TIRANË, 3 tetor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama publikoi sot të gjitha masat e reja ligjore në sektorin e ndërtimit.
Në një konferencë me gazetarët të zhvilluar në Kryeministri, kreu i qeverisë, Edi Rama bashkë me ministren e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari u ndal konkretisht te masat e reja të qeverisë për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike nga zaptuesit dhe zbatimin e lejeve të ndërtimit.
Rama tha se janë të gjitha masa në fuqi, që është ndalimi i ndryshimit të aktivitetit, funksionit, destinacionit të një objekti apo të një njësie pa marrë lejen përkatëse.
Fjala e plotë e kryeministrit Rama:
Kjo konferencë ka një vlerë të posaçme për këtë moment të rrugës sonë dhe ka një vlerë të posaçme edhe për të njohur publikun me të gjitha aspektet e masave që qeveria ka ndërmarrë dhe që tanimë një pjesë e tyre janë kthyer, kanë marrë fuqi ligjore ndërkohë që një pjesë tjetër do të dalë për konsultim publik pasi janë masa që lidhen me Kodin Penal dhe tërësia e këtyre masave lidhet me atë që e kam paralajmëruar prej disa kohësh, domosdoshmërinë e ngritjes në një nivel tjetër të përpjekjes për t’i dhënë fund një herë e mirë ndërhyrjeve të paligjshme të të gjitha natyrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo është një qasje 360 gradë besoj, që shtrihet në të gjitha drejtimet e konstatuara si problematike dhe kam bindjen që do të na japë rezultate të konsiderueshme pasi krijon kushtet për një disiplinim të mëtejshme të gjithë procesit të ndërtimit dhe jo vetëm lidhur me ndërtimet pa leje, por edhe me ndërtimet me leje që rëndom bëhen shkak për deri edhe situata të vështira për njerëzit që paguajnë për të blerë një shtëpi dhe pastaj hasin gjithfarëlloj pengesash, deri edhe pamundësinë për të regjistruar shtëpinë e tyre si pronë të patundshme apo edhe pamundësinë për të hyrë në shtëpi, siç ka ndodhur në disa raste për shkak të konflikteve mes ndërtuesish apo të tjera të kësaj natyre.
Atëherë, po i marr me radhë sepse janë masa që i drejtohen edhe aktorëve të ndryshëm në këtë proces, duke filluar nga rritja e garancisë së zbatimit të projekteve arkitekturore përmes përfshirjes detyruese me ligj të arkitektit përgjegjës në procesin e zbatimit të punimeve. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që për shkak se arkitektët janë në një trysni të madhe nga ndërtuesit, për të bërë devijime nga projekti i miratuar dhe ndërkohë nuk janë subjekt i ligjit, kemi parë deformime të vazhdueshme në procesin e ndërtimit, duke e kthyer arkitektin në subjekt të ligjit dhe duke ngarkuar me përgjegjësinë e ndjekjes së projektit dhe me përgjegjësinë për çdo devijim nga projekti, bëhet e pamundur që çfarëdo lloj presioni nga ana e ndërtuesit, të funksionoj mbi arkitektin, pasi në rast se arkitekti i ikën përgjegjësisë që i ngarkon ligji, është ai që paguan pasojat.
Po ashtu një tjetër risi është formalizimi i mënyrës së njoftimit duke vendosur rregulla të detajuara për institucionet përgjegjëse dhe autoritetet mbikëqyrëse përpara fillimit të çdo lloj punimi, në mënyrë që procesi të jetë i gjithi i gjurmueshëm dhe i dokumentuar, gjë që sot nuk është rasti.
Më tutje, është përcaktimi i fazave të kontrollit duke ndarë qartë çdo fazë në periudhën e zbatimit të punimeve me kontroll në kohë të projekteve të miratuara. Edhe ky është një aspekt që ka çaluar shumë deri sot.
Më tutje është forcimi i mekanizmave të kontrollit duke përcaktuar 4 faza të detyrueshme kontrolli nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore dhe pastaj vjen detyrimi për dhënien e certifikatës së përdorimit nga ana e autoritetit përgjegjës, i zhvillimit të territorit, vetëm pas konfirmimit të aktit të kontrollit nga njësia e vetëqeverisjes vendore që përfshin edhe përfundimin sipas lejes së ndërtimit të fasadave, rifiniturave dhe sistemit të jashtëm në përputhje me projektin arkitektonik të miratuar dhe kemi shtuar dhe detyrimin që uji dhe dritat lidhen vetëm pas marrjes së certifikatës së përdorimit sepse e keni parasysh, që arsyeja pse njerëzit mbeten pa hipotekë, është se ndërtuesit nuk respektojnë të gjithë parametrat e lejeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja nga ana e bashkive është konstatuar të jetë jashtëzakonisht e dobët, gjë që kthen drejtpërdrejtë në viktimë, atë që është në fakt jo vetëm i pafajshëm, por që është i zoti i investimit, qytetari që ka paguar për të pasur një shtëpi.
