndërsa parashihen edhe paga më të larta për shefat dhe oficerët e policisë së Shkupit krahasuar me oficerët e policisë nga qytete të tjera.

Të dy ligjet u ndryshuan plotësisht në korrik të vitit të kaluar, por gjatë zbatimit të tyre u përcaktua që policia e Shkupit duhet të ketë një status më të lartë sepse më shumë se 60 përqind e krimeve në Maqedoni ndodhin në kryeqytet.

Rama: Ligji “Për shërbimin diplomatik”, mundësi për përfshirjen e diasporës

16 January 2026 at 20:37

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi sot gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së rëndësinë e ligjit të shërbimit diplomatik si një hap për reformimin e Ministrisë së Jashtme dhe për të përmirësuar funksionimin e shërbimit diplomatik shqiptar.

Rama vuri në dukje se Ministria e Jashtme nuk ka patur reforma thelbësore dhe ligjet e mëparshme ishin vetëm një “makijazh” pa impakt real.

“Ne nuk kemi sot një shërbim diplomatik në lartësinë e sfidave që ka bota dhe Shqipëria. Ligji duhet të hapë rrugën për reformë, të sjellë ajër të pastër dhe të përfshijë njerëz të rinj”, tha Kryeministri.

Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e diasporës, duke nënvizuar se shqiptarët jashtë vendit duhet të përfshihen më shumë në aktivitetet diplomatike dhe përfaqësitë shqiptare nuk kanë struktura adekuate për ta lehtësuar këtë përfshirje.

Rama njoftoi se, Samiti i Diasporës do të zhvillohet në pranverë, ndërsa paralelisht do të ketë një kontakt të vazhdueshëm me komunitetin jashtë vendit.

Në lidhje me mbikëqyrjen parlamentare, Rama theksoi se Parlamenti nuk ka përmbushur misionin e vet për mbikëqyrjen e qeverisë dhe institucioneve të tjera, duke marrë kritika të vazhdueshme nga Bashkimi Europian.

Ai nënvizoi nevojën për koordinim dhe respektim të funksioneve të komisioneve parlamentare, duke e konsideruar këtë një hap të domosdoshëm për të përmirësuar performancën e institucionit.

Rama përfundoi duke theksuar se ligji i shërbimit diplomatik dhe puna e koordinuar e parlamentit janë elemente kyçe për një diplomaci më efikase dhe të përfshirë në sfidat e sotme globale.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Rama: Ligji “Për shërbimin diplomatik”, mundësi për përfshirjen e diasporës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat

16 January 2026 at 18:08

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se, procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian kërkon një rritje të ndjeshme të aktivitetit diplomatik parlamentar, si dhe një administratë më cilësore dhe më të specializuar të Kuvendit.

Duke iu referuar konkluzioneve të diskutuara, Rama theksoi se diplomacia parlamentare duhet të jetë në fokusin e Kryetarit të Kuvendit, por jo vetëm.

Sipas tij, ky angazhim duhet të përfshijë të gjithë deputetët, veçanërisht ata që janë pjesë e grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, dhe në mënyrë të posaçme me ato parlamente ku nevoja për më shumë komunikim, prani dhe shpjegime është më e madhe.

Nga ana tjetër, Kryeministri nënvizoi se ky proces kërkon domosdoshmërisht edhe një shërbim administrativ më cilësor të Kuvendit.

Ai kujtoi se prej vitesh është folur për një reformë të brendshme në Kuvend dhe se janë hedhur disa hapa, por sipas tij mbeten ende sfida të rëndësishme.

“Kuvendi ka rreth 350 punonjës, nga të cilët rreth 300 janë nëpunës civilë. Megjithatë, barra reale e punës mbështetëse për komisionet parlamentare, deputetët dhe Kryetarin e Kuvendit bie mbi një numër shumë më të vogël”, u shpreh Rama, duke theksuar se kjo situatë kërkon vëmendje të veçantë.

Ai shtoi se, duke pasur parasysh edhe çështjet që lidhen me sigurinë juridike të punonjësve aktualë, mund të lindë nevoja për shtimin e forcave të reja dhe për rritjen e ekspertizës, veçanërisht në funksion të komisioneve parlamentare që trajtojnë çështjet e negociatave me BE-në.

Në këtë kuadër, Rama theksoi se për të funksionuar siç duhet mekanizmi i koordinimit mes qeverisë dhe grupit parlamentar, është e domosdoshme që skuadra negociatore, përfshirë Kryenegociatoren dhe Zëvendëskryenegociatoren, të ketë një kundërpalë në Kuvend me ekspertizën e nevojshme.

“Vetëm kështu koordinimi mes qeverisë dhe Kuvendit do të jetë efektiv dhe në funksion të përmbushjes me sukses të detyrimeve të procesit të negociatave”, përfundoi Kryeministri.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Duhet rritur diplomacia parlamentare dhe forcuar administrata e Kuvendit për negociatat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Duhet ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit

16 January 2026 at 18:06

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PS se duhet të ndërhyhet menjëherë për të parandaluar abuzimet me procedurat parlamentare dhe për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit, duke siguruar që opozita të mos përdorë forcën për të penguar punën e tij.