Nga ana tjetër nuk do të lejohet më, që në godinat, pallatet pa certifikatë përdorimi të lidhet uji dhe të lidhen dritat; nuk do të lejohet më, që të merren njerëzit e të futen nëpër apartamente pa u përfunduar ashtu siç duhet objekti dhe pa u pajisur njerëzit me hipotekë. Futen në apartament dhe janë në shtëpinë që e kanë paguar me të gjitha kursimet e tyre po nuk janë pronarë me letra, një gjë e papranueshme dhe e patolerueshme për më tutje. E gjithë kjo pjesë lidhet me procesin ku janë të përfshirë aktorët institucionalë, që nga arkitekti deri tek Agjencia e Zhvillimit të Territorit apo bashkitë, si edhe vetë agjencitë që garantojnë furnizimin me energji dhe me ujë.
Më tutje, është një tjetër, ky bllok hyn tek ligji për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit.
Ndërkohë që kemi një tjetër bllok që është blloku i ndryshimeve në ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, ku janë rregullimi, inventarizimi dhe regjistrimi i hapësirave publike. Këtu dua të ndalem një moment se është shumë e rëndësishme për të gjithë ata që ndjekin gjithë procesin e çlirimit të hapësirave publike, por është shumë e rëndësishme dhe për ata që operojnë dhe kryejnë aktivitet komercial në hapësira publike, por është shumë e rëndësishme dhe për ata që zhvillojnë pronën private në një komunitet.
Deri më sot nuk ka qenë rregulli i regjistrimit të hapësirës publike. Sot me këtë masë të re hyn në fuqi si një detyrim ligjor pikërisht regjistrimi i hapësirës publike. Që do të thotë, kur kemi një zhvillim të caktuar mbi një pronë private për një godinë e cila pastaj iu jepet një numri të caktuar familjesh apo biznesesh që a të blejnë aty hapësira çdo metër katror rreth e rrotull asaj godine nuk është më pronë private, është pronë publike. Dhe nuk mund të ketë aty gardhe dhe zhvillime të tjera dhe leje të tjera për privatin pasi vetë koncepti i përqindjes së shfrytëzimit të pronës, do të thotë që nga kjo pronë ti mund të shfrytëzosh kaq dhe pjesa tjetër i takon të gjithëve. Pra siç janë të gjithë bashkëpronarë të mjediseve të përbashkëta, shkallët, tarracat, janë bashkëpronarë dhe të mjedisit jashtë, por në këtë të fundit janë bashkëpronarë si komunitet, është hapësirë publike.
Kjo bën që të jenë shumë të qartë të gjithë ata që sot janë në pozicionin e zaptuesit të hapësirës publike por të jenë të qartë edhe ata gjykatës të cilët na rastin më të mirë nga injoranca dhe në rastin më të keq nga paraja, mbyllin sytë dhe japin masa sigurimi padije apo madje i japin dhe të drejtë zaptuesve. Nuk mundet dot askush të pretendojë që ka pronën e vet pasi më parë i ka marrë asaj prone të gjitha të ardhurat si pasojë e një zhvillimi. Ashtu sikundër në asnjë hapësirë midis pallateve, në asnjë hapësirë pranë pallateve, në asnjë hapësire që nuk është e ndërtuar asnjë pronar privat nuk ka të drejtë të bëjë asgjë pa leje. Nuk mund të vërë traun për të bërë një parkim për t’i marre lekë njerëzve nëse nuk ka leje për të bërë parkim dhe nuk mund të bëjë dot asnjë aktivitet tjetër dhe ajo pronë nuk tjetërsohet në aspektin që nuk shtetëzohet, flas këtu për raste kur brenda hapësirave të pallateve janë kthyer prona, brenda hapësirave të oborreve të shkollave janë kthyer prona. Ato prona që figurojnë në hipotekë nuk tjetërsohen, por për sa kohë aty nuk ka një leje ndërtimi, i takon bashkisë, i takon shtetit që në ato prona, në ato hapësira të garantojë pastërti, të garantojë siguri. Dhe natyrisht të mbjellë pemë, të bëjë lulishte, të bëjë çfarëdo qoftë në këto prona komunitare por pa qëllim fitimi.
Në momentin që ka një mundësi për të ndërtuar për qëllim fitimi, atë ndërtim i takon ta bëjë privati. Duhet të jetë shumë e qartë kjo për të gjithë sepse është e paimagjinueshme që ndërkohë që për pak vite bëhemi pjesë e BE të kemi akoma diskutime mbi disa principe themelore të funksionimit të një vendi demokratik europian. Karakteri social i pronës është i mishëruar në të gjitha kushtetutat europiane dhe është norme e bashkëjetesës europiane. Nuk mund dot të vesh në emër të pronës një gardhë rreth e rrotull dritares së katit të parë dhe të rrisësh bagëti.
Më tutje është krijimi i regjistrit kombëtar elektronik të lejeve të zhvillimit dhe ndërtimit që është një databazë digjitale kombëtare ku do të regjistrohen të gjitha lejet e zhvillimit dhe ndërtimit të lëshuara nga të gjitha Autoriteti e Zhvillimit të Territorit, çka do të jetë një pikë referimi për të gjithë. Për të gjithë! Kudo ku ka një zhvillim, gjithsekush mund të bëjë verifikimin në këtë databazë.
Një tjetër masë është krijimi i listës së zezë dhe ndalimi për të aplikuar për leje ndërtimi i shkelësve të lejeve të ndërtimit. Dhe jo thjeshtë i kompanive por i personave. Lista e zezë do të përfshijë zhvilluesit, do të përfshijë shoqëritë, do të përfshijë individët që kanë shkelur ligjin përfshirë administratorët, ortakët, pronarët përfitues që do të përjashtohen nga çdo mundësi për të marrë leje ndërtimi për një periudhe 5 vjeçare dhe kjo listë do të mbahet dhe do të përditësohet nga sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe të Ujit dhe do të jetë një regjistër publik i aksesueshem në faqen elektronike nga të gjithë.
Dhe gjithë ky proces ndalimi do të thotë që nëse një subjekt ka kryer punime në kundërshtim, në shkelje të lejes së miratuar nga organi kompetent, Këshilli Kombëtar apo Bashkia dhe ka shtuar ose ka ndryshuar edhe qoftë edhe fasadën, këto shkelje pasohen me gjoba, pasohen me të gjitha ndëshkimet e tjera por e bëjnë menjëherë subjektin një subjekt të listës së zezë. Dhe thashë nuk është thjeshtë një subjekt, një individ, por janë të gjithë ata që përfshihen në këtë proces, ku hyn edhe arkitekti të cilit i hiqet licenca për 5 vjet dhe nuk mund të ushtrojë më profesionin.
Një pikë tjetër është monitorimi i territorit nëpërmjet teknologjisë. Përdorimi i kamerave, i droneve, i sistemeve GPS për monitorimin e ndërtimit dhe kontrollin në kohë reale të zbatimit të lejeve të ndërtimit. Sot që flasim nga ana e Këshillit Kombëtar të Territorit kërkohet vendosja e kamerave në të gjitha kantieret e ndërtimit dhe ndiqet gjithë procesi në kohë reale.
Një tjetër masë është krijimi i fondit të gjelbër i cili përcakton detyrimin që subjektet ndërtuese duhet të garantojnë një sasi të caktuar pemësh në raport me sipërfaqen e ndërtimit dhe rregullat e posaçme për krijimin e këtij fondi, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Për shembull, nëse një subjekt zhvillues është pajisur me një leje ndërtimit për një objekt, po themi me një sipërfaqe 5000 metra katrorë, me këtë masë të re në ligj, t’i lidhet menjëherë detyrimi për të garantuar një numër të caktuar pemësh, në raport me sipërfaqen që do të ndërtojë. Është një plan që e kemi përpunuar, do të krijojmë fidanishtet publike në pjesë të ndryshme të territorit dhe në ato pjesë të ndryshme të territorit, subjektet do të sjellin pemët. Nuk do të jetë një histori, që ‘’po, unë mbjell pemë dhe shihemi’’. Pemët do të kenë një katalog për pemët, do të kenë parametrat e caktuara dhe subjektet do të dorëzojnë pemët. Kështu që kush ndërton më shumë, do të mbjellë më shumë pemë.