“Duhet të ritheksoj se në ndarjen e mandateve në Kuvend, diferenca është shumë e madhe në ndarjen e orëve të ndarjes në Kuvend, po të shikojmë nga orët, duket sikur jemi 51 me 49 në favor të deputetëve të opozitës”, u shpreh ai.

Rama theksoi se me këtë nuk thotë se duhet t’i ulen orët opozitës, por duhet të shikohet se si do të ndërpriten orët e marra me forcë, abuzim, në shkelje të plotë të etikës parlamentare, duke përdorur procedurën për të marrë peng jo Kuvendin, por publikun.

“Kjo duhet të mbarojë. Në asnjë parlament demokratik, në asnjë parlament të BE-së kjo gjë nuk i lejohet asnjë force politike. Prandaj, duke qenë se Rregullorja e Parlamentit nuk është e shkruar në gur, duke u bazuar te rregulloret dhe praktikat e BE-së duhet ndërhyrë menjëherë, në mënyrë që fjala “procedurë” mos të jetë e barabartë me konceptin “pengmarrje””, deklaroi Rama.

Kryeministri u shpreh se në asnjë parlament demokratik nuk tolerohet, jo ndërhyrja fizike, por as goditja në dinjititet e atyre që janë aty të pranishëm.

Sipas Ramës, kjo nuk duhet të tolerohet, pasi nuk është liri fjale, dhe në këtë pikë duhen marrë masat siç i ka Rregullorja.

“Legalizimi i rrugaçërisë në sallën e Kuvendit është bashkëveprim dhe bashkëfajësi në goditjen e të gjithë atyre të rejave e të rinjve e familjeve që ndjekin Kuvendin e Shqipërisë. Është një goditje në nivelin psikologjik, edukativ dhe mbi të gjitha është një goditje në aspektin social, sepse krijon vetëm nxitje të urrejtjes dhe krijon vetëm zgjerim të hendekut të pamerituar për shqiptarët që gërmon politika. Dhe kur them politika, nuk flas siç flasin të dërguarit me punë në Shqipëri të vendeve të tjera. Politika në përgjegjësi? Jo! Ajo pjesë e politikës që ne për fat të keq nuk e kemi dot përballë por e kemi gjithmonë prapa, duke u përpjekur me të gjitha metodat që të na pengojë të vazhdojmë ne përpara”, theksoi Rama.

/r.e/

The post Rama: Duhet ndërhyrë menjëherë për të mbrojtur dinjitetin e Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Seanca të posaçme në Kuvend dedikuar vetëm procesit të negociatave

16 January 2026 at 17:59

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se takimet me grupin do të zhvillohen në mënyrë të përmuajshme, me një përmbajtje që do t’i përgjigjet si kërkesave të përditshme të procesit të negociatave me Bashkimin Europian, ashtu edhe aktualitetit të jetës parlamentare dhe politike në vend.

Gjatë fjalës së tij, Rama vlerësoi qasjen dhe profilin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, gjatë sesionit të parë parlamentar, duke shprehur besimin se edhe aspektet e domosdoshme të punës jashtë sallës plenare, që lidhen me rolin institucional të Kryetarit të Kuvendit, do të ecin përpara me të njëjtin ritëm.

Kryeministri bëri gjithashtu një vlerësim të posaçëm për kryetarin e grupit parlamentar Taulant Balla, duke theksuar vështirësinë e këtij roli.

“Nuk është një rol bujar, sepse kërkon disiplinë, organizim, koordinim dhe përfaqësim të vazhdueshëm. Fakti që u rikthyem sërish te Taulanti për këtë rol, flet vetë për aftësinë e tij për ta bërë këtë punë”, u shpreh Rama.

Ai përgëzoi edhe deputetet dhe deputetët që janë për herë të parë pjesë e Kuvendit, duke theksuar se ky vit dhe viti i ardhshëm do të kenë një ngarkesë të paprecedentë në historinë e parlamentit shqiptar.

Sipas Ramës, numri i ligjeve që do të duhet të shqyrtohen dhe miratohen nga Kuvendi do të jetë më i larti ndonjëherë, për shkak të procesit të negociatave për anëtarësimin në BE.

“Ky vit që nis dhe viti i ardhshëm do të kenë një ngarkesë si asnjëherë më parë në historinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe si asnjëherë më pas. Numri i ligjeve që do të duhet të kalojnë në filtrin dhe pastaj në seancën e vendimmarrjes së Kuvendit do të jetë më i larti ndonjëherë për shkak të procesit të negociatave”, tha Rama.

“Na duhet jo vetëm të kalojmë ligje, por edhe të jemi sa më cilësorë në këtë proces. Kjo rrit nevojën për më shumë angazhim, më shumë orë pune dhe për të konsideruar rritjen e numrit të seancave parlamentare”, tha Kryeministri.

Rama theksoi se procesi nuk është i përballueshëm me numrin aktual të seancave dhe hodhi si mundësi përfshirjen në kalendar të seancave të posaçme të dedikuara vetëm për procesin e negociatave.

Sipas tij, këto seanca nuk do të kërkonin domosdoshmërisht orë të gjata diskutimi, por përqendrim të lartë dhe një nivel të plotë pjesëmarrjeje.