Nga ana tjetër, kemi marrë një tjetër masë dhe këto janë të gjitha në fuqi, që të jemi të qartë. Janë të gjitha masa në fuqi, që është ndalimi i ndryshimit të aktivitetit, funksionit, destinacionit të një objekti apo të një njësie pa marrë lejen përkatëse. Çfarë do të thotë kjo? Ju, nuk e di, mbase si banorë të këtij qyteti mund të keni ndonjë shembull edhe vetë nga familja juaj, por janë të panumërt shembujt e familjeve që ankohen sepse blejnë apartament dhe për fqinj nuk kanë një familje tjetër, por kanë një furrë edhe dhoma e gjumit i bie mbi furrë në katin poshtë, ose kanë një zdrukthëtar që zdrugon ose sharron me sharrë, që mund të quhet Shaban ose jo, por që nuk është fare i presupozuar ta zhvillojë aktivitetin aty ku është praktikisht një komunitet familjesh dhe ku ka apartamente. Natyrisht që është e mundur, që të ketë aktivitete të caktuara, por pa dyshim që e para, këto aktivitetet duhen me leje dhe e dyta, duhet të jenë pjesë e një kategorie të caktuar që nuk tronditin dhe nuk shqetësojnë të gjithë të tjerët dhe këtë e kemi parë në mënyrë të vazhdueshme. Po ashtu, për ndryshimin e destinacionit ka edhe masë që është një masë monetare; ne rast se ndryshimi është bërë pa lejen përkatëse dhe natyrisht është edhe detyrimi për ta kthyer në gjendjen e mëparshme.
Më tutje, një masë tjetër regjistrimi i lejeve të ndërtimit, pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe njoftimit të Dhomës Kombëtare të Noterisë. Kjo është një tjetër masë për të garantuar që kush blen apartament apo dyqan, është i sigurtë që po blen një pronë të regjistruar dhe të regjistrueshme. Nuk po blen një pronë që s’do ta regjistrojë dot kurrë, ose do të presë me vite se duhet pastaj të kalojë në proces legalizimi ndërkohë që ndërtuesi ka ikur në drejtim të paditur, siç ka ndodhur për fat të keq shpeshherë. Dhe noteri do të hyjë në mes, në mënyrë që ta garantojë ketë proces.
Ka një tjetër parashikim të rëndësishëm, detyrues për lejet e ndërtimit, për objektet rezidenciale që duhet patjetër të përfshijnë hapësirën për fëmijët dhe kur them duhet të përfshijnë hapësirën për fëmijët, nuk kam parasysh një bahçe 5 metra katrorë me 5 metra katrorë, me një kolovarëse. Kam parasysh hapësirën e brendshme për fëmijët. Po ashtu, kemi parashikuar rregulla shumë të qarta për konfiskim për interes publik apo për strehim social dhe çdo ndërtim që do të shkelë lejen në masën mbi 2%, 2% konsiderohet në praktikën ndërkombëtare si një masë e arsyeshme ndryshimesh gjatë procesit të ndërtimit, do të konfiskohet për interes publik apo për strehim social dhe nga ana tjetër, kemi bërë dhe një dallim, që deri në masën 10%, pra midis 2 dhe 10, konfiskohet vetëm ajo shtesë, edhe përdoret ajo sipërfaqe, qoftë për t’i dhënë të pastrehëve apo qoftë edhe për zyra për shtetin. Mbi masën 10% konfiskohet totalisht ndërtimi.
Ky ishte një tjetër bllok i risive dhe ky bllok pastaj vazhdon me disa problematika të tjera që janë punimet e filluara dhe të papërfunduara, për të cilat ka përfunduar afati i lejes së ndërtimit prej më shumë se 5 vjetësh, kemi parë nëpër qytete të ndryshme një godinë atje, rri atje në mes të qytetit dhe bëhet edhe si vend me probleme, kështu që të gjitha këto sipas këtij akti ligjor, do prishen, do konfiskohen apo do të vendosen procedura për t’i përfunduar në rast se do shfaqet dikushi që i ka lënë në atë gjendje dhe do të sjellë garanci që mund t’i përfundojë. Por kryesisht, do të përcaktohet, është përcaktuar me VKM e gjithë procedura se si zhvillohet ky proces.
Muret rrethuese janë një problematikë më vete në këtë republikë dhe akti që kemi kaluar, përcakton se muret rrethuese do të duhet t’i nënshtrohen rregullave tip, modeleve tip. Nuk mund të jetë dot Shqipëria evropiane, një vend ku muret rrethuese janë tërësisht pa asnjë lloj sensi të zhvillimi të përbashkët urban të një lagjeje, të një zone apo të një rrugice apo të një rruge. Dhe pa diskutim që siç merret leja për ndërtimin, merret leja dhe për murin rrethues. Muret rrethuese pa leje do të duhet t’i nënshtrohen korrigjimit, pra do të duhet të adaptohen sipas modeleve tip që do t’i vënë në dispozicion bashkitë për të mos krijuar as burokraci dhe patjetër që kudo ku janë ndërtuar në godina për qëllime fitimi, se ka mure rrethuese shtëpish për të cilat natyrisht procedura do të jetë mirëkuptuese dhe do t’i jepet kohë që të adaptojnë si duhet, kurse çdo mur rrethues i bërë nëpër resorte, i bërë nëpër pallate apo nëpër godina për qëllim fitimi do prishet, i bërë pa leje kuptohet, do prishet, do shembet. Dhe për mur duhet marrë leje sepse muret, e keni parë vet me siguri dhe kur keni shkuar me pushime sidomos në jugun e vendit, që ato muret kanë tendencë të gllabërojnë treçerekun e trotuarit dhe pastaj janë ato trotuaret minimaliste që jo nuk ecën dot një çift, por duhet të ecësh anash që mos biesh në rrugë.
Një tjetër masë e marrë është që ankimimi administrativ dhe gjyqësor nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit përfundimtar të Autoritetit përgjegjës të Zhvillimit të Territorit. Kjo është një masë shumë e rëndësishme sepse këtu ka pasur shumë spekulime dhe shumë abuzime siç ka pasur dhe shumë akte pranimi në heshtje, një sport shumë i shëmtuar i mos paraqitjes fare në gjyq i palës pushtet-lokal ose të palës një agjenci qendrore në territor. Kështu që, nuk do të ketë asnjë pezullim të ekzekutimit të vendimeve të Autoritetit përgjegjës të Zhvillimit të Territorit.
Një tjetër risi është rritja e rolit të Policisë së Shtetit si pjesë e bashkëpunimit institucional për kontrollin dhe monitorimin e territorit. Bashkëpunimi mes Policisë se Shtetit dhe autoriteteve të kontrollit të territorit forcohet me instrumente të rinj ligjorë dhe jepet mundësia autoriteteve përgjegjëse, i jepet mundësia dhe pushtetit vendor më konkretisht që të ketë një ndërveprim të menjëhershëm ligjor me Policinë e Shtetit, lidhur me këtë problematikë.
Ndërkohë që ka parashikime të reja për mos zbatimin e fasadave sipas projekteve. Kjo është shumë e rëndësishme sepse siç mund ta dini në Shqipëri operon grupi më i madh i arkitektëve ndërkombëtar në të njëjtin vend dhe janë rreth 200 arkitektë ndërkombëtarë që studiojnë arkitekturën ndërkombëtare që janë të përfshirë në projekte në Shqipëri dhe një pjesë jo e vogël e tyre janë emrat më të mëdhenj në botë. Tani, të marrësh arkitektë të këtij kalibri dhe kjo nuk i heq asnjë gjë të drejtës së arkitekteve lokal dhe cilitdo arkitekti që kur bën këtë të realizohet kjo dhe jo bën këtë dhe në fund del një kub teneqeje sepse ndërtuesi bën çfarë të dojë me fasadën. Fasada është e drejta e çdokujt që nuk banon në atë godinë për të pasur një prezencë estetike aty ku jeton në radhe të parë, pastaj dhe komponentët e tjerë të fasadës që kanë të bëjnë me kursimin e energjisë, që kanë të bëjnë me të tjera aspekte, por në radhë të parë është e drejta e çdo kujt që jeton në këtë qytet ose në cilido qytet që të ketë rreth e rrotull gjëra të bukura jo shëmtira.
Kështu që, nuk është një shpikje e jona, por dhe për fasadën siç thonë dhe legjislacione të tjera mund të shkohet dhe në konfiskim total. Deri sot na i kanë bërë të vështira shumë gjëra sepse kanë përdorur njerëzit si puna e Hamasit për të mbrojtur veten. I kanë futur njerëzit pa certifikatë përdorimi nëpër shtëpi, pa mbaruar punimet, pa vënë dhe ashensorët ndonjëherë, se i dinë shumë mirë shqiptarët që më dëgjojnë tani dhe e kanë bërë të pamundur që të ndërmerren masat ekstreme, se çfarë do konfiskosh aty, si do ta konfiskosh kur njerëzit janë brenda, si do ta bllokosh? Ndërkohë që ndryshimi thelbësor që bëjmë me këto ndërhyrje, që nuk ka më ujë e nuk ka më drita pa marrë certifikatën e përdorimit dhe nuk ka më një qindarkë të paguar nga njerëzit për të blerë shtëpi që të mos përkthehet në pronë me hipotekë. Dhe nuk ka më që tjetër leje merr dhe tjetër leje zbaton. Kështu që deri për fasadën janë përcaktuara si dhe qysh, do shkohet deri në konfiskim.