Në përfundim, Kryeministri nënvizoi se sfida e integrimit europian kërkon disiplinë, përkushtim dhe organizim maksimal nga të gjithë aktorët parlamentarë.

/gj.m/r.e/

The post Rama: Seanca të posaçme në Kuvend dedikuar vetëm procesit të negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjiknuri: Reforma zgjedhore kërkon dakordësi, por mund të ecet më tej edhe pa opozitën

16 January 2026 at 16:53

TIRANË, 16 janar /ATSH/ Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi sot në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste se Komisioni i Reformës Zgjedhore u formua në tetor të vitit të kaluar pas një procesi dialogu me opozitën, ku u dakordësuan parimet bazë që kanë udhëhequr punën e tij.

Gjiknuri theksoi se, ky komision është një strukturë “sui generis”, pasi funksionon mbi bazën e bashkëdakordësisë dhe bashkëdrejtimit, dhe jo të vullnetit të njëanshëm të njërës palë.

Sipas tij, kjo traditë është ndjekur që prej vitit 2001, me periudha ku janë realizuar reforma të suksesshme, por edhe raste kur mungesa e konsensusit ka çuar në dështim të reformës zgjedhore.

Ai përmendi reformat e viteve 2008, 2012 dhe 2020 si reforma të thella dhe të suksesshme të Kodit Zgjedhor, ndërsa ndryshimet e vitit 2024, sipas tij, nuk mund të konsiderohen një reformë e plotë.

“Sot jemi përballë faktit që Komisioni ka zhvilluar dy mbledhje, ka përcaktuar prioritetet e punës, një agjendë dhe një program që përputhet me rekomandimet e ODIHR-it dhe me prioritetet që rrjedhin nga procesi i integrimit europian, përfshirë ‘interim benchmarks’”, u shpreh Gjiknuri.

Si prioritet kryesor, Komisioni ka vendosur trajtimin e ligjit për financimin e partive politike.

Gjiknuri bëri të ditur se ka nisur një proces pozitiv me dakordësi edhe me palën tjetër dhe me përfshirjen e faktorëve ndërkombëtarë, por aktualisht procesi është ngrirë për shkak të situatës politike pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe zhvillimeve të tjera politike.

“Sot kemi një draft teknik për financimin e partive politike, por procesi ka mbetur i pezulluar”, tha ai, duke shtuar se mbetet për t’u parë sesi do të ecet më tej dhe nëse do të merret një vendimmarrje politike për të vazhduar edhe pa mbështetjen e opozitës.

Gjiknuri nënvizoi se, Komisioni ka të gjitha kapacitetet dhe ekspertët kanë nisur punën, ndërsa drafti për partitë politike është gati dhe pritet të përcaktojë edhe trendin e miratimit të paketës së parë të reformës zgjedhore.

Sa i përket Kodit Zgjedhor, ai tha se ka më shumë kohë në dispozicion dhe synimi është që puna të përfundojë deri në qershor-korrik.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Gjiknuri: Reforma zgjedhore kërkon dakordësi, por mund të ecet më tej edhe pa opozitën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kushi: Komisioni i Edukimit, i gatshëm të mbështesë hartimin e ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Kryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet, Evis Kushi në hapjen e vitit të ri kuvendor të grupit parlamentar të Partisë Socialiste foli mbi punën që ky komision do të kryejë këtë sesion parlamentar.

Në fjalën e saj, Kushi informoi se për sesionin e ardhshëm parlamentar janë dy projektligje të përfshira në programin e punës së komisionit, pr/ligji “Për të drejtat e autorit”, i cili vjen me nismë deputeti dhe është depozituar në Kuvend që më 11 nëntor 2025 dhe pr/ligji “Për ratifikimin e marrëveshjes midis Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe qeverisë së Italisë për shumë fusha, mes të cilave përfshihet edhe arsimi e inovacioni.

Kushi u shpreh se “komisioni do të shqyrtojë si komision për dhënie mendimi pikërisht për këto fusha që lidhen me përgjegjësinë e tij”.

Kushi informoi gjithashtu se “me kërkesë të komisionit është dakordësuar një seancë dëgjimore me ministren e Arsimit për çështje që lidhen me reformën kurrikulare, reformë e ndërmarrë Ministria e Arsimit për rishikim e kurrikulës dhe teksteve shkollore në arsimin parauniversitar”.

Sipas saj, kjo është një seancë që është kërkuar nga opozita.

Kushi u ndal edhe tek rishikimi i ligjit për arsimin e lartë.

“Ditën e djeshme kemi ndjekur me shumë interes takimin e kryeministrit ku është theksuar nevoja për rishikimin e ligjit “Për arsimin e lartë. Prej vitit 2015 kur është hartuar ky pr/ligj kanë kaluar mbi 10 vite besoj është koha e mjaftueshme që jo vetëm të reflektojmë ato problematika që janë hasur gjatë zbatimit të tij, por të reflektojmë edhe zhvillimet e reja që lidhen me politika si ndërkombëtarizimi, digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale”.

Kushi tha se “komisioni është i gatshëm të jetë mbështetje për hartimin e këtij ligji për këto ndryshime që në faza të para në mbështetje të ministrisë apo grupit të punës që do të ngrihet për këtë qëllim”.