Tani vijmë tek një element tjetër që me shumë të drejtë, me të drejtën e Zotit dhe të popullit shumë qytetarë e kanë ngritur gjatë kësaj periudhe, që jemi dakord këta që shkelin e që bëjnë, por çfarë ndodh me ata që duhet të kontrollojnë. Se tani përtej faktit që kjo është më e vështirë të bëhet sesa të thuhet por në fund të ditës diçka, dikush duhet ta paguajë dhe nga ana tjetër. Dhe ka një sërë masash të reja, se këtu sporti i ndërtimit pa leje është zhvilluar si sport kombëtar për shumë e shumë vite. Ne e kemi ulur çdo vit kurbën, por nuk e kemi sheshuar dhe në këtë sport kombëtar që ju nuk e di sa e mbani mend por është nxitur dhe nga lart, ka qenë dikush këtu para meje që e quante Bathoren mrekullinë e 8 të botës, sepse është i pari qytet thoshte që është ndërtuar i gjithi pa leje. Edhe ishte gati një aplikim që të mos thoni ju globi ka 7 mrekulli se janë 8. Pra është incentivuar ndërtimi pa leje në mënyrë të fuqishme dhe edhe punonjës të shtetit janë marrë me ndërtime pa leje.
Tani këtu ka një pikë, që në rast se konstatohet që punonjësi i shtetit, mjafton që të marrë 1 euro nga taksat, me kohë të plotë a me kohë të pjesshme ka kryer punime pa leje, qoftë të përkohshëm apo të përhershme, qoftë dhe një pergolatë lart atje do të ndalohet të punojë në shtet për 7 vjet nga momenti që do të konstatohet dhe do t’i njoftohet masa, përveç pasoja të tjera si çdokush tjetër që janë pasoja të natyrës administrative, gjoba por dhe të natyrës penale sepse ndërkohë kemi dhe ndryshime në Kodin Penal të cilat do të hyjnë në konsultim publik, nuk kanë hyrë akoma në fuqi.
Më tutje ka parashikime të reja për detyrimin që subjektet që kapen në shkelje të mbulojnë shpenzimet për prishjen dhe për pastrimin se dhe kjo histori që ca ndërto pa leje, shkon shteti harxhon para, kohë energji të kapitalit njerëzor për të prishur dhe për të pastruar nuk mund të vazhdojë kështu. Kështu që dhe shpenzimet e prishjes dhe shpenzimet e pastrimit do t’i ngarkohen fajtorit.
Ka një masë tjetër që është mosveprimi i autoriteteve në rastet të miratimit në heshtje, që janë rastet kur dokumenti i lejes duhet t’i dorëzohet kërkuesit 15 ditë nga dita e pagesës së taksës për ndikimin në infrastrukturë nga autoriteti vendor dhe 30 ditë nga autoriteti qendror dhe pastaj leja gjenerohet automatikisht, në të gjitha këto raste do të ketë sanksione. Sanksionet do të jenë direkt për kryetarin e Bashkisë apo për sekretariatin e KKTU-së në varësi se kush e ka dhënë. Ka historira të habitshme me pamundësi objektive nga ana e subjekteve për të paguar për taksën nga njëra anë, që t’i të presësh dhe të të mos thonë ‘hajde paguaje taksën’ ose që t’i shmangesh kësaj duke luajtur me sy me autoritetin përkatës është e pa tolerueshme.
Më tutje, janë ashpërsuar masat administrative që përveç kësaj që përmenda, kanë të bëjnë me mos deklarimin e punimeve që kryhen me deklaratë paraprake, kanë të bëjnë me kryerjen e punimeve pa leje brenda brezit bregdetar apo në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, etj. Ky ishte blloku i dytë.
Blloku i tretë i ndryshimeve janë në ligjin për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme ku hyjnë monitorimi i lejeve në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit që do të sjellë një ndryshim të qenësishëm të gjithë strukturës së monitorimit në tërësi dhe trupës së inspektimit të krijuar nga inspektoratet e Mbrojtjes së Territorit do ti shtohen edhe dy persona të tjerë mbështetës me rol përgjegjës nga Drejtoria e Monitorimit pranë Agjencisë.
Kjo do të bëjë që surprizat që i kemi parë në forma nga më të ndryshmet të minimizohen maksimalisht. Unë mendoj që duhet të asgjësohen, por le të themi që duhet të minimizohen maksimalisht sepse çdo godinë dhe leje ndërtimi për një godinë duhet të lidhet me personat përkatës dhe nuk do të jetë më faji anonim. U ndërtuan katër kate apo pesë kate në mes të Tiranës dhe faji është anonim. Nuk do të jetë më kështu. Çdo godinë, çdo leje ndërtimi do të jetë e lidhur me persona dhe personat do të përgjigjen për çdo certifikim të rremë apo të pasaktë të punimeve në çdo fazë. Ajo që njerëzit thonë me të drejtë ‘po mirë, sytë ku i kishin këta të tjerët?”