Gjithashtu Kushi informoi lidhur edhe me punën që ky komision ka bërë në sesionin e kaluar parlamentar.

“Sesionin e kaluar komisioni ka  shqyrtuar dy projektligje, “Për buxhetin 2026″ dhe pr/ligji “Për librin”. Për këto pr/ligje janë zhvilluar në total 5 seanca dëgjimore, ku janë ftuar 39 përfaqësues të institucioneve publike. Sa i takon procesit mbikëqyrës dhe kontrollues në komision janë zhvilluar dy seanca dëgjimore që lidhen me masat e marra për vitin e ri shkollor në arsimin parauniversitar dhe arsimin profesional”, tha Kushi.

/k.s/j.p/

The post Kushi: Komisioni i Edukimit, i gatshëm të mbështesë hartimin e ndryshimeve në ligjin e Arsimit të Lartë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Deputetët, të mikpritur të kontribuojnë në fazën përmbyllëse të negociatave

16 January 2026 at 12:48

TIRANË, 16 janar/ATSh/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar u ndal te rëndësia e fazës përpara përmbylljes së negociatave duke kërkuar kontributin e sa më shumë përfaqësuesve.

Rama tha se edhe më herët e ka theksuar gjatë fjalës së tij në Asamblenë Kombëtare në nisje të mandatit, që faza informuese duhet të jetë shumë më tepër në vëmendjen e grupit parlamentar dhe të Qeverisë, dhe këtu Rama përfshiu edhe drejtuesit e grupit të PS dhe dy ministret që drejtojnë negociatat.

“Kjo është pjesa që lidhet me fazën përpara përmbylljes së negociatave mbi cilindo tekst. Duhet shumë më tepër punë për t’u shpjeguar me grupin dhe për t’u dëgjuar nga grupi. Duhet shumë më tepër informacion i ndërsjellë në mënyrë që të gjithë deputetët, të cilët për shkak të përkatësisë në komisione apo për shkak të ekspertizës së tyre mund të kontribuojnë në një proces draftimi, të jenë të informuar dhe të mikpritur të kontribuojnë”, tha Rama.

“Kështu që këtë format të sotëm, që është një format i domosdoshëm për më tutje, natyrisht jo me të gjithë ngarkesën e sotme, por me pika specifike dhe me një pikë gjithmonë të përbashkët për procesin e negociatave për draftet që janë në proces, për draftet që vijnë më pas, do ta zhvillojmë çdo muaj”, pohoi Rama duke iu referuar mbledhjes së zgjeruar të grupit parlamentar të PS-së.

/e.i/j.p/

The post Rama: Deputetët, të mikpritur të kontribuojnë në fazën përmbyllëse të negociatave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Në kushtet e sotme jemi të paintegrueshëm në BE/ Rama mbledh Grupin Parlamentar: Shqipëria në Union, një pikë ujë në oqean

By: V K
16 January 2026 at 12:16

Këtë të premte, kryeministri Edi Rama, ka mbledhur Grupin Parlamentar të PS, e para për vitin 2026.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u ndal tek integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku siç tha ai “Shqipëria e integruar do të jetë një pikë ujë në oqean”.

Gjithashtu, Rama tha se është sfidë përmbushja e detyrimeve për të dalë me sukses nga procesi i negociatave.

“Akoma sot edhe brenda nesh, brenda grupit parlamentar, lerë më brenda partisë e pastaj opinionit, nuk ka një kuptim të qartë se çfarë do të thotë në kuptimin e sfidës dhe barrës së detyrimeve përmbushja me kusht për të dalë me sukses nga procesi i negociatave dhe më pas përfshirje në një realitet të ri siç është tregu prej 450 mln njerëzish, ku Shqipëria e integruar do të jetë një pikë ujë në oqean.Jemi duke negociuar periudhat e ndërmjetme pas momentit të anëtarësimit që ti japim mundësinë vendit të jetë i gatshëm të përmbushë kriteret e të qenit bashkë në një familje evropiane”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor, që sipas Ramës në kushtet e sotme Shqipëria është e paintegrueshëm në BE, për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE.

“Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor, për prodhuesit në fshat, për sipërmarrjen që prodhon prodhimet ushqimore. Në kushtet e sotme jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE”, tha Rama.

The post Në kushtet e sotme jemi të paintegrueshëm në BE/ Rama mbledh Grupin Parlamentar: Shqipëria në Union, një pikë ujë në oqean appeared first on Albeu.com.

Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS në Pallatin e Brigadave, zbardhet axhenda e plotë

By: Fax Web
16 January 2026 at 10:47

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbledhur këtë të premte, 16 janar Grupin Parlamentar të PS-së.

Takimi po zhvillohet në Pallatin e Brigadave dhe pritet të përfundojë rreth orës 15:00.

Mbledhja është pjesë e procesit të bilancit të punës së kryer dhe përgatitjes së planit të punës për 12 muajt e ardhshëm, në prag të hapjes së sezonit parlamentar 2026, i cili nis në 19 janar. Një ditë më pas, më 17 janar, kryeministri Rama do të mbledhë në Golem edhe kryetarët e bashkive, në vijim të analizës së punës dhe koordinimit të prioriteteve për vitin në vazhdim. Gjithashtu, do të prezantohet raporti i Sekretarit të Grupit Parlamentar mbi pjesëmarrjen e deputetëve në seancat plenare, komisionet parlamentare dhe mbledhjet e grupit.

Axhenda e mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS:

10:00 – Hapja e mbledhjes

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama

Fjala e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla

Raporti i veprimtarisë së komisioneve parlamentare

(Çdo raport – 10 minuta; diskutime deri në 2 minuta për çdo folës)

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Milva Ekonomi

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Ulsi Manja

Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Bledar Çuçi

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Blendi Klosi

Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Anila Denaj

Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet – Evis Kushi

Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale – Eduard Shalsi

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Iris Luarasi

Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Erion Malaj

Komisioni për Europën dhe Punët e Jashtme – Igli Hasani

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale – Fatmir Xhafaj

Komisioni Posaçëm për Realizimin e Reformës Zgjedhore – Damian Gjiknuri

Komisioni Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale – Arbjan Mazniku

Gjithashtu, do të prezantohet raporti i Sekretarit të Grupit Parlamentar mbi pjesëmarrjen e deputetëve në seancat plenare, komisionet parlamentare dhe mbledhjet e grupit.

13:30 – Konkluzione

Fjala e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PSSH, Taulant Balla

Fjala e Kryeministrit dhe Kryetarit të PSSH, Edi Rama

15:00 – Mbyllja e mbledhjes

Kjo mbledhje konsiderohet një moment kyç për rreshtimin e prioriteteve politike dhe legjislative të Partisë Socialiste, përpara nisjes së punimeve parlamentare për vitin 2026.

Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend

15 January 2026 at 17:10

TIRANË, 15 janar /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi situatën në vend si “dramatike”, teksa fajësoi qeverinë për përmbytjet dhe menaxhimin e dështuar të emergjencave natyrore.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha tha se shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë presin nga opozita zgjidhjen e krizës.

“Të gjithë miqtë e Shqipërisë në Evropë dhe në botë presin nga PD, presin nga opozita shqiptare zgjidhjen e situatës dramatike në Shqipëri. Një vend anëtar i NATO-s, një vend që pretendon se po ecën drejt BE, faktohet para qytetarëve të saj dhe mbarë botës një klikë e papërgjegjshme, një organizatë kriminale që vjedh ditë e natë qytetarët e saj”, u shpreh kreu i PD-së.

Berisha u ndal edhe te pasojat e përmbytjeve, duke shtuar se PD do të bëjë inventarin e përmbytjeve dhe do t’i dëmshpërblejë të gjithë banorët kur të vijë në pushtet.

“Pas 10 ditësh e mblodhi të ashtuquajturin Komitetin e Emergjencave Civile dhe nuk shpalli gjendjen e emergjencës, në mënyrë që të mos ketë detyrim për të kompensuar qindarkë për qindarkë dëmet e krijuara absolutisht nga indiferenca, korrupsioni, vjedhja e institucioneve të narkoqeverisë”, vijoi Berisha.

Kreu demokrat i garantoi qytetarët e këtyre zonave se PD në pushtet do t’i dëmshpërblejë ata për çdo qindarkë që kanë humbur në këto përmbytje.

Duke iu referuar imunitetit të Belinda Ballukut, Berisha tha sesi asnjëherë në historinë e këtij vendi dhe të parlamentit, Kryeministri ka bllokuar procedurën kushtetuese, detyrimin kushtetues për të hequr imunitetin deputetëve, ministrave që akuzohen nga organet e drejtësisë për vjedhje, për korrupsion, për shpërdorim.

“Ky është një akt antikushtetues me pasoja shumë dramatike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është ekzekutimi para shqiptarëve i një pushteti që quhet pushteti i drejtësisë”, tha Berisha.

Ndaj, iu drejtua Berisha deputetëve të grupit parlamentar të PD-së, duhet të ngrejnë në këmbë çdo shqiptar gjer në largimin e qeverisë. /m.q/j.p/r.e/

The post Berisha: Nga opozita pritet zgjidhje për situatën dramatike në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama mbledh grupin e PS, pasi u vendos data për çështjen e imunitetit të Ballukut

By: Elva
14 January 2026 at 21:59

Kryeministri Edi Rama do të mbledhë këtë të premte Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, në orën 10:00, në Pallatin e Brigadave. Mbledhja do të hapet me fjalën e kryeministrit dhe do të vijojë me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa më pas do të flasë kreu i grupit parlamentar Taulant Balla. Takimi vjen ndërkohë që […]

The post Rama mbledh grupin e PS, pasi u vendos data për çështjen e imunitetit të Ballukut appeared first on BoldNews.al.

“Ngujim në grevë urie”/ Çfarë u diskutua në mbledhjen me dyer të mbyllura të PD-së, detajet

By: Brisi
15 December 2025 at 22:34

Janë zbardhur detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, të zhvilluar këtë të hënë. Mësohet se në mbledhje janë diskutuar zhvillimet e pritshme në seancën plenare të së enjtes, puna e komisioneve parlamentare si dhe rendi i ditës, ndërsa një fokus i veçantë i mbledhjes ka qenë aksioni i […]

The post “Ngujim në grevë urie”/ Çfarë u diskutua në mbledhjen me dyer të mbyllura të PD-së, detajet appeared first on BoldNews.al.