Janë një sërë masash që e bëjnë mbylljen e syve fatale për atë që mbyll sytë. Ka një sërë gjobash nga sekretariati teknik pranë autoriteteve të inspektimit në rast të konstatimit të shkeljeve të lejeve të ndërtimit. Pastaj është përcaktimi i të paktën një inspektori si person përgjegjës që ka për detyrë të monitorojë dhe të kontrollojë zbatimin e projektit gjatë gjithë procesit. Njëri do të jetë nga fillimi deri në fund të procesit.
Më tutje është largimi i menjëhershëm nga detyra dhe kallëzimi penal për të gjithë inspektorët në rastet kur konstatohet mosvënie në dukje e shkeljeve. Po ju jap një shembull konkretet. Nga kontrollet e bëra, jo një e dy, më shumë se një e dy fatkeqësisht, si rezultat i denoncimeve të bëra nga qytetarët te portali “Hapësira Ime Publike” ka rezultuar që ndërkohë që në territor leja është shkelur rëndë, në bashki aktet e konstatimit të inspektorëve bashkiakë figurojnë çdo gjë në rregull. Për këtë lloji fenomeni në çdo rast që provohet mosveprim apo aq më keq akoma mbyllje e syve masa është largimi i menjëhershëm nga detyra dhe ndjekje penale dhe ndalim për tu kthyer në punë shteti për një periudhë të caktuar kohe. Të gjitha denoncimet e bëra nga qytetarët në portalin Hapësira Ime Publike apo në forma të tjera të provueshme do të jenë të lidhura drejtpërdrejtë me personat përkatës. Asnjë denoncim nuk do të mund të lihet sikur nuk ndodhi. Në rast se një denoncim është lënë sikur nuk ndodhi direkt shkohet te përgjegjësia.
Një tjetër ashpërsim i masave lidhet me mosushtrimet e kontrolleve dhe me një sërë elementësh të tjerë që kanë të bëjnë jo vetëm me shtrembërimin e rezultatit të kontrollit, por dhe me mosrespketimin e afateve për të marrë vendimet e parashikuara në kohë, me mosrespektimin e afateve të zbatimit të vendimeve të parashikuara në ligj, me moszbatimin e vendimit të pezullimit të punimeve, me mosrespektimin e afatit për dhënin e informacionit dhe pengimin për përmbushjen e detyrës dhe mosparaqitjen e menjëhershme të kërkesës për heqjen e licencës të mbikëqyrësit të punimeve në rast se konstatohen shkelet. Këto janë të gjitha masat e reja të cilat janë në fuqi sot që flasim. Ndërkohë që hyjnë në konsultim ndryshimet në Kodin Penal. Ndryshimet në Kodin Penal ku fillon nga zënia e tokës. Çfarëdolloj zënie toke publike apo private pa patur një titull ligjor që do të thotë leje për çfarëdolloj qëllimi, banim, shfrytëzim të çfarëdoshëm do dënohet me burg. Edhe për parkim, e zë tokën e bën një parking të paligjshëm do të shkosh në burg. Pastaj janë nenet e tjera për përsëritjen apo bashkëpunimin, apo kur kjo sjell pasojë që rritet masa e dënimit. Masat e dënimit do të jenë përfundimtare kur të shpallet drafti kështu që nuk po i citoj.
Ndërsa kur këto sulme bëhen në zona të mbrojtura, bëhen në parqe natyrore, cënojnë objekte të trashëgimisë kulturore, objekte kulti, monumente të kulturës apo infrastrukturën kritike, atëherë burgimi është goxha më i gjatë dhe kur një vepër e kësaj natyre kryhet nga persona që paguhen nga shteti, në çfarëdolloj pozicioni qofshin dhe sidomos kur konstatohet symbyllje dhe bashkëpunim nga ata që duhet t’i ruajnë këto territore, atëherë dënimi është edhe më i gjatë dhe ka një sërë nenesh që lidhen pikërisht me personat që punojnë për shtetin dhe në fund fare do të propozojmë dhe disa ndryshime për administrimin e objekteve të konfiskuara dhe ndërtimet pa leje për interes publik dhe strehim social ku shfuqizohet e drejta e parablerjes në një procedurë konfiskimi dhe e drejta për të lidhur kontratë me premtim shitjeje. Ky është thelbi i këtij ndryshimi.