Rama dha Balluku u bashkohen deputetëve të PS-së në mbledhjen e grupit parlamentar (VIDEO)

By: V K
15 December 2025 at 10:10

Këtë të hënë në orën 10:00, mblidhet Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, mësohet se të pranishëm në këtë mbledhje do të jenë kryeministri Edi Rama, por edhe zëvendëskryeminisytrja Belinda Balluku.

Kujtojmë se pak minuta para mbledhjes së grupit socialist, Sekretariati i Etikës në Kuvend rrëzoi mëngjesin e sotëm kërkesën e Partisë Demokratike, për përjashtimin e kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla nga punimet parlamentare.

 

The post Rama dha Balluku u bashkohen deputetëve të PS-së në mbledhjen e grupit parlamentar (VIDEO) appeared first on Albeu.com.

Balla uron në Ditën e Rinisë: Atdheu ka hyrë në fazën finale të ribashkimit me Europën

8 December 2025 at 17:01

TIRANË, 8 dhjetor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtues politik i PS për Diasporën, Taulant Balla ka uruar në Ditën e Rinisë me një mesazh drejtuar të rinjve shqiptarë kudo që ndodhen në atdhe, në trojet kombëtare dhe në diasporë.

Në një postim në rrjetet sociale, i shoqëruar me videon e këngës simbol të viteve ’90 “Jemi emri i vetë jetës”, Balla shprehet se, Shqipëria ka hyrë në një etapë vendimtare drejt integrimit europian.

“Gëzuar Ditën e Rinisë të gjithë të rejave dhe të rinjve shqiptarë kudo në atdhe, troje kombëtare dhe në diasporë. Atdheu ka hyrë në fazën finale, mund ta numërojmë me muaj por jo më me vite, të ribashkimit me Europën. Kjo është arritja më e madhe që nga Shpallja e Pavarësisë”, shkruan Balla.

Ai thekson se ka zgjedhur pikërisht këtë himn të rinisë së 30 viteve më parë për të kujtuar jo vetëm 8 Dhjetorin, por edhe atë që e cilëson si një arritje historike për vendin.

“Kam zgjedhur këtë himn të rinisë sonë 30 vite më parë për ta kujtuar këtë ditë dhe këtë arritje historike”, shton ai.

Në fund të postimit, Balla falënderon artistët që interpretuan këngën simbol të rinisë së sapodalë nga diktatura.

/gj.m/r.e/

The post Balla uron në Ditën e Rinisë: Atdheu ka hyrë në fazën finale të ribashkimit me Europën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Kuadri negociues me BE do të kërkojë ritëm edhe më të përshpejtuar

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të zhvilluar sot në fokus ishte edhe procesi i integrimit europian.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në një postim në rrjetet sociale tha se gjatë mbledhjes u diskutua për koordinimin e agjendës kombëtare të integrimit europian.

“Në fillim të vitit 2026, kuadri negociues me Bashkimin Europian do të kërkojë një ritëm edhe më të përshpejtuar, duke përfshirë çdo nivel të administratës shqiptare”, tha Spiropali.

Spiropali informoi se “një numër i madh projektligjesh janë përgatitur ose janë në proces përgatitjeje nga ekspertët tanë, të cilat do të ndjekin rrugën e shqyrtimit në Kuvend, për t’u shndërruar në akte përfundimtare që harmonizojnë plotësisht legjislacionin tonë me acquis të BE”.

Në mbledhje u diskutua edhe për hapat e ardhshëm për zbatimin e reformave që garantojnë zhvillim, stabilitet dhe mirëqenie për qytetarët.

1 nga 3

/k.s/j.p/

The post Spiropali: Kuadri negociues me BE do të kërkojë ritëm edhe më të përshpejtuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Roli i Parlamentit në procesin e anëtarësimit në BE”, edicioni i dytë u Ditës së Kërkimit Parlamentar

26 November 2025 at 15:29

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Kuvendi organizoi vitin e dytë radhazi Ditën e Kërkimit Parlamentar me temë “Roli i Parlamentit në Procesin e Anëtarësimit në BE”. Dita e Kërkimit Parlamentar u organizua nga Instituti Parlamentar në bashkëpunim me NDI, mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe SDC në kuadër të projektit PACEP.

Në sesionin e hapjes së këtij aktiviteti, i cili u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, përshëndetën zëvendëskryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, ambasadori i delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber dhe Erion Malaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ky sesion hapës u moderua nga deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, Iris Luarasi.

Në fjalën përshëndetëse, zëvendëskryetarja e Kuvendit Klodiana Spahiu u shpreh se Bashkimi Europian dhe partnerët ndërkombëtarë i kanë dhënë një mbështetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me kërkimin parlamentar.

Spahiu nënvizoi se kjo nismë e Kuvendit të Shqipërisë dhe Institutit Parlamentar forcon kulturën e analizës, transparencës dhe reflektimit në procesin ligjvënës, duke e kthyer Kuvendin në një qendër inovacioni dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.

“Roli i partnerëve ndërkombëtarë mbetet thelbësor, pasi mbështesin forcimin e kapaciteteve parlamentare, zhvillimin e kërkimit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies” u shpreh Spahiu.

Në fjalën e tij, deputeti Erion Malaj, njëkohësisht edhe anëtar i Sekretariatit për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet Parlamentare, u shpreh se aktiviteti i sotëm dëshmon një punë të mirë të bërë falë mbështetjes së partnerëve tanë, ndërsa nënvizoi se studimet dhe analizat shkencore kanë kontribuuar në forcimin e dialogut institucional dhe vendimmarrjes së bazuar në të dhëna.

“Kontributi juaj është element i rëndësishëm në promovimin e transparencës parlamentare duke e bërë veprimtarinë e Kuvendit më të hapur dhe më të aksesueshme për të gjithë aktorët. Tema e këtij viti lidhet ngushtë me procesin e integrimit europian ku roli i Kuvendit është thelbësor në harmonizimin e legjislacionit vendas me standardet e BE-së. Kërkimi parlamentar, analizat profesionale janë mjete thelbësore për të mbështetur këtë proces dhe ne si Sekretariat mbështesim punën e Institutit me qëllimin e përbashkët anëtarësimin në familjen e madhe europiane brenda 2030”, u shpreh Malaj.

Aktiviteti vijoi më tej sesionin e hapjes me diskutime të ndryshme në lidhje me promovimin e rolit të parlamentit në procesin e integrimit europian nëpërmjet kërkimit bazuar në të dhëna.

Ky sesion u moderua nga deputetja  Greta Bardeli, anëtare e Sekretariatit për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet Parlamentare.

Në këtë panel përshëndetën ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, Drejtoresha e Shërbimit të Kërkimit në Parlamentin Europian, Sarah Sheil, Drejtori Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali dhe Drejtoresha e Institutit të Studimeve Europiane në Universitetin e Tiranës, Aljula Jubani.

Dita e Kërkimit Parlamentar vijoi punimet në dy panele paralele.

Paneli i parë, i fokusuar në “Rolin e Parlamentit në procesin e anëtarësimit në BE: modernizimi institucional, transformimi digjital dhe vendimmarrja e bazuar në të dhëna” u moderua nga deputetja Ina Zhupa.

Në këtë panel diskutuan mbi temën Ahto Saks, drejtor administrativ në Parlamentin e Estonisë dhe Julia Done, drejtore e Përgjithshme e Shërbimit të Informacionit dhe Dokumentacionit në Kuvendin e Shqipërisë.

Në vijim Migena Leskoviku, Artan Murati, Hysmir Idrizi dhe Enriko Ceko prezantuan punimet e tyre shkencore. Risi e këtij viti ishte prezantimi i punimeve shkencore në një sesion të dedikuar me postera. Në këtë sesion të dedikuar prezantuan Iris Shehaj,Lirik Veselaj dhe Manjola Zaçellari.

Paneli i dytë (paralel), i cili u moderua nga deputetja Iris Luarasi, u fokusua tek “Roli i shoqërisë civile, akademisë dhe bashkëpunimit rajonal në mbështetje të integrimit europian dhe zbatimit të standardeve të BE”.

Në sesionin hyrës dhanë kontribut Nevila Xhindi, eksperte e politikave publike, Qendra për Studime të Krahasuara dhe Ndërkombëtare, si dhe Katharina Stourzh, drejtore e Drejtorisë për Bashkëpunimin Parlamentar në Seksionin e BE-së dhe Ndërkombëtar, Parlamenti i Austrisë.

Në këtë panel prezantuan punimet shkencore Alketa Marku, Ema Kristo, Saimir Shatku dhe Marinel Prenga, si dhe Armand Braho. Ndërsa, në sesionin e posterave prezantuan Lorela Alia, Leons Hasani, Qani Nuhiu, Shezeina Rama dhe Valiana Rama.

Në fokus të prezantimeve ishte roli i Kuvendit në forcimin e kapaciteteve në kuadër të harmonizimit të legjislacionit vendas me acquis të BE-së; roli i Kuvendit në procesin e anëtarësimit në BE në epokën digjitale; mbështetja e veprimtarisë parlamentare nëpërmjet inteligjencës artificiale; integrimi gjuhësor dhe harmonizimi ligjor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE; përmirësimi i standardeve për lirinë e medias në Shqipëri në kuadër të procesit të integrimit europian dhe roli i Kuvendit të Shqipërisë; roli i Kuvendit në miratimin dhe monitorimin e politikave të qëndrueshme për punësimin e të rinjve; forcimi i kuadrit ligjor dhe institucional për parandalimin e pastrimit të parave në funksion të përafrimit me acquis të Bashkimit Europian; krijimi i kulturës së transparencës dhe llogaridhënies, përmes përfshirjes së qytetarëve në procesin e anëtarësimit; digjitalizimi i shërbimeve juridike dhe sfidat në kuadër të anëtarësimit; etj.