Këto janë të gjitha ndryshimet, përveç atyre të Kodit Penal, të gjithë të tjerat janë në fuqi dhe ministrja e Brendshme, ministri i Drejtësisë kanë nisur punën për një proces informimit, do t’i çojmë të gjitha ndryshimet në një paketë informimi për të gjithë autoritetet dhe për të gjithë punonjësit që lidhen me këtë problematikë do t’ua çojmë të gjithëve me emër dhe mbiemër në zarf dhe do tua japim në dorë, që të mos thonë nesër ‘’nuk e kisha lexuar, nuk e dija’’, etj. Do tua çojmë të gjithë gjykatësve të Gjykatës Administrative se dhe ata janë shumë të zënë dhe kanë shumë ngarkesë edhe nuk kanë kohë mbase që t’i lexojnë. Madje atyre do tua bëjmë edhe me shpjegime sepse është një fushë specifike që shpeshherë dhe nuk e kuptojnë dhe nuk kanë faj dhe i mirëkuptojmë në moskuptimin e tyre dhe do tua çojmë emër për emër, çdo gjykatësi të Gjykatës Administrative të gjitha ndryshimet, me të gjitha shpjegimet teknike dhe do t’i vëmë në dispozicion edhe ekspertë në rast se kanë nevojë për sqarime të mëtejshme. Dhe uroj shumë që marrjet e masave të sigurisë në dhoma të ashtuquajtura këshillimi, ku nuk lajmërohet asnjë njeri dhe ku nuk kanë idenë fare se ça mase po marrin se vjen një ankesë me letër dhe nuk e shohin fare se për ça bëhet fjalë; dhe marrin masa sigurimi që i bien ndesh një komuniteti të tërë atje dhe komuniteti me të drejtë thotë ‘’Ja, e sheh? Korrupsion’’, vetëm se ia ‘’vë gishtin” e korrupsionit, institucioneve që duhet ta heqin atë çiban ndërkohë që korrupsionin e bën dikush tjetër. Të marrin fund dhe patjetër që do t’i publikojmë të gjitha këto edhe për dijeninë e publikut dhe kush do të jetë i interesuar t’i shikojë, do tua çojmë të gjithë arkitektëve të licencuar të Republikës së Shqipërisë me zarf dhe me emër. Të gjitha studiove të arkitekturës do tua çojmë të gjitha, të gjithë noterëve, të gjithë inxhinierëve, të gjithë ndërtuesve patjetër do tua çojmë, atyre që nuk dinë shkrim e këndim do t’u vëmë në dispozicion edhe një lexues në rast se e duan me licencë, që askush të mos thotë nesër ‘’nuk e dija’’. Dhe e drejta e komunitetit duhet të triumfojë një herë e mirë dhe asnjë lloj force e verbër e çfarëdolloj përmase, nuk mund dot të marrë peng asnjë familje të vetme, duke i ndezur furrën poshtë krevatit dhe jo më pastaj të marrë peng një lagje të tërë duke vënë traun atje, apo duke vënë vazot lart e poshtë, apo duke ngritur ato pergolatat prej hekuri nga të 4 anët.
Sigurisht që e kam thënë dhe më parë, kjo është Tiranë dhe nuk është Teheran dhe patjetër që rregullorja e re e shfrytëzimit të hapësira publike për aktivitete tregtare do të hapë rrugën që edhe ata që kanë aktivitete tregtare, të bëjnë aktivitetin e tyre dhe qytetet të marrin atë lezetin që ka një qytet kur ka mesdhetarë, kur ka edhe mundësinë që të ulesh edhe jashtë mureve, sidomos në periudhat më të ngrohta e më të nxehta, por çdo gjë me rregull dhe në mënyrë strikte. Kjo është pak a shumë e gjithë panorama dhe prandaj menduam që ta bëjmë në këtë formë që të na ndjekin njerëzit dhe që të kemi mundësi që t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja, të cilat duhet të jenë vetëm për këtë temë dhe për asgjë tjetër. Kjo nuk është konferenca e Vitit të Ri, nuk është as konferenca e zgjedhjeve të reja, është konferenca e komunikimit me publikun për një hall shumë të madh të përbashkët të qeverisë edhe të publikut, që është hapësira publike, që është prona dhe pacenueshmëria e trupit plot hire të Shqipërisë nga lloj-lloj aventurierësh dhe nga lloj-lloj karagjozësh që duhet të tërhiqen në pozicionet e tyre dhe të bëhen njerëz normalë.
The post Fjala e plotë e Ramës për masat e reja ligjore për forcimin e kontrollit mbi territorin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.