Dita e Kërkimit Parlamentar do të vijojë të jetë një platformë periodike për të gjithë aktorët e shoqërisë civile, akademikë të fushave të ndryshme të cilët me kontributin e tyre kanë për qëllim përmirësimin dhe forcimin e demokracisë dhe veprimtarisë parlamentare.

/gj.m/j.p/

The post “Roli i Parlamentit në procesin e anëtarësimit në BE”, edicioni i dytë u Ditës së Kërkimit Parlamentar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: SPAK nuk ka dërguar asnjë letër në kutitë tona postare, po përdoret për propagandë

14 November 2025 at 16:06

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha sot se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka dërguar asnjë njoftim drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe për pasojë stafi politik i grupit nuk ka patur çfarë të refuzojë.

Sipas Bardhit referimi nga SPAK i një gënjeshtre të thënë nga Kuvendi i Shqipërisë meriton vetëm përbuzje.

“Vetë SPAK ishte në dijeni të faktit se nuk ka dërguar ndonjë njoftim drejtuar Grupit tonë Parlamentar dhe për pasojë nuk mund të keqinformojë median mbi fakte të shtrembëruara për interesa politike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë”, shkruan Bardhi.

Bardhi nënvizon se “po ashtu, Prokuroria e Posaçme apo vetë Kuvendi është në dijeni të rolit dhe përgjegjësive të një grupi parlamentar dhe stafeve të tyre politike, ku “ofrimi i shërbimeve postare” nuk hyn në fushën tonë të përgjegjësisë!

“Rezulton e provuar se në kutitë postare të asnjë deputeti të grupit tonë parlamentar, që ndodhen brenda ambienteve të Kuvendit, nuk ka të depozituar asnjë njoftim të dërguar nga SPAK nga ana e administratës së Kuvendit të Shqipërisë”.

Bardhi shkruan se “shprehim keqardhje për keqpërdorimin politik të Prokurorisë së Posaçme, për propagandë dite të inskenuar nga mazhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë”.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi sot se ka dërguar në adresë të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, dy urdhër-thirrje në lidhje me hetimet që po kryhen për çështjen e 21 Janarit 2011, ku katër protestues u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

/m.q/a.f/

The post Bardhi: SPAK nuk ka dërguar asnjë letër në kutitë tona postare, po përdoret për propagandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Përdori gjuhë fyese dhe kërcënuese”, Grupi Parlamentar i PD-së kërkon përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të Taulant Ballës

By: Fax Web
7 November 2025 at 12:35

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Sekretariatit të Etikës përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të deputetit Taulant Balla.Në seancën e datës 6 nëntor, Taulant Balla ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.

“Në seancën e datës 06.11.2025, në shkelje të plotë të etikës dhe gjuhës parlamentare, gjatë diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ndërkohë që fliste për miratimin e kalendarit dhe programit të punës së
Kuvendit, ndërmori një sulm me fyerje dhe gjuhë joparlamentare drejtuar deputetëve të opozitës.
Gjuha joparlamentare dhe fyese, që përfshinë fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, ku specifikohet se: “1.Masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhelose në seancë plenare deri në 10 ditë” i jepet deputetit: a) kur edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesi i seancës/mbledhjes, bën thirrje për përdorim dhune, pengon zhvillimin e rregullt të seancës plenare/ mbledhjes së komisionit, shkakton kaos në seancë plenare komision, fyen, kërcënon ose dhunon deputetët e tjerë, drejtuesin e seancës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të ftuarit ose persona të tjerë, apo përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës, Kryeministrin ose institucione të tjera shtetërore”.

Kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në cdo rast i pa ndëshkuar. Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga
seanca plenare dhe komisionet parlamentare.
Prova për përdorimin e gjuhës jo parlamentare, fyese dhe kërcënuese, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit, në facebook, gjatë fjalës së deputetit Taulant Balla, lidhur me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Për të gjitha sa më lart, në mbështetje të nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, kërkojmë:
Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për shqyrtimin brenda afatit të kësaj kërkese.
Marrjen e masës disiplinore Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesë.

Berisha: Përshkallëzim i qëndrimeve të grupit parlamentar në Kuvend

3 November 2025 at 22:18

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se grupi parlamentar i PD do të përshkallëzojë qëndrimin e tij.

I pyetur nga gazetarët pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se grupi parlamentar i PD, ka patur vendim për të përshkallëzuar qëndrimet e veta.

Kryedemokrati theksoi se, “grupi ka pasur vendim për të përshkallëzuar qëndrimet e veta në parlament. Pa diskutim. Grupi vendosi që të vazhdojmë betejën fuqishëm në parlament”.

“Ne kemi eksperiencë të jashtëzakonshme për parlamentin. A do rikthehen ato që ishin apo të tjera, por  beteja në parlament nuk diskutohet, do bëjmë betejë në çdo terren që jemi”, tha Berisha.

I pyetur nëse është diskutuar për protestë, Berisha tha se, “është diskutuar gjerësisht për protestën. Janë dhënë mendime pozitive, por vendimet do merren në ditët që vijnë. Ishte fushatë elektorale, por në Tiranë nuk ka më fushatë”.

/gj.m/a.f/r.e/

The post Berisha: Përshkallëzim i qëndrimeve të grupit parlamentar në Kuvend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